-Kryesia përgatitje për seancë plenare. Shtypi: Deputetët e koalicionit kërkojnë forcimin e sigurisë në Kuvend/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Nëntor 2015/ Përgatitjet për seancën plenare me më shumë se 30 pika në rend dite, janë sot në axhendën e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, i cili prej plot dy muajsh nga fillimi i sesionit vjeshtor bllokohet nga opozita me edhe me protesta, gjuajtje me vezë e gaz lotësjellës në seanca e jashtë tyre në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Së fundit, në 23 tetor, as në mesnatë nuk ka përfunduar dita e gjatë e ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës e rreth tij, një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, pa opozitën, u mbajt në orët e para të pas mesnatës. Opozita, e cila qëndronte në seancën plenare, edhe me ndonjë pije, deklaronte se deputetetët e koalicionit qeverisës ishin mbledhur në byfenë e Kuvendit.
Ndërsa, sipas njoftimit zyrtar, “salla në të cilën është mbajtur vazhdimi i seancës nuk është byfeja e Kuvendit, por sallë alternative e sallës kryesore. Një nga arsyet pse seanca është zhvendosur në sallën alternative është se deputetët opozitarë me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëmtim në rrjetin e zërimit përmes prishjes së gjashtë mikrofonave”.
Njoftimi theksonte se, “në pamundësi për mbajtjen e seancave plenare, më 17 shtator 2015, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna e seancës plenare, është cenuar siguria dhe shëndeti i deputetëve, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të mbajtur me 23 tetor, është marrë vendimi përmes të cilit kërkohen veprime plotësuese, duke përfshirë edhe ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë për siguri, në mënyrë që të sigurohet shëndeti i deputetëve dhe mbarëvajtja e punimeve të seancës plenare”.
Derisa zhvllohej seanca e Kuvendit të Kosovës jashtë sallës plenare, opozita deklaronte se, “aktualisht po mbahet një takim ilegal i strukturave partiake të LDK-PDK, të cilët e kanë uzurpuar një sallë të institucioneve publike për ta zhvilluar një takim ilegal të strukturave të tyre brenda Kuvendit”.
“Kjo në asnjë mënyrë nuk është seancë, prej së cilës në mënyrë të papranueshme është përjashtuar opozita”, shtohej në deklaratë.
Opozita ka paralajmëruar vazhdimin e bllokimit të seancave plenare të Kuvendit, ndërkohë që bojkoton mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe të Kryesisë së Kuvendit.
“Nuk ndalemi, nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve shtetërore, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi”, janë shprehur tre subjektet e opozitës së bashkuar edhe në deklaratën e fundit të përbashkët, ndërkohë që në ambientet e Kuvendit para mediave kanë prezantuar edhe një peticion me më shumë se 200 mijë nënshkrime.
Në 10 nëntor, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës miratoi Masë të përkohshme për marrëveshjen Kosovë-Serbi për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjykata njoftoi se, “mbajti këshillime dhe njëherazi miratoi Masë të përkohshme, me të cilin pezullon implementimin e çfarëdo veprimeve të mëtejshme ligjore në bazë të ‘parimeve të përgjithshme/elementet kryesore’ të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre Parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.
“Ky Vendim për Masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës”, shtohej në njoftim.
Ndërsa, opozita deklaronte se, “sot, pas dy muajsh të rezistencës aktive të opozitës, pas mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, gjunjëzimi i pushtetit veç ka filluar. Presidentja i dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjet e 25 gushtit ndërkohë që demarkacioni me Malin e Zi, tashmë është i shpallur ‘nul’ dhe në formën aktuale, nuk do të ratifikohet nga askush”.
Në 30 tetor, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Presidentja e ka referuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese për të ngritur çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.
Në 11 nëntor, qeveria e Republikës së Kosovës në një deklaratë theksonte se mbetet e përkushtuar për dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në këtë proces.
“Masa e përkohshme e marrë nga Gjykata Kushtetuese është procedurë normale dhe e pezullon zbatimin e Marrëveshjes për Parimet e Përgjithshme / Elementet Kryesore të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Për ta siguruar përputhshmërinë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Marrëveshja si e tillë në pikën 2 e ka paraparë shqyrtimin e saj nga Gjykata Kushtetuese”, theksonte komunikata e qeverisë kosovare.
Kuvendi i Kosovës, derisa u mblodh në seancën konstituive shumë të vonuar në 8 dhjetor 2014, në legjislacionin e kaluar ishte 7 muaj jofunksional, 1 muaj para e 6 muaj pas zgjedhjeve parlamentare parakohëshme të 8 qershorit.
“Deputetët e koalicionit kërkojnë forcimin e sigurisë në Kuvend”, është një kryetitull balline sot në shtypin në Prishtinë.
Deputetët shumicë në Kuvendin e Kosovës insistojnë në mbajtjen e seancave plenare, pavarësisht bllokadës së opozitës,shkruan Koha Ditore.
Këtë ata do ta bëjnë duke u kërkuar ndihmë Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme përmes forcimit të masave të sigurisë. Gazeta merr vesh se 84 deputetë kanë nënshkruar peticion dhe do t’i drejtohen ekzekutivit për krijimin e kushteve të sigurisë për punë në Kuvend. Kjo çështje pritet të diskutohet në mbledhjen e së hënës në kryesi. Janë gjithsej 32 pika të cilat do të diskutohen në kuadër të përgatitjeve për seancën e radhës.
Një burim brenda Kuvendit ka thënë se ka vendosmëri për mbajtjen e seancave plenare, qoftë edhe nëse ato nuk mbahen në sallën e dedikuar për seanca.
“Bashkësia ndërkombëtare në Kosovë insiston në mbajtjen e seancave dhe do ta njohë çdo seancë dhe miratimin e axhendës parlamentare, edhe nëse seanca mbahet jashtë selisë së Kuvendit”, ka thënë burimi. Gazeta nuk ka arritur të vërë kontakt me shefat e grupeve parlamentare të partive në pushtet, PDK e LDK.
Ndërsa, nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kanë thënë se seancat duhet të mbahen. Driton Lajçi, këshilltar i Veselit, as nuk ka pohuar e as mohuar nëse ka ardhur peticioni i pozitës, që për adresë ka qeverinë.
“Policia do të futet në Kuvend nëse rrezikohen deputetët”, paralajmëron sot shtypi i Kosovës
Kosovë, Kuvendi i bllokuar në seancë me kontrollim të detajuar/
-Në mbledhjen e Kryesisë, pa përfaqësuesit e opozitës, po ashtu është marrë vendim “për kontrollim të detajuar të të gjithë pjesëmarrësve në aktivitetet e Kuvendit, përfshirë edhe kryeparlamentarin Veseli”/
-“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë e edhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tash, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi/
-“Policia do të futet në Kuvend nëse rrezikohen deputetët”, paralajmëron sot shtypi i Kosovës në një kryetitull në ballinë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor, i bllokuar nga opozita, mblidhet në një seancë tjetër sot të ftuar nga Kryesia me shefat e grupeve parlamentare, përballur edhe me bojkot, me vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës, ndërsa është paralajmëruar kontrollim i detajuar si masë e sigurisë e preventivës.
“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë e edhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tash, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Ndërkohë, ka pasur kërkesa për marrjen e masave të nevojshme për zhbllokimin e seancave plenare të Kuvendit, Kryesia e tij në mbledhjen e djeshme për përgatitjet për sot “vlerësoi se veprimet që do të marrë kryesuesi i seancës do të jenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Punës së Kuvendit, ndërsa, qëndrimi do të merret duke u bazuar në sjelljen e grupeve parlamentare të opozitës”.
Në mbledhjen e Kryesisë, pa përfaqësuesit e opozitës, po ashtu është marrë vendim “për kontrollim të detajuar të të gjithë pjesëmarrësve në aktivitetet e Kuvendit, përfshirë edhe kryeparlamentarin Veseli”.
Ndërsa, subjektet parlamentare opozitare shprehin qëndrimin e përbashkët se, “vendimet e djeshme të Kryesisë së Kuvendit (në mbledhjen e së cilës morën pjesë LDK, PDK dhe Lista Srpska) janë absolutisht të papranueshme”.
“Konsiderojmë se këto janë metoda të shtetit policor që dhunon deputetë, arreston kundërshtarët politikë dhe ndalon deputetët të futen në Kuvend. Kryetari i Kuvendit po e blindon këtë institucion duke e vënë nën mbikëqyrje policore. Policia po i mbivendoset demokracisë. Kjo është e papranueshme”, janë shprehur LVV, AAK e Nisma.
Sipas tyre, trajtimi i tillë ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, është në funksion të bosnjëzimit të Kosovës, duke mbrojtur ‘Zajednicën’ dhe në funksion të humbjes së integritetit territorial të Kosovës, duke i dhënë Malit të Zi rreth 10 mijë hektarë”.
Më tej në deklaratë shtohet se, “veprimi politik opozitar është tërësisht legjitim, në mbrojtje të shtetit, të integritetit territorial të tij, si edhe në mbrojtje të karakterit qytetar e jo etnik të organizimit tonë shoqëror e shtetëror”.
“Etnizimi i territorit të shtetit, i cili po na servohet përmes këtyre marrëveshjeve, ‘de facto’ është logjikë apartheidi dhe segregacioni në baza etnike, që nuk është as në interesin e shumicës e as të pakicës. Prandaj ne jemi të vendosur që të mos e lejojmë një gjë të tillë!”, thekson opozita kosovare
“Protesta jonë në Kuvend do të vazhdojë dhe nuk do të ketë kompromis pa u tërhequr marrëveshjet. Çdo tensionim i situatës, pas këtyre masave policore, është përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës”, përfundon opozita e bashkuar.
“Policia do të futet në Kuvend nëse rrezikohen deputetët”, paralajmëron sot shtypi i Kosovës në një kryetitull në ballinë.
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës vlerësohet me rrezikshmëri të lartë. Për këtë arsye Kryesia e Kuvendit ka ndërmarrë masa që shmangin përplasjen fizike mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, shkruan gazeta Koha Ditore.
Në hyrje-daljet e Kuvendit do të ketë kontroll të plotë për secilin deputet dhe të tjerët që hyjnë në Kuvend. Nëse brenda sallës arrijnë të futen armë të mprehta dhe nëse ka konfrontim fizik, do të autorizohet intervenimi i policisë. Këto masa opozita i ka vlerësuar të papranueshme, duke paralajmëruar se për çdo përshkallëzim të situatës përgjegjësia bie mbi kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e Kosovës.
Një ditë para mbajtjes së seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbledhur sërish anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare. Ai ka kërkuar t’i tregojnë se cilin skenar ta vërë në veprim përballë bllokadës së opozitës. E mungesa e një propozimi konkret, i cili nuk del jashtë Rregullores, herë pas here ka krijuar tension mes Veselit dhe përfaqësuesve të LDK-së.
“Seancë me policë”, është kryetitulli në ballinë i gazetës Zëri, ku theksohet se, “Policia e Kosovës ka gjasa të ndërhyjë sot brenda sallës së Kuvendit të Kosovës për t’i larguar deputetët opozitarë në rast se ata tentojnë ta bllokojnë foltoren. Por, pavarësisht këtij kërcënimi, opozita thotë se sërish do ta bllokojë punën e legjislativit”.
“S’do të tërhiqemi”, është kryetitulli i gazetës Epoka e Re, sipas së cilës “nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë se opozita duhet ta zhbllokojë Kuvendin e Kosovës”.
Ndërsa, me një këndvështrim tjetër, gazeta Kosova Sot, mes tjerash shkruan se, “rivaliteti brenda koalicionit përgatit terrenin për rrëzimin e kryeministrit Mustafa” , e gazeta Bota Sot ka kryetitullin “Opozita nuk heq dorë: Skenari i tronditjes vazhdon nën përkëdheljen e SHIK-ut!”. Thekson se Kryesia e Kuvendit urdhëron kontroll të rreptë në Kuvend për të gjithë.
Kosovë- Rinis dhe rindërprehet rivazhdimi i seancës së Kuvendit për 4 marrëveshjet me Serbinë
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Shtator 2015/ Sapo nisi dhe rindërpreu për herë të dytë gjatë ditës rivazhdimin seanca e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë të enten e javës së kaluar, e rindërprerë sot para më shumë se tre orësh për “10 minuta pushim” të dhënë nga kryetari, Kadri Veseli, pasi opozita protestoi dhe e gjuajti me vezë kryeministrin Isa Mustafa derisa po informonte për katër marrëveshjet e 25 gushtit Prishtinë-Beograd në Bruksel.Por, opozita përsëri protestoi, vendosi në “rrethim” kryesinë e seancës, ndërsa kryeparlamentari Vesli kërkoi “15 miniuta pushim për të bashkëbiseduar 5 minuta në zyrë”. Në zyrë ai i ftoi kryetarët e grupeve parlamentare, por deputetët po vazhdojnë të qëndrojnë në sallën e seancës.
Ca minuta më herët, kryeparlamentari Veseli u shpreh:“Kisha pasë dëshirë që kryeministri të largohet prej salle, ose sigurimi i kryeministrit (të largohet nga salla e seancës) që mos të ketë situata të tilla”. Por, kryeministri ka vazhduar qëndrimin në sallën e seancës së Kuvendit, ndërsa ndodhnin zhvillime të tjera.
Në vazhdimin e seancës pak para mesditës, Mustafa gjatë pak minutave që foli në seancën e Kuvendit tha se marrëveshjet e dialogut në Bruksel më datën 25 gusht të vitit 2015 kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhenieve (të 19 prillit 2013).
“Në Bruksel më 25 gusht të vitit 2015 ne i përfunduam marrëveshjet për katër dokumente: 1. Asociacioacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, parimet e përgjithëshme, përkatësisht elementet kryesore; 2. Konkluzionet e lehtësuesëve të Bashkimit Evropian mbi zbatimin e marrëveshjes për energjinë të vitit 2013 për heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë; 3. Plani i veprimit për telekomunikacionin; dhe 4. Konkluzionet për urën mbi Ibër, përkatësisht heqja e barrikadave nga ura e Mitrovicës”, tha Mustafa.
“Duhet të theksoj para këtij Kuvendi se nuk kemi të bëjmë me marrëveshje të reja, por kemi të bëjmë me precizime të veçanta që derivojnë nga Marrëveshja e parë e ratifikuar me Ligj nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këto katër dokumente, pra që kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë, janë nënshkruar nga dy shtetet, nga Republkika e Kosovës dhe ajo e Serbisë dhe nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga kryeministrat e dy shteteve dhe Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian”, vijoi ai.
Kryeministri Mustafa në seancën e Kuvendit, derisa e ndërprenë, arriti ta thotë edhe këtë në vazhdim: “Dakordimi mbi këto dokumente, si dhe të gjitha tjerat në dialogun e Brukselit janë arritur në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që njëherit janë edhe mbështetësit për zbatimin e plotë të tyre nga të gjitha palët.
Kjo pako (e marrëveshjeve) është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e vendit, me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun në Bruksel….”
Pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.
“Marrëveshjet janë arritur dhe janë nënshkruar nga kryeministrat e të dy vendeve, nga unë dhe kryeministri i Serbisë, dhe poashtu nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Kreu i qeverisë së Kosovës ka theksuar se, këto marrëveshje sikurse edhe dialogu në Bruksel, janë arritur në bazë të bashkëpunimit të ngushtë për një periudhë të gjatë kohore me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të një studimi të thellë që i është bërë të gjitha këtyre dokumenteve, të konsulencës dhe ekspertizës profesionale që e kemi zhvilluar këtu.
