Donald Lu: Nga reforma të kenë frikë edhe ministrat, Vlahutin: Po nuk u miratua reforma, për 3 vjet rrezikohet hapja e negociatave/
Janë zhvilluar dje diskutimet në kuadër të reformës në drejtësi, brenda grupit parlamentar të PD-së me prezencën e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin. Ambasadori Donald Lu ka deklaruar se nga reforma në drejtësi duhet të ndihen nervoz edhe ministrat, sepse Byroja e Hetimit nuk është vetëm për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. E ndërsa ambasadorja Romana Vlahutin, është shprehur se pa reformën në drejtësi, integrimi i vendit bllokohet për 3 vitet e ardhshme. “Po nuk u votua tani reforma në drejtësi, të paktën për 3 vjet rrezikon hapja e negociatave. Ne duhet ta miratojmë tani, pasi në tetor mblidhet këshilli i ministrave që vendos për hapjen e negociatave, vitin tjetër partitë anëtare futen në zgjedhje dhe do jetë e vështirë për të diskutuar për negociatat për Shqipërinë”- ka qenë kjo deklarata e ambasadores së BE.