
nga Kathleen Krull/
Përkthyer nga Naum Prifti/

Në shënimet e tij Leonardo zbulon se qëllimi i tij qe studimi direkt i natyrës. “Asgjë nuk mund të gjendet në natyrë që nuk është pjesë e shkencës,” shkruante ai. “Shkenca është kapiteni, ndërsa praktika janë ushtarët.”
EUROPA në Mesjetë, së pari dhe mbi të gjitha nuk kishte libra të shtypura, por vetëm dorëshkrime në latinisht, të kopjuar mundimshëm me dorë për të pasurit. Fshatarët as që kishin parë libra me sy. Dhe shumë njerëz nuk dinin të lexonin, as të shkruanin.
Sa për higjenën, nuk kishte kanalizime as tualete. Pak kush e dinte çfarë qe sapuni, ose veshjet e brendshme. Të varfërit hanin me duar, sepse lugët dhe pirunët i përdornin vetëm të pasurit. Shumë të rritur nuk kishin veçse pak dhëmbë në gojë. Thuajse gjysmët e fëmijëve vdisnin pa mbushur vitin. Gratë mesatarisht jetonin deri në moshën njëzetekatër vjeçare dhe shumë prej tyre vdisnin gjatë lindjeve të fëmijëve.
Nëpër fshatra njerëzit e varfër rronin në një mjerim të vërtetë, sepse familje prej dhjetë a njëzet personash flinin nëpër kasolle me lagështi dhe përdhe si bagëtia. Minjtë ishin të pranishëm. Pas të korrave të këqija uria bënte kërdinë dhe ata vdisnin nga urija. Nëpër qytete rrugët shërbenin si nevojtore dhe ndyrësirat rrinin aty deri sa t’i shpëlante shiu. Një here në disa dekada binte një epidemi misterioze që quhej vdekja e zezë, sepse ajo shfaqej me disa fllucka të zeza në lëkurë. Epidemia e vitit 1348 që përfshiu dhe fshiu një në çdo tre veta në Europë u shpjegua nga shumë mjekë si një eveniment i rrallë i vendosjes së tre planetëve në qiell.
Mjekët nuk bënin praktikë të mirë dhe përparimet në mjekësi qenë të ngadalshme. Kishte mjekë që kishin mbaruar studimet në universitete me famë, por librat që ata lexonin ishin shkruar më se një mijë vjet më parë. Dhe nëse një gjymtyrë duhej prerë, i derdhej vaj i nxehtë në plagë që të pengohej gjakderdhja. Disa doktorë kishin fare pak ose aspak shkollë. Berberët bënin edhe kirurgji. Një fjashko, qelqe me urine, qe simboli i çdo mjeku. Ata harxhonin shumë kohë duke bërë ekzaminime aty. Doktorët dinin si të trajtonin kockat e thyera, por të sëmurëve që u rridhte gjak nga hundët u jepnin plehë derrash. Dhjetë hardhuca të gjelbra në vaj ulliri besohej se shëronin çdo plagë të hapur. Një ilaç tjetër bëhej nga krimbat e larë me verë dhe me shurrë gomari. Një tjetër quhej briri i unicornit, ose njëbrirëshi. Cerma apo enjtja e gjymtyrëve trajtohej duke i vënë pacientit një unazë safiri në gisht. Pijavicat aplikoheshin kur planetët qenë në një vijë të drejtë. Zakonisht ajo bëhej duke prerë lëkurën, që të rridhte gjaku i keq por duke bërë kujdes të mos pritej ndonjë arterie. Jeta e njeriut qe e shkurtër dhe me rreziqe.Vdekjet aksidentale qenë të shumta dhe vrasjet dy herë më të larta. Shumë sundimtarë qenë tiranë dhe luftërat qenë të zakonshme.Gratë shiheshin si pjesë e djallit. Dhe nëse silleshin jashtë normave trajtoheshin si shtriga dhe digjeshin në turrën e druve.
Kisha e fuqishme Katolike qe pishtari i dritës në Europë gjatë Mesjetës, por besimtarët trajtoheshin egërsisht. Në Greqinë e lashtë, në Romë, në Kinë dhe në vendet arabe shkencëtarët kishin bërë shumë zbulime për astronominë, mjekësinë, matematikën dhe të tjera. Të shkolluarit islamikë përkthyen veprat e grekëve të lashtë gjuhën arabe, duke i rigjallëruar ato. Ndërsa në Europë shumë nga ato humbën për një kohë të gjatë, për disa shekuj.
Shkenca në Mesjetë përfshinte astronominë dhe matematikën, por populli besonte në magjitë. Prandaj studiohej edhe pseudoshkenca, studimi i engjëjve, lidhja midis karakterit të një personi dhe ndikimi i planetëve në sjelljen e njerëzve.Studimi i alkimisë se si shndërrohen metalet në ar mori përhapje të gjerë. Njerzit e mësuar argumentonin se nuk ishin engjëjt ata që ndikonin apo mbanin planetët në lëvizje. Ata njehsonin vetëm shtatë planete dhe besonin se Toka nuk qe ishull. Për ta, Toka zinte qendrën e universit me trupat e tjerë astronomikë si dielli.
Një valë e madhe mendimi po përplasej në Europë, me këmbime dhe debate për koncepte themelore. Rezultati qe mirëbesimi në arritjet njerëzore si në shkencat humane që përqendrohen tek mundsimi i jetës mbi tokë. Kjo shpuri në shpërthimin e informacionit të ideve të reja. E gjitha kjo koincidonte me rizbulimet e njohurive të vjetra që kishin humbur prej kohe.
Në krye të kësaj vale qe Leonardo Da Vinci. Ai lindi në kohën e duhur, në vendin e duhur, më 1452 në Itali. Pikërisht atëherë kur u shfaq zyrtarisht Rilindja, në arkitekturë, letërsi dhe shkencë. Dhe shpirti rilindas më i gjallë se kudo qe në Florencë, Itali. Ndërsa Leonardi rritej, ai shihte rreth tij si askush tjetër kishte parë përpara tij. “Ka kaq shumë gjëra të panjohura,” shkruante një ditë. Por ai donte dhe qe i vendosur të gjente përgjigje për vete. Metoda e tij qe të fillonte të pyeste për çdo gjç. Metoda e tij qe ahkencore.
DIZAJNI I LEONARDOS PER NJE QYTET PA MURTAJE
Ai njihej rretheqark Firences si një yll i ri artistik i studios Verrochio, një njeri veçanërisht tërheqës që ishte i mirë për çdo gjë. Qe i këndshëm dhe inteligjent, i aftë të diskutonte për çdo temë. Ai kishte zë të mirë për të kënduar dhe konsiderohej si një nga vjershëtarët më të mirë të kohës së tij, një lloj artist i zhanrit rap i Rilindjes. Ai qe i mirë edhe si sportist, i njohur për forcën e tij fizike dhe si kalorës i mirë. Por Leonardo kishte edhe kusuret e tij. Për dikë që nuk kishte mjete të tjera jetese, ai qe i pakujdesshëm për punë biznesi. Kur më së fundi mori lejen të punonte, disa herë ia doli mbanë, disa herë jo. Për porosinë e parë më 1481, për të pikturuar në një kishë, ai bëri vetëm një skicë para se ta braktiste punën.
Leonardo po ashtu takohej shpesh me Fazio Cardan, profesor i Mjekësisë dhe Matematikës, dhe me familjen e tij. Cardan kishte botuar një libër të famshëm për optikën, shkruar në shekullin e trembëdhjetë nga një Peshkop anglez. Gjatë bisedave me Cardan, Leonardoja mësoi si punonte syri. Syri quhej dritarja e shpirtit, një koncept që Leonardoja e shpuri më tej duke e identifikuar si qendrën vitale për të kuptuar botën e pafundme të natyrës. Ndërsa të tjerët në atë kohë besonin se lentet qenë pjesa më e rëndësishme e syrit, Leonardoja qe më shumë i interesuar për retinën dhe se si krijoheshin atje figurat kur binte drita mbi të.
Ka të ngjarë që duke u ndodhur në vendin e duhur dhe në kohën e duhur ai pati sukses të hynte në shërbim të Ludovico Sforza. Duka e çmonte dukshëm Leonardon, që i shërbeu atij vite me radhë si inxhinier ushtarak dhe po ashtu si arkitekt. Projektet e tij qenë të mdryshme. Këtu bënte piktura, skulptura, një projekt parku, ose armë të reja, një ditë zbaviste oborrin me muzikë`, ditën tjetër prodhonte vaj ulliri.
Gjatë viteve të para të tij në Milano ra një epidemi e madhe e quajtur Vdekja e Zezë. Ajo u përhap me shpejtësi dhe shkaktoi vdekjen e mijëra milanezëve. Kufoma të ngrëna nga minjtë dergjeshin rrugëve duke pritur varrimin. Ka të ngjarë që gjatë asaj kohe Leonardoja shpiku parfumin e trëndafilit për të mbuluar erën e vdekjes së kudondodhur. Leonardoja për fat nuk u sëmur. Shumë njerëz ia hidhnin fajin fatit të keq, të paracaktuar nga yjet dhe Zoti si ndëshkim për dobësitë e tyre. Ndërsa shumë kristianë akuzonin çifutët që e kishin përhapur me dashje sëmundjen, e cila u bë shkak që shumë prej tyre të persekutoheshin shpesh.
Gjithkush e dinte se sëmundja qe ngjitëse, por askush nuk e dinte si mund ta ndalonte atë. Edhe pse nuk i dinin shkaqet, kafshimet nga minjtë e infektuar ose pickimet e pleshtave, Leonardoja me të drejtë mendonte se kushtet jo të mira të jetës kishin lidhje me sëmundjen. Përgjigjeja e tij për përhapjen e sëmundjes qe ambicioze. Ai përpiloi një plan për riorganizmin e gjithë Milanos. Ai donte ta bënte qytetin më të pastër dhe më të shëndetshëm. Rrugët e Milanos qenë të ngushta, të pista dhe të mbipopulluara të ndërprera nga kanale prej nga delnin natën bretkosa, që bartnin edhe mbeturina të jashtëqitjeve nga njerëzit. Uji i pijshëm qe i kontaminuar. Dhe kur njerëzit bënin banjë, ata e merrnin ujët nga banjat publike.
Për Leonardon sëmundja shkaktoi dy vite ankthi, humbje shokësh dhe drama të përditshme. Ai e kalonte kohën duke projektuar në letër versionin e një qyteti ideal – i pastër dhe efficient, ai mund të shtrihej horizontalisht dhe vertikalisht në dy nivele ku të pasurit mund të jetonin sipër, në hapësira të mëdha me parqe. Rrugët duheshin më të gjera, që të lejonin ajrin e freskët dhe dritën. Leonardo qe njeri i kohës që besonte se të pasurit qenë më të mirë se të varfërit. Pjesa e poshtme qe më e errët dhe me dyqane që reflektonin statusin e shoqërisë, domethënë të zanatçinjve. Plani i tij parashihte pajisje hidraulike, drenazhimin, mjetet e transportit të kafshëve dhe njerëzve si edhe hedhjen e mbeturinave. Ai kishte dizajnuar mjete për pastrimin e rrugëve dhe për oxhaqet. Për të mënjanuar njerëzit që të mos përdornin qoshet e errta si nevojtore, ai planifikonte tualete me ajrosje nga çatia. Ai shkroi rregulla për ruajtjen e shëndetit. Haj vetëm kur ke uri dhe përtype ushqimin mirë. Ndryshe nga italianët e shekullit të pesëmbëdhjetë, Leonardoja qe vegjetarian. Ai i kishte mëri njerëzit që vrisnin zogj për sport dhe mendonte se njerëzit që hanë mish qenë varrshëtitës. Për Leonardon, në të ardhmen njerëzit nuk do të vrisnin më kafshë vetëm për t’i ngrënë. Në një kohë kur të tjerët lakmonin për të ngrënë, ai sugjeronte të hanin supë minestronesh dhe qiqra, sallatë, fruta, verë dhe bukë.