Nga Filip Guraziu/
Në fëmijëri, vizita në Kështjellën Rozafa ngjallte kuriozitet të pamasë, jo vetëm për faktin se aty përjetohej me emocione të veçanta lufta epike e shkodranëve dhe e venecianëve kundër hordhive turke, por sidomos që përjetohej si në asnjë vënd tjetër sakrifica sublime e Rozafës, “qumështi i të cilës vazhdon të rrjedhë ende sot në muret mijravjeçare të kështjellës….” Pavarsisht se si dhe çka tregon legjenda, morali përfundimtar që mësonim ishte konstruktiv; asgjë nuk ndërtohet, asgjë nuk arrihet pa sakrifica…, por natyrisht në ato vite, moralit që merrnim nuk i jepnim aq rëndësi në krahasim me keqardhjen që ndjenim për murosjen e Rozafës… Shumë vite më vonë, në moshë madhore kuptova se si për shumë problematika, ngjarje dhe personazhe të botës ballkanike që mbesin “pa origjinë dhe autorësi” pasi të gjitha palët i pretendojnë si të tyre, edhe legjenda e Rozafës kishte patur të njëjtin fat.
• Megjithse pranohet nga historia, se origjina e Kështjellës së Rozafës i përket mijëvjeçarit të III pr.k. dhe se në vitin 168 pr.k. poshtë mureve të saj pat qenë zhvilluar beteja përfundimtare në mes legjioneve romake dhe ushtrisë ilire të mbretit Gent ( kronika e kohës nga Titius Livius), historia sërbe pretendon se janë ato që e ndërtuan Kështjellën Rozafa dhe si rrjedhim legjenda është e tyre. Për historinë sërbe nuk ka aspak rëndësi fakti i njohur dhe i dokumentuar, që turmat sërbe kaluan Danubin duke u vëndosur ( me marrëveshje) në territorin e perandorisë Bizantine, pra në Ballkan, vetëm në shekullin e VI. ps.k. dhe se pretendimi i tyre sipas kësaj logjike vetëvetiu zhbëhet, për ato ka rëndësi vetëm një gjë ; që legjenda e Rozafës të jetë e tyre … dhe kaq. !
• Po sikur legjenda e Rozafës të jetë shpikur jo në kohën e themelimit të kështjellës ( si pretendojnë shqiptarët), por në kohën e lartësimit dhe forcimit të mureve rrethuese që mund te jene bërë edhe nga sërbët duke filluar nga shekulli i XI ps.k. ? Ky këndvështrim i ri i problemit na detyron që të arsyetojmë më thellë…
• Argument në favor të pretendimit sërb duket sikur është fakti që legjenda e Rozafës, ose më saktë, legjenda e sakrificës si premisë e ndërtimit dhe përparimit, është mjaft e përhapur në hapsirat etnike sërbe, por kjo qëndron vetëm në sipërfaqe sepse po të “gërryejmë” pak më thellë, kuptojmë se ‘akti i sakrificës’ qëndron në themel të historisë së mbarë njerëzimit që në kohët e “ mjegullës historike”… , dhe për të mos shkuar më larg, atë e gjejmë të përhapur ndër popujt e vjetër autokton të Ballkanit shumë e shumë shekuj më parë se të identifikohen gjurmët e kulturës sërbe.
• Argument në disfavor të pretendimit shqiptar duket se mund të jëtë fakti që legjenda e sakrificës së Rozafës ka në themel ‘tradhtinë’ gjë qe bie në kundërshtim me ‘besën’ si ‘institucion juridik’ me të cilën njihen dhe krenohen shqiptarët. Por, në lidhje me këtë argument, gjithashtu duhet të pranojmë se në analizë të fundit, tradhtia si pjesë përbërëse e legjendës së Rozafës, në një farë mase është sekondare dhe zbehet në krahasim me aktin e sakrificës (moment kulminant) që bëhet për të ndërtuar të ardhmen kundër asaj “force të errët” që shkatërronte çdo gjë.
• Por ç’farë ishte ajo forcë e errët shkatërrimtare që pengonte ndërtimin dhe përparimin e shoqërisë së asaj kohe ? Universi dhe natyra konsiderohen të përjetëshme , si rrjedhim të përjetëshme duhet të jenë edhe ndikimet e tyre ndaj shoqërisë njerëzore, pra “forca e errët” shkatërruese e legjendës se Rozafës duhet të ketë qenë prezente në të gjitha zhvillimet e historisë së njerëzimit gjatë rrugëtimeve që ajo ka bërë, e deri në ditët e sotme si dhe në ato që do të pasojnë. Historia e mbarë njerëzimit e provon këtë, kurse historia e shqiptarëve çuditërisht e përforcon aq shumë këtë tezë sa gati, gati, fillon e të mbushet mendja se kjo ‘forcë e errët” që vazhdimisht shkatërron, na qenkërka kryesisht e lidhur me shqiptarët ! Duke ndjekur arsyetimin me metodën induktive për të kuptuar më tepër, konstatojmë se në qytetin e Shkodrës gjatë viteve të komunizmit u shkatërruan vepra monumentale të papërsëritshme të kulturës shqiptare për të cilat breza të tërë kishin dredhur djersë duke bërë sakrifica për t’i ndertuar si; Pazari i Shkodrës me 2500 dyqane ndër të cilët edhe monumenti unikal në Ballkan, Bexhisteni; Kisha e Shën Markut e shekullit të XI në Vau Dejës ku supozohet që është martuar edhe Skënderbeu; Xhamija e Parrucës me mozaikë të vyer të kulturës islame, Kisha e Shirqit e shekullit të VI e lënë qëllimisht në mëshirën e ujrave të lumit Buna; Zemra e gjelbërt e qytetit të Shkodrës (bahçet e shkodranëve) monument natyror i papërsëritshëm e të tjera… Kurse në vitet e demokracisë, edhe ato monumente kulture egzistuese që mbetën, u zhdukën nga qarkullimi, si shtëpitë muze të, Luigj Gurakuqit, Vaso Pashës, Mark Kakarriqit, tavane druri të punuar artistikisht nga mjeshtrit lokale, shatrivani qendror i qytetit etj. Edhe në këtë moment, sot, drejt shkatërrimit po shkojnë monumentë të tjerë të rëndësishem të kulturës qytetare si Xhamia e Plumbit, Kisha e Shën Stefanit (shekulli i XIII ), Kafja e Madhe etj. Po sa projekte janë realizuar në Shkodër, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme dhe porsa ndërron administrata çdo gjë shkon në kosh të mbeturinave duke u zeruar. Më pas, askush nuk di gjë… dhe natyrisht fillohet përsëri nga fillimi. !? Për ilustrim mund të kujtojmë: Projektin Turistik të Hyrjes së Shkodrës të aprovuar edhe nga KKRT ; Projektin për Kompensimin fizik të trojeve të qytetarëve shkodranë duke i ofruar parcela shtetërore në Velipojë; Projektin e Qarkullimit Rrugor dhe të vëndosjes së Semaforëve në qytetin e Shkodrës; Projekt Ideja e Tangencialës së Shkodrës që do të ndiqte rrugën e vjetër Karvane ( jo kjo e sotmja që ka dëmtuar rëndë mjedisin) e tjerë… Po të largohemi nga Shkodra do të na kujtohet menjiherë përfundimi tragjik i qytetit të Voskopojës, qëndër e madhe e dijes dhe e kulturës mesjetare; Shëmbja me dinamit i varrit monumental të Nënës Mbretëreshë në Tiranë; Degradimi i vazhdueshëm i shtëpijave muze në Gjirokaster; Shkatërrimi i mbikalimit në hyrje të Tiranës; Lënia pasdore në mëshirë të fatit (drejtë rrënimit) të ‘Urës së Zogut’ mbi lumin Mat etj.
• Paraqitëm efektet e “forcës së errët” në drejtim të shkatërrimeve materiale, por nuk janë më me pak vlerë ato shpirtëroret: Dhuna e bëri Shqipërinë vëndin e parë ateist në botë!; Poeti Kombëtar Atë Gjergj Fishta mbeti pa varr, komunistët e zhvarrosën dhe ja zhdukën eshtrat… !; Kolosi tjetër i letrave shqipe, Martin Camaj vdiq i “vetmuar“ dhe anonim për botën shqiptare , pasi ashtu pat vëndosur Partia…, të njëjtin fat, pat dhe Ernest Koliqi, kurse Lasgush Poradeci vdiq në Shqipëri, por i harruar…! Me ardhjen e komunizmit, pothuaj e gjithë elita intelektuale shqiptare e shkolluar ne Europë u eleminua fizikisht, u burgos ose u keqtrajtua, pasi konsideroheshin borgjezë, pra armiq..!; Kështu u trajtuan edhe klerikët katolikë që kontribuan aq shumë për shkencën shqiptare, por këto me tjetër akuzë; si agjentë të Vatikanit…! Pikërisht në momentin kur një shqiptar i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare mund të bëhej Nobelist, “ forcat e errëta” u vërsulën kundër tij deri në Suedi…!; Së fundi, “vepra” e demokacisë, çdo ndërrim pushteti shoqërohet me largim nga puna të profesionistëvë të kualifikuar për ti zëvëndsuar me militantë partiakë… etj.
• Rastet e mësipërme dhe të tjerë më të shumtë, që për mungesë hapsire nuk arrita ti rreshtoj, mund të na ndihmojnë për të kuptuar se për fatkeqësinë tonë, ‘veprimi i zhbërjes dhe i prishjes’, shpesh me motivin e vetem ‘se e ka bërë kundërshtari’, ka hyrë thellë në shpirtin dhe psikologjinë tonë, dhe se ky faktor mund të jetë një nga arësyet që ‘vëndi i shqiponjave’ vazhdon të mbetet gjithënjë i fundit në Europë !
• Ndërto ditën dhe prish natën! Pasojat: jo zhvillim, jo përparim, jo mirëqënie. Kompleksiteti e ngjarjes së legjendës së Rozafës i gërshëtuar me eksperiencën mijra vjeçare e deri në ato të sotme të problematikave shqiptare na bën të besojmë (duke u bërë supersticiozë) se “forcën e errët shkatërrimtare” e kemi patur dhe do ta kemi bashkudhëtaren tonë. Kjo natyrisht na shqetëson pa masë ! Po deri kur kështu ?! A nuk është koha që ti themi ‘ndal’ ketij fenomeni negativ çoroditës ?! Nuk është kurrë vonë të punohet me brezin e ri që po rritet, për të çrrënjosur përfundimisht atë psikologji të dëmshme dhe për ta zëvëndsuar me vlerat më të spikatura humane; respektin dhe vlerësimin për punët e vyera të paraardhësit edhe sikur ky i fundit të konsiderohet kundërshtari i yt. Mbi çdo gjë, ‘Arsimim & Edukim’ i Brezit të Ri. Përfundimi ?, Besoj se lexuesi tashmë e ka kuptuar domethënien e ketij shkrimi…, le të ja lëmë atij përgjigjen që shtrohet për zgjidhje …
• Filip Guraziu
• Shkodër, datë 17.01.2015
•
•
•