• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Këndvështrimi i një idealisteje

September 27, 2021 by s p

Marjana Bulku

Mund të duket idealiste dëshira pêr të parë një Parti Demokratike të bashkuar, por është pikërisht kjo çka i duhet jo vetëm asaj por dhe Shqipërisë sot më shumë se kurrë edhe pse debati, ndasitë dhe përçarjet kanë marrë pêrmasa të hatashme, ndaj fuqia ime e vetme êshtë urimi që të mos dalin jasht kontrollit.

Mund të duket idealiste ëndrra ime për një PD me identitet, me të drejta, parime, vullnete pozitive dhe histori dinjiteti  pasi pikërisht kjo ishte ëndrra e shumëkujt që u afrua aty që në momentet e para të lindjes së pluralizmit politik në Shqipëri.

Edhe pse gabimet në PD janë individuale e pasojat deri diku kolektive, pak kush e kuptoi se sa peshë ka individii në subjekte që lindën pikërisht si nëvojë lirie dhe të drejtash të munguara ndaj respektimi i mendimit të ndryshëm është alternativë më shumë dhe jo armiqësi.

Gjithmonë e kam vuajtur në heshtje indiferencën pushtetare kur individë të pashpresë por me sy nga shpresa për demokraci vetëdigjeshin, pasardhës të familjeve të vuajtura nga diktatura iknin e iknin nga atdheu me barra zhgënjimi mbi supe. Kam reaguar me vigjilencë kur trashëgimtarë vuajtjesh e persekutimi ndëshkoheshin me papunësi në ditët më të bukura të udhëheqjes së asaj që ne e quanim dhe donim një forcë të djathtë.

Dialogu i munguar në PD, jo pak herë na shndërroi në monologues që në pamundësi për t’u dëgjuar i flisnim vetes por si idealiste prap mendoj se koha e reflektimit ështē plurale dhe kurrë nuk ështē vonë pêr të thënë çka nuk u tha apo për të kërkuar ndjesë për gabime që tkurrën atë formacion lirie që lindi për ti dhënë frymë lirive të munguara.

Dhe si idealiste që jam, me liri kuptoj liritë që lindin të tjera liri e ku baza është Zoti dhe e drejta që nuk cënon askënd.

Është idealiste të besosh se askush nuk duhet përjashtuar në demokraci, askush nuk duhet lënë menjanë apo mohuar në forume të tilla ku individi ka vlerë po aq sa grupimi.

Mendoj se do të kishte qenë shumë e thjeshtë të kishim pasur një PD demokratike, mjafton të mos imitomim Partinë e Punës, dhunuesen 50 -vjeçare të lirive, të drejtave, pronës , historisë, ekonomisë, edukimit, njohjes së botës përreth dhe asaj tonës brenda nesh.

Mjafton ta donim e shfletonim historinë tonë , ti njihnim e nderonim njerëzit tanë të edukuar brenda dhe jashtë vendit, të donim njëri -tjetrin e të mos i shpallnim armiq ëndërrimtarët e lirisë dhe Kombit të përbashkuar, t’ju kërkonim ndjesë viktimave të diktaturës e ti kishim ata në muzetë e ndêrgjegjes dhe të historive tona.

Duket e pamundur edhe pse ishte e thjeshtë ti dëgjoje zërat që nuk flisnin dot , ata që viktima i bēri regjimi, mjerimi por edhe injorimi dhe indiferenca e autoriteteve.

Mjafton të ishim opozita e së keqes, e dhunës, vjedhjes, imoralitetit, shthurjes, dhe do ta kishim tejkaluar kështu sadopak të shkuarën tonë që na mban peng.

Mund të duket idealiste por nga politika mësova të mos urrej kurrë askënd për bindje të ndryshme politike nga unë. Dhe kêshtu shumë nga ata në mos do të mendonin si unë, do të më kuptonin dhe mirëkuptonin. Dhe kjo nuk është teori por realitet që unë e kam jetuar jo shumë vite më parë.

