• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË URIM QË NGJAN ME NJË POROSI…

December 26, 2022 by s p

Nga Dr. Luan Topçiu/

Është një koment, i shkruar në fb, ka nisur si një urim prej miku, natyrshëm por që është kthyer në qendrim të lartë qytetarie, në fund të fundit është një porosi, sa etike po aq dhe estetike, nga një autor i njohur, kritik arti, estet, përkthyes, kryeredaktori i një reviste që del në Rumani dhe shkon në të gjithë botën, autor i shumë librave në shqip dhe rumanisht e me shumë çmime.

E. Zh.

Dr. Luan Topçiu shkruan:

“Është një fakt i gëzuar që në ndarjen e Çmimeve Kombëtare për Letërsinë 2021, për kategorinë “Vëllimi më i mirë poetik i vitit”, e mori poeti ynë Visar Zhiti, me vëllimin “Dorëshkrimet fshehta të burgut”, për një vepër të shkruar në rrethana dramatike, që rrezaton humanizëm dhe vlera të larta artistike. Libri është botuar nga “Onufri”.

Është një akt emancipimi për jurinë, sepse autori është vetiu i emancipuar, sepse libri u shkrua në kushte të jashtëzakonshme dhe doli në dritë, doli nga ferri i burgjeve komuniste. Duke i njohur vlerat e poemave të Visar Zhitit, emancipojmë dhe shoqërinë e sotme. Konfirmimi i cilësisë së poetit është bërë brenda vendit dhe gjuhës shqipe, por dhe jashtë vendit dhe në gjuhë të tjera. Libri „Dorëshkrime të fshehta të burgut” i poetit dhe prozatorit Visar Zhitit është poezi, e shkruar nga një i ri në moshën 29-vjeçare, por dhe dorëshkrim e dokument në të njëjtën kohë, me vlera „sui generis”. Është për të gjithë ata që duan letërsinë dhe çmojnë bibliofilinë, vlerën e patjetërsueshme të dorëshkrimit të një shkrimtari dhe, jo në radhë të fundit, për të gjithë ata që duan të kenë në bibliotekat e tyre një copëzë historie autentike. Në këtë kuptim, do të ishte një anomali në se ky libër i rrallë nuk do të fitonte çmimin e merituar. Libri ka vlera të shumëfishta: estetike, simbolike, dokumentare, historike. Jam i nderuar që kam shkruar parathënien e këtij libri. Urime Visar Zhiti! Urime Shtëpia Botuese “Onufri”!

Filed Under: Kulture Tagged With: Luan Topciu

Ditët e kulturës shqiptare në Rumani

November 2, 2022 by s p

Zyra e Shtypit ALAR
Bukuresht/


Botimet albanalogjike për vitin 2022

Viti 2022 mund të konsiderohet si viti i vendosjes të disa gurë themeli të albanologjisë në gjuhën rumune. Në fushën e botimeve, pa dyshim, ky vit kalendarik mund të konsiderohet një vit historik. Kësisoj, pas botimit të vëllimit “Fjalor historik i Shqipërisë”, i albanologut të shquar, Robert Elsie, përkthyer nga anglishtja nga dr. Radu-Cosmin Savulescu, këto ditë doli nga shtypi “Historia e letërsisë shqiptare nga zanafilla deri në ditët e sotme”, botim i dytë, i riparë dhe me shtesa, i dr. Luan Topçiu-t. Pas disa ditësh do të promovohet një studim imagologjik për shqiptarët në shtypin dhe librat rumune deri në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX, studim i albanofilit, studiuesit dhe kryeredaktorit të revistës letrare prestigjioze rumune “Convorbiri literare”, Marius Chelaru. Po në muajin nëntor do të dalë nga shtypi dhe Fjalori akademik shqip-rumanisht, me mbi 41.000 fjalë tituj dhe mbi 70.000 shprehje i autorëve Dr. Renata Melonashi-Topciu, Ana Melonashi dhe Dr. Luan Topciu. Të gjitha këto botime, që do të shoqërohen me të tjera, bëjnë pjesë në kolanën Albanica. Materiale shkencore dhe letrare për Shqipërinë dhe albanologjinë vazhdojnë të botohen në vazhdimësi në faqet e revistës shkencore dhe letrare “Albanica”, organ i ALAR-it.

Ditët e kulturës shqiptare

Për katër vjet radhazi, Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) organizon “Ditët e kulturës shqiptare”. Mes aktiviteteve të shumta të zhvilluara, mund të përmendim koncertin simfonik me pjesë të kompozitorëve shqiptarë dhe rumunë, i organizuar në vitin 2019 me orkestrën simfonike të qytetit të Craiova-s, vendosjen e bustit të heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbe, vepër e skulptorit shqiptar Emanuel Koko, shfaqja e pjesës së teatrit “Njeriu që pa vdekjen me sy” të autorit me orgjinë shqiptare Viktor Eftimiu, e luajtur nga trupa e Teatrit të Vlorës, ekspozita pikturash dhe fotografike, promovime librash për Shqipërinë, mbrëmje poetike dhe muzikë shqiptare, prodhime CD-ve muyikore me muyikë shqiptare dhe shumë të tjera. Ka qenë të pranishëm në këto aktivitete personalitete të fushave të kulturës, shkencës, politikës, lidera fetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut etj.
Këtë vit, në datat 4-17 nëntor 2022, do të zhvillohet edicioni i IV-t i “Ditëve të Kulturës Shqiptare”, të cilës i shtohen edhe dy evenimente të rëndësishme: koncerti i datës 1 tetor, i zhvilluar në sallën “Gorge Enescu” të Universitetit Kombëtar të Muzikës në Bukuresht, i cili pati si drejtor artistik profesorin e muzikës dhe pianistin, Piro Gaqi. Në këtë koncert u interpretuan pjesët më të mira të konkursit “George Stafanescu” të kompozitorëve të rinj shqiptarë dhe rumunë në gjininë e romancës. Ditët e Kulturës Shqiptare do të kurorëzohen në datën 22 nëntor me promovimin e “Fjalorit akademik shqip-rumanisht”, të autorëve Dr. Renata Melonashi-Topciu, Ana Melonashi dhe Dr. Luan Topciu, në nderim të Kongresit të Manastirit, i mbajtur në datat 14-22 nëntor 1908 dhe të Ditës së Flamurit, duke qenë në vigjilje të festës më të madhe të shqiptarëve kudo në botë.
Programi i këtij viti përmban promovime dhe prezantime librash për Shqipërinë dhe shqiptarët, konferenca dhe recitale poetike e muzikore shqiptare, si dhe një ekspozitë dokumentare dhe arkivore kushtuar shkrimtarit rumun me origjinë shqiptare, Viktor Eftimiu.
Çelja e veprimtarive do të fillojë në qytetin e Targu Jiu-t, në praninë e deputetit Bogdan-Alin Stoica dhe të kryetarit të ALAR-it, Radu-Cosmin Savulescu. Për të pranishmit do të prezantohet dhe vëllimi “Historia e Letërsisë Shqiptare, nga gjeneza dhe deri në ditët e sotme”, edicioni i dytë, i riparë dhe me shtesa shkruar nga studiuesi dhe koordinatori i Qendrës Kulturore, në kuadër të ALAR, Dr. Luan Topciu. Në datën 8 nëntor do të zhvillohet një recital me muzikë shqiptare, interpretuar nga ansambli Serenada i ALAR, si dhe do të recitohen poezi të poetëve shqiptarë Ali Podrimja, Asdreni, Azem Shkreli, Fan Noli, Gjergj Fishta, Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, Migjeni, Mitrush Kuteli, Martin Camaj, Visar Zhiti, nga aktori i Teatrit Kombëtar “Marin Sorescu”, Angel Rababoc.
Në datën 11 nëntor do të organizohet në bibliotekën e Qarkut Targu Jiu ekspozita me imazhe dhe dokumente e titulluar: “Viktor Eftimiu – një short rumuno-shqiptar”. Në datën 14 nëntor, në Bibliotekën Metropolitane të Bukureshtit do të organizohet konferenca “Pika referimi në historinë e krishterimit shqiptar”, studim që të referohet nga albanologu dhe historian i feve Dr. Radu-Cosmin Savulescu. Ndërsa në datën 17 nëntor do të promovohet vëllimi” Shqipëria dhe shqiptarët në librat dhe shtypin rumun deri në fillim të shek XX”, i studiuesit Marius Chelaru. (615 faqe), aktivitet i cili do të zhvillohet në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali i Iasi-t. Veprimtaritë e edicionit të 4-t të “Ditëve të Kulturës Shqiptare” për këtë vit do të zhvillohen në Târgu-Jiu, Bukuresht dhe Iași dhe partnerët ALAR-it për këtë edicion janë Muzeu Kombëtar i Letërsisë Rumune, Biblioteka Metropolitane e Bukureshtit, Biblioteka e Qarkut “Christian Tell” Gorj si dhe Lidhja e Shkrimtarëve të Rumanisë – Dega Iași.

Filed Under: Opinion Tagged With: Luan Topciu

VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”

June 24, 2022 by s p

Luan Topçiu/

Festivali Botëror i Poezisë Mihai Eminescu, i cili zhvillohet në qytetin e Craiova-s të Rumanisë, u mbajt nga data 17 deri më 22 qershor të këtij viti. Ai u organizua nga Akademia Ndërkombëtare “Mihai Eminescu”, Biblioteka Qendrore e Qarkut Dolj “Alexandru dhe Aristia Aman “, Këshilli i Qarkut Dolj dhe Bashkia e qytetit Craiova. Poetë  nga të gjitha kontinentet morën pjesë në edicionin e 9-të të këtij festivali: SHBA, Itali, Francë, Turqi, Francë, Suedi, Shqipëri, Kosovë, Marok, Rumani, Meksikë, Bullgari, Greqi, Ukrainë, Senegal, Kongo, Serbi, Maqedoni, Kazakistan, Azerbaxhian, Iran etj.

Në këtë edicion morën pjesë dy autorë shqiptarë, Visar Zhiti – një nga poetët më të mëdhenj të gjuhës shqipe – si dhe poeti i mirënjohur kosovar – Jeton Kelmendi. 

Në ditën e dytë të Festivalit Botëror të Poezisë “Mihai Eminescu”, u promovua vëllimi “Kodi im për të nesërmen”, i cili përmbledh poezitë e shkrimtarit dhe profesorit kosovar Jeton Kelmendi. Vëllimi është botuar nga Shtëpia Botuese Revers dhe paraprihet nga një parathënie e akademikut rumun, Constantin Barbu. Ai është pjesë e kolanës “Planeti i Poezisë”, përzgjedhur nga Constantin Barbu dhe Ion Deaconescu.

Jeton Kelmendi (lindur më 1978), anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve në Salzburg (Austri) dhe profesor në Universitetin AAB në Prishtinë, është një poet i rëndësishëm modern në gjuhën shqipe, poezitë e të cilit janë përkthyer në dhjetëra gjuhë të huaja, në të gjithë globin, duke përfshirë edhe rumanishten.

Visar Zhiti fitues i çmimit të madh të festivalit

Më 21 qershor në Muzeun e Artit të qytetit Craiova u zhvillua ceremonia vjetore e ndarjes së çmimeve, siç janë Çmimi i Madh i festivalit si dhe Çmimi Special, ofruar nga Akademia Ndërkombëtare “Mihai Eminescu”. Ishin të pranishëm personalitete të kulturës rumune dhe të jetës kulturore, por jo vetëm. Presidenti i Akademisë “Mihai Eminescu”, profesori universitar Ion Deaconescu, në ceremoninë e organizuar me këtë rast, përpos çmimeve speciale, shpalli dy fitues, i pari ishte poeti amerikan William Wolak, (për edicionin e tetë të vitit të kaluar, çmim i vonuar për shkak të pandemisë) dhe si Fituesi i Çmimit të Madh për vitin 2022 u shpall një nga poetët më të mëdhenj të gjuhës shqipe, i vlerësuar dhe i dashur nga lëçitësit e poezisë, Visar Zhiti. Vepra e Visar Zhitit është bërë e njohur në Rumani përmes botimit të 4 librave në gjuhën rumune, në poezi dhe në prozë (Të përkthyera nga autor i këtyre radhëve). Shtypi letrar dhe kritika letrare rumune, së bashku me kritikë të njohur të huaj kanë vlerësuar Visar Zhitin si një autor të shquar të letërsisë bashkëkohore botërore, si një zë të veçantë të shoqërisë së sotme, si një model letrar dhe njerëzor të veçantë, si një timbër i fuqishëm i dhimbjes njerëzore nën diktaturë, si një poet lirik dhe lëvrues i poezisë menditative.

Çmimi i Madh që mban emrin e poetit më të madh të gjuhës rumune, Mihai Eminescu, i dhënë nga juria ndërkombëtare e përbërë nga kritikë të shquar si dhe poetë me famë ndërkombëtare, përbën, padyshim, nivelin më të lartë të vlerësimit të një poeti. Poeti Mihai Eminescu, konsiderohet një pikë referimi për kulturën rumune dhe atë botërore, një modelues i madh për shumë shkrimtarë dhe artistë rumunë dhe jo vetëm. Eminescu është arketipi i supozuar i çdo rumunfolësi, i çdo personaliteti që është identifikuar me gjuhën dhe kulturën rumune. Eminescu mbetet edhe sot një model kulturor dhe një model estetik.Ky model u asimilua edhe nga shkrimtarët shqiptarë që jetuan dhe u formuan në hapësirën kulturore rumune (Asdreni, L. Poradeci, M. Kuteli etj). 

Ekspozita fotografike “Poetika e hapësirës shqiptare” e autorëve: Ahmet Axhushi dhe Ardian Fezollari

I ndodhur në qytetin Craiova, shkrimtari Visar Zhiti pati rastin të merrte pjesë në hapjen e ekspozitës fotografike “Poetika e hapësirës shqiptare”, organizuar nga Shoqata e Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) në hollin qendror të UniversitetittëCraiova-s. Ekspozita përfshiu 40 vepra të artistëve Ahmet Axhushi dhe Ardian Fezollari, të cilat sugjeruan një udhëtim nëpër peizazhet e hapësirës shqiptare: brigjet e Adriatikut dhe Jonit, Liqeni i Ohrit, Alpet veriore të Shqipërisë,  qytetet, fortesat dhe vendet arkeologjike në qendër dhe në jug të vendit.

Në hapjen e ekspozitës, shkrimtari Visar Zhiti shprehu vlerësimin e tij për artistët, për veprat e ekspozuara, si dhe për të gjithë aktivitetin kulturor që kryen Shoqata e Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë. Kjo ekspozitë u kurua nga Dr.Luan Topçiu, koordinator i Qendrës Kulturore Shqiptare pranë ALAR, dhe u realizua me mbështetjen e Konventës së Organizatave Studentore të Universitetit të Craiova-s.

Botohet vepra madhore “Fjalori historik i Shqipërisë”i Robert Elsie në rumanisht

Të mërkurën, më 22 qershor, në Bibliotekën e Qarkut Dolj, “Alexandru dhe Aristia Aman” në Craiova, u bë prezantimi i vëllimit “Fjalori historik i Shqipërisë” i Robert Elsie, përkthyer nga anglishtja në rumanisht nga Dr. Radu-Cosmin Săvulescu. Kjo vepër mbresëlënëse prej 648 faqesh, u botua nga Shtëpinë Botuese Asdrenie Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë dhe është pjesë e një serie prej tre fjalorësh kushtuar Shqipërisë të albanologut të ndjerë kanadez, Robert Elsie (1950-2017). I pranishëm ishte dhe deputeti Bogdan-Alin Stoica dhe kritiku letrar Marius Chelaru.

Akordimi i Çmimit të Madh të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Mihai Eminescu” Visar Zhitit, solli në vëmendje të publikut të huaj kulturën dhe letërsinë shqiptare, vlerësimin ndaj përfaqësuesve emblematikë të saj. Shtypi dhe mediat vendase pasqyruan këtë eveniment, shoqëruar me një material mbi Visar Zhitin. Komuniteti i shqiptarëve me rastin e vlerësimit të poetit shqiptar ndihet në mënyrë të ligjshme krenar. Nga ana tjetër, ekspozita fotografike “Poetika e hapësirës shqiptare”e artistëve Ahmet Axhushi dhe Ardian Fezollari si dhe promovimi i vëllimit voluminoz prej 645 faqesh“Fjalori historik i Shqipërisë”, i Robert Elsie-së, sollën gjatë këtyre ditëve të qershorit në vëmendje të publikut rumun kulturën dhe vlerat shqiptare.

Filed Under: Politike Tagged With: Luan Topciu, Visar Zhiti

Autoritetet më të larta në Rumani nderojnë dhe vlerësojnë veprën e Dr. Luan Topciut “Historia e Letërsisë Shqipe: nga zanafilla deri më sot”

September 27, 2021 by s p

Zyra e shtypit ALAR/

Më 23 shtator 2021, në sallën “Nicolae Balcescu” të Parlamentit të Rumanisë, u promovua vepra: “Historia e letërsisë shqipe: nga zanafilla deri më sot”, e Dr. Luan Topçiut, koordinator i Qendrës Kulturore Shqiptare në Bukuresht në kuadër të ALAR. Në promovim morën pjesë personalitete të kulturës rumune, përfaqësues të Presidencës së Rumanisë, të institucioneve qëndrore të Qeverisë Rumune, deputetë të Parlamentit të Rumanisë, Televizioni Kombëtar TVR1, gazetarë, anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë, shkrimtarë dhe kritikë letrarë të njohur, si dhe përfaqësues të pakicave të tjera kombëtare në Rumani. Kjo veprimtari u koordinua nga Dr. Radu Savulescu, drejtor ekzekutiv i ALAR, i cili u shpreh se: Vepra Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla  deri më sot është rezultat i punës vetëmohuese të autorit, është një vëllim imponues, vepra e parë gjithëpërfshirëse mbi letërsinë shqipe, e botuar në gjuhën rumune, dhe një nga veprat e pakta të kësaj madhësie të botuar në mbarë botën”.

 Të gjithë folësit vlerësuan si një moment historik daljen e kësaj vepre madhore, me një rëndësi të posaçme për njohjen e letërsisë shqiptare dhe spiritualitetit të popullit shqiptar.

Fillimisht, të pranishmit u përshëndetën nga deputeti Bogdan-Alin Stoica, përfaqësues i pakicës shqiptare në Parlamentin e Rumanisë dhe Sekretar i Përgjithshëm i ALAR-it. Deputeti Stoika e quajti një ngjarje historike botimin e këtij libri në gjithë historinë e komunitetit shqiptar të Rumanisë.Në emër të Presidentit të Rumanisë,Klaus Werner Iohannis dhe Presidencës, e mori fjalën zoti Sergiu Nistor, këshilltar presidencial, i cili shprehu vlerësimin e adminsitratës prezidenciale për daljen e këtij vëllimi dhe autorin e saj. Mes të tjerash, Z. Nistor tha: “Dua mbi të gjitha të shpreh vlerësimin a administratës prezidenciale për këtë gjest njohjeje dhe shpërndarjeje të kulturës së minoritetit shqiptar, mbase më pak të njohur për popullin rumun. Pjesëmarrja në këtë promovim e përfaqësuesve të institucioneve qëndrore rumunetregon se tematikaekulturës dhe e identiteteve kombëtare në hapësirën rumune vlerësohet dhe çmohet. Për autoritetet publike, të bësh të njohur kulturën, historinë dhe letërsinë e një minoriteti, të popullit shqiptar, historia e të cilit gërshetohet me atë të popullit rumun, është një vlerë e shtuar. Besoj se vlera më e madhe e kësaj vepre, e studimit tuaj, z. Topçiu, qëndron jo vetëm në faktin se ajo zbulon për shqiptarët e Rumanisë ose për shqiptarët në përgjithësi aspektet themelore të historisë dhe kulturës  së tyre, por edhe në faktin se u tregon minoriteteve të tjera të Rumanisë dhe rumunëve pasurinë e diversitetit, diversiteti cili ka bërë që në këtë hapësirë të mund kemi jo vetëm një të kaluar, por edhetë shpresojmë me besim në një të ardhme të përbashkët. Kjo e ardhme e përbashkët europiane nuk mund të ndërtohet pa njohje, pa mirënjohje dhe pa respekt. Vepra juaj, që sot po ibëhet e njohur publikut,është një ndihmesëe rëndësishme, për të cilën ju përgëzoj përzemërsisht edhe njëherë”.

Në emër të Parlamentit të Rumanisë përshëndeti kryetari i Grupit Parlamentar të Pakicave Kombëtare, deputetiVarujan Pambuccian, e cili vlerësoi daljen e këtij libri dhe përgëzoi autorin e tij. Mes të tjerash, z. Pambuccian tha: “Vepra eshtë rezultati evident i një pune dhe njohjeje në detaje a shprehjes letrare të një populli, dhe kjo është një gjë e vështirë për t’u realizuar. Ne që ndodhemi në këtë promovim  jemi të privilegjuar që mund të njohim këtë autor që ka mundur të na paraqesë këtë vëllim.Botimi i kësaj vepre është po aq i rëndësishëm sa dhe botimii veprës së Kadaresë, të cilin e vlerësoj pa masë. …Pak njerëz e kanë marrë përsipër të bëjnë histori të letërsisë së një populli, sepse është një ndërmarrje shumë e vështirë, dhe të shkruash një histori të tillë në një vend që është tjetër nga vendi yt është edhe më e vështirë. Është një punë para së cilës përulem me nderim.Shpresoj, Z. Topçiu, të na sillni gjëra të tjera interesante dhe shpresoj të takohemi përsësri për të tilla evenimente.”

Z.Andrei Țărnea, Drejtor i Përgjishëm pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, lexoi letrën e urimit që Ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë, Bogdan Aurescu, ia drejton autorit të veprëssi dhe shoqatës ALAR për veprimtarinë e saj.Përfaqësuesi i MPJ të Rumanisë u shpreh: “Kam kënaqësinë t’ju drejtohem juve me rastin e një evenimenti të rëndësishëm kulturor, që feston në të njëjtën masë thellësinë e kulturës shqiptare si dhe përpjekjet domethënëse të një njeriu të shquar të kulturës, Dr. Luan Topçiu, për të paraqitur gjithë historinë e letërsisë shqipe për publikun e specializuar dhe, besoj, edhe për dashamirësit e letërsisë në Rumani”. Ai foli, gjithashtu, për marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve dhe ndihmën që Rumania ofron në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke nënvizuar: “Në tërësinë e përpjekjeve të promovimit të marrëdhënieve rumuno-shqiptare, ky eveniment përmirëson gamën e veprimeve politike dhe diplomatike në nivel qeveritar sektorial,(…)megjithëvështirësitë e krijuara nga pandemia, kur marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë ka përfshirë edhe komponentën e transferimit të ekspertizësnë mbështetje të aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, objektiv që Rumania e mbështet në mënyrë të qartë dhe konstante. Shprehim mbështetjen tonë për konsolidimin e marrëdhënieve midis vendeve dhe popujve tanë, sidomos në linjë kulturore. I dëshirojmë ALAR-it dhe zotit Topçiu shumë sukses në aktivitetin e tyre. Kemi besim se së bashku, nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme,në të cilat Ministria e Jashtme Rumune mbetet një partener i afërm, kontribuojmëpër thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në bazë të vlerave dhe parimeve demokratike, në një frymë të sinqertë dhe konstruktive. Të shpresojmë nëbashkëpunimin edhe në frymën e këtij libri dhe me një hapje drejt asaj që është më e afërt për shpirtin e një populli siç janë poezia dhe letërsia”.

Në emër të Qeverisë së Rumanisë, përshëndeti edhe zëvendëssekretari i shtetit i Departamentit për Marrëdhënie Ndëretnike në Qeverinë e Rumanisë, z. Thomas Șindilariu, i cili vlerësoi veprën, duke theksur edhe rëndësinë e promovimit të diversitetit në kulturën rumune. Mes të tjerash ai tha: “Vepra ndriçohet nga persepektiva e brendshme dhe nga perspektiva e jashtme, kjo gjë sjell dhe magjinë e këtij libri shumë të rëndësishëm. Punimi juaj, zoti Topçiu, është një studim i sistematizuar, është një studim tepër serioz i mirëseardhur në kulturën rumune.”

Në emër të Patriarkanës së Kishës Ortodokse të Rumanisë dhe të vetë Patriarkut Daniel, përshëndeti Prifti Prof. Dr. Stefan Buchiu, me origjinë shqiptare, babai i të cilit ka shërbyer si prifti kishës shqiptare të Bukureshtit.“Çdo njeri që promovon kulturën sjell një ndihmesë në afirmimin e kombeve dhe kulturave të tyre.” – u shpreh ai”.Lidhur me origjinën e tij shqiptare, At Buchiu tha se: “Ndihem shumë mirë në praninë tuaj, sepse gjyshërit e mi kanë ardhur nga jugu i Shqipërisë. Babai im ka mbrojtur tezën e doktoratës për kishën autoqofale shqiptare dhe për personalitetin e Fan Nolit”.

Në këtë eveniment ishin të pranishëm, gjithashtu, deputeti George Paladi, anëtar i grupit parlamentar të miqësisë Rumani-Shqipëri,si dhe Z. Nicolae Brînzea, përfaqësues i Sekretariatit të Përgjithshëm të qeverisë rumune.

Për veprën foli në mënyrë të hollësishme shkrimtari dhe kritiku letrar, Marius Chelaru, zëvendëskryeredaktor i revistës prestigjioze “Convorbiri literare”. Z. Chelaru, kritik dhe njohës i letërsisë shqipe, e konsideroi veprën si një realizim të jashtëzakonshëm. “Është e dyta histori e plotë e letërsisë shqipe në botë, pas asaj të Robert Elsie-së, të shkruar në anglisht. Por ky libër është ndërtuar në një mënyrë origjinale. Autori zbulon proceset letrare, përmes një metode koherente, zbulon autorët e rëndësishëm. Letërsia shqiptare, sipas studiuesit Luan Topçiu, është një letërsi europiane, e pasur, me autorë të rëndësishëm, deri tek niveli i shkrimtarit me njohje botërore, Ismail Kadare”.

Për veprën foli edhe zëvendësministri i Kulturës dhe shkrimtari Mihai Firică, i cili u shpreh se:“Ndodhemi para një evenimenti që do të shënjojë historinë letrare të Rumanisë, por dhe të Shqipërisë. Jam në dijeni të plotë të promovimit të kulturës shqiptare në Rumani. Nuk është vetëm një historie letërsisë, por edhe një histori e Shqipërisë, një demarsh kulturor, që krijon ura lidhëse midis dy kulturave. Libri bën një paraqitje dhe analizë të shkrimtarëve në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë, dhe lëçitësi rumun mund të konstatojë procese të ngjashme të ecurisëletrare shqipe me letërsinë rumune. Është fjala për një vepër monumentale. Por, ajo që ndodh me shoqatën e shqiptarëve të Rumanisë, nuk të befason. Unë njoh nga afër revistën kulturore dhe shkencore Albanica, që e konsideroj, pa e ekzagjeruar, se është një nga nga revistat më të mira që del në Rumani. Profesor Luan Topçiu është një fat për kulturën shqiptare, por dhe për kulturën rumune, duke njohur edhe numrin e madh të librave të përkthyera në të dy gjuhët.

Zoti Dr. Radu-Cosmin Săvulescu foli në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të ALAR, por edhe në cilësinëe albanologut dhe bashkëpunëtorittë afërt i autorit.”Kam nderin dhe gëzimin të punoj nga afër me dr. Luan Topçiun, një njeri që karrierën dhe jetën e tij ia ka kushtuar letërsisë dhe kulturës në përgjithësi. Kjo vepër është e rëndësishme jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe për kulturën rumune, sepse gjuha rumune bëhet, këtu, mjeti për një histori masive dhe erudite të një letërsie tjetër europiane. “Historia e letërsisë shqipe” do të vendoset në raftet e bibliotekave kryesore të Europës dhe botës, jo vetëm si dëshmi e vlerës së pamohueshme të autorit, por edhe si kontribut që komuniteti shqiptar në Rumani, nga njëra anë, dhe gjuha rumune, nga ana tjetër, e sjellin atë në kulturën universale.

Në fjalën e tij, autori i librit, Dr. Luan Topçiu, falenderoi pjesëmarrësit, përfaqësuesit e institucioneve të larta të shtetit rumun, për nderin që i bëhet atij personalisht, por dhe letërsisë shqipe dhe kulturës shqiptare. Ai theksoi se “evenimenti i sotëm është një nderim që i bëhet të gjithë shkrimtarëve shqiptarë”. Lidhur me këtë nismë, Luan Topçiu u shpreh: “Në kontekstin kur në shekullin e kaluar u fol kaq shumë për krizën e romanit, krizën e poezisë, por edhe të historive të letërsisë,  në vendet e Europës Lindore, u bë edhe më imperative rishikimi i vlerave (mutacioni i vlerave), sepse periudha e diktaturës komuniste krijoi një sinkopë në ecurine e natyrshme të letërsisë.” 

Vëllimi “Historia e letërsisë shqipe: nga zanafilla deri më sot”, shkruar nga Dr. Luan Topciu u botua me mbështetjen e Qeverisë Rumune, dhe tashmë ka mbërritur në bibliotekat më të rëndësishme dhe institucionet kulturore në Rumani, Shqipëri dhe në shumë shtete të tjera Europë dhe në Botë.

Zyra e shtypit ALAR

Filed Under: LETERSI Tagged With: Luan Topciu

HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE NË RUMANI – KRYEPUNË E DR. LUAN TOPÇIUT…

June 28, 2021 by dgreca

Shkruan: Visar ZHITI/

“Sot ka dalë nga shtypshkronja libri im më i ri: “Istoria Literaturii Albaneze, de la origini până în prezent” (Historia e letërsisë shqipe nga  zanafilla deri më sot). Është realizimi i një pune shumëvjeçare. Vëllimi ka 868 faqe. Me këtë rast falenderoj të gjitha ata që bënë të mundur botimin e tij.”
Kaq shkruan në FB e tij Autori i Veprës me modesti heroike si ata studiuesit e manasatireve dhe  kuvendeve… 868 faqe… punë shumë vjeçare… falenderim botuesve…
Por flet Verpra e madhe, është e para Histori e Letrave Shqipe që del në Rumani, kur në përmasa të tilla gjithëpërfshirëse mungon dhe në Shqipëri.
Kjo histori, që është shumë më me rëndësi  se ajo e luftarave, se është histori e shpirtit dhe e krijimit,  pra dhe e identitetit, nis që nga hershmëria e gjuhës shqipe, kalon te letërsia e saj e vjetër, mesjeta, rilindja, e cila nën pushtimin otoman i shtypte veprat e veta në Rumani, te arbëreshët magjepsës, pavarësia, letërsia pas Luftës II Botërore, e reja, ajo e burgjeve dhe internimeve, e diasporës, deri në SHBA, etj, e deri më tani në shekullin XXI, shoqëruar me dokumente, imazhe, pasazhe librash, etj. E gjitha mahnitëse, do të thosha. Ngjarje kulturore – e kanë quajtur menjëherë në Rumani.
Duhet ta kishim në gjuhën shqipe së pari, por ishte Rumania ajo, tashmë vend i Bashkimit Europian, e cila kaloi nëpër kalvarin e diktaturës komuniste, jo aq rëndë si vendi ynë dhe nuk pati ndonje realizem socialist aq vrastar sa letërsia jonë, pra s’do të ishte Atdheu, por Rumania, që do ta mbante Dr. Luan Topçiun që të shpaloste punë dhe vlera, sa kombëtare, shqiptare dhe rumune, po aq dhe europiane e universale, duke arritur i vetëm të bënte atë që duhej tē bënin akademitë, universitetet, duke forcuar ndërkaq miqësinë dhe lidhjet me Rumaninë e dashur, më shumë se sa ambasadat e pergjumura, më shumë se sa Ministria e Punëve të Jashtme.
Na nëpërmenden ndërkaq arritjet e shumta të albanalogut kanadezo-gjerman Dr. Robert Elsie në kulturen shqiptare. Dhe pritej vazhdimi…
Luanin shqiptar, me afërisht 1.000 faqet e Historisë së Letërsisë Shqipe, duket sikur permbushi një punë mijëvjeçare, duke ngritur këtë Katedrale hijerëndë, ku Shqipëria është më e bukur, por dhe e përjetëshme…


Filed Under: LETERSI Tagged With: Historia e Letersise, Luan Topciu, Rumani, Visar Zhiti

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT