• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MË SHPËTOI DUHANI SHQIPTAR

September 10, 2016 by dgreca

(sipas kallëzimit të një mbreti polak)/
Nga IDAJET JAHAJ /
 … Ja, më shikoni mua ju? Kam qenë mbreti i Polonisë dhe i Letonisë. Sigurisht, këto dy copa të arta të mbretërisë sime do t’i zhbënte, do t’i çirrte me thoin e vogël ariu i madh rus. E kam fjalën për shtetin e stërmadh të stepave dhe pyjeve të pafund… të asaj hapësire që kundërpeshon botën.
Pra, unë isha mbreti i Polonisë së artë e i Letonisë së argjendtë.
Kush ua jepte këto ngjyra dhe vlera? Jo vetëm fushat e bukura, pyjet piktorike e malet që hijeshojnë si vetulla të bardha mbi të kuqërremtën e mjalttë të fushave apo hapësirat e kristalta të pellgjeve e liqeneve të mëdhenj të akullt, shkopinjtë e të cilit ndriçonin si zbukurime edhe në degët e pemëve. Jo vetëm këto. Ishin të arta e të argjendta edhe për qetësinë e pavarësinë. Kumbonin si treva të këngës e të zileve të hovshme të trojkave që çanin peizazhet e verdha nëpër rrugët plot largësi e mister… E tillë ishte bota e madhe e punës, e zhurmës së këndshme të qyteteve e tymit të bardhë të jetës paqësore në fshatra e lagje… E mbi këtë frymëmarrje plot jetë, çangat e lashta të kishave shkundnin tingujt hyjnorë si zile të përjetshme, që të venë në gjumin e ëndrrës.
Këto po mendoja atëherë, kur isha djalë i ri, njëzetë e katër vjeç. Kush ish më i lumtur se unë? Bollëku, mëndafshi e hareja më rrethonin kudo, që nga fëminia… Këtë kallëzim tani unë e bëj në moshën madhore, kur kujtoj çastet e jetës, rruazat e fatit, segmentet e dritës e të errësirës, që kam patur edhe unë si çdo i gjallë mbi këtë dhe.
Shpesh njeriut i shkon filmi i jetës ndërmend. Sidomos çastet ogurzeza kur mund të humbte edhe jetën. Pak mendon njeriu për to, e këto çaste ai i kalon shpejt në kutinë e harresës, se, po të mendojë gjatë për to, nuk është mirë… Jeta ka çaste tragjike. Këto izolohen së bashku me rrënqethjen e tyre. Por ka edhe raste tragji-komike, të cilat, ndonëse rrallë, dëshiron t’i lëçitësh apo t’i shkruash ndonjëherë.
Doni t’ju them një sekret? Nga bota ime intime? Po jua them. Isha mbret, pra, i velur me gjithçka. E kisha shijuar çdo ëmbëlsirë të kësaj bote. Por edhe froni, dhe gjithë vezullimet e tjetra, më dukeshin të pamjafta për pozitën e lartë, po të mos gëzoja edhe diçka tjetër në fatin personal: unë kam qenë dashnori i parë i mbretëreshës së sotme të Rusisë – Ekaterinës së famshme! Nuk gënjej, dhe as dua të përfitoj lavdi për këtë. E kam shkruar edhe në ditarët e mi. Isha mbret i ri, e kush nuk më adhuronte mua?
Nuk zgjatem për ekzaltimin ndaj bjondinkës mbretëreshë (të sotme), e cila atëherë vezullonte si çupëlinë e re që ishte, në një provincë gjermane. Më lejoni të them vetëm kaq: i hoqa asaj, i pari, virgjërinë.. Kaq. Pra, në zgafellën e ndërgjegjes sime them se ky fakt më bëri më shumë mbret, se sa shiritat e shumëngjyrtë që mbaja mbi supe.
I dehur nga ky luks shpirtëror, kjo pasuri, doja ta ushqeja shpirtin tim me natyrë, me atë arsenal të madhërishëm pamjesh të kodrave dhe pyjeve tona të pafundme… me atë pamje lumi e qielli, rrugësh misterioze e rreziqesh, ku shpirti s’ngopet kurrë. 
Po udhëtoja në pyllin e zi të Letonisë. U futa thellë në botën e drurëve. Bisedoja në heshtje me ta, me barin e gjelbër e të verdhë, me harlisjen e kurorave të lisave e pishave që kuvendonin me qiellin… Soditja kaltrinat e qiellit midis degëve, vetullat e argjendta të maleve të akullt në largësi. Ky udhëtim e kjo vetmi, kjo botë memece e shumëngjyrëshme, ai ar akulli diku, sikur ma shuante furrën time shpirtërore, gjithnjë të ndezur…, hovin e djalit të ri, që fati e kish mbingarkuar në jetë. Po udhëtoja thellë në pyje dhe vetëm. I lashë larg rojet, as armë nuk mora me vete. Thashë: do zhgrryhem në pyje, në baltra, në degë. Do shoh, do shoh, do shoh…
E, që ta pikëzoj fjalën, tashmë vonë mendoj: po sikur të më afrohet rreziku… e të humbas me gjithë shiritat e ylbertë të fatit? Kjo pyetje më shtjellohej si fjollë mjegulle para syve. Ja këtë desha të kallëzoj: se si, për pak çaste desh më iku jeta, nga marrëzia e ikjes, e fshehjes, e fluturimit me këmbë…
Kisha humbur në pyll. Në pyjet tona, për të cilat kemi aq krenari, i kemi “si lulja në kapele”, siç i themi këtej, në anët tona, kudo që era e fatit na hedh nëpër rruzull. Në këto trungje e gëmusha ku udhëtoja, rreziku i vdekjes shpesh të qëndronte një pëllëmbë larg…
Isha i lodhur, por si i ri, më ziente gjaku…Megjithatë u ula pranë një trungu. Thashë të ndez një duhan. Kohët e fundit kisha mësuar ta hiqja duhanin, natyrisht, si mbret, kërkoja duhan “mbretëror”. Një të tillë më kishin rekomanduar se kishte në një vend bujqish e barinjsh të talentuar, të palodhur e krenarë, në bregun e poshtëm të Adriatikut, aty nën sllavët. Vendit i thonë Shqipëri. Çudi, shqiponja ka më shumë kësaj ane nga ne. Dhe janë të mëdha e ngrihen si avionë mbi kreshtat e pyjeve. Por emrin e tyre e kanë marrë ata, shqipot, siç u thonë. Ata janë të lidhur shumë me cilësinë e fluturimit e të forcës së shqiponjave. Pra, andej, nga “Vendi i shqiponjave” një mik më kish rekomanduar se ka duhan të mirë, të zgjedhur. Dhe gjetën disa shqiptarë këtu në Poloni, “Krutaj” u thoshin, më duket. I porositëm për duhan e ata e sollën nga vendi i tyre. Duhan i mirë, ngjyrë mjalti, me fijet si kadaif… dhe unë e mbajta me vete kutinë e duhanit shqiptar, siç e mbanin ata, në xhep. Kështu, edhe në momentin e pyllit të thellë. Mbaja edhe shkrepësen.
Po rrija e mendoja. Kur befas, një putër e stërmadhe më del që prapa trungut. Një tigër rus, i madh sa një elefant. Tmerr. Ç’të bëja? Vdekja po më zmadhonte sytë. Qimet e tij të verdha e gri, i ndriçonin më shumë se shiritat e mi të mbretit. Pra, më kishte ngulur sytë ai, mbreti i pyllit dhe i akullit, gjakësori i bukur. Mu afrua. Goja e tij dy të kollfitura më kish, mua, mbretin e imtë. Filmi i jetës dhe pellgu i zi i vdekjes më parakalonin bashkë para syve të mi. Në çast, në sekondë. “Ika”, thashë me vete.
Ai gati po më lëpinte hundën time. Ah, ai, mbreti i pyllit, do të hante një mbret të pyllit e të yllit…Pse? … Mendoj tani, me humor, nga që i zhvirgjërova i pari mbretëreshën e stepave të tij të pafund?!…
“Po nuk është e mundur të bëhem llokume për stomakun e tij” – mendova. Mendja më punonte instinktivisht. Ç’të bëja? Futa dorën në xhep, ashtu kot. Atje dora më preku vetëm kutinë e ndritshme metalike të duhanit shqiptar. “Ta nxjerr”, thashë, po ç’të bëja me të? Po më shkoi në mend: e hapa me të dy duart dhe ia afrova në hundë ariut. Ai e nuhati, e nuhati si të ishte një bërnet i rrallë dhe ktheu kokën pas. E tundi edhe një herë kokën dhe e afroi e i mori erë përsëri. U kthye mbrapsht e teshtiu një herë, dy. Aq fort, si bubullimë. A thua u lëkundën dhe fijet e barit e degët përreth. Teshtiu sërish… fort… e pastaj më t’ia mbath një vrapi që s’kish të arritur.
Oooo, shkëlqimi i syve po më vinte në vend. Armë nuk pata me vete. Po edhe të kisha, a do mund ta vdisja atë përbindësh aq të madh në aq pak sekonda? Po a kish armë më të fortë se kjo armë e shkëlqyer shqiptare? E deklaroj unë këtë, mbreti i Polonisë e i Letonisë! Duhani shqiptar, me atë ngjyrë mjalti e fije kadaifi, m’u bë pjesë e zemrës, më shpëtoi jetën. Jo vetëm për nevojë, por tani unë atë nuk e ndaj as për dhembshuri e mirënjohje. E dëboi vdekjen nga unë ashtu thjesht, vetëm me erë, pa zhurmë, si në bashkëbisedim sfidues me jetën. Që atëherë i mbolla mirë në mendje këta dy togfjalësha: “Vendi i shqiponjave” dhe “Duhani shqiptar”.
… E deklaroj unë këtë, mbreti i … dy copave të arta të Evropës. 
Bile, për t’ju bindur, shkruaj edhe vitin këtu: 1767. Poloni. Stanislav August Ponjatovski.

Filed Under: LETERSI Tagged With: DUHANI SHQIPTAR, Idajet Jahaj, MË SHPËTOI

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT