Nga Sulejman GJANA/*
Të besuarit fort tek përgjegjshmëria dhe kodi moral i politikës, m’i bën të pakuptueshëm nxitimin dhe shkujdesjen absurde të qeverisë në lidhje me “Marrëveshjen e Detit” të negociuar së fundmi me Greqinë.
Çfarëdolloj interesash shtetërorë, ose jo, tendencash për protagoniszëm, apo përfitimesh politike, nuk mund t’i shërbenin kurrsesi Ramës si hajmali fuqie për injorimin e reagimit negativ të opinionit publik pas akuzave të natyrshme, që burojnë nga frika e shqiptarëve për “tradhtinë” e radhës nga klasa politike.
Zhvillimet vijuese në Kosovë, me të njëjtin sfond për Demarkacionin dhe Zajednicën, por sidomos reagimi i pritshëm i opozitës (me në krye PD) pas intransparencës fyese, që shoqëroi negociatat Greqi-Shqipëri, me apo pa marrëveshje të përmbyllur – duhet ta shtynin mazhorancën të mos ngutej aq tinëzisht, befas dhe në errësirë të plotë.
Duket se një hall apo interes i madh e ka shtyrë Ramën t’i vërë shqiptarët para faktit të kryer, duke shmangur edhe Kryetarin e Shtetit, i cili rezultoi se nuk kishte kurrfarë dijenie për ç’bëhej me kufijtë e shtetit që kryeson!
Sot faktorët politikë e shtetërorë shqiptarë në rajon e kanë gjithmonë e më të vështirë t’i kundërshtojnë akuzat se në të gjitha rastet kanë pranuar të negociojnë (me imponim, ose jo) vetëm agjendat e fqinjëve dhe kurrë agjendat tona.
Frika nga e panjohura, pra nga e vërteta për stadin se deri ku kanë mbërritur negociatat – se mos vallë është përmbyllur marrëveshja dhe autorizimi i Presidentit Meta kërkohet vetëm për formalitet…, se mos kemi humbur më shumë sesa marrëveshja e mëparshme (anuluar nga Gjykata Kushtetuese), etj., u kanë dhënë furi debateve, akuzave të ndërsjella, deri edhe humorit të zi. Madje si ilustrim i këtij të fundit është përdorur batuta e famshme e një negociatori të marrëveshjes së kaluar, që asokohe u shpreh se “… i kemi dhënë me mirëkuptim më shumë ujëra detarë Greqisë, sepse ka flotën ndër më të mëdhatë në botë dhe pa ndihmën tonë u vështirësohej qarkullimi i anijeve (!)”.
Dhe humori i zi vazhdon me batutën se “ndoshta kësaj radhe mund të marrim ujëra dhe peshq më shumë, por do humbasim në zonat ekskluzive ekonomike ku ka më shumë gaz dhe naftë…”, athua se ndokush ndër shqiptarët ka informacion të klasifikuar se në cilat koordinata janë zbuluar këto vendburime të përfolura (!).
Dhe bash këtyre absurditeteve që zgjojnë djajtë e dyshimeve, mazhoranca u përgjigjet me marrinë tjetër “garantuese” se “kësaj radhe do të marrim shumë më tepër ujëra detarë se në marrëveshjen që u anulua…, ja, keni për ta parë…, jua themi ne që e denoncuam dhe e paditëm në Kushtetuese atë marrëveshje që përbënte ‘tradhti kombëtare’ (!)”.
Shkurt dhe troç, mazhoranca dhe opozita po e përdorin marrëveshjen për t’u shfaqur secila më patriote se tjetra dhe për ta mbajtur elektoratin përkatës në orbitë, duke u dhënë qytetarëve përshtypjen se të gjitha palët po i mbrojnë interesat kombëtare, natyrisht secila në mënyrën e vet.
Në debatet publikë lidhur me marrëveshjen e kaluar dhe vendimin anulues të mëpastajmë të Gjykatës Kushtetuese, konstatohet hapur sjellja djallëzore e disa protagonistëve politikë e teknikë (çka i shton dyshimet për fajësi të qëllimshme), teksa deklarojnë se gjoja për shkak të respektit për Drejtësinë nuk pranojnë ta komentojnë vendimin unanim (nëntë me zero!) të Gjykatës Kushtetuese. Them kështu, sepse kam bindjen e patundur se vendimet gjyqësore eprore në të gjitha vendet demokratike janë të paapelueshme e si të tilla edhe të detyrueshme për zbatim – ama, jo sepse kanë ndonjë fuqi, drejtësi e vërtetësi hyjnore, por sepse supozohet se në to mishërohet “drejtësi” që buron nga sovraniteti i plotë i ushtruar në emër të popullit sovran, nga perfeksionimi i doktrinave dhe i teorive të së Drejtës, si dhe i praksës gjyqësore…
Me këtë dua të them se këto vendime janë të pakundërshtueshme në zbatim, por nuk janë e nuk mund të jenë kurrsesi të pakomentueshme e të paqortueshme nga opinione me operacion logjik, akademik, apo juridik. Çka do të thotë se askush nuk ka ndaluar askënd në mbarë shqiptarinë që të kundërshtojë, komentojë e qortojë me argumente vendimin e gjykatës në fjalë në lidhje me marrëveshjen e kaluar.
Ndaj sot duket fyese arratisja e dredharakëve ish-protagonistë nga e vërteta e padiskutueshme se vendimi i asokohshëm i Gjykatës sonë Kushtetuese, mbi të gjitha, ishte i stërfuqishëm jo thjesht për shkak të autoritetit kushtetues dhe superlartësisë së saj vendimmarrëse në hierarkinë e sistemit gjyqësor, por sepse dispozitivi arsyetues i vendimit ishte tejet profesional dhe i nivelit të lartë teoriko-akademik, për shkak se ishte formuluar nga njëri prej ekspertëve më të mirë shqiptarë të së Drejtës së Detit, nga ish- profesori-lektor në Fakultetin Juridik të UT (kryetari i atëkohshëm i Gjykatës Kushtetuese, prof. dr. Xhezair Zaganjori).
Asokohe, gjatë hetimit gjyqësor të marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese, qeveria e paditur nga PS gaboi rëndë kur si eksperte përfaqësuese dërgoi një ish-drejtoreshë të MPJ që u broçkulliti gjepura Zaganjorit dhe anëtarëve të trupës gjykuese të akademikë-gjyqtarëve më të shquar të vendit. Trupë që në fund vendosi jo vetëm të mbronte me vendimin e saj interesat jetike të shtetit shqiptar, por krahas tyre të mbronte edhe parimet e shenjta të akademizmit, doktrinave juridike dhe të së Drejtës së Detit, të nëpërkëmbura nga negociatorët e papërgjegjshëm.
Ndaj dhe në këtë kontekst, Presidenti Meta kishte plotësisht të drejtë kur e konsideroi vendimin në fjalë si “vijë e kuqe” që duhet mbajtur në konsideratë gjatë negociatave dhe si themel në formulimin e marrëveshjes së re.
Ishte pikërisht ky veprim intransigjent i Presidentit, që e detyroi fillimisht z. Bushati dhe më pas z. Rama që të mos ngulmojnë pambarimisht “t’i tregojnë babait kufijtë e arave”, por të shkojnë në Presidencë për të dhënë sqarime dhe marrë autorizimin për vijimin e negociatave.
Megjithatë, “të vepruarit si skuadër” (e grupit negociator me Presidentin – sikurse u shpreh z. Bushati pasi doli nga Presidenca), nuk mundet t’i fshijë të gjitha dyshimet, sidomos pas takimit të fundëm kokë më kokë të “armiqve” Rama e Meta. Dhe kjo sepse “skuadra” në fjalë të kujton “skuadrën” kosovare Presidencë-qeveri të para disa viteve, që mbante fshehur nga deputetët e opozitës bisedimet Serbi-Kosovë, që mbaheshin në Bruksel, teksa zv.kryeministresha ua refuzoi transparencën për to deputetëve opozitarë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit me argumentin se “bisedimet e Brukselit janë dhe duhet të mbeten sekrete”. Por, mori përgjigjen shkatërruese: “Pra, ju jeni zotuar t’i ruani amanet-sekretin armikut historik që na ka vrarë dhe prerë tash dy shekuj dhe këtë sekret e mbani fshehur nga deputetët-përfaqësues të popullit shqiptar të masakruar nga ky hasëm? Po na thoni të paktën se me cilin jeni, me ne shqiptarët apo me Serbinë…”?
Gjithsesi, duhet pranuar se, përtej deklaratave dhe qëndrimeve për konsum politik të brendshëm të palëve, tejet të paktë janë qytetarët që kuptojnë se ç’po ndodh realisht dhe çfarë do të fitojë e humbasë Shqipëria nga “Marrëveshja për Detin”. Por pavarësisht kësaj, transparenca duhet të jetë maksimale dhe turravrapi për nënshkrimin e marrëveshjes duhet të ndalet sa më parë, sidomos tani kur zërat për dhënien e lejes për kërkime nga shteti grek për blloqe-zonat në diskutim për ndarje janë shtuar krahas zërave se Rama ka mbaruar punë, por pret vetëm të firmosë edhe formalisht.
Çështja thellësisht teknike sikurse është përcaktimi i vijës kufitare detare midis dy vendeve fqinje mbart shkallë të pazakontë vështirësie (dhe kujdesi…) edhe për ekspertët e fushës në vendet me përvojë në trajtimin dhe zgjidhjen e problematikave të tilla. Dhe kjo sepse pothuajse në të gjitha rastet, gjatë ndarjes së ujërave, kërkohet kombinimi i ligjësive, parimeve dhe metodikave të njohura ndërkombëtarisht nga doktrina e së Drejtës së Detit. Dhe sepse marrëveshjet ndërshtetërore prodhojnë edhe efekte të gjithëpranuara këto e të zbatuara ndërkombëtarisht gjithashtu, pas ratifikimit nga parlamentet kombëtare, nga OKB në të cilën dorëzohen dhe regjistrohen.
Nëse nuk do të ishin përdorur parime, kritere dhe metodika të kombinuara sipas rasteve të panumërta të njohura dhe jo thjesht dhe vetëm parimi i “baraslargësisë” së kundëradmiral Gervenit, atëherë Greqia me ishujt e saj Sestus, Lemnos, Lezbos, Chios, Samos, Miletus, Yali, Cnidys, Rodos, Carpathos etj., do ta kish mbyllur Turqinë (tokë kontinentale) në pak kilometra të brigjeve turke të Egjeut dhe me këtë logjikë “gervenët turq”, me vetëpranim, gjithë detin Egje pas këtyre ishujve të famshëm grekë do ta kishin njohur dhe shpallur botërisht, me marrëveshje, si det grek dhe si ujëra territoriale greke, ku nuk do të mund të lundrohej pa lejen e Athinës drejt Dardaneleve e Bosforit për në Detin e Zi dhe anasjelltas… Por, as në Turqi dhe askund nuk mund të gjenden “gervenë” që shpallin si elementë ekuivalentë shkëmbinj nënujorë alla-Barketa për të mbyllur në brigje Galipolin, Izmirin, Efesin dhe mbarë qytetet turke të Egjeut, sikurse vepruan negociatorët tanë me Sarandën, të cilën në marrëveshje e lanë edhe pa ujëra të brigjeve të brendshme dhe të gjithë Kanalin e Korfuzit pranuan t’ia “falin” Greqisë!
Delimitimi i ujërave detarë midis vendit tonë dhe Italisë në vitet ‘80-të kërkoi 7 vjet punë voluminoze të ekspertëve të palëve, ndonëse rasti konkret ishte ku e ku më i thjeshtë sesa ky i sotmi me Greqinë që ka përballë tokës shqiptare veçse ishuj dhe shkëmbinj ujorë, por jo tokë me vazhdimësi kontinentale.
Ndaj, çështja e ndarjes së ujërave detarë me Greqinë është tejet sensitive dhe sikurse shumë çështje të tjera, kërkon doemos konsensus të gjerë politik, pasi interesi i Shqipërisë dhe i mbarë shqiptarëve nuk është e nuk mund të jetë ekskluzivitet vetëm i qeveritarëve në detyrë në një moment të caktuar.
Një konsensus i tillë duhet të kërkohet e të jepet publikisht e me kurajë nga të gjitha palët, pa llogaritur përfitimet politike dhe elektorale. Dhe kjo sepse pavarësisht ndonjë rasti të favorizimit tonë (të supozuar) nga zgjidhjet teorike, nga drejtësia ndërkombëtare dhe Konventa e Detit, pala greke mund të na kërkojë lëshime (për shembull në këmbim të mbështetjes për anëtarësimin në BE). Mirëpo lëshime të supozuara, apo konkrete, kurrsesi nuk mund të bëhen vetëm nga një palë politike, pasi qeveria duhet të negociojë së pari me “robt e shtëpisë”.
Në kushtet aktuale kur dyshohet realisht se qeveria po cedon me interesat kombëtare, do të ishte e udhës që deputetët e opozitës në komisionin parlamentar ad-hoc të kërkojnë që parlamenti të ngarkojë disa grupe ekspertësh të huaj nga vende me përvojë në çështjen e përcaktimit të kufijve detarë.
Mund të ngarkohen grupe ekspertësh psh. anglezë, holandezë, japonezë etj., të cilëve lipset thjesht t’u vihen në dispozicion të gjitha dokumentacionet përkatëse, duke u kërkuar që të japin opsionet më të favorshme për shtetin shqiptar.
Edhe pse ekspertiza të tilla mund të kërkojnë kohë, rëndësia e problemit, efektet ekonomike dhe rrjedhojat strategjike për vendin e vlejnë durimin e duhur për një trajtim gjakftohtë, larg pasioneve të momentit.
Nëse një veprim i tillë do të ndërmerrej, ballafaqimi i rekomandimeve dhe zgjidhjeve të disa grupeve të ekspertizës do të ishte më i lehtë dhe mund të shërbente si bazë për opozitën, por edhe për qeverinë, për të bërë transparencë tek publiku për çfarë na takon si hak, çfarë po lëshojmë, nëse duhet të lëshojmë diçka dhe çfarë përfitojmë nga ndonjë lëshim i mundshëm.
Kësisoj do të shpëtonim edhe nga vendimmarrja e “spiunëve” që qenkan të vetmit ekspertë të aftë në një kohë kur të tillë e të papërgojuar ka me bollëk, këtej e përtej Atlantikut.
* E falenderojme autorin qe e ndau artikullin me lexuesit e gazetes “DIELLI” ne SHBA