Nga Skënder Buçpapaj/
U bënë 50 ditë që Luli erdhi me çadrën e tij fare pranë zyrës së Edit. Kreu i opozitës erdhi fare pranë zyrës së Kryeministrit, saqë ky disa herë desh e ka ngatërruar derën e Kryeministrisë me derën e Çadrës së Lirisë.Përëndrrat kryeministrore u përzien aq rëndshëm me përëndrrat kryeopozitare, saqë njëri zgjohet nga përëndrra e tij dhe i duket vetja se është tjetri. Edi zgjohet nga përëndrra e tij dhe i duket vetja se është Luli, kryeministri zgjohet nga përëndrra e tij dhe i duket vetja se është kryeopozitari; nga përëndrra (ëndrra me sy hapur) zgjohet kryeopozitari dhe i duket vetja se është kryeministri. Është e paplotë, është përgjysmë përëndrra e njërit pa përëndrrën e tjetrit, sepse ato priten në mes gjithmonë nga i njëjti ankth dhe nga i njëjti makth, por edhe sepse ato puthiten, qepen, ngjiten, saldohen mes tyre, duke u bërë një nga e njëjta shpresë e përbashkët.Ankthi i njëjtë, makthi i njëjtë, i përbashkët i kryeministrit dhe kryeopozitarit është Reforma në Drejtësi. Shpresa e përbashkët është që Reforma në Drejtësi të jetë një kreaturë që të mos e ketë kurrë fatin e ardhjes në jetë, të jetë një fetus që të ndërpritet në muajt sa më të hershëm të pasngjizjes.
Të ishte Edi në vend të Lulit
Luli do të donte që çadrën e tij ta vendoste poshtë dritares së Ramës, por ashtu do të dukeshin si Romeo dhe Zhuljeta.Më mirë, tha, të jetë në hapësirën midis dritares së ish Mehmet Shehut dhe dritares së ish Enver Hoxhës. Dhe prej këtu deri tek Perëndia të jetë Hapësira e Lirisë. Qielli që harkohet mes njërës dhe tjetrës të jetë Qielli i Lirisë. Prej godinës së ish Mehmetit deri tek godina e ish Enverit të jetë Sheshi i Lirisë.Vetë Rama, kur ishte kryeopozitar, nuk e vendosi çadrën e tij poshtë kryeministrit të atëhershëm, sepse do të dukeshin si Zhuljeta e Romeo.
Është një kohë shumë habitore, nëse e përmban gramatika një të tillë, kur Rama do të donte (oh, sa do të donte) të ishte kryeopozitari dhe të protestonte ai kundër Reformës në Drejtësi, të mos i kishte rënë Lulit shorti për këtë kryevepër historike.Po të ishte Edi në vend të Lulit, protesta në çadër do të kishte filluar që në ditën e parë kur u zu në gojë Reforma në Drejtësi. Sot, pra, nuk do të kremtohej dita e 50 e satë e Çadrës së Lirisë, por do të kremtohej dita e 500 e satë e saj.
Çadra e Lirisë e Edit nuk do të ishte e hapur si kjo e Lulit, do të ishte e mbyllur. Dhe në çdo paraqitje publike do të dilte nga një zëdhënëse e re, secila do të ishte një fytyrë e re për publikun, madje edhe një zë i ri. Ato do t’i mërmërisnin, secila më ëmbël se tjetra, do t’i recitonin secila më kumbueshëm se tjera, do t’i këndonin secila më sokëllitshëm se tjetra pjesët e tyre para publikut. Do të ishin si sirenat mitologjike, nuk do të kishte dëgjues apo shikues që të mos binte viktimë e magjisë së tyre. Ndërsa Edi atëherë, Luli tashi, do të shfaqeshin një herë në ditë para gazetarëve nga Selia Rozë, përkatësisht nga Selia Blu.Brenda çadrës së Lirisë sot dëgjohet muzikë, luhet domino, tavlla, shah, ik një ndërresë çadristësh, vjen një ndërresë e re çadristësh, e marrin fjalën njëri pas tjetrit eksponentë të opozitës, e merr fjalën çdo ditë Basha, derisa i shterron zëri i rezervuar për ditën apo natën përkatëse.Brenda çadrës së grevës së Edit hahej, pihej, flihej, shihej, fshihej, rrihej, arrihej, mbërrihej, nuk pushonin ditë e natë shuarjen e urisë së grevistëve shërbimet sociale që sillnin ushqime e pije dhe nxirrnin ambalazhe e mbetje ushqimore, nuk pushonin shërbimet mjekësore që matnin pulset, temperaturat, tensionet, nivelet e sheqerit. Atje ngrënë, pirë, shtrirë, ngrirë, shkrirë, mpirë, çmpirë do të koaludohej administrare e Edit, do të formatoheshin zero reformat e Edit të këtyre katër vjetëve, zero rezultatet e qeverisjes së Edit.
Rama nuk do të kishte bërë kurrë ndaj qeverisë një opozitë kaq dëfryese, kaq zbavitëse, kaq çlodhëse dhe ripërtëritëse si ajo e Bashës. Një opozitë të tillë Rama e ka bërë vetëm nga pranvera e vitit 2008, kur ndodhi Gërdeci, deri në pranverën e vitit 2009, kur Berisha mori mandatin e dytë të kryeministrit nga zgjedhjet e atëhershme. Rama u kujtua të bëjë opozitë pas humbjes zgjedhore dhe të kërkonte me qindra ditë pa pushim hapjen e kutive. Këtë e bënte vetëm që të mos e shkarkonin nga kreu i Partisë Socialiste dhe jo pse ia kishin mohuar postin kryeministror.
Basha e shfajëson veten se bëri katër vjet opozitë konstruktive. Ndërsa e la opozitarizmin për katër muajt e fundit, tashi kërkon edhe muaj të tjerë plotësues për t’u përgatitur për garën e re zgjedhore. Këtë e bën jo pse e synon postin kryeministror, por vetëm sepse ka frikë se do ta heqin nga kreu i Partisë Demokratike.
Të ishte Luli në vend të Edit
Përballë Reformës në Drejtësi edhe vetë ish Enveri, edhe vetë ish Mehmeti do të bëheshin besimtarë dhe do t’i luteshin Zotit 7 herë, 77 herë 77 mijë, milionë, miliardë herë që të shpëtonin prej saj, sidomos prej Vettingut.
Po të ishte Luli në vend të Edit, të ishte kryeministër e të mos ishte kryeopozitar, gjëja e parë që do të bënte do të ishte shfuqizimi i menjëhershëm i krejt paketës ligjore të Reformës në Drejtësi. 19 kriminelët e Edit në Kuvendin e Shqipërisë do të merrnin frymë lirshëm dhe në Kuvendin e ri do të hynin 190 kriminelë nga 140 anëtarë të mundshëm. Vetëtimat e Vettingut do të shndërroheshin në ylberë triumfi për të gjithë ata që pritej të prekeshin nga Reforma në Drejtësi. Republika e Re do të vinte në piedestal të gjithë Rilindasit që manovruan për të mos e vënë kurrë në jetë Reformen në Drejtësi. Janë gati për ta titujt Nderi i Kombit, Urdhëri i Flamurit, Urdhëri Gjergj Kastrioti Skënderbeu e tjerë e tjerë.
Rama në pranverën e para katër vjetëve iu premtoi shqiptarëve hapjen e qindra mijë vendeve të punës. Dhe e mbajti fjalën. Nga 30 mijë sa kishte të punësuar Lazarati më 2013, sot Lazaratët kanë të punësuar 300 mijë. Të tjerët, që nuk pranuan të jenë kultivues, industrializues, shpërndarës të kanabisit, me shumë marifet u përcollën për në vendet e ndryshme të Evropës, ku ata të arrijnë para se të arrijë Shqipëria, atdheu i tyre i dashur, i cili ua shikon shpinën përditë e më shumë miliona bijve e bijave që ikin për të mos u kthyer.
Po të jetë Luli në vend të Edit, pra kryeopozitari po të bëhet kryeministër i vendit, të gjithë të pakualifikuarit në kanabis dhe në trafiqet e tjera, të gjithë mërhumët dhe mërhumet që nuk dinë të korruptohen as të korruptojnë, që nuk dinë të trafikojnë apo të trafikohen, pra të gjithë këta e të gjithë këto të përcillen për në Evropën aq të dëshiruar. Dhe në vend të tyre, Atdheun e dashur, Shqipërinë e shqiponjave ta gëzojnë, ta trashëgojnë popullsi të njohura botërisht gjatë shekullit të kaluar dhe në shekullin e ri për kualifikimin e lartë në kanabis, në trafiqe, në korrupsion dhe në krime.
***
Të ishte Edi në vend të Lulit. Të ishte Luli në vend të Edit. Të ishte ‘Rilindja’ në vend të ‘Republika e Re’. Të ishte ‘Republika e Re’ në vend të ‘Rilindja’. Të ishin ‘rilindasit’ në vend të ‘republikasvet të rinj’. Të ishin ‘republikasit e rinj’ në vend të ‘rilidasve’.