Lidhja e Intelektualëve Ortodoksë të Shqipërisë ka deklaruar hapur mbështetjen e vet ndaj kryepeshkopit Anastas Janullatos, ndërsa proteston ndaj asaj që e konsideron si fushatë tendencioze, të pavërtetë dhe që cenon harmoninë fetare në vend. “Megjithëse nga ngjarja historike e 1 qershorit ka kaluar afro një muaj, në media vazhdojnë sulme të përsëritura kundër Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe veçanërisht kryepeshkopit. Arritjet e këtij komuniteti nën drejtimin e Kryebariut, u treguan edhe nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kishës Orthodhokse, por edhe të gjithë vendit, Shenjtërimi i Kishës Katedrale ‘Ngjallja e Krishtit’, ku morën pjesë 4 Patriarkë, 4 Kryepeshkopë dhe përfaqësuesit e 4 Patriarkëve Orthodhoksë, me në krye Tërëshenjtërinë e Tij, Patriarkun e Konstandinopojës, Bartholomeu I dhe vlerësimet që ata u bënë këtyre arritjeve”, thuhet në reagimin e Lidhjes së Intelektualëve Ortodoksë. Lidhja, kujton se në shenjtërimin e Kishës Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, morën pjesë gjithashtu Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe personalitete të tjera shtetërore dhe politike, një gjest ky domethënës sipas tyre, se kisha është drejtuese dhe e vetmja përfaqësuese e denjë e Komunitetit Ortodoks të Shqipërisë. Duke i konsideruar ‘qëndrimet përçarëse nga individë që kërkojnë të nxisin konflikte, si të pabaza dhe të pavërteta”, intelektualët ortodoksë, shprehin edhe njëherë përkrahjen e fuqishme dhe falënderojnë me nderim Fortlumturinë e Tij Anastasi.
Kisha Ortodokse: Nuk e refuzuam bustin e Nolit, po e fyeni/
Fatmira Nikolli/
Mënyra se si u veprua ditën e djeshme, nuk e nderon veprën e tij të jashtëzakonshme për kishën dhe vendin, por e ul dhe fyen atë. Ne dëshirojmë që busti i Imzot Theofan Nolit të jetë në Durrës, sepse aty i takon të jetë”. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë sa i takon vënies së bustit të Fan Nolit në kishën “Shën Mëria” në Elbasan, kishë që drejtohet nga At Nikolla Marku (por që nuk njihet nga KOASH).
Prej ditës së shtunë, busti i Imzot Fan Nolit është kthyer në objekt përplasjeje mes Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe shoqatës “Foleja Kombëtare”, që përfaqësohet nga Lida Jorgoni. Jorgoni ka kërkuar vënien e bustit të Nolit në Kishën Ortodokse të Durrësit, ku Hirësi Theofan Noli ishte mitropolit. Por, ndërsa Jorgoni pretendon se bisedimet mes palëve dështuan dhe ajo u detyrua ta çojë përmendoren e Nolit në Elbasan, KOASH pretendoi se ka qenë gjithnjë dakord ta mbajë atë në Durrës, porse nuk iu ka ardhur asnjëherë një kërkesë zyrtare nga shoqata në fjalë.
Përplasja
Prej së shtunës, deklaratat e shoqatës dhe kishës përgënjeshtrojnë njëra-tjetrën. Krahas tyre, në meshën e mbajtur të dielën në Elbasan, toneve akuzuese e sqaruese të dy palëve, iu shtuan edhe akuzat e At Nikolla Markut. “Sot Kisha Ortodokse Kombëtare Shqiptare që Noli themeloi nuk është e pavarur dhe është e pushtuar nga grekë dhe shovinistë me një të ashtuquajtur Janullatos. Fatkeqësisht, sot kisha nuk është e shqiptarëve, por e shovinistëve vorio-epirotë dhe atyre që kanë bërë gjenocid ndaj shqiptarëve që në Çamëri e në Kosovë. Së bashku me kryepeshkopin serb duan gjunjëzimin e kombit shqiptar nga Ballkani dhe trojet etnike shqiptare…”, – tha të dielën, At Nikolla Marku nga Elbasani. Ndërkaq, ditën e hënë, në një deklaratë për mediat, Kisha ortodokse, Apostull Pavli dhe Shën Asti Durrës, u shpreh se “kemi qenë dhe jemi dakord që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës. Theksojmë se: Ishte organizata ‘Foleja kombëtare shqiptare’ që i ndërpreu bisedimet, për arsyet që ata i dinë dhe për asnjë moment për shkakun tonë. Sigurisht, këto çështje nuk zgjidhen as me pamflete dhe as me ultimatume, por duke dialoguar me të gjitha palët. Për të realizuar këtë ne do të kërkojmë edhe bashkëpunimin e autoriteteve lokale vendore të qytetit”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i shoqatës “Foleja Kombëtare”. Përmes një njoftimi për mediat, kjo e fundit u shpreh se “denoncon hipokrizinë e reagimit të sotshëm të Kishës Ortodokse në Durrës, e cila thotë se është ‘dakord që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës’. Nëse priftërinjtë e KOASH-it mendojnë se janë kryebashkiakë, ky është problemi i tyre. Kërkesa e dorëzuar që më datë 18 qershor kërkon që busti të vendoset. ‘Foleja Kombëtare’ nuk ka bërë as pamflete e as ultimatume”. Më tej, shoqata shton se nëse ata (kisha) duan të japin përgjigje pozitive që busti të vendoset në oborr të kishës, ata marrin përsipër të financojnë dhe ndërtojnë një bust edhe më të madh për Mitropolit Theofanin. “Kisha Ortodokse në Durrës, me hipokrizi nuk mund të manipulojë opinionin publik. Le të na thotë që e pranon bustin e Mitropolitit dhe ne do ta financojmë, do ta ndërtojmë dhe do ta çojmë sa më shpejt në Kishën e Durrësit! Foleja Kombëtare, pas kërkesës zyrtare që i ka dërguar, edhe pse e ka refuzuar njëherë, pyet zyrtarisht Kishën Ortodokse në Durrës, nëse do ta pranojë dhuratën tonë, vendosjen e një busti të Mitropolit Theofan Nolit në oborrin e Kishës Ortodokse në Durrës, apo e refuzon sërish kërkesën që ne i kemi dërguar zyrtarisht?” – e mbyllin reagimin e tyre, përfaqësuesit e shoqatës.