• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Unifikim politik i shqiptarëve në Mal të Zi

September 21, 2016 by dgreca

Tri partitë kryesore shqiptare në Mal të Zi do të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 16 tetorit, me qëllim, siç është thënë, unifikimin e shqiptarëve në këtë shtet. Nik Gjeloshaj, deputet i Alternativës shqiptare në përbërjen e deritanishme të Parlamentit, thotë se koalicioni shqiptar do të bashkëpunojë me cilëndo shumicë që do t’i respektojë kërkesat e tij.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Gjeloshaj thotë se nuk beson se opozita pro-ruse malazeze ka shanse të fitojë pushtetin, ndërsa flet edhe për çështjen e demarkacionit të kufirit Mali i Zi – Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Gjeloshaj, sa të denjë e kanë shqiptarët e Malit të Zi përfaqësimin në institucione?

Nik Gjeloshaj: Shqiptarët në Mal të Zi kanë qenë shumë më pak të përfaqësuar në përbërjen e fundit të Parlamentit, pasi, pa vullnetin tonë, na janë hequr të drejtat që i kemi pasur. Nga katër deputetë, sa i kemi pasur më herët, kemi rënë në vetëm dy deputetë.

Radio Evropa e Lirë: Cilat të drejta ju janë hequr?

Nik Gjeloshaj: Me ligjin e vjetër zgjedhor ishte një njësi e vetme zgjedhore, ku zgjidheshin deputetët shqiptarë. Me ndryshimin e ligjit, kjo njësi e veçantë u hoq dhe sot garojmë njësoj sikur listat malazeze. Të gjitha votat e shqiptarëve mblidhen dhe ndahen në mandate. Herën e fundit kemi pasur rreth 12 mijë vota dhe kemi fituar vetëm dy deputetë. (v.j. Me Kushtetutën e Malit të Zi, një deputet zgjidhet me 6,000 vota).

Radio Evropa e Lirë: Javën e kaluar, Alternativa Shqiptare – parti së cilës i takoni edhe ju – ka nënshkruar marrëveshje me dy parti të tjera, Forcën dhe Unionin Demokratik të Shqiptarëve, për dalje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 16 tetorit. Ju keni thënë se qëllim i këtij koalicioni është unifikimi i shqiptarëve në Mal të Zi. Si e mendoni unifikimin?

Nik Gjeloshaj: Unifikim politik. Forca dhe Alternativa Shqiptare kanë qenë të vetmet subjekte të përfaqësuara me deputetë në mandatin e kaluar të Parlamentit. Unioni Demokratik i Shqiptarëve është po ashtu një parti që ekziston për më shumë se dhjetë vjet në Mal të Zi. Bëhet fjalë pra për tri subjekte kryesore, kyçe… Nga to, në Tuz del kryetari i parlamentit lokal, në Ulqin kryetari i komunës, pastaj dy deputetë, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar. Pra, kemi dashur t’i bashkojmë të gjithë shqiptarët përmes këtyre tri subjekteve që kanë mbështetjen më të madhe të popullit. Nuk e kemi menduar se kush do të jetë deputet, por me rëndësi është të dalim bashkë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Gjeloshaj, me kë do të pranonit të hyni në bashkëqeverisje?

Nik Gjeloshaj: I kemi kërkesat tona politike, të cilat janë shumë reale dhe në përputhje me të gjitha standardet demokratike, edhe ato të Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s. Ne jemi të orientuar të bashkëpunojmë me secilën shumicë parlamentare që do t’i plotësojë këto kërkesa.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë kërkesat, kushtet e juaja?

Nik Gjeloshaj: Shumica e këtyre kërkesave janë që 27 vjet (v.j. koha kur është futur sistemi shumëpartiak). Ato përfshijnë krijimin e Komunës së Malësisë me kompetenca të plota, shtimin e kompetencave në komunat e tjera (ku jetojnë shqiptarë) sepse ato janë shumë të limituara. Pra, mendoj se procesi i decentralizimit do të thotë demokratizim i shoqërisë. Kemi edhe disa çështje ekonomike, duke u nisur nga Ulqini dhe ligji për të mirat detare atje. Për ne është me rëndësi edhe ruajtja e dy lokacioneve në Ulqin: Valdanosi dhe Kryporja, si dhe ndërtimi i rrugës që lidh Tuzin me Plavën e Gusinë, e cila do të kalonte nëpër Shqipëri. Kjo është shumë me rëndësi për ne shqiptarët.

Radio Evropa e Lirë: Opozita pro-ruse në Mal të Zi është zotuar se do të tërheqë njohjen e Kosovës nëse vjen në pushtet. Cili mund të jetë roli i koalicionit shqiptar në këtë çështje?

Nik Gjeloshaj: Opozita pro-ruse, sido që të quhet, duhet të gjejë partnerë për të krijuar qeveri. Ne jemi të bindur se ajo opozitë që lëshon mesazhe të tilla populiste për të tërhequr trupin votues, nuk ka përkrahje tek opinioni që të fitojë shumicën dhe të formojë qeverinë. Sidoqoftë, ne si shqiptarë nuk do të mund të jemi kurrë bashkë me një opsion të tillë. Por, u lëmë derën hapur atyre që u përshtaten kërkesave tona. Deklarata (e opozitës) për Kosovën për ne është e papranueshme. Secili që mendon të bashkëpunojë me partitë shqiptare, duhet të heqë dorë nga ky populizëm, sepse Kosova e pavarur është realitet, është proces i pakthyeshëm.

Radio Evropa e Lirë: Deri tash, pavarësisht zgjedhjeve, është dëgjuar kryesisht zëri i Podgoricës zyrtare për çështjen e demarkacionit të kufirit me Kosovën. Ju si e shihni marrëveshjen aktuale të demarkacionit, e cila po kundërshtohet nga opozita në Kosovë?

Nik Gjeloshaj: Këtu në Mal të Zi nuk ka pasur shumë polemika për këtë çështje. Më shumë është diskutuar për atë se a do ta pranojë ose jo Kosova marrëveshjen. Unë mendoj se dy shtetet fqinje, Kosova dhe Mali i Zi, duhet ta zgjidhin çështjen me gjyq ndërkombëtar, i cili do ta definonte saktë dhe nuk do të linte dilema. (Intervistoi; Valona Tela REL)

Filed Under: Interviste Tagged With: mal i Zi, Nik Gjeloshaj, shqiptaret, Unifikimi politik

INTEGRIMI I KOSOVËS ME MALIN E ZI DUHET TË KALOJNË VETËM NË RRUGËN DEÇAN-PLAVË

August 31, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
  1.Ruejna Zot, po a kini ndie çka po fjalnojnë (fallnojnë) disa zyrtarë të BE-së në Prishtinë e deri në Bruksel, se qysh po kakarisin disa “kokë-pulatikana” të Kosovës: Rruga e integrimit për në Europë kalon nga Mali i Zi (!) Turp e faqja e zezë!
Kjo, sipas këtij kushti poshtalak: u dashka ratifikue Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, se atëherit Kosovës i vjen Lëvizja e Lirë “Shengen”, e pret Integrimi Euro-atlantik, etj. Ç’ka asht gjithë kjo “dashuri me kushte” e Europës ?! Qysh po luen kështu, kaq skutnisht e skuthnisht me parimet e vlerat e veta, kjo, Europa e Bashkuar?!
 Europa plakë dhe e re prapë po na kërkon t’iu japim fqinjëve tanë sllavë toka etnike shqiptare. Jo pak, por 82 km2, nja 40 herë ma shumë se Principata e Monakos. Kosova nuk është “monedhë tregu”! Krejt Europa kontinetale, përveç shtetit ishullor të Islandës, ka probleme etnike me toka e kufinj, por askujt e asnjiherë, përveçse Kosovës, BE nuk i ka parashtruar kërkesa të tilla kushtëzuese.
 2.Kosova, dikur, rreth nji gjysëm shekulli ma herët, në Planin afatmesëm të zhvillimit ekonomik të saj në vitet 1971-1975 ka pasë planifikue të ndërtohen tri auto-rrugë nacionale për ta lidhë atë me republikat fqinjë:  Rruga Deçan-Plavë me Malin e Zi, rruga Prizren-Tetovë me Maqedoninë, rruga Gjilan-Preshevë  me Serbinë Jugore. Vetëm rruga Deçan-Plavë nuk u ndërtue asokohe dhe as deri më sot, në shek. XXI. Atë e pengonte Tito me administraten e tij të lartë, etj., tuj arsyetue politikisht: “nuk do të ndërtojmë rrugë me u lidh me Shqipërinë”, sepse kjo rruga Deçan-Plavë do të kalonte në afri, përskej, kufinit Shqipëri Londineze- Kosovë (Ish Jugosllavi).
Kjo që thoshte Tito atëherit ishte vet platforma shovene ideo-politike e diplomatike e Pansllavizmit, e Ortodoksizmit Sllav, prej nga Uralet në Beograd, në Çetinë (kryeqyteti i Fronit i Malit të Zi), në Shkup e në Prishtinë. Kjo e ka vonue tepër gjatë hapjen e Rrugës së sotme Deçan-Plavë, e cila mund të fillonte edhe në vitet ’90, pasi projekti i saj ishte krejt i gatshëm. Kjo platformë sllave po e pengon dhe sot hapjen e Rrugës nga Plava deri në vijën e kufinit me Kosovën.
 3.Në vitin 2007 pati një interesim të lartë, të drejtpërdrejtë, të shumanshëm, të pandalshëm, për hapjen e Rrugës Deçan-Plavë. Si nga Kosova. Si nga Shqipëria. Si nga vet Deçani dhe nga Plavë-Gucia me diasporat e tyre të fuqishme. Ishte një start i ri, një stad i ri, një standard i ri.
Në historikun e ri të kësaj rruge ndërkombëtare që lidh direkt Kosovën me Malin e Zi (si dhe me Shqipërinë nga Vermoshi, Çeremi e Bjeshkët e Bekuara – Nemuna), janë shkrue fjalë të mira për përpjekjet e kontributet e Sali Berishës – ish kryeministër i Shqipërisë (2005-2013), të Hashim Thaçit – ish kryeministër i Kosovës (2008-2014), të gjeneral Ramush Haradinajt – ish kryeministër i Kosovës, kryetar i AAK, të Rasim Selmanajt – ish deputet i Parlamentit të Kosovës, kryetar i komunës së Deçanit prej nga viti 2010, të Orhan Shahmanoviq – kryetar aktual i komunës së Plavës, prej origjinës derë e shquar shqiptare e tashma i kthyem në boshnjak, etj.
Sot, çështja shtrohet: – Kush e pengonte hapjen e Rrugës ndërkombëtare Deçan-Plavë? Kush nuk po ia mundëson përfundimin e saj plotor brenda vitit 2016 apo 2017-të ?!
Dihet. Ka vetëm nji shkaktar e përgjegjës të përhershëm: Boshti Pansllav në Europë dhe Ortodoksizmi Sllav në Moskë, Beograd, Çetinë (Mali i Zi), Kosovë, etj. Sigurisht, pengonte dhe Popi Sava Janjiq i Manastirit të Deçanit, i cili kishte ndërhyrë tek ambasada të huaja në Prishtinë, në  institucione të Bashkimit Europian në Kosovë, etj. Këtë fakt e dinë fort mirë edhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ish ministri i Jashtëm i Sllovenisë. Për disa vite kjo çështje madhore mbeti stopuese me atë shprehjen e përseritur keq e shpesh : “Nuk po lejojnë Ndërkombëtarët” (!).
Manastiri i Deçanit është i njohur në histori për gjithato qëndrime kundërshqiptare. Mark Milani, antar i Senatit të Malit të Zi, vojvodë i Kuçit, një nga ushtarakët malazezë të Luftës së Nokshiqit, e ka pasë ngritë një celulë spiunazhi në Manastirin e Deçanit për të ndjekë me gjurmime e skedime veprimtarinë kombëtare shqiptare në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Manastiri i Deçanit është i privilegjuar nga Ndërkombëtarët e tipit diplomatik Petersen (ish Përfaqësuesi i BE në Prishtinë), nga shtetarë të Kosovës të niveleve të larta. Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vendimin e fundit ia shtoi sipërfaqen Manastirit të Deçanit dhe me 23 ha toka publike komunare të Deçanit. Në koft se nji ditë populli i Kosovës do ta dijnë saktësisht të vërtetën e hidhur se sa km2 sipërfaqe i merr tokës së Kosovës ky Manastiri i Deçanit dhe të tjerë të ngjashme me të, atëherit kishte me u çue në kamb’ protestueshëm për me i nxjerrë nga zyrat e shtetit me gurë e shkopinj gjithata shqiptar zyrtarë të lartë të Kosovës që kanë gisht në këso punësh të liga.
4.Para disa vitesh u mblodhën në nji takim të përbashkët për Rrugën Deçan – Plavë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ambasadori amerikan Kristofer Dell (nisiator i takimit e përkrahës i flaktë i kësaj rruge), Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, kryekomunari i Deçanit, Rasim Selmanaj.
Aty, në atë takim, Popi Sava i Manastirit të Deçanit, kur e pa se të gjithë ishin për hapjen e kësaj rruge ndërkombëtare nga Deçani në Plavë, ai nuk foli as për mirë e as për keq, qëndroi neutral, iku i heshtur. Po ai nuk ishte aq paqësor apo mirësor. Jo.
Ai, Sava i Manastirit të Deçanit,  ishte me Boshtin Sllav, me Boshtin e së Keqes. Ai ishte dhe mbetet kundër Rrugës Deçan-Plavë. Këtë e tregon dhe fakti se rruga u detyrue me e anash kalue Manastirin e Deçanit. Me ndryshue projektin e kahershëm. Me krye projekt të ri e punime shtesë. Me pasë kosto ma të lartë. Me ia shtue kilometrat kësaj autorruge ndërkombëtare.
 5.Rruga ndërkombëtare Deçan-Plavë filloi në vitin 2014 dhe është krye loti i parë i saj. Projekti i saj mendohet me u krye deri nga viti 2020, në rreth pesë vite. Ajo, deri në kufi me Plavën kap 33 km, ndërsa deri në Plavë shkon në 40 km. Aktualisht kjo rrugë ndërkombëtare po hapet me fonde të pamjaftueshme të Qeverisë së Kosovës e të komunës së Deçanit, të planifikuara në katër apo pesë vite deri në përfundimin e saj. Kjo nismë, kjo punë, duhet përshendet, po rruga nuk duhet “lanë në rrugë”, por të shkojnë nga Deçani në Plavë, si ma e mira “Rrugë e Alpeve.
Rruga Deçan-Plavë të çon shpejt në dy qytetet etnike shqiptare Plavë e Guci e prejandeja, nëpër Vermosh e shkon deri në Shkodër dhe në Podgoricë e në Ulqin. Dikur, dr. Ibrahim Rugova thoshte për Rrugën e Kombit se është aq afër sa “për nji kafe në Tiranë”, ndërsa për Rrugën Deçan-Plavë thuhet se është aq afër sa “për nji kafe në Ulqin”.
Sikur Rruga e Kombit për Kosovën, sikur Korridori VIII nga Porti i Durrësit drejt Shkupit në Maqedoni, është dhe kjo Rruga Deçan-Plavë për Rrafshin e Dukagjinit dhe Veriun e Malit të Zi.
Kjo rrugë është zhvillim i gjithanshëm, qytetërim bashkëkohor, mos asimilim i  mëtejshëm i shqiptarëve, mos shpërngulje e tyre nga trojet e veta etnike në Veriun shtetit të Malit të Zi. Njëherash, i sjell zhvillim të madh e të shumanshëm dhe Deçanit e Rrafshit të Dukagjinit të Kosovës. E, bash këto janë arsyenat reale gjeostrategjike që këtë rrugë e lufton Mali i Zi, Serbia, Kisha Ortodokse Serbe, etj. dhe po e pengon, anashkalon, po na e vonon vet Bashkimi Europian.
            6. Shteti i Malit të Zi e ka lëshue ndonji fjalë, nga ato të zakonshmet të tyne, të shtetit të tyne: “Rruga Deçan-Plavë është në projektet tona deri në vitin 2020”, “Do të flasim me Bashkimin Europian për fonde”, “Do ta shqyrtojmë hapjen e Rrugës pas Ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit”, e të tjera të tilla si këto.
Fakti se në anën e shtetit të Malit të Zi nuk po hapet kjo rrugë ndërkombëtare deri në kufi me Kosovën tregon se nga pala malazeze nuk ka gadishmëri të mirë e fshihen qëllime të liga të saj.
            As Kosova, as Shqipëria, asnjana nga shtetet shqiptare në Ballkan nuk i ka vnue kushte Malit të Zi për hapjen e Rrugës Deçan-Plavë, ndërsa Shqipëria e Kosova po ua plotësojnë të gjitha kërkesat që ua ban’ shteti i Malit të Zi (!) Hashim Thaçi para dy vitesh, bash në ditën e zgjedhjeve të komunës shqiptare të Ulqinit, në një të dielë uikendi në Prishtinë, më 26 janar 2014, iu premton Gjukanoviçit e Vujanoviçit të Malit të Zi se Kosova ka me e njoft “komunitetin malazez”, “ka me e caktue Ditë Festën e tyne”, duke ndërhyrë dhe në Kushtetutën e re të Kosovës dardane e euro-atlantike. Po qysh Thaçi nuk ia vuni kusht Malit të Zi të pakten ndërtimin e Rrugës Deçan-Plavë?!
Në koft se faktori Shqiptar dhe ai Ndërkombëtar nuk do të merren me Rrugën Deçan-Plavë, atëherë shteti i Malit të Zi nuk ka me ba kurrgja. Veç ashtu si përherë, tash nji gjysëm shekulli; fjalë dhe vetëm fjalë, shovinizëm dhe vetëm shovinizëm.
 7.Mali i Zi nuk don të ketë lidhje me korridore rrugore të komunikimit e të zhvillimit të Shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë me Shqiptarët e komunave të Plavës e të Gucisë, etj.
Kjo duket dhe tek fakti se ende nga Mali i Zi nuk po ngrihet pika kufitare (e deri doganore) në Qafën e Previsë në Plavë (!) Pavarësisht se para disa vitesh është nënshkrue një Marrëveshje e përbashkët nga kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç dhe nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.  Pavarësisht se në komunën e Plavës janë hap 12 km e rrugës deri në Qafë të Vranicës dhe në Bashkinë e Tropojës janë hap 14 km rrugë me 6 m. gjerësi të saj nga Çeremi në Dragobi.
Kjo rrugë tjetër ndërkombëtare (ndonëse e paasfaltuar, etj.) e lidh krahinën e Plavë-Gucisë me Tropojën, e përgjatë brigjeve të Drinit me Hasin e Pukën, me Malësinë e Madhe, Shkodrën e Lezhën, apo si i thonë fjalës: nga Plava e pinë kafen në Portin e Shëngjinit e anasjelltas. Në një të afërme të shpejtë kjo rrugë nga Plava do të jetë e lidhun dhe me Auto-rrugën e re dhe me Hekurudhën e pritshme Bregut të Drinit.
 8.Bashkimi Europian, si e cekëm ma nelt, po flet shumë e shpesh për Ratifikimin e Marrëveshjes të Demarkacionit me Malin e Zi si kusht për Integrimin Euro-Atlantik, etj.
Nga ana tjetër, BE nuk ka asnji nismë politike e financimi për lidhjen e Kosovës me Malin e Zi me Rrugën Ndërkombëtare Deçan-Plavë.
Bashkimi Europian, përplot një vit ma parë, në Samitin e Vjenës, financoi tri projekte të Malit të Zi për ta lidh me “Autostradë të Kaltër” deri në Igumenicë të Greqisë, për ta lidh me hekurudhë dhe me autostradë nga Tivari në Beograd, po asnji fond për lidhjen rrugore me Kosovën (!)
Bashkimi Europian në Samitin e Vjenës (gusht 2015) dha fonde për tri projekte të Kosovës: Autostrada nga Nishi i Serbisë për në Prishtinë. Hekurudha nga Kraljevo (Serbi)–Prishtinë–Gorçe Petrov (Maqedoni). Autostrada Prishtinë – kufiri Kosovë/Maqedoni.
Pra, BE nuk ka dhanë asnjë Euro për Rrugën Deçan-Plavë, që e lidh Kosovën me Malin e Zi.
BE, me ose pa dashje, edhe në këto dy vitet e fundit, sidomos me fondet e dhanuna për korridore rrugore e hekurudhore, po e ravijëzon e konturon “Bllokun, Boshtin” e vjetër Sllavo-Ortodoks në nji pjesë të trupit të vet gjeo-politik euro-lindor, veçmas në Kosovën dardane?! Kjo po ndodh dhe me nji fare dobësimi të “Boshtit Anglo-Sakson” pas largimit nga BE të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, dhe të nji forcimi e rivalizimi të Boshtit Franko-Gjerman, të gjallërimit ofensiv të Boshtit Sllavo-Ortodoks, të synimeve të vjetra e të reja ndaj Ballkanit, etj. Shkak e pasojë e këtij “Boshti-Blloku” Sllavo-Ortodoks janë dhe problematikat me Demarkacionin me Malin e Zi sot, si dhe Demarkacioni me Serbinë nesër (!)
Europë e Bashkuar, aspak mos të duket tepri kjo kërkesë panshqiptare, ky apel i yni, për Rrugën ndërkombëtare Deçan-Plavë, sepse tashti jemi në “Epokën e Korridoreve Rrugore dhe Hekurudhore të Europës”, pasi jemi në kohën e integrimeve euro-atlantike, pasi jemi në shek. XXI.
Europë e Bashkuar, nëse Integrimi i Kosovës, sipas disa “asish e kësish” në Prishtinë apo në Bruksel kaloka rrugës nëpër Malin e Zi, atëherit po të them(i) se ka vetëm një rrugë kalimi e, kjo, asht’ vetëm Rruga Ndërkombëtare Deçan-Plavë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Integrimi i Kosoves, mal i Zi, nis ne rrugen Decan- Plave

KU NDODHET KUFIRI I KOSOVES ME MALIN E ZI

November 21, 2015 by dgreca

Nga Rexhep DEDUSHAJ/
Koheve te fundit po flitet shume dhe eshte shume aktual problemi i ratifikimit te kufirit ne mes te Kosoves dhe Malit te zi.Politika ne Kosove ehste ndare ne kampe, qe jane balleperballi: Opozita thote se jane shite tokat shqiptare, Qeveria mohon. Po cila eshte e verteta? Cfare thone matane kufitit shqiptar0-shqiptar?
Per te siguruar me mire se kah shtrihet vija kufitare e vertete ,biseduame me Avdi Brahim Nokshiin, Gjyshi i tij,Zhuji kishte rene ne lufte me malazezet ne vitin 1913.Babai ( Brahimi ( i si shte rritur bonjak.Nga Nokshi kalojne ne Rugove ,e para 35 vitesh vendoset ne Zatra te Pejes,se bashku me 7 djemet e vet.Tre prej te cileve qe nga viti 1980 ndodhen ne Suedi.Investojne ne vendlindje duke e ngritur restorantin modern qe e pagezojne me emrin = KALAJA E NOKSHIQIT = si personifikim i Luftes te Nokshiqit.
Ne ate lufte nga kjo familje kishte mbetur Zhuj Sadiku dhe dy femra – njera ne lufte dhe tjetra ishte djegur ne kulle.
-Qe nga ajo lufte e me pas asnje meshkull ne Nokshiq ,nuk i ka ba 40 vjete,por te gjithe vriteshin ne perpjekje me shkijete + – thot Avdiu,
I njejti,me revolte shton se pas vitit 1944 ,kemi perjetuar shum vuajtje si Nokshiqi ashtu edhe krejte krahina e Plave -Gucise.Ate vit te ndihmuar nga Ferrajt e Plaves ,Imer Maliqi -Bucaj dhe zavendesi i tij ( nenkapobanda ( Bali Bajrami -Mekulaj, e mbronin kufirin shume te rrezikuar.
Atbote mbeti i vrare te ura e Murines Lan Selimi i Llukes.Imer Maliqi se leshonte frontin qe nga SJEKIRICA e ne Qafe te Prijedorit ,mbi shekullar.
Prej aty e deri ne Mokna e mbronte kufirin Xheme Bajraktari i Arzhanices .Kur u vra Imer Muca ne Prijedol dhe u varros me Lan Selimin te zhamia e Arzhanices…
Prej Moknave e deri ne Qafe te Cakorrit e mbajten rugovasit.Nderkohe u vra Zheme Bajraktari e Azem Mehmeti – te Arzhanices dhe Bali Bajrami i Nokshiqit qe mbeten ne Shekullar.
Ne Cakorr egzistojne varret e 4 Kukalajve te Drenocit te Decanit dhe ai i Sahit Mehmetit te Logjes.Aty jane edhe dy + kulla te mbretit + dhe varret e Jakup Bulles te Nokshiqit e nje tjeter qe nga viti 1913.
Ne qafe Vraqevw ekzistojne mbi 20 varre deshmoresh nga Rrafshi i Dukagjinit ne krye me Hajdar Jupen e Becit te Gjakoves .Aty ka edhe nokshiqas.
Ne Cakorr si shenje i kufirit eshte edhe kulla ne + Shejtan tepe+Ne Vaganice jane 12-13 varre nga ushtaret e Shaban Polluzhes qe kishte shkuar ne mbrojtje te Sanxhakut.
Te Kershi i Harushes gjendet + Kulla e mbretit + ne bjeshken e Arzhanices ne Mokna.Pastaj + Kulla e madhe = me 52 dhoma ( shtabi kryesor i ushtrise osmane e mbronte kufirin me Malin e Zi (e gjendet ne Pod te Moknave.
Si shenje kufiri eshte edhe guri ku u vra Sokol Cela i Cel Shabanit te fameshem ,i vrare me 1913.Aty afer jane edhe nja 60-70 gur varresh te batalionit te Prizrenit e rane ne lufte ne vitin 1919.
Te + Bajram Kulla +( ne Qafe te Javorkut (ra dhe u varros deshmori,Grosho Ibra me Ibish Sahitin -te Rugoves me nje tjeter nga Shqiperia londoneze dhe nje nga Kusuriqi i Kosoves ,Te gjithe te gjuajtur ne nje varreze te perbashket.
Nga Maja e prehte deri ne Qafe Bari ,kufirin e mbronte Zhuk Hazhia me vullnetaret e vet.
Prej Qaf Meterizit e deri ne Murgashe kufirin e mbronte Tahir Coli e Sali Rama.
Prej Murgashit e deri ne Smilevice kufirin e mbronte Rize Zymeri me Sak Fazline -bajraktarin ,qe u vra dhe u varros ne Smilevice,vet i treti.
Nga Qafa e Diellit kufiri del te Kershi i Ujkut dhe ne Qafe Vranice.
KY PRA,ESHTE KUFIRI I KOSOVES ME MALIN E ZI I MBROJTUR DHE I LARE ME GJAK,KU GJENDEN ME DHJETRA E DHJETRA VARRE TE DESHMOREVE TE CILET S-BENE TE MBETEN NEN MALIN E ZI AGRESOT -tha malesori me zemrim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kufiri Kosove, mal i Zi, rexhep dedushaj

PËRPJEKJET E ATDHETARËVE SHQIPTARË NË MAL TË ZI NË VITET 1911 – 1912

October 20, 2015 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/
Një dimension i lëvizjes autonomiste shqiptare në vitet e para të shekullit të kaluar,mendoj se nuk është ndriçuar sa duhet.Fjala është për forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimin e krerëve të Kosovës dhe shtetit amë me atdhetarët e shquar shqiptarë që jetonin në trevat etnike arbërore në Mal të Zi. Lidhjet e burrave të Plavë-Gucisë,veçanërisht me Kosovën dhe trevën e Rrafshit të Dukagjinit vlen të shihen kurdoherë jo vetëm përmes imazhit që këto lidhje përcillnin asaj kohe përballë opinjonit të Fuqive të Mädha.Ashtu sikundër atdhetarët në çdo vis arbëror edhe këta të Plavë-Gucisë u ngritën në këmbë,veçanërisht në vitet 1911-1912 për realizimin e autonomisë për të katër vilajetet shqiptare
Në kryengritjet kulmore 1909-1911 duhet thënë se forcat e drejtuara nga atdhetarët e Plavës dhe Gucisë si Ali Pashë Gucia,Hasan Ferri etj,ndonëse kundërshtuan me vendosmëri regjimin sundues të perandorisë osmane nuk u përballën drejtëpërsëdrejti me ate forcë.Kjo ngase krerët kryesorë të lëvizjes autonomiste në Kosovë si Isa Boletini,Bjaram Curri,Hasan Prishtina, Hysen Budakova etj,patën rënë në ujdi me krerët e atdhetarët shqiptarë në Mal të Zi për të shëndruar trojet shqiptare aty në një vend të sigurtë strehimi për luftëtarët e Kosovës.Fakte të shumta të historiografisë shqiptare na bëjnë me dije se pikërisht në vitin 1911 prijësit si Hasan Ferri dhe të tjerë,nga ndonjë ekspeditë e mundshme osmane,nisur në kufijtë e Malit të Zi,disa herë me radhë prijësit shqiptarë u thirrën prej autoriteteve osmane për t’u pyetur rreth këtij përqëndrimi të forcave por askurrë ata nuk muarën përgjigje të drejtëpërdrejtë.Një arsye e luftëtarëve shqiptarë në trojet etnike të tyre,në Mal të Zi,nuk u ballafaquan drejtpërdrejti me forcat e Turgut Pashës ishte fakti që pas çdo beteje,Porta e Lartë sulej me rrëmbim e dhunë t’u merrte armët shqiptarëve.Me këtë rast shqiptarët etnikë në Mal të Zi,do të mbeteshin të paramatosur dhe të pambrojtur përballë synimeve shovene të fqinjëve të tyre malazezë.Megjithëkëtë,kur Porta e Lartë po vërente se tokat shqiptare në Mal të Zi po shëndrroheshin në çerdhe të vullnetarëve trima të Kosovës,ajo urdhëroi Turgut Pashën të marrë masa të rrepta për mbledhjen e armëve tek shqiptarët etnik në Mal të Zi.Sidoqoftë edhe përballë këtyre kontrolleve dhe reprezaljeve të rrepta të perandorisë osmane atdhetarët shqiptarë të Malit të Zi,nuk e ndërpernë veprimtarinë e tyre.Lëvizja autonomiste shqiptare po rritej dita-ditës dhe përmes këtyre zhvillimeve po farkëtohej besa shqiptare,tanimë luftëtarët e Kosovës ç’prej Vuthajt e Kotorrit,po shpërnguleshin fshehtasi deri në Çeren e Valbonë duke krijuar baza të sigurta madje deri në Bjeshkët e Nemuna.Në mënyrë gjithashtu të fshehtë u siguruan armë e municione për luftëtarët e Kosovës,të cilët ndonëse përndiqeshin prej portës së Lartë,nuk i rreshtin në asnjë moment përgaditjet për vijimin e luftës deri në arritjen e qëllimit final,fitimin e pavarsisë.
Pikërisht kjo përkrahje e gjërë që shqiptarët etnik në Plavë e Guci u dhanë kryengritësve shqiptarë çuan në marrjen e një varg masash të dhunshme të ushtrive osmane kundër popullsisë së këtyre viseve shqiptare.”Terrori u shtua veçanërisht kur dështoi përpjekja për të shtënë në dorë Hasan Ferrin,Isa Boletinin dhe krerë të tjerë të parisë së krahinës dhe të Kosvës,të cilët kaluan kufijtë dhe u strehuan në Mal të Zi.Me këtë rast njerëzit u burgosën dhe u rrahën si kafshë,u vu shtetë rrethimi më i fortë,u bë çarmatimi i plotë dhe shqiptarët nuk u lejuan të bëjnë më roje në kufijtë me Malin e Zi,kurse kufiri u rrethua nga forcat e Turgut Pashës.Krahina qëndroi në gjendje rrethimi e terrori pothuajse 6 muaj.Nga shokët e Hasan Ferrit gjatë kësaj periudhe u dënuan me vdekje dhe u varën në litar katër vetë në Plavë dhe gjashtë në Guci”(E.Plava”Plava dhe Gucia në lëvizjen kombëtare shqiptare” – Tiranë 1995 , faqe 108 ).
Në pranverën e vitit 1911,Porta e Lartë po vërnete me trishtim se situata qeverisëse po i shpëtonte nga duart.Vendet ballaknike të ndihmuara sidomos nga Rusia po bënin plane të fshehta dhe po ndërmerrnin masa konkrete për t’i shpallur luftë Perandorisë e cila në çdo rast po dergjej e sëmurë. Ndonëse Turgut Pasha nuk e kish ndaluar dhunën ndaj shqiptarëve,sidomos në Kosovë, diplomacia e Stambollit ndërmori një veprim tejet qesharak duke dërguar në Kosovë për një vizitë Sulltan Mehmet Reshatin e Pestë.Vizita ishte përcjellë me fjalët dhe propagandën se Mehmet Reshatitse donte të shihte në Kosovë tyrben e Sulltan Muratit të famshëm.Ndërsa mendohej se kjo vizitë do të mund të pajtonte krerët e lëvizjes kombëtare shqiptare me urtësinë e Sulltan Mehmet Reshatit,në fakt ndodhi e kundërta.Pritja e Sulltanit në fjalë ishte tejet e ftohtë prej shqiptarëve dhe krerët më të vendosur të lëvizjes autonomiste shqiptare,as që shkuan fare të takoheshin me Sulltanin.Atdhetarët shqiptarë në Plavë e Guci,në kuvende burrash si gjithmonë,patën rënë dakord që 4-5 prijës të udhëhequr nga Hasan Ferri të shkonin tek sulltan Mehmet Reshati,por aspak t’i bënin temena,vetëm ta vinin në dije mbi rrezikun që i kërcënonte kufijtë shqiptarë,pas urdhërit të Turgut Pashës për t’i larguar kufitarët shqiptarë nga kufiri me Malin e Zi.Këtë mision si kurdoherë e mori përsipër Hasan Ferri.Duke përfituar kinse nga amnistia që Turgut Pasha pati bërë me rastin e vizitës së Sulltanit në Kosovë,Hasi së bashku me 4-5 trima të pjerë Plavjanë dhe Gucianë shkon në takim me Sulltan Mehmet Reshatin,ashtu sikundër ishte vendosur,Hasan Ferri refuzon të marrë dhuratën e Sulltanit dhe idrejtohet këtij në faqe burrash : “Padisha çok jasha !Pashai vazhdon të bajë kërdinë në popullin tonë të pafajshëm shqiptar.Pra jep urdhën për ndalimin e vrapit të tij.Unë kërkoj të na kthehen armët që u konfiskuan nëpër Kosovë si dhe armët e krahinave të Plavës e Gucisë.Krahina ime e çarmatosur si mund ta presi Karadakun shpejt,luftën do të kemi”.(E.Plava “Plava dhe Gucia në lëvizjen kombëtare shqiptare” – Tiranë 1995 , faqe 110 ).
Dihet tanimë se kërkesat e Hasan Ferrit dhe prijësve të tjerë shqiptarë ranë në vesh të shurdhur.Madje nga pikat më të rëndësishme të Memorandumit të Gretës (23 qershor 1911) që vilajeti shqiptarë të bashkohet nën një qeverisje të vetme,nuk u pranua askurrë nga Stambolli,një amnisti e gjërë e shpallur nga Sulltani,disa ulje taksash apo emërime nënpunësish me origjinë shqiptare,në asnjë mënyrë nuk mund të favorizonin lëvizjen e drejtë të kombit tonë drejt pavarsisë.Përkundrazi këto lëshime vepruan në të kundërtën,pasi disa krerë shqiptarë menduan se këto reforma mund të thelloheshin në të ardhmen,me ç’rast nuk ishte e thënë që të arrihej gjithshka lehtë.Ndërkaq monarkitë ballkanike,patën filluar tratativat e tyre sa për të shporrur sundimin osman,aq edhe për të rindarë trojet arbërore,kinse shqiptarët si myslimanë,patën kaluar vëllazërisht me turqit dhe për këtë duheshin ndëshkuar,ishte ringjallur në këtë mënyrë boshti i vjetër i ortodoksizmit në Ballkan,ku në emër të kinse Zotit duhej të nisnin luftëra të reja. E shoh të rrugës të sjellë në këto dy-tri fragmente nga proklamata e mbretit të Malit të zi,Nikollës,drejtuar popullit të vet,ku në thirrrjen e hapur për luftë shihen qartë idetë abuzive me konfesionet fetare,ja çfar thuhet tekstualisht në këtë proklamatë ;”Malazezë ! Ai vaj i pikëllueshëm që vjen nga Serbia e Vjetër nga vëllezërit tanë të shtypur nuk mund të durohet më.Atje i vënë në thikë pa mëshirë jo vetëm njerëzit,po edhe gratë dhe fëmijët e vegjël serbë.Robërit serb,të uritur,të gjorë dhe të skllavëruar sorollaten nëpër male përreth gërmadhave të shtëpive të tyre,duk ju thirrur me zë që t’i merrnin në mbrojtje dhe t’i shpëtonin.Detyra dhe dashuria ndaj racës kërkon nga ju të nxitoni t’i ndihmoni vëllezërve.E di,do ta bënit edhe tani me atë sypatremburinë tuaj të lindur,sikur të mos më dëgjonit dhe të mos pritnit rrjedhën e përpjekjeve të Mia paqëdashëse për mbrojtjen e të martirizuarve përtej kufirit.Shpresat e mia se do të gjendet mënyra për çlirimin e serbëve nga vuajtjet pa derdhur gjakun nuk u realizuan,prandaj tashti,ndonëse prishja e qetësisë godet aq shumë zemrën time,s’kam kah t’ia mbaj pos të ngjesh shpatën-atë shpatë të cilën etërit tuaj e vringëlluan pa tutë në Vuçiji Doll, Nikshiq,Tivar dhe në Ulqin. Malazez ! Përkrah nesh është drejtësia,kurse u hodh dhe dhashtë Zoti edhe fati i trimave !Pas meje o trima që vëllezërve t’ua zgjasim dorën kur janë ngushtë po edhe Malësisë kreshnike ecila lufton plot dy vjet si luaneshë për të drejtat,lirinë e saj dhe për bashkimin me Malin e Zi.Nuk jemi vetëm.Me ne ashtë Zoti,bashkë me ne janë mbretërit e krishtera ballkanike,me të cilat jemi lidhur në bashkësi,të cilën kisha përherë mall dhe të cilën çprej vërsuljes së pushtuesit aziatik e këndej e pritnin me aq dëshirë aq breza të popujve ballkanikë.Unë e var shpersën e fortë në krahun,rregullin dhe dëgjueshmërinë e bijve ushtarë të Mi të vjetër,se për ata s’është asgjë e pamundshme por që tashti më shumë se kurrë do ta ngrisim autoritetin e Atdheut të dashur dhe që armën e lavdishme malazeze do ta shëndrisim me shkëlqimin e ri.Nxitoni me hapin tuaj burrërorë atje ku njeriu katanditet,ku terrorizohet,ku e mbërthen vaji.Serbët e vjetër,vëllezërit tuaj,le t’i shohin sa më parë bajraqet tuaj të lavdishme,le të thonë ;”Ja vëllezërit,ja marrësit e hakut nga rrëza e Llovçenit,Komit dhe Durmitorit,ja bijtë e Malit të Zi,që ngarendin në përqafimin tuaj,se tashti s’jemi më as jetimë,as skllevër!” Atje do të takohemi me vëllezërit tanë të dashur nga Serbija të cilëve u prin dhëndri im i dashur… Uroj që me bekimin e zotit Shën Pjetër së Cetinës dhe gjithë shenjtëve të tjerë të realizohen ëndrrat e kohës së djalërisë sime.Nikolla.”( Gazeta “Gllas Crnogoraca më 26 shtator 1912 ).
Është e qartë tanimë se planet e Malit të Zi,ishin në sinkron jo vetëm me ato të Beogradit e Sofjes por edhe me Athinën.Qëllimi i religjioneve ortodoks në Ballakn,ishte që me rënien përfundimtare të Perandorisë Osmane,të kishin dorë të lirë mbi trojet shqiptare,tyre kurrsesi nuk u konvenonte pavarsia e Shqipërisë.Të nxitun edhe nga Rusia,monarkitë e krishtera ballkanike përjashtuan Shqipërinë nga aleanca e lidhur mes tyre,madje u munduan me çdo mjet të sabotonin përpjekjet e diplomacisë dhe prijësve shqiptarë për autonominë e kombit të tyre.Greqia në vjeshtën e vitit 1912,pati zaptuar pothuajse krejt jugun e Shqipërisë,duke iu afruar Vlorës.Serbët dhe Bullgarët po ushtronin dhunë e terror të paparë në Shqipërinë verilindore duke dërguar aty mbi 18 mijë ushtarë të rregullt.Përballë etjes së këtyre fqinjëve merret lehtë me mend se dhe Mali i Zi,nuk do të heshtëte.Mbreti Nikolla e pati marrë aprovimin e Rusisë ndaj priste vetëm rastin që të sulmonte trojet etnike shqiptare,për ta larë përfundimisht hesapin me Plavën e Gucinë. Në mesin e tetorit 1912 kufijtë e Plavës dhe Gucisë me ata të Malit të Zi,pothuajse nuk egzistonin më.Ushtria Osmane e cila ndodhej aty,po zbriste fshehurazi për në Dibër duke iu shmangur sa më shumë konfrontimeve dhe luftës frontale.Atdhetarët shqiptarë të Plavës dhe Gucisë,kërkuan të organizonin sërish ruajtjen e kufijve etnikë por tanimë në vend të ushtarëve osmanllinj gjetën atje forca të armatosura malazeze të vendosura të luftonin deri në fund.Fillimisht në atë front numëroheshin rreth 1 mijë ushtarë të Nikollës për tu përforcuar më tej me divizionin e ushtrisë së Beranës të komanduar prej Vukotiqit.Në një telegram të Mbretit Nikolla dërguar Vukotiqit më 17 tetor 1912,pos të tjerave shkruhej ;”Para se të mësyni Plavën dhe Gucinë,provoni nëpërmjet parlamentarëve t’ia mbushni mendjen Has Ferroviqit dhe krerëve të tjerë të atjeshëm që t’ju dorëzohen pa luftë”. ( Zekiria Cana ”Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913, Prishtinë , faqe 91 ).
Por të gjitha këto tentativa të ushtrisë malazeze dështuan me turp.Askush prej prijësave të Plavës dhe Gucisë nuk shkoi në bisedime me gjeneralin Vukotiq e për më tepër shumë prej tyre nisën organizimin e mbrojtjes së trojeve amtare.Këtij qëndrimi të luftëtarëve shqiptarë,Mbreti i Malit të Zi,Nikolla,i yshtur edhe prej Carit të Rusisë iu përgjigj me taktikën e njohur të “tokës së djegur” si e vetmja mënyrë për t’i bërë shqiptarët të largoheshin prej trojeve stërgjyshore.Ndër të parat fshatra që përjetuan këtë tragjedi,ishte Nokshiqi.Dhe jo pa qëllim u gjend ai i pari.Në Nokshiq ende jehonte fitorja kulmore e shqiptarëve,ende klithmat e mijëra malazezëve të vrarë dukej se endeshin atyre shkrepave.Megjithëse u rrethua me 2 mijë ushtarë,burrat e Nokshiqit mundën të çajnë një shteg duke luftuar trimërisht me forcat e Veshoviqit.Gjatë natës nëpër këtë shteg duke përfituar edhe nga moti i keq,u largua një karvan i madh me gra,fëmijë e pleq,ndërsa burrat mbanin ushtrinë që të mos hynin në fshat.Të nesërmen kur Veshoviq pa se pati luftuar vetëm me një grusht trimash dha urdhër dhe i vuri zjarrin krejt kullave të Nokshiqit.Përballë rrezikut që po i kanosej territoreve etnike shqiptare në Mal të Zi,prijësat e kësaj treve kërkuan ndihmën e udhëheqësve të tjerë të lëvizjes sonë kombëtare.Në këtë mënyrë në datat 19 dhe 20 tetor 1912 në drejtim të frontit Visitor-Velikë,marrshuan rreth 3 mijë vullnetarë shqiptarë të ardhur nga Gjakova nën komandën e burrave ;Bajram Curri,Riza Gjakova dhe Zeqir Binaku.Për katër ditë rresht këto forca mundën të mbanin frontin por në ditën e pestë kur shuma prej vullnetarëve shqiptarë u qenë mbaruar municionet, Mbreti i Malit të Zi,Nikolla,dërgoi 4 mijë trupa të tjera të freskët në mbështetje të divizionit që pati luftuar por që ishte para shpartallimit.Përballë kësaj gjendjeje,prijësit shqiptarë urdhëruan tërheqjen e trupave për të vazhduar më pas luftimet në Gjakovë,Shkodër dhe Dibër kundër forcave serbe.Atdhetarët shqiptarë në Mal të Zi,mundën të organizoheshin sërisht në Kelemend.Aty mund të quhej bastioni i mbramë i këtyre burrave që kërkonin pavarsinë e trojeve amtare.Për 7 ditë e 7 netë me radhë,toka e Kelmendit gjëmoi veç luftë.Bogdan Vuçiniqi dhe Gjuro Vujosheviqi e mbajtën të rrethuar Kelmendin duke i goditur pozicionet e luftëtarëve shqiptarë me armatimin e ardhur prej Rusisë.Por vetëm pasi lanë me qindra të vrarë e qindra dhe të plagosur ata mundën të merrnin Kelmendin.
Më 26 tetor 1912,Plava dhe Gucia ishin pothuajse në kontroll të plotë të forcave të ushtrisë pushtuese malazeze e bjellogardiste.Krimet e saj krashi shqiptarëve të pambrojtur në këtë trevë,janë të patreguara.Dokumentet flasin qartë.Në një telegram të Vukotiqit për krejt ushtrinë malazeze,thuhet tekstualisht , “Ushtarë ! Me trimërinë tuaj dhe me suksesin e arritur është i kënaqur Mbreti Ynë Kreshnik dhe Trashëgimtari,është i kënaqur atdheu,po jam i kënaqur edhe unë. Vëllezër ! Trimërinë tuaj dhe viktimat Tuaja i kanë kërkuar qe pesqind vjet këta vëllezër tanë të mundur dhe të shtypur nga dushmani.Ne kemi ardhur t’i çlirojmë t’u tregojmë si jetohet i lirë,t’i marrin krahë hapur në gjiun e atdheut tonë të lirë nën patronatin e Mbretit Tonë të lartësishëm.Vëllezër ushtarë ! simund të gëzohen këta vëllezër Tuaj me ne,si mund të na presin kur shohin kur dëgjojnë se kudo që shkel këmba jonë ua vemë zjarrin shtëpive dhe sanës,plaçkisim mallin,bagëtinë dhe gjithë çfarë gjejmë.Ushtarë,a i ka hije një ushtrie heroike,ai ka hije trimit të djegë të robërojë dhe të mos dëgjojë ? Unë jam i sigurtë se të gjithë do tmë përgjigjeni ;nuk është trimë ai që bën kështu.Prandaj vëllezër ushtarë trima të Mbretit,bijtë e Malit të Zi të lirë dhe krenar,mbrojtës të lirisë së artë,tani e tutje ndërpreni çdo plaçkitje dhe djegje.Vëllezër ! U bë si u bë.Të përfundoj me kaq,para nesh janë fshatrat e përulura që dorzohen vullnetarisht para nesh janë qytetzat dhe fshatrat serbe prandaj bëhuni vëllezër të tyre që t’ju presin si shpëtimtarë dhe jo si plaçkitës.Vëllezër,kujtoni se si të parët tuaj çmonin të vetmin fishek që nuk u shkonte kot,kujtoni çmundime hoqi sundimtari ynë i lartësishëm dhe atdheu ynë derisa siguruan pushkët me qitje të shpejtë dhe municionin; kujtohuni dhe kini kujdes që këta fishekë të jenë vdekje për armikun dhe jo të shkojnë dëm në ajër.Ta dini se vetë frikacaku shtin në ajër për ta mbytur frikën në vetvehte.Të shtënat e këtilla i prishin planet tona, ngase nuk mund ta dimë nëse shtie armiku apo shtihet kundër tij.Vëllezër oficerë,nënoficerë dhe ushtarë !Urdhëroj që nga dita e sotme të ndërpriten të shtënat e kota,djegjet dhe plaçkitjet.Rekomandoj dëgjueshmërinë e plotë ndaj oficerëve si dhe rregullin gjatë marshimit dhe pushtimit e sidomos pas luftës.Ushtarë ! Ruani tetarët tuaj,rrehsterët tuaj,oficerët tuaj të çetave dhe bajaraktarët,mblidhuni tok rreth tyre,të gatshëm që me thirrjen e komandantit të çetës t’i përgjigjeni çdo urdhërese.komandanti i divizionit ;Gjenerali agjutant Brigadieri serdari.J.Vukotiq”
( Zekiria Cana “Gjenocidi i malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913” faqe 95 ).
Megjithatë edhe pas këtyre reprezaljeve të egra masive,atdhetarët shqiptarë në Plavë dhe Guci nuk i rreshtën aspak betejat.Ngritja e flamurit në nëndorin e vitit 1912 në Vlorë,u dha krahë atyre për organizime të reja,duke u mbështetur sigurisht edhe në ndihmën e pakursyer të dhënë prej shtetit të parë shqiptar.
Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: 1911-1912, Eugen Shehu, mal i Zi, per Pavaresi, perpjekjet e shqiptareve

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT