Nga Pierre-Pandeli Simsia/
Zakonisht, punëtorët trokasin në zyrën time kur kanë ndonjë problem personal dhe këtë e bëjnë para orarit të fillimit të punës.
Ndryshe ndodhi me Erin punëtorin e turnit të mbasdites që e fillon punën në orën 4.00.
Eri u shfaq përpara derës së zyrës sime në orën 10.12 minuta të paradites. Dhe kjo ndodhi dy ditë pas ditëve të pushimit të tij javor, por edhe një ditë para, Eri kishte njoftuar se nuk do vinte në punë për arsye shëndetësore. Pra, Eri, po paraqitej në punë pas tri ditësh.
Trokiti në derë. Edhe pse unë derën e zyrës simë e mbaj gjithmonë të hapur dhe, pa pritur që unë ti përgjigjesha, hyri brenda, mbylli derën si për të mos na dëgjuar njeri për çfarë do bisedonim.
U ul në karriken përballë meje që na ndan tavolina e punës.
Eri, i ardhur nga Evropa lindore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës para 20 vitesh, nga natyra, është njeri i qeshur, burrë tërheqës, inteligjent, njeri që gëzon repsektin e të gjithëve. Pamja e tij e jashtëme e tregon burrë inteligjent fisnik, veti këto që i ka edhe në jetën e tij të përditshme, veçanërisht në komunikim.
Atë ditë, Eri ishte shumë i vrarë në fytyrë. Nuk po fliste, vetëm mbante sytë ulur përdhe. Nuk e di, ndoshta ashtu po më bënin sytë, por, pas tri ditë mungese pash një rënie, zbehie shëndeti në fytyrën e tij.
– Er, fol, po të dëgjoj – i thash.
Ai ngriti pak kokën si me përtesë, më pa në sy dhe, pa folur asnjë fjalë, sytë iu lëngështuan dhe lotët filluan ti rridhnin menjëherë.
Edhe pse nuk po kuptoja asgjë çfarë kishte ndodhur dhe arsyen pse Eri më kishte ardhur në zyrë, m’u dhimbs shumë kur e pash me sy të përlotur.
– Zoti Majk, -filloi pas pak Eri të flasë me zërin që i dridhej; lotët vazhdonin ti rridhnin papushim. – Ne të dy jemi moshatarë mbi të 50-tat, madje unë jam dy vjet më i madh se ty në moshë, por, ti je punëdhënësi im dhe unë jam punëtori yt. Tani nuk dua që të bisedojmë në këtë pozicion punëdhënës punëtor. Kam ardhur të bisedoj si shok, si prindër që jemi të dy,si njerëz…
Eri e ndërpreu bisedën; filloi të qajë me ngashërim.
Duke parë atë gjendje të trishtueshme, madje edhe të dhimbshme në fytyrën e Erit, edhe pa e ditur se çfarë i kishte ndodhur, edhe unë kisha hyrë në gjendjen e tij shpirtërore të trishtueshme dhe të dhimbshme.
Më doli një psherëtime e thellë. Pa kuptuar, lëviza kokën majtas djathtas. Eri, me sytë ulur përdhe, vazhdonte të qante.
Përballë kisha një burrë mbi të 50-tat që qante me ngashërim.
Loti i burrit! Sa i dhimshëm qenka kur e sheh të rrjedhë si burim i pashtershëm në sytë e një burri që i ka kaluar pothuajse gjysmën e moshës së jetës së tij.
Nuk e kisha menduar kurrë, madje, as që më shkonte ndër mend, ta shikoja ndonjëherë Erin inteligjent të vajtonte në atë mënyrë. Po më dhimbsej shumë, shumë. Prisja të mësoja arsyen pse Eri më kishte ardhur në zyrë dhe, në vend që të bisedonte me mua, ai vetëm qante dhe ngashërehej.
– Er, të lutem, – i thashë dhe u çova nga karigia ku rrija ulur. Iu afrova pranë, i preka supet me dorën time. – Jemi të dy burra të pjekur në moshë. Vet’ më the pak më parë, le të bisedojmë si shokë, si prindër, si njerëz…
Ai, fshiu lotët, ngriti kokën dhe përsëri me zërin që i dridhej vazhdoi të flasë: – Zoti Majk. Unë ditën e hënë nuk erdha në punë, madje kjo koincidoi një ditë para dy ditëve të pushimit tim javor. Mos mendo se e bëra me qellim që të rrija tri ditë në shtëpi, por… – Lotët përsëri nuk e linin të vazhdonte.
Nuk i ndërhyra në bisedë, e prita derisa u qetësua pak: – Ditën e dielë në mbrëmje, zoti Majk, – filloi Eri të flasë, – pak minuta para se unë të lija punën, madje më saktë, ishte ora 11.45 e mbrëmjes më vjen një mesazh në telefon nga bashkëshortja: “Er, kur të dalësh nga puna, mos hajde me tren në shtëpi, merr taksi dhe hajde në X spital. Djali i madh nuk u ndje mirë…”
O Zot! Çfarë po lexoja unë në ato çaste. Djali ynë i madh nuk ndjehet mirë me shëndet dhe është në spital? Ndjeva një goditje therrëse në kokë. Sytë m’u errësuan. Goja m’u tha. Me të shpejtë, shkova në dhomë dhe u ndërova.
Dola jashtë punës dhe me të shpejtë i telefonoj bashkëshortes: – Çuni, çfarë ka çuni? – e pyeta.
– Qetësohu! m’u përgjigja ajo. – Kishte marrje mendsh dhe e kemi sjellë këtu në spital. Thirrëm menjëherë urgjencën e spitalit, e cila na u përgjigj menjëherë; pas dy minutave erdhi makina e urgjencës.
– Oh, Zot! – thash dhe nuk po dija ç’të flisja.
Ndalova taksinë e parë që më kaloi pranë. Të lutem shumë, – i thash shoferit. – Sa më shpejt të jetë e mundur, më ço në X spital.
Ndërsa taksia ecte, i telefonoj bashkëshortes dhe, i përlotur, e pyes për shëndetin e çunit. Nuk po e kontrolloja veten se çfarë po i thoshja, vetëm mbaj mend fjalët: çuni, çuni, çfarë ka çuni…
– Hajde në spital, m’u përgjigj bashkëshortja; jam këtu me çunin tjetër.
Nuk donte të më shqetësonin duke ditur se unë këto kohët e fundit kam ngritje të lartë tensioni dhe jam nën ekzaminim…
– Babi! – Dëgjova zërin e djalit tjetër. – Të lutem, mos u shqetëso, hajde këtu në spital në dhomën e emergjencës; çdo gjë po shkon mirë. Mos u shqetëso.
Fjalët e bashkëshortes dhe të djalit tjetër, në vend që të më qetësonin, ma shtuan edhe më shumë ngashërimin.
I përhumbur, me dhimbjen e një prindi për fëmijën e tij, menjëherë po mendoja bashkëshorten time dhe djalin tjetër në shtëpi, në çastin kur djali i madh u sëmur, kur ka shkuar makina e urgjencës në shtëpi për ta marrë, etj. etj. Çfarë u kanë parë sytë atyre, asaj mamaje, atij vëllai! Çfarë force do t’u ketë dhënë Zoti një nëne të shikojë djalin e saj!!! Ç’farë force do t’i ketë dhënë Zoti vëllait për vëllain e tij që janë shumë të lidhur me njëri tjetrin kur e kanë parë në atë gjendje!!!
Shoferi i taksisë e bëri në kohë rekord rrugën deri në spital.
Ora ishte 12.15 minuta pasmesnate. Tek dera kryesore e emergjencës, nga brenda, matanë xhamit, dallova bashkëshorten dhe djalin. Nuk durova dot. Nuk po mundja dot të flisja vetëm qaja dhe qaja me ngashërim. Çuni, ku është çuni? – i pyesja. – Ç’farë i ka ndodhur çunit?
Do t’i kalojë; kishte marrje mendsh dhe e sollëm këtu – m’u përgjigjën. Në këtë bisedë e sipër nga dhoma e madhe dalin disa punonjës me uniformën e spitalit. Po shtynin një barrelë. Sipër saj, dalluam çunin tonë, të bukurin tonë, shpirtin tonë. Dukej se po flinte gjumë, por, nën pushtimin e tubave, aparaturave të ndryshme.
– O Zot! O shpirt! O djalë! Si je bërë kështu! Nuk të mendonim kurrë të shikonim në këtë gjendje, – bërtita unë dhe bashkëshortja ime. Ooohhhh!, Ooohhh!
Djali ynë më i vogli, i miri djalë, floriri djalë i mbarë dhe i dhimbsur, që rrinte pranë nesh, më kapi për krahu: – Babi! Të lutem, qetësohu! Të lutem, të lutem shumë. Unë ju kuptoj shumë mirë juve dhe gjendjen tuaj shpirtërore, por, të lutem, mendoni edhe për mua. Unë jam një dhe po ju mbaj juve. Po mbaj brenda shpirtit tim dhimbjen e ju të treve. Ju lutem, mendoni për mua. Kush do më mbajë mua, nëse edhe unë do veproj si ju? Më mendon mua se ç’kam hequr me mamin për ta qetësuar? Shkulte flokët nga dhimbja dhe nga ajo e papritur që na ra. Të lutem babi! Edhe unë po e ndjej shumë këtë dhimbje. Ju e dini se sa shumë të lidhur me njëri tjetrin jemi ne dy vëllezër.
Më vranë shumë ato fjalë të djalit të vogël. E kuptova se ishte burrëruar edhe pse është 20 vjeç.
Po kërkoja në çantën time të dorës për cigaret. Ato ditë po kaloja një ftohje të rëndë dhe kisha gati një javë që nuk pija cigare. E mbaja mend, që në çantë më kishte mbetur paketa me 5 cigare.
– Të pi cigare, të helmohem – flisja me vete, ndërsa kërkoja paketën me cigare në çantë.
Jashtë derës së emergjencës, ndërsa pija cigare dhe qaja me ngashërim, mendoja dhe çfarë nuk mendoja për të ardhmen e gjendjes shëndetësore të djalit, për më tepër që e kisha parë në atë gjendje kome mbi barrela, herpas’here dëgjoja fjalët e djalit tjetër: – Babi, të lutem, të lutem! Mendoni edhe për mua. Vëllai është mirë, do ti kalojë, por të lutem, mendoni edhe për mua. Deri tani po mbaja mamin në shtëpi që kur u sëmur vëllai dhe thirrëm emergjencën dhe tani para se të vije ti. Ti ndoshta nuk e imagjinon gjendjen e mamit në ato çaste dhe para se të vije ti. Të lutem babi! Ti vetë na thua shpesh: kemi fatin e mirë që jetojmë në Amerikë për çdo gjë…
E përqafova djalin, të mirin djalë, të rriturin djalë, floririn djalin tonë të mbarë.
Hymë përsëri në dhomën e emergjencës ku rrinte djali i madh shtrirë pa ndjenja mbi krevat i rrethuar me tubat llastiku dhe aparatet e ndryshme mjekësore.
Djali tjetër mundohej të na qetësonte, duke na spjeguar edhe bisedat që bënin mjekët midis tyre edhe rezultatin e analizave të ndryshme.
– I bënë skanerin dhe rezultati i doli shumë mirë. I bënë edhe atë… edhe atë… dhe rezultatet po dalin pozitive… – na spjegonte shpesh.
Edhe pse bashkëshortja dhe djali tjetër më kishin thënë se djali i madh ishte ankuar për marrje mendsh dhe ata, të shqetësuar kishin marrë ne telefon emergjencën dhe… kishte arritur në këtë gjendje kome, kur iu afrova pranë dhe e shikoja me dhimbjen e madhe të një prindi përpara trupit të fëmijës së vet pa ndjenja, dëgjova mjeken kardiologe që më tha: – Po të them të vërtetën, gjendja shëndetësore e djalit tuaj është shumë e rëndë. Djali juaj është në gjendje kritike shëndetësore për jetën. Ka pësuar atak në zemër.
Nuk doja t’u besoja atyre fjalëve të mjekes që sapo dëgjova. Goditja në kokë, pas atyre fjalëve vazhdoi të më binte përsëri. Çdo gjë përreth m’u errësua. Bota e tërë m’u shpërfytyrua.
Në ato çaste tragjike, tepër të dhimbshme për familjen tonë, unë, bashkëshortja dhe djali tjetër u bëmë një trup i vetëm duke e ndarë dhimbjen mes nesh.
Përsëri, pas atyre fjalëve të mjekes kardiologe, djali tjetër ndërhyri menjëherë për të na qetësuar. Këta mjekët kështu e kanë, e bëjnë mizën buall…
Në ato çaste të dhimbshme, m’u kujtua vajza jonë, studente në një shtet tjetër të Amerikës.
Pyeta bashkëshorten, nëse e keni njoftuar edhe atë. – Jo! – M’u përgjigjën ty dy menjëherë. Nuk do ta shqetësojmë motrën, se edhe mundësitë për të ardhur sonte nuk i ka; të shohim si do eci gjendja shëndetësore e vëllait, pastaj e njoftojmë. – m’u përgjigj djali.
Nuk e njofotva vajzën dhe nuk doja ta shqetësoj sonte, por edhe atë do ta njoftojmë.
Pas analizave që i bënë, kur mjekët konstatuan atak në zemër, vendosën që djalin ta çojnë në repartin e kardiologjisë.
Çfarë force të jep Zoti në ato çaste të dhimbshme. Të shoqërosh fëmijën, vëllain tënd në gjendje kome mbi barrelë nën shoqërimin e mjekëve.
– Zot, mendonim që të gjithë. Na i kthe prap djalin pranë gjirit tonë familjar.
Të shqetësuar në kulmin e dhimbjes prisnim orët në vazhdim.
Shërbimi mjeko-infermier- sanitar ishte i shkëlqyer. Aparaturat tregonin shenja pozitive; fjalët e mjekëve, infermierëve: çdo gjë po shkon në rregull, verry good, verry good, na jepnin forcë dhe shpresë.
Enigma tek mjekët mbetej vetëm pyetja: Kush ishin shkaku, arësyeja që e çuan këtë djalë të ri si azgan,të pësonte atak në zemër.
Sipas dëshmive të mamasë dhe vëllait të djalit, të vetmit njerëz që kishin ndodhur në shtëpi, ishte, se djali kishte bërë banjë me ujë të nxehtë dhe kishte shpenzuar shumë kohë nën kënaqësinë e ujit të ngrohtë dhe avullit të tij.
Kjo ishte pak a shumë edhe rezultati që po jepnin mjekët për shkakun e goditjes kardiake.
Pas disa orësh, djali filloi të jepte shenjat e para të lëvizjes së duarve, këmbëve, hapjen e syve…
Gëzimi i të gjithëve ishte i papërmbajtur; jo vetëm i mamasë dhe i vëllait, por edhe i vetë personelit mjeko sanitar.
Interesant ishte fakti se, atë ditë, në po të njëjtin spital, kishin ardhur edhe katër pacientë të tjerë me po të njëjtën diagnozë, atak në zemër, ose kardiak arrest.
Duke parë se aparaturat tregonin përmirësimin e gjendjes shëndetësore, mjekët vendosën ti heqin tubin kryesor nga goja dhe një tub tjetër…
Djali, si një engjëll i bukur, hapi sytë. Nuk po kuptonte se ku ndodhej se çfarë po bëhej me trupin shëndetin e tij. I habitur, i hutuar, shikonte krahët e tij të fashuar me tubat llastiku; na shikonte të gjithë neve me radhë. Puthjet, përkëdheljet, ledhatimet tona nuk kishin të mbaruar. Shpirti ynë i bukur. Zemra jonë. Gëzimi i shtëpisë sonë… Po të shohim prap bir! Po na sheh prap jeta jonë!
Nuk po mundnim të ndalnim dot të qarrat tona nga dhimbja dhe gëzimi…
Ndërsa Eri fliste, unë kisha hyrë në një botë tjetër dhe po e jetoja dhimbshëm atë çfarë kishin jetuar ata si familje.
Pa e kuptuar as unë vetë, lotët m’u shtuan të dalin nga sytë dhe, nuk e përmbajta dot veten. – Boll, Eri, të lutem. – Zëri më doli i mbytur. Po qaja me ngashërim edhe pse u mundova ta përmbaj veten.
Eri, kur më pa mua në atë gjendje, nuk u përmbajt dot. Edhe pse gjatë gjithë kohës fliste me lot në sy duke e ndërprerë disa herë bisedën, në ato çaste dëneste si fëmijë…
Doja ta qetësojapër të mos e lënë më të vazhdonte. As unë vetë nuk po mundja dot të dëgjoja. I ndërhyra: – Er, me sa po kuptoj, djali juaj tani nuk është më si në gjendjen e mëparshme, pra nuk është në gjendje kome.
– Për fatin tonë të mirë, Lavdi Zotit, faleminderit mjekësisë amerikane, djali u përmend nga gjendja shook që ishte, apo gjendje kome.
– Dhe, kur mendojnë mjekët, që ta nxjerrin nga spitali? – e pyeta.
– Aahh! Zoti Majk! Lavdi Zotit, faleminderit mjekësisë amerikane – përsëriti prap Eri, – djali është si në gjendjen e mëparshme pa u sëmurur, madje po kjërkon me insistim të dali nga spitali, të shkojë në shtëpi…
– Kur mendojnë mjekët për ta nxjerrë? – e pyeta.
– Duhet të rijë edhe disa ditë në spital. Do t’i bëjnë një ekzaminim që të mos i përsëritet i njëjti problem shëndetësor dhe pas atij ekzaminimi, ka mundësi t’i nënshtrohet operacionit… – Nuk mundi dot të vazhdonte, sepse e qarra me ngashërim dhe zëri i dridhur nuk e lejuan të vazhdonte.
– Er! Më dëgjo me vëmendje, të lutem. Ti ke të drejtë të shqetësohesh, të merakosesh se je prind, baba, por po ta them me shumë bindje, me ndihmën e Zotit, me besimin tek mjekësia e shkëlqyer amerikane, çdo gjë do shkoj shumë mirë. Së shpejti, djalin do ta keni pranë gjirit të familjes suaj. Ti beson në Zot, Er, jo me fjalë, por me vepra, me ndihmën tënde humane që të karakterizon dhe Zoti, sigurisht, që do ta shpërblejë.
Duke i thënë këto fjalë, po mendoja një bisedë që vetë Eri ma kishte thënë me gojën e tij.”Unë besoj në Zot Majk. Nuk jam besimtar i asnjë feje, jam besimtar vetëm i Zotit. Shkoj edhe në kultet e shenjta fetare kur kaloj rrugës, se të dielave nuk kam mundësi të shkoj, ndez edhe qirinj. Por, unë mendoj se,falja më e mirë në kultet fetare, ndezja e qirinjve, është ndihma e madhe që duhet ti japim njerëzve në nevojë, në heshtje, pa e ngritur zërin të na dëgjojnë të tjerët për ato që bëjmë; njerëzve, fëmijëve të braktisur, njerëzve, që vetë fati i ka dënuar në shëndetin e tyre. Unë kështu e gjykoj zoti Majk dhe kështu veproj, madje edhe familja ime të njëjtën gjë bëjnë, ndihmojmë në heshtje sipas librave të shenjtë: Atë gjë që e jep njëra dorë, nuk duhet ta shikojë dora tjetër.
Madje, Eri më kishte çuditur edhe me diçka tjetër kur më kishte thënë: “Ne, zoti Majk, shpenzojmë shumë dollarë në ditë për kafe, qerasje shokësh etj etj. Sikur një dollar në ditë të lëmë mënjanë, në fund të vitit do jenë 365 dollarë, dhe, me ato 365 dollarë, nëse shtojmë edhe pak të tjera nga xhepi ynë, blejmë lodra jo të shtrenjta, çokollata, karamele… që këtu ka me bollëk dhe ndihmojmë, përshembull fëmijët e braktisur të gëzojnë edhe ata ndërimin e viteve…”
Me këto mendime, mendova ta mbyll bisedën me Erin, duke i dhënë kurajo; nuk mund ta shihja në atë gjendje të tronditur, të përlotur, të vrarë shpirtërisht.
– Er, djalit tuaj i uroj shërim të shpejtë. Ju si familje, ju uroj gëzime dhe do ta keni shumë shpejt djalin tuaj pranë gjirit tuaj familjar.
E përqafova! Ai u çua nga karigia, hapi krahët, më përqafoi edhe ai.
Ndejtëm pak çaste të përqafuar duke dëgjuar ngashërimet e njëri tjetrit. Faqet tona po ndjenin lagështinë e lotëve tanë.
Eri doli nga dera e zyrës sime. U largua. Unë po rija në këmbë në mes të zyrës pa menduar se ç’mund të bëja.
Akoma vazhdoja të ndjeja dhimbjen e asaj çfarë kisha dëgjuar nga goja e një prindi. Dhe, në këto mendime e sipër, nën zë, u luta për shëndetin e djalit të tij dhe që operacioni të dalë dhe do ti dalë me sukses