• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYEHEROI ADEM JASHARI DËSHMON DIFERENCAT POLITIKE E PUBLIKE TË LULZIM BASHËS ME EDI RAMËN

November 28, 2013 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

Në ditën e sotme të 101 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, teksa kryebashkiaku i Tiranës e lideri i PD e i opozitës së djathtë në opozitë, politikani i ri Lulzim Basha, po bante homazhe në Memorialin e Adem Jasharit,(foto 1) po mendoja se burrat e shtetit të çdo kohe e të çdo moshe përveçohen e lartohen si të tillë në karierën e tyre politike e publike edhe nga sjellja shpirtërore e jetësore në gjithanshmëri e vazhdimësi ndaj figurave emblematike të kombit. Kjo duket kjart në koft se iu bën një përballje krahasimore Edi Ramës e Lulzim Bashës me qëndrimin e tyre ndaj kryeheroit të Pavarësisë së Kosovës, legjendarit Adem Jashari.

Edi Rama, prej shtatë vitesh kryebashkiak i Tiranës e prej dy vitesh kryetar i PS e përuroi më 28 nëntor 2006 Bustin e vogël të Adem Jasharit në Rrugën e Durrësit, në anë të Bllokut të Ambasadave, (foto 2) të Cilin edhe në vizitën e parë kryeministrore në Prekaz, në shtator 2013, e cilësoi si “frymëzim e motiv për rilindje”. Kjo vepër e Skulptorit të Popullit, Thoma Dhamo, qëndroi aty, ashtu, për mbi gjashtë vite. Në 100 vjetorin e Pavarësisë, Lulzim Basha, prej dy vitesh kryebashkiak i Tiranës e, aktualisht, kryetar i PD e koalicionit të Opozitës së Djathtë, i dha përmasat meritore Adem Jasharit duke ia naltue një shtatore të madhe e të bukur, vepër e të shquarit Skulptor i Popullit, Muntaz Dhrami (foto 3). Një bust kaq i vogël për një burrë kaq të madh si Adem Jashari nuk e justifikon Edi Ramën, një piktor kariere, një pedagog të Institutit të Lartë të Arteve, një ish ministër i Kulturës në tre mandate qeverisëse, kryebashkiak me dy mandate, kryetar i ma të madhes parti të majtë në opozitë(!)

Edhe diçka tjetër dëshmon diferenca të ndjeshme të Lulzim Bashës ndaj Edi Ramës. Kryebashkiaku Edi Rama një muaj para përurimit të bustit të Adem Jasharit doli me vendim të këshillit bashkiak për ngritjen e tij, ndërsa kryebashkiaku Lulzim Basha, më 28 nëntor 2011, gjatë homazheve tek memoriali i Adem Jasharit (foto 4) premtoi publikisht se do të ngrinte një shtatore. Plot një vit kohë dhe ajo u përurue në 100 vjetorin e Pavarësisë.

Një tjetër dallim madhor: Edi Rama e kreu ceremonialitetin e përurimit të bustit me pjesmarrje pothuaj partiake. Nga Tirana zyrtare ishin kryebashkiaku Edi Rama, njëherash kryetar i PS, Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes e kryetar i PR, ndërsa nga Kosova një delegacion i PDK i kryesuar nga kryetari i saj Hashim Thaçi e Fatmir Limaj (nënkryetar), Jakup Krasniqi (sekretar i përgjithshëm), Xhavit Haliti e Ramë Buja, antar kryesie. Lulzim Basha, në përurimin e shtatores së Adem Jasharit, më 27 nëntor 2012, siguroi një pjesmarje mbarëkombëtare e mbipartiake: kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, etj.; nga Kosova: presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, etj.; nga familja e Jasharave, Rifat Jashari, vllai i heroit; nga Maqdonia: kryetari i BDI, Ali Ahmeti, etj.; nga Lugina e Preshevës, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, etj; përfaqësues nga shqiptarët e Malit të Zi dhe nga diasporat shqiptare në botë.

Sivjet, Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës e i Partisë Demokratike, në Ditën e Pavarësisë,në këtë 101 vjetor,  bani prapë homazhe tek shtatorja madhështore e Adem Jasharit. Është një ritual i tij i përvitshëm qyshse kur u zgjodh kryebashkiak i Tiranës, është nderim e mirënjohje për Adem Jasharin e UÇK-në, është vet ndërgjegjia e përkushtimi kombëtar i tij. Krejt ndryshe ngjet me Edi Ramën ndër vite: kur ishte kryetar i bashkisë së kryeqytetit, kryetar i socialistëve e i opozitës së majtë, kryeministër i Shqipërisë, që pas përurimit të bustit u pa aty vetëm një herë.

Në të njëjtin vit, më 1998, Edi Rama kthehet nga Parisi e bahet ministër i Kulturës, ndërsa Lulzim Basha nga Hollanda shkon në Kosovë, në UNMIK-un e OKB-së. Faktikisht Lulzim Basha është nga të parët e të vetmit liderë shqiptar që iu dha kënaqësia e mundësia të shkonte shpesh në Prekaz të Drenicës, edhe para se të ndertohej tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, pasi  deri në fundvitin 2004 ishte në Prishtinë. Edhe Edi Rama ka shkue disa herë tek varri i Adem Jasharit, qyshse më 28 nëntor 2008. Po të marrim në krahasim vizitat e tyre të fundit: Lulzim Basha ishte me 12 qershor 2013 në Kosovë, kur iu dha titulli i lartë “Qytetar Nderi” i Prishtinës dhe Medaljen e Artë “Shkëlzen Haradinaj” në Deçan, bani vizita tek varri i Adem Jasharit e Ibrahim Rugovës, tek Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë e në Gllogjan të Deçanit, tek busti i dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti. Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Kosovë më 13 shtator 2013 foli në Kuvendin e Kosovës po nuk e përmendi Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin, ndërkohë që në fillniset e përmbyllet me Rexhep Qosjen, pati takime me liderët e Kosovës, po bani vizita vetëm tek varri i Adem Jasharit dhe i Ibrahim Rugovës. Ndaj kur fjalatha tek varri i Adem Jasharit se Prekazi është frymëzim e motiv për rilindje, duket se është ma së shumti demagogji

Mendimi, qëndrimi e veprimi edhe ndaj Adem Jasharit është një nga treguesit që dëshmon se çfarë diference të madhe kanë ndërveti Lulzim Basha me Edi Ramën, se cili është portreti e pushteti real i tyre, se cilët janë parametrat e tyre politik e publik si burrshtetas të rinj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Adem Jashari, Lulzim Basha, Ramiz Lushaj

Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla

November 21, 2013 by dgreca

Nga Lulzim BASHA/

Këtu ku sot jemi mbledhur, për t’i dhënë përshëndetjen e fundit Sokol Olldashit, do të donim të mos vinim kurrë.
Në këtë humbje kaq tragjike dhe kaq të parakohshme, të gjesh fjalët e duhura për mikun, për shokun dhe liderin e shumë betejave politike dhe njerëzore, është shumë e vështirë.
Sepse sot, të gjithë së bashku, jemi duke jetuar një makth të tmerrshëm dhe të pabesueshëm.
Na duket sikur nga çasti në çast, do të zgjohemi nga ky makth dhe nga kjo gjëmë e papritur. Nuk na besohet dot të mos e shohim Sokolin gjithnjë në këmbë, gjithnjë në krye, me pamjen e tij të vendosur e të hijshme, me buzëqeshjen e tij të rrallë, ku çiltërsia rinore u kishte rezistuar për mrekulli  viteve të moshës së burrërisë dhe pjesëmarrjes së zjarrtë në sa e sa beteja politike.
Si bashkëpunëtor, si koleg dhe si kryetar i Partisë Demokratike, e kam unë sot këtë barrë kaq të rëndë, që të përcjell bashkë me ju, me lotë dhe dhimbje dhe mundësisht edhe me fjalët e duhura, Kolin tonë të dashur.
Zoti na është dëshmitar që do të donim me gjithë forcën që njeriu ndryn në shpirt, që kjo e sotmja të mos ish një ditë e vërtetë.
Do të donim të mblidheshim sot, kaq shumë sa jemi mbledhur, për të festuar datëlindjen e tij, apo një gëzim tjetër familjar, gjithçka tjetër, vetëm e vetëm që të mos na nxjerrë goja të themi:
Se Sokolin nuk do ta kemi më midis nesh!
Sepse Sokoli, ashtu si edhe e ka emrin, ishte dhe është një luftëtar, një Sokol i paepur i shumë betejave, jo vetëm politike, por mbi të gjitha e në radhë të parë i betejave njerëzore. Për një Shqipëri më të mirë dhe për një Shqipëri ndryshe, europianiste, krenare dhe të çliruar nga prapambetja.
Sokoli shkëlqeu si gazetar politik e opozitar i paepur, ku për vite të tëra, ndër më të vështirat për Partinë Demokratike, ai çmontonte dhe denonconte intrigat politike që tkurreshin kundër nesh dhe u jepte kurajo radhëve tona.
Na jepte kurajo kur ishim në pakicë dhe kur forca të errta kërkonin me çdo kusht të na zhbënin si forcë politike e të mirës dhe si ndërtimtare të Shqipërisë europiane.
Sepse, ai e dinte që në moshën 18-vjeçare si bashkënismëtar i lëvizjes së Dhjetorit, se misioni dhe roli i Partisë Demokratike, ishte një mision i madh, i patjetërsueshëm dhe i shenjtë.
Sokoli përjetoi një fëmijëri të trazuar për shkak të persekutimit absurd dhe kriminal që Diktatura i bëri familjes së tij.
Por jeta e tij shoqërore dhe politike, dëshmoi se ai e kish bërë një betim, një betim që e mbajti të gjithë jetën e tij:
Të luftonte për të drejtat demokratike të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, që askush më të mos persekutohej dhe të vuante si vuajti ai dhe familja e tij.
Dhe ne jemi sot këtu për të premtuar përmes dhimbjes dhe lotëve, se betimi yt Sokol, është edhe betimi ynë!
Për aq sa do të kemi frymë dhe jetë!
Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim me Partinë Demokratike, në ditë të këqija e në ditë të vështira. Me profilin, kurajën dhe vizionin e veçantë të liderit, me forcën dhe këmbënguljen e një burri me vullnet të madh, por me buzëqeshje të dlirë dhe të pastër rinore.
Shqiptarët e përqafuan këtë mirësi dhe forcë që buronte nga shpirti i tij, duke e votuar masivisht katër herë rresht për deputet të Kuvendit të Shqipërisë, si djalin dhe misionarin e tyre.
Në këtë dhimbje kaq të rëndë që na hape o miku dhe vëllai ynë, pasionant i poezisë, artit dhe muzikës, mjeshtër i fjalës dhe i debatit, parlamentar i dimensionit të guximit, ministër vullnethekurt, baba, bashkëshort, djalë dhe vëlla i pazëvendësueshëm, na krijove një brengë të pashërueshme.
Përulemi thellë në këtë trishtim dhe në këtë zymtësi të papërshkrueshme që vdekja jote na shkaktoi. Në këtë traumë të rëndë që mungesa jote na shkakton deri në kockë.
Por je dhe do të jesh gjithmonë për ne, impuls dhe forcë, një zë i dashur dhe një mik i përjetshëm, një deputet i shtrenjtë i popullit tonë, një djalë dhe një baba i pazëvendësueshëm.
Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla.
U prefsh në paqe!

Filed Under: Featured Tagged With: Lamtumire vella, Lulzim Basha, sokol Olldashi

PROTESTA E PARTISE DEMOKRATIKE

November 11, 2013 by dgreca

Lulzim Basha: Treguam se jemi europianë, do mbajmë gjallë kauzat e demokracisë/

Ndërsa ishte e para protestë në drejtimin e tij si kreu i partisë më të madhe opozitare, por dhe e para për PD pas 8 vitesh pushtet, Lulzim Basha, ka gjetur rastin të falenderojë qytetarët që iu bashkuan sot marshimit protestë të opozitës kundër blerjes së votës, si fenomeni më i rrezikshëm për demokracinë. Përmes faqes së tij zyrtare në Facebook, Basha shpreh vendosmërinë e opozitës për të mbajtur gjallë kauzat e mëdha të demokracisë dhe ëndrrën europiane të Shqipërisë.

“Jam shume i entuziazmuar dhe madje i befasuar nga pjesmarrja e kaq shumë prej jush në protesten që bëmë sot kundër shitblerjes së votës, nga mbështetja e jashtëzakonshme që i dhatë dhe keni vendosur ti jepni në vazhdimësi betejës sonë për shpëtimin dhe mbrojtjen e votës së lire, si gur themeli për gjithë ngrehinen tone demokratike, pa të cilen nuk do të kishte Shqipëri europiane, nuk do të kishte shpresë dhe asgje, nuk do t’ia vlente as të jetoje, sic thotë filozofi dhe politologu i njohur Izajak Berlin.E dija se zeri i protestës popullore do te ishte prezent sot në bulevardin “Deshmorët e kombit:”, e dija se shpirti i revoltës së njerëzve të lirë e të ndershëm do të shpërthente, por masiviteti i pranisë tuaj në një të hënë me shi ishte përtej pritshmërisë. Vota e lirë u godit keqazi në Korcë nga një skote manipulatoresh pa asnjë skrupull. Erdhet ju sot, u derdhët ju sot ne protestën tone për ti dale zot votës së plagosur, për ta ngritur në këmbë, për të dëshmuar se zgjedhjet e lira janë parasëgjithash një punë e popullit. Ju dhe mijëra e mijëra të tjerë që nuk ishin fizikisht me ne për arsye të ndryshme, por ishin dhe janë pjesë e kauzës se madhe të zgjedhjeve të lira treguar se njerezit e lirë nuk i dorëzojnë zgjedhjet e lira.Ne treguam sot se jemi europianë, dhe për këtë nuk na pengoi as koha e keqe, as shiu i fundvjeshtës.Shumë faleminderit për mbështetjen dhe ju siguroj se sado arrogante, e shurdhër dhe jollogaridhënëse të jetë qeveria, ne do të arrijmë të mbajmë gjallë kauzat e mëdha të demokracisë, do të mbajmë gjallë ëndrrën europiane të Shqipërisë” thekson Basha.

Më herët edhe ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi një proteste historike, pasi sipas tij “kurrë ndonjëherë në një afat kohor vetëm disa javë pas zgjedhjeve, opozita nuk ka mundur të organizojë një protestë kaq madhështore, që dëshmon revoltën e qytetarëve shqiptarë ndaj vjedhjes së votës së qytetarëve nga qeveria”.

Për Berishën, pjesëmarrja masive e qytetarëve dëshmon rritjen e shpejtë të pakënaqësisë së tyre ndaj qeverisë Rama- Meta.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Lulzim Basha, Protesta e PD

A PO E DJEGIN SALI BERISHA DHE KLANET E PD-së LULZIM BASHËN!

November 6, 2013 by dgreca

Lulzim Basha, në fakt, është një nga figurat e pakta në PD me plot shanse që t’ia kthente emrin e mirë PD-së, të kohës së idealeve demokratike të 22 marsit 1992, si një parti e qendrës së djathtë, me një elektorat të gjërë antidiktaturë./

Opinion nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Është normale që në një parti të tipit Perëndimor, lideri i saj historik të projektojë pasardhësin, fati i të cilit pastaj vendoset sipas parimeve e normave demokratike deri tek verdikti i votës. Si mund të ishte rasti i Lulzim Bashës, të cilit Sali Berisha pas një çerek shekulli timonier, t’i lëshonte vendin. Pas një mijë gabimesh, do të ishte veprimi i parë i tij i drejtë. Por Sali Berisha nuk ka ndër mend të ndryshojë kurs dhe po e përdor Lulzim Bashën si trampolin për t’u rikthyer dhe rimarrë frenat e partisë. Sali Berisha e ka shumë lehtë ta bëjë lolo PD-në, kur të gjithë deputetët ia dinë atij për nder karriken. Dhe për Sali Berishën është shansi i fundit.
Për t’u rithyer në krye të PD-së, Sali Berishës i duhet ta djegë njeriun të cilin, pas disfatës personale të 23 qershorit, e « zgjodhi » si pasues të tij. E vendosa në thojza fjalën « zgjodhi »- sepse në psikën e tij Berisha nuk pranon të ketë një lider më të mirë se vetja. Egocentrizmi, arrivizimi dhe komplekset e së shkuarës nuk kanë lejuar që në PD të ketë vend për njerëz të suksesshëm dhe me integritet, të cilëve Sali Berisha ua ka drojën. Mos hapja e Dosjeve, popullimi i PD-së me ish-Sigurimsa dhe sistemi zgjedhor që i jep liderit të partisë monopolin për të zgjedhur deputetët, është në funksion për të monopolizuar lidershipin e PD-së, të përqëndrimit të pushtetit në duar të njëshit, dmth të Sali Berishës.
Disfata e 23 qershorit me dorëheqjen e Berishës, në vend që të ishte arsye për të reflektuar e për të nxjerrë në pah shkaqet e humbjes, me qëllim gjallërimin e demokracisë inekzistente brenda PD-së, ishte në fakt një fiksion për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga analiza dhe shkaktarët e saj. Sepse po të pranoheshin de jure humbësit dhe shkaktarët e humbjes, largimi i Sali Berishës do të ishte definitiv. Andaj katapultimi i Lulzim Bashës ishte zgjedhje më e mirë që bëri Berisha, por vetëm si një procedurë e përkohëshme e lidershipit historik. Sepse mentaliteti autoritarist i Sali Berishës nuk pranon as rivalë, as konkurencë fair dhe as të lëshojë pushtetin.
Për të realizuar skenarin e rikthimit, Sali Berishës i duhet që figura e Lulzim Bashës të konsumohet shterrshëm në atë farë grade sa të shkaktojë pakënaqësi si në bazë, në instancat e larta të partisë, mundësisht deri tek ndërkombëtarët. Për koincidencë, sot gazetat e Tiranës, botonin inkskenime protestash të PD në rrethe që e kërkojnë prapë liderin historik edhe de jure në krye.
Lulzim Basha, në fakt, është një nga figurat e pakta në PD me plot shanse që t’ia kthente emrin e mirë PD-së, të kohës së idealeve demokratike të 22 marsit 1992, si një parti e qendrës së djathtë, me një elektorat të gjërë antidiktaturë.
Lulzim Basha i takon gjeneratës së re, nuk ka qenë anëtar i PPSH, nuk ka qenë ish-Sigurims, është i arsimuar në Perëndim, me një profil të suksesshëm, i përfshirë në të gjitha projektet më të rëndësishme gjatë dy mandateve qeverisëse të PD-së. Ai ishte ministër Transporti në projektin e Rrugës të Kombit; ishte ministër i Jashtëm gjatë vizitës të Presidentit Bush në Shqipëri dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO; ishte Ministër i Brendshëm gjatë reformave që kërkonte liberalizimi i vizave dhe kandidati i vetëm i PD-së që mundi Edi Ramën për kreun e Bashkisë të Tiranës. Ai është karizmatik, elokuent dhe është i mirëpritur nga faktori ndërkombëtar. Pra Sali Berisha kur e katapultoi, e kishte të qartë se me Lulzim Bashën efekti mediatik do të ishte i plotë, pasi do të thoshin se, të paktën pas disfatës, ai veproi si do të duhej.
Veprimi aktoresk i Berishës për t’ia dorëzuar çelësat e PD Lulzim Bashës është vetëm një manipulim. Sepse Sali Berisha synon rikthimin edhe de jure, dhe sa më të shpejtë. Ai ka dy muaj që e ka provuar shijen e të qenit pa pushtet, pa puthadorë, pa kamera 24 orë nonstop për të shqiptuar retorikën e tij pa proteina dhe pa jetë. Ai e ka shijuar hidhësinë se sa i parëndësishëm është në një shoqëri klienteliste pa norma dhe pa moral, të cilën e ka krijuar vetë.
Por që të ketë rikthim, si kusht sine qua non, atij i duhet që të djegë Lulzim Bashën. Qëllimi i tij bie në rezonancë të plotë me klanet brenda PD-së. Klanet në PD e urrejnë Lulzim Bashën, sepse tek ai shohin konkurentin real, çka përbën rrezik për kolltukët dhe pushtetin e tyre. Aq më tepër, kur Lulzim Basha, që i njeh shumë mirë se sa të pavlerë janë, do ta kishte si objektiv të tij vendosjen e partisë në shina demokratike.
Aktualisht Lulzim Basha gjendet në një pozitë shumë të vështirë. Në njërën anë atij i duhet të vendosë standarte demokratike në një parti që nuk e njeh demokracinë brënda vetes së saj. Pastaj i duhet të mbrojë veten nga Sali Berisha dhe klanet brenda PD-së, të cilët janë bërë të gjithë bashkë me objektivin për ta djegur Lulzim Bashën.
Djegien e liderit të ri ata po e bëjnë për çdo ditë, si mjeshtra diabolikë, duke mediatizuar njollosjen e integritetin e tij. Po të hapni gazetat dhe televizionet për çdo ditë dëgjoni për „aferën e pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës në Vlorë“. – Pra kësisoj Lulzim Basha paraqitet si njeri me lidhje nepotike, që e ka përdorur pushtetin për të përfituar privilegje e pasuri. Nga ana tjetër, në publik, shohim një Lulzim Bashë që ka dalë totalisht nga lëkura dhe nga fjalori i tij. Vokabolari që përdor Lulzim Basha sapo ka marrë në dorë partinë, nuk është i një lideri të qendrës të djathtë, por i një ekstremisti, aventurieri dhe anarkisti, i cili përbën rrezik për sigurinë jo vetëm të vendit, por edhe të rajonit. Sepse, sa herë del përpara kamerave, Lulzim Basha kërcënon me kobure, protesta dhe rebelim kundër një qeverise e cila nuk i ka mbushur dy muaj.
Edhe në daljen më të fundit, me rastin e humbjes të PD-së në Korçë, në vend që të përdoret për reflektuar, duke i denoncuar natyrisht shkeljet, Lulzim Basha akuzon mafien për blerje votash. Po lind pyetja, kjo mafie për të cilën ai flet nuk lindi për 60 ditë, ajo do të duhet të jetë fuqizuar pikërisht gjatë qeverisjes 8 vjeçare të PD-së. Pastaj pretendimi që ka PD është vetëm për efekte propagande, sepse unë jam dëshmitare se, sa herë në Shqipëri ka patur zgjedhje, kemi marrë ftesa për të udhëtuar gratis me avion, si simpatizantë të PD! Këta të PS kanë financuar udhëtimin e me autobuz të studentëve, ndërsa këta të PD-së udhëtimin me avion?! Bëjini llogaritë!
Në këto pozita ndodhet Lulzim Basha. Shumë të vështira. Po të kemi parasysh të gjitha vështirësitë ku ndodhet sistemi dhe shteti ligjor, të cilit do t’i duhej një opozitë dhe një lider opozite me nivel europinist. Lulzim Basha mund të jetë i tillë. Lulzim Basha mund ta bëjë, por nuk e lejon vetë Sali Berisha dhe klanet brenda PD-së, të cilat duan ta djegin, sepse kësisoj do të vegjetojnë brenda degradimit, pa analiza, pa shkaktarë të disfatës, pa shpresa për rimëkëmbje dhe për ringjallje deri në degjenerimin e PD në një parti me katër-pesë deputetë. Nëse nuk do të ketë shkundje dhe pastrim, mos u çudisni, kjo ditë do të vijë…

