Nga Laureta PETOSHATI/
E lexova me një frymë novelën “Kufitarja e ushtarit gjumëtrazuar” të shkrimtarit dhe poetit vlonjat Xhemil Lato. Që në fillim të godet me përshkrimin goxha të pasur dhe të zhdërvjellët në formë dhe në përmbajtje edhe pse kemi imazhe të ngrysura dhe tronditëse. Ja se me çfarë intensiteti tronditës e nis novelën autori: “Era pas dëborës qe tmerri i tij. Një gërshërë vrasëse po i qethte mishtë. Sytë i kishte të mbuluar nga lotët, sikur ti shfaqej në çdo hap përpara fytyra e një njeriu të dhembshur që e kishte mbuluar në varrezë….” Megjithatë, në këtë përshkim e mjegullim lotësh, për të kuptuar se kemi një rikthim në kohën e ushtrisë, autori fut elementë të tillë artistikë që të arrijnë kuptime simbolike dhe pikërisht që në nisje kur thotë se “përmes asaj mjegullnaje shihte vetëm malin e Ganës, që ngrihej lart, si një gjeneral që nxjerr gjoksin përpara që ti varin dekorata.” Pra simbolikisht kemi ushtrinë, por dhe një emër mali, “Mali i Ganës”. Autori këtu luan me fjalën Ganë, si për të treguar një vend në shkretëtirë dhe me shërbimin ushtarak si te romani “Shkretëtira e Tartarëve” e autorit italian Dino Buzzati, i cili e përdor këtë emër që gjithashtu nuk ka fare lidhje me shkretëtirën në realitet, por me shkretëtirën si koncept dhe simbol i shkretimit. Kjo gjë është aq e vërtetë sa përshkrimi gjithë vrull, herë si erë fshikulluese e herë si dallgë mbytëse na jep një tablo realiste të një realiteti të përditshëm, të zhveshur nga shumë gjëra, të errët, të varfër, të vrazhdë, por dhe tronditës. Shkrimtari Xhemil Lato na jep me mjeshtëri elementet përshkuese të jetës së përditshme të një ushtari në kufi mes borës dhe ujqërve, aq sa këta të fundit na jepen dhe në fillim dhe në fund të novelës si pjesë e qenësishme e atij ambienti. Madje duhet theksuar fakti se ka një mënyrë përshkrimi të habitshëm për këto bisha të dëborës. Nëse ato ishin tepër të rrezikshme për njerëzit, kishin një dashuri brenda llojit dhe familjes si dhe njerëzit, aq sa autori shkruan për ujkonjën se “qante kafsha e egër si një nënë e pikëlluar”. Ndërsa në fund të novelës kjo dhimbje nga nëna për pjellën e vet, kthehet te pjella për nënën ku autori shkruan “ pa kulishin të zbulonte dëborën që kishte mbuluar ujkonjën dhe u anua:” Aq e vështirë është jeta në këto vite ushtrie saqë ka çaste të jetës së ushtarit me një emër simbolik lotësh Lotal, ku shprehet dorëzimi përpara asaj jete, përpara sistemit dhe të pranohej kufiri që ai kishte vendosur jo me botën, por me mënyrën e të jetuarit. Kjo shprehet në mënyrë simbolike në çastin ku ushtari pranon që të qethet me detyrim sikur të jetë dele. Në ato imazhe të errëta dhe të vështira ka dhe një solidaritet njerëzor, ndërsa bukuria e këtij realiteti është dashuria e fortë midis Lotalit dhe Lenës. Madje gjithë novela dhe subjekti i saj vërtiten rreth kësaj dashurie dhe rrëfimi nis si rikthim në kohën e dashurisë, rikthim te njeriu i dashur, te vendi dhe burimi i dashurisë mbas çerek shekulli. Personazhi kryesor Lotali ka një reflektim të kthjellët, mallëngjyes, pendues për atë dashuri të fortë dhe të thellë. Nisi me ndjenjë, u bë fizike dhe mbeti shpirtërore, mbeti brenda zemrës së të dyve dhe asnjë e askush nuk ua shkuli dot prej andej. . Dashurinë, Lena e konsideron më të madhe se qyteti, pra në sytë dhe zemrën e saj dashuria është e madhërishme. Ajo ngeli ashtu si shprehet autori “monument pritjeje” kur thotë se “Sa e çuditshme dashuria: monument pritjeje, sidomos për një femër… për një femër atje mbi gurë… E donte ndezur si gjaku i saj. ” Rreth këtyre dy personazhe tablonë e rrëfimit e plotësojnë dhe personazhe të tjerë e një prej tyre është dhe poeti Namik Mesapi, i cili që nga mbiemri duket që vjen nga zona e Labërisë dhe që autori e ka skalitur me dashuri për humanizmin që tregon ndaj Lotalit kur i jep trikon e leshtë që edhe pse mbante erën e trupit të tij nuk e kishte problem, sepse ishte era e një njeriu të dashur.
