Stupcat përmes spotit humoristik demaskojnë anët negative në shoqërinë kosovare!/
Nga Asllan Dibrani/
Buja qe u bërë dhe po bëhet është një fazë tranzitore e pjekurisë së popullit ndaj përqafimit te të metave në shoqërinë kosovare apo demaskimin e tyre?!. Stupcat me shfaqjen e Spotit humoristik na rikthyen në kohën e luftës . Fraksionet në mediat kosovare dhe me gjerë lidhur me skeçin humoristik japin sinjale,” qe ky popull nuk din, ose ka frikë ta pranoj realitetin e ngjarjeve në sfidat e periudhës së luftës dhe pas saj”…
Këtu, shihet se publiku kosovar,apo me mirë me thënë “ personazhët e prekur nga ky skeç i realizuar nga stupcat ,humorist ,artist ,dhe sugjerues të gjykimit të së keqes përmes llojit të artit dramatik , arritën kritikon dhe i demaskuan anët negative në sjelljet dhe veprimet e personave të ndryshëm , figurave publike dhe klasës politike qe qëndrojnë prapa të së keqes në arenën kosovare.
-Në artin aktual të realizuar nga stupcat përmes skenës , në shtetet demokratike vlerësohet dhe e ndihmojnë arritjen e luftimit të së keqes në shoqëri. Paraqitja e sendeve, e dukurive dhe e veprimeve të njerëzve në veprat letrare e artistike duke i vënë në lojë të metat dh dobësitë ,shpesh nuk mbetet vetëm kënaqësi e se qeshurës ,por nga njëherë bëhen edhe tema aktuale si rasti i stupcave . Humori,karikatura ,piktura,një artikull analitik, jepen përmes artistëve ,gazetarëve, piktorëve etj , shpesh ose janë te përbuzur ose edhe janë vet artistët të varur nga politika ditore në Kosovë , me çka ma , nuk mbetet art i mirëfilltë .Këtu aq sa u pa stupcat arritën ta pasqyrojnë një realitet përmes skeçit humoristik Lufta e Kosovës, përmes personazheve “Qipsit,Smokit dhe Shtapiqit” demaskojnë dhe luftuan anët negative qe u demonstruan gjatë luftës dhe pas saj!
Kuptohet se janë artist të pa ndikuar nga strukturat politike me çka dëshmon se i dhanë një goditje të rend fraksioneve në dy oborre të UÇK-së të ndara fillimisht në UÇK dhe Fark!!! Personifikimi figurave i realizuar përmes humorit satirik “Stupcat “ arritën që të mbesin artist ma serioz ndaj ngjarjeve në Kosovë, por edhe ma gjerë në rrafshin kombëtar .
-Në Kosovë, pak kuptohet ky lloj arti , apo ta marrim për shembull karikaturën shpesh merret vetëm si një tablo qesharake, ku nuk merret me mend se përmes saj arrihen efekte shumë pozitive në skenën politike.
Diçka që e jep një paraqitje dhe pasqyre të gjallë të dukurive, të ngjarjeve e të rrethanave, me shprehje besnike ne realitetit kosovar nuk mund te merret si negative, pos nga disa protagonist me mize pas veshit mund ta cilësojnë si negative .
Ky skeç humoristik thumbues dhe kritik për një numër „komandantesh „ është një luftë kundër krimit të organizuar nën petkun e “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Ushtrisë për çlirimin e atdheut që ishte gatuar brez pas brezi për t’i dal zot atdheut nga pushtuesi serb. Përmes këtyre misionarëve, kristalizohet , pastrohet dhe mbetet një ushtri e shenjtë , një ushtri me vlera, pa profitet personale, qe me veprimet e tyre e gjymtojnë vlerën e saj!!!.
Prandaj stupcat atë, po duan dhe kanë deshtë ta pastrojnë nga mikrobi i veshur me fenomenin” tradhtar, mashtrues dhe kriminel”, që vepruan në dëmin e popullit shqiptar. Stupcat, as pak nuk e kanë cenuar UÇK-në, por përkundrazi e kane rrit dhe ruajtur korrshi tradhtarëve me uniformen e Ushtrisë sonë të lavdishme për përfitime personale??? Është shumë e rrugës qe elita politike duhet të ndërgjegjësohet dhe të ndajnë shapin nga sheqeri, për ta eliminuar të keqen, qe qëndroj në krye të mediave , kapitalit ,ekonomisë .kulturës dhe vlerave kombëtare qe 16 vite, duke e bëre analfabetin , të pa shkolluarin , të paditurin“Intelektual,doktor,politikan,krijues dhe akademik!!!??…
-Pa dyshim, pas kësaj qëndron argumenti ,fakti dhe arsyeja në përshkallëzimin e krizës së gjendjes politik ,ekonomike ,kulturore dhe kombëtar. Për krejt në fund arti i stupcave në rastin konkret, le të mbetet si mesazhi ma i mirë i kurorëzimit për një qëllimi dhe një mendje me një vizion dhe ide ,me një strategji dhe synim, me një vullnet dhe harmoni , e të gjitha forcave politike , intelektuale të krijuesve,artistëve,biznesmenëve dhe e gjithë spektrit në elitën e kombit të bashkohen rreth flamurit,kombit dhe gjuhës me qellim qe të luftohen komandantët e vetëshpallur ,demagoget,kriminelet ,bandat e ndryshme që ujin e qojnë në mullirin e armiqve tanë. T’i rrekemi ndërtimit të shtetit me një synim dhe lufte te përbashkët kundër keqbërëseve me veprime destruktive dhe tradhtareve të vendit. Atdheu ju tirret,jemi në rrugë të synimeve tona prandaj bashkohuni,veproni dhe punoni ne te mirën e tij.
Politika, Lufta dhe Ne, viktimat e tyre
nga Andon Dede, Nju York/
Dy tema të mëdha, për të cilat janë shkruar qindra e mijëra vëllime dhe do të qe mundim i kotë e guxim i madh të merresh me trajtimin e tyre, në çdo këndvështrim që t’i shohësh. Media, institucionet studimore, kinematografia e televizioni janë marrë aq shumë me to sa që si zor të ketë ngelur ndonjë aspekt i tyre i pa ezauruar. Jo vetëm kaq, por tani, në epokën e Internetit, mjafton një klikim në kompjuter dhe të vërshojnë për to lumej informacionesh.
I vetëdijshëm për gjithë sa më sipër, unë mora guximin të shkruaj këto radhë me një qëllim tepër modest: t’i shoh ato në një këndvështrim krejt tjetër, fare të zakonshëm, madje nisur nga përballja me to në jetën e përditëshme, pa as më to voglin pretendim për t’u futur në trajtesa të thella psiko-social-filozofike.
Shkak për këtë u bë një episod fare i rëndomtë. Tek po udhëtoja me tren si përditë, dëgjoj dikë që po fliste me zë të lartë në shqip, gjë që më ndodh jo rrallë këtu në Nju York. “More, e ndoqe dje “Opinionin” e Fevziut, se mua më iku, nuk qeshë në shtëpi?”. “Po, – ia ktheu tjetri, – po mos u mërzit se s’qe gjë: punë femrash të bukura e më the të thashë…”. “Ashtu, hë? S’qe për politikën? Edhe unë s’i ndjek dot diskutime të tilla kot më kot. Llafe pazari. Po sot kemi Parlamentin, hë, se është e enjte”. “Po, po. Dhe unë s’lë seancë pa parë…Hej, ç’punojnë ata, s’i lënë gjë pa i thënë njeri tjetrit. Gallatë e madhe…”
Ky qe episodi i parë që më shtyu të shkruaj. Dy bashkëatdhetarët e mij, që m’u dukën se punonin në pastrim të ndërtesave të Manhatanit, kishin qejf diskutimet për politikë, në kanalet e ndryshme të televizioneve shqiptare apo dhe në seancat parlamentare. Shkurt, për ta politika qe një temë e preferuar, ndërsa diskutimet e tjera, me tema shoqërore, artistike e kështu me radhë, nuk i tërhiqnin.
Kjo më ktheu larg në fëmijërinë apo dhe rininë time. Jam nga brezi i lindur në vitet e Luftës e, për rrjedhim, kam përjetuar dhe pasojat e saj të tmerrshme që nuk do t’ia dëshëroja asnjeriu. Kinemaja tek ne, në Përmet, sapo kishte filluar të shfaqte filma, dokumentarë e artistikë. Por publiku, si të mos qe ngopur me tmerret e luftës, donte që edhe filmat të kishin po atë përmbajtje, me luftë. Kjo vazhdoi për vite të tëra. Edhe gjatë shkollës së mesme, në Politeknikum, sa herë që shkonim në kinema, prefenca jonë, dhe jo vetëm e jona, ishte për filma me luftë. Këtë e kishin kuptuar edhe punonjësit e kinemasë dhe tek pllakati i filmit vinin një copë letër: “Film me luftë”. Po shkoj edhe më tej. Si në Unike dhe në Politeknikum, ndodhte që na organizonin biseda të ndryshme. Përsëri parapëlqimi ynë qenë temat e luftës. Dhe duke qënë kështu, herë pas here, veteranë apo më mirë të them, ish-pjesëmarrës të Luftës, me që shumë syresh qenë ende të rinj në moshë, na nderonin me vizitat e tyre e na tregonin episode nga më të ndryshmet të cilat ne i ndiqnim me një frymë. Refren i përbashkët i tërë atyre bisedave qenë fitoret triumfuese të partizanëve dhe këmbëmbathjet me turp të pushtuesve, qofshin ata italianë apo gjermanë.
Kështu vazhdoi kjo punë edhe për disa vjet, deri sa, bashkë me ne që po rriteshim e po formoheshim, filluan të ndryshojnë edhe shijet tona. Ndikuan shumë për këtë filmat e huaj, sidomos ata perëndimorë që trajtonin tema sociale e që ngjitnin aq shumë me psikologjinë e me shqetësimet tona.
Nga gjithë sa më sipër, nxorra përfundimin se ashtu si në rininë time, që na tërhiqnin temat e luftës dhe tani ka njerëz që i tërheq politika dhe i bezdisin temat sociale. A është kjo një dukuri tek e cila vlen të ndalesh sadopak? Për mua po dhe ja sepse.
Këto dy dukuri, si politika dhe lufta, janë për mua nga fenomenet më të urryera, dhe me këtë kam parasysh si ata që merren me të parën edhe ata që shkaktojnë të dytat. E kam vështirë që të mendoj se ka njeri që të ketë respekt për politikën dhe politikanët dhe të mos e urrejë luftën. Por, edhe pse mund t’i urrejmë, ato kanë qënë e janë të pranishme në jetën e tërë gjeneratave të derisotme. Ja, pra, a nuk përbën një kënaqje kureshtjeje, edhe pse jo të këndëshme, që të përligjësh dëshirën e njerëzve për t’u marrë me to?!
Sa i çuditëshëm që është njeriu! Sa viktima ka pasur nga luftërat dhe ç’i kanë punuar e po i punojnë atij politikanët e, prapëseprapë, i pëlqen të gërvishtet me to, si dy bashkëpatriotët e mij apo dhe tërë brezi im i pas Luftës?! Apo kjo nuk ndodh vetëm me ne?! Ja dhe një arsye tjetër që më shtyu të ndalesha në këto çështje.
Duke rrëmuar këto ditë në Internet, u njoha me një studim të autorëve e njëkohësisht bashkëshortë, Xhon Tubi, (John Tooby), anthropolog dhe Leda Kozmides, psikologe, nga universiteti i Santa Barbarës, në Kaliforni. Ata së bashku drejtojnë dhe Qëndrën Studimore të Psikologjisë Evolucionare. Lista e studimeve dhe botimeve të tyre apo dhe e çmimeve e titujve të nderit që i kanë shoqëruar ato, është tepër e gjatë, ( mjafton një klikim në Googël për t’i parë ). Sipas tyre, njerëzit bëhen agresivë prej politikës po aq sa edhe prej luftës dhe për këtë, “fajin” e ka një rajon i trurit, që aktivizohet sa herë që diskutohet për to. Njerëzit, pohojnë ata, vijnë nga një histori evolucionare e ngarkuar me konflikte mes grupeve e fraksioneve. Ne mund të diskutojmë e debatojmë për shijet muzikore, filmat që na pëlqejnë apo ushqimet e preferuara. Por, sapo biseda kalon në politikë, diskutimi i qetë e i shkujdesur, papritur kthehet në të keq, i pakëndshëm, deri dhe agresiv.
Gjithë sa më sipër, si për një përkitje të rastit, m’u kujtuan tek lexova një shkrim të Svetllana Aleksejeviçit që njihet edhe si “luftëtarja” kundër luftës, për zhvillimet e sotme në Rusi. Psikoza e luftës që ka përhapur në popull politika e Putinit, që të kujton Stalinin, të kall tmerrin e sikur nuk do që ta besosh. Si ka mundësi, në kohën tonë, thashë me vete, të ketë akoma politikanë të tillë luftënxitës dhe turma popullore që t’i shkojnë pas liderit symbyllur, si ne dikur?! Nuk dua ta mërzis lexuesin, duke u zgjatur më tej me këto tema por, sa për ilustrim, po riprodhoj këtu vetëm nja dy-tre paragrafë nga shkrimi i mësipërm.
Lufta e Rusisë kundër Perëndimit ka nisur. Askush nuk do ta marrë atë si të vërtetë, as në Rusi e as në Perëndim, mirëpo Rusia është shndërruar në një tjetër vend ndërkaq. Nga erdhi ky militarizëm primitiv, kjo prapambetje, ky obskurantizëm? – Kjo është pyetja që ne shtrojmë përditë. Ndoshta edhe Europa po pyet veten…Çfarë ka ndodhur tashmë me ta? Tani ata thërrasin: “Putin! Putin!” Miqtë e mi janë të hutuar, të gjithë lexojnë libra mbi ngritjen e fashizmit në Gjermani dhe Itali apo rreth fillimit të Revolucionit në vitin 1917. Ne po lëvizim drejt së panjohurës. Për ku? Përse populli hoqi dorë kaq kollaj nga liria e tij?… Në fund të shkurtit, në muret e Kremlinit, fare pranë Sheshit të Kuq, ku çdo hap mbikëqyret vazhdimisht me kamera dhe kontrollohet nga policia, u vra opozitari më i rëndësishëm rus, Boris Nemcov. Një vrasje të tillë politike kaq spektakolare, nuk është parë në Rusi prej njëqind vjetësh.Nemcov kishte paralajmëruar një fjalim: “Putini dhe Lufta“…Rusia, në harkun e një viti e gjysmë është shndërruar në një vend tjetër, që po e lëviz atë drejt një diktature dhe një lufte civile. Imazhet dhe bustet e Putinit po prodhohen në masë dhe po shiten nga shumëkush…Në marshimet që organizohen në sheshe të mëdha, ku drejtohen apele të hapura, ushtarët këndojnë: “Ne do marshojmë drejt Kievit”…Unë jam një njeri që ka përjetuar vitet nëntëdhjetë. I përkas gjeneratës së Gorbaçovit. 25 vjet me radhë ne jetonim me shpresën se Rusia do të bëhej një vend më i mirë, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. HYPERLINK “http://www.zeit.de/politik/ausland/2015-02/wladimir-putin-russland-ziel” Rusia jeton në një marrëzi revanshiste. Një sondazh i bërë publik pak kohë më parë thotë se: nëse Putini do të kandidonte sërish në zgjedhjet e reja presidenciale, do të fitonte 80 për qind të votave…“Rusia është Putini, pa Putinin s’ka Rusi”. Këtë e besojnë shumë vetë. Të gjithë kanë nisur t’i mbushin mendjen vetes se ne jemi njerëz të luftës, pasi nuk kemi njohur ndonjë gjë tjetër veç saj. Gjithnjë ne ose kemi marrë pjesë në një luftë, ose na kanë përgatitur për një të tillë. Te ne mbizotëron një kult i luftës.
Në një raport të ministrit të Luftës, Kuropatkin për Car Nikollën II., thuhej: “Madhëria juaj Perandorake! Në vazhdën e shekujve të 18 e 19, Rusia ka kryer në 128 vjet luftëra, nga të cilat vetëm në 72 vjet ka mbizotëruar paqja. Nga 128 luftërat, vetëm 5 prej tyre kanë qenë luftëra mbrojtëse, të tjerat kanë qenë fushata pushtuese”…Jo më i mirë duket se ka qenë edhe shekulli i 20: Njeriu rus nuk është mësuar me jetën në paqe. Ai ka jetuar në luftë, për shtetin, asnjëherë për veten e tij. Ai ka një marrëdhënie të veçantë me vdekjen…Me bekimin e Kremlinit lindi një video militante “Unë jam një pushtues rus”. Brenda pak muajve, atë e panë në internet tre milionë njerëz. Pati qindra komente njerëzish të ekzaltuar: “Ne pushtuam Siberinë dhe tani kemi naftë dhe gaz”. “Ne pushtuam Ukrainën, Balltikun dhe Kazakistanin dhe ishim vendi më i madh në botë”…Një vend lufte, një psikologji lufte…Ky është terreni ku ne jetojmë – lufta…(Marrë nga DIE ZEIT, 29 maj 2015, përkthyer nga A. Plaka, botuar në “Shqip”, 1 qershor 2015).
Më pëlqen t’i mbyll këto shënime me disa vargje të Kadaresë, nga poezia e tij: ”Kënga e ushtarëve të vjetër”:
Nga lufta vijmë, në luftra shkojmë / në zjarr e tym na shkoi kjo jetë / gjithmonë drejt luftrash shtegëtojmë / siç shtegëtojnë drejt dimrit retë…/ Gjithë jetën mbetëm majë kalit / mbi tokën tonë që na bekoi / ka kohë që s’shkelim me dy këmbë / por shkelim me katër patkonj. / Alarmi prapë ja, gjëmon / dhe horizonti është me re / nga luftra vijmë, në luftra shkojmë / dhe tjetër fat s’kërkojmë ne.
A kanë lidhje me temat që trajtuam apo dhe me shqiptarët e sotëm këto vargje? Mua më duket se po, ndaj dhe i vura, edhe pse nuk do ta dëshëroja një gjë të tillë. Lexuesi le ta gjykojë vetë.
KUR SERBIA KËRKON TA KTHEJNË TOPIN NË GLOB E GLOBIN TA KTHEJNË 100 VJET PAS, NË NJË LUFTËN TË TRETË BOTËRORE
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Po fijat bora me të ftohtë si në Dhjetor ’90. As në kit’ 25 vjetor vjeshtak të Rënies së Murit të Berlinit nuk janë shkrirë akujt e Luftës së Ftohtë. Po vjen mot i keq. Perdja e Hekurt po kërkon rulin e vet. Sa ma shpejt?!…
Papa Françesku e dha gjatë tetorit 2014 sinjalin përseritës e pa terma ndërmjetës: Lufta e Tretë Botërore ka nisur…! Ka me na prek. Jo si me 7 prill ’39 me qëndresë në vetmi, po në bashkari me të tjerët. Jena në NATO. Shyqyr Zotit!
Në Beograd, në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, u dogj Flamuri i NATO-s. Flamuri Ynë. E dogjën serbët në stadium ku ishte edhe kryeministri i Serbisë aty. Nuk ishte rastësi. Jo. Ishte demonstrim force, urrejte, luftënxitje.
14 tetori 2014 në Beograd nuk ishte një ndeshje futbolli për Eleminatoret e Francë 2016, po një demonstrim force, urrejte, luftënxitje për Luftën e Tretë Botërore.
Ata kujtojnë se janë në atmosferën e Luftës së Parë Ballkanike, të nisur në Tetor 1912 kundër Shqipërisë që po kërkonte Pavarësinë e saj, një shtet sovran. Ata i kanë kapur ethet e luftës së pritshme. Serbët e duan Luftën e Tretë. Shqipërinë e Kosovën i kanë në shenjestër të parët…
2.Bota nuk duhet të harrojnë vizitën e Sulltan Mehmed Rashid V në Kosovë në qershorin e vitit 1911 që po vinte nga Stambolli në vendin e Betejës së Fushë-Kosovës (1389). Pa hy’ shumë në histori, Perandoria Otomane e Lindjes në bashkëpornësi edhe të Perëndimit, e kapur nga Rusët, e lidhur me Serbët e Malazezët, po donte me e mbajt ma fort Perandorinë Otomane deri në katër vilajetet shqiptare, edhe pas ngritjes së Flamurit të Skenderbeut me 6 prill 1911 në kala të Deçiçit nga Dedë Gjo’ Luli me hotjanë e Malësinë e Madhe.
Pak’kush e din’ se si iku Putini – diplomati funksionar, sigurimsi rus, nga ambasada Ruse në RDGJ kur ra Muri i Berlinit më 1989. Po shumkush e kupton se pse erdhi Putini në Beograd më 16 tetor 2014 pikërisht në 70 vjetorin e çlirimit të Beogradit, në 25 vjetorin e Murit të Berlinit, dy ditë pas ndeshjes Serbi-Shqipëri (!)
Sulltani Otoman Rashid V me vizitën e vitit 1911-tës kërkonte me pas një “mur” kufi me mbretëritë e Serbisë e të Malit të Zi. Edhe Sulltan Putini i Parë i Rusisë po lyp “mure” të rinj në Beograd. Po don me e tërhjek Serbinë drejt Moskës, larg Nato-s e BE.. Serbia po don me e ripërserit Jugosllavinë e Parë ose të Dytë. Ajo nuk don me ndejt as Jugosllavi e Tretë si në kohën e Millosheviçit. As në kufijtë e një republikë serbe, të shettit të sotëm serb?!
Presidenti serb, Nikoliç, një ditës pas ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd dhe një ditë para ardhjes së Putinit në Beograd, doli me deklaraten publike:”Pas vrasjes së krijimit të miqësisë midis Serbisë dhe Shqipërisë, është e qartë se Shqipërisë do t’i duhen dekada, ose edhe shekuj të bëhet një vend normal, pa urrejtje ndaj serbëve”.
Kjo deklaratë ishte vazhdimësi e platformave serbe kundërshqiptare dhe mesazh për Putinin. Një rrenë e mëdhe pasi realiteti ishte ndryshe, terror banë vet serbët në stadium e jashtë tij. Ishte presion edhe ndaj UEFA-s e mikut të tyre të mirë, Platinit të keq.
3.
Me gjykimin e padrejtë ndaj Shqipërisë UEFA mund të jetë gjithçka po jo një Ligë Europiane e Futbollit. Ajo nuk e paska selinë në Beograd.
Bota nuk duhet të harrojnë se Serbëve në Sarajevë, në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, 28 qershor 2014, banë festime madhështore. Foli edhe vet Milorad Dodik, president i Republikës Srpska, përuruan statujën e serbit Gavrillo Princip, vrasësit të Arkidukës austriak Franz Ferdinand në Sarajevë. Kur një aktor i veshur si Princip qëlloi dy herë në ajër, serbët i quajtën sikur u qëlluan NATO dhe BE.
Serbia e donte për shovinizmin e saj ndeshjen Serbi-Shqipëri për ta ngrit ma lart nacionalizmin shoven serb ndaj shqiptarëve në Ballkan. Ndaj një pankartë e quajtën Flamur Kombëtar Shqiptar (!) kur Kushtetuta e Shqipërisë, si e çdo vendi tjetër, e përcakton saktë Flamurin tonë zyrtar, me të gjithë elementët e tij. Sigurisht nuk ishte ai në Beograd. Ata u ndalën tejet gjatë ndaj një harte të Shqipërisë Etnike, Natyrale, Reale, ndërkohë që jo vetëm Luginën e Preshevës (Kosova Lindore), po edhe Sanxhakun – Tregu i Ri janë territore shqiptare, ashtu sikurse edhe territore të tjera shqiptare nën Malin e Zi e Maqedoni. Serbët duan ta ringrejnë “Serbinë e Madhe”, si gjithnjë me territore shqiptare. Ata ia kanë nis këto dy vite me synimin për të ringrit “Jugosllavinë e Katërt” me Federatën G-6, një “Komonuelth Ballkanik” nën Serbi.
Zakonisht sporti i ikë politikës dhe politika e ndjek sportin. Po, kësaj here, politika e oktapodue ndeshjen Serbi-Shqipëri në forma e mënyrat e saj ma të këqija, tue përfshi edhe UEFA-n e pavarur. Politika u ba top e topi u ba glob.
Serbia nuk luajti me Shqipërinë në stadiumin e Beogradit po në arenën globale demonstroi dicka apo shumçka nga “parathania” e Luftës së Tretë Botërore.
Në kit’ ndeshje nuk humbi Shqipëria. Ende nuk ka fitue as Serbia. As aleatët e saj. Me kit’ ndeshje po humb Europa euro-atlantike e jo vetëm ajo. Po humb UEFA (!). Po humbim të gjithë në të nesërmen tonë të përbashkët, në kit’ kohë e botë globale.
Pra, nuk humbëm ne, Shqipëria Natyrale 3 me 0, po Serbia e Madhe tregoi si 100 vjet ma parë me Princip se ende po lufton pa asnjë princip për të ardhë Lufta e Tretë Botërore?!
Ta ndalim shovinizmin serb e sllav, fashizmin e sotëm të Europës e botës!
Tiranë, 24 tetor 2014