Flijimi i Marie Shllakut vazhdon të lihet në heshtje nga Bashkia Shkodres !/Ky shkrim është një letër e hapur drejtuar Kryetares së Bashkisë Shkodër znj.Voltana Ademi në ditën ndërkombëtare të gruas!Leonora Laçi, 2017/E nderuar znj. Kryetare!Si femra e parë Kryetare Bashkie në Shkodër, për të cilen ndjehemi krenar, e të privilegjuar për përfaqësimin e femrës në pushtetin vendor si dhe për ta shfrytëzuar këtë në dobi të femrës për femrën, duke pas parasysh se zgjedhja juaj në krye të Bashkisë ka thyer tabunë e fanatizmit maskilist.Por, krenaria zbehet kur vihet re që Shkodra një qytet që udhëhiqet për kaq dekada nga Partia Demokratike të lërë në harresë dhe në hije heroinën Marie Shllaku, antikomunisten e betuar e cila në moshë të re u pushkatua në Prizren për aktivitetin e saj politik. Shkodra i ka borxh Marijes, prandaj ky shkrim le ti shkoj në tryezë znj.Kryetare dhe Këshillit Bashkiak të Shkodres. Sepse nderimi i Maries është nderimi i femrës, nderimi i Shkodres si qytet, qoftë një hapësirë për memorial, një titull nderi pas-vdekjes, një aktivitet përkujtimor.Nëse ju keni hezitim apo mos njohuri për veprimtarinë e saj, unë jam e gatshme t’ju sjelli të gjithë librat që janë shkruar për të, madje dhe t’ju informoj për aktivitetet që janë zhvilluar në Kosovë, Shkodër, e Tiranë, apo përkujtimin dhe vlerësimin që i bën Kosova me emra rrugësh e nderime të tjera. Prandaj Shkodra si qyteti i lindjes duhet ta vlerësoj dhe ta njoh aktivitetin e saj !Boll me amnezinë institucionale prej disa dekadash !Po e bëj këtë thirrje pikërisht me 8 Mars, pasi duhen kujtuar ato femra që u sakrifikuan për kombin, Shqipëria nuk ka vetëm Musine Kokalarin, ka shumë Musineja të tjera si Maria Shllaku, Bardha Gjomarku, Marie Tuci etj. Është për tu vlerësuar nderimi që Gjirokastra por jo vetëm ajo, po nderojnë Musinen, të cilat duhen marrë shembull dhe të jenë nzitje për nderimin e Marie Shllakut nga Shkodra. 8 Marsi është dita e sakrificës së femrës por edhe për të kujtuar përpjekjet e tyre për barazi, paqe e drejtësi.Po e risjelli një poezi që duhet të jetë epitaf për femrat që u flijuan për idealet kombëtare, kjo u shkrua prej një nga të dënuarit në gjyq me Marie Shllakun, profesori shkodran Shefqet Kelmendi që i thotë të gjitha që duhen thënë për Marien si një vajzë 24 vjeçare që u quajt armike dhe u pushkatua, ajo e luftoi komunizmin me pushkë e penë.Prandaj konsiderojeni këtë thirrje si domosdoshmëri dhe të nevojshme !*** “Pranë një qyteti është një varr pa varr. Është një vajzë e re që prehet në qetësi e varrin e saj askush sot s’e di…Nuk ia thau rinin dashuria e vrarë.Nuk ia shkimi dritën ndonjë e papritur.Hëna pesëmbëdhjetëshe e harroi vetveten. Theu pasqyrën e nusërisë. I dogji edhe studimet, se një zë nga brenda i thirri:“Bija ime, rininë tënde falma mua. Digje zemrën për mijëra zemra, që gufojnë sot anekënd!”.Dhe Shkodrania doli në ballë me flamurin e Skenderit.Re të zeza sterruan qiellin. Tymi mbuloi tokën tonë.Sokolesha s’iku natën në dhe të huaj për të shpëtuar lëkurën.Mali iu bë çerdhe.Toka ujë i dha të pijë.Po një ditë me mjegull shumë, pesëthepat të gjallë e zunë…-Ti armike e popullit,- i thanë në një sallë,- fol për fajet e tua !-Për tokat e të parëve luftova sa munda. Kreva veç detyrën.-Po ti, a e di se për këto krime plumbi ty të pret?-Nuk më trembet syri. Unë ia fala jetën Kosovës martire. Ndaj dhe jam krenare, se mbi varrin tim lule do të sjellin të rinjtë e kësaj toke.-Varrin tënd, nepërkë, askush s’do ta dijë.-Kjo ka pak rëndësi. Emrin tim, zotëri, ju s’e zhdukni dot!E salla pikoi lot…Brinjët ty t’i thyen, po nuk ta thyen zemrën…Buzët t’i shkrumuan, po s’ta mbyllën gojën…Sytë t’i shterruan, po në dritë u shndërruan…Verë e vitit dyzet e gjashtë…Sot Prizreni në gji të vetMe xhelozi ruan një sekret.Borxhlinj të jemi, motra jonë,O Marija, o shqiponjë !”Shkruar në burg Zejmen, Lezhë 1986.
