Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Britani të Madhe, mori pjesë në një diskutim publik me rastin e shënimit të 800-vjetorit të hartimit të Magna Carta, të organizuar në Bibliotekën Britanike (British Library) në Londër.
Në panelin e organizuar me temën “Ligji i një vendi – Si të krijohet një shtet” (The law of the land -How to create a country), së bashku me Presidenten Jahjaga, morën pjesë Sir Jeremy Greenstock, ish-ambasador i Britanisë së Madhe në OKB, Albie Sachs, ish-gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Afrikës së Jugut dhe u drejtua nga profesoresha Ngaire Woods, dekane e Shkollës Blavatnik të Universitetit të Oxfordit.
Presidentja Jahjaga në prezantimin e saj foli për rezistencën paqësore në Kosovë dhe periudhën e luftës për çlirimin e saj si dhe përpjekjet për rindërtimin e vendit me ndihmën ndërkombëtare. Ajo gjithashtu foli edhe për procesin e shtetndërtimit të Kosovës, nga aspekti i kushtetutshmërisë. Presidentja Jahjaga gjatë prezantimit u pyet edhe për ndërtimin e institucioneve të vendit në veçanti për institucionet e sigurisë.