• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUVEND

July 31, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Majtas dhe djathtas sjellin në mendje më shumë spektrin politik sesa drejtimet e rrugëve. Politika ka hyrë në çdo qelizë tonën, është bërë pjesë e saj. Nuk dihet se kur, por koha është kapur dhe si çdo gjë që zotëron, njeriu e vë atë në shërbim të vetes.

Por, si hyri politika mes nesh? Për të na bashkuar, tha, por na përçau. Pse liberalët quhen të majtë dhe konservatorët, të djathtë?

Historitë e origjinës gjithmonë janë tërheqëse, por me kohën e shpërdorur ato edhe ndryshojnë, psh., liberali i djeshëm është konservatori i sotëm. Përsëri dyshoni?

Historia e së majtës dhe të djathtës në politikë rezulton të jetë e veçantë, ku e majta u referohet njerëzve dhe partive që kanë pikëpamje liberale. Kjo në përgjithësi do të thotë se ata mbështesin reforma progresive, që veçanërisht kërkojnë barazi më të madhe shoqërore dhe ekonomike. E majta përdoret edhe për njerëz me pikëpamje më ekstreme, siç është komunizmi dhe socializmi-ështē barazia ideale që këta synojnë, por është provuar e pamundur, utopike.

Fjala e djathtë, në të kundërt, i referohet njerëzve ose grupeve që kanë pikëpamje konservatore. Kjo zakonisht do të thotë se ata janë të predispozuar për të ruajtur kushtet dhe institucionet ekzistuese, ose duan të rivendosin ato tradicionale. E djathta ekstreme shpesh përdoret për pikëpamjet nacionaliste, përfshirë fashizmin dhe disa ideologji shtypëse, që në fakt e kanë origjinën më shumë në të majtën, e cila armë të fortë ka propagandën për të ndryshuar çdo ngjyrë.

Origjina e të majtës dhe të djathtës politike lidhet me udhëdrejtimet fizike. Majtas dhe djathtas tregojnë pozicionet ku përfaqësuesit u ulën fillimisht në Asamblenë Kombëtare Franceze të vitit 1789, parlament i formuar pas Revolucionit Francez. Në krahun e djathtë të kryetarit të këtij kuvendi, u ul fisnikëria dhe udhëheqësit më të lartë fetarë. Në të majtë zunë vend përfaqësuesit e thjeshtë dhe klerikët më pak të fuqishëm. Ana e djathtë mbronte aristokracinë; ana e majtë ishte pro shtresës së mesme. Përfaqësuesit e moderuar u ulën në qendër. Ata ishin konstitucionalistët. Të pavarurit zunë vend në qendër të këtij spektri. Normalisht, Kryetari nuk duhej t’i përkiste asnjërës anë.

Më 1946, në Shqipëri, Kuvendi u shkëput nga kjo traditë parlamentare. Gjithë vendi “votoi” majtas. Kjo traditë me një spektër të majtë vazhdon. Sikur të paktën t’u kishte ngjarë kuvendeve të kohërave kur nuk kishte ende shtet dhe anë – sot ngjarjet në parlamentin “tonë” nuk do të shiheshin si shfaqje për të qeshur nga ata që s’revoltohen.

Filed Under: Politike Tagged With: Astrit Lulushi, Kuvend

THACI : ME SERBINE E KEMI FITUAR LUFTEN, TASH TE FITOJME PAQEN

December 26, 2018 by dgreca

PRESIDENTI THACI NE KUVEND: ME SERBINE E KEMI FITUAR LUFTEN, TASH DUHET TE FITOJME PAQEN/

1 Thaci Kuvend
KOSOVA KA PËRKRAHJEN E MIKUT MË TË MADH DHE SHTETIT MË TË FUQISHËM, SHBA-së/
 
-Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi sot në fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës: I jemi mirënjohës që në letrën e tij presidenti Tramp e dallon Kosovën si partner vendimtar për paqen dhe zhvillimin në tërë kontinentin e Evropës. Duhet të marrim me seriozitetin më të thellë ftesën e presidentit Trump kur thotë që “nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik” dhe “të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe”. Kemi përkrahjen e mikut më të madh dhe shtetit më të fuqishëm, SHBA-së/
 