Historia e shkurtër e një harrese të madhe
Libri “Italianë të Shqipërisë” i shkrimtarit italian Uilliam Buonapace të cilin e lexova me një frymë vjen për lexuesit dhe në gjuhën shqipe./
Nga Leonora Laçi-studiuese, dhjetor 2016/Autori i librit të cilin pata fatin ta njoh para ca ditësh në promovimin që ju bë këtij libri në Durrës dhe të shkëmbej mendime të frytshme për kulturën, historinë, fatet e dy popujve të cilët janë ndeshur shpesh herë, për dy popuj që kanë qenë miq po aq sa dhe “armiq”. Kjo miqësi dhe armiqësi e supozuar ka ardhur për shkak të pozicionimit ideologjik të tyre përgjatë periudhës komuniste apo dhe më heret të interesave politike dhe ekonomike të qeverive të ndryshme.
Në këtë libër përplasen fuqishëm fate si dallgët e furishme por që kur tërhiqen lënë pasoja, përgjysmohen ëndrra, thyhen shpresa të vetushqyera, kryqëzohen fate, rrëfehen dhimbje. Libri në sintezë të tij ka dy popuj që ishin sa afër dhe larg, dy popuj që politika i ndau por dashuria njerëzore i bashkoi. Përshkruhet hollësishëm fati i lidhur me vendin e shqiponjave dhe sakrificën njerëzore për hirë të familjes.
Studimi i Buonapaces na jep një mësim të qartë, na tregon shtigjet dhe i shkel i pari ato, ku me kujdesin që tregon ndaj detajeve, i qartë në lidhëshmërin e mendimit, thellësinë e mendimit, bën përshkrimin e proceseve historike, me ftohtësinë në gjykim. Ç’gjykim them? Ai nuk gjykon në fakt, ai parashtron faktet dhe na e lë neve në dorë ti interpretojmë. Ngacmon të kaluarën, që të nxisë historianët shqiptarë e ata italianë të punojnë më tej në shtegun që ai hap për të zbardhur se çfarë ndodhi me italianët e ngelur në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë fashiste e deri në vitet ’90. Nuk janë pak i thonë gjysmë shekulli.
Dokumentet e literaturën e shfrytëzuar e përdor me mjeshtëri duke qenë skeptik por dhe duke e vënë vehtën në realitetin e kohës kur ndodhin ngjarjet, nuk paragjykon ideologjitë, pasi ata janë pjellë e njerëzve, nuk vijnë rastësisht. Megjithëse qellimi i tij nuk është përshkrimi historik i ngjarjeve, por ky është i pashmangshëm.
E fillon me harresen si prolog, atë harresë institucionale të Italisë kundrejt bashkëatdhetarëve të saj të mbetur në Shqipëri.
Dhe e vazhdon duke sjell shembuj të italianëve që ngelen në Shqipëri. Përshkruan marrëdhëniet midis dy vendeve përgjatë viteve 1904-1939, për tu ndalur tek ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe pasojat e pushtimit italian të Shqipërisë, më tej, kapitullimi Italisë e ardhja e gjermanëve për të vazhduar me përfundimin e luftës. Më pas fillimi dhe fundi i Luftës së Ftohtë dhe e mbyll me dramen e një populli që do të iki nga e shkuara, nga vetvetja, vetëm e vetëm të harroj, endet në rrugët e botës pa asnjë synim përveç ikjes nga bunkieri, burgu, Shqipëria.
Unë do ndalem tek qëllimi i këtij studimi, italianët të cilët mbetën në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë Musoliniane (që disa u riatdhesuan përgjatë viteve 1945-1950), dhe ndarjen në disa kategori që i bën autori duke shfaqur hapur përdorimin e dy standardeve të qeverisë së Enver Hoxhës (fq 15-16):
Kategoria e parë ushtarakët që kishin marrë pjesë në rezistencën kundër nazistëve. Këta fituan të drejtën e riatdhesimit pa asnjë kufizimqë në vitin 1945 dhe u kthyen në Itali të veshur me uniformat e tyre duke pasë privilegjin të marrin me vete armët e tyre. Ishte një akt që tregonte vlerësimin e tyre ushtarak dhe politik.
Kategoria tjetër ushtarakët që ndodheshin akoma në vend, por që nuk kishin marrë pjesë në luftën kundër gjermanëve. Këta kishin qëndruar të fshehur ose ishin zenë robër dhe konsideroheshin se i përkisnin një ushtrie të mundur. Edhe këta u kthyen në një pjesë të madhe në të njëjtin vit me të parët natyrisht, pa armë, shpesh herë me njëmijë vështirësi dhe pasi u keqtrajtuan dhe u poshtëruan nga ana e autoriteteve shqiptare.
Kategoria e tretë përbëhej nga civilët dhe përgjithësisht nga italianët që nuk kishin qenë në ushtri. Këta ai i ndanë në dy nënkategori: a) Funksionarët e shtetit, karabinierët ose njerëz të efektivave të tjera të ruajtjes së rendit, që shpesh pësuan persekutime, arrestime dhe dënime shumë të rënda që në disa raste qenë dënime me vdekje. b) Punonjësit që kishin kompetenca teknike, të cilët Tirana i përcaktoi si “specialistë”, të detyruar të mbeten, shpesh në kushtet e një gjysmëburgimi për disa vjet pas mbarimit të luftës me qellim që të kontribuonin në rindërtimin e vendit të shkatërruar.
Kategoria e katërt kleri katolik, që u persekutua rëndë dhe u akuzua se ishte një përbërës i spiunazhit fashist dhe u konsiderua si një nga armiqtë kryesorë të regjimit të ri.
Në fund mbeteshin pjesëtarët e familjeve të përziera: italianë ose italiane të martuar me shqiptarë. Këta u detyruan të qëndrojnë në Shqipëri edhe pas vitit 1950, disa dhe përjetësisht, të braktisur me kuptimin e mirëfilltë të fjalës nga ana e autoriteteve italiane, pra të përfshirë forcërisht brenda regjimit totalitar.
Autori na lë të kuptohet se ka në fokus qendresën heroike të femrave, nënat, grave italiane që u martuan me shqiptar, heroizmin e tyre që e treguan në forma të tjera, citoj (fq 16)-“Ata ishin të ndërgjegjshme se përzgjedhja e tyre do të kishte si pasojë që të mos shihnin, me gjasë edhe për gjithnjë, njerëzit e tyre të dashur përtej detit dhe do të duhet të përballnin, fillikat, një regjim armiqësor, vështirësi, diskriminime dhe ndoshta burgun. Dhe megjithatë vendosën të qëndrojnë, me një akt guximi të pabesueshëm”.
Duke përshkruar ngjarjet historike që lidhnin fatet e dy vendeve, ndërfuten në rreshta dhe jetë njerëzish të thjeshtë, peripecitë e tyre në kampe internimi apo burgje, duke bërë llojë-llojë punësh për të mbajtur frymën gjallë.
Përmend shumë familje italiane ndër ta përmendim këtu: Maria Moretta, Maria Kiezën, Elena Gjiken, Xhuzepe Terruzi, Ugo Beluci, Armando Batisti, Mario Grosi, Xhovani Kanteli, inxhiniere Simonçini, dr.Venancio Loçi, dr. De Markis, dr.Rumo, inxhi.Galo,inxhi.Agostinone, dr.Franko Benani, Rubolini etj.
Autori flet dhe me shifra e nëpërmjet dëshmive tronditëse, të familjarëve, po sjelli këtu një fragment nga libri, citoj (nga faqja 71-72): “Arnaldo Kançiano në dëshmin e tij thotë- Më 22 tetor 1947 vendimi u ekzekutua: 16 dënime me vdekje nga 25 të pandehur. Tre dënime me varje, 13 me pushkatim: ndër ta ishte dhe Saxhoti. Dy të pandehur të tjerë, Monaldi dhe Andena u dënuan me 15 vjet privim lirie. Nuk e dija me saktësi se ku ishin ngritur trekëmbshat për tre të dënuarit me varje. Atë ditë, rastësisht, duke kaluar nga Fusha e Druve me mbesën time Nina, m’u shfaq papritmas një skenë e llahtarshme! Tre trupa që vareshin, një grup fëmijësh që i zinin nga këmbët, i rrotullonin, litari mblidhej dhe pastaj e linin që të shpërdridhej për të parë ata të mjerë që silleshin rreth vetes. Ika, duke e tërhequr për dore vajzën, në një rrugicë aty afër”.
Ai vë theksin tek harresa që ju bë nga autoritetet italiane, ku italianët dhe italianet pranuan nënshtrimin duke u trajtuar si qytetarë të dorës së dytë në një vend që në thelb i konsideronte si një mish i huaj që duhej mbajtur nën mbikëqyrje të fortë dhe në një pozitë sociale të dorës së dytë. Ku u vranë shpirtërisht dyfish nga atdheu i tyre (Italia) por dhe nga Shqipëria komuniste që tashmë kishin lidhur të ardhmen e tyre duke zgjedhur me apo pa dëshirë të jetonin për hirë të familjes këtu. Autori nuk e justifikon heshtjen e autoriteteve italiane për ta, ku në faqen 121 konkludon se:” Mungesa e impenjimit nga ana e autoriteteve italiane ndaj qytetarëve të vendit tonë në Shqipëri do të mund të justifikohej vetëm në se do të kishin ekzistuar dy kushte të veçanta: mungesa e marrëdhënieve normale diplomatike midis të dy vendeve dhe pamundësia për të pasë lajme të tyre dhe për të njohur numrin e tyre të saktë, identitetin dhe vendbanimet e tyre. Mirëpo asnjë nga këto kushte nuk ishte i pranishëm dhe historikisht asnjë justifikim s’mund të qendrojë. Shteti italian kishte dijeni dhe kishte mundësi të vepronte. Ekzistonin mundësitë diplomatike dhe politike. Natyrisht është e pamundur të dish se cili do të kishte qenë rezultati i një ndërhyrjeje, por kjo nuk justifikon heshtjen dhe mosinteresimin nga ana e tij. Ajo që ka munguar ishte vullneti politik”.
Libri mbyllet me çështjen “Riatdhesimi” ndërkohë komunizmi po lëngonte në shtratin e vdekjes, dhe këtu fillon mbarimi i harresës për disa dekada të italianëve që mbetën në Shqipëri. Si dhe shkruan për operacionin C.O.R.A për riatdhesimin e plotë të iniciuar nga qeveria italiane. Tashmë fillonte një dramë tjetër ajo e përshtatjes me atdheun Italinë, takimi me familjarët. Siç e përshkruan autori në fq 131-132: “ Të riatdhesuarit e kuptuan shpejt se problemet e tyre nuk kishin marrë fund. Kthimi në Itali, largimi nga një vend në tatëpjetë, një e kaluar mundimesh dhe vuajtjesh, nuk mjaftonin. Atdheu i ri e i vjetër që e kishin ëndërruar dhe fantazuar, nuk doli ashtu si e prisnin, por si ishte në realitet: një vend i çorganizuar, me ligje të komplikuara dhe në një fazë krize dhe konfuzioni ku ksenofobia dhe racizmi i hapur dhe i fshehtë po nxirrte kryet kërcenueshëm pikërisht ndaj atyre që vinin nga bregu i tjetër i kanalit të Otrantos. Të gjithë këta faktorë sigurisht nuk e lehtësuan integrimin në realitetin e ri”.
Duke përgezuar autorin Buonapace dhe bashkëpunëtorët e tij. Besoj se ky libër do jetë vetëm fillimi i zbardhjes së një prej episodeve më të dhimbshme të persekutimit komunist, i cili e filloi me armiqtë e partisë, shqiptarë e të huaj dhe e mbylli dukë ngrënë kokën e vet.
Ja si u interesua Qeveria Shqiptare në vitet ’30 për kosovarët
Nga Leonora Laçi/
-Këto dy relacione na tregojnë që qeveria shqiptare, ndiqte me interes shpernguljen e shqiptarëve të Kosovës drejt Turqisë dhe jep të dhëna sesi po zbatohej program i kolonizimit në terren në vitet ’20-’30.
-Sipas dokumentave arkivore te Arkivit te Ministrise se Puneve te Jashtme 1935, Dosja 185, fleta 173-177, i dergohet Zotit Rauf Fico Minister Fuqiplote i Shqiperise -Beograd. Nr II\31
Teper rezervate\
Shkurtimi: Mbi emigrimin e kosovarëve\
Zoti Minister\
Kam nderin ti sjell në dijeni Shkelqesis s Uaj se simbas informatave që marrim nga burime të ndryshme dhe të besueshme, me datë 20 vazhdues, një Komision i përbërë nga Kolonel Milan Branavaçki , Drejtor i Reformës Agrare, me ndenje në Shkup, nga një nëpunës i naltë i Drejtoris Agrare të Belegradit dhe nga dy nëpunësa të Banovines Vardarit të shoqeruar nga N\ Prefekti i Gjillanit Bogdanoviç, nga Kryetari i Komunës Vitimes dhe qark-komandanti i gjandarmeris, kanë vajtur në katundin Derna Glava të Gjilanit, ku kanë mbledhur shqiptaret e atij katundit dhe të Korbilivit dhe u kanë deklarue se, simbas urdhërit që sjellin nga Belgradi. Ata që deshirojnë me shkue si emigrantë në Turqi, tokën mos t’ia shesin kurrkujt por t’ia lëshojnë qeverisë, e cila ka me u nxjerrë gratis dhe pa paguar asnjë taksë pasaportat dhe ka me i dergue me shpenzimet e saja deri në Edrene të Turqisë, me anën e Bullgarisë; gjith’ashtu dhe at që e kanë shit token dhe pergatiten me emigrue në Turqi, qeveria jugosllave ka me i qit në kufinin e Turqis duke pague vetem gjysmat e shpenzimevet t’udhetimit. Njekohesisht i keshilluan që të mos vijne në kontakt me komisionaret e ndryshme, masi qeveria merr persiper gjithë çka duhet për vajtjen e tyre në Turqi.
