-Komunikatë e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës/
E Shtune, 24.10.2015/ Në pamundësi për mbajtjen e seancave plenare, më 17 shtator 2015, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna e seancës plenare, është cenuar siguria dhe shëndeti i deputetëve, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të mbajtur me 23 tetor 2015, është është marrë vendimi përmes të cilit kërkohen veprime plotësuese, duke përfshirë edhe ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë për siguri, në mënyrë që të sigurohet shëndeti i deputetëve dhe mbarëvajtja e punimeve të seancës plenare.
Ky vendim është marrë në mbështetje të nenit 67.6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 41, paragrafi 4 i Rregullores së Kuvendit.
Vazhdimi i seancës së 23 tetorit 2015 në sallën tjetër të Kuvendit të Kosovës, është bërë mbi bazën e nenit 4 të Rregullores së Kuvendit.
Salla në të cilën është mbajtur vazhdimi i seancës nuk është byfeja e Kuvendit, por sallë alternative e sallës kryesore.
Një nga arsyet pse seanca është zhvendosur në sallën alternative është se deputetët opozitarë me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëmtim në rrjetin e zërimit përmes prishjes së gjashtë mikrofonave.
KOSOVA PER SANXHAKUN, KUVEND NE FAKULTETIN FILOLOGJIK
Nga bashkepunetori i Gazetes”Dielli” ne Kosove, Prof. Ismet Azizi,i cili eshte organizator i aktivitetit, vjen ky njoftim: Me datën 23 10 2015 në ora 12.00 në Amfiteatrin e Fakultetit Filologjiik – “Salla e Kuqe “ mbahet Kuvendi themelues i Organizatës“ Kosova për Sanxhakun”. Shpresojmë se do të merrni pjesë në punimet e këtij Kuvendi , të cilin prezenca juaj do ta nderoj dhe do ta bëjë madhështor.Shpresojmë se do ta përcilleni dhe përkrahni këtë nismë, e cila ka për qëllim ndërtimin e urave vëllazërore mes Sanxhakut dhe Kosoves.
Ftesa eshte per Federaten Panshqiptare et Amerikes”VATRA” dhe Gazeten”DIELLI”
Kosovë-KDI: Të ndalet praktika e bllokimit të Kuvendit
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Shtator 2015/ Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), reagon ndaj ngjarjeve të sotme në seancën plenare që po pengojnë zhvillimin e jetës parlamentare në vend dhe vendosin institucionet në rrethana të jashtëzakonshme.“Mekanizmat institucionalë për të kundërshtuar çështjet të cilat trajtohen në Kuvend janë të përcaktuara në Kushtetutë, dhe asnjë formë tjetër e kundërshtimit nuk ndihmon në sqarimin dhe as zgjidhjen e problemeve. Përkundrazi, veprimet e tilla të deputetëve në Kuvend mund të transmetohen në të njëjtën frymë edhe te qytetarët, dhe kështu të shkaktohen incidente ndërmjet grupeve shoqërore pasojat e të cilës janë të parikuperueshme, nga të cilat nuk do të përfitojë as opozita e as pozita”, thuhet në reagim.
Theksohet se, të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe institucionet tjera përkatëse duhet të kenë rol konstruktiv në adresimin dhe trajtimin e çështjeve të rëndësishme të cilat janë në axhendën e institucioneve. “Acarimi i situatës, dhe veprimet që shkojnë përtej debatit politik nuk janë zgjidhje”, shtohet më tej.
KDI bën thirrje tek të gjithë akterët politikë për vetëpërmbajtje dhe në ushtrim të detyrave të tyre brenda mandatit që kanë, sepse çdo veprim i cili mund të gjenerojë një ambient politik të dhunshëm është i papranueshëm dhe i dënueshëm.
“Gjithashtu KDI kërkon nga Presidentja e vendit, Jahjaga, që t’i vë në funksion përgjegjësitë e saja kushtetuese dhe të kontribuoj në nxitjen e bashkëpunimit politikë mes pozitës dhe opozitës në funksion të arritjes së unitetit për çështje të cilat nuk kanë konsensus politik e shoqëror”, përfundon deklarata.
