Nga B.Jashari/.-Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim për transferimin e shumës financiare në vlerë prej 50 mijë eurove në llogarinë e Komunës së Preshevës, në mbështetje të implementimit të projektit të Maternitetit të Preshevës.Vendim i sotëm, u bazuar në konkluzionet e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, të mbajtur në Prizren në 11 janar 2014, dhe me qëllim të përkrahjes së popullsisë shqiptare në Komunën e Preshevës.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, janë zotuar të përkrahin bashkërisht projektin për ndërtimin e Maternitetit në Preshevë, në shumë prej 100 mijë euro.
Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës, është zotuar që të përkrahë Komunën e Preshevës me shumën prej 50 mijë euro. Ministra e Financave ka pranuar kërkesën nga Komuna e Preshevës në transferim të mjeteve financiare në llogarinë e saj.