PRISHTINË, 26 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI, me korrespondentin e saj, e akredituar në Presidencën e Kosovës
 
FJALIMI VJETOR I PRESIDENTIT THAÇI PARA DEPUTETËVE NË KUVENDIN E KOSOVËS – 26 Dhjetor 201
 
I nderuar Kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli,
E nderuara Kryesi e Kuvendit,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës.
Jam i lumtur dhe krenar të prezantoj të arriturat e Kosovës në këtë vit jubilar që po e lëmë prapa.
Por, edhe të tregoj për rrugën që kemi përpara dhe mundësitë që sjell për zhvillim edhe më të madh të republikës sonë
Viti 2018 ishte vit jubilar në të cilin shënuam dekadën e parë të shtetit të Kosovës.
Në dhjetë ditë festime në muajin shkurt, janë shpalosur të arriturat e Kosovës në dhjetëvjetorin e parë në çdo fushë të jetës.
Duke u marrë me çështjet e përditshme nganjëherë harrojmë të shohim se sa larg kemi arritur.
Prandaj, dhjetë ditë festë ishin rast i mirë për të kujtuar se ku kemi qenë dhe ku jemi sot.
Nga një vend i shkatërruar nga gjenocidi i ushtruar nga shteti i Serbisë, jemi ngritur në një shtet të pavarur e sovran.
– Me zhvillimin më të shpejtë ekonomik në rajon
– Me legjislacionin më të avancuar në rajon;
– Me institucione demokratike e të qëndrueshme;
– Me suksese në shëndetësi e arsim, në shkencë e art, në sport e në kulturë.
I kujtuam sakrificat dhe angazhimin për liri.
Do t’u jemi përherë mirënjohës atyre që dhanë çdo gjë për lirinë që gëzojmë ne sot.
Dëshmorëve dhe familjeve të tyre.
Dhe zotohemi që do të bëjmë çdo gjë që vuajtjet të mos përsëriten, për askënd.
Këtë e bëjmë për gjeneratat që do të vijnë.
Por, e bëjmë edhe për qytetarët e sotëm të Kosovës, heronjtë e vërtetë të suksesit të Kosovës.
Më lejoni të përmend një fakt që kishte humbur në vorbullën e lajmeve për 10 vjetorin e pavarësisë.
Gati gjysmë milioni qytetarë nga e tërë Kosova e nga diaspora jonë e madhe, kanë festuar më 17 shkurt dekadën e parë të shtetit të Kosovës.
Dhe në festimet që zgjatën tërë ditën nuk është shënuar asnjë incident.
Kjo tregon përkushtimin e qytetarëve të Kosovës për rend, qetësi dhe siguri.
Të nderuar deputetë,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Si president i vendit edhe në vitin 2018 kam përfaqësuar vendin, brenda dhe jashtë.
Kam pritur në Kosovë presidentin Pahor të Sllovenisë dhe presidentin Junker të BE-së, kancelarin Kurz të Austrisë dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë.
Kam realizuar vizita bilaterale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Gjermani, në Britani të Madhe, por edhe në vendet e rajonit, në Bullgari, në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Maqedoni.
Kam përfaqësuar Kosovën në forumet më të rëndësishme ndërkombëtare, si takimi i Forumit Ekonomik Botëror në Davos dhe takimet tjera të këtij forumi në Montreal të Kanadasë dhe Gjenevë të Zvicrës.
Po ashtu, e kam përfaqësuar edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe në Forumin e Paqes në Paris.
Kam përfaqësuar Kosovën edhe në Samitin e Sofjes të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Alpbach në Austri, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.
Por, edhe në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Kore.
Në Jerevan të Armenisë, në samitin e vendeve të Organizatës së Frankofonisë kemi avancuar postin tonë nga shtet vëzhgues në anëtar të asociuar
Në të gjitha këto forume kemi bërë të qartë që Kosova është e përcaktuar për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë
Që Kosova është e përkushtuar për dialog dhe paqe.
Që Kosova angazhohet me tërë forcat që sa më parë të bëhet anëtare e NATO-s dhe e BE-së.
 
