Partia Lëvizja e Legalitetit dhe gjithë mbretërorët shqiptarë kanë kërkuar në vazhdimësi që eshtrat e Mbretit Zog të kthehen në atdhe dhe të rivarrosen në vendin e Tij me një ceremoni dinjitoze që i ka hije shtetit për të respektuar mbretin e parë të shqiptarëve dhe themeluesin e shtetit modern.
Qeveria shqiptare ka marrë vendimet e duhura: për kthimin në atdhe të eshtrave të Mbretit Zog I; për rindërtimin e Mauzoleumit të Familjes Mbretërore; për vendosjen në Tiranë të monumentit të Mbretit Zog I dhe për organizimin e ceremonive përkatëse. Partia Lëvizja e Legalitetit gjen rastin për të shprehur mirënjohjen e saj për nismën e kryeministrit Berisha dhe mbështetjen e institucioneve të tjera.
Partia Lëvizja e Legalitetit e vlerëson këtë nismë të Qeverisë Shqiptare si një veprim të rëndësishëm për respektimin dhe vlerësimin e historisë sonë kombëtare, Mbretërisë Shqiptare, Mbretit Zog I, Familjes Mbretërore dhe legalistëve e mbretërorëve shqiptarë kudo qofshin.
Periudha e Mbretërisë Shqiptare (1928-1939) është periudha më e ndritur e 100 viteve të shtetit shqiptar, jo thjesht si një kujtesë kolektive e gjallë akoma edhe sot, por sepse në thelb, kjo periudhë është e lidhur në mënyrë të patjetërsueshme me krijimin e shtetit modern shqiptar, unitetin e tij territorial dhe kombëtar, orientimin perëndimor, ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e arsimit dhe kulturës kombëtare, përparimin ekonomik dhe shoqëror, respektimin e lirive dhe të të drejtave të individit, por edhe më shumë.
Partia Lëvizja e Legalitetit është e bindur se vlerat që Monarkia Shqiptare solli në shoqërinë dhe shtetin tonë janë vlera universale, që nuk e kanë humbur aktualitetin e që në thelb dëshirohen dhe janë të mirëpritura nga çdo shqiptar.
Partia Lëvizja e Legalitetit ka dëshiruar që aktivitetet për 100-vjetorin e Pavarësisë të mos politizohen. Në lidhje me zërat kundër kthimit në Atdhe të eshtrave të Mbretit Zog I dhe organizimit të ceremonisë zyrtare shtetërore, mund të themi se:
· Më 17 nëntor 1944, komunistët shqiptarë kur hynë në Tiranë, si akt të parë kryen shkatërrimin barbar me dinamit të varrit dhe Mauzoleumit të Nënës Mbretëreshë që sot po rindërtohet, e ku do të prehen edhe eshtrat e Mbretit Zog I dhe pjesëtarëve të tjerë të Familjes Mbretërore.
· Një akt i ngjashëm u përsërit gjatë natës së 24-25 gushtit 1977, kur të njëjtët autorë tentuan të grabisin eshtrat e Mbretit Zog I nga varreza e Thiais në Paris.
· Pasardhësit ideologjikë dhe biologjikë të këtyre akteve nuk mund të veprojnë shumë ndryshe nga sa kanë vepruar etërit e tyre.
Ceremonitë për kthimin në atdhe të eshtrave të Mbretit Zog I do të fillojnë në Paris, ku do të marrin pjesë përfaqësues të shtetit francez, atij shqiptar, anëtarë të Familjes Mbretërore dhe shqiptarë të diasporës.
Arkivoli me eshtrat e Mbretit Zog do të mbërrijë në Tiranë më 16 nëntor.
Homazhet do të zhvillohen ditën e shtunë, më datë 17 nëntor, nga ora 10:00-12:00 në Pallatin Mbretëror (Pallati i Brigadave), ndërsa në orën 12:00 do të zhvillohet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Mbretit Zogu I në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore.
Këto ditë Partia Lëvizja e Legalitetit ka dhe një ngjarje tjetër të shënuar. Pas vlerësimit dhe nderimit që i bëri dje Kuvendi i Shqipërisë figurës së Abaz Kupit, më datë 18 nëntor 2012 do të zhvillohet në Krujë ceremonia festive e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për Abaz Kupin. Gjithashtu, sheshi kryesor i qytetit të Krujës do të mbajë emrin e tij dhe do të ketë bustin e tij. (Abaz Kupi ka qenë kryetari i parë i Legalitetit, riorganizuar në Zall-Herr të Tiranës më 21 nëntor 1943). (Kortezi Ekrem Spahia)