Nga Islam LAUKA/ Ish Ambasador i Shqipërisë në Kosove/
Me 1 gusht 2016, mora pjesë në manifestimin tradicional në Vuthaj. Pavarësisht ndryshimeve në mendime, në stil apo fjalor, të gjithë folësit, në një mënyrë, a tjetër, iu referuan një fakti – copëtimit më dhunë të trojeve shqiptare, në çerekun e fundit të shekullit të 19-të dhe në fillim të atij të 20-të, pasojë e të cilit ishte edhe mbetja e Vuthajve jashtë territorit të shtetit shqiptar.
Ndërkohë që folësit i linin vendin njëri tjetrit, në mendjen time, Vuthajt dhe Ҫakorri këmbenin vendet me njëri tjetrin. Patëm menduar që rrudhja e territoreve shqiptare kishte marrë fund. Por jo, për fat të keq, historia po përsëritet. Sot kombi shqiptar është i trazuar dhe shoqëria kosovare e përçarë, per shkak të rrezikut real që, jo me detyrim, nga Fuqitë e Mëdha apo nga fqinjët grabitqarë, siç ka ndodhur dikur, por me pëlqimin e qeveritarëve tanë, të vendoset një kufi i padrejtë, në dëm të shqiptarëve. Me Marrëveshjen e Demarkacionit, të nënshkruar vitin e kaluar në Bruksel, kufiri me Malin e Zi zhvendoset nga Qafa e Ҫakorrit, pesë – gjashtë kilometër në thellësi të territorit të Kosovës.
Si kudo në botë, edhe në rajonin tonë, si rregull, qafat, grykat dhe lumenjtë, shërbejnë si kufindarës. Qafa e Vranicës ndan një pjesë të kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi, ajo e Morinës, të Kosovës me Shqipërinë, Gryka e Kaçanikut ndan kufirin e Kosovës me Maqedoninë, Lumi i Danubit shërben si kufindarës për shumë shtete në Europën Qendrore e Lindore. Marrëveshja e Demarkacionit e thyen këtë rregull. Sipas saj, vija e kufirit me Malin e Zi, nuk duhet të kalojë, natyrshëm, nëpër Qafë të Ҫakorrit, por arbitrarisht, gjysmës së shpatit të malit, në anën e Kosovës, pa asnjë orientues fizik natyror, si i prerë me thikë, gjë që të kujton kufinjtë e vizatuar nga kolonizatorët në shkretëtirat e Afrikës, më ndryshimin që bjeshkët e Ҫakorrit janë plot jetë. Marrëveshja e Demarkacionit shkel rëndë të gjitha kriteret që, zakonisht, merren në konsideratë gjatë caktimit të kufinjve shtetërorë – kriteret natyrore, hidrologjike, ekonomike, gjeostrategjike, historike, etnike, morale etj. Ҫdo kush e ka të qartë se pala që kontrollon qafën, ka avantazh mbi palën që humb kontrollin e saj, në rastin konkret të kësaj marrëveshjeje, Mali i Zi siguron avantazh të qartë ndaj Kosovës.
Ne që kemi lindur e jemi rritur në kufi, e dimë se çfarë kuptimi ka kjo fjalë. Kufiri nuk është një vijë e thjeshtë në hartë, as nuk sajohet me llogari aritmetike. Kufiri është shenja që na e kanë lënë të parët, guri mbi të cilin ata janë betuar për tokën që nuk falet, as nuk shitet. Ai është i shenjtë si gjaku i të rënëve. Kufiri nuk zhbëhet, ai vetëm mbrohet.
Ka ardhur koha që, tani që i kemi dy shtete, t’i dalim më mirë zot vetes e t’u themi miqve e kundërshtarëve tanë se ne e dimë mirë ku i kemi kufinjtë dhe dimë mirë si t’i mbrojmë ata.
Do ishte mirë që, Kuvendi i Kosovës, deputetët e nderuar të tij, të këndellen dhe të respektojnë kufirin që na e kanë lënë të parët tanë në Qafë të Ҫakorrit. As Kuvendi, as Qeveria, as individë të veçantë të saj, nuk kanë të drejtë që të tjetërsojnë kufirin që bashkon brezat – ata të kaluar me ne të sotmit dhe brezin tonë me brezat e ardhshëm. Nga ana e tij, Mali i Zi, do t’i kontribuonte forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me popullin shqiptar dhe një të ardhmeje, ku shpresohet se kufinjtë nuk do të ndajnë, por do të bashkojnë, nëse këtë çështje do ta zgjidhte me mirëkuptim, duke e njohur Qafën e Ҫakorrit si kufi me Kosovën. Edhe shqiptarët e Malit të Zi, si qytetarë të përgjegjshëm të këtij shteti, si shqiptarë autoktonë, prej shekujsh në trojet e tyre, si urë lidhëse me Kosovën dhe Shqipërinë, do të duhej të bashkonin zërin e tyre me të gjithë ata që janë ngritur në mbrojtje të kufirit në Qafë të Ҫakorrit dhe t’i dëshmonin Podgoricës zyrtare që ky kufi, historikisht, ka qenë në këtë qafë. Dhe aty duhet të jetë.