“Këto marrëveshje janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës, ndërsa kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve tona që ne i kemi krijuar me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013”, është shprehur ai.
Ne, ka vijuar Mustafa, konsiderojmë se këto marrëveshje kontribuojnë për paqe, për fqinjësi të mirë, për stabilitet rajonal dhe i japin fund ndërhyrjeve të Serbisë në punët e Kosovës, përmes shuarjes së strukturat paralele në veri të vendit, përmes heqjes së pengesave për integrimin e serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës, në ekonominë e Kosovës dhe në institucionet sociale të Kosovës dhe janë në dobi politike, ekonomike dhe të sigurisë së qytetarëve tanë.
Marrëveshja për Asociacionin, në harmoni me dokumentin gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit dhe pranim faktik i këtij dokumenti nga Serbia
“Të gjitha parimet themelore që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e vendit. Mund të them poashtu se kjo marrëveshje është në harmoni me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit dhe është pranim faktik i këtij dokumenti nga Serbia, më datën 25 gusht. Serbia nuk e ka pranuar këtë dokument, por përmes pranimit të kësaj, do të thotë ka pranuar elementet qenësore të këtij dokumenti”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
Kryeministri kosovar ka shtuar se, kjo marrëveshje në gjithë rrjedhën e saj i adresohet ligjeve të Kosovës.
“Po ashtu, marrëveshja parasheh që me aktin për themelimin e asociacionit, dhe me të gjitha ndryshimet dhe plotësimet e Statutit për asociacionin, të jepet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjë që prapë argumenton se pala serbe i ka pranuar ligjet e Kosovës, dhe e ka pranuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, sepse ka nënshkruar një marrëveshje të tillë”, ka shtuar Mustafa.
Ai ka thënë se, Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është nivel i tretë i qeverisjes në Republikën e Kosovës, poashtu nuk mund të ofroj shërbime për qytetarët, por vetëm ofron shërbime për komunat anëtare të këtij asociacioni.
“Është një strukturë e përbërë nga komunat me shumicë serbe, që veprojnë në pajtim të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të ndihmojë këto komuna në realizimin e çështjeve lokale dhe në rritjen e efiçiencës së punës së tyre. Marrëveshja mundëson integrimin e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës”, është shprehur Mustafa.
Ligjet e Kosovës, ka vijuar ai, lejojnë krijimin e më shumë asociacioneve për komunat, prandaj edhe themelimi i këtij asociacioni është në harmoni të plotë me këto ligje, dhe në harmoni të plotë me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.
“Përmes themelimit të këtij asociacioni, Kosova e forcon sovranitetin dhe unitaritetin e vet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sepse Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përkufizon sistemin politik të Kosovës me dy nivele, atij qendror dhe lokal, dhe nuk prodhohet asnjë pushtet tjetër jashtë këtyre dy pushteteve.
Asociacioni nuk do të jetë organizatë buxhetore. Ajo mund të përfitoj nga financimi i brendshëm dhe i jashtëm dhe nga anëtarësia e komunave, ashtu siç përfitojnë edhe asociacionet tjera.
Asociacioni i nënshtrohet ligjeve të Kosovës, në procedurat e auditimit dhe në procedurat e prokurimit të Republikës së Kosovës dhe çdo financim i këtij Asociacioni, pa marrë parasysh a bëhet nga brenda apo nga jashtë, duhet të bëhet në suaza të dispozitave ligjore të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Mustafa.
Ai ka shtuar se, Asociacioni poashtu nuk ka karakter njëetnik, siç po paraqitet, sepse përbërja e këtyre komunave nuk është përbërje krejtësisht njëetnike, nga arsyeja se 15 % nga pjesëtarë të komunitetit shumicë, pra shqiptarë, jetojnë në këto komuna. “Karakteri shumetnik i këtyre komunave do të reflektojë edhe në strukturat e Asociacionit”, ka theksuar Mustafa.
Ai ka përkujtuar se, është përmend këto ditë se Asociacioni ka organet e veta, ka kryetarin e asociacionit, dikush i thotë kryetar dikush president, ka Kuvendin e asociacionit, ka Këshillin Drejtues, ka administratën, dhe këto janë organe të cilat i kanë të gjitha asociacionet tjera.
“Unë kam qenë nënkryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe ne kemi vepruar përmes këtyre organeve. Kemi pasur Statutin tonë, kemi pasur Kuvendin tonë të Asociacionit, kemi pasur Këshillin Drejtues, kemi dhe është administrata e Asociacionit”, është shprehur Mustafa.
Ai ka thënë se, objektivat e Asociacionit janë të nivelit lokal, kryesisht të përkufizuara në rritjen e demokracisë lokale, të përkufizuara në sigurimin e një pamje të plotë të Asociacionit në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë, në fushën e zhvillimit ekonomik, në fushën e zhvillimit urban dhe rural.
“Dhe kjo nuk duhet ta frikësojë dhe nuk duhet ta shqetësojë asnjërin, sepse është një e drejtë e cila është shumë normale që këto komuna dhe asociacioni i tyre të kujdesen për mbarëvajtjen e tyre. Mirëpo, Asociacioni asnjëherë nuk do të marrë vendim për komunat, por komunat i marrin vendimet vet. Dhe asnjë vendim i Asociacionit nuk është vendim i obliguar dhe nuk do të detyrojë komunat që të veprojnë sipas tyre”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, është paraparë poashtu që Asociacioni mund të ketë pasuritë e saj të tundshme dhe të patundshme dhe mund të jetë bashkëpronar i kompanive që kryejnë shërbime lokale.
“Po e theksoj, kompanive që kryejnë shërbime lokale. Kjo nënkupton se mund të jetë bashkëpronar i kompanive që merren me pastrimin e qyteteve, fshatrave, me mbarëvajtjen e varrezave, me gjelbërim ose hortikulturë, me tregje të qytetit që ofrojnë shërbime për qytetarë, por nuk do të jetë pronare e kompanive publike e as e pasurive natyrore. Pasuritë e tundshme dhe të patundshme që i referohen këtyre parimeve kanë të bëjnë me ndërtesat administrative ose me zyrat administrative të cilat mund t’i ketë Asociacioni dhe ato mund të jenë pronë e Asociacionit, me infrastrukturën teknologjike që mund ta shfrytëzojë, por asgjë më shumë”, është shprehur Mustafa.
Ai ka vijuar se, me Ligjin mbi ndërmarrjet publike në Kosovë është paraparë që ndërmarrjet të cilat kryejnë shërbime në më shumë se tre komuna, te ato Asociacioni ka të drejtë të jap propozimin për një anëtar të bordeve, që nënkupton se edhe Asociacioni ekzistues i komunave të Republikës së Kosovës kryen përgjegjësinë e qeverisjes koorporative të ndërmarrjeve publike lokale, që nënkupton se kryen përgjegjësinë e bashkëpronësisë të ndërmarrjeve publike lokale, sepse nuk mund të kesh të drejtë në qeverisjen e tyre në qoftë se nuk e ke të drejtën e bashkëpronësisë së tyre.
Kosova me kodin telefonik shtetëror 00383
Më tej, kryeministri kosovar ka bërë të ditur se, sa i përket telekomunikacionit, Kosova me marrëveshje e ka marrë kodin telefonik shtetëror 00383 nga ana e Organizatës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit.
“Austria do të aplikojë në emër të Kosovës për të kërkuar në ITU dhe kodi që ne e marrim do të jetë pronë e Republikës së Kosovës. Dhe me këtë do të arrihet që të gjitha kodet ekzistuese që deri më tani i kemi përdorur në Kosovë, 381, 377, 386 do të kalojnë në kodin 00383 dhe do të shlyhen të gjitha kodet tjera të cilat do të jenë të pavlefshme në të ardhmen”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se, kemi përfitime të drejtpërdrejta nga kjo marrëveshje, sepse sipas të dhënave që ne i kemi marrë këto ditë, arritja e kësaj marrëveshje do të ndihmojë në kursimet e mjeteve financiare vjetore ndërmjet shtatë dhe tetë milionë euro, që janë kosto direkte e përdorimit të kodeve të huaja shtetërore, ku janë përfshirë edhe kostot e numeracionit dhe trafikut ndërkombëtar.
“Sipas vlerësimeve tona dhe vlerësimeve të auditimit, nga viti 2000 deri në vitin 2014 operatorët tanë, veçmas Vala, ka paguar shpenzime dhe ka regjistruar kosto operative në lartësi prej rreth 200 milionë euro. Ne i kemi shpenzuar këto kosto për përdorimin e kodeve të huaja shtetërore dhe më nuk do t’i kemi këto shpenzime në të ardhmen”, ka theksuar Mustafa.
Kufi energjetik mes Kosovës e Serbisë
Kryeministri kosovar ka shtuar se, sa i përket marrëveshjes për energjinë, që ka të bëjë me heqjen e pengesave të Serbisë për zbatimin e marrëveshjes së energjisë, vlerësojmë se kjo marrëveshje rikonfirmon kufirin energjetik të Kosovës me Serbinë dhe është kufi ky i përcaktuar me marrëveshjen e Brukselit për energjinë.
“Marrëveshja i jep fund çfarëdo ndërhyrje apo pretendimi të Serbisë ndaj sistemin energjetik të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Mustafa ka pasqyruar edhe cilat janë tani përfitimete Kosovës nga kjo marrëveshje për energjinë.
“Sipas llogarive të përafërta që janë bërë nga ekspertët që mbulojnë këtë fushë, përfitimet e drejtpërdrejta do të jenë 25 milionë euro në vitin e parë pasi të implementohet marrëveshja në tërësi dhe në vitet në vijim do të kemi çdo vit nga 5 milionë euro përfitim të drejtpërdrejtë si rezultat i zbatimit të kësaj marrëveshje. Përfitimet e tërthorta do të jenë 20 milionë euro për vitin e parë dhe rreth 8 milionë euro për çdo vit në vazhdim, që për kushtet tona flitet për mjete shumë të rëndësishme financiare, që ne, përpos pjesës politike, i kemi arritur me këto marrëveshje”, ka thënë ai.
Heqja e barrikadave mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë
Kryeministri i Kosovës ka theksuar se, marrëveshje është bërë edhe për heqjen e barrikadave mbi urën e lumit Ibër që ndan Mitrovicën Jugore prej asaj Veriore.
“Me marrëveshje jemi përcaktuar që me datën 15 tetor të fillojë lirimi i urës dhe ura të shndërrohet në kantier, në mënyrë që të rikonstruohet me dy rrethrrotullime, njëri në pjesën jugore, tjetri në pjesën veriore, me staza për këmbësorë dhe për biçiklistë, dhe me pjesën në të cilën do të qarkullojnë automjetet e lehta dhe të rënda. E gjithë kjo do të zgjasë deri në fund të qershorit 2016 kur parashihet që në mënyrë komplete të lëshohet në qarkullim ura mbi Ibër dhe me këtë do ta kemi lidhjen e pjesës jugore dhe pjesës veriore të Mitrovicës”, ka thënë Mustafa.
Ndërkohë, ka vijuar ai, poashtu do të arrihen edhe marrëveshjet e domosdoshme ndërmjet dy kuvendeve komunale të Mitrovicës, ndërmjet dy kryetarëve të komunave, lidhur me kufirin që ndan këto dy komuna, sepse ajo është e lidhur edhe me ndërtimet infrastrukturore dhe ndërtimet tjera që do të bëhen në atë pjesë të vendit.
“I vlerësoi shumë të dobishme këto marrëveshje për Kosovën. Edhe njëherë po e nënvizoj se të gjitha këto marrëveshje janë në harmoni me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës, dhe s’ka arsye asnjëri të shqetësohet”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
Kosovë-Rindërprehet seanca e Kuvendit për katër marrëveshjet e 25 gushtit në Bruksel
-Opozita proteston, gjuan me vezë drejt kryeministrit derisa ai fliste në Kuvend. Kundër marrëveshjeve edhe me afër 53 mijë nënshkrime në katër ditë/
-Presidentja e Republikës, Jahjaga dënon sulmin ndaj kryeministrit Mustafa gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës/
-Qeveria dënon aktet e dhunshme të deputetëve të opozitës,siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Shtator 2015/ Në Kuvendin e Kosovës, sot, kryeministri Isa Mustafa, e nisi informimin për katër marrëveshjet me Serbinë në Bruksel, por seanca u ndërpre me thirrjet e kryeparlamentarit Kadri Veseli për “10 minuta pushim”, pas reagimeve protestuese të opozitës në sallën e seancës edhe me gjuajtje vezësh drejt kryeministrit. Kreu i qeverisë së Kosovës, nën mbrojtjen e sigurimit, u largua nga foltorja dhe salla e seancës. Mustafa gjatë pak minutave që foli në seancën e Kuvendit tha se marrëveshjet e dialogut në Bruksel më datën 25 gusht të vitit 2015 kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhenieve (të 19 prillit 2013).
“Në Bruksel më 25 gusht të vitit 2015 ne i përfunduam marrëveshjet për katër dokumente: 1. Asociacioacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, parimet e përgjithëshme, përkatësisht elementet kryesore; 2. Konkluzionet e lehtësuesëve të Bashkimit Evropian mbi zbatimin e marrëveshjes për energjinë të vitit 2013 për heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë; 3. Plani i veprimit për telekomunikacionin; dhe 4. Konkluzionet për urën mbi Ibër, përkatësisht heqja e barrikadave nga ura e Mitrovicës”, tha Mustafa.
“Duhet të theksoj para këtij Kuvendi se nuk kemi të bëjmë me marrëveshje të reja, por kemi të bëjmë me precizime të veçanta që derivojnë nga Marrëveshja e parë e ratifikuar me Ligj nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këto katër dokumente, pra që kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë, janë nënshkruar nga dy shtetet, nga Republkika e Kosovës dhe ajo e Serbisë dhe nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga kryeministrat e dy shteteve dhe Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian”, vijoi ai.
Kryeministri Mustafa në seancën e Kuvendit arriti ta thotë edhe këtë në vazhdim: “Dakordimi mbi këto dokumente, si dhe të gjitha tjerat në dialogun e Brukselit janë arritur në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që njëherit janë edhe mbështetësit për zbatimin e plotë të tyre nga të gjitha palët.
Kjo pako (e marrëveshjeve) është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e vendit, me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun në Bruksel….”
DEKLARATË E PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga në një deklaratë e dënon sulmin ndaj kryeministrit Isa Mustafa gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.
Presidentja Jahjaga e quan këtë sulm të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë së mirëfilltë, me përpjekjet tona për të fuqizuar institucionet e Republikës ë Kosovës dhe vlerat që po i ndërtojmë. “Akte të tilla të shëmtuara e vështirësojnë diskutimin e mirëfilltë publik dhe zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit”, shprehet ajo.
Presidentja Jahjaga ka ftuar të gjithë deputetët dhe subjektet politike që “t’i respektojnë institucionet e vendit ku përfaqësohet vullneti i popullit, të denoncojnë dhunën dhe që mospajtimet politike t’i shprehin përmes rrugëve institucionale në respektim të plotë të parimeve të demokracisë”.
QEVERIA DËNON AKTET E DHUNSHME TË DEPUTETËVE TË OPOZITËS, FTON KUVENDIN E KOSOVËS QË TË KRIJOJË KUSHTE NORMALE TË PUNËS
Qeveria e Republikës së Kosovës deklaron se dënon aktet e dhunshme të zhvilluara sot nga deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po informonte deputetët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur më marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Në komunikatën e dërguar, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se të gjithë kanë për detyrim të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të shmangin veprimet që tejkalojnë format demokratike të opozitarizmit të cilat dëmtojnë interesat e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës fton Kuvendin e Kosovës që të krijojë kushte normale të punës, në mënyrë që sot të vazhdoj pa pengesa seanca e Kuvendit të Kosovës dhe që qytetarët e Republikës së Kosovës të informohen në detaje për përmbajtjen e marrëveshjeve të arritura.
Qeveria e Republikës së Kosovës siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se marrëveshjet e arritura në Bruksel, janë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vlerëson se ato do t’i hapin rrugë integrimeve euroatlantike të vendit, dhe se janë mbështetur fuqishëm nga partnerët strategjik të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja, përfundon komunikata nga Kryeministria kosovare.
A DO TË VAZHDOJË SEANCA E RINDËRPRERË E KUVENDIT?
Seanca e Kuvendit të Kosovës e nisur dhe e ndërprerë të enten e javës së kaluar, e rindërprerë sot, nuk po vazhdon as pas “10 minutave pushim” të dhënë nga kryetari Veseli, pasi opozita protestoi dhe e gjuajti me vezë kryeministrin Mustafa derisa po informonte për katër marrëveshjet e 25 gushtit Prishtinë-Beograd në Bruksel. Tashmë po kalon edhe ora e dytë nga ndërprerja e seancës.
Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, në një deklaratë pak më parë shprehu mendimin se seanca duhet të vazhdojë, por ndryshe është mendimi i kryetarit të grupit parlamentar të LVV, Glauk Konjufca. “Ne si opozitë kemi ardhur deri te një dakordim që ta bëjmë një aksion politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pra që t’ia ndërprejmë gënjeshtrat kryeministrit Mustafa”, u shpreh Konjufca poashtu pak më parë.
AAK: VEPRIMI I SOTËM I OPOZITËS NË KUVEND, HAP I DOMOSDOSHËM
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në komunikatën e dërguar deklaron se Veprimi i sotëm i Opozitës në Kuvend, ka qenë një veprim i domosdoshme. “Ne deputetët e Aleancës por dhe të opozitës në përgjithësi, i kemi dhënë mjaft kohë kryeministrit që të reflektojë, por ai në vend të kësaj sot ka ardhur për të bërë lojë në Kuvend. Për më tëpër i ka futur mbrenda sallës së Kuvendit edhe pjesëtarët e sigurimit të tij përsonal, që është shkelja më e rëndë e këtij institucioni. Sikur të mos kishte asnjë arsye tjetër, vetëm kjo e fundit mjafton, që kryeministri të tërhiqej nga detyra.
Kërkesat e Opozitës janë të qarta; ai duhet ta tërheqë urgjentisht nënshkrimin nga marrëveshjet, që ne i konsiderojmë të dëmshme për Kosovën dhe t’i mundësojë Kuvendit që të japë kontributin e tij në riformulimin e këtyre marrëveshjeve.
Rikthimi i normalitetit në Kuvend, si dhe pengimi i esakalimit të mundshëm të situatës në përgjithësi, është përgjëgjësi eksluzive e Kryeministrit dhe Qeverisë së tij. Ne si AAK jemi të përcaktuar për një stabilitet politik, por vlerësojmë se qasja që e ka Kryeministri ndaj zhvillimeve të fundit, po e çon vendin në një krizë të re politike”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
“RAPORTIMI” APO “INFORMIMI”, PIKA E VETME NË AXHENDË
“Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me Marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015”, është sot pika e vetme e axhendës së vazhdimit të seancës plenare të Kuvendit, të ndërprerë javën e kaluar, e që ka pritje të rivazhdojë pas rindërprerjes. “Raportimi” nuk është shprehje e qeverisë në kërkesën e 11 shtatorit të Zyrës së Kryeministrit dorëzuar në Kuvend “për të informuar deputetët lidhur me marrëveshjet arritura më 25 gusht 2015 në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Kërkesa e Zyrës së Kryeministrit për të informuar që në seancën e parë plenare të sesionit vjeshtor është dorëzuar në Kuvend së bashku me tekstet e të katër marrëveshjeve, në tre gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht.
Qeveria e Republikës së Kosovës, duke ritheksuar përkushtimin e saj të plotë për transparencë, ka shprehur gatishmërinë për debat të hapur dhe me argumente për çdo pikë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, si edhe për proceset e tjera të rëndësishme në Republikën e Kosovës.
Qeveria e Kosovës vlerëson se marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel, të mbështetura fuqishëm nga partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Kosovës dhe ato do të fuqizojnë sovranitetin dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.
Pas kthimit nga Brukseli, raundi i 28-të i dialogut me Serbinë në nivel të lartë kryeministror, Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.
Të enjten e javës së kaluar, tre subjektet opozitare të Kosovës, LVV, AAK e Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë protestuar në Kuvend dhe kanë bllokuar e ndërprerë seancën e parë të sesionit vjeshtor.
Kryesia e Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare u mblodhën dje për “caktimin e datës për vazhdimin e seancës plenare”, e cila u ndërpre pasi opozita pamundësoi votimin për shtyrjen e kërkuar nga pozita të “raportimit të qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015”, i cili ishte në axhendë derisa mungonin raportuesit. Seanca udhëheqej nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, i grupit parlamentar të partisë në pushtet LDK, i cili u “rrethua” dhe pengua nga deputetët opozitarë, që edhe u ulën në vendin e tij pasi dha “10 minuta pushim” dhe nuk ia liruan vendin e kryesimit kur u rikthye.
Opozita, edhe në seancën e Kuvendit, edhe ne një deklaratë të përbashkët dhe në deklarata të tjera e debate, duke kundërshtuar “bosnjëzimin e Kosovës”, për një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd, të arritura në Bruksel, në raundin e 28-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që në shqip do thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Deklarata ka paralajmëruar “veprime si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit” për “t’i ndalur të gjitha dëmet që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike apo ekonomike” dhe se, “opozita e bashkuar është jashtëzakonisht e interesuar t’i fillojë bisedimet me akterë të tjerë të shoqërisë ku si qëllim do të kishte krijimin e frontit të përbashkët politik”.
Opozita sot në seancën e Kuvendin e Kosovës, ku priten debate e replika edhe me fjalorin e ashpërsuar, “argumenton” edhe me afër 53 mijë (52, 918) nënshkrime të katër ditëve të qytetarëve që “po e shprehin masivisht vullnetin e tyre”, edhe në ditën e pestë, në peticionin e organizuar me kërkesën që “qeveria të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet me Serbinë të datës 25 gusht 2015 si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”.
Deklaratat nga opozita kanë paralajmëruar “protesta të fuqishme pas peticionit”, por, sipas shtypit të sotëm kosovar, nënshkrimi i peticionit “nuk është ‘kandar’ që mat fuqinë politike të bllokut opozitar për organizimin e protestave të ardhshme”.
Kosovë-Kuvendi mund të mblidhet sot edhe në seancë të jashtëzakonshme
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 3 Gusht 2015/-Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot edhe në seancë të jashtëzakonshme për dy ligje të proceduara po sot nga qeveria, nëse në seancën plenare të nisur sot paradite e që po vazhdon do të votohen me dy të tretat – së paku 80 vota pro ndryshimet kushtetuese drejt krijimit të Gjyakëtës Speciale.
Shqyrtimi i propozim-amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i riproceduar të premtën në Kuvend nga qeveria e Republikës së Kosovës, është pikë e vetme e axhendës së seancës plenare të Kuvendit që po zhvillohet me debate pro dhe kundër.
“Menjëherë pas aprovimit të amendamenteve kushtetueese qeveria do të mblidhet për ta shqyrtuar Projektligjin për Dhomaat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Qeveria menjëherë pas kësaj do të kërkojë që sot të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për të trajtuar edhe këto dy ligje”, tha kryeministri Isa Mustafa në debatin në Kuvend.
Opozita edhe në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës u deklarua në “mbrojtje të demokracisë” dhe kërkoi mosriprocedum dhe “të mos shkelet Kushtetuta me riprocedim të Gjykatës Speciale pa respektuar procedurat”.
Por, nga koalicioni qeverisës u deklarua se, “Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk e kufizojnë mundësinë që qeveria të riprocedojë me të njëjtat amendamente në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. Nga Lista Serbe dhe komunitetet tjera pakicë të grupit Gjashtë Plus nuk pati deklarime grupesh parlamentare.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të nisur paradite, nuk kaloi mocioni i opozitës lidhur me krimet e Serbisë në Kosovë i nënshkruar nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
dhe Nisma për Kosovën, që të hyjë si pikë e parë e rendit të ditës para Gjyakëtës Speciale që ishte dhe mbeti pikë e vetme axhendës. Mocioni u rrëzua me shumicë votash, 55 kundër, 42 pro e 5 abstenime.
Gjatë debatit në seancën që po vazhdon nuk ka shumë prani të deputetëve në sallë, si vërejnë edhe disa nga diskutuesit, por pritet numër i mjaftueshëm në momentin kur do votohet. Pak më parë, derisa diskutonte, deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i cili u rideklaru kundër Speciales dhe bëri thirrje të mos votohet, prezantoi në foltoren e Kuvendit edhe fotografi të krimeve të shumta të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë. Pas këtij diskutimi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dha një orë pauzë, për të vazhduar seanca me debate pasdite.
Gjykata Speciale u rikthe në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku në 26 qershor për miratim munguan 5 vota për të arritur numrin e nevojshëm 80 – dy të tretat e 120 deputetëve, përfshirë ato të 20 përfaqësuesëve të komuniteteve pakicë, 10 prej tyre serbë. Në procesin e votimit opozita nuk mori pjesë, ndërsa nga pozita, subjekti politik më i madh i koalicionit qeverisës PDK, 7 deputetë ishin kundër, 2 abstenuan e 4 mungonin. Para mbledhjes së sotme të Kuvendit të Kosovës Thaçi ritakoi grupin parlamentar të partisë së tij.
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- Next Page »