Juria e Çmimit Letrar të Poetit Evropian të Lirisë në Gdańsk, Polonisë, për herë të parë në historinë e këtij çmimi jep dy çmime të para me vlerë të njëjtë për edicionin 2020-2022, që janë: Luljeta Lleshanaku (Shqipëri) dhe Marianna Kiyanovska (Ukrainë).Leshanaku thotë se i kishte humbur besimi, pasi në garën e ngushtë ishin dy shkrimtare ukrainase. Juria për librin “Ujë dhe karbon” të Luljeta Lleshanakut, përkthyer nga Dorota Horodyska, u shpreh: se është një kryevepër, e plotë dhe përfundimtare. Tema e poezive të Lleshanakut është një përshkrim emocionues i gjetjes së lirisë në botën e skllavërisë ku ajo lindi dhe u rrit thekson juria.Ky çmim ka si lajtmotiv trajtimin e temës së lirisë për vlerat artistike. Lira politike individuale dhe shoqërore është e ndjeshme në vargjet e Luljeta Lleshanakut, e cila përmes argumentit të diktaturës , sjell edhe reflektimin mbi lirinë individuale.Çmimet për Luljeta Lleshanakun janë një mundësi për të komunikuar në gjuhë të tjera. Dhënia e çmimit Nobel vitet e fundit për poetë, ka çuar në promovimin e kësaj gjinie e cila po reduktohet ndjeshëm thekson poetja.Ndërkohë që Luljeta Lleshanku është lansuar si një prej emrave që mund të përfaqësojë Shqipërinë në garën e çmimit Nobel. Poetja nuk është në dijeni dhe i duket i largët.Ceremonia e marrjes së çmimit Evropian të Lirisë mbahet me 10 qershor së bashku me marrjen e trofeut do të prezantohet edhe libri i poetes shqiptare në polonisht.Në të njëjtën kohë, poetja është një erudite që në veprën e saj ndërthur përvoja të ndryshme, jo vetëm të sajat, që do të thotë se poezia e saj mund të arrijë lexuesit gjithkund. Ajo tingëllon si një kristal i pastër dhe i pa të metë.”Çmimi Letrar Evropian i Poetit të Lirisë i qytetit të Gdańsk jepet çdo dy vjet. Qëllimi i tij është të promovojë fenomene poetike që trajtojnë një nga temat më të rëndësishme bashkëkohore, lirinë, dhe që tregojnë një vlerë të lartë artistike. Në çdo botim, çmimi i jepet poetit dhe përkthyesit.(Hejza).
NESËR POETJA LULJETA LLESHANAKU TAKIM NË VATËR
DIELLI
Nesër, ditën e Martë më datë 26 Tetor 2021 në orën 6 pm Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në Selinë Qendrore në adresën: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458 Bronx-New York, organizon një takim bashkëbisedues me mysafiren nga Shqipëria, poeten Luljeta Lleshanaku, e cila këtë herë vjen si përfaqësuese e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, ku edhe punon prej vitesh si drejtuese e departamentit të studimeve. Qëllimi i këtij takimi është që e ftuara të ndajë me vatranët dhe diasporën shqiptare në New York e më gjërë informacionin mbi punën e bërë nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, për transparencën e të shkuarës komuniste, por duke u ndalur konkretisht në rolin e pazëvendësueshëm dhe nevojën imediate të dëshmive të të mbijetuarve nga kampet dhe burgjet në diktaturë, një pjesë e madhe e të cilëve ndodhen në diasporë. Poetja Luljeta Lleshanaku do të ndajë eksperiencën e saj dhe do të referojë për të pranishmit fakte interesante dhe rëndësinë specifike në temën “Roli i dëshmisë, për zbardhjen e krimeve të komunizmit”. Përveç Vatranëve ftohet i gjithë komuniteti shqiptar në New York e më gjerë që ti bashkohet këtij takimi të veçantë në një kauzë po kaq të rëndësishme siç është zbradhja e krimeve të komunizmit në Shqipëri.
Luljeta Lleshanaku: katarsisi, zgjidhja për krimet e komunizmit
Shqipëria është vendi që përjetoi një nga regjimet më të egra komuniste, ku kundërshtarët e regjimit u vranë, u burgosën, apo u internuan me vite të tëra e ku dhjetra mijëra qytetarë, së bashku me familjet e tyre përjetuan vuajtje të mëdha fizike e mendore. Sot, mbas pothuajse tridhjetë vjetësh, vuajtjet që kaluan këta njerëz kanë mbetur ende të patrajtuara siç duhet. Këtë e pohojnë jo vetëm viktimat e sistemit, por edhe sociologët, shqiptarë e të huaj. Por çfarë detyrimi ka shoqëria shqiptare ndaj viktimave te komunizmit? Për të biseduar për këtë temë, e ftuar në studion e Nju Jorkut të Zërit të Amerikës, ishte Luljeta Lleshanakun, poete, autore e 8 librave me poezi në shqip dhe 12 në gjuhë të tjera, aktualisht Drejtoreshë për Kërkimet në Institutin e Studimeve të Gjenocidit Komunist në Shqipëri.
Zëri i Amerikës: Luljeta, sapo ndoqëm kronikën e kolegut tonë në Tiranë lidhur me aktivitetin e organizuar për të kujtuar të persekutuarit e periudhës së komunizmit. A mendoni që shoqëria shqiptare në gjithë këto vite ka treguar vëmendjen e duhur ndaj viktimave të komunizmit?
Luljeta Lleshanaku: Gjatë pesë viteve të fundit ka një lloj rikthimi të fuqishëm tek çështja e transparencës së të shkuarës komuniste në Shqipëri dhe kjo për disa arsye. E para është faktori ndërkombëtar, vëmendja që i kushtojnë organizatat ndërkombëtare transparencës së epokës së komunizmit; çuditërisht ka qenë e fortë gjatë 5 viteve të fundit. E dyta, është krijimi i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit ku punoj edhe unë. E treta, që është dhe institucioni tjetër që ka objektin, ose të drejtën legjitime të merret me këtë punë, është dhe krijimi i Institucionit të Autoritetit të Hapjes së Dosjeve; pra, aprovimi i ligjit për hapjen e dosjeve, i cili për fat të keq, ishte një moment kyç, që u bë vonë dhe duhet të ishte bërë së bashku me lustracionin. Vërtet u aprovua si një ligj vetëm për hapjen e dosjeve, edhe ai prapë në vetvete nuk është krejt i plotë sepse një pjesë e informacionit mbahet konfidencial. Ksëhtuqë le të themi që kemi një rikthim të çështjes së komunizmit në Shqipëri. Por se me çfarë ritmi dhe se sa vonë jemi, këtë e kuptojnë më mirë ata që merren me këtë punë. Unë merrem me këtë punë në Shqipëri dhe e di se sa të vonuar jemi. Në një histori e cila nuk ka dokumentacion zyrtar që ta mbështesë ose ai që është, është tepër i pamjaftueshëm, atëherë e vetmja mënyrë është marrja e dëshmive. Por nga momenti në moment, çdo minutë, madje dhe në këtë moment që po flasim, ne po humbasim dëshmitarët e asaj epoke. Pra është një proces, i cili filloi shumë vonë për fat të keq dhe tani që po flasim, jo-bindshëm; pra është një institucion i vogël që merrët me këtë punë dhe jo i plotë. Megjithatë, le të themi që u zhbllokua një situatë.
Zëri i Amerikës: Pra, ju thoni që ka një lloj përparimi në këtë aspekt. Megjithatë, sipas jush, përse vazhdojnë të shfaqen skena të tilla, si ato që u shfaqën më 5 maj ku nostalgjikë të regjimit, duke u shfaqur publikisht me simbolet e komunizmit, në fakt ofendojnë memorjen e shqiptarëve. Përse ndodhin këto skena?
Luljeta Lleshanaku: Ne pretendojmë të jemi së shpejti një vend anëtar i BE-së; mirëpo dy nga rezolutat më të fuqishme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e para e vitit 1996, që ishte për çrrënjosjen e trashëgimisë komuniste dhe e dyta për ndëshkimin e krimeve të komunizmit, asnjëra prej të dyja rezolutave nuk u zbatua. Është një hap shumë i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe integrimin në BE. Mirëpo nostalgjikë të komunizmit dhe të diktatorit Enver Hoxha ka dhe do të ketë gjatë gjithë kohës. Ajo që në një farë mënyrë e zgjidh apo i jep drejtim çështjes, është një akt zyrtar që ai të njihet si diktator, periudha e komunizmit të njihet zyrtarisht si periudhë krimesh kundër njerëzimit dhe është shumë e rëndësishme të futet në zbatim ai ligj i cili zbatohet në pesë nga vendet anëtare të BE-së, ish-shtete komuniste, ku penalizohet mohimi i krimeve të komunizmit. Natyrisht këtu futet edhe adhurimi i figurës së Enver Hoxhës, përdorimi i imazhit të tij. Duhet thjesht një ligj, kjo rregullohet me një akt zyrtar për të cilin ne jemi të vonuar.
Zëri i Amerikës: Në se në Shqipëri do të kishte ndodhur një proces ku persona të cilët patën qenë instrumente të verbëra të regjimit e që patën bërë krime të viheshin para drejtësisë, apo të gjykimit të shoqërisë, pra të ishte bërë një lloj pastrimi shpirtëror, a do të kishte ndihmuar kjo që të shëroheshin plagët e shkaktuara nga regjimi?
Luljeta Lleshanaku: Ky lloj katarsisi do të ishte e vetmja zgjidhje e saktë, e plotë dhe e pastër dhe duhej bërë, sigurisht, në vitet e para pas ndryshimit të sistemit. Përgjigja ime nuk është origjinale, se ajo është thënë më parë, por desha të them se thjesht fillimisht ka munguar vullneti politik e para, dhe e dyta, ai regjim që zgjati pothuajse 5 dekada, implikoi pjesën më të madhe të popullsisë, në mënyra të ndryshme. Kjo do të thotë se një pjesë ishin direkt persekutorë, ishin ekzekutorët dhe pjesa tjetër, nën presion, nën presion të fuqishëm, nën presion të dobët, u bënë pjesë e kësaj ndotjeje kolektive. Por një gjë më duket shumë interesante. Në vend që ata që ta kërkojnë transparencën e krimeve të komunizimit, të jenë vetë ish komunistët, sepse është një mënyrë për t’u distancuar nga një njollë e tillë; do të thotë “vërtetë ai qe një regjim komunist, vërtet unë qesh komunist, por ama nuk kam të bëj”, është një lloj distancimi personal, individual nga ajo e shkuar dhe janë përkundrazi, të persekutuarit politikë që kërkojnë transparencën dhe tashmë deri diku edhe ato pak shoqata të cilat merren me këtë çështje.
Zëri i Amerikës: Luljeta, ju vetë jeni bijë e një familjeje të persekutuar nga komunizmi dhe keni përjetuar drejtpëdrejt persekutimin. Do të doja të përsëris një thënie kuptimplotë: Njerëzit duhet të falin, por nuk duhet të harrojnë….
Luljeta Lleshanaku: Unë nuk besoj shumë në institucionin e faljes. Unë të them të drejtën besoj shumë në institucionin e drejtësisë. Do të thotë, që të identifikohet krimi, është tjetër punë ndëshkimi, askush nuk kërkon ndëshkim; dhe lustracioni do ta kryente më së miri këtë funskion. Të idenetifikohet krimi. Komunizmi nuk është nocion abstrakt. Komunizmin e bënë njerëzit. Pra, secili duhet të mbante dozën e vet të përgjegjësisë. Ndëshkimi është tjetër gjë. Falja është tjetër gjë. Por ne nuk kemi arritur akoma të identifikojmë krimin e jo më atë vetëdije publike, atë vetëdije morale, që duket tepër romantike për kushtet, apo për përvojën time, ku të ketë edhe këtë përballje e të kërkuarit falje mbi përgjegjësinë e vet gjithësecili.
Zëri i Amerikës: Luljeta, desha të kaloj tek një temë tjetër. Ju ndodheni në Shtetet e Bashkuara për të promovuar librin tuaj më të fundit me poezi të përkthyer në anglisht nga Ani Gjika. Ç’mund të na thoni për këto promovime që keni patur?
Luljeta Lleshanaku: Ky është libri im i tretë që botohet në Shtetet e Bashkuara dhe i pesti në anglisht, sepse dy të tjerët janë botuar në Angli; sigurisht, unë jam në emocionet e fillimit, libri porsa ka dalë, ka vetëm dy javë. Jam në një turne leximesh: kisha dy lexime në Boston javën që shkoi; kam dy lexime në fund të kësaj jave në Nju Jork, në Librarinë McNeal në Bruklin dhe një tjetër në Shtëpinë e Poetëve në Manhaten. Është një situatë tepër interesante, sepse ti po i flet një audience krejt tjetër, dmth një lexuesi i cili di shumë pak, ose aspak për Shqipërinë dhe fare pak për Europën Lindore. Unë pretendoj që ky libër të sjellë diçka të re për ta, por njëkohësisht diçka shumë të njohur për ta, që të jetë universale. Tashti se sa është ruajtur kjo balancë, nuk kam nga ta di, pres se cili do të jetë reagimi; deri tani juam relativisht e kënaqur, është dy javë që ka dalë, Shoqata Amerikane e Poetëve e futi në listën e librave të rekomanduar, revista World Literature Today dhe linke të tjera… le të shohim. Unë shpresoj që po përjetoj atë emocionin e përballjes me audiencat, ku libri sapo ka rënë në dorë.
Zëri i Amerikës: Luljeta të falenderoj për bisedën dhe të uroj sukses.