Kisha ditë që prisja telefonatën e zotit Shaban Xhyheri (studiuesi, historiani, autor i disa librave, ish anëtar i Ballit Kombëtar, i dënuar politik, personit që i dhurova të parit librin “Isuf Luzaj – Një Shtizë Diell mbi Atdhenë” për të më dhënë një opinion rreth tij, por heshtja më tmerroi…
Ashtu si çdo shkrimtar, edhe unë dëshiroj një opinion të sinqertë për çdo libër, sidomos për këtë libër që kishte një specifikë të veçantë, se zakonisht në Vlorë e japin opinionin pa e lexuar librin dhe për t’u çuditur trillojnë e trillojnë opinione, saqë po të jenë të kujdesshëm ata që i flasin e t’i shkruajnë, do të kishin fabrikuar një gjini të re të letërsisë poskomuniste, që mund të quhej “Rrëfime imagjinare për të diskredituar autorin”, art, të cilin e praktikonte komunizmi ndaj një vepre për të shkatërruar autorin, por sot as tek vepra nuk shkojnë, por merren me autorin, pra thjesh kanë ndërruar taktikat, strategjia është po ajo.
Përveç një gruaje, që e mori librin në panairin “Vlora 2014” e fill pas dy orësh, erdhi dhe më tha: “Faleminderit zonjë, më bërë të lexoj libra të autorëve shqiptarë… për dy orë lexova 50 faqe…Urime! Erdha vetëm për të uruar dhe për të falënderuar për dhuratën e çmuar që më dhatë! Faleminderit! Mbase do shihemi herë tjetër dhe do të flasim më gjerë…” Iku dhe as emrin nuk ia mora, vetëm më tha “Jam me origjinë nga Kanina”, nuk më ka folur njeri, mbase ishte fati për të mbetur anonim ajo grua që të merrja opinionet e para nga lexuesi im i parë, ndaj, sa herë që më binte rruga andej, doja të shkoja ta takoja, por kisha frikë…
Krijuesit e dinë sa të priten duart kur ta hedhin poshtë veprën që ke ndenjur muaj e vite duke e shkruar me një synim të vetëm: të pëlqehet nga lexuesi për të përcjellë ato mesazhe që ne i kemi menduar si të drejta e të vyera.
As sot nuk e kisha vendosur që do të shkoja ta takoja, por as vetë nuk e di, këmbët më dërguan tek lokali ku ai rri zakonisht. Ishte ulur në lulishte me një burrë tjetër dhe sa më pa, thirri me të madhe sikur kishte kohë që më priste.
– Shyqyr që erdhe, 100 herë i kemi ranë telefonit dhe përgjigjja ishte “Numuri nuk është i saktë”, mos ma keni dhënë gabim?
– Jo, por mbase keni ngatërruar ndonjë numur… – thashë duke e përqafuar.
Burri që ishte aty, nuk priti gjatë, u ngrit, na përshëndeti dhe u largua, ndërsa zotin Shaban nuk e mbante vendi nga gëzimi. E mora opinionin për librin, se asnjëherë nuk më kishte pritur kështu. Provuam numurin dhe ishte në rregull, si duket ishte shkruar gabim…
– Të thashë që do të jap i pari opinionet mbi librin dhe e kam mbajtur fjalën, por nuk jam lidhur dot me ju…
– I pari je, vetëm një zonjë më ka folur pak…
– Dua të jem i pari për një arësye, sepse të them, se je e para që merreni me këtë temë
dhe ata që do e lexojnë do pëlcasin nga inati, se nuk e bënë dot para tya. Sa e mora librin, kisha parasyshë që ti pret nga lexuesi vërejtjet, ndaj nxitova, se kam atje tek koka gjithë ato libra, kisha një libër tjetër të Eqerem Bardhit dhe kisha lexuar deri 50 faqe, kur më dhatë librin, e lashë atë dhe lexova librin tënd. Stili yt nuk të lodh, absolutisht nuk të lodh dhe keni një gjuhë të pastër. Ke disa gabime në shkrimin e disa emrave, apo mbiemrave, por nuk janë gabimet tua, por të burimeve nga janë marrë, por këto nuk e prishin bukurinë e librit, nuk e mërzisin lexuesin, por të tregoj një gjë, të jesh më e kujdesshme në gjetjen e emrave që plotësojnë figurën e Isufit dhe e dyta; ti je një intelektuale, po të mos ishe intelektuale, nuk do t’i hyje këtij studimi.
Puna ta do, kërkuesi futet kudo, por bazën ta kesh tek intelektualët, se intelektualët janë ata që çdo gjë që të jep, ta jep saktë, por një e keqe shumë e madhe është tek ne, egoizmi. Unë nuk quaj intelektual atë që mbaron universitetin, por atë që pasuron dijen e tij vazhdimisht, universiteti të çel rrugët, mund të mbarosh 10 universitete, po s’mund të jesh intelektual, se bën gjumë. Sa më shumë të lexosh, sikur dhe një çerek fjale të përfitosh i fituar je. Kur të thashë, se je intelektuale, nuk u bazova se çfarë shkolle ke bërë, shkolla të hap rrugën e thamë një herë atë, nuk të bën njeri, po se çfarë ke arritur të bëhesh, se po nuk pate talent, nuk mund ta fitosh atë, po nuk linde poet, nuk bëhesh poet.
Unë të përgëzoj e po të them me sinqeritetin më të madh, kam mbetur jo vetëm i kënaqur, por të them dhe i befasuar, se nuk ma merrte mendja, se dy takime kishim bërë me ju; në takimin e parë kur nise të shkruash librin “Sharrajt në Jetën e Kombit” dhe herën e dytë, në përurimin e tij, i kënaqur mbeta, por që të merresh me këtë temë, shumë më ndryshe nga ajo dhe që të trajtosh këtë temë, kërkon të kesh një bagazh të mirë intelektual, të kesh këmbëngulje, vullnet e të studiosh, prandaj nuk ma mori mendja, troç po ta them, por kur hyra brenda në libër pashë gjithë ato përpjekjet e tua këmbëngulëse për të rrëmuar sa më shumë në adresë të kësaj figure, për t’ua paraqitur lexuesve jo vetëm çfarë ka thënë i Madhi Isuf Luzaj, por bën edhe komentet e tua, ku përfundojnë me thirrjen brezave për ta lexuar e të mësojnë shumë nga Isufi.
Unë jam lexues, i rregullt kam qenë, s’jam studiues, s’kam pse them ato që nuk i kam (foli me modesti), kur lexova librin tuaj, mbeta shumë i kënaqur, mbeta i kënaqur unë, jo se u kënaqa unë, por kuptoj se duhet të kënaqen këta brezat që janë, se jemi shumë pas në analizë me njohjen e figurave Shqiptare dhe kombëtare. Më shumë se sa e ke përshkruar ti figurën e Isufit, nuk mund ta bëj unë, por përderisa mu mbush mbush mendja edhe mua që me të vërtetë është një ndër 7 filozofët e shekullit të kaluar, për këtë të përgëzoj shumë.
Thirrja jote është e hapët dhe e çiltër dhe kërkon opinionit, organet kupetente e shkon deri tek ministrat që të tunden e të shkunden e të merren sa më parë me botimin e veprave të Isufit, se kemi në Shqipëri, mbase nuk më lejot, por e kam nga mërzia, ca pseudointelektualë, pseudoshkrimtarë, pseudohistorianë, pseudostudiues, pseudoakademistë e nuk e kuptoj me çfarë merren këta, kur lënë në harresë një figurë të tillë, me çfarë mburren këta, moj motër, me çfarë mburren këta?
Ti shumë vetave ua preve rrugën, ua more inisiativën, që të merren me veprën e Isufit. Unë kam dëgjuar që flasin, por që të merret njeri me studimin e figurës së Isufit, nga sot të themi, nuk kam dëgjuar, mbase janë duke punuar, ajo është një punë tjetër, por tashi për tashi, stafetën e ke marrë ti.
Dua të shprehem edhe më shumë, kam shumë gjëra për të folur, se është një temë që më pëlqen, se kam një moshë të madhe dhe s’do të arrij të lexoj veprat e Isufit. Do ta rilexoj librin tënd dhe do të mbaj shënime. Pardje mora një nga librat e Isufit “Lamtumira e Yjeve” dhe fillon me një thënie shumë të madhe: “Nga të pesë artet, letërsia dhe nga të pesë degët e saj, poezia, nuk e pranojnë mediokritetin.” Që janë shumë domethënëse. Që të lexosh Isufin, e them me sinqeritetin më të madh, duhet të jesh dhe shpirtërisht i qetë dhe jo çdo njeri e kupton, pa pasur një intelek, pa qenë intelektual i mirë, nuk bisedon dot me Isufin, nuk mund ta kuptosh atë. Ai ka qenë intelektual i mirë, nuk bisedon dot me Isufin, unë kështu e shikoj, nuk bisedon dot me Isufin. Kam shumë gjëra nga ato që kam lexuar dhe nga ato që ke venë theksin ti, ndjej një lehtësi dhe kënaqësi shumë të madhe se kam dhe një moshë të tillë që e kam peng që nuk i shoh veprat e Isufit.
Përgëzoj Xhevat Beqaraj, megjithëse në një moshë të thyer për punën që ka bërë, ka një meritë të veçantë, siç ke thënë edhe ti, intelektualët e vërtetë duhet të skunden dhe duhet të merren me këtë figurë madhore.
Më bëhet qejfi shumë se doli një fëmër që të merret me studimin e ta paraqesë këtë figurë, se ti ke rrëmuar shumë, jo vetëm tek njerëzit e familjes së tij që ke këmbëngulur disa herë e ke marrë të dhëna, por unë lexova përshëndetjet që kanë bërë disa shkrimtarë mund të them nga Vlora, pse jo dhe studiues, se nuk dua të ofendoj njeri, jo të një shkalle kështu, mbeta e kënaqur që edhe ata kanë dhënë mendime dhe ti ke bërë shumë mirë që i ke paraqitur në libër.
Ti ke harxhuar kohë, lodhje mendore… takon personazhe me kulturë e pa kulturë të gjerë për ta bërë të plotë figurën e Isufit dhe ti ke nxjerrë disa të vërteta që edhe unë nuk i kisha ditur, siç ishte lidhja me familjen Ulqinaku, e cila paska jetuar në familjen e Isufit dhe të njëjtën qëndresë bëri dhe Isuifi në Vlorë, por asnjëherë nuk u përmend. Ti e nxjerr shkakun që pse nuk botohet vepra e Isuf Luzajt dhe shkaku është komunizmi. Për ta bërë më të besueshme, ju keni përsëritur fjalë të shumë personeve dhe keni bërë edhe refleksionet tua. Një gjë më ka mbetur në mendje që nuk e kam dëgjuar deri më sot, kur e cilëson luftën e klasave “mulliri i luftës së klasave”, është e para herë që e dëgjoj këtë shprehje kaq të goditur. Ka shumë gjëra me vlera në këtë libër, se ke një të mirë që bën edhe analizën.
Zonja Zyba, me sinqeritetin me të madh të përgëzoj dhe njëkohësisht të falënderoj që u more me këtë vepër dhe të jesh e bindur e do të ndëgjoç me kalimin e kohës edhe shumë falënderime, do marrësh dhe vërejtje, por për mua, ti je e para dhe duke qenë e para, u hape sytë të tjerëve. Besoj se do dalin edhe tjerë më vonë dhe sado që të shkruajnë e mund të bëjnë, tashti për tashti, vendin tënd nuk e zë njeri.
E falënderova dhe u ndamë për t’u takuar sërish, për të marrë kritikën e detajuar të tij, pasi ta rilexojë librin.(Z .H)