Në pyetjen e disa katundarevet, midis të cileve i quajturi Rexhep Deli Muslli, se ata deshirojnë me shkue në Shqiperi, dy prej nëpunsavet në fjalë u janë përgjegj se ” në Shqiperi keni me vdek per buke” dhe se:” pasaporta per Shqiperi nuk po ju leshojme.” Te nesermen, komisioni në fjalë eshte kthyer në Shkup, por N/prefekti i Gjillanit qysh prej dates 24 deri me 27 të ketij muaji, ka shetitur katundet e qarkut te quajtur Desivoica, Leaçiç e Belogla dhe ka perseritur deklaratat e komisionit, duke bere propagande në ketë sens qe katundaret, sa me pare të emigrojnë per Turqi.
Informaten e masiperme e kemi marr nga disa shqiptar te katundit Derna Clava, te cilet kane degjuar deklaratat e komisionit dhe tue marre parasysh rendesine e saj, rezultati i se ciles eshte se kjo i pershtatet plotesisht se vertetes. Siç shifet nga kopjet e letrave qe paraqisim, ngjitazi, te marruna nga besniket t’one ne Gjillan si dhe nga perkthimi i nje letre te shkruar ne gjuhen e vjeter turqishte, derguar dashamiresit t’one te ditur z.Hoxhe Sait Idriz nga nje iman t’atyne katundeve.
Vetem besniku i jone ne Gjillan z.Aqif Ismail pretendon se Koloneli s’ka qene me ta, por gjithe informatoret e tjere insistojne se ka qene dhe nje Kolonel ( Pukovnik ) i Shkupit i cili s ‘mund te jete tjeter se Milan Branavaçki i Reformes Agrare.
Gjithashtu Post -komantanti i Gjandarmeris te katundit Desivoica te Gjillanit i quajtur Dragutin Ustoliç qysh prej disa muaj por sidomos ne kohen e fundit eshte tue bere nje propogande te forte per te shtrenguar kosovaret e atij qarku me emigrue ne Turqi.
Ky njeri eshte me origjin nga Kosova dhe flet mire gjuhen shqipe dhe gjendet n’ate post qysh prej 12 vjeteve . Natyrisht masi qendron atje nje kohe te gjate njeh mire vendin dhe me cilesite e tjera te tij, eshte personi ma i pershtatshem per kete propagande.
Midis argumentave qe perdor i nalt permensuni eshte dhe ky :” Toka jote -i thote njerit sot – ka njr fare vlefte bie fjala 2000 dinare ne qofte se nuk e shet tash kjo toke neser nuk do te ket ma teper se 200 dinare. Juve sido qe te jete keni me ik prej kendej per me ia leshu vendin malazezevet prandaj nje or e ma pare behuni gati dhe shkoni ne Turqi duke profituar nga lehtesinat qe qeveria jugosllave eshte tue u bere perkatesisht me udhetimin t’uaj deri atje”.
Ne ditet e fundit post komandanti ne fjale eshte tue shetit edhe neper katundet Terstene, Desivoica,Laiçiç, Beloglava,Sedllan dhe Vruçeç te Gjillanit me kete duke bere po kete propagande. Na kane siguruar shume kosovare qe atyne qe i kundershtojne fjalevet te tij u pergjigjet me brutalitet dhe me shamje.
Propaganda e emigrimit per Turqi e bame ne kete menyre prej nepunesvat jugosllave ne nje krahine me nje popullsi thjesht shqiptare ku mikrobi i emigracionit eshte dèja i perhapur ne menyre remarquable siç kemi parashtrue me shkresat t’ona te ndryshme si dhe me argumentat qe perdorim rreth lehtesimit te shpernguljes se tyre dhe t’udhetimit deri ne Turqi, kuptohet lehtazi prej Shkelqesis s’Uaj se çfare konsekuenca katastrofale do te kete per çeshtjen e shenjte kombetare qe jemi tue ndjekur, ne qoftese nuk reaksionojme me kohe per te nautralizuar efektet çkaterruese te saj.
Kemi vrejtur me deshperim te madh se ne ditet e fundit grupe te dendura kosovare nga krahina e Gjillanit te hutuar nga kjo propagande dhe tue mos dite se si te bejne, jane tue ardh ne kete Kryekonsullate Mbreterore per te kerkuar keshilla se qysh te veprojne perpara kesaj gjendje qe eshte krijuar.
Nga ana jone mundohemi me gjithe fuqinat modeste t’ona, t’ u çdukim pershtypjen e keqe te kesaj propagande, i ankurazhojme duke i kallzuar interesimin e gjalle te Shqiperise se lire per ta, dhe ne konformit me progrsmin e ndjekur perkatesisht me kete çeshtje, u japim keshillat e duhura. Duke ju parashtruar sa me siper ia lë ne pelqimin e Shkelqesise s’Uaj çdo demarsh qe kini me pa t’arsyeshme ku duhet per me i pre hovin kesaj propagande çkaterruese.
Pranoni ju lutem, Zoti Minister, sigurimet e konsideratavet te mia ma te larta.
Gjerenti
Sofo Çomora (d.v)
Vertetohet se eshte nje me origjinalin
Shkup, me 29 korrik 1935
Dokument i Arkivit te Ministrise se Puneve te Jashtme, Viti 1935, Dosja 185, faqe 140-142
Nr II\ XXII (Rezervat)
Shkurtimi: Mbi sasine e kosovareve t’emigruar ne Turqi.
Zoti Minister
Ne pergjigje te shkreses rezervate t’Asaj P.T.Ministrie Mbretnore Nr.B.III.14/50 date 20 qershuer k.v kam nderin t’i bej te ditur se, masi ketu kerkush nuk ka dijeni te plote mbi sasine e kosovareve qe kane emigruar ne Turqi, u mejtuam se, e vetmja menyre per te marre vesh sasine e sakte te tyre ka qene Kryekonsullata greke e ketushme, ne regjistrat e se ciles figurojne emnat e te gjithe emigranteve kosovare meqe keta kane kalue transit ndermjet Selanikut per ne Turqi.
Per kete qellim i’u drejtuam titullarit te Kryekonsullates greke, me te cilin me shume sakrifica kemi mundur te sigurojme relata miqesore dhe Z. E tij ne menyre teper konfidenciale dhe pa dijenin e personelit te tij, masi çeshtja paraqiste pergjegjesi te rende per të, na vuri ne dispozicion gjithe regjistrat e Zyres Konsullore.
Keshu, zoti Sofo Çomora, Sekretar i kesaj Perfaqesie Mbretnore duke shkuar dhjete dite me radhe ne Kryekonsullaten e Greqise, ne kohe nate dhe kur personeli i saj s’ka qene atje, ka kontrolluar imtesisht 21 cope regjistra te vizave konsullore te akordueme qysh prej vitit 1921 deri me sot, dhe ka mundur me shume mundime te njxerr numrin ekzakt te pasaportave qe kane marre vize gjate atyre 15 vjeteve.
Nga kontrollimi ne fjale qe bani z.Sekretari rezulton se qysh prej vitit 1921 gjer me sot jane vizuar 30.000 pasaporta transit per ne Selanik te cilat tue llogarit per çdo pasaporte aproksimativisht nga 3 persona, perfaqesojne nje numer nga afro 100.000 veta.
Duke marr parasysh se nje pjese e madhe te ketyne pasaportave kane qene nga viset ku flitet gjuha turiqshte si; Palanke, Istip, Koçan, Doiran, Qyprili dhe shume boshnjake si dhe nje pjese tjeter jane kthyer prap ne Jugosllavi, rrjedh se nga elementi thjesht shqiptar i Kosoves, kane emigruar ne Turqi gjate 15 vjeteve afro 30 mije fryme. Kurenti me i madh i emigrimit eshte çfaqur mbrenda vjeteve 1925 dhe 1928.
Ne baze po te ketij kontrollimit eshte vrejtur se emigrimi i Gjillanasvet eshte realizuar mbrenda dy vjeteve te fundit dhe se deri ne muajin Maj 1925 jane vizuar 700 pasaporta te Gjillanasvet te cilat simbas llogaris s’one dhe nga informata te tjera qe kemi siguruar perfaqesojne 2.000 fryme.
Me kete rast e shof per detyre te theksoj sherbimin e madh qe na ka bere kryekonsulli grek ketu, me vuemjen ne dispozicion te regjistrave te vizave konsullore nfa ana tjeter çfaq kenaqesin t’eme ma te madhe per z.Sekretarin e kesaj Kryekonsullate i cili, pa u shmangur asnje mundimi ne kohe nate, ka mundur te mbaroj kete veprim te rendesishem duke kontrolluar 21 cope regjistra brenda nje kohe proporcionalisht te shkurter.
Pranoni Ju lutem,Z.Minister, sigurimet e konsideratavet te mia me te larta
Kryekonsulli
Durrësi kujton!
Leonora Laçi- studiuese/
Në Odeonin “Nikolin Xhoja” të Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, Durrës me datë 18 nëntor u promovua libri i znj.Fatbardha Saraçi (Mulleti) “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” i botuar nga Insituti i Studimit të Pasojave dhe Krimeve të Komunizmit që në vitin 2013, por do ishte Durrësi që ti bëj këtë promovim të munguar nga ISKK.
Ky promovim u organizua nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të qytetit bregdetar dhe Klubi i Artit dhe Kulturës Sigal Uniqa Group. Pati të pranishëm studiues, poet, politikan, artistë e profesor e të tjerë njerëz të artit dhe kulturës durrsake por dhe më gjërë, ku shumë nga ata kanë provuar persekucionin komunist në forma të ndryshme. Promovimi zgjati rreth dy orë të cilat na u dukën shumë pak, në një sallë të mbushur plot, ku secili kërkonte të thoshte fjalën e tij, ku pati vlerësime dhe kritika për autoren e disa librave, studiuesen, shkrimtaren Fatbardha Saraçi (Mulleti), e cila me buzëqeshje dhe me thjeshtësi i përcjellte ato.
Referuan disa studiues e shkrimtar ndër ta përmendim: piktoren Keidi Sejdiu, z.Bashkim Kopliku, z.Vladimir Muça, Prof. Alisa Velaj (Universiteti “Aleksander Moisiu” i Durrësit), z.Hysen Haxhia, z.Tanush Mulleti, z.Vaso Papaj etj. Pati dhe prani të mediave siç ishte News 24.
Ndër referatet që u mbajtën po citojmë disa nga frazat të cilat ju dorëzuan të shkruara autores, duke kërkuar ndjesë për mos përmendjen e të gjithëve pavarësisht dëshirës sime, referimet përmbledhnin vlerat por dhe të “metat” e veprës, pasi ka nga ata që nuk u vjen për shtat ose u rri ngusht e vërteta sepse mundohen të kapen me vogëlsira dhe jo me mesazhet e forta që përcillte vepra, dhe Fatbardha përmes rreshtave të saj.
- Bashkim Kopliku në fjalën e tij, vlerësoj autoren dhe veprën duke shprehur se –“ kjo vepër është një kontribut i madh i historiografisë shqiptare, dhe në letërsinë shqiptare”. Duke vazhduar me tej me analizën që i ka bërë veprës ndarë në disa çështje që sipas tij, janë ndër më të rëndësishmet për tu diskutuar. Pë ndalem në dy prej tyre për të cilat dhe autorja dha përgjigje në fund, çështja e pestë dhe çështja e gjashtë.
Në çështjen e pestë z.Bashkim Kopliku kërkon “llogari” se pse nuk është dhënë identiteti i këtyre personave të ulët deri në kriminelë, pasi autorja ka vendosur vetëm iniciale. Autorja Fatbardha i përgjigjet auditorit dhe referuesit me këto fjalë -“Unë kam bërë libra për ndergjegjësimin e shoqërisë dhe jo ta vazhdoj luftën e klasave tek pasardhësit e atyre që kanë bërë krime”. Duke lënë të kuptohet që urrejtja sjell urrejtje, dhe si znj. Fatbardha duhet të dimë të falim por jo të harrojmë, sepse harresa është vrastare.Ndërsa çështjes së gjashtë dhe të fundit të z.Kopliku, ku një ndër propozimet e tij ishte kritika për sa i takon korrektimit profesional drejtshkrimor, ku shprehet tekstualisht se: “ka shumë gabime drejtshkrimore: ku autorja ka përzier gegërishten, shkodranishten dhe gjuhën standard ekzistuese, dhe se fatkeqësisht korrektuesi gjuhësor i librave le shumë për të dëshiruar në punën e tij”. Znj.Saraçi me qetësin që e karakterizon u përgjigj se: “ndonëse vepra nuk është përfekte sa i takon anës drejtshkrimore apo përzierja e dialekteve vjen për shkak se para se të bëhej ky botim, më parë janë bërë libra të veçantë ndarë në vëllime ku i pari daton në vitin 1996 e duke vijuar në vitet 2000 me dy të tjerë, pra ky botim është botuar nga Insituti i Studimit të Pasojave dhe Krimeve të Komunizmit ku janë tre vëllime në një të vetëm, duke mos prekur origjinalitetin e veprave. Si dhe shprehet se pavarësisht përzierjes së gegnishtes me standarden apo gabimeve drejtshkrimore, ngjarjet janë po ato, dhe këto gabime nuk ndikojnë në përcjelljen e mesazheve të librit”.
Ndërsa referuesja Prof. Alisa Velaj, u përqendrua tek stili i vepres dhe vlerat letrare të saj, ku ajo e quajti përdorimin e gegnishtes një vlerë të shtuar. Ndërsa disa poetë u shprehen me gjuhën e poezisë. Pati dhe të tjerë që sollen episode nga ngjarje të dhimbshme, ku ishte e pashmangshme të mos i përfytyroje ato episode apo skena makabre që komunizmi bëri mbi popullin e vet, ato krime çnjerëzore që duken të pabesueshme por ja që ishin më reale se realja. Z.Vaso Papaj në referimin e tij i mëshon rëndësisë së kësaj vepre dhe mësimeve të saj, ku shprehet më tej se :”E di që ju kanë ngacmuar gjatë leximit dhjetra e dhjetra emra të rinjsh e të rejash të studiuar në perëndim, që në atdhe përfunduan ose nën plumba ose baltra të Myzeqesë e tuneleve të Spaçit apo Bulqizës. Po sa i vlefshëm do të ishte ky libër po të futej nga Ministria e Arsimit në programet e historisë nëpër shkolla qoftë edhe për disa orë”.
Më tej piktorja Keidi Sejdiu u ndal tek femra shqiptare, dhimbja dhe forca e saj, citoj: “ se këto gra dhe forca e tyre janë motivi dhe modeli më i mirë i shoqërisë sonë”. Ndërsa z. Vladimir Muça e konsideron këtë libër një muzeal monumental historik për lëvizjen dhe prosperitetin e gruas shqiptare.
Një djalosh i vogël ndryshoi atmosferë duke luajtur në vjolinë shoqëruar nga mësuesja e tij në piano, që e pasuruan këtë event promovues. Por si qershia mbi tortë për veprën e autores, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës nën kryesimin e Nikolla Spatharit i jep asaj çmimin “Osman Kazazi” me motivacion:“Për kontributin e dhënë në fushën e kujtesës historike dhe si e persekutuar e regjimit diktatorial”. Ky ishte vlerësimi i parë për librat për znj.Saraçi e cila ka mbi 20 vite që shkruan.
Në fjalën e saj, ajo falënderoi të pranishmit që e bënë këtë pasdite të paharrueshme dhe falënderoi organizatorët që e vlerësuan misionin e saj humanist në dobi të kujtesës historike kolektive. E më tej shpreh qëllimin e saj në këtë ditarë kujtese, se këto libra nuk janë vetëm libra, që u hapin horizonte të reja atyre që duan të dinë, në të njëjtën kohë mesazhe për humanizëm, për përsosjen shpirtërore e morale të njeriut, për luftën e tij drejt përparimit përmes udhës së mundimeve, për mbrojtjen e tij nga kanosjet çnjerëzore, për ruajtjen e vlerave që kanë krijuar epokat e historisë sado të errëta të kenë qenë”. Më tej thekson se: “përmes dhimbjes arrihet njohja. Procesi i njohjes të historisë së vërtetë është një proces i domosdoshëm. Nëse nuk i tregon popullit tënd historinë e vërtetë, njerëzit do të fillojnë të shpikin, të trillojnë e të tregojnë histri të pavërteta. Kjo nuk është gjë e mirë.
Autorja ka bërë punën e institucioneve për kujtesen historike, ka bërë punën e historianëve që merren me kujtesen kolektive, të akademive shkencore, punën e instituteve, ajo me punën e përkushtimin e saj na ka lënë të zezën mbi të bardhë. Ka bërë misionin e shenjt për të njohur të vërtetën.
Emigracioni politik Shqiptar
*“I vetmi gabim i tyre ( i nacionalistëve intelektualë shqiptarë të përgatitur në perëndim IB.)ishte rreshtimi në krahun e gabuar të Luftës së Madhe dhe bindja e tyre se situata në Shqipëri do të ishte në favorin e tyre në pak kohë. Por të Mëdhënjëve nuk u interesoi Shqipëria e vogël, e neglizhuan atë
*…Forca intelektuale nacionaliste mbetën pa përkrahje. E vetmja rrugë që u mbeti ishte largimi, sipas tyre i përkohshëm, nga atdheu. Të tjerët “veshën opingat”e iu qepën maleve/
Shkruan: Ismet Balaj*/
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- Next Page »