Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi dje, vendimin e Ramës për shtyrjen me 6 muaj të Ligjit për statusin e Nëpunësit Civil si një vendim antikushtetues dhe arbitrar. Në një konferencë për shtyp, Basha u shpreh se, Kryeministri Rama shpërfilli paralajmërimin e opozitës dhe hodhi poshtë konsensusin e arritur në Parlament. “Mbrëmë, me një akt të njëanshëm antikushtetues dhe në mungesë totale transparence, Edi Rama shpalli shfuqizimin gjashtëmujor të Ligjit “për Nëpunësin Civil”, i miratuar me konsensus dhe unanimitet në Kuvendin e Shqipërisë, në maj të këtij viti. Ky është një nga tre ligjet, mosmiratimi i të cilëve me konsensus vitin e kaluar, u bë shkak që Shqipëria të mos përfitonte statusin e vendit kandidat. Ky është një nga tre ligjet, për të cilat Brukseli zyrtar u shpreh se, nuk mjaftonte as miratimi me referendum, por duhej patjetër konsensus, konsensus që u dha më në fund në 30 maj, pasi Rama u sigurua se ishte tepër vonë për të përfituar statusin në pranverën që shkoi. Mbrëmë, ky konsensus u qëllua për vdekje me koburen arbitrare dhe antikushtetuese të aktit normativ”, theksoi Basha. Kryetari i PD, akuzoi Ramën se me aktin e ndërmarrë vendosi interesat personalë mbi ato të Shqipërisë dhe rrugës së saj europiane. “Duke vënë mbi interesat madhore të vendit, interesa egoiste dhe meskine, Rama hodhi poshtë mbrëmë me një firmë të vetme, konsensusin unanim të mbarë Kuvendit. Kjo nuk ka ndodhur e nuk mund të ndodhë në vendet që mbështeten në parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Opozita nuk e pranon këtë akt që godet në palcë konsensusin politik si vlerë, që rrezikon aspiratën tonë integruese në Europë dhe riciklon konfliktualitetin politik në vend”, theksoi Basha. Në vijim, Basha kujtoi se motivi i shtyrjes së këtij ligji është spastrimi i administratës, duke hequr mbrojtjen ligjore dhe duke shtuar intensifikimin e shkarkimeve. Më tej, Basha krahasoi se akte të tilla ndodhin vetëm në Republika-banana. Në këtë pikë, ai i bëri thirrje Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta të dëshmojë që, salla e Kuvendit nuk është bërë qesharake. “Kjo ndodh vetëm në banana-Republikat që mbështeten në ligjin e xhunglës. Duke zhbërë me një firmë të vetme një ligj konsensual, Rama e ka trajtuar Kuvendin e Shqipërisë si banana-Kuvend dhe partnerët tanë që aq shumë këmbëngulën në vlerat e konsensusit, si manekinë. Kryetari i Kuvendit të bëjë detyrën e tij, për të provuar se Parlamenti nuk është banana-Kuvend dhe të shmangë çdo tundim të mazhorancës, për të peshkuar mandate të opozitës me mjete dhe mënyra korruptive. Mazhoranca duhet ta kuptojë se, konsensusi nuk është çështje numrash, por vlerash”, theksoi Basha. Me një akt tė paprecedentë, Kryeministri Edi Rama zeroi shtetin ligjor dhe Kushtetutën e vendit, duke shtyrë në kalendat greke Ligjin “për Nëpunësin Civil”, me pretendimin se, ligji është i pazbatueshëm në formën që është. Kryeministri Rama në shkelje tė plotë të Kushtetutës pretendon se mund të kapërcejë Parlamentin e Republikës me një akt të nëpunësve ministra. Ky akt i paprecedentë i Kryeministrit Rama zeron konsensusin politik të arritur për tre ligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian, madje synon të anulojë një prej tre ligjeve, atë “për Nëpunësin Civil”. Qëllimi i moszbatimit të këtij ligji nga Rama është spastrimi i administratës publike për ta mbushur me militantë partiakë.
Lulzim Basha:Qeveria e re mungesë transparence, konflikt me opozitën
Partia Demokratike ka mbledhur grupin e saj parlamentar, ku është vendosur në lidhje me komisionet parlamentare që do të drejtohen nga opozita.
Grupi parlamentar ka zgjedhur deputeten Majlinda Bregu si kryetare e komisionit parlamentar të integrimit, Genc Pollo, kryetar i komisionit të Medias dhe Albana Vokshi, kryetare e komisionit parlamentar të Shëndetësisë.
Në një konferencë për mediat, kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi qeverinë e re për mungesë transparence dhe frymë konfliktuale me opozitën.
“Kanë demonstruar të kundërtën e asaj që opozita ka ofruar, Brukseli kërkoi dhe shqiptarët presin, që është fryma e bashkëpunimit dhe jo konfliktualitetit, karakterizuar nga një mungesë e thellë transparence mes asaj që thuhet e bëhet” tha Basha.
Gjithashtu Basha premtoi edhe mbrojtjen e administratës nga largimet politike duke theksuar se duhet reformë dhe jo fshesë.
“Partia Demokratike do të asistojë me të gjitha fondet ligjore të gjithë ata që preken nga revanshi dhe fryma anti-institucionale. PD është në mbështetje të plotë të atyre që përfaqësojnë investim publik të taksapaguesve publikë, investim që nuk zhbëhet për interesa politike, një investim që duhet të çohet më tej dhe kjo ishte një nga fushat që Brukseli është shprehur qartë. Reformë, por jo fshesë në administratë” tha Basha.
Ndërsa, kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, i pyetur nga mediat nëse në mbledhje kishte pasur debate për përzgjedhjen e kryetarëve të komisioneve, u shpreh se në demokraci ka gjithmonë debate. “Çdo diskutim ka debate. Po nuk pati debate çfarë demokracie është” tha Paloka.
Lulzim Basha: PD, promotore e integrimit, por Rama të kthehet nga Brukseli me mend në kokë
Të heqë dorë nga urrejtja ndaj opozitës/
TIRANE- Kreu i PD-se, Lulzim Basha, duke garantuar Brukselin dhe qytetaret se forca qe drejton nuk do te jete kurre pengese per integrimin e vendit, i ka bere apel kryeministrit Edi Rama te kthehet me mend ne koke dhe te heqe dore nga urrejtja ndaj opozites.
Ne nje deklarate per mediat, Basha ka theksuar se PD ka qene e do te vazhdoje te jete promotore e integrimit dhe do votojë cdo ligj e akt qe lidhet me te.
“Sot PD kërkon nga Rama që ta lexojë drejt e të reflektojë pa humbur kohë mesazhin për fatin e vendit në be dhe rolin përbashkues që Tirana zyrtare duhet të luajë në marrëdhëniet me fqinjët në Kosovë, Maqedoni, si një këshillë ndihmuese dhe qortuese për startin plot qëndrime përcarëse dhe konfliktuale në detyrën e tij si KM”- tha Basha.
Në vijim deklarata e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha
Kryeministri Rama mori në Bruksel, mesazhin e qartë për të bashkëpunuar ngushtë me opozitën e vendit të tij.
Në emër të Partisë Demokratike dua të falenderoj miqtë dhe partnerët e Shqipërisë në Bashkimin Europian për këtë mesazh kuptimplotë dhe për vendosmërinë e tyre konstante në mbështetje të aspiratave europiane të popullit shqiptar.
Me këtë rast dua të siguroj përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian në Bruksel, sikurse kemi siguruar qytetarët dhe Kuvendin e Shqipërisë këto ditë, se opozita e re shqiptare nuk do të jetë në asnjë moment pengesa dhe problemi i integrimit të vendit në BE, se do të jemi promotorë, siç kemi qenë në qeveri, se do të votojmë çdo ligj dhe akt shkon në përmbushje të kritereve të integrimit.
Ndërkaq sot, Partia Demokratike kërkon nga zoti Rama që ai ta lexojë drejt dhe të reflektojë pa humbur kohë rreth këtij mesazhi thelbësor për fatin e integrimit të Shqipërisë në Europë dhe për rolin përbashkues që duhet të luajë Tirana zyrtare në marrëdhëniet me faktoret politikë shqiptarë në Kosovë, Maqedoni dhe në trevat e tjera.
Ta lexojë jo si një mesazh rutinë por para së gjithash si një këshillë ndihmuese dhe qortuese për startin plot qëndrime përçarëse e konfliktuale të zotit Rama në detyrën e tij si kryetar i këshillit të Ministrave.
Zoti Rama i shpalli luftë opozitës në daljen e tij të parë në foltoren e Kuvendit, duke provokuar largimin e saj nga seanca.
Një ditë më pas provokoi braktisjen e Kuvendit të Kosovës nga opozita e Kosovës me qëndrimet e tij ideologjike përçarëse të stampës së vjetër ndaj figurës së ndritur të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova.
Në harkun e njëzet e katër orëve provokoi braktisje nga dy opozita kombëtare, një rekord që nuk e ka asnjë kryeministër.
Në vend që të nxirrte mësime përgjatë debatit parlamentar, zoti Rama e thelloi më tej luftëshpalljen ndaj opozitës me deklaratën e tij paprecedent se opozita nuk ka parë akoma se ç’është dhuna, deklaratë nga e cila nuk është tërhequr ende.Në vrapin e tij drejt godinës së qeverisë, akoma pa u tharë boja e firmës së betimit para Presidentit të Republikës, nxitoi të hiqte portretin e tij në shkelje flagrante dhe përçarëse të Kushtetutës, etikës, dhe bonsensit.
Kjo nuk është rruga për të shkuar në Europë.
Shqiptarët nuk harrojnë se Edi Rama bllokoi integrimin e vendit si opozitar kundër qeverisë.
Me veprimet konfliktuale dhe përçarëse që po kryen ai po rrezikon të bllokojë përsëri, kësaj radhe si qeveritar kundër opozitës.
Lulzim Basha: Rama dështoi, kthehemi të shtunën në Parlament
Kryetari i PD Lulzim Basha ka garantuar se deputetët demokratë dhe aleatët e tyre do të jenë ne Parlament të shtunën për ti kujtuar Kryesocialsitit çdo përgjegjësi dhe premtim të trumbetuar gjatë fushatës. Në një komunikim me mediat pas një takimi të zhvilluar me grupin parlamentar dhe kryetarët e partive aleate, Basha tha se largimi i sotëm nga Kuvendi ishte një përgjigje civile e opozitës kundër gjuhës së urrejtjes dhe mllefit të Kryesocialsitit Rama.
“Ndërsa pritej të prezanonte programin, në mënyrë të papreçedentë Kryeministri përdori foltoren e parlamentit për të lançuar një gjuhë urrejtje ndaj opozitës. Ky nuk është një akt i izoluar por vjen në vazhdimësi pas vendimit të djeshëm për t’i mohuar opozitës transparencën e programit. Nga njëra anë kemi të bëjmë me një mendësi të vjetër, por që rikthehet fuqishëm, si i vetmi aspekt i Rilindjes. I siguroj qytetarët shqiptarë se PD mbetet tërësisht e përkushtuar ndaj kauzës së tyre legjitime, për të dëgjuar çdo moment llogaridhënien transparente nga zgjedhjet. Për të marrë në mënyrë të plotë përgjigje që janë në vëmendjen e gjithsekujt. Se kur, si, dhe sa vende pune do të krijohen në muajt në vijim, sa kushtojnë legalizimet falas, sa është fatura për shëndetësinë falas dhe kur do të fillojë? Se si 95% e shqiptarëve do të lirohen nga barra e taksave, sa është kostoja dhe kush do ta paguajë, kur do të hiqet TVSH për shportën bazë, etj?”- theksoi Basha.
Sjelljen e sotme të Kryeministrit të ri, Basha e cilësoi si të vetmen alibi për tu ikur përgjegjësive dhe premtimeve të bëra në fushatë.
“Ishte e vetmja alibi për ti ikur asaj që sot priste gjithë Shqipëria, programin, objektivat, shpjegimin e rrugës sesi do të arrihet deri aty. Grupi parlamentar i PD refuzon këtë gjuhëurrejtje, por në asnjë mënyrë kjo nuk duhet të merret si bojkot. Sot ai dështoi plotësisht në paraqitjen e programit qeverisës, ai ia doli vetëm të kthejë në skenë gjuhën e mllefit, urrejtjes, përbaltjen e kundërshtarit politik. Kjo gjuhë nuk do të tolerohet më nga PD dhe aleatët e saj. Të shtunën grupi paralmentar i PD do të zbërthejë një nga një dështimet spektakolare të dhe do kërkojë përgjigje për të gjitha çështjet, pyetjet e mohuara sot me aktin e ulët të tij në foltoren e Kuvendit” deklaroi Basha.
Por ndërsa largimin e sotëm të opozitës e konsideroi një akt civil në përgjigje të provokimit nga Kryeministri Rama, Basha garantoi se PD dhe aleatët e saj nuk do të tolerojnë me asnjë veprim të këtij lloji, duke paralajmëruar se çdo akt tjetër provokimi do të marrë përgjigje proporcionale dhe të plotë.
“Duke i ikur me turp përgjegjësisë ai zgjodhi të provokonte opozitën. Pasnesër do ta na ketë përballë për ti kujtuar se ka përgjegjësi për premtimet e bëra, s’do ti japim qetësi asnjë minutë, sikundër s’do lejojmë gjuhën e urrejtjes. Sot mori përgjigje civile, nëse kjo do të vazhdojë nesër do të këtë një përgjigje proporcionale” përfundoi ai.
Punë të mbarë Kuvendit të ri të Shqipërisë!
Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar/
*Basha: PD, opozitë e fortë, moderne, profesionale, bashkëpunuese për çështje madhore të vendit/
* PD, mbrojtëse e vendosur e lirive, të drejtave dhe gjithë arritjeve demokratike në vend/
* PD, monitorim të rreptë premtimeve të mazhorancës, kush tërhiqet nga premtimet, duhet të përballet me pasojat/
Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike!
Në vigjilje të çeljes së legjislaturës së re parlamentare, dëshiroj t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju uroj punë të mbarë në Kuvendin e ri të Shqipërisë që fillon punimet sot pasdite.
I dashur dhe i nderuar, zoti kryeministër, Berisha!
Të dashur miq, ministra!
E ndiej si një obligim timin, t’ju shpreh sot, me rastin e paraqitjes së dorëheqjes së qeverisë Berisha, falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë, në emër të Partisë Demokratike dhe gjithë anëtarësisë së saj, për kontributin tuaj të shquar në qeverisjen e vendit, në periudhën 2005-2013.
Jam i bindur se me këtë falënderim dhe mirënjohje tonën, bashkohen sot të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, të gjithë mbështetësit e saj, të cilët kanë arsye të ndihen krenarë për arritjet historike të qeverisë “Berisha”. Por besoj se sot, falë një kulture të re demokratike që po përhapet çdo ditë në Shqipëri, mirënjohjes dhe falënderimeve tona u bashkohen edhe ata që për arsye të ndryshme, e panë të arsyeshme t’i jepnin një mundësi alternativës së kundërshtarëve tanë.
Askush nuk mund të harrojë se qeveria “Berisha” është qeveria që anëtarësoi vendin në NATO, qeveria që hoqi vizat dhe bëri realitet ëndrrën e lëvizjes së lirë, që hoqi vendin nga lista e rekordeve të zeza të korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar, që rriti rrogat dhe pensionet, që evitoi reçensionin në kohën e krizës globale, që shtroi trasenë e Shqipërisë së zhvilluar, moderne dhe europiane, me rrugë që nuk i ka njohur historia e këtij vendi, me 24 orë energji, shkolla, ujësjellës dhe spitale të reja, që futi Shqipërinë në moshën dixhitale, që u përkushtua si kurrë më parë në zgjidhjen e çështjes kombëtare, pavarësimin e Kosovës dhe njohjes së saj, që përafroi më shumë se asnjë tjetër, integrimin e vendit në BE, që nënshkroi MSA, që e zbatoi atë dhe reformat shoqëruese, që aplikoi për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE dhe që meritoi rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, për marrjen e statusit kandidat, që udhëhoqi me vizion, kurajo dhe vendosmëri procesin e vështirë të konfirmimit të gazsjellësit Trans – Adriatik.
Qeveria “Berisha” është e do të mbetet një histori e pakrahasueshme suksesi, në historinë njëqind vjeçare të shtetit shqiptar. Qeveria “Berisha” është e do të mbetet gjithashtu një vlerë dhe një trashëgimi shumë e çmuar e Partisë Demokratike. Ata që kanë ardhur sot në pushtet dhe qeveritë demokratike që do të vijnë nesër, do të duhet t’i bëjnë llogaritë me bilancin e saj.
Unë jam krenar që kam qenë për gjashtë vjet me radhë, pjesë e kësaj qeverie. Arritjet e saj janë sot pjesë e përgjegjësisë sime, pjesë e përgjegjësisë së mbarë Partisë Demokratike, për një fillim të ri drejt një suksesi të ri. Në këtë sfidë të rëndësishme, ju dhe gjithë zyrtarët e tjerë të lartë të Partisë Demokratike që përmbushën detyra të rëndësishme publike dhe shtetërore këto tetë vjet, do të jenë pa dyshim pararoja e një opozite të fortë, ballore dhe moderne, në radhë të parë në Parlament, por edhe jashtë Parlamentit.
Ne vijmë nga një përvojë e çmuar e qeverisjes, që na ka mësuar shumë të gjithëve. Ne i kemi potencialet të bëjmë opozitën më efikase që ka njohur vendi. Ne jemi demokratë. Ne i përkulemi pa apelim, votës së lirë të popullit. Ne e dimë se rrotacioni i pushtetit është një dhunti dhe atribut jetëdhënës i demokracisë. Për këto arsye dhe për faktin tjetër të gjithëpranuar, se zgjedhjet e lira janë mjeti për ta lënë dhe jo vetëm për ta marrë pushtetin, ne e kemi pranuar dhe përjetuar si demokratë, këtë zhvillim në jetën e vendit.
Ne shpalosim legjitimisht meritat e qeverisë sonë, në përmbushjen e detyrave që ka qeveria, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve më të mira që ka njohur vendi. Ne shpalosim legjitimisht vlerat e kalimit të rregullt e të përgjegjshëm të pushtetit.
E gjithë kjo nuk na pengon aspak, të shohim drejt në sy, sot dhe në ditët në vijim, parregullsitë dhe interferimet antiligjore të ish–opozitës, në procesin ligjor. Për herë të parë, kemi parë një opozitë që ka vjedhur e blerë vota, për të tjetërsuar rezultate. E gjithë kjo nuk do të na pengojë gjithashtu, të shohim me realizëm, në funksion të reflektimeve pozitive dhe korrigjimeve të domosdoshme, defektet, të metat dhe gabimet tona, shkaqet subjektive të rezultatit, përtej konsumimit objektiv prej pushtetit dhe përtej deformimeve nga vjedhja dhe blerja e votës prej kundërshtarëve tanë.
Së bashku do t’i bëjmë këto detyra. Me gjithë demokratët dhe me ata që po vijnë e do të duan të vijnë në partinë tonë të madhe. Unë kam kënaqësinë, t’ju uroj sot të gjithëve mirëseardhjen në selinë e re, prej nga do të nisë sfida jonë e re.
Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike!
Ky është Grupi i ri Parlamentar i Partisë Demokratike. Bashkë me aleatët tanë, kjo këtu është opozita parlamentare e Shqipërisë. Unë besoj se kjo fjalë thotë shumë, për çdo shqiptar. Ajo ka një tingëllim të veçantë, epik dhe heroik do të thosha, në historinë e shtetit shqiptar. Në periudha të caktuara të kësaj historie, opozita parlamentare ka qenë kultura dhe klasi i Shqipërisë. Me ardhjen e komunizimit, opozita parlamentare u bë simbol i martirizimit dhe persekutimit më të egër. Me hapjen e vendit, pas vitit 1991, opozita parlamentare ka qenë në momentet më të mira, simbol i shpresës dhe rojtare e pazëvendësueshme e demokracisë.
Gjithë kjo histori, është sot pjesë e vetëdijes dhe përgjegjësisë sonë, për misionin e ri që po marrim si opozitë, mision i cili në shoqërinë e hapur, është po aq i lartë, i rëndësishëm dhe jetik, sa edhe qeverisja. Ne jemi krenarë, sepse jemi partia që e ka themeluar opozitën parlamentare në Shqipërinë postkomuniste, pluraliste.
Në periudhën 1991-1992, ishte grupi parlamentar i partisë sonë, që me guxim, vendosmëri dhe vizion të ri demokratik udhëhoqi përpjekjet, për t’i dhënë shprehje në rrafshin kushtetues e ligjor, përmbysjes së madhe të dhjetorit 1990, duke përgatitur terrenin për fitoren e madhe të 22 marsit 1992.
Nga viti 1997 deri në vitin 2005, grupit parlamantar demokrat i ra barra të mbante gjallë dhe ndezur pishtarin e opozitarizmit, në një periudhë të karakterizuar nga revanshizmi i egër neokomunist, me një qeverisje të rekordeve të zeza, ku ngritja e korrupsionit në sistem dhe kapja e shtetit nga krimi i organizuar kishin njollosur imazhin e vendit dhe dërrmuar shpresën për zhvillim dhe integrim. Opozita parlamentare e Partisë Demokratike mbijetoi dhe doli fuqishëm në rolin e saj, duke ndezur shpresën për ndryshim.
Sot, në një Shqipëri të zhvilluar dhe të përgatitur për shpërthime të reja zhvillimore, falë qeverisjes sonë tetëvjeçare dhe reformave liberale në veprim, ne fillojmë një opozitë të re, përballë një shumice që është votuar me një program antireformist, populist dhe etatist, tipik për të majtat e vjetra asistencialiste të viteve gjashtëdhjetë, të tejkaluara prej kohësh nga të majtat e reja europiane.
Ne duam ta njoftojmë sot këtë shumicë dhe qeverinë e saj, dhe ky është një lajm i mirë, në mos për ta, për publikun shqiptar, se duke filluar nga sot e deri në ditën e fundit të Kuvendit që ka dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, ata do të kenë përballë grupin parlamentar të Partisë Demokratike; do të kenë përballë një opozitë të fortë, moderne; profesionale, bashkëpunuese për çështje madhore të vendit; kontrolluese e përditshme e akteve të qeverisë; verifikuese e rreptë e premtimeve të saj; kritikuese e të metave dhe gabimeve të saj; denoncuese e korrupsionit; abuzimeve dhe shkeljeve eventuale të saj; mbrojtëse e vendosur e lirive, të drejtave dhe gjithë arritjeve demokratike në vend; një opozitë propozuese dhe shpresëdhënëse që do të avancojë vazhdimisht alternativën e saj të qendrës dhe qendrës së djathtë.
Ne kujtojmë sot, se Partia Demokratike lindi si parti e vokacionit perëndimor të shqiptarëve. Në koherencë me këtë vokacion, që është adn-ja jonë politike, ne nuk do të bllokojmë siç mjerisht dhe botërisht bëri Edi Rama e të tijët, me bllokimin e statusit. Përkundrazi, ne do të jemi protagonistë, për të gjithë çëshjet e integrimit europian të Shqipërisë, duke filluar me marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti e duke vazhduar me tërë procesin e anëtarsimit, me titull të plotë të vendit në BE.
Qytetarëve shqiptarë u deklarojmë sot, konsensusin tonë pa kushte, për çdo ligj dhe akt që shkon në favor të integrimit europian të Shqipërisë. Ne njoftojmë gjithashtu bashkëpunim konstant dhe mbështetje nga deputetët tanë, në komisionet përkatëse dhe në aulën e Kuvendit, për të gjitha obligimet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për marrëdhëniet e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, për politikat e paqes në rajon, për bashkëpunimin e veçantë, në dritën e politikave të reja integruese me Kosovën, etj.
Përvojën e fituar në qeverisje, e konsiderojme një anvantazh të madh të grupit tonë parlamentar. Deputetët tanë do të garantojnë shqyrtimin profesional dhe ekspertizën me të thellë të çdo ligji dhe akti të qeverisë, të çdo dokumenti parlamentar.
Ne do të jemi të hapur, për çdo nismë verifikuese të akteve të qeverisë sonë nga shumica e re. Ministrat tanë na kanë dhënë të parët, shembullin e kësaj gatishmërie domethënëse, gjë që tregon se nuk kemi asnjë shqetësim nga trasparenca, përkundrazi, kush do të ketë nevojë dhe kohë të merret me konçensionet e qeverisë sonë fjala vjen, e para dhe e fundit gjë që do të zbulojë, do të jenë akuzat e pabaza, spekullimet dhe shpifjet e parreshtuara që ish – opozita ka adresuar kundër ministrave të Partisë Demokratike.
Duke ofruar këtë gadishmëri, grupi ynë parlamentar dhe Partia Demokratike do të përdorin të gjitha mjetet demokratike, për të mos lejuar zhbërjen e produktit të reformave që janë ndërmarrë gjatë viteve të qeverisjes sonë, në ekonomi, arsim, administrim, etj.
Një prioritet i grupit tonë do të jetë monitorimi ditë për ditë i premtimeve që shumica e re u ka bërë zgjedhësve, kundrejt votës që u ka kërkuar. Dëshiroj ta garantoj në emrin tuaj qeverinë e re, se ne nuk do t’i japim paqe asnjë minutë, për sa u takon mbajtjes prej saj të premtimeve. Këtë e konsiderojmë jetike, për të mos lejuar nëpërkëmbjen e dinjitetit të qytetarëve si dhe për kulturën e seriozitetit dhe përgjegjësisë që duhet të kultivojmë në raportet e politikës me publikun. Kush tërhiqet nga premtimet, duhet të përballet me pasojat.
Dua të theksoj me këtë rast, se nuk do të jemi opozita e baltës, e spekullimeve, shpifjeve apo dhunës verbale. Do të jemi opozita e fakteve, opozita e gjykimeve të shëndosha, opozita e arsyes. Ne do t’i përmbahemi vlerave të guximit, etikës dhe klasit që karakterizon kulturën politike të qendrës së djathtë.
Ndërkaq, të nderuar miq, ne nuk do të jemi një opozitë akademike apo libreske që vepron vetëm në aulat dhe anekset e Kuvendit të Shqipërisë. Opozita jonë parlamentare do të jetë popullore dhe publike. Deputetët tanë do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me zgjedhësit, jo vetëm me ata që na kanë votuar, por me të gjithë zgjedhësit pa përjashtim, që do të duan të qajnë një hall, të ngrenë një shqetësim, të propozojnë një zgjidhje. Grupi ynë parlamentar do të jetë në çdo seancë, zëri i drejtë, realist dhe i fuqishëm i Shqipërisë opozitare në Kuvendin e Shqipërisë.
Ne duam të bëhemi një shkollë e opozitarizmit në vend, me synimin që kultura e mospajtimit me të keqen në një anë dhe ajo e solidaritetit dhe pozitivizmit në anën tjetër, të bëhen gjithnjë e më shumë një zakon i mirë i komunitetit dhe mbarë popullit shqiptar.
Jo vetëm në këtë aspekt, por para së gjithash në fushën e politikave të zhvillimit, që janë pasioni ynë i madh, ne do të jemi gjithashtu një opozitë alternative, propozuese, ndërtuese. Për këtë, departamentet e Partisë Demokratike do të jenë në dispozicion të grupit parlamentar, në bashkëpunim të ngushtë me të.
Të dashur miq!
Koha ka treguar se opozitarizmi dhe qeverisja janë dy talentet e spikatura të Partisë Demokratike. Pas tetë vjetësh në qeverisje të suksesshme, kthehemi të fillojmë sot opozitën e tretë në harkun e pak më shumë se dy dekadave në demokraci. Në këtë edicion, Kuvendi do të jetë arenë primare e opozitarizmit tonë. Grupi parlamentar do të jetë pararoja e udhëtimit që fillojmë sot, për tu bërë sërish shumicë qeverisëse nesër.
Edhe një herë, punë të mbarë të gjithëve!
Punë të mbarë Kuvendit të ri të Shqipërisë!
9 shtator 2013