Novela është e mbushur me përshkrime të jashtëzakonshme që kanë sfonde metaforike në funksion të asaj që kërkon të shprehë autori. Edhe pse shumë prej këtyre janë të dhimbshme, ato të mahnitin me rrjedhshmërinë, leksikun, gjetjen e krahasimeve dhe epiteteve mjaft të goditura në funksion të situatës. Një prej tyre është dhe vdekja tragjike nga goditja e vetëtimës e ushtar Halimit, ku autori shkruan se: “ Paskësaj… bubullima dhe kuje, që në ajër kapeshin si flokë grash të çmendura, ndërsa Halimi flinte i qetë… pa Janullën…”
Novela është e ngopur nga figuracioni, nga intensiteti dhe ritmi i përshkrimit edhe pse në thelb flet për urinë. Ka shumë uri në realitetin për të cilin flet autori. Por ajo që e bën të trishtë është mungesa e bukës, që edhe pse është shprehur me shumë figuracion nga autori, përsëri është një dhimbje më vete, e pashoqe. Ja si shprehet autori në këtë libër për urinë: “Uria është si sëpata që vret pemët, ndërsa liria e stomakut ia ngre burrit kokën lart.” Ndërsa po për urinë, për bukën e misrit të munguar ka dhe ëndërrime të tilla si: “M’u bë ajo hëna e madhe atje lart, si një bukë misri e verdhë që nxirrte avull nga furra… E di: vetëm pak të dhashë se ti nuk ha shumë. Më fal që e ndava keq.”
Në këtë novelë nuk ka shumë mite dhe iluzione edhe pse kemi vetëm futjen e elementëve të mitit të Hënës dhe të Diellit si motër e vëlla sipas etnosit shqiptar. I vetmi mit është dashuria, e cila vazhdon të mbahet gjallë edhe mbas 100 stinësh siç e përshkruan autori Xhemil Lato. Edhe pse nuk kemi përfundim të kësaj dashurie me kurorë, përsëri, ashtu siç shprehet autori “Burrëria dhe e vërteta janë male.” Rruga që merr personazhi Lotal pas 25 vjetësh, rrëfimi më shtëpinë e braktisur janë mjaft emocionues dhe domethënës, sepse njeriu në radhë të parë duhet të jetë i sinqertë me veten. Disa gënjeshtra të vogla, por dhe kushtet e vështira e larguan nga dashuria. Po të mos kishin qenë këto, a nuk do të kishte qenë ndryshe? Padyshim që po.
Novela jep mesazhe të qarta për dashurinë në të gjitha dimensionet e saj, sidomos për dashurinë njerëzore. Është dashuria njerëzore ajo që ka mundësuar tejkalimin e gjendjeve të vështira dhe që është derdhur mjeshtërisht në novelën “Kufitarja e ushtarit gjumëtrazuar” të shkrimtarit Xhemil Lato.
Unë do tua rekomandoja të gjithëve leximin e këtij libri, i cili është shkruar me shumë dashuri dhe vërtetësi. Çdo njeri do të kishte se çfarë të mësonte prej tij, sidomos shkrimtarët mund të mësojnë se si duhen përdorur metaforat radikale dhe sfondet metaforikë që të japin dridhje shpirti ashtu si dridhet era buzë lumit e ashtu si pikon loti i ngrohtë mbi botën e ftohtë. Ky libër e mëson njeriun se sido që të jenë kushtet e jetës, njeriu duhet të mbetet njeri. Jeta mes ujqërve nuk duhet ta kthejë atë në ujk për njeriun aq sa njeriu për njeriun të bëhet ujk, por duhet që mes të gjitha urive të mungojë uria për dashurinë njerëzore. Njeriu duhet të jetë i ngopur me dashuri njerëzore pavarësisht gjithçkaje. Ky është mesazhi kryesor i librit, i cili është mesazh universal.
“Dhembin degët e shqyera” të poetit Albert Habazaj
Vëllim me elegji të spikatura/
Nga Laureta Petoshati/
Kur më ra në dorë libri me poezi “Dhembin degët e shqyera”, m’u krijua ndjesia se kisha një libër me urtësi popullore të sinqerta dhe të vërteta deri në qelizë. Është një libër poetik, ku autori ka në vëmendje që me anë të vargjeve të bëjë një analizë historike dhe sociale. Ai nuk kërkon të zhytet thellë në shekuj, por ai zhytet thellë në mjedisin real bashkëkohor dhe të bashkëkohësve të tij. Në këtë libër ai lëvron një mori temash që si mozaik na japin mjedisin social të cilit i përket autori Albert Habazaj. Ai librin e fillon me poezinë kushtuar Vlorës të titulluar “Prelud për detin”, si simbol i dashurisë së tij për Vlorën, të cilës i kushton vargje siç thotë dhe vetë “vargjet për ty burojnë ujëvarë, / i vemë kurorë një gjethe ulliri”. Pra Vlora shihet si një perëndeshë, që për poetin përbën thelbin dhe tharmin e muzës së tij, por dhe të poetëve të tjerë si Fatos Arapi, që ai i ka për zemër, sepse Vlora është dashuria e tyre e përbashkët. Jo më kot ai këtë poezi e mbyll me emrin e tij, në vargjet me sfond metaforik: “Krijojmë e ndezim diellin si Fatos Arapi,/ Si zogj furtune në buzë të detit,/s’është gjë takimi i mbretit me mbretin/ para takimit të poetit me poetin!”
Duhet përmendur fakti se poezitë e vëllimit poetik “Dhembin degët e shqyera” janë të karakterit shoqëror dhe me dëshirë njohëse e respekt për njerëz të veçantë që përbëjnë familjen dhe shoqërinë e poetit. Me një brishtësi dhe shumë takt, ai i thur vargje shoqes së tij të jetës, Mejos për 50 vjetorin e lindjes, ku duket sikur bëhet një Lasgush i dytë, kur shpërthen në vargje lirike tepër të ngrohta e gurgulluese: “Nektari i puthjeve nga buza në buzë/ Si lëngu i shegës së çarë në tetor./ O gëzim, o fat, o dinjitet, o shpuzë,/ Mbretëritë në dorë!”
Po ta shikosh me vëmendje vëllimin poeti i këndon me dashuri shumë njerëzve, të cilëve u vë emra konkretë si për shembull poezia “Arkeologu i Poezisë” që i kushton Moikom Zeqos
në vend të kartolinës, për 60 vjetorin e lindjes, por ai i këndon pa me kaq patos edhe mjedisit, peizazhit, deri dhe gurëve. Kjo dukuri ndjehet fuqishëm te poezia “Marshi i Tërbaçit”, ku poeti kalon në dalldi poetike për një dashuri të pamasë për fshatin e lindes kur thotë: “Në – trojet spërkatur/ me dritë dashurie,/ o Tërbaç i dashur,/ o vëlla me yje!”
Ka shumë poezi në këtë vëllim ku poeti Albert Habazaj u këndon jo vetëm vlerave demokratike dhe antifashiste, por mbi të gjitha atyre njerëzore dhe njerëzve që i bartën këto vlera si te poezitë “Malli për çlirimtarët”, “Kurora e Nderit”, etj. Ngaqë autori flet me emra të përveçëm, herë- herë i gjithë vëllimi poetik duket si një roman historik i shkruar në vargje për persona konkretë.
Krahas këtyre poeti Albert Habazaj ka thurur dhe disa poezi për përditshmërinë në vendin e tij, që në vetvete janë thelbi i një realiteti të dhembshëm, i përshkruar me tone të forta të një denoncimi social, por dhe një shpirtbutësi për të përvuajturit. Hera-herës në poezi të tilla si “Kombi dhe unë”, “Rilevim”, “Toga e lypsarëve dhe unë”, “Shqipëria sot”, etj, qëndrimi i poetit është denoncues, madje dhe ironik. Ka një ironi melankolike midis asaj që ndodh në realitet dhe asaj që ndodh në shpirtin e poetit. Kjo gjë shprehet fuqishëm te poezinë “Kombi dhe unë”, ku me anë të konotacionit thotë shprehimisht: “Ti, zotni fryhesh si bollë, / Unë – si zogu mbi cipal;/ Shihma kërcirin e hollë,/Si unë kombi është në hall!”
Ironia që karakterizon labin nuk ngelet me kaq në poezinë e Albert Habazaj. Ai ka raste që kalon në sarkazëm, ku kjo e fundit merr nota tepër të theksuara në poezinë “Unë dhe shteti” ku në mënyrë lakonike me sarkazëm dhe sinqeritet tregon marrëdhënien e shtetit me qytetarin e vet. që është vetë poeti: “Shteti im – çapaçul,/ Unë të dua, / ti ma ngul!”
Po me nota therëse me një denoncim social për ligësinë dhe njerëzit pa karakter është dhe poezia “Mostra”, e cila të sjell ndërmend poezitë e Nolit apo dhe të Ali Asllanit për nga notat e protestës dhe të sarkazmës. E kush nuk do të qeshte me përkufizimin që i bën njeriut “Mostër” Albert Habazi kur thotë se: “Të gjithë e dinin që ishte / Shok i ngushtë i Tartufit./ Të gjithë e dinin që ishte / Kushëri i parë i bufit…” Por ato që spikasin më shumë në këtë libër janë elegjitë. Duket se një vaj, një qarje e brendshme, shkruar me një delikatesë tregon bukurinë e kujtimeve personale si një rekuiem për të gjithë ata që nuk janë më në jetën tokësore. Thuhet se njeriu vdes vërtetë jo kur ai kalon në përmasën tjetër, por kur ai harrohet dhe nuk kujtohet kush për të. Ndërsa poeti Albert Habazaj i ka vendosur ata në vargje për ti sjellë si të gjallë pranë nesh, aq sa herë pas here të duket se po lexon ndonjë epos si ai i kreshnikëve. Duket sikur diellin e vargut të këtij eposi “shumë po ndrin ky diell e pak po nxeh” poeti Albert Habazaj e ka dhënë në mënyrë krejt origjinale në vargjet e poezisë “Mbi re diellon Teuta”, e cila është një elegji për zonjushën Teuta B. Shkurtaj: “Kisha kohë që kisha ikur,/prapë në parajsë u futa,/dielli m’u duk i mitur,/se diellonte Teuta.” Madje duket sikur kemi një varg dantesk, i cili bëhet më drithërues tek elegjia e dytë për po këtë vajzë nën titullin “Nëna qan vajzën e re” ku thotë se “do të të vinte nëna,/me pesë lekë të mbështjella /në fund të xhepit,/me një trike leshi të thurur/ syth më syth/me kokrrat e lotit.”
Është hera e parë në jetën time që lexoj një vëllim poetik me kaq shumë elegji që më duken si boroitje e mirëfilltë Labërie. Këtu mund të përmendim elegji të tilla si “Baladë për gjyshen”, “Baladë për Badenë”, “Elegji për një mik të mirë” kushtuar kujtimit të paharruar të intelektualit veprimtar Njazi Hamzaraj, “Përshpirtje për Kujtimin”, në nderim tëKujtim Gjondedës, “Në udhë të dritës” kushtuar mësuesit Labë Beqiraj, “ Pëshpëritje për ëndrrën” kushtuar martirit të Mathauzenit Rexhep Bani, “Elegji për medaljen e artë” kushtuar Kujtim Peçit, “Flakadan princëror” elegji për Mësuesin e Popullit- Profesor Kristaq Shtëmbari, “Homazh për vëllain tim poetik Anastas Bita”, “Loton një gjethe mali” për Lako Gjokën, “Edhe varri sot po tundet” kushtuar Ruzhdi Hitës, “Baladë e vogël për një shpirt të madh” kushtuar Sose Dardhës, “Epitaf” si lule fati për Musa Koshenën, ej.
Të gjitha këto poezi janë të ndërtuara me vargje të puthitura ose të gërshetuara, por ka dhe vargje të lira. Poeti Albert Habazaj ka përdorur shumë figura letrare të cilat theksojnë mesazhin e tij poetik dhe flasin për një ndjenjë të thellë njerëzore.
TREGIMI I HISTORISË NËPËRMJET LETËRSISË
Rreth romanit te Laureta Petoshti “Rikthim në Ventotene” , Tiranë 2012/
Nga Enver Memishaj/
Laureta Petoshati, e njohur sot si përfaqësuese e femrës vlonjate ne fushën e kulturës dhe të artit, ka dalë para botës shqiptare me romanin voluminoz “Rikthim në Ventotene”, dedikuar: “Të gjithë atyre që u persekutuan nga diktaturat” me një parathënie vlerësuese të Dr. Alisa Velaj.
Laureta ka lindur në qytetin bregdetar të Vlorës dhe është lauruar në Universitetin e Tiranës inxhiniere hidroteknike.
Ka provuar jetën e vështirë të emigrantes në SHBA, por vështirësitë nuk e mposhtën. Atje është një ndër themelueset e shoqatës kulturore –atdhetare “Bijtë e Shqipes” me qendër në Filadelfia, një nga nismëtaret e para për hapjen e shkollës në gjuhën shqipe. Aktiviste e çështjes kombëtare, për lirinë e Kosovës, në demonstrata, në intervista në radio, ABC, në gjuhën italiane. Aktivitetet e shoqatës, por dhe mendimet e idetë e saj i ka pasqyruar në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”. Në vitin 2005 u kthye në Shqipëri, por vazhdoi korrespodencën me këtë gazetë prestigjioze.
Sot, Laureta është një publiciste e njohur me botimet në shumë gazeta e revista brenda dhe jashtë vendit si: “Jeta Arbëreshe” dhe “Rrënjët”në Itali, “Ndryshe”, “Nacional”, “Republika, etj., në Shqipëri. Në Vlorë ka qenë fillimisht gazetare e më pas kryeredaktore e gazetës “Vlora” si dhe gazetare e televizionit Vlora Channel.
Letërsia dhe publicistika kanë qenë dhe mbeten jo vetëm pasion, por edhe në mision të jetës së saj.
Librin e sajë të parë “Perëndesha e Parajsës” e botoi në fillim të vitit 1997 një përmbledhje me poezi.
Laureta është e njohur edhe si përkthyese, njohëse e katër gjuhëve të huaja, ndër të cilat spikasin italishtja dhe anglishtja. Ka marrë tre çmime të para kombëtare për përkthime të poezive në gjuhën shqipe nga italishtja dhe anglishtja, por dhe nga shqipja në anglisht.
Në vitin 2008 është vlerësuar nga Shoqata kulturore mbarëkombëtare“Ismail Qemal-Vlora” me titullin “Personalitet i Shquar i Kulturës Mbarëkombëtare”.
Studimi sajë mbi rrymën e re letrare, të lindur në Shqipëri e të quajtur prej saj “Spiralizmi” është botuar në disa gazeta brenda dhe jashtë vendit.
Ka në proces botimi tre libra të tjerë: vëllimin poetik “Spirale”, kritikë letrare dhe arti për autorë bashkëkohore dhe publicistikë e reportazhe.
* * *
Romani voluminoz, historiko –letrar, që do të analizojmë, “Rikthim në Ventotene” , është botuar në fund të vitit 2012.
Ndërsa Dante Alighieri flet për personazhe realë që kanë shkuar në ferr për fajet e tyre, Laureta Petoshati në këtë roman flet të dënuarit e ferrit Ventotene se janë atje për motive të larta: për lirinë dhe drejtësinë shoqërore, luftën kundër shtypjes e shfrytëzimit.
Edhe pse romani flet për një shtrirje të madhe kohore në historinë e Shqipërisë, Laureta Petoshati ndalon në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe na njeh me ngjarje dhe personazhe realë që kanë jetuar në ato vite të vështira. Si pikënisje kemi vendlindjen e sajë, qytetin e Vlorës. Bukuria e romanit qëndron në faktin se autorja nuk merr si pikënisje një personazh të vetëm, por një familje të tërë, familjen Leka, me origjinë nga Mbishkodra, me banim në Vlorë pasi kryetari i familjes Zef Leka, mësues i gjuhës shqipe është emëruar aty, nga Luigj Gurakuqi, dy vjet para Luftës heroike të Vlorës të vitit 1920. Familja e Zefit ishte shuar e tëra, nga shovinizmi serbo-malazez, në mbrojtje të trojeve tona, e kështu Zefi jetim u rrit dhe u edukua nga françeskanët.
Pali, djali i madh i Zefit, i rritur në një mjedis sa atdhetar, po aq edhe fetar, pa dallime raciale e fetare, merr pjesë aktive në demonstratat kundër pushtimit fashist të Shqipërisë dhe arrestohet.
Pas proceseve gjyqësore ai internohet në ishullin e Ventotene-s në Itali, më pas në kampin e përqendrimit Arezzo d’Angari e mbas këtij kampi merret nga gjermanët që e shfrytëzojnë atë dhe shumë shqiptarë e italianë për ndërtimet e tyre ushtarake. Pali kudo ku shkon mban të fshehur disa faqe të shkruara me dorë që ia dha një shok i tij shqiptar në Ventotene: Manifesti i Ventotenes, që flet për bashkimin e Europës, u përpilua nga disa intelektualë italianë në bashkëpunim me disa shqiptarë si Llazar Fundo e Stavro Skëndi. Intelektualët shqiptarë u bënë pjesë e debatit, rrahën mendime, por kushtet e vendit të tyre të pushtuar shtronin si detyrë kryesore çlirimin e vendit, vendosjen e demokracisë dhe pastaj realizimin e bashkimit të Europës. Madje. për arsye të daljes në dritë të Kartës së Atlantikut që fliste për vetëvendosjen e popujve, Llazar Fundo që ishte shoku më i ngushtë në Ventotene i Altiero Spinelli-t që sot quhet si Babai i Europës së Bashkuar, nuk firmosi. Ai e parashikoi i pari atë që do të ndodhte në Kosovë e Çamëri, ndaj jo më kot Isuf Luzaj, që e kishte njohur herët në Francë e më pas në internim në Ventotene e quan “filozofin më të madh që ka pasur raca shqiptare.”
Libri të mbush me informacion të bollshëm, pasi Laureta ka ditur në mënyrë racionale dhe pa e lodhur lexuesin, të nxjerrë nga pluhuri i kohës ngjarje dhe personazhe interesantë dhe na i ka sjellë në ditët tona përmes një origjinaliteti befasues, çka ka shkaktuar një habi të jo të zakonshme për guximin e saj për ti treguar ngjarjet dhe njerëzit që i kanë përbërë ato ashtu siç kanë qenë.
Në Ventotene, Pali njihet me njerëz të tillë që më vonë do të bëheshin drejtues lufte , shteti, e idealesh humaniste si Sandro Pertini, Altiero Spinelli, Eugenio Colorni, Ernesto Rossi, Giorgio Braccialarghe, Luigi Longo, etj. Por ai nëpërmjet rrëfimit dhe kontakteve njihet dhe me shqiptarë të mëdhenj në mendje e vepra, pavarësisht bindjeve politike .
Autorja flet për epokën e fashizmit, nazizmit dhe madje komunizmit stalinist në mënyrë të tillë sa bota bëhet aq e vogël dhe njerëz me kulturë, gjuhë, kombe të ndryshme lidhin miqësi e njihen me njëri-tjetrin nëpërmjet luftës së përbashkët kundër këtyre mortajave të njerëzimit. Këta njerëz të vuajtjeve, zgalemë të lirisë i bashkon qëllimi përbashkët, njohja reciproke, pavarësisht se janë ndryshe nga njeri tjetri nga kultura, historia familjare e kombëtare.
Rëndësia, ose ç`farë të rejash na siell ky roman.
Dr. Alisa Velaj e shpreh idenë kryesore dhe rëndësinë e këtij romani të Laureta Petoshatit me këto fjalë, që janë botuar edhe si parathënie të romanit: “ Të përpiqesh të rindërtosh historinë e një kombi nëpërmjet letërsisë është pa dyshim një akt sa i lartë, po aq dhe tepër i ndërlikuar. Laureta Petoshati ka ditur ta realizojë në mënyrë mjeshtërore të gjith këtë proçes. Romani “Rikthim në Ventotene” është fryt i një pune të lodhëshme, hulumtuese, disavjeçare në lëmin e historisë dhe për më tepër në hulumtimin dhe gjurmimin e përpjekjeve të intelektualëve shqiptarë të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kryesisht atyre të internuar nga fashizmi në ishujt e Italisë, si pjesë e debatit për përpilimin e dokumentit historik të “Manifestit të Ventotenes”, që do të ishte bërthama e realizimit të ëndrrës së Europës së Bashkuar.
Ky mozaik i jetës shqiptare në bashkëveprim me kombe e popuj të tjerë, për më shumë se një shekull, ngërthen në vetvete dramën e madhe të kombit tonë përgjatë historisë, drama të shkaktuara nga gabimet e politike të kohës kur ndodhin, por edhe drama të shkaktuara nga vetë shqiptarët!
Laureta Petoshati e rimerr këtë temë duke e zhvendosur paralelisht në Ventotene dhe Renicci di Anghiari në Arezzo mes jetës së të internuarve me kombësi të ndryshme dhe në jetën qytetare të Vlorës, ku bashkëjetesa ndërmjet vendasve, italianëve dhe hebrejve ka qënë e shkëlqyer.
Diktatura komuniste në fillimet e sajë përbën një nga analizat më të thella të këtij romani”.
Kështu e përcakton Dr. Velaj idenë e këtij romani.
Po ta lexosh me vëmendje romanin sheh se kemi të bëjmë me një letërsi origjinale që shpreh një kulturë të thellë dhe shumëplanëshe.
Autorja zhbiron pa kompromis dhe i shkon së vërtetës deri në fund duke shfrytëzuar jo vetëm arkiva, libra e kujtime të personazheve historikë, por dhe aftësitë e saj si gazetare investigative dhe këtë të vërtetë mundohet ta japë nëpërmjet një stili tejet origjinal dhe një leksiku që ndërthur si të folurën e përditshme të njerëzve të thjeshtë e deri tek ngjyrat më të stërholluara e filozofike të personazheve të saj.
Vetë përshkrimi i jetës në Ventotene flet për një botë poliedrike dhe për mendje të hapura që përsiatin dhe reflektojnë mbi të ardhmen e tyre, por dhe të kontinentit.
Mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore të gjithë kthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa Pali jo. Historia e kësaj familjeje gërshetohet me jetën e disa familjeve të tjera në Vlorë dhe në Shqipëri dhe autorja i bën një përshkrim të hollësishëm regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, që u vendos me dhunë e banja gjaku.
Është një lloj rrëfimi që ka si qëllim kryesor nxjerrjen e të vërtetës historike në maksimumin e mundshëm dhe pikërisht këtë të vërtetë mund ta konsiderojmë si mesazhin e veprës, një mesazh i qartë për të gjithë lexuesit.
Hera-herës nga erudicioni i veprës autorja Laureta Petoshati i drejtohet një lexuesi të zgjedhur pasi kemi një vepër me një informacion të pasur, kompleks dhe të thellë, të përshkruar hera-herës dhe me realizëm psikologjik.
Në të gjithë librin, në pothuajse të gjitha ngjarjet kemi si shoqërues dhe të pranishëm detin, natyrisht një vlonjate nuk mund ta kuptojë botën pa detin, pa fund e pa anë, siç thoshte Maksim Gorki, ai det që e ka bërë edhe shpirtin e autores të gjerë e të thellë.
Ngjyrat e detit transmetojnë gjendjet shpirtërore të personazheve dhe i japin gjallëri përshkrimit. Tek deti shihet dashuria për jetën dhe lirinë, hapësira që jep qetësinë dhe lumturinë.
Peizazhe të magjishme, të rrëshqitshme si dritat në ujë, lutje që e lidhin njeriun me Zotin me dashuri, butësi dhe shpresë ku shumëkush mund drithërohet, madje mund të tronditet kur lexon romanin “Rikthim në Ventotene” të shkrimtares vlonjate Laureta Petoshati, e cila di ti thotë gjërat troç dhe pa frikë dhe di ti qëndrojë besnike historisë gërshetuar aq bukur me letërsinë moderne.
* * *
Përse, Laureta Petoshati e ka titulluar romanin e sajë “Rikthim në Ventotene”?
Është rikthim tek ëndrra e vjetër e shqiptarëve për të hyrë në Europën e bashkuar, ëndërr e pasqyruar tek “Manifest i Ventotene-s”, që personazhi kryesor i romanit Pali, e kishte fshehur nga brenda atij xhubi të gjakosur nga plumbat, e që erdhi në Shqipëri pas rënies së diktaturës.
Cili ishte fati, personazheve historik, të të internuarve të Ventotenes?
Autorja e përmbush edhe këtë kuriozitet të lexuesit me epilogun në fund të librit. Disa nga të internuarit në Ventotene gjatë viteve 1939 – 1943, jepen në fund të këtij shkrimi.
Romani ka afro 600 faqe. Kopertina paraqet statujën e njohur “Rrethi i jetës”, që gjendet në Oslo Suedi e që i jep kuptim përmbajtjes së romanit. (Wheel of life, Monolith statue, Vigeland Park, Oslo Norvegji)
Disa nga të internuarit në Ventotene, gjatë viteve 1939 – 1943, që janë personazhe të romanit të Laureta Petoshatit “Rikthim në Ventotene”.
Të gjith të dënuar dhe persekutuar nga diktatura komuniste.
1.Llazar Fundo, i rrahur barbarisht dhe i tërhequr pas kalit nga krimineli legjendar Shefqet Peçi, i cili pushkatoi pa gjyq.
2. Stavro Skëndi, u shpallur armik populli nga komunistët, u arratis në Sh.B.A. ku punoi si profesor universiteti.
3. Isuf Luzaj,u shpall armik populli, u arratis Sh.B.A. ku punoi profesor universiteti.
4. Fazlli Frashëri, u pushkatua pa gjyq.
5. Selman Riza, shkencëtar, gjuhëtar i shquar u dënua me burg nga komunistët shqiptar dhe sllavë. U përndoq deri në fund të jetës së tij.
6. Safet Butka, nuk mund të shihte dhe të pranonte luftën vëllavrasëse që shpallën komunistët në vitin 1943, dhe vrau veten.
7. Izet Bebeziqi, u dënua me burg dhe u përndoq gjatë gjithë jetës.
8. Abaz Ermenji , u shpall armik populli, u arratis në Francë ku punoi si profesor letërsie.
9. Ndue Pali, u pushkatua si antikomunist.
10. Myzafer Pipa, vdiq në tortura pa dalë në gjyq.
11. Sinan Gjoni, u pushkatua me urdhër të Enver Hoxhës.
12. Gani Kryeziu – torturuar e vdekur në burgjet e ish Jugosllavisë nga klika e Tito-Rankoviçit.
13. Hasan Kryeziu – pushkatuar nga klika e Tito-Rankoviçit.
14. Said Kryeziu – arratisur në Itali e pastaj Sh.B.A.
15. Zef Mala – i burgosur dhe i internuar disa herë me urdhër të Enver Hoxhës.
16. Maku Koçi, u dënua me 30 vjet burg me urdhër të Enver Hoxhës. Nuk mundi të krijojë familje, vdiq në vetmi në një azil pleqsh.
17. Abdurrahman Kreshpa, ende djalë i ri u internua në Ventotene dhe që mbas moshës 20 vjeç është dënuar e burgosur disa herë nga komunistët vlonjatë. Etj…