Pasdite, sapo nisi rindërpreu për herë të dytë gjatë ditës rivazhdimin seanca e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë të enten e javës së kaluar, e rindërprerë sot para më shumë se tre orësh për “10 minuta pushim” të dhënë nga kryetari, Kadri Veseli, pasi opozita protestoi dhe e gjuajti me vezë kryeministrin Isa Mustafa derisa po informonte për katër marrëveshjet e 25 gushtit Prishtinë-Beograd në Bruksel.
Opozita përsëri protestoi, vendosi në “rrethim” kryesinë e seancës, ndërsa kryeparlamentari Vesli kërkoi “15 miniuta pushim për të bashkëbiseduar 5 minuta në zyrë”. Në zyrë ai i ftoi kryetarët e grupeve parlamentare, por deputetët vazhduan të qëndrojnë në sallën e seancës, nga e cila pastaj dolën, por ende nuk ka rivazhdim seance.
Në rifillimin e ndërprerë pasdite, kryeparlamentari Veseli u shpreh:“Kisha pasë dëshirë që kryeministri të largohet prej salle, ose sigurimi i kryeministrit (të largohet nga salla e seancës) që mos të ketë situata të tilla”. Por, kryeministri ka vazhduar qëndrimin në sallën e seancës së Kuvendit, ndërsa ndodhnin zhvillime të tjera.
Në vazhdimin e seancës pak para mesditës, Mustafa gjatë pak minutave që foli në seancën e Kuvendit tha se marrëveshjet e dialogut në Bruksel më datën 25 gusht të vitit 2015 kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhenieve (të 19 prillit 2013).
Kosovë, Kuvendi në seancën e parë të sesionit vjeshtor informohet për 4 marrëveshjet e 25 gushtit në Bruksel
Kryesia e Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare mblidhen të hënën për përgatitjet e seancës plenare dhe shqyrtimin e propozimeve e kërkesave/
PRISHTINË, 13 Shtator /ATSH-B.Jashari/ -Kuvendi i Kosovës javën e ardhshme nis sesionin vjeshtor. Sezoni nis me mbledhjen e parë të Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare nesër dhe me seancën e parë plenare, datën dhe axhendën e së cilës do të përcaktohet. Ndërkohë që tre komisione parlamentare – për integrimet evropiane, për punët e Jashtme dhe për legjislacion kanë zhvilluar këtë javë mbledhjet e para pas pushimeve të verës.
Përgatitjet për seancë plenare dhe shqyrtimi i propozimeve e kërkesave, janë dy pikat e axehndës së të hënës të Kryesisë dhe të kryetarëve të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, të premtën Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për të informuar deputetët lidhur me marrëveshjet e arritura në 25 gusht 2015 në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kërkesa e Zyrës së Kryeministrit për të informuar Kuvendin që në seancën e parë të tij për këto marrëveshje është dorëzuar në Kuvend së bashku me tekstet e të gjitha marrëveshjeve, në tre gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht.
Qeveria e Republikës së Kosovës, duke ritheksuar përkushtimin e saj të plotë për transparencë, shpreh gatishmërinë për debat të hapur dhe me argumente për çdo pikë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, si edhe për proceset tjera të rëndësishme në Republikën e Kosovës.
Qeveria e Kosovës vlerëson se marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel, të mbështetura fuqishëm nga partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Kosovës dhe ato do të fuqizojnë sovranitetin dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.
Pas kësaj kërkese të Kryeministrisë kosovare, seanca e parë plenare e sesionit vjeshtor e Kuvendit të Kosovës pritet të ketë në axhendë informatën e paralajmëruar edhe më parë nga qeveria kosovare për katër marrëveshjet, të cilat, në 25 gusht, janë arritur në Bruksel në raundin e 28-të të dialogut me Serbinë në nivel të lartë kryeministror.
“Në seancën e parë të sesionit vjeshtor do ta informojmë Kuvendin për katër marrëveshjet, të cilat, më 25 gusht, i arritëm në Bruksel”, ka paralajmëruar kryeministri Isa Mustafa, pasi ka nënshkruar marrëveshjet.
“Presim që, në rrugë institucionale, të kemi informatat e plota zyrtare mbi procesin dhe përmbajtjet e këtyre marrëveshjeve”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Para pushimeve të verës, Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur sesionin pranveror me seancën e jashtëzakonshme të nisur pak para mesnatës së 3 gushtit, që ishte e treta brenda ditës për ndryshimet kushtetuese dhe ligjet drejt krijimit të Gjykatës Speciale.
Derisa qeveria ka vazhduar me punë edhe gjatë verës, pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.
“Marrëveshjet janë arritur dhe janë nënshkruar nga kryeministrat e të dy vendeve, nga unë dhe kryeministri i Serbisë, dhe poashtu nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Kreu i qeverisë së Kosovës ka theksuar se, këto marrëveshje sikurse edhe dialogu në Bruksel, janë arritur në bazë të bashkëpunimit të ngushtë për një periudhë të gjatë kohore me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të një studimi të thellë që i është bërë të gjitha këtyre dokumenteve, të konsulencës dhe ekspertizës profesionale që e kemi zhvilluar këtu.
“Këto marrëveshje janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës, ndërsa kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve tona që ne i kemi krijuar me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013”, është shprehur ai.
Ne, ka vijuar Mustafa, konsiderojmë se këto marrëveshje kontribuojnë për paqe, për fqinjësi të mirë, për stabilitet rajonal dhe i japin fund ndërhyrjeve të Serbisë në punët e Kosovës, përmes shuarjes së strukturat paralele në veri të vendit, përmes heqjes së pengesave për integrimin e serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës, në ekonominë e Kosovës dhe në institucionet sociale të Kosovës dhe janë në dobi politike, ekonomike dhe të sigurisë së qytetarëve tanë.
Marrëveshja për Asociacionin, në harmoni me dokumentin gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit dhe pranim faktik i këtij dokumenti nga Serbia
“Të gjitha parimet themelore që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e vendit. Mund të them poashtu se kjo marrëveshje është në harmoni me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit dhe është pranim faktik i këtij dokumenti nga Serbia, më datën 25 gusht. Serbia nuk e ka pranuar këtë dokument, por përmes pranimit të kësaj, do të thotë ka pranuar elementet qenësore të këtij dokumenti”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
Kryeministri kosovar ka shtuar se, kjo marrëveshje në gjithë rrjedhën e saj i adresohet ligjeve të Kosovës.
“Po ashtu, marrëveshja parasheh që me aktin për themelimin e asociacionit, dhe me të gjitha ndryshimet dhe plotësimet e Statutit për asociacionin, të jepet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjë që prapë argumenton se pala serbe i ka pranuar ligjet e Kosovës, dhe e ka pranuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, sepse ka nënshkruar një marrëveshje të tillë”, ka shtuar Mustafa.
Ai ka thënë se, Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është nivel i tretë i qeverisjes në Republikën e Kosovës, poashtu nuk mund të ofroj shërbime për qytetarët, por vetëm ofron shërbime për komunat anëtare të këtij asociacioni.
“Është një strukturë e përbërë nga komunat me shumicë serbe, që veprojnë në pajtim të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të ndihmojë këto komuna në realizimin e çështjeve lokale dhe në rritjen e efiçiencës së punës së tyre. Marrëveshja mundëson integrimin e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës”, është shprehur Mustafa.
Ligjet e Kosovës, ka vijuar ai, lejojnë krijimin e më shumë asociacioneve për komunat, prandaj edhe themelimi i këtij asociacioni është në harmoni të plotë me këto ligje, dhe në harmoni të plotë me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.
“Përmes themelimit të këtij asociacioni, Kosova e forcon sovranitetin dhe unitaritetin e vet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sepse Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përkufizon sistemin politik të Kosovës me dy nivele, atij qendror dhe lokal, dhe nuk prodhohet asnjë pushtet tjetër jashtë këtyre dy pushteteve.
Asociacioni nuk do të jetë organizatë buxhetore. Ajo mund të përfitoj nga financimi i brendshëm dhe i jashtëm dhe nga anëtarësia e komunave, ashtu siç përfitojnë edhe asociacionet tjera.
Asociacioni i nënshtrohet ligjeve të Kosovës, në procedurat e auditimit dhe në procedurat e prokurimit të Republikës së Kosovës dhe çdo financim i këtij Asociacioni, pa marrë parasysh a bëhet nga brenda apo nga jashtë, duhet të bëhet në suaza të dispozitave ligjore të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Mustafa.
Ai ka shtuar se, Asociacioni poashtu nuk ka karakter njëetnik, siç po paraqitet, sepse përbërja e këtyre komunave nuk është përbërje krejtësisht njëetnike, nga arsyeja se 15 % nga pjesëtarë të komunitetit shumicë, pra shqiptarë, jetojnë në këto komuna. “Karakteri shumetnik i këtyre komunave do të reflektojë edhe në strukturat e Asociacionit”, ka theksuar Mustafa.
Ai ka përkujtuar se, është përmend këto ditë se Asociacioni ka organet e veta, ka kryetarin e asociacionit, dikush i thotë kryetar dikush president, ka Kuvendin e asociacionit, ka Këshillin Drejtues, ka administratën, dhe këto janë organe të cilat i kanë të gjitha asociacionet tjera.
“Unë kam qenë nënkryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe ne kemi vepruar përmes këtyre organeve. Kemi pasur Statutin tonë, kemi pasur Kuvendin tonë të Asociacionit, kemi pasur Këshillin Drejtues, kemi dhe është administrata e Asociacionit”, është shprehur Mustafa.
Ai ka thënë se, objektivat e Asociacionit janë të nivelit lokal, kryesisht të përkufizuara në rritjen e demokracisë lokale, të përkufizuara në sigurimin e një pamje të plotë të Asociacionit në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë, në fushën e zhvillimit ekonomik, në fushën e zhvillimit urban dhe rural.
“Dhe kjo nuk duhet ta frikësojë dhe nuk duhet ta shqetësojë asnjërin, sepse është një e drejtë e cila është shumë normale që këto komuna dhe asociacioni i tyre të kujdesen për mbarëvajtjen e tyre. Mirëpo, Asociacioni asnjëherë nuk do të marrë vendim për komunat, por komunat i marrin vendimet vet. Dhe asnjë vendim i Asociacionit nuk është vendim i obliguar dhe nuk do të detyrojë komunat që të veprojnë sipas tyre”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, është paraparë poashtu që Asociacioni mund të ketë pasuritë e saj të tundshme dhe të patundshme dhe mund të jetë bashkëpronar i kompanive që kryejnë shërbime lokale.
“Po e theksoj, kompanive që kryejnë shërbime lokale. Kjo nënkupton se mund të jetë bashkëpronar i kompanive që merren me pastrimin e qyteteve, fshatrave, me mbarëvajtjen e varrezave, me gjelbërim ose hortikulturë, me tregje të qytetit që ofrojnë shërbime për qytetarë, por nuk do të jetë pronare e kompanive publike e as e pasurive natyrore. Pasuritë e tundshme dhe të patundshme që i referohen këtyre parimeve kanë të bëjnë me ndërtesat administrative ose me zyrat administrative të cilat mund t’i ketë Asociacioni dhe ato mund të jenë pronë e Asociacionit, me infrastrukturën teknologjike që mund ta shfrytëzojë, por asgjë më shumë”, është shprehur Mustafa.
Ai ka vijuar se, me Ligjin mbi ndërmarrjet publike në Kosovë është paraparë që ndërmarrjet të cilat kryejnë shërbime në më shumë se tre komuna, te ato Asociacioni ka të drejtë të jap propozimin për një anëtar të bordeve, që nënkupton se edhe Asociacioni ekzistues i komunave të Republikës së Kosovës kryen përgjegjësinë e qeverisjes koorporative të ndërmarrjeve publike lokale, që nënkupton se kryen përgjegjësinë e bashkëpronësisë të ndërmarrjeve publike lokale, sepse nuk mund të kesh të drejtë në qeverisjen e tyre në qoftë se nuk e ke të drejtën e bashkëpronësisë së tyre.
Kosova me kodin telefonik shtetëror 00383
Më tej, kryeministri kosovar ka bërë të ditur se, sa i përket telekomunikacionit, Kosova me marrëveshje e ka marrë kodin telefonik shtetëror 00383 nga ana e Organizatës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit.
“Austria do të aplikojë në emër të Kosovës për të kërkuar në ITU dhe kodi që ne e marrim do të jetë pronë e Republikës së Kosovës. Dhe me këtë do të arrihet që të gjitha kodet ekzistuese që deri më tani i kemi përdorur në Kosovë, 381, 377, 386 do të kalojnë në kodin 00383 dhe do të shlyhen të gjitha kodet tjera të cilat do të jenë të pavlefshme në të ardhmen”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se, kemi përfitime të drejtpërdrejta nga kjo marrëveshje, sepse sipas të dhënave që ne i kemi marrë këto ditë, arritja e kësaj marrëveshje do të ndihmojë në kursimet e mjeteve financiare vjetore ndërmjet shtatë dhe tetë milionë euro, që janë kosto direkte e përdorimit të kodeve të huaja shtetërore, ku janë përfshirë edhe kostot e numeracionit dhe trafikut ndërkombëtar.
“Sipas vlerësimeve tona dhe vlerësimeve të auditimit, nga viti 2000 deri në vitin 2014 operatorët tanë, veçmas Vala, ka paguar shpenzime dhe ka regjistruar kosto operative në lartësi prej rreth 200 milionë euro. Ne i kemi shpenzuar këto kosto për përdorimin e kodeve të huaja shtetërore dhe më nuk do t’i kemi këto shpenzime në të ardhmen”, ka theksuar Mustafa.
Kufi energjetik mes Kosovës e Serbisë
Kryeministri kosovar ka shtuar se, sa i përket marrëveshjes për energjinë, që ka të bëjë me heqjen e pengesave të Serbisë për zbatimin e marrëveshjes së energjisë, vlerësojmë se kjo marrëveshje rikonfirmon kufirin energjetik të Kosovës me Serbinë dhe është kufi ky i përcaktuar me marrëveshjen e Brukselit për energjinë.
“Marrëveshja i jep fund çfarëdo ndërhyrje apo pretendimi të Serbisë ndaj sistemin energjetik të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Mustafa ka pasqyruar edhe cilat janë tani përfitimete Kosovës nga kjo marrëveshje për energjinë.
“Sipas llogarive të përafërta që janë bërë nga ekspertët që mbulojnë këtë fushë, përfitimet e drejtpërdrejta do të jenë 25 milionë euro në vitin e parë pasi të implementohet marrëveshja në tërësi dhe në vitet në vijim do të kemi çdo vit nga 5 milionë euro përfitim të drejtpërdrejtë si rezultat i zbatimit të kësaj marrëveshje. Përfitimet e tërthorta do të jenë 20 milionë euro për vitin e parë dhe rreth 8 milionë euro për çdo vit në vazhdim, që për kushtet tona flitet për mjete shumë të rëndësishme financiare, që ne, përpos pjesës politike, i kemi arritur me këto marrëveshje”, ka thënë ai.
Heqja e barrikadave mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë
Kryeministri i Kosovës ka theksuar se, marrëveshje është bërë edhe për heqjen e barrikadave mbi urën e lumit Ibër që ndan Mitrovicën Jugore prej asaj Veriore.
“Me marrëveshje jemi përcaktuar që me datën 15 tetor të fillojë lirimi i urës dhe ura të shndërrohet në kantier, në mënyrë që të rikonstruohet me dy rrethrrotullime, njëri në pjesën jugore, tjetri në pjesën veriore, me staza për këmbësorë dhe për biçiklistë, dhe me pjesën në të cilën do të qarkullojnë automjetet e lehta dhe të rënda. E gjithë kjo do të zgjasë deri në fund të qershorit 2016 kur parashihet që në mënyrë komplete të lëshohet në qarkullim ura mbi Ibër dhe me këtë do ta kemi lidhjen e pjesës jugore dhe pjesës veriore të Mitrovicës”, ka thënë Mustafa.
Ndërkohë, ka vijuar ai, poashtu do të arrihen edhe marrëveshjet e domosdoshme ndërmjet dy kuvendeve komunale të Mitrovicës, ndërmjet dy kryetarëve të komunave, lidhur me kufirin që ndan këto dy komuna, sepse ajo është e lidhur edhe me ndërtimet infrastrukturore dhe ndërtimet tjera që do të bëhen në atë pjesë të vendit.
“I vlerësoi shumë të dobishme këto marrëveshje për Kosovën. Edhe njëherë po e nënvizoj se të gjitha këto marrëveshje janë në harmoni me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës, dhe s’ka arsye asnjëri të shqetësohet”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
Opozita kosovare është shprehur kritike e kundër të katër marrëveshjeve, veçmas asaj për Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke organizuar edhe “aksone simbolike” e paralajmëruar edhe protesta. Fjalori i ashpërsuar i opozitës dhe pozitës në “replikat” në distancë pritet edhe seancën e Kuvendit të Kosovës.
Asociacioni ashpërson fjalorin e “replikave” në distancë që priten edhe në Kuvend
– Mbrëmë nuk kishte vetëm fjalë: Afër komunës së Prishtinës vetura e kryeministrit të Kosovës është gjuajtur me vezë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 29 Gusht 2015/ Në Kosovë, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në raportet mes pozitës dhe opozitës ashpërson fjalorin e “replikave” në distancë, që priten të barten edhe në Kuvend, pas “heshtjes” së pushimeve verore. “Në seancën e parë të sesionit vjeshtor do ta informojmë Kuvendin për katër marrëveshjet, të cilat, më 25 gusht , i arritëm në Bruksel”, ka paralajmëruar kryeministri Isa Mustafa.
“Lidhur me marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel në mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë, ne në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe në Zyrën e Kryetarit të Kuvendit, presim që, në rrugë institucionale, të kemi informatat e plota zyrtare mbi procesin dhe përmbajtjet e këtyre marrëveshjeve”, ka deklaruar kryeparlamentari Kadri Veseli.
Lideri i LDK-së, partisë që udhëheqë me qeverinë, kryeministri Mustafa dhe lideri një kohë të gjatë i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti, kanë “replikuar” ashpër mbrëmë, jo në të njëjtën orë, nga studiot e dy televizoneve të ndryshme, njëri publik e tjetri privat.
Por, mbrëmë nuk kishte vetëm fjalë. “Mbrëmë derisa shkoja në intervistë në RTK dëgjova një krismë në makinë, por mendova qe ishte jashtëqitje (glacitje) e zogjve. Më paskan gjuajtur me vezë njerëzit që marrin rrogë te Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu”, ka shkruar sot Mustafa në ‘facebook’, ku emrat që i përmend janë të kryetarit e nënkryetarit të komunës së Prishtinës që udhëheqet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Policia në njoftimin e dërguar bën të ditur se, “gjatë realizimit të lëvizjes në eskortë, afër komunës së Prishtinës vetura e kryeministrit të Republikës së Kosovës është gjuajtur me vezë nga disa persona”.
Më tej njoftimi bën të ditur se, “Policia e Kosovës duke u bazuar në informacionet e sakta ka pranuar informatën se dy persona të moshës së re kanë lëshuar një qese të mbushur me diçka (të dyshuar) tek rrethoja e komunës së Prishtinës (saktësisht tek gardhi i gjallë).
Dy zyrtarët policorë në detyrë kanë shkuar në atë lokacion për të verifikuar se për çfarë qese bëhet fjalë në mënyrë që të eliminohet dyshimi për ndonjë mjet të dyshuar. Në ato momente nga dera hyrëse e Komunës ka dalë një person i dyshuar, S. Z., duke thirrur me zë të lartë, duke fyer, e pastaj edhe duke sulmuar fizikisht zyrtarët policorë të angazhuar në detyrë zyrtare.
Pasi që i dyshuari S. Z. ishte mjaft i dhunshëm, dhe si rezultat i sjelljeve agresive ka lënduar dy zyrtarët policorë, në asistencë për të vënë kontroll janë angazhuar edhe dy zyrtarë të policisë në rroba civile.
Pas reagimit efikas të policisë i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit kompetent është dërguar në qendrën e mbajtjes për vazhdim të procedurave të mëtejme ligjore”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës.
Lëvizja Vetëvendsosje ka organizuar “aksione simbolike” dhe paralajmëruar edhe protesta për të kundërshtuar “Zajednicën” (Bashkësinë) – Asociacionin e komunave serbe. “Krijimi i Zajednicës sjell tensione të reja”, tha mbrëmë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa kreu aktual i këtij subjekti politik më të madh opozitar në Kosovë, Visar Ymeri, e ka ftuar kryeministrin Mustafa “në një debat publik për të diskutuar për Zajednicën, dëmin që ajo e shkakton, dhe rrezikun që i kanoset Kosovës nga ajo”, derisa kryeministri ka ritheksuar se “Asciacioni është në harmoni me ligjet e Kushtetutën e Kosovës dhe me Paketën Ahtisaari”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- 11
- Next Page »