• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rrëfim nga kujtesa fëmijërore- 22 vjet nga Masakra e Belegut

March 29, 2021 by dgreca

Rrëfim nga kujtesa fëmijërore- 22 vjet nga Masakra e Belegut

Shkruan: Endrit BINAKAJ /

(I mbijetuar i Masakrës së Belegut, autor i dy librave për masakrën)/

Masakra e Belegut 29 mars 1999/

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, memoria ime ka ngelur e freskët, ende e qartë si kristali i një fëmije që sapo kishte mbushur 9 vjet. Ende në shiritin e kujtesës sime më rrëshqasin natyrshëm ato skena vuajtjesh, maltretimesh, frikë nga e panjohura, se po vriteshim tash a tash.

Sa herë që vjen 29 marsi, dhe jo vetëm, unë kthehem në marsin e vitit 1999, në vitin e rëndë të vrasjeve, torturave, masakrave deri në shfarosje totale, por edhe të kthesës së madhe të shqiptarëve për fitoren e luftës për liri. Kthehem dhe shndërrohem në Endritin 9 vjeçar, në Belegun e djegur e të shkatërruar, në Kosovën e kapluar më flakë e erë gjaku të njomë.

E kujtoj si sot, ishte ditë e hënë marsi, pranvera kishte lëshuar rrënjë, pemët kishin filluar të çelnin sythet e tyre, fushat dhe kodrinat po rinoheshin me petkun e gjelbëruar. Por, vetëm qielli nuk ishte në sinkron me token. Ai po shfaqej i zymtë, retë e zeza e kishin pushtuar vendin tim, kukuvajkat po paralajmëronin tragjedinë e madhe. Dita e 29 marsit 1999 ishte kobshme për vendlindjen time, si fëmijë atëbotë e them pa modesti më bëhej sikur e kisha mposhtur frikën, me siguri qe po, e kisha mposhtur, krismat e plumbave dhe gjëmimet e topave ishin bërë tinguj të zakonshëm për veshin tim, tanket dhe autoblindat e paramilitarëve me helmeta ishin bërë pamje e përditshme e syve të mi.

E kujtoj futjen e policisë brenda oborrit të shtëpisë sime, pushtimin e tij nga paramilitarë serb me tyta armesh mbi civilë shqiptarë që të vetmin mëkat që kishin bërë ishte se po jetonin në tokën e paraardhëseve të  tyre që kishin jetuar brez pas brezi këtu, në atdheun tonë autokton. Të hutuar e në ankth, na mblodhën të gjithë, u nisëm në karvanin e pa kthim drejt qendrës së fshatit, duke ecur rrugës, një autoblind na printe e ne ishin në mes, anash ecnin në këmbë me armë të gjata ushtarët serbë të armatosur deri në dhëmb, ndërsa në fund të kolonës qëndronte edhe autoblinda tjetër, si për ta siguruar rrugën se tufa e shqiptarëve civil që po shkonte drejt ferrit, të mbërrinte e sigurt atje. Rrugës në asnjë moment nuk ia lëshova dorën nënës sime, e cila tashmë kishte barrë të rëndë të kujdesej për mua dhe motrën, babai nuk e dinin se çfarë i kishte ndodhur, siç nuk do ta dinim deri në qershorin e vitit 1999, e mendonim si të vdekur, ashtu siç na vinin lajmet në Shkodër, ku qëndrova me familje për tre muaj si refugjat. Rrugëtimi i ferrit nga shtëpia deri në vendin e grumbullimit në qendër të fshatit, ishte i tmerrshëm, çdo gjë po digjej, qiellin e atij muzgu tragjik po e ndriçonin flakët e shtëpive që po digjeshin në çdo skaj të rrugës kafshë të ngordhura, kukama e dënesje nënash, në prani të familjes kishin pushkatuar në pragun e shtëpisë, Naim e Nezir Vishajn, po ashtu edhe profesor Daut Aliçkajn. Tmerri i vërtetë kishe filluar. 

Të hutuar dhe në ankth, policia dhe ushtria serbe kishin filluar aksionin e plaçkitjes, torturës dhe maltretimit të banorëve jo vetëm të Belegut por edhe të fshatrave tjera që lufta i kishte degdisur për ato momente në Beleg. Atë natë marsi, burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët. Në çdo moment pritej pushkatimi dhe therja jonë, nuk ndodhi atë natë, sikur ishte vullnet nga Zoti që ne fëmijët dhe gratë të shpëtonim, për ta treguar e rrëfyer vuajtjen tonë për liri, por nga pushkatimi nga paramilitarët serbë nuk shpëtuan 46 burra që nga mosha 16 vjeçare e deri tek pleq të shtyrë në moshë. 

Në mëngjesin e 30 marsit, filloj eksodi i madh për në Shqipëri, në rrugën pa kthim. Ishte momenti i fundit kur fëmijët po i shikonin fytyrat e baballarëve të tyre, çast i trishtueshëm kur nënat po merrnin mallin me veti për bijtë e tyre që nuk do t’i takonin kurrë. Momente prekëse që i kisha përjetuar si fëmijë, është shumë e vështirë të gjesh ndonjë përshkrim adekuat të asaj ndjesie, e dhimbshme, e tmerrshme sa që edhe lotët ishin shterur e zëri kishte ndërruar tonalitetin, nuk mund as të bërtisje.

Në natën e 29 marsit, për të vazhduar edhe më 30 mars 1999, ishin ndaluar nga forcat serbe 46 burra për t’u ekzekutuar më pas, jo vetëm banorë të fshatit Beleg por dhe të fshatrave tjera përreth që lufta i kishte zënë aty atë ditë marsi.

Ky është një përshkrim i shkurtër i gërmuar thellë nga kujtesa e një fëmije që sapo kishte filluar ta jetoj pranverën e nëntë, i atij skenari të tmerrshëm të Masakrës së Belegut, e cila llogaritet si njëra nga krimet më të llahtarshme të regjimit serb në luftën e fundit në Kosovë.

Nga 46 të ekzekutuarit në këtë masakër deri më tani janë identifikuar vetëm 12 trupa, ndërsa pjesa dërmuese, pra 34 mbesin ende të zhdukur. Ndonëse dihen autorët e krimit të cilët i kam dokumentuar në dy librat e mi për këtë masakër, përsëri drejtësia vendore e sidomos ajo ndërkombëtare nuk kanë bërë asgjë në zbardhjen dhe dënimin e merituar për autorët e këtij krimi makabër.

Dëshmitarët e Masakrës së Belegut, disa herë i kanë deponuar dëshmitë dhe faktet e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ende nuk ka ndonjë proces gjyqësor ndaj kriminelëve që vranë, masakruan dhe torturuan banorët e fshatit Beleg.

Sot, 22 vjet nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, familjarët, të afërmit e të ekzekutuarve në Beleg mbesin me ankth, në pritje të ndonjë lajmi për trupat e tyre, varret kanë mbetur të hapura, me epitafe të shkruara, por mungojnë një grusht eshtra. Kaq kërkojnë familjarët e tyre, që sadopak t’iu zbutet dhimbja, si një vend për t’i ndje më afër, se per t’i vajtuar ata nuk e meritojnë, janë martirë të kësaj toke të lirë.

Aktualisht në të gjithë vendin janë të zhdukur rreth 1643 persona, Serbia e di saktë vendndodhjen e tyre, andaj duke qenë se jemi në prag të një marrëveshje me shtetin armik, si një i mbijetuar i masakrës dhe si qytetar i kësaj Republike iu bëj apel dhe thirrje në emër të gjithë familjarëve që t’i bëhet presion Serbisë për kthimin e të gjitha eshtrave të personave të zhdukur në Kosovë.

Familjarët e të rënëve jo vetëm në Beleg por edhe në nivel të Kosovës, asnjëherë nuk do të jenë të qetë përderisa kriminelët nuk e marrin dënimin e merituar.

Ankthin ata e kanë bërë pjesë të jetës, tash e 22 vjet.

Ky ankth shpresoj të mos vazhdoj në pafundësi.

Lavdi të rënëve në Masakrën e Belegut!

Të rënët në Masakrën e Belegut

Deri më tani nga Masakra e Belegut janë të identifikuar këta persona:

  • Shaqë (Curr) Binakaj
  • Hysni (Curr) Binakaj
  • Nezir (Ibish)Vishaj
  • Naim (Daut) Vishaj
  • Daut (Murat) Aliçkaj
  • Gëzim (Selmon) Vishaj
  • Jetmir (Arif) Mazrekaj
  • Qazim (Osë) Hulaj
  • Sadri (Adem) Zukaj
  • SHefqet (Curr) Belegu
  • Shaban (Haxhi) Kadriaj
  • Ali (Haxhi) Kadriaj

Ndërsa, shumica e të rënëve në këtë masakër ende nuk janë gjetur. Dhe, ende nuk dihet se KU JANË:

  • Zymer (Miftar) Binakaj
  • Brahim (Adem) Zukaj
  • Hamid (Dervish) Zukaj
  • Rexhep (Lum) Neziraj
  • Faton (Hasan) Vishaj
  • Fatmir (Halil) Vishaj
  • Ramë (Shaban) Kilaj
  • Sadri (Hajdar) Vishaj
  • Mujë (Isuf) Vishaj
  • Malë (Isuf) Vishaj
  • Zenel (Ukë) Vishaj
  • Hazir (Himë) Zukaj
  • Shaban (Ramë) Nitaj
  • Nekë (Halil) Binakaj
  • Hajdar (Hamëz) Mazrekaj
  • Ali (Avdyl) Mazrekaj
  • Bashkim (Lush) Hadergjonaj
  • Afrim (Lush) Hadergjonaj
  • Xhevdet (Bajram) Hadergjonaj
  • Muhamet (Bajram) Hadergjonaj
  • Mehmet (Halil) Tolaj
  • Xhevat (Ukë) Tolaj
  • Misin (Hajdin) Tolaj
  • Arif (Haxhi) Mazrekaj
  • Isa (Tahir) Tolaj
  • Sahit (Bekë) Mazrekaj
  • Hasan (Sahit) Mazrekaj
  • Sundim (Sahit) Mazrekaj
  • Naim (Hysen) Tolaj
  • Ragip (Osmon) Morina
  • Beqir (Idriz) Dervishaj
  • Tafë (Bekë) Dinaj
  • Smajl (Ramë) Ukëhaxhaj
  • Haxhi (Shaban) Kadriaj

Filed Under: ESSE Tagged With: 22 Vjet, Endrit Binakaj, Masakra e Belegut

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT