Nga Akri Çip-
Sot, në 30 gusht, Mali i Zi do të organizojë zgjedhjet e pesta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006. Për shkak të një sërë faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, rëndësia e këtyre zgjedhjeve ka tërhequr interes të madh në rajon dhe më gjerë. Përpara rreziqeve të theksuara për stabilitetin e Malit të Zi dhe për kërcënimet që mund të lindin nga mungesa e këtij stabiliteti, Shqipëria duhet të ketë një vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve atje.
Kësaj radhe, zgjedhjet në Mal të Zi po mbahen në një kohë kur ka tensione të shtuara ndërmjet qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe. Kjo e fundit, në kundërshtimin e saj ndaj Ligjit për Liritë Fetare të qeverisë aktuale ka kaluar në një sërë qëndrimesh destabilizuese dhe një ofensivë të mirëfilltë politike. Një sërë protestash disa mujore kanë kapluar vendin, nën orientimin dhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të klerit.
Presidenti Gjukanoviç është në përmbyllje të dekadës së tretë në pushtet, por alternativa politike inekzistente ka sjellë një situatë të komplikuar për demokratizimin e vendit dhe për rotacionin politik. Nësë shumë votues malazezë, duke përfshirë edhe votues të Gjukanoviç dhe të partisë së tij, janë kritikë me qeverisjen, nivelin e korrupsionit dhe me shtetin e kapur, nga ana tjetër përballen me një opozitë malazeze të dominuar nga ndjenjat pro-serbe që vë në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit. E ka theksuar jo pak këtë gjë kryeministri aktual Dusko Markovic, i cili i ka etiketuar si kërcënim për pavarësinë e vendit mbajtësit e flamujve serbë në protestat e këtyre muajve.
Në këto kondita erdhi dhe mbështetja e hapur publike e kryeministrit Rama për presidentin Gjukanoviç dhe partinë e tij. Kryeministri shqiptar theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme për fqinjin tonë dhe ofroi një mbështetje bujare ndaj presidentit malazez, pavarësisht se emri tij nuk është në fletën e votimit këtë fundjavë. Por, teksa konteksti aktual nuk lë dyshime për faktin se cili rezultat zgjedhor në Mal të Zi i shërben stabilitetit të vendit dhe të rajonit, vetë shprehja e kësaj mbështetjeje lë vend për pikëpyetje dhe mbart në vetvete elementin e të panevojshmes.
Pavarësisht mesazhit të Kryeministrit Rama, efekti elektoral i kësaj mbështetjeje është thuajse inekzistent. Pak kush mund të besojë se videoja e shkurtër e kryeministrit shqiptar do të lëvizë qoftë edhe një votë të vetme në shportën e socialdemokratëve të Gjukanoviç. Por, nga ana tjetër, ekziston rreziku real që ajo të përdoret në mënyrë eksplicite nga opozita dhe qarqet pro-serbe për të ndezur bazën e tyre dhe për të mbështetur teoritë konspirative për një pakt të Gjukanoviç me shqiptarët për të shtypur minoritetin serb në Mal të Zi.
Institute dhe organizata të ndryshme rajonale të lidhura me Beogradin u fryjnë këtyre pikëpamjeve. Për shembull, Instituti Ndërkombëtar për Studimet për Ballkanin dhe Lindjen e Mesme (IFIMES), me qendër në Slloveni dhe me një orientim të qartë pro-serb, përfshin në gati çdo publikim të saj për rajonin një parashikim konspirativ se Milo Gjukanoviç do të paraqitet së shpejti në cilësinë e dëshmitarit të palës mbrojtëse në gjyqin në Hagë (ende të pakonfirmuar) të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Më shumë se sa të ndihmojë, qasja e kryeministrit Rama mund të ketë efektin negativ të përdorimit të saj nga forcat e errëta pro-serbe dhe pro-ruse të politikës dhe parapolitikës në Mal të Zi që propagandojnë teori të tilla. Maksimizimi i impaktit pozitiv në zgjedhjet në fjalë do të kishte qënë ndihma dhe ndërmjetësimi i Shqipërisë zyrtare për të mundësuar bashkimin e faktorëve politikë shqiptarë në Mal të Zi në një koalicion të vetëm. Pati një përpjekje për t’u vlerësuar të komunitetit shqiptar në Amerikë për të bindur të gjithë spektrin politik në Mal të Zi që të futet në zgjedhje me një listë të përbashkët. Për fat të keq, kjo nuk u arrit. Ndoshta një qasje më aktive e përfaqësuesve zyrtarë të Shqipërisë mund të kishte arritur një rezultat pozitiv.
Faktori shqiptar në Mal të Zi mbetet kyç për stabilitetin dhe orientimin pro-perëndimor të vendit. Që nga referendumi mbi pavarësinë e Malit të Zi, ku vota e shqiptarëve lëvizi gjilpërën drejt po-së, dhe në të gjitha zhvillimet në vijim, vota shqiptare ka qënë garante dhe përcaktuese për të gjitha proceset themeltare të Malit të Zi.
Pikërisht për këtë arsye, partitë opozitare në Mal të Zi kanë gati një muaj që përpiqen të demonizojnë votën shqiptare. Liderët opozitarë kanë sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë gjatë muajit të fundit votuesit malazezë me origjinë shqiptare që jetojnë në emigrim dhe që janë rikthyer atje në prag të zgjedhjeve për të dhënë votën e tyre.
Në këtë kontekst, nuk duhet harruar dhe historia e rishtë e Malit të Zi. Gjatë zgjedhjeve të kaluara parlamentare u parandalua një grusht shteti, ku indiciet të çonin tek dy oficerë të shërbimit ushtarak rus të zbulimit si orkestrues të planit. Zgjedhjet e vitit 2016 ishin kyç për futjen e Malit të Zi në NATO, teksa ftesa zyrtare ishte lëshuar nga aleanca në dhjetor të vitit 2015 dhe zgjedhjet parlamentare shërbyen si një referendum jozyrtar për anëtarësimin. Tentativa për ta destabilizuar Malin e Zi dështoi dhe anëtarësimi në NATO u zyrtarizua në qershor të vitit 2017.
Protestat e organizuara nga kisha dhe partitë pro-serbe kanë vazhduar edhe këtë javë, në prag të zgjedhjeve. Sloganet e tyre kanë variuar nga sulmet ad hominem ndaj presidentit dhe qeverisë, deri në ato me tone etno-nacionaliste duke përfshirë thirrjet “Kosova është Serbi”.
Ndryshe nga demonstratat e lindura natyrshëm në Bjellorusi kundrejt regjimit të President Aleksandër Lukashenko, protestat malazeze janë të organizuara nga Kisha Ortodokse Serbe në bashkëpunim me segmente politike pro-serbe dhe pro-ruse. Ndryshe nga kërkesat për demokratizim në Bjellorusi, zgjedhjet e së dielës në Mal të Zi mbartin në vetvete elementet e sfidave gjeopolitike dhe përplasjet për orientimin gjeostrategjik të vendit.
Shqipëria duhet të jetë vigjilente.