KUJTESE -Në 2015-tën, përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvend dhe në qeverinë e Kosovës bojkotonin rreth tre muaj/
PRISHTINË, 12 Prill 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj zhvilloi pasditen e djeshme mbledhjen e 40-të, të tretën pas largimit të deklaruar të Listës Serbe, të përfaqësuar nga tre ministra, një prej tyre edhe zëvendëskryeministër.Kryeministri Haradinaj duke iu përgjigjur interesimit të medias tha se, dorëheqjen e Listës Serbe të prezantuar formalisht në një takim të qeverisë nuk e ka pranuar.“Kam kërkuar një dialog, të cilin ata e kanë pranuar. Jemi në dialog e sipër, mirëpo ende s’ka dhënë rezultat konkret”, deklaroi ai pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës. “Mospranimi i dorëheqjes ka pasuar vazhdimin e një komunikimi me ta dhe mundësinë që kohë pas kohe të jenë në detyrë, mirëpo formalisht nuk janë kthyer në qeveri ende”, vijoi kryeministri Haradinaj.Lista Serbe me grup parlamentar prej 10 deputetësh në Kuvendin 120 anëtarësh nga fundi i marsit ka deklaruar largimin nga koalicioni qeverisës që kishte 62 deputetë, ndërsa tre ministrat e saj thonë se janë “në dorëheqje” dhe nuk marrin pjesë në mbledhje të qeverisë së Kosovës.Nw 29 mars 2018 në mbledhjen e qeverisë së Kosovës u pa largimi nga ajo i Listës Serbe, i deklaruar pas arrestimit të hënën e 26 marsit në veri të Mitrovicës të zyrtarit të qeverisë së Sebisë, Marko Gjuriç, që kishte kaluar kufirin jashtëligjshëm dhe pa respektuar marrëveshjet e dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel. Nga tre ministrat serb në qeverinë e Kosovës, në mbledhje kishte ardhur vetëm minisitri për Kthim dhe Komunitete , edhe zëvendëskryeministër, Dalibor Jevtiç, të cilit kryeministri Ramush Haradinaj ia dha fjalën e kërkuar para se të fillohet me axhendën e paraparë 19 pikëshe, e cila u votua e plotësuar edhe për një para të parës.Përfaqësuesi i Listës Serbe, Jevtiç u largua nga mbledhja e qeverisë së Kosovës pasi mbajti fjalën e tij dhe lidhur me të dëgjoi deklarimet e kryeministrit Haradinaj e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj.
Më pas mbledhja e qeverisë së Kosovës vazhdoi pa asnjërin nga tre ministrat e Listës Serbe.Zëvendëskryeministri e ministri Dalibor Jevtiç duke iu drejtuar me fjalën e tij qeverisë së Kosovës lidhur me ngjarjet e zhvilluara në Mitrovicë, ku u arrestua shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, u shpreh se, “rasti nuk i ka kontribuar paqes dhe gatishmërisë për bashkëpunim”.
“Qëndrimi i Listës Serbe për të vazhduar qëndrimin dhe bashkëpunimin në institucionet e Kosovës është që të hetohet rasti i ndërhyrjes së policisë në Mitrovicë, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe bashkëpunimi i sinqertë më të gjitha institucionet”, tha Jevtiç.Kryeministri Ramush Haradinaj vlerësoi se çështjet e ngritura nga zëvendëskryeministri Jevtiç do të diskutohen në qeveri dhe institucionet tjera dhe kërkoi largpamësi në të mirë të paqes dhe bashkëpunimit në Kosovë. Kryeministri apeloi për angazhim të tejkalimit të situatës së krijuar dhe shprehu qëndrimin se intervenimi policor nuk ka qenë i drejtuar kundër asnjë komuniteti. “Kosova mbetet e vendosur dhe e përkushtuar për vazhdimin e dialogut”, tha kryeministri Haradinaj.Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj gjithashtu apeloi që të mos keqpërdoret rasti, i cili nuk ishte i drejtuar në asnjë rrethanë kundër ndonjë komuniteti.
“Kosova ka një rend kushtetues dhe juridik, i cili duhet të respektohet nga të gjithë”, tha ai.
Edhe në Bruksel, vijoi Hoxhaj, në procesin e dialogut është arritur marrëveshje për kushtet dhe mënyrën e realizimit të vizitave reciproke të zyrtarëve qeveritar nga të dyja vendet.
“Dua të theksoj se edhe ngjarjet e djeshme në Mitrovicën veriore janë të papranueshme”, tha zëvendëskryeministri Hoxhaj.
Vite më parë, në 2015-tën, përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvend dhe në qeverinë e Kosovës bojkotonin rreth tre muaj, prej 3 shkurtit, kur kryeministri Kosovar atëherë Isa Mustafa shkarkoi ministrin serb për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jablanoviç, pasi deklarata e tij ku protestueset në Gjakovë, familjare të personave të zhdukur gjatë luftës, i kishte quajtur “egërsira” shkaktoi shumë reagime dhe protesta, madje edhe të dhunëshme.
“Lista Serbe edhe në pushtet, edhe në opozitë!”, është një kryetitull balline në shtypin e sotëm të Kosovës.
Gazeta Zëri shkruan se, ministrat nga Lista Serbe në Qeverinë e Kosovës po vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre, ndërkohë që deputetët e këtij subjekti politik kanë kaluar në ulëset e opozitës. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk i ka pranuar dorëheqjet e ministrave serbë dhe se pret kthimin e plotë të Listës Serbe në pushtet.
Ani pse Lista Serbe ka deklaruar se është larguar nga koalicioni qeverisës dhe që nga ajo kohë deputetët serbë janë radhitur në ulëset e opozitës në Kuvend, ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës janë duke e kryer detyrën e tyre, megjithëse nuk po marrin pjesë në mbledhjet e ekzekutivit.
Kështu zëvendëskryeministri dhe ministri për Kthim e Komunitete Dalibor Jevtiq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq, dhe Nenad Rikalo ministër i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, po vazhdojnë të kryejnë detyrën në këto dikastere qeveritare, shkruan më tutje gazeta.Kjo është konfirmuar dje nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se ministrit serbë vazhdojnë të qëndrojnë në krye të detyrës pasi ai nuk e ka pranuar dorëheqjen e tyre.Kurse njohësit e çështjeve politike këtë veprim të Listës Serbe e shohin si një lëvizje strategjike në këmbim të plotësimit të kushteve.Ata thonë se Lista Serbe në këtë mënyrë po i shfrytëzon pozitat udhëheqëse në Qeveri, ndërkohë që në Kuvend koalicioni qeverisës s’mund të llogarisë në votat e tyre.