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Klanet, Lulzim Basha, Sali berisha

BASHA: KONSENSUSI U THYE, TANI FJALEN E KANE QYTETARET

October 2, 2013 by dgreca

Opozita do të flasë tashmë me qytetarët. Në kushtet kur qeveria qëndroi indiferente ndaj thirrjes së opozitës për ligjin e statusit të nënpunësit civil, kryetari i PD Lulzim Basha, pas mbledhjes me parlamentarët demokratë dhe aleatet e PD, deklaroi se është koha që tani të flitet me qytetarët me fakte për mashtrimet elektorale dhe bëmat e kësaj qeverie. Kryetari i PD, Lulzim Basha la të kuptohej se qëndrimi i demokratëve në parlament do të jetë më shumë sesa një debat normal parlamentar mazhorancë-opozitë.

“Ne do flasim me qytetarët, me durim, fakte, argumente do tu tregojmë qytetarëve dhe partnerëve tanë të huaj bëmat që sapo kanë nisur të kësaj qeverie, të qeverisë së zhbërjes që ka mashtruar publikun për ti marrë votat me gjoja rilindje por ka ardhur për të zhbërë e sunduar. Ka ndodhur një ngjarje e paprecedentë parmbrëmë, ai i ka ngulur thikën konsensusit, një vlere që ndërkombëtarët dhe qytetarët e kërkojnë prej vitesh, erdhi ky dhe e zhbëri, nuk e dha konsensusin kur duhet ta jepte dhe vendi humbi satusin për kapriciot e tij, e dha pas pilafit, për ti bërë qejfin aleatit të ri dhe për ti hedhur hi syve publikut për votat” tha Basha.

Qëndrimi i qartë i opozitës pritet të shpaloset në seancën parlamentare të së enjtes.

“I them Ramës e Metës se legjitimiteti nuk mbrohet as me blerje e as me manipulime votash. Nesër në Kuvend ne do ta mbrojmë këtë të drejtë ashtu si i takon një opozite demokratike. Qëndrimi ynë për këtë çështje do të shpaloset ne Kuvendin e Shqipërisë” tha Basha.

Ditën e hënë qeveria mori vendimin për shtyrjen me 6 muaj të hyrjes në fuqi të Ligjit për Nëpunësin Civil, ligj i miratuar më 30 maj në Kuvend me konsensusin e të gjitha partive politike.

 

Fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha:

Rama nuk i dëgjoi thirrjet dhe paralajmërimet tona për të mos e vrarë konsensusin.

Vazhdoi në rrugën e tij, në aventurën e tij të anti-ligjit. Ne nuk kemi asnjë dyshim se kjo është  rruga që do ta çojë atë në greminë. Gjithë shqetësimi ynë si opozitë ka qenë dhe mbetet që ky njeri dhe tarafi i tij politik të mos marrë me vete, në humnerën për ku është nisur, aspiratat e shqiptarëve për integrim europian, qoftë edhe përkohësisht arritjet demokratike të vendit në 22 vite.

Rama zgjodhi të fliste me ne me gjuhën e arbitraritetit të skajshëm. Prej këtij momenti, ne do të flasim me qytetarët. Me durim, me qetësi, me fakte, me argumente do t’u tregojmë orë për orë e ditë për ditë qytetarëve të këtij vendi dhe partnerëve tanë  europianë e amerikanë gjithashtu bëmat që sapo kanë nisur të kësaj qeverie, bëmat e qeverisë së Zhbërjes, që  shihet qartë se ka mashtruar publikun për ti marrë votat me gjoja për Rilindje, por ka ardhur vetëm për të zhbërë, vetëm për të sunduar. Me durim dhe respekt do ti shpjegojmë sërish sot qytetarëve shqiptarë. Ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë dhe e pareçedentë parmbrëmë.

Rama i ka ngulur thikën konsensusit

I ka ngulur thikën një vlere që publiku shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare e kërkojnë  prej vitesh nga partitë dhe politikanët shqiptarë.

Mezi e arritëm.

Erdhi ky dhe e zhbëri.

Nuk e dha konsensusin kur duhet ta jepte, në vjeshtë e vitit 2012 dhe Shqipëria humbi statusin për kapriçion e tij.

E dha pas pilafit, siç thotë populli, në maj të këtij viti, për ti bërë qejfin aleatit të tij të ri, apo për ti hedhur të dy hi syve publikut për vota, në kuadrin e mashtrimeve elektorale gjigandeske, që ne i kemi evidentuar dhe po i bëjmë transparente çdo ditë para qytetarëve.

Por tani, që menduan se e kaluan lumin dhe janë në majë të kalit, duan ta ekzekutojnë. Shikoni me vëmendje:  Asnjëherë  nuk e kanë  parë konsensusin në funksion të integrimit, në funksion të një klime pozitive, në funksion të politikës si interes publik për qytetarët, në funksion të nevojave të vendit, por në funksion të interesave të çastit, të interesave vetjake, meskine e deri diabolike si kjo e pushtimit të administratës publike.

Kjo që  po bëjnë me konsensusin është  padyshim një pabesi burracakësh. Demokratët dhe mbarë opozitarët janë të indinjuar me këtë pabesi. Janë të indinjuar me mesazhin që po përcjell përditë qeverisja e mëngjesit të keq dhe e provokimeve të përditshme të Edi Ramës, i cili po u thotë demokratëve dhe opozitarëve: ne nuk mjaftohemi të qeverisim pa ju! Ne jemi këtu të qeverisim kundër jush. Ka zgjedhur të provokojë.  Ka zgjedhur përplasjen me Kushtetutën dhe Ligjin. Po zgjedh përplasjen me opozitën sot dhe me publikun e gjerë nesër.

Ne i kemi të gjitha potencialet politike, intelektuale dhe njerëzore për të përballuar në çdo moment këtë  etje për përplasje dhe këtë revansh të paparë të Edi Ramës dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij.

Ne i kemi të gjithë potencialet për t’i treguar vendit,  revanshit dhe antiligjit, këtyre vjetërsirave që po kërkon të riciklojë në Shqipërinë e re zoti Rama. Demokratët dhe opozitarët janë në këmbë me ne.

Sot duam ti themi zotit Rama dhe zotit Meta diçka që shpresoj ta ngulisin mirë në mendje: Legjitimiteti nuk mbështetet as në vjedhje votash, as në blerje votash, as në trafik votash. Legjitimiteti është kurdoherë e drejta e popullit Sovran dhe nesër në Kuvend ne do ta mbrojmë këtë të drejtë ashtu siç i takon një opozite dinjitoze dhe demokratike.

 

Filed Under: Politike Tagged With: fjalen e kane qyttetaret, konsensusi u thye, Lulzim Basha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT