-Ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Robertson i dorëzohet “Medalja e artë e lirisë”, dekoratë nga Presidenti historik Rugova/
-Presidentja Atifete Jahjaga priti lordin George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Janar 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti në takim lordin George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, të cilit i dorëzoi “Medaljen e artë të lirisë” për kontributin e lartë për lirinë e Kosovës, që i është ndarë nga Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në vitin 2004.
Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për ndihmën që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës në periudhën më të rëndë dhe në fazën e shtetndërtimit të saj. Presidentja Jahjaga tha se intervenimi i NATO-s, pjesë e cilës ishte edhe Britania e Madhe, ishte vendimtar për të ndaluar gjenocidin në Kosovë dhe për ta shpëtuar popullin e Kosovës.
Presidentja Jahjaga çmoi kontributin e Lordit Robertson në çlirimin e Kosovës dhe në mbrojtjen e vlerave demokratike të botës të përparuar. Ajo tha se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për kontributin e mijëra djemve dhe vajzave që shërbyen në Kosovë në kuadër të forcës paqeruajtëse të KFOR-it dhe misioneve ndërkombëtare, duke garantuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në të gjithë rajonin.
Lordi Robertson shprehu falënderimin e tij për dekoratën dhe nderimin që i është bërë dhe e cilësoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si një veprim të drejtë, i cili përcaktoi edhe jetën e tij. Ai shtoi se është krenar me të arriturat e Kosovës, duke u shprehur se e ardhmja e Kosovës është në duart e vet qytetarëve të saj.
Në Ditën e Lirisë, 12 qershor 2004 – në 5 vjetorin e hyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë në 12 qershorin e vitit 1999, Presidenti në atë kohë Ibrahim Rugova në akademinë solemne njoftonte se me rastin e atij përvjetori kishte vendosur të dekorojë me “Medaljen e Artë të Lirisë” burra shtetesh dhe personalitete të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e lirë të Kosovës.
Në tekstin e Dekretit Presidencial thuhej:
“Në pesëvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s/KFOR-it në Kosovë, 12 qershorit, Ditës së Lirisë së Kosovës, në bazë të fuqive kushtetuese të Presidentit të Kosovës me Dekret të veçantë kam vendosur të dekoroj me ‘Medaljen e Artë të Lirisë’ shefa të shteteve, të qeverive, senatorë, kongresmenë, deputetë, ushtarakë, ministra, personalitete të Amerikës e të Evropës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës, dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës”.
Lordi Robertson vlerëson dhe përkrah progresin në Kosovë
-Kryeministri Mustafa falënderoi ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lordin Xhorxh Robertson për mbështetjen e dhënë për Kosovën/
PRISHTINË, 19 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim, në Prishtinë, ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lordin Xhorxh Robertson.
Njoftimi i dërguar thekson se, kryeministri Mustafa gjatë takimit, shprehu mirënjohjen e popullit dhe të qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe dhe kontributin që Lordi Robertson ka dhënë për Kosovën në periudhën e luftës dhe në proceset e mëtejshme në Kosovë.
Kryeministri Mustafa theksoi se ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës janë ngjarje të jashtëzakonshme historike, të cilat u finalizuan falë vendosmërisë së burrështetasve të mëdhenj në SHBA dhe Britani të Madhe dhe drejtuesve të NATO-s, ku rol të posaçëm pati edhe sekretari i përgjithshëm i saj, Lordi Xhorxh Robertson.
“Republika e Kosovës është sot shtet demokratik, sovran dhe i pavarur falë përkrahjes që populli jonë dhe lufta e tij çlirimtare mori nga shtetet demokratike nga vendet lidere të botës demokratike, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet tjera evropiane pjesë e Aleancës Veriatlantike, e cila udhëhiqej nga Lordi Xhorxh Robertson”, theksoi kryeministri.
Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar Lordin Robertson për progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, për integrime evropiane si dhe për forcimin e gjithanshëm të shtetit.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për fuqizimin e partneritetit me SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera të BE-së, si dhe për vendosmërinë e Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s.
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi Xhorxh Robertson, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke çmuar përkushtimin e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për zhvillimin e vendit dhe për stabilitetin rajonal.
Lordi Robertson theksoi rëndësinë që ka për Kosovën zhvillimi i përgjithshëm i demokracisë, duke veçuar nevojën për stabilitet dhe debat politik përmes mjeteve demokratike.
Lordi Xhorxh Robertson, po ashtu, shprehu përkrahje të mëtejshme për progresin në Kosovë./b.j/