Askujt nuk mund ti imponohesh dot me forcën e pushtetit apo me presion, më keq akoma me shpifje e shantazh pasi koha provon se gjithçka ke aplikuar gjatë udhës do të rikthehet në po të njejtën mēnyryrë mbi ty. 

Mund të duket idealiste por në të gjitha statistikat, fjalëkëmbimet, korrespondencat të dhënat që unë ruaj ka një historizës të vogël çka më rrëfen se historia është ajo që mban gjallë subjektet dhe objektet tona dhe se ajo pa individët dhe rolin e tyre nuk frymon.

Në debatet brenda të tërêsi siç është rasti i fundit në PD nuk mund të ketë;  me mua apo me atë, përgjigja ime ndonëse idealiste do të ishte; me historinë, me atë që lindi rrugicave të qytetit studenti, u ngjiz nga pedagogët dhe intelektualet dhe u lind nga idealistët dhe dashnorët e lirisë. 

Po po është idealiste të pohosh se po ajo liri thërret prap; intelektualët dhe themeltarët, patriotët dhe mendimtarët per ti çelur udhën e arsyjes një politike të djathtë që ka rast të jetë e kundërta e të keqes që ka pllakosur vendin tonë, një shteg shprese se atij vendi nuk i mungojnë mendimtarët dhe patriotët që dijnë t’ia mbrojnë të tashmen në udhëkryq dhe të shkuarën që ende nuk është shkruar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Marjana Bulku, Partia Demokratike

PËR LIDERIN E SHEKULLIT TË RI

September 20, 2021 by s p

Marjana Bulku

E ke të vêshtirë të shmangêsh subjektivizmin kur ndjek komunikimin e një bashkëmoshatareje me të cilën ke ndarë kohë të bukura në auditore universiteti por objektivizmi real që buron prej kualitetit komunikativ, dijeve të paana dhe elokuencës vibrantë të bëjnë ta përjetosh shumfish suksesin e tjetrit, mik apo edhe i panjohur qoftë . Iris Halili mbërriti në Federatën Panshqiptare Vatra me botimin e saj më të fundit “ Lideri nuk lind… bëhet” një libër që ka marrë vlerësime maksimale nga Bukinist,kritikët , analistët dhe lexuesit e shumtë . Ajo udhëtoi nga Florida drejt Nju Jorkut sepse zgjodhi pikërisht Vatrën si vendin nga ku historia , letërsia dhe patriotizmi u ndërthuren përmes dhjetra fijesh duke endur kështu rrënjët tona që këtu në emigrimin e largët konturojnë identitetin tonë . Prezantimi i veprës “ Lideri nuk lind…bëhet” shpalosi nëpërmjet një komunikimi interaktiv profilin e një akademikeje , ish peragoge e letërsisë moderne në Universitetin e Tiranës, atë të studjueses dhe analistes që nuk i mungon shtypit të ditës me analizat dhe refleksionet e saj si dhe njohëses brilante të politikës së Tiranës dhe jo vetëm, ish shefe e kabinetit të Presidentit Alfred Moisiu dhe doktoruar në USA mbi çështjet  e Lidershipit. Gjatë gjithë komunikimit të saj në Vatër Irisi solli shembuj nga historia, studimet e shumta , rastet shqiptare duke nxitur debat dhe refleksion mbi rolin e liderve dhe ndikimin e tyre në realitete të ndryshme kulturore ku fuqia e ndjekësve dhe ndikimi i tyre në fatet e politikave mbetet një çeshtje e hapur dhe mbase shteg nga ku buron shpresa e ndryshimit. Alternimi i dijeve të kultivuara me përvojat profesionale e jetësore sollën një komunikim që pati efekte të shumta në  mes të pranishmëve duke nxitur pyetje, komente dhe reflektime nga më të larmishmet mbi politikën e ditës. “Lideri nuk lind …bëhet” i konceptuar si një material i koncentruar studimesh mbi teoritë e lidershipit botuar nga shtepia botuese Dituria, erdhi tek lexuesit shqiptaro amerikanë edhe si tekst por edhe përmes një zbërthimi të detajuar të autores e cila për rreth një orë prezantoi tiparet e liderave që udhëhoqën botën dhe aftësitë e ndjekësve apo dhe pa aftësinë e tyre për të pranuar ose jo fatin apo fatalitetin nën trysninë e liderave toksikë, izolacionazistë, që iu imponuan skenave politike për arsye të shumta e ku pa dyshim ndjekësit dhe fuqia e panjohur e tyre në arenën e politikês radhitet si faktori x i ndryshimeve maksimaliste . Frymës patriotike të Vatrës të cilën e mban gjallë historia dhe mendjet e ilustruara  me pendë , iu bashkua edhe një libër i ri, një mendimtare e re , një patriote në shpirt dhe në veprim që erdhi në Vatêr si vizitore e largët nga Florida dhe mbeti e paharruar aty përmes mendimit dhe veprës së saj .

Filed Under: Politike Tagged With: Lidershipi, Marjana Bulku

VATRA PROMOVOI LIBRIN E STUDIUESES IRIS HALILI “LIDERI NUK LIND…BËHET”

September 19, 2021 by s p

Sokol Paja

New York më 19 Shtator 2021- Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra u promovua libri “Lideri nuk lind…bëhet” i studiueses Iris Halili. Gazetarë, studiues, mësues, intelektualë, patriotë, vatranë e shumë miq u bënë pjesë e festës së librit. Nën prezantimin brilant të gazetares Marjana Bulku, libri “Lideri nuk lind…bëhet” i përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 në kategorinë libër i mendimit, organizuar nga portali më i madh i librit online në Shqipëri “Bukinsit.al” ngjalli shumë interes dhe kureshtje për pjesëmarrësit. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha pasi uroi mirëseardhjen dhe përshëndeti takimin, në diskutimin e tij u ndal te rëndësia e liderit në diplomaci, shoqëri, shtetndërtim dhe familje.

Frank Shkreli gazetar dhe drejtues i Zerit të Amerikës, në kumtesën e mbajtur me këtë rast të lexuar nga Marjana Bulku ka deklaruar se: “U garantoj se në qoftë se dëshironi të jeni vërtetë liderë të mirë e frymëzues, jo vetëm në politikë, por edhe në jetën e përditshme, ky libër ofron shembuj e analiza, opinione e thënje nga personalitete botërore që do t’u frymëzojnë që të bëheni liderë të mirë e frymëzues dhe jo negativë ose siç i quan studiuesja Halili, “toksikë”, si diktatori komunist Enver Hoxha.  Apo edhe më mirë, të bëheni liderë, shembulli i të cilëve duhet imituar, siç është Nënë Tereza.  (Autorja shpjegon gjithashtu se pse përdor termin “lider” dhe “lidership” dhe jo “udhëheqës” dhe “udhëheqje” – si dikur “nën udhëheqjen e partisë”, “udhëheqsi i lavdishëm”, etj ). Por është një libër që përqendrohet gjithashtu edhe në marrëdhëniet e liderve dhe ndjekësve të tyre, si një temë kryesore, “pasi janë ata që fuqizojnë dhe shfuqizojnë liderët”. Libri ka një mesazh të thjesht por të rëndësishëm për politikën aktuale të botës shqiptare – mbushur plot e përplot me liderë të këqij – por dhe për shqiptarët ndjekës të politikanëve, në përgjithësi – liderëve të paaftë  e të korruptuar – e që na kujtojnë edhe fjalët e filozofit francez Joseph de Maistre, i cili është shprehur në vitin 1811 se, “Toute nation a le gouvernement qu’elle merite”, (“Every nation has the government it deserves.”) Secili komb ka qeverinë që meriton” thuhet në kumtesën e z.Shkreli. Dr. Albert Gjoka, themelues dhe menaxher i platformës së librit shqip, Bukinist.al nëpërmjet mesazhit të dërguar në promovim ka shkruar se libri “Lideri nuk lind…bëhet” i Iris Halilit, është shembull i qartë i kësaj tradite njerëzish fisnikë, ku me kontributin e ideve, na fton ne të gjithëve, – sidomos këtu në Shqipëri, të ndërtojmë një mendësi tjetër ndaj liderit dhe lidershipit. Autorja na sfidon që në titull, – duke na trazuar fort brenda nesh përgjegjësinë e të qenit lider, në familje, në komunitet, në organizatë apo në bashkësitë e tjera ku jemi të pranishëm. Irisi e njeh shumë mirë mendësinë e liderit shqiptar përgjatë historisë, – dhe aq më mirë liderin e ditëve tona. Ajo ka pasur përvoja personale pune dhe marrëdhëniesh me disa prej tyre, – dhe e kupton më mirë se shumëkush tjetër përmasën e liderit, rolin e tij, mundësitë dhe pamundësitë e lidershipit shqiptar. Liderat janë produkte të traditës së tyre, të historisë plot konflikte dhe të mendësisë për ta asgjësuar tjetrin. Unë besoj se ky libër vjen në kohën e duhur, – si një ftesë për ndryshim radikal në modelit të liderit në Shqipëri, – për krijimin e një lidershipi të ri. Sepse lidershipi është një disiplinë të cilën duhet ta mësojmë përmes shkollës dhe librit. Lidershipi nuk është thjeshtë produkt i traditës, apo shprehive social-kulturore në përditshmërinë tone” citohet në kumtëzën e z.Gjoka. Autorja Iris Halili në prezantimin e saj u shpreh se Karizma si tipar dallues në lidership veçon aftësinë për të frymëzuar ndjekësit. Po t’i referohemi historisë do të vërejmë se falë karizmës personale shumë figura/ lider historike i përcillnin aq shumë emocion ndjekësve të tyre sa këta të fundit flijoheshin në emër të kauzës që gjithmonë lideri karizmatik e ndërton dhe përcjell në formën më depërtuese dhe emotive. Lideri narcisist kërkon admirim të pamasë nga ndjekësit. Ai nuk jeton dot pa këtë lloj admirimi. Jo më kot të gjithë liderët narcisistë janë të fiksuar që të kenë nën kontroll artin i cili duhet të prodhojë lavde dhe himne vetëm për të. Lideri narcisist ka një mungesë të theksuar empatie dhe mungesë ndjenjash ndaj nevojave të të tjerëve. Përgjithësisht ai i shikon ndjekësit krejt si objekte dhe kjo vjen nga fakti se narcisistët vuajnë nga mungesa e empatisë. Lideri narcisist e shikon veten si zoti dhe beson se është në të drejtën e tij t’i trajtojë ndjekësit sikur të jenë thjesht sende. Ndonëse ai hiqet sikur ka ndjeshmëri ndaj ndjekësve, në fakt ai pothuaj nuk ka asnjë lidhje emocionale me ta. Ky është edhe rreziku më i madh i shoqërive që drejtohen nga liderë me personalitet narcisist; ata shumë shpejt kthehen në autoritarë e po të mos ndalohen në kohë në diktatorë të pamëshirshëm, sipas Iris Halilit. Ky libër ngjalli shumë diskutime nga të pranishmit si Agim Alickaj, Muhamet Omari, Dr. Pashko Camaj etj. Libri i Iris Halilit “Lideri nuk lind…bëhet “ dallon për gjuhen e kthjellët dhe të qartë përmes së cilës autorja na përcjell cilësitë/tiparet që dallojnë liderët. Ky libër tashmë është kthyer për lexuesin shqiptar si një manual që në formë lakonike dhe sintetizuese rrëfen rrugën sesi çdo kush mund të bëhet një lidër i sukseshëm apo edhe një ndjekës i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës.  Mes shembujsh konkretë nga historia botërore dhe ajo shqiptare, autorja na percjell tiparet e liderve që kanë bërë histori  si për mirë dhe për keq, si dhe shpjegon sesi modelet e tyre të lidershipit kanë përcaktuar fatet e ndjekësve, kombeve apo kompanive që ata kanë drejtuar. Në fund të promovimit u shtrua një koktejl i përgatitur për Vatrën me shumë përzemrësi nga patrioti Tush (Toni) Musaj. Në promovim pjesëmarrësit morën librin me autografe dhe u mblodhën 405 USD të cilat autorja Iris Halili ia dhuroi Federatës Vatra. Pas përfundimit autorja për miqtë e saj të ftuar dhe një përfaqësi nga autoritetet drejtuese të Vatrës shtroi një drekë falenderimi dhe mirënjohjeje.

Filed Under: Featured Tagged With: Iris Halili, Marjana Bulku, Sokol Paja, Vatra

“LIDERI NUK LIND…BËHET” PROMOVOHET NË VATËR TË DIELËN MË 19 SHTATOR

September 11, 2021 by s p

Dielli/

Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, ditën e Dielë më 19 Shtator 2021, ora 11 am, do të promovohet libri “Lideri nuk lind…bëhet” i autores Iris Halili. Libri vjen si një risi, pasi është i pari i llojit të tij në letrat Shqipe. Botuar nga Shtëpia Botuese Dituria, ai është përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 në kategorinë libër i mendimit, organizuar nga portali më i madh i librit online në Shqipëri “Bukinsit.al”. Autorja Iris Halili vjen me këtë botim pas një kariere të gjatë akademike dhe lidershipi si në Shqipëri ashtu edhe në USA. Ajo është gjithashtu e njohur në shtypin Shqiptar dhe atë të diasporës për artikujt e saj sa për lidershipin, letërsinë apo aktualitetin. Autorja ka qenë prej 10 vjetesh  pedagoge e Letërsisë Moderne në Fakultetin e Letërsisë pranë Univesitetit të Tiranes; Shefe e Kabinetit e Presidentit Alfred Moisiu 2002-2005, Këshilltare e Ministrit Sokol Olldashi 2006 -2007 etj. Prej më shumë se 12 vitesh ajo jeton dhe punon në Miami,  Florida. Në USA ka kryer doktoratën për Lidership dhe Zhvillim Organizatash, dhe aktualisht punon në profesionin e saj si Partnere Biznesi e Burimeve Njerzore.

Libri i saj me i fundit “Lideri nuk lind…bëhet “ dallon për gjuhen e kthjellët dhe të qartë përmes së cilës autorja na përcjell cilësitë/tiparet që dallojnë liderët. Ky libër tashmë është kthyer për lexuesin shqiptar si një manual që në formë lakonike dhe sintetizuese rrëfen rrugën sesi çdo kush mund të bëhet një lidër i sukseshëm apo edhe një ndjekës i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës.  Mes shembujsh konkretë nga historia botërore dhe ajo shqiptare, autorja na percjell tiparet e liderve që kanë bërë histori  si për mirë dhe për keq, si dhe shpjegon sesi modelet e tyre të lidershipit kanë përcaktuar fatet e ndjekësve, kombeve apo kompanive që ata kanë drejtuar.

Në promovim pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të blejnë librin 10Usd, të ardhurat e të cilit autorja ka nderin t’ia dhurojë Vatrës.

Promovimi moderohet nga gazetarja Marjana Bulku.

Ju mirëpresim në mjediset e Vatrës.

Filed Under: Politike Tagged With: Iris Halili, LIDERI NUK LIND…BËHET, Marjana Bulku

“ARRITJE DHE PERSEPKTIVA TË MËSIMDHËNIES SË GJUHËS AMTARE TË SHKOLLAVE SHQIPE NË DIASPORË”

September 8, 2021 by s p

                                                

Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, më 7 Shtator ora 6 p.m 2021, Albanian-American Dual Language and Culture dhe Shkolla “Children of the Eagle”, organizuan promovimin e vëllimit të parë të punimeve të seminarit: “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare të shkollave shqipe në Diasporë.  I ftuar për të marrë pjesë në ketë ngjarje me rëndësi kulturore e kombëtare ishte edhe Frank Shkreli, i cili iu drejtua të pranishëmve me këto fjalë:

Të nderuara kolege — Të nderuar kolegë —

Ju falënderoj që më ftuat në këtë promovim, Zonja Gjongecaj. Përshëndes edhe Vatrën që i ka hapur dyertë këtij aktiviteti të vyer, në shërbim të komunitetit.

Jam këtu me ju sot sepse po të ekzistonte ky program 50-vjetë më parë, unë mund të isha një prej nxënësve tuaj atëherë. Për arsye të rrethanave në fëmijëri dhe më vonë në rininë time, unë nuk flisja asnjë prej gjuhëve me një njohuri të nevojshme funksionale, madje as shqipen. Nuk dua të hyjë në historinë time – megjithëse edhe unë i kam pas mësuesit e mi — por dua të theksoj rëndësinë e punës, të misionit e të pëkushtimit tuaj dhe të kolegëve e kolegeve tuaja ndaj projektit të dy gjuhësisë dhe mësimit të gjuhës shqipe, si elementë të domosdoshëm për forcimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në diasporë, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Mund të jetë, thjesht, një rastësi që ky takim sot — në selinë qëndrore të Federatës historike Panshqiptare të Amerikës, Vatra në New York — kushtuar mësimdhënies së gjuhës shqipe në Amerikë dhe më gjerë në diasporë – përkon me 105-vjetorin e themelimit të “Komisisë Letrare Shqipe”, me 1 shtator 1916 në Shkodër — me nismën e Akademisë së Shkencave të Vjenës — 8 vjet pas njësimit të alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe më 1908 në Manastir, ndërkohë që javën e kaluar në Prishtinë është mbajtur Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. 

Megjithëse më shumë se një shekull midis tyre, këto ngjarje kanë të përbashkët, konsolidimin, zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, brezave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë – përfshir edhe albanologët e huaj që janë të interesuar për gjuhën shqipe, e të cilët morën pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën javën e kaluar në Prishtinë. Ky aktivitet, pra – promovimi i librit për mësimin dhe konsolidimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë — nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane e të dy Gjuhëve dhe Kulturave — vazhdon të jetë, siç thuhet në anglisht, “work in progress”, por me një fillim mjaft të suksesshëm dhe me një reputacion ekspertësh të përgatitur e të dalluar shqiptaro-amerikanësh, me arsim të lartë në Amerikë dhe në Shqipëri e Kosovë. 

Falë përkushtimit të dhjetëra edukuesve shqiptaro-amerikanë që marrin pjesë në këtë projekt, profilet e të cilëve janë botuar në librin që kemi sot në dorë, misioni i shenjtë dhe i domosdoshëm që këta patriotë e patriote kanë ndërmarrë nepërmjet këtij projekti, do të vazhdojë me të njëjtin entuziazëm që është filluar disa vite më parë.  Është një mision i shenjtë dhe i domosdoshëm sepse, “mësimi i gjuhës shqipe në shkollat e diasporës”, sipas Zonjës Gjongecaj, “është një çështje esenciale e ruajtjes së identitetit kombëtar” të shqiptarëve që jetojnë jasht trojeve shqiptare në Ballkanin Përendimdor.

Zonja Drita Gjongecaj është themeluese e shkollës së trashëgimisë shqipe, “Children of the Eagle”, e cila operon dy qendra në qytetin e Nju Jorkut me rrethina.  Ajo ka hartuar projektin për hapjen, për herë të parë, të programeve dy gjuhësore në shkollat publike amerikane në vitin 2016,  kur ka themeluar dhe drejton edhe organizatën, “The Association of Albanian-American Dual Language “Culture (AADLC), ose (Shoqatën Shqiptaro-Amerikane të dy Gjuhëve dhe Kulturave). Programet dy gjuhësore — është shprehur Drita Gjongecaj, në një intervistë dhënë kohë më parë,  autores dhe gazetares Marjana Bulkut, në programin e saj, “Një Jetë…Disa Histori” — janë përpiluar “Mbi baza reale akademike dhe me metodat më bashkëkohore tashmë të provuara si të suksesshme”, ndërsa ajo këshillon prindërit dhe nxënësit se, përveç mësimit të gjuhës shqipe si një mjet për ruajtjen e identitetit kombëtar — jetike në vetvete — “Të mësuarit në dy gjuhë jo vetëm e ndihmon përparimin e tyre edhe në mësime në përgjithësi, por në të njëjtën kohë, i bën këta fëmijë akoma më observues, më të thellë në mendimin analitik e po ashtu me kulturë të gjerë”, ka thënë Zonja Gjongecaj, duke shtuar se “E vecanta e këtij programi është se u krijon nxënësve, njëkohësisht, mundësinë për të përvetësuar dy gjuhët, si atyre që kanë lindur në Amerikë dhe e kanë anglishten si gjuhë parësore, edhe atyre që dinë shqip por vetëm pak ose aspak anglisht”.

Ky është, pikërisht, edhe misioni i dyfishtë i “Albanian-American Dual Language and Culture dhe Shkolla “Children of the Eagle” (Fëmijtë e Shqiponjës), mësimi i gjuhës shqipe për të ruajtur identitetin kombëtar dhe për të ndihmuar fëmijtë shqiptaro-amerikanë, që me anë të dy-gjuhësisë, të jenë edhe më të përgatitur për karierat e tyre dhe për jetën në përgjithësi.  Kjo është edhe arsyeja që së bashku me Federatën Panshqiptare Vatra, si shërbim për komunitetin, organizohet sot promovimi i vëllimit të parë të punimeve të seminareve I-II e III të Shoqatës: “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare të shkollave shqipe në Diasporë”, një seminar ky i përvitshëm tanimë, që për komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe më gjerë, është shëndërruar në një traditë që bashkon në një tryezë mësues, studiues, gazetarë, historianë dhe veprimtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe jo vetëm.

E gjithë kjo veprimtari më bën të këthehem mbrapa në histori 50 vjetë më parë të komunitetit dhe më kujton sa shumë kanë ndryshuar punët në këtë fushë, gjatë viteve dhe dekadave të kaluara — për më mirë, natyrisht.  Jo se dikur mungonte vullneti për veprimtari të tilla. Por, komuniteti ishte shumë i vogël në krahasim me sot. Mungonin, jo vetëm, mundësitë dhe mësuesit me diploma, por mungonin dhe nxënësit. Gjatë 1970-ave dhe më vonë, disa kisha dhe xhamia këtu në Nju Jork përpiqeshin të organizonin mësimdhënie të gjuhës shqipe në qendrat e tyre fetare, por pa ndonjë sukses të madh dhe më në fund, pas një kohe të shkurtër, veprimtari të tilla, megjith vullnetin e mirë të disa udhëheqësve të komunitetit në atë kohë, fatkeqësisht, u ndërprenë.

Ndërkaq, megjithë sukseset e deritanishme, jam i vetdijshëm se edhe ju përballeni me shumë sfida dhe vështirsi në projektin tuaj.  Më vjen keq të them por për punën tuaj të admirueshme në të ardhmen – për ruajtjen, konsolidimin dhe promovimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare — mos prisni ndonjë ndihmë nga Atdheu, por të vareni, kryesisht, në mundësitë tuaja dhe në ndihmën e enteve amerikane të arsimit, siç është Departamenti i Arsimit këtu në Nju Jork dhe organizata të tjera vendore. Ruajtja e identitetit kombëtar në radhët e diasporës shqiptare, nepërmjet mësimit të gjuhës, historisë dhe kulturës, nuk është një përparësi as për Tiranën due as Prishtinën zyrtare. Ndokush që mund të kishte shpresë për ndonjë ndihmë, për mësimin e gjuhës shqipe nga Ministria e Diasporës në Shqipëri, ajo nuk ekziston më, ndonëse për nga natyra e saj duhej të ishte e lidhur ngusht me punën tuaj vullnetare.

Unë e kisha pritur mirë, para disa vitesh, themelimin e Ministrive të Diasporës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë Veriore, megjithëse qysh atëherë, disa herë, kam dhënë gjithashtu alarmin se me kalimin e kohës, objektivi zyrtar për krjimin e këtyre ministrive, më dukej gjithnjë e më shumë propagandistik se sa qëllim mirë, sidomos në Shqipëri.  Më dukej se ato ministri ishin krijuar me objektivin e caktuar politik në mendje për të përdorur diasporën për qëllime politike dhe deri diku përçarse. Edhe vërtetë ia dolën.  A i mbani mend të ashtuquajturat “samite” propagandistike të diasporës në Tiranë? U kujtohet kur mburreshin me “suksesin” dhe “kontributin” e tre ministrave të diasporës shqiptare në fushën e mësimit të gjuhës shqipe dhe të forcimit të identitetit kombëtar duke shpërndar disa abetare në diasporë dhe asgjë më tepër?! Për çdo qeveri e shtet normal, përgjegjësia kryesore është mbrojtja e sigurimit të vendit dhe identitetit kombëtar. 

Këto ditë, vuri kush re se Ministria e Diasporës në Shqipëri nuk është më?  Askush, asnjë shpjegim, pse ishte krijuar fillimisht dhe pse u mbyll — pa asnjë koment as justifikim nga qeveria, nuk pyet as media se si zhduket një ministri pa asnjë shpjegim zyrtar.

Por le t’i këthehemi subjektit për të cilin jemi mbledhur këtu sot.   Siç e dini, ne në botën tonë shqiptare patriarkale kemi një thënje të vjetër, “Burri i mirë me shokë shumë”, por në këtë rast duhet të themi “Gruaja e mirë me shokë e shoqe shumë”. Mundi i të cilëve, në një punë kaq të mundimshme dhe të gjatë, e berë me pasion e dashuri për ruajtjen e gjuhës, historisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, duhet njohur dhe çmuar shumë prej të gjithë neve këtu në diasporë por edhe në trojet shqiptare.  Libri që promovojmë sot, “Arritje dhe Perspektiva të Mësimdhënies së Gjuhës Shqipe Amtare në Shkollat Shqipe të Diasporës” të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të dy Gjuhëve dhe Kulturave, është një libër kushtuar, “Të gjithë mësuesve dhe dashamirësve të gjuhës e kulturës shqiptare, në mënyrë të veçantë atyre të diasporës, kudo ku ata jetojnë e veprojnë.”  Të gjithë ata kudo qofshin, i përshëndesim sot përzemërsisht, i urojmë dhe i falënderojmë ngrohtësisht për kontributet e tyre. 

Nëqoftse më lejohet në këtë 5-vjetor të shënjtërimit të Nenë Terezës, “Jo të gjithë ne, mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, ka thenë Nenë Tereza.  Për mua, personalisht, puna e kësaj shoqate dhe antarëve të saj është një punë e madhe e bërë me shumë dashuri për gjuhën shqipe, për kulturën dhe për identitetin kombëtar të shqiptarëve në diasporë, ku jeton pothuaj gjysma e kombit.

Mund të them me gojën plot se arritjet e juaja deri më sot janë mbresëlënse, ndërsa perspektivat i gjykoj mjaft premtuese për të ardhmen, duke pasur parasysh punën e deritanishme të personave si Drita Gjongecaj me bashkpuntorët e saj si dhe nevojën e madhe që ekziston për mësimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në komunitetin shqiptaro-amerikan, në rritje e sipër. Urimet dhe falënderimet e mia më të përzemërta të gjithë atyre që bejnë pjesë në këtë ndërmarrje fisnike dhe kombëtare.

Frank Shkreli

                                         Drita Gjongecaj    

     A picture containing graphical user interface

Description automatically generated.    .Text

Description automatically generated

Inline image
Inline image

Filed Under: Featured Tagged With: Drita Gjongecaj, Frank shkreli, Marjana Bulku

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT