PRESIDENTI THACI NE KUVEND: ME SERBINE E KEMI FITUAR LUFTEN, TASH DUHET TE FITOJME PAQEN/
KOSOVA KA PËRKRAHJEN E MIKUT MË TË MADH DHE SHTETIT MË TË FUQISHËM, SHBA-së/
-Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi sot në fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës: I jemi mirënjohës që në letrën e tij presidenti Tramp e dallon Kosovën si partner vendimtar për paqen dhe zhvillimin në tërë kontinentin e Evropës. Duhet të marrim me seriozitetin më të thellë ftesën e presidentit Trump kur thotë që “nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik” dhe “të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe”. Kemi përkrahjen e mikut më të madh dhe shtetit më të fuqishëm, SHBA-së/
PRISHTINË, 26 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI, me korrespondentin e saj, e akredituar në Presidencën e Kosovës
FJALIMI VJETOR I PRESIDENTIT THAÇI PARA DEPUTETËVE NË KUVENDIN E KOSOVËS – 26 Dhjetor 201
I nderuar Kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli,
E nderuara Kryesi e Kuvendit,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës.
Jam i lumtur dhe krenar të prezantoj të arriturat e Kosovës në këtë vit jubilar që po e lëmë prapa.
Por, edhe të tregoj për rrugën që kemi përpara dhe mundësitë që sjell për zhvillim edhe më të madh të republikës sonë
Viti 2018 ishte vit jubilar në të cilin shënuam dekadën e parë të shtetit të Kosovës.
Në dhjetë ditë festime në muajin shkurt, janë shpalosur të arriturat e Kosovës në dhjetëvjetorin e parë në çdo fushë të jetës.
Duke u marrë me çështjet e përditshme nganjëherë harrojmë të shohim se sa larg kemi arritur.
Prandaj, dhjetë ditë festë ishin rast i mirë për të kujtuar se ku kemi qenë dhe ku jemi sot.
Nga një vend i shkatërruar nga gjenocidi i ushtruar nga shteti i Serbisë, jemi ngritur në një shtet të pavarur e sovran.
– Me zhvillimin më të shpejtë ekonomik në rajon
– Me legjislacionin më të avancuar në rajon;
– Me institucione demokratike e të qëndrueshme;
– Me suksese në shëndetësi e arsim, në shkencë e art, në sport e në kulturë.
I kujtuam sakrificat dhe angazhimin për liri.
Do t’u jemi përherë mirënjohës atyre që dhanë çdo gjë për lirinë që gëzojmë ne sot.
Dëshmorëve dhe familjeve të tyre.
Dhe zotohemi që do të bëjmë çdo gjë që vuajtjet të mos përsëriten, për askënd.
Këtë e bëjmë për gjeneratat që do të vijnë.
Por, e bëjmë edhe për qytetarët e sotëm të Kosovës, heronjtë e vërtetë të suksesit të Kosovës.
Më lejoni të përmend një fakt që kishte humbur në vorbullën e lajmeve për 10 vjetorin e pavarësisë.
Gati gjysmë milioni qytetarë nga e tërë Kosova e nga diaspora jonë e madhe, kanë festuar më 17 shkurt dekadën e parë të shtetit të Kosovës.
Dhe në festimet që zgjatën tërë ditën nuk është shënuar asnjë incident.
Kjo tregon përkushtimin e qytetarëve të Kosovës për rend, qetësi dhe siguri.
Të nderuar deputetë,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Si president i vendit edhe në vitin 2018 kam përfaqësuar vendin, brenda dhe jashtë.
Kam pritur në Kosovë presidentin Pahor të Sllovenisë dhe presidentin Junker të BE-së, kancelarin Kurz të Austrisë dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë.
Kam realizuar vizita bilaterale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Gjermani, në Britani të Madhe, por edhe në vendet e rajonit, në Bullgari, në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Maqedoni.
Kam përfaqësuar Kosovën në forumet më të rëndësishme ndërkombëtare, si takimi i Forumit Ekonomik Botëror në Davos dhe takimet tjera të këtij forumi në Montreal të Kanadasë dhe Gjenevë të Zvicrës.
Po ashtu, e kam përfaqësuar edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe në Forumin e Paqes në Paris.
Kam përfaqësuar Kosovën edhe në Samitin e Sofjes të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Alpbach në Austri, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.
Por, edhe në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Kore.
Në Jerevan të Armenisë, në samitin e vendeve të Organizatës së Frankofonisë kemi avancuar postin tonë nga shtet vëzhgues në anëtar të asociuar
Në të gjitha këto forume kemi bërë të qartë që Kosova është e përcaktuar për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë
Që Kosova është e përkushtuar për dialog dhe paqe.
Që Kosova angazhohet me tërë forcat që sa më parë të bëhet anëtare e NATO-s dhe e BE-së.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Edhe viti 2018 ka pasur momente kur është bërë i rëndë dhe kur kemi përjetuar humbje,
Këtë vit kemi humbur Adem Demaçin dhe Fadil Vokrrin.
Nuk ka fjalë që përshkruajnë këtë humbje.
Do ta ruajmë dhe nderojmë kujtimin duke vazhduar të punojmë për atë që ëndërronin edhe ata.
Dhimbje kemi përjetuar edhe nga mospranimi i Kosovës në INTERPOL, por edhe për shkak të vonimit të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë nga ana e BE-së.
Jam krenar që si shtet, si shoqëri, kemi bërë çdo gjë që është kërkuar nga ne. Kemi plotësuar çdo kriter, edhe për anëtarësim në INTERPOL, edhe për liberalizim të vizave.
Mungesa e vendimit të drejtë në këto dy raste nuk është humbje për ne.
Por, nuk është as dekurajim që të vazhdojmë për forcimin e shtetit tonë.
Këtë e bëjmë, sepse mbi të gjitha është në interesin tonë, në dobinë tonë.
Jemi përballur edhe me plagët e hapura nga e kaluara e dhimbshme.
Kam emëruar Ekipin Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.
Kam dekoruar zonjën Vasfije Krasniqi–Goodman për guximin që të flasë hapur dhe të kërkojë drejtësi për vete dhe për mijëra viktima tjera të dhunës seksuale, të ushtruar nga forcat policore dhe ushtarake të shtetit serb gjatë luftës në Kosovë.
Jam ndier krenar sidomos me të arriturat e artistëve dhe sportistëve tanë.
Si çdo qytetar tjetër i Kosovës jam krenar me të arriturat e këngëtareve tona në botë, me të arriturat e piktorëve dhe arkitektëve.
Jam krenar me të arriturat e xhudisteve e të xhudistëve.
Me të arriturat e futbollistëve tanë.
Është bërë e gjatë lista për t’i përmendur me emër një nga një.
Si president më ka gëzuar fakti që kam dekretuar pakon e ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë.
Që nga dita e parë në Zyrën e Presidentit, jam angazhuar që të përkrah sa më shumë fuqizimin e drejtësisë.
Kjo pako që përfshinë ndryshimet në Kodin Penal, Ligjin për Gjykatat, për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë dhe ligje tjera, që do të forcojmë edhe më tutje sistemin tonë të drejtësisë.
Por, zonja dhe zotërinj,
Jam ndier veçanërisht i lumtur dhe krenar që tek unë kanë arritur për dekretim tri ligjet me të cilat hapet rruga që Forca e Sigurisë së Kosovës të bëhet ushtri e Kosovës.Shpesh jam ndier i vetmuar në angazhimin tim për themelimin e ushtrisë së Kosovës.
Por, jam i lumtur që më në fund i tërë spektri politik i Kosovës u bë bashkë rreth këtij synimi për transformimin e FSK-së.
Ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u them se ata e kanë merituar që moti këtë.
Me punën e tyre, me profesionalizmin e tyre, ata që moti janë ushtarë të Kosovës.
Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojë të mbetet forcë profesionale e standardeve të NATO-s, forcë shumetnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe në shërbim të paqes në Kosovë, në rajon dhe më gjerë.
E mirëpres edhe faktin që spektri politik kosovar ka filluar të bëhet bashkë rreth sfidave dhe mundësive imediate për shtetin tonë.
Në radhë të parë e kam fjalën për sfidën e arritjes së një marrëveshjeje paqësore me Serbinë
Me Serbinë kemi një shekull armiqësi.
E kemi fituar luftën, ndonëse me çmim të lartë.
Tani është koha ta fitojmë edhe paqen me Serbinë.
Për veten tonë dhe për gjeneratat që do të vijnë.
Prandaj e mirëpres themelimin e Ekipit Negociator nga Kuvendi i Kosovës dhe fillimin e punës për marrëveshjen me Serbinë.
Kjo marrëveshje duhet të jetë përfundimtare, gjithëpërfshirëse, e arritur në proces paqësor e të ndërmjetësuar nga Bashkimin Evropian dhe mbështetur plotësisht nga SHBA-ja.
Kjo marrëveshje duhet t’i sjell Kosovës njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.
Ndërsa, rajonit dhe Evropës do t’i sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet.
Të nderuar deputetë,
Dy letra të arritura në zyrën time këtë muaj tregojnë se jemi në rrugë të drejtë.
Letra e presidentit Macron të Francës e lavdëron angazhimin tonë për paqe e stabilitet.
Por, edhe më e fuqishme është letra e presidentit Trump, e shtetit më të afërt tonë.
I jemi mirënjohës që në letrën e tij presidenti Tramp e dallon Kosovën si partner vendimtar për paqen dhe zhvillimin në tërë kontinentin e Evropës.
Duhet të marrim me seriozitetin më të thellë ftesën e presidentit Trump kur thotë që “nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik” dhe “të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe”.
Kemi përkrahjen e mikut më të madh dhe shtetit më të fuqishëm, SHBA-së.
E kemi përkrahjen BE-së dhe të shteteve anëtare të saj.
E kemi përkrahjen e botës për të arritur marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Të humbim këtë rast, siç thotë edhe presidenti Trump në letrën e tij, do të ishte kthim tragjik prapa dhe do të humbnim një mundësi që nuk do të përsëritet edhe një kohë të gjatë.
Prandaj sot, si President i Kosovës, nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ne emër të qytetarëve dhe lidershipit të Kosovës, konfirmoj se Kosova është gati për dialog.
Kosova zotohet se do ta arrijë marrëveshjen finale me Serbinë.
Lidershipi dhe qytetarët e Kosovës presin me padurim bekimin e kësaj marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë, nën lidershipin tuaj president Trump.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Urime festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Viti i Ri.
Gëzuar!