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Edhe viti 2018 ka pasur momente kur është bërë i rëndë dhe kur kemi përjetuar humbje,
Këtë vit kemi humbur Adem Demaçin dhe Fadil Vokrrin.
Nuk ka fjalë që përshkruajnë këtë humbje.
Do ta ruajmë dhe nderojmë kujtimin duke vazhduar të punojmë për atë që ëndërronin edhe ata.
Dhimbje kemi përjetuar edhe nga mospranimi i Kosovës në INTERPOL, por edhe për shkak të vonimit të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë nga ana e BE-së.
Jam krenar që si shtet, si shoqëri, kemi bërë çdo gjë që është kërkuar nga ne. Kemi plotësuar çdo kriter, edhe për anëtarësim në INTERPOL, edhe për liberalizim të vizave.
Mungesa e vendimit të drejtë në këto dy raste nuk është humbje për ne.
Por, nuk është as dekurajim që të vazhdojmë për forcimin e shtetit tonë.
Këtë e bëjmë, sepse mbi të gjitha është në interesin tonë, në dobinë tonë.
Jemi përballur edhe me plagët e hapura nga e kaluara e dhimbshme.
Kam emëruar Ekipin Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.
Kam dekoruar zonjën Vasfije Krasniqi–Goodman për guximin që të flasë hapur dhe të kërkojë drejtësi për vete dhe për mijëra viktima tjera të dhunës seksuale, të ushtruar nga forcat policore dhe ushtarake të shtetit serb gjatë luftës në Kosovë.
Jam ndier krenar sidomos me të arriturat e artistëve dhe sportistëve tanë.
Si çdo qytetar tjetër i Kosovës jam krenar me të arriturat e këngëtareve tona në botë, me të arriturat e piktorëve dhe arkitektëve.
Jam krenar me të arriturat e xhudisteve e të xhudistëve.
Me të arriturat e futbollistëve tanë.
Është bërë e gjatë lista për t’i përmendur me emër një nga një.
Si president më ka gëzuar fakti që kam dekretuar pakon e ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë.
Që nga dita e parë në Zyrën e Presidentit, jam angazhuar që të përkrah sa më shumë fuqizimin e drejtësisë.
Kjo pako që përfshinë ndryshimet në Kodin Penal, Ligjin për Gjykatat, për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë dhe ligje tjera, që do të forcojmë edhe më tutje sistemin tonë të drejtësisë.
Por, zonja dhe zotërinj,
Jam ndier veçanërisht i lumtur dhe krenar që tek unë kanë arritur për dekretim tri ligjet me të cilat hapet rruga që Forca e Sigurisë së Kosovës të bëhet ushtri e Kosovës.Shpesh jam ndier i vetmuar në angazhimin tim për themelimin e ushtrisë së Kosovës.
Por, jam i lumtur që më në fund i tërë spektri politik i Kosovës u bë bashkë rreth këtij synimi për transformimin e FSK-së.
Ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u them se ata e kanë merituar që moti këtë.
Me punën e tyre, me profesionalizmin e tyre, ata që moti janë ushtarë të Kosovës.
Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojë të mbetet forcë profesionale e standardeve të NATO-s, forcë shumetnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe në shërbim të paqes në Kosovë, në rajon dhe më gjerë.
E mirëpres edhe faktin që spektri politik kosovar ka filluar të bëhet bashkë rreth sfidave dhe mundësive imediate për shtetin tonë.
Në radhë të parë e kam fjalën për sfidën e arritjes së një marrëveshjeje paqësore me Serbinë
Me Serbinë kemi një shekull armiqësi.
E kemi fituar luftën, ndonëse me çmim të lartë.
Tani është koha ta fitojmë edhe paqen me Serbinë.
Për veten tonë dhe për gjeneratat që do të vijnë.
Prandaj e mirëpres themelimin e Ekipit Negociator nga Kuvendi i Kosovës dhe fillimin e punës për marrëveshjen me Serbinë.
Kjo marrëveshje duhet të jetë përfundimtare, gjithëpërfshirëse, e arritur në proces paqësor e të ndërmjetësuar nga Bashkimin Evropian dhe mbështetur plotësisht nga SHBA-ja.
Kjo marrëveshje duhet t’i sjell Kosovës njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.
Ndërsa, rajonit dhe Evropës do t’i sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet.
Të nderuar deputetë,
Dy letra të arritura në zyrën time këtë muaj tregojnë se jemi në rrugë të drejtë.
Letra e presidentit Macron të Francës e lavdëron angazhimin tonë për paqe e stabilitet.
Por, edhe më e fuqishme është letra e presidentit Trump, e shtetit më të afërt tonë.
I jemi mirënjohës që në letrën e tij presidenti Tramp e dallon Kosovën si partner vendimtar për paqen dhe zhvillimin në tërë kontinentin e Evropës.
Duhet të marrim me seriozitetin më të thellë ftesën e presidentit Trump kur thotë që “nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik” dhe “të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe”.
Kemi përkrahjen e mikut më të madh dhe shtetit më të fuqishëm, SHBA-së.
E kemi përkrahjen BE-së dhe të shteteve anëtare të saj.
E kemi përkrahjen e botës për të arritur marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë.
 
Të humbim këtë rast, siç thotë edhe presidenti Trump në letrën e tij, do të ishte kthim tragjik prapa dhe do të humbnim një mundësi që nuk do të përsëritet edhe një kohë të gjatë.
Prandaj sot, si President i Kosovës, nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ne emër të qytetarëve dhe lidershipit të Kosovës, konfirmoj se Kosova është gati për dialog.
 
Kosova zotohet se do ta arrijë marrëveshjen finale me Serbinë.
 
Lidershipi dhe qytetarët e Kosovës presin me padurim bekimin e kësaj marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë, nën lidershipin tuaj president Trump.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Urime festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Viti i Ri.
Gëzuar!

Filed Under: Featured Tagged With: Kuvend, Lufat dhe Paqa, Presidenti Thaçi, Serbia

Takim i vatranëve të Torontos

March 2, 2018 by dgreca

1 Vatra Toronto

 

Nga Arbana Tërthore/

Më 28 janar 2018, të dielen mbasdreke mbajti mbledhje dega e “Vatrës’ së  qarkut të Torontos, Kanada. Ky ishte takimi i parë i vatranëve të këtushëm për vitin 2018. Mbledhja u mbajt në odën e nënkryetarit të degës së këtushme z. Qamil S. Dardhankodra dhe u kryesue nga kryetari Tanush Kastrati i cili fillimisht e hapi mbledhjen. Ai në fillim i përshëndeti të pranishmit dhe ua përcolli urimet për Vitin e Ri nga Kryesia e Federates Panshqiptare te Amerikes VATRA, qendra e saj në Nju Jork për dëshirat më të mira dhe urimet për vitin që sapo filloi. Kryesia e paraqiti rendin e ditës i cili u pranue nga pjesëmarrësit. Fillimisht kryetari paraqiti një raport të shkurtër për punën e vjetme të “Vatrës” së Torontos. Përpos punëve dhe detyrave të suksesshme që i kreu “Vatra” vitin e shkuar ai tha se nuk ishte i kënaqur me arritjet, dhe u zotue se sivjet do te duhet të punojmë edhe më shumë sepse na presin detyra e punë më të mëdha dhe dega e vatres duhet te shtoje anetaresine, te bëhet më aktive në komunitet dhe të përgatitet edhe për zgjedhje.

Kryetari Kastrati u kujtoi vatraneve se ky eshte shpalle Vit i heroit Kombetar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe ashtu siç ka vepruar Vatra në qendër apo ne Michigan, ku janë organizuar veprimtari akademike e kulturore, ashtu duhet të veprojë edhe dega jonë.

Kryetari z. Kastrati i njohu të pranishmit me përgatitjet që po bahen për ndërtimin e Kishës shqiptare në Toronto dhe se “Vatra” aty do t’i ketë zyret, në bazë të premtimeve të dhana, gja që e gëzoi kryesinë dhe të pranishmit.

Në fillim u zgjodhën dy mbikqyrës (zyrtarë) e këta janë Gëzim Artini dhe Agon Trëpeza.

Gjatë takimit diskutuan dhe shfaqën mendimet edhe anëtarët e tjerë. Sekretari i degës z. Lulzim Rrafshi foli për detyrat dhe për punën që i pret sivjet vatranët e Torontos. Ai nguli kambë për një punë më energjike të kryesisë, për afrimin e anëtarëve të rinj dhe për organizimin e veprimtarive cilësore në komunitet. Ai shfaqi mendime për të gjitha punët që i dalin përpara “Vatrës” dhe u angazhua për masivizimin e “Vatrës”, zgjerimin dhe pranimin e anëtarëve të ri, ndërsa nënkryetari z. Dardhankodra i dha përparësi takimit të zyrtarëve të “Vatrës” së këtushme me njerëzit e pushtetit lokal; këshilltarë, deputetë, kryetarë komunash, etj.

Vatra, tha ai, duhet të bëhet faktor në komunitet, ashtu sic ka qenë dikur, kur vatranët e Torontos kishin zë të fuqishëm jo vetëm në komunitetin shqiptar, por Redhe në institutioner vendase. Në këtë mbledhje u pranuen disa antarë të rinj. Në vazhdim e morën fjalën disa të pranishëm, antarë të “Vatrës” të cilët u zotuan për një punë edhe më kambëngulëse për punët dhe detyrat që i presin.

Filed Under: Featured Tagged With: Arbana Tërthore, i “Vatrës” së Torontos, Kuvend

Kosova para 18 viteve, Kuvend në kohë lufte

July 16, 2016 by dgreca

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

Foto Gazeta DIELLI- Behlul Jashari: Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova, që ishte shtëpi e shkrimtarëve dhe seli e institucioneve të Republikës së Kosovës, ku u mbajt seanca konstituive e Kuvendit kosovar në 16 korrik 1998/

Kosova para 18 viteve, Kuvend në kohë lufte/

-Raportova drejtpërdrejtë nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës dhe ndërhyrja aty e forcave serbe, në 16 korrik 1998/

-Presidenti Ibrahim Rugova: “Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë të Republikës së Kosovës në tërësinë territoriale të saj, realizimit të lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrat e mia. Betohem”/

-Deputetët: “Betohem se do të angazhohem me përgjegjësi dhe me ndërgjegje për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, për realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare të qytetarëve të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 16 Korrik /ATSH-Behlul Jashari/.-Kosova në kohë lufte, para 18 viteve, mbajti zgjedhje në 22 mars dhe në 16 korrik 1998 konstituoi Kuvendin që nuk kishte arritur ta konstituonte pas zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992 të Republikës atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, që megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Seanca konstituive e Kuvendit u mbajt në shtëpinë e shkrimtarëve, që u shndërrua në seli të Presidencës e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, në sallën që ishte e vogël për ngjarjen e madhe, ku ishte gritur flamuri kombëtar shqiptar dhe u intonua Himni i Flamurit.

Deputetët, të zgjedhurit e popullit që kishin ardhë edhe nga zonat e luftimeve, zgjodhën me aklamacion akademik Idriz Ajetin për kryetar të Kuvendit dhe tre nënkryetarë, ndërsa u betuan se “do të angazhohen me përgjegjësi dhe me ndërgjegje për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, për realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare të qytetarëve të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Zgjedhjet ishin edhe presidenciale dhe i zgjedhuri për herë të dytë, Presidenti Ibrahim Rugova, dha poashtu betimin: “Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë të Republikës së Kosovës në tërësinë territoriale të saj, realizimit të lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrat e mia. Betohem”.

Në seancën e nisur në orën 12:30, ku u bënë nderimet më të larta për të rënët për lirinë e pavarësinë e Kosovës, u miratua propozimi që Kuvendi të nxjerrë një Deklaratë për gjendjen në vend, e cila theksonte se, Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës.

“Mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës u bë në kushtet e okupimit serb të Kosovës, në rrethanat e ushtrimit të terrorit shtetëror serb me përmasa gjenocidi, por edhe në kushtet e fuqizimit të rezistencës së përgjithshme dhe të hovit të luftës çlirimtare të Kosovës”, thuhej fillimisht në Deklaratë.

Theksohej se, “i dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1998, të mbajtura gjithashtu në kushte të pushtimit, dhe si kundërshtim politik e institucional i këtij pushtimi dhe i institucioneve të pushtuesit, e, para së gjithash, si shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarës, institucioni më i lartë politik përfaqësues dhe kushtetues – ligjvënës i pavarësimit të Kosovës”, po nxirrte Deklaratën.

Seanca konstituive e Kuvendit zhvillohej nën shtetrrethimin ushtarako-policor që Beogradi kishte vendosur në Kosovë që u dyfishua edhe me rrethimin nga forcat serbe me armatime e makineri luftarake që mbërritën te ndërtesa, madje edhe hynë brenda dhe konfiskuan dosje e dokumete derisa raportoja drejpërdrejtë për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë -ATSH e Radio Televizionin Shqiptar – RTSH dhe me një kasetofon special të vogël e të fshehur, që ma kishte dërguar vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, bëja gjithë audioincizimin  e zhvillimeve. Pjesë e zhvillimeve, derisa vazhdonte ndërhyrja e forcave serbe, ishte edhe ardhja e shpejtë brenda selisë, ku ishin Presidenti Rugova e deputetët kosovarë, e diplomatëve amerikanë – e Nikollas Hill, sekretar i parë në Ambasadën e SHBA-ve në Beograd, që ndodhej atë ditë në kryeqytetin kosovar dha nga Zyra Amerikane në Prishtinë, që ishte hapur nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 6 qershor 1996  dhe shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.

Në prag të zgjedhjeve kosovare parlamentare e presidenciale të para 18 viteve, Kongresi Amerikan kishte miratuar një rezolutë, në të cilën, krahas kërkesës që SHBA-të të mos lejojnë të përsëritet një Bosnje tjetër në Ballkan, kërkohej që zgjedhjet në Kosovë të mos pengoheshin. “Ne kemi një shprehje në anglisht: ‘zgjedhje në hije’. Por, ne presim me padurim që kosovarët të mbajnë zgjedhje në dritën e diellit”, deklaronte ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Strob Talbot.

Pas zgjedhjeve, në 29 maj 1998, Presidenti Rugova në Uashington u takua me Presidentin amerikan Bill Klinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Rugova pas takimit. Ndërsa, Klinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.

Njëmbëdhjet vite më vonë, në 1 nëntor 2009,  në Kosovën e lirë, Presidenti amerikan Bill Klinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Klinton gjatë vizitës në Kosovë.

Kosova para 26 vitesh, në 2 Korrik 1990, miratoi në Kuvend Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë e saj. Më pas, Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990.  Në fundshtatorin 1991 Kosova mbajti Referendumi për pavarësi, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Kosova është e lirë 17 vite,  nga 12 Qershori 1999, kur nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s. Pavarësia e Kosovës, e shpallur para 8 viteve, në 17 Shkurt 2008, është njohur deri tani nga 111 shtete anëtare të OKB-së.

DEKLARATË E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

-Le të bashkojmë në një unitet të sinqertë të gjitha forcat politike shqiptare, të gjitha potencialet fizike e mendore, morale e politike, në frontin e përbashkët të qëndresës dhe të pavarësisë sonë. Të bashkëpunojmë më tepër dhe të bashkërendojmë përpjekjet me të gjithë ata që mund dhe duhet të na ndihmojnë, me Republikën e Shqipërisë, me viset shqiptare jashtë saj dhe me diasporën/

PRISHTINË, 22 KORRIK 1998

Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli sot një Deklaratë nga mbledhja konstitutive e datës 16 korrik 1998. Në Deklaratën ë nënshkruar nga kryetari i Kuvendit, akademik Idriz Ajeti, shprehen qëndrimet e organit ligjdhënës të Republikës për çështje dhe probleme të ndryshme të aktualitetit të Kosovës.

Në tekstin e deklaratës përkujtohet mes tjerash se Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës.

Më posht po e japim të plotë Deklaratën.

D E K L A R A T Ë

Nga mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës

Mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës u bë në kushtet e okupimit serb të Kosovës, në rrethanat e ushtrimit të terrorit shtetëror serb me përmasa gjenocidi, por edhe në kushtet e fuqizimit të rezistencës së përgjithshme dhe të hovit të luftës çlirimtare të Kosovës.

I dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1998, të mbajtura gjithashtu në kushte të pushtimit, dhe si kundërshtim politik e institucional i këtij pushtimi dhe i institucioneve të pushtuesit, e, para së gjithash, si shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarës, institucioni më i lartë politik përfaqësues dhe kushtetues – ligjvënës i pavarësimit të Kosovës,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Është dhe do të jetë:

– institucion që artikulon qartë dhe fuqishëm aspiratat dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës për liri e pavarësi;

– institucion që shpreh dhe orienton interesin dhe veprimin e popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë të Kosovës për zhvillim të lirë e demokratik;

– organ i bashkimit politik të popullit të Kosovës dhe i orientimit të përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës parësisht me rrugë politike e me mjete paqësore, në bazë të rezultateve të Referendumit të vitit 1991, në mbështetje të parimeve të vetvendosjes e të demokratizimit dhe të parimeve të tjera të vlefshme në raportet e sotme ndërkombëtare.

Pikërisht si shprehje e aspiratave për pavarësi dhe e vendosmërisë për realizimin e saj, si institucion dhe faktor i pavarësimit, Kuvendi i Republikës së Kosovës është përfaqësues i të gjithë atyre për të cilët pavarësia dhe demokratizimi janë orientime themelore, përtej përkatësive politike e partiake dhe dallimeve të tjera eventuale.

Për t’i kryer funksionet e veta themelore në rrethanat konkrete,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS

do të përpiqet të jetë:

– institucion i bashkimit politik dhe i konsenzusit thelbësor të të gjitha forcave politike në Kosovë;

– institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës;

– organ i besimit të mirë dhe i bashkëpunimit të barabartë të të gjithë popujve të Kosovës;

– organ i afirmimit të mëtejshëm ndërkombëtar të përpjekjeve tona çlirimtare në përputhje dhe në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare;

– organ i normëzimit demokratik të marrëdhënieve dhe i garantimit të lirive dhe të të drejtave individuale e kolektive, politike e kombëtare.

Kuvendi i Republikës së Kosovës u konstituua dhe po fillon të funksionojë në rrethana tejet të rënda, komplekse dhe të rrezikshme. Sundimi serb po e shtyp Kosovën me tërë peshën, me qëllim që ta nënshtrojë popullin e saj. Kosova tashmë po hyn në një luftë, që mund të jetë shumë më e përgjakshme dhe më rrënimtare. Për Kosovën dhe të ardhmën e saj këto janë ditë vendimtare.

Humbjet e përgjithshme politike dhe ushtarake të Serbisë në Kosovë, shtimi i rrezistencës së përgjithshme të popullit të Kosovës, zgjerimi dhe fuqizimi i shpejtë i UÇK-së, dënimi ndërkombëtar i pretendimeve të Serbisë, izolimi i saj, ashtu si dhe angazhimet e shtuara ndërkombëtare, paralajmërojnë disfatë të sigurt të hegjemonizmit serbomadh. Megjithatë, deri në çlirimin përfundimtar mbetet për t’u bërë një punë e mundimshme dhe me flijime të reja. Prandaj, tash më shumë se kurrë nevojiten përkushtimi, vendosmëria dhe bashkëpunimi i të gjithëve për realizimin e pavarësisë.

Përkundër kësaj gjendjeje që po kalon Kosova, mundësitë e dialogut dhe të zgjidhjes paqësore, edhe pse tani jo të shumta, nuk janë shpenzuar tërësisht. Prandaj, pa hequr dorë nga syçeltësia dhe vetmbrojtja, të përpiqemi t’i shfrytëzojmë ato.

Për të arritur e realizimin e këtyre synimeve është e domosdoshme të jemi unikë dhe të vendosur. Le të bashkojmë në një unitet të sinqertë të gjitha forcat politike shqiptare, të gjitha potencialet fizike e mendore, morale e politike, në frontin e përbashkët të qëndresës dhe të pavarësisë sonë.

Të bashkëpunojmë më tepër dhe të bashkërendojmë përpjekjet me të gjithë ata që mund dhe duhet të na ndihmojnë, me Republikën e Shqipërisë, me viset shqiptare jashtë saj dhe me diasporën.

Të bashkëpunojmë me miqtë tanë kudo që të jenë. Me angazhimin, me pjekurinë, me përgjegjësinë dhe vendosmërinë në qëndrimet dhe në veprimet tona ta meritojmë mirëkuptimin dhe ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë dhe të mekanizmave të tjerë në të gjitha instancat e veprimit të tyre.

Konstituimi dhe funksionimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës le të jenë faktor i kapërcimit të zënkave, faktor i një bashkëpunimi të ri cilësor, i një kthese thelbësore pozitive në orientimet dhe në veprimtaritë tona, thuhet në deklratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nënshkruar nga Akademik Idriz Ajeti, kryetar.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosova para 18 viteve, Kuvend, në kohë lufte

Kosovë- Opozita, pankarta në seancë para Komisionerit Hahn

November 6, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 6 Nëntor 2015/ “Prania juaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës është dëshmi e përkushtimit të Bashkimit Evropian për të përkrah Kosovën në proceset e integrimit”, tha kryeparlamentari Veseli duke iu drejtur Komisonerit Hahn në seancën sot.
Ndërsa, në vazhdimësi të “aksioneve simbolike” opozita – deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shpalosur në sallën e seancave plenare te ulëset e tyre, para Komisonerit Hahn, pankartat “A është segregacioni etnik vlerë e BE-së?!” dhe “Marrëveshjet e padrejta nuk do të kalojnë!”
Sipas opozitës, synimet pro-perendimore dhe integruese të popullit të Kosovës po dëmtohen nga disa marrëveshje që janë në shpërputhje të plotë me vlerat e Bashkimit Evropian.
“Segregacioni dhe ndarja etnike janë projekte tashmë të tejkaluara dhe të luftuara ashpër nga shtetet perendimore. Reciprociteti dhe barazia në mes të shteteve janë disa nga vlerat fundamentale të BE-së nga të cilat Kosova nuk guxon të heq dorë”, theksohet në deklaratë.
“Opozita e bashkuar e Kosovës beson që vetëm duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të Republikës, jemi duke i mbrojtur edhe vlerat perendimore”, shtohet më tej.
“Marrëveshjet për Asociacionin dhe për demarkacionin janë të padrejta. E para ndan etnikisht dhe e defunksionalizon vendin kurse e dyta ia fal territoret e Kosovës Malit të Zi. Ne nuk mund të heqim dorë nga subjektiviteti shtetëror dhe nga funksionaliteti i shtetit tonë. Evropa nuk do të pranojë në gjirin e saj një shtet jofunksional dhe të pazhvilluar dhe i cili për shkak të marrëveshjeve që e ndajnë etnikisht do të jetë burim i përhershëm i konflikteve”, deklaron LVV në një njoftim.
Prandaj, vijon deklarata, subjektet opozitare, duke e mbrojtur Republikën e Kosovës nga këto marrëveshje të padrejta, po e mbrojnë dhe lehtësojnë edhe rrugën e saj drejt integrimit evropian.
“Shteti, liria, barazia, drejtësia dhe zhvillimi, janë çështje për të cilat nuk mund të bëjmë kompromise”, thuhet në deklaratën e opozitës./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Kuvend, me pankarta, Opozita

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT