Vdekja e papritur e saj, në moshë të re ka tronditur jo vetëm , prindërit e saj Lek dhe Dolores Mirakaj, bashkëshortin Agjah Libohova, motrën dhe vëllanë, të afërmit e saj farefisin Mirakaj dhe Spahiu, por tërë ish të burgosurit politik, ish të internuarit, miq edhe shokët e kësaj familje në SHBA
Nga BEQIR SINA, New York/
FERMINGDALE – LONG ISLAND NY : Familja Mirakaj dhe Libohova, anëtarë të komunitetin Shqiptar, miqtë dhe të njohurit i dhanë pak ditë më parë lamtumirën e fundit Manjola Mirakaj – Libohova. Ajo vdiq të shtunën më datën 31 Maj, mbas një sëmundje të randë duke lënë pas vetes dy vajzat Anën dhe Emën, bashkëshortin Agjah Libohova, motrën dhe vëllanë dhe prindërit e saj Lek dhe Dolores Mirakaj.
Manjola lindi në kampin famkeqë të internimit në Gradishtë të Lushnjes, më 24 Janar 1969 dhe fati i saj e solli që qysh në moshë të njomë , të njoh vuajtjen dhe vështërsit e jetës, duke parë me syt e saj edhe dhunën e diktaturës komuniste, mbasi babai i saj Leka kur Manjola dhe Matilda ishin të vogla – kaloi 10 vjetë në burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe Qafë Barit.
Vdekja e papritur e saj, në moshë të re ka tronditur jo vetëm , prindërit e saj Lek dhe Dolores Mirakaj, bashkëshortin Agjah Libohova, motrën dhe vëllanë, të afërmit e saj farefisin Mirakaj dhe Spahiu, por tërë ish të burgosurit politik, ish të internuarit, miq edhe shokët e kësaj familje në SHBA.
Manjola, është një nga ato mijëra vajzat( fëmijët), që lindën dhe u rritën në kampet e interrnimit, të privuara për shkak të politikës komuniste që ndiqte regjimi i Enver Hoxhës vetëm për fëmijët në kampet i interrnimit, ku ajo kaloi disa dekada, deri sa me ardhjen e demokracisë, doli më në fund në botën e lirë.
Eugen Mirlika, një ish i burgosur politik që jeton në Itali, shkruan në essen e tij “Kujtim të një “Lulje”, Manjola Mirakaj, që u nda nga jeta me 31 maj 2013, shkuran se :”Çdo gjë më erdhi në sitën e mëndjes kur mora lajmin e hidhur të ndrrimit jetës të Manjolës, vajzës së një çifti mik e të dashur, të Lek Mirakajt e Dolores Spahiut, bashkëmoshatarë, bashkëvuajtës, bashkëudhëtarë në “Rrugët e ferrit” të disa dhjetëvjeçarëve të jetës sonë prej “të mbijetuarish” në fushat e përqëndrimit të Myzeqesë. Kishte lindur ajo vajzë e bukur në një ditë janari të vitit 1969 dhe i kishin vënë emrin e një luleje. Ishte rritur në baltërat e Gradishtit, në barakat e mbuluara me eternit kancerndjellës të atij sektori internimi në zemrën e Tërbufit.”
Më tej Merlika thotë , “si të gjithë shoqet e shokët e saj, si një fëmijë të atyre familjeve që Shteti i kishte vulosur me mallkimin e tij të zi të “armikut të klasës”, u rrit duke thithur ajrin e urrejtjes që një kastë kriminelësh e kishte kthyer në frymëmarrjen e përditëshme të shqiptarëve. Ata fëmijë, të lindur n’ata vite e n’ata kushte mjerimi, ishin shprehja më e mirë e qëndresës së prindërve të tyre ndaj diktaturës, e dashurisë për jetën dhe vlerat e saj. Krahasuar me botën e mirëqënies e të lirisë, ku njerëzit ngurojnë të lindin fëmijë për vështirësitë e rritjes e të edukimit të tyre, Manjola, motra e vëllai i saj, së bashku me të gjithë shoqet e shokët e tyre, janë dëshmi e fuqishme e gjallësisë së shtresës, e fuqisë së saj qëndrestare, e prirjes për të përtërirë familjen e traditën e saj, edhe në kushtet më të vështira, edhe atëherë kur shteti proletar i gjithfuqishëm punonte për zhdukjen e saj”, shkruan Merilika, ai dhe familja e tij u presekutua për 45 vjet në Shqipëri.
Mirëpo, natyrisht, që nuk ka vdekje të madhe apo të vogël, mbasi çdo vdekje është e dhimbshme, por, ikja e Manjolës ishte tepër e rëndë, aq sa përballja me sëmundjen e rëndë, e cila ishte një betejë e vështirë, që Manjola nuk mundi ta fitojë me gjithë kurajon e madhe, që e karaterizonte atë, me gjithë dëshirën për jetën dhe mrekullinë e mjeksisë së këtij vendi të bekuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Manjola u lind në kampin e internimit të Gradishtës më 24 janar 1969 dhe ndërroi jetë me 31 maj 2013
Fëmijëria e saj u përballë me absurdin e diktaturës, ku në vend të lodrave i afruan apelin e detyruar, privimin nga gjërat më elemntare të jetës, frikën dhe presekutimin. Sepse, ajo ishte pjestare e dy familjeve të njohuar në anët e tyre, por dhe në gjithë Shqipërin, familjes Mirakaj dhe Spahiu. Çka padrejtësisht ajo u “dënua” po nga absurdi që përdorte rregjimi i egër komunistë, me të vetmin fajë që kishte bërë ajo dhe ata mijëra fëmijë të presekutuar, sepse ishte një fëmijë nga dy familjet e mëdha.
Mbasi edhe vet jeta e këtyre njerëzve, që u pushkatuan pa gjyqe, u torturuan, u bugosën, ua morën pronat dhe çka patën, u syrgjenosen kampeve të internimit i dërguan të shoqëruar me policë injorantë, nëpër keneta dhe moçale, i privaun ata dhe fëmijët e tyre edhe nga të drejtat më elementare, duke përfshirë edhe shkollimin e tyre. Andaj sot jeta e tyre paraqet një histori të hidhur dhe të papërshkuar . Ajo është një histori trekëndëshe, e këtyre njerëzve, e cila qendron në mes të dinjitetit të familjes, dashurisë për atdheun dhe kombit, dhe të besimit ndaj fesë, që ata i përkisnin.
Ngaqë, karakteri i tyre i fortë, shpirti i tyre i madh njerëzor, bujar dhe tepër fisnik, me një formim dhe kulturë të thekur përendimore, në të cilën mbajtën edhe shpresën e tyre gjallë, besimin dhe idealin e tyre fisnik, edhe sot dy dekada mbasi ai rregjim u rrëzua, po këta njerëz si arkitekt gjenial – po këta njerëz që u shtypën dhe u dhunan për 45 vjet, u ngritën një ditë si triumfues mbi një “ndërtesë që kishte qenë kalbur dhe e rrënuar” me kohë.
Një “ndërtesë” që ata e quanin “Kala e Komunizmit”, e cila, megjithse, i përkiste botës së qyteruar, të asaj bote që ky komb i shumë vuajtur, në zemër të Europës, i kishte dhënë aq shumë, dhe me të drejtë i përkiste, ashtu si dhe që këta njerëz i përkisnin sepse kishin dhënë shumë Shqipërisë, kombit të tyre.
Me një fjalë, jeta e këtyre njerëzve, që u pushkatuan pa gjyqe, u torturuan, u bugosën, ua morën pronat dhe çka patën, i syrgjenosen kampeve të internimit nëpër keneta dhe moçale, i privaun ata dhe fëmijët e tyre edhe nga të drejtat më elementare, rinia e tyre dhe shkollimin. Ajo, që patjetër, sot është një përshkrim i rrugëtimit të tyre, nëpër tri mbretëritë e përjetshme të gjithë njerëzimit: “Lindjes, Jetës dhe Vdekjes”.
Gjatë këtij udhëtimi të gjatë përfytyror, që zgjati aq sa që nuk mendohej, ishin po këta njerëz që provuan të përshkruajnë dhimbjen dhe vuajtjen që ua shkatoi rregjimi diktaorial – gjendjen e shpirtit të njeriut, pas të gjitha atyre vuajtjeve të tmershme, “Shtegtimet me plaçka në krah si Golgota”, nëpër rrugë të llahtarshme, me plot vajtime, lot dhe dhimbje, por dhe shpresë.
Këtë e përshkroi mjaft bukur edhe Dom Nikolin Përgjini, një prift që edhe ai së bashku me familjen e kaloi ferrin komunistë, për pesë vjet në kampet e interrnimit në Shqipëri, në “Meshën e Dritës” në Kishën St. Thomas, në Long Island – New York. Në shtëpin e Zotit, ku do të përcilleshin lutjet për shpirtin e Manjolës, nga prindërit e saj Leka e Lola, vëllai dhe motra, njerëzit më të afërt të familjes së saj dhe dhjetra bashkëvuajtës të saj – që kan ardhur në Amerikë nga kampet e interrnimit në Shqipëri.
“Unë si klerikë jo pak herë, tha në Meshën e Dritës, Dom Nikolini, e kam përdorur atë vështërsinë që kan kaluar këta njërëz, por edhe gjithashtu disa herë në predikimet e mija, duke i bekuar këta njërëz për karakterin e fort e asaj kohe dhe për qëndrimin dhe shpresën – që kurr nuk u përulen dhe nuk u dorëzuan para vështërsive.”
Natyrisht, që sot tha Dom Nikolini, gjatë predikimit nuk flasim këtu për Xhinën gjyshen e Manjolës, por flasim për vet Manjolën – ku jemi bashkuar për ti thënë lamtumirën e fundit këtij engjulli – pra Manjolës. E në të njëjtën kohë, theksojë ai, kujtojë edhe ato fjalët e saj – duke e përshkruar tamam atë karakterin e fort që qendrojë në vështërsi.
Dom Nikolini iu drejtua prindërve të Manjolës, bashkëshoritit të saj më të pikëlluarave të kësaj humbje, me fjalët se “po mundohem pak a shumë t’ju drejtohem ju si familje që të keni po atë karakter atë forcë edhe atë besim atë këmbëngulje, atë vazhdim të jetës, megjithëse, Ju sot jeni në pikëllim të madh. Jeni në dhimbje, jeni në lot! jeni në vuajtje, ku po i thoni lamtumirën e fundit, bijës suaj, gruas, nanës, motrës, mbesës, kushurirës, shoqes, bashkëvuajtjes suaj të pa harrueshme.” tha Dom Nikolin Përgjini
Ndërsa, vijojë ai “I kuptoj mjaft mirë në këto momente lotët dhe hidhërimin tuaj, duke kujtuar edhe ato vështërsitë që keni kaluar ju të gjithë pjesëmarrës në ato vite që jan pothuajse të paharrueshme, megjithëse, tani keni ardhur në Amerikë, ku jeta është mjaft e bukur. Dhe, kur Manjola ishte e martuar me fëmijë, dhe papritmas u sëmurë në moshë shumë të re, në një kohë që mund të gëzonte edhe më shumë veten, burrin dhe fëmijët, familjen e saj , shoqërin dhe gjithë dashamirët, u nda nga ne për në jetën e pasosur, dhe kjo dhimbje e madhe mund të na kalojë vetem e vetem në qoftë se ne si qytetar ose si të krishter, e përcjellim atë me pyetjet që Krishit ju drejtua Martës kur i tha :” A e kupton ti kush jam unë- Unë jam ai që jap ringjalljen dhe shpresën”. Dhe ajo në atë përvuajtjen e saj i tha :”Yes Lord – Po Zot!”
Gjatë predikimit të Meshës së Dritës, Dom Nikolini, tha se të gjithë duhet të besojm që jeta nuk mbaron me vdekjen –
Për Dom Nikolinin :”Njeriu që edhe pse ndoshta largohet nga ne dhe ne nuk kemi mundësi të flasim dhe ta përkasim atë të komunikojmë si kemi komunikuar, përpara kur ai ka qenë në jet, do të thotë se një njeri që beson në Zot me të vërtet, dhe është i bindur se komunikimi me ato që kan shkuar në jetën e pasosur vazhdon dhe është e mundëshme”.
Ai lut që Manjola të pushoi në paqe! “Ju si familje jam i sigurtë që keni shumë kujtesa – keni shumë mendime , vazhdoi predikimin e tij Dom Nikolini, keni shumë eksperienca dhe kujtime, që ju jam i sigurtë që ju do ti mbani dhe do ti ruani të shtrejta dhe do ti kujtoni gjithmonë ato momente që ju i vlerësoni tek ky njeri, që ai ka pasë si vlera dhe karakter të fortë dhe ti thoni se sot e gjithmonë ne do të kujtojmë, do të lutemi për ju dhe në të njëjtën kohë do të kërkojmë që edhe ju të luteni për ne. ”
Pas meshës një orëshe kortezhi me dhjetra njerëz iu drejtua rrugës drejt Varrezave Saint Charles Cemetery në Wellwood në Farmingdale, të ishullit Long Island – New York.
Dom Nikolin Përgjini, aty mbi varrin e hapur, ku ishte vendosë arkivoli me trupin e pajetë të Manjolës, mbajti lutjen e fundit. Dënesa dhe lot, pshertima dhimbjeje dëgjohen në turmë, duke hedhur mbi arkivolin e saj nga një trandafilë të freskët. Të gjithë vendosin kurora me lule të freskëta mbi arkivol. Sa shumë lule sa shumë trandafila sa shumë kuruora me lule! Ngaqë një lule, që u këput ishte dhe vetë vajza e bukur e kampeve të internimit, Manjola Mirakaj. Nëna Dolorez, i ka ulur sytë e përlotur mbi arkivol dhe përcjell dhimbjen. Leka, i ati vajzës, që ka përballuar situata të vështira në hetusinë dhe burgjet e diktaturës, në kampet e internimit, dhe ka treguar karakter të fortë, arrin ta mbajë veten dhe përcjell tek pjesmarrësit e shumtë në varrim mesazhe falenderimi e mirësie. Pas varrimit sipas zakoneve familja, Mirakaj shtroi drekën e fundit për Mnajolën!
Në fund nëpërmjet organit të Vatrës, DIELLI, në emër të familjes Mirakaj dhe Libohova, ata falenderojn me këtë rast, të gjithë miqtë dhe dashamirët që iu janë gjetur pranë në këto momentet e vështira të ndarjes nga kjo jetë, të bijës , gruas dhe nanës të pa harushme për dy vajzat Anna dhe Emma.
Flenderojmë, thotë familja Mirakaj dhe Libohova, të gjithë ata të njohur e të panjohur që na u gjenden afër nëpërmjet telefonatave dhe mjeteve elektronike në rrjetet sociale të internetit, që na shprehen dhimbjen dhe na ngushëlluan për humbjen e Manjolës.
Ju a kthefshim të gjithëve në ditë gëzimi me nderime Lek, Dolores Mirakaj dhe bashkëshorti i saj Agjah Libohova. Lamtumirë Manjola, vajza me karakter të fortë e kampeve të internimit! Shpirti në Paqë!