• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Meditime të Markus Aurelius

June 4, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi-Jo të gjithë njerëzit e fuqishëm janë të mëdhenj. Kaq gjë na e mëson historia, se askush nuk e di se çfarë do derisa t’i plotësohet dëshira. Marcus Aurelius ishte perandor romak, i quajtur perandor i madh. Ai ishte edhe filozof, dhe asnjëherë nuk pushon të na habisë me Meditimet e tij.

“Të gjithë e duam veten më shumë sesa duam të tjerët, por kujdesemi më shumë për mendimet e të tjetëve sesa për mendimet tona.”

Lexoni deri në fund për të tjera citime – ai ka shumë prej tyre.

Marcus Aurelius në shumë mënyra ishte perandor i përsosur – i disiplinuar, i matur, i përkushtuar, i përulur. Atje ku shumë perandorë iu nënshtruan dëshirave, Marcusi stoik mbeti imazh i moralit dhe virtytit. Arritjet e tij, fatkeqësisht, janë të pakta; jo për shkak se ishte i mirë a i zoti, por për shkak natyrës së ngjarjeve që shoqëruan mbretërimin e tij 19-vjeçar.
Perandori Hadrian – një tjetër perandor i madh – kishte kohë që e shihte Marcusin e ri si pasuesin në fron. Ndërsa shëndeti i Hadrianit filloi të bjerë, u bë e qartë se ai nuk do të jetonte aq kohë sa të shihte Marcus të arrinte moshën e rritur. Përvojat e mëparëshme kishin treguar se perandorët e rinj në moshë kishin qenë gjithmonë autokratë e plot vese.
Kështu, Hadriani zgjodhi një Senator të quajtur Antonious për në fron me kusht që të kujdesej për të riun Marcus dhe një djalë tjetër të quajtur Lucius të cilët kur të rriteshin të zinin postin e perandorit. Antonious pranoi.
Gjatë qeverisjes Antonious nuk ngriti monumente madhështore, por ndërtoi rrugë dhe porte tregtare. Ai nuk komandoi legjione për të pushtuar toka të reja, por siguroi paqen përmes diplomacisë kudo që të mundte; nuk shpenzoi shuma të mëdha nga thesari Perandorak por e ruajti atë dhe dhuroi nga pasuria e tij personale.
Antonious do të qëndronte në Romë si perandor për 20 vjet – dhe gjatë gjithë kohës përgatiste të rinjtë Marcus dhe Lucius për këtë detyrë. Por fakti që Antonious nuk doli kurrë nga Roma i la djemtë e adoptuar pa ndonjë përvojë ushtarake.

“Së shpejti do të bëheni hi e kocka. Më së shumti mund të lini pas një emër – dhe atë vetëm si jehonë a tingull. Gjërat që duam në jetë janë boshe, pashije e  pavlerë.”

Ndërsa djemtë hynë në moshë madhore, u bë e qartë se kush do të bëhej perandor dhe kush jo. Marcus ishte i përkushtuar, i shkathët dhe i mençur ndërsa Lucius kënaqej duke pirë e festuar çdo natë. Sidoqoftë, Marcus vazhdoi ta mbështeste vëllain e tij dhe të dy mbetën të lidhur me njeri-tjetrin. Marcus ishte i zellshëm kur bëhej fjalë për të medituar dhe do të vepronte në përputhje me bindjet e tij gjatë gjithë jetës. Ai do t’i regjistronte mendimet në një ditar personal – pa qëllim për ta botuar – që ne e quajmë “Meditime”. Këtu kemi një vështrim të shkurtër për njeriun prapa fronit – i mençur, i vendosur dhe i paepur – që e shihte pozitën si përgjegjësi dhe jo si mjet për të lartësuar veten e për t’u pasuruar.

“Ju keni pushtet mbi mendjen tuaj – jo mbi ngjarjet. Kuptojeni këtë dhe do të gjeni forcën”.

Kur Antonius vdiq në vitin 161, Marcus u bë perandor. Në shtratin e vdekjes, Antonious nuk foli për gjithçka që kishte bërë, por përkundrazi, renditi mbretërit e huaj që i kishin bërë atij padrejtësi. Kryesori mes tyre ishte mbreti Parthian i cili ishte zhvendosur kohët e fundit në Armeni dhe rrëzoi mbretin kukull romak në favor të një mbreti kukull parthian. Ndërsa Marcus u bë perandor, ai kishte kërcënimin e luftës mbi kokë, dhe fjalët e fundit të të atit të adoptuar dhe mësuesit të tij me siguri i kumbuan në veshë. Marcus do të caktonte vëllain e tij Lucius në fron, duke e bërë atë bashkë-perandor.

“A nuk shkëlqen drita e një llambe derisa digjet? Pse nuk duhet të shkëlqejë e vërteta, drejtësia dhe vetëkontrolli juaj derisa të shuheni?”

Marcus ishte fuqia e vërtetë prapa fronit, por zgjodhi të lartësonte Lucius.
Së pari, Marcus u përpoq të negocionte me parthianët. Këta nuk pranuan. Pas kësaj, forcat parthiane pushtuan provincën romake të Sirisë.
U vendos që Lucius të dërgohej në Siri për të trajtuar personalisht problemin. Lucius ishte më i ri dhe me shëndet më të mirë se Marcus, dhe gjithashtu duhej të shkëputej nga argëtimet e Romës.

“Gjithçka që dëgjojmë është opinion, jo fakt. Gjithçka që shohim është perspektivë, jo e vërtetë”.

Lucius do të sillej në mënyrë të admirueshme në vitet e ardhshme. Ai do të organizonte përgjigje ushtarake që i detyroi parthianët të zmbrapseshin nga territori Romak dhe më pas Romakët të pushtonin Parthian.

“Shpirti merr ngjyrën e mendimeve”, do të shënonte Markus në fletoren e shënimeve.

Fisi gjermanik Marcomanni kishte tradhtuar Romën dhe filloi të sulmonte territorin romak në mes të viteve 160. Marcus do të detyrohej të drejtohej drejt Galicisë dhe të merrte komandën e ushtrisë romake. Lucius do të vdiste menjëherë pas kësaj duke e lënë Marcusin të vetëm në fron.
Marcus mori komandën e legjioneve Veriore në 169 dhe filloi të luftonte Marcomanin. Shumë mund të pyesin pse Marcus nuk caktoi një gjeneral për t’u marrë me këtë çështje. Por nëse një gjeneral kishte legjione të mjaftueshme për të luftuar kundër hordhive gjermane, ai do të kishte legjione të mjaftueshme për të marrë fronin e perandorit. Kjo kishte ndodhur sa e sa herë më parë – i forti sundonte, jo i drejti.

“Në vazhdën e kohës jeta e njeriut zgjat vetëm sa një pikë”.

Marcus ishte popullor mes Senatorëve dhe elitave të Romës, por ishte jopopullor në mesin e ushtrisë. Si rezultat, ai perceptohej si i dobët e frikacak, dhe legjionet mund të caktonin në fron dikë që e shihnin më të guximshëm.

“Mos lejoni kurrë që e ardhmja t’ju shqetësojë. Ju do ta takoni atë nëse keni nevojë, me të njëjtat armë arsyeje që jeni armatosur për të tashmen”.

Ndërsa Marcus filloi të luftonte me gjermanët, ai përdori dinakërinë e tij dhe i sprapsi mjaft shpejt. Në vend që thjesht të paguante një haraç për paqen dhe të vazhdonte më tej, Marcus synoi ta shkatërronte kërcënimin gjerman. Ata kishin sulmuar provincat romake për dekada dhe përbënin rrezik të vazhdueshëm për perandorinë. Marcus do ta pushtonte Gjermaninë dhe do të fillonte të ndiqte dhe shkatërronte fiset në zonë.

“Hakmarrja më e mirë është të veprosh ndryshe nga ç’mendon kundërshtari”.

Kjo ishte shumë më lehtë të thuhej sesa të bëhej. Kishte shumë gjermanë dhe ata nuk ishin të huaj në konflikt. Nëse do të shihnin Romakët që vinin, ata thjesht mblidhnin fshatin e drejtoheshin më në lindje dhe lufta kthehej në një luftë tërheqjeje. Të 11 vitet e mbetura të mbretërimit 19-vjeçar, Marcus do t’i kalonte duke udhëhequr legjionet kundër fiseve gjermane. Ai do të tërhiqte me vete djalin e tij të ri dhe bashkë-perandor Commodus për ta mësuar në të njëjtën mënyrë si atë vetë e kishin mësuar. Marcus pa pak Lucius në Commodus dhe kjo e shqetësoi. Commodusit i pëlqente të pinte dhe kishte krijuar emër të keq. Marcus kishte shpresuar se jeta në front dhe mosha do t’i zbusnin këto vese, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi.

“Vdekja na buzëqesh të gjithëve, por gjithçka që njeriu mund të bëjë është t’i buzëqeshë asaj”.

Në shtratin e vdekjes në vitin 180 Marcus do t’i lutej djalit të tij që t’i jepte fund luftës kundër gjermanëve. Commodus refuzoi, duke u bërë një nga perandorët më monstruozë në historinë e Romës. Mjerisht, trashëgimia më e madhe e Marcus lidhet me atë të djalit të tij. Po të mos kishte qenë Marcus, Roma nuk do të ishte dashur kurrë të duronte vështirësitë që pësoi nën Commodus, i cili do ta falimentonte perandorinë, duke luftuar me paaftësi, dhe si një gladiator do të vriste brutalisht njerëz të pafajshëm, do të kundërshtonte me dhunë Senatin, dhe do të shkaktonte grindje të madhe të brendshme.
Mbretërimi i Komodus ishte katastrofë, aq i pandërgjegjshëm saqë shënoi fillimin e viteve në rënie të Perandorisë Romake. Ai ishte i keq sa Marcus ishte i mirë.

“Nuk është vdekja nga e cila duhet të kemi frikë, por është frika që duhet të kemi se kurrë nuk mund të fillojmë të jetojmë”. (Meditime, Marcus Aurelius).

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Markus Aurelius, Meditime

100 vjetori i Revolucionit Bolshevik-Meditime të nji viktime

November 17, 2017 by dgreca

48-repishti-300x212

Shkruan: Sami Repishti, Ph.D. */

Ridgefield,CT.- Me 7 nandor 2017 u mbushën plotë 100 vjet nga data kur komunistët bolshevikë, nen drejtimin e V.I. Leninit përmbysën rregjimin e Carit Nikolla II dhe filluen ndertimin e ish Bashkimit Sovjetik, tue ndryshue kështu fatin e botës mbar, përfshi edhe Shqipërinë tonë.

Ky “revolucion” që shumë historianë e konsiderojnë si nji nga ngjarjet ma të randësishme të historisë moderne filloi me 23 shkurt 1917, me protesta popullore në rrugët e Petrogradit/Shën Petersburg ish kryeqytet i Rusisë cariste për 200 vjet. Protestuesët e uritun dhe të lodhun nga lufta me Gjermaninë, kerkuen “bukë e paqë”. Autokrati Car Nikola II preferoi me dergue trupat ushtarake për paqësimin e gjendjes. Në përpjekje u vranë 40 demonstrues. Ushtria u trondit dhe filloi “mosbindjen” e autoritetit carist. Shumë ushtarakë u bashkuen me popullin. Kjo shkaktoi abdikimin e Carit Nikolla II me 2 mars 1917. Nji qeveri e re civile u formue e kryesueme nga Aleksander Kerensky.

Në ndërkohë, V.I.Lenini. emigrant në Svicër, me 3 prill 1917 u kthye në Petrograd me ndihmën e sherbimeve të mshehta gjermane që llogaritshin në premtimin e Leninit se do te bante paqë të ndame me Gjermaninë. Kjo  lejonte Gjermaninë me luftue vetëm kundër frontit të Perëndimit. Llogaritjet gjermane u vertetuen. Lenini nenshkroi Traktatin e Brest-Litovskit (1917): paqë me Gjermaninë!

Me arritjen e tij ne Petrograd, Lenini mori drejtimin e grupeve komuniste/bolshevike. Ai deklaroi se nuk njihte Qeverinë e Kerenski-t dhe proklamoi parullën “Paqë, bukë, tokë!” si pikënisje për revolucion. Për nji kohë të shkurtë Lenini fitoi përkrahjen e madhe të nji popullsie të lodhun. Ky ka qenë fillimi i “revolucionit të tetorit” në Rusi. Menjiherë, komunistët filluen përgatitjen e nji force ushtarake efektive, dhe naten 6-7 nandor 1917, nen komanden e Leon D.Trotsky-t, forcat revolucionare morën në dorë ndertesat qeveritare të kryeqytetit, dhe pushtetin e vendit. Kongresi i Dytë Panrus i Sovietëve, i mbledhun në Petrograd, formoi qeverinë e re nen drejtimin e V.I.Leninit, e perbame me shumicë “komisarësh  politikë”.

Qeveria e re me operacione ushtarake të përgjakëshme vendosi “diktaturën”, (ma vonë diktatura e proletariatit) e plotë në vitin 1922, datë në të cilën u formue Bashkimi Sovjetik që mbijetoi afër 70 vjet (1990). Mbrenda pakë muejve, Lenini forcoi disiplinën në rradhët e klasës punëtore; në Rusi gjendja u ba shumë e randë. Bashkimi Sovjetik, për arsye të krizes ekonomike dhe luftës u ba skena e shtypjeve të pamëshirëshme dhe vuejtjeve të pa kontrollueshme Diktatura tregoi forcën e vet.

Edhe sot, Presidenti Putin deklaron se për arsye të ndasive të medha në Rusi “…vendi ka nevojë për nji qeveri të fortë” Fatkeqsisht, liria e demokracia e pritun nga miljonët e shtypun nuk u realizue në Rusi. Por. gjatë kësaj periudhe, Bashkimi Sovjetik deshmoi nji rritje të madhe industriale, të arritun me çmim të naltë: miljona qytetarë të kombeve të ndryshme vdiqën nga shtypja dhe uria…!

Revolucioni ka qenë edhe arsyeja e shumë luftave kombëtare për çlirim në shumë vende të botës, që banë njikohësisht shekullin njizetë shekullin ma të përgjakshëm në historinë moderne.

Kush ishte udheheqsi “Bolshevik” V.I.Lenini? Condoleesa Rice, profesor dhe ish Sekretar i Shtetit, spjegon: ”Kur u kthye Lenini nga emigracioni, ai shfrytëzoi situatën që solli lufta në popullsi dhe ushtri, tue predikue nji shkëputje të plotë me të kaluemen. Ai ishte nji revolucionar deri në palc; që në fillim, ai u shpreh me nji retorikë të zjarrtë  dhe me nji fjalor politik që këshillonte ‘luftën’ deri në ekstrem.”  Ajo spjegon se “për Leninin ‘modaliteti’ nuk duhet të mbështetet mbi bazat e standardeve idealiste që ushqejmë; nuk duhet të bajmë kurrë kompromis, dhe duhet të jemi përherë ekstremistë…. Në mes të nji shoqënie vizionarësh, Lenini përqendronte vemendjen e tij në nji objektiv dominant që zakonisht nuk ashtë objektivi i klasave intelektuale: marrjen e pushtetit me çdo mjet”.

Ky qendrim anti-moral dhe plotësisht i pa skrupull solli rregjimin e “hurit dhe litarit” në ish Rusinë cariste, të vendosun nga Lenini- e të njohun eufemikisht si “diktatura e proletariatit”, dhe nuk pushoi asniiherë deri në vitet 1989-90 me ndryshimet radikale të fillueme nga reformisti Mikhail Gorbaçev…reforma që përfunduen me zhgënjimin e madh: Presidentin Putin. Shpresa për demokratizim dhe integrim në Botën e Lirë të Perëndimit nuk u realizue, dhe sot në shumë vende ish-komuniste, mbeturinat e së “keqes së madhe” vazhdojnë me helmue atmosferën e shoqënisë civile  ….. tue përfshi edhe Shqipërinë tonë!

Shprehja “revolucion” në shkencat shoqënore dhe politike përdoret me përcaktue nji lëvizje të madhe, të papritun, dhe tipikisht violente- zakonisht me gjak- që përmbysë rendin ekzistues dhe strukturat e shoqatat   e lidhun me këte rend, dhe  formon nji rendi të ri.

Sa e përgjakëshme ka qenë veprimtaria e Leninit? Nji shembull: Në mars 1922, ai shkruente: “Ashtë pikeëisht tani, dhe vetëm tani, kur në krahinat ku popullsia vdes nga uria dhe njerëzit ushqehen tue ngranë mishin e njeni tjetrit (kanibalizëm) dhe qindëra, ndoshta mijëra kufoma mbushin rrugët tona, që na mundemi (dhe prandej duhet) me zbatue konfiskimin e pasunisë së Kishës me egërsinë ma të madhe, dhe energji pa asnji mëshirë…Pikërisht në këte moment na duhet të luftojmë klerin në mënyrën ma të pamëshirëshme e vendimtare, dhe të dërmojmë rezistencën e tij, me nji brutalitet të atillë që kleri nuk duhet të harrojë në dekadat që vijnë…Sa ma i madh të jetë numri i  fetarëve reaksionarë dhe i borgjezisë reaksionare që ne do të ekzekutojmë për këte arsye, aq ma mirë për ne!”  (Martin Amis)

(Shenim: Arkivat kishtare tregojnë se në vitin 1922, V.I.Lenini ekzekutoi 1.962 murgjë, 2.691 priftën, 3.441 murgesha. Pse? “besimi ashte pjesë e natyrës njerëzore, kështu që bolshevikët ishin të detyruem me e shtypë në të gjitha format e tij, dhe të gjithë denominacionet tue përfshi islamizmin e budhizmin.”(po aty). “Nji tragjedi e vertetë, nji ngjarje që shkaktoi vuejtje të mëdha, shkatërrim dhe degradim”(Prof. Orlando Figes)

Akti i fundit: Lenini vdiq në 1924 e la trashëgim për Stalinin nji shtet policor, funksional, që ai perdori pa mëshirë (1924-1953) në asgjasimin e miljona qeniesh  njerëzore të pafajshme. (Vetëm vdekja e J.V.Stalinit shpëtoi nga asgjasimi fizik pesë miljonë jahudije në kampet e akullta siberiane të përgatituna nga Stalini)

Vazhduesi i Leninit, kryekrimineli J.V.Stalin (që ka qenë dhe mbetet personi i idealizuem edhe nga shumë komunistë shqiptarë!) ishte nji monstër i vertetë. Kush ishte Stalini?

Historiani i njohun Sebastian S. Montefiore në studimet e tia e përshkruen kështu: ”Deri në vitin 1917, J.V.Stalini ka qenë nji disident carist, rrugaç, pijanec, kangëtar, dashnor që vraponte mbas vajzave, dhe nji imitues i shkelqyeshëm” .

Prof. Stephen Kotkin, Princeton U., spjegon:” Diktatori Stalin ka qenë nji udhëheqës kontradiktor, ideolog e oportunist njikohësisht, njeri me vullnet të hekurt dhe krijesë e sistemit sovjetik, njeri pa karakter që shpërdoroi bashkëshorten e vet deri në vetëvrasje (dhe nuk e percolli në varr!) dhe nji udhëheqës që frymëzoi popullin e vet. Stalini bani ate që edhe udhëheqës të tjerë të dalluem kanë ba. Ai artikuloi dhe punoi me kambëngulje për nji qellim; në rastin e tij, nji shtet të fuqishëm, të mbështetun nga nji shoqëni e unifikueme që çrranjosi kapitalizmin dhe ndërtoi socializmin industrial. Metodat e tia anti-njerëzoe janë asgja ma pak se nji apokalips për popullsinë e vendit. Uria e madhe në fshat vrau ma shumë se shtatë miljonë qytetarë rus e të tjerë, pesë miljonë “kulakë” u arrestuen, deportuen, ose u ekzekutuen. Kambëngulja e tij mund të spjegohet me idenë e tij fikse të ndryshimit ‘me çdo çmim’ të gjendjes shoqënore dhe ekonomike në modernitet, që ai e pau si rruga e marrun nga fuqi tjera të mëdha: prodhim masiv, konsum masiv, kulturë masive dhe politikë masive. Anglia dhe Gjermania janë dy shembujt që ai imitonte. Arrestimi i miljona anëtarë partie, në mes të vitit 1931, tregon fatin e atyne që guxuen mos me u bindë, ose me kundërshtue “udhëheqsin”, “gjyqet spektakolare” të qytetarëve të pafajshëm- ma vonë të pakësueme- shpesh mbas torturash të randa që detyruen me   rrfye “anmiqt imagjinarë…”. Për Stalinin, terrori “përbante nji formë sundimi, nji mjet i artit të qeverisjes shtetnore.”

Edhe fakti që Stalini aplikoi metodat tronditëse në shtypjen e nji opozite të dobët, metoda që sollën ferrin mbi tokë për bashkatdhetarët e vet, spjegohen me nxitjen e shtypjes me shperblimeve byrokratike nga nji system represiv formidabel, dhe nga monopoli i pushtetit të nji partie të vetme në jetën politike të vendit. “ Ai merrte fuqi nga adhurimi i klasave të ulëta me imponue gjithçka nga nivelet e nalta. Në marrëdhanjet e politikës së jashtëme, sjellja e tij pa busull orientuese dhe pa parime të caktueme e paraqesin ate nji oportunist me eksperiencë, dhe ideolog me aftësi mendore të kufizueme”.(S. Kotkin)

Si Lenini ashtu edhe Stalini kanë vuejtë nga paranoia e vrasjes, deportimeve, asgjasimit të popullsive të tana. Si përfundim ata ndertuen nji rregjim, shovinist dhe ekspansionist, shtet policor, sundimin e nji njeriu të vetëm, kultin e individit, dhe gjetën mbështetje në terror, kampe përqendrimi dhe në “Big Lie!” (gënjeshtrën e madhe)

“E meta themelore e programit marksist ka qenë përballja pikë për pikë e ideologjisë me natyrën njerëzore,- shkruente shkrimtari izraelit Martin Amis- Udhëheqsit komunistë e kuptuen këte kontradiktë, por vendosën me lanë programin të paprekun dhe me ndryshue natyrën njerëzore, Në terma praktike ashtë ajo që na quejmë “totalitarizëm”  e që do të thotë nënshtrim total të qytetarëve ndaj politikës zyrtare.” Dhe mjerë ai/ajo që ka pasë guximin me devijue nga versioni zyrtar. Vetëm “gardianët e revolucionit” mund të ndryshojnë këte situatë. Kjo spjegon se përse pozita e Stalinit si gjysëm-perendi zbritet nga froni dhe përfundon sot në nji shenim negativ e pa randësi historike…!

I pyetun në se Qeveria ruse do të festojë 100 vjetorin e Revolucionit, zadhanësi qeveritar u përgjegj: “Qeveria nuk ka nji plan festimi”. Gazeta e njohun “Pravda” komentoi: “Ç’farë kemi këtu për festim?” Vitin e kaluem, Presidenti Putin inauguroi “Murin e Rihabilitimit” dhe në mes tjerash, ai tha: ’”Kjo e kalueme shumë e tmerrshme nuk duhet në asnji mënyrë të fshihet nga kujtesa e jonë; sepse, nuk mund të justifikohet, në asnji mënyrë e gjithë ajo që ka ngjarë’” Vetëm nji ‘guardian i revolucionit’ guxon me ndryshue historinë.  Lavdi e përkohëshme…..!

Disidenti i madh dhe shkrimtari rus Vladimir Nabukov, në nji artikull të vitit 1948, shkruente: ”Nen sovjetët, që në ditët e para, e vetmja mbrojtje për disidentët ishte shpresa se kapriçet e qeverisë do ti kursejnë pa shpresë në drejtësi ose ligjë. Asnji  parti e dytë nuk u lejue përveç pushtetit komunist. Byrokracia dominoi që në fillim. Opinioni publik u dërmue. Klasa intelektuale u eliminue. Çdo ndryshim që bahej ishte nji dekorim i skenave të shemtueme të nji grope të thellë e të zezë ku mbretnoi shtypja dhe terrori.”

Ashtë kjo shoqëni e re dhe e pabesë që u adoptue nga udheheqja gjysëm analfabete e vendit tonë – studentë të falimentuem, teneqexhijë, karrocierë, mjelse lopësh, shoferë, aventurierë pa busull morale…!

“As prindëve, as fëmijve të tyne nuk u besohet. Të gjithë janë të tmerruem ditë e natë, në çdo nivel tue përfshi edhe vetë Stalinin që jetonte me frikën e vrasjes çdo minut të jetës së tij” shkruen Nabukov.

(Nji shembull: kur Stalini udhëtoi për Teheran (Persi, 1942) në takimin me Churchillin dhe Rooseveltin, aeroplani i tij shoqënohej nga 27 avionë luftarakë. Kur udhëtoi për Potsdam (Gjermani, 1945) truproja e tij kishte 18.500 ushtarë e policë) (sic!)

Në Bashkimin Sovjetik nji popullsi e tanë ka qenë e traumatizueme …..Posa u hapen arkivat (mbas vitti 1990) u zbulue mënyra mospërfillëse me të cilën udhëheqsit sovjetikë, nën Stalinin, firmojshin vendimet për dënime me vdekje të qindëra mijëra qytetarëve – para se ata vetë të ekzekutoheshin gjithashtu, nji atmosferë e imortalizueme nga shkrimtari ish komunist Arthur Koestler në librin e ti “Errësinë në Mesditë”.

Tashti , “…me urdhën te Presidentit Putin arkivat janë mbyllë përsëri! NJi represion emocional i fortë ashtë zhvillue me qellim të mbulohen bremjet e ndërgjegjes për vuejtjet në Rusinë e sotme. Kjo ashtë plotësisht ajo që rregjimi Putin dëshiron dhe paraqet: nji shoqëni te tanë psikologjikisht e ndryshueme, dhe pa dëshirë me kthye kohën kah e kaluemja e vet, me përfundim të pa evitueshëm në nji depresion të hapun gjanësisht, dhe me besimin se vendi nuk ka nji të ardhme” përfundon Francis Fukuyama, Stanford…. Shqipëria me 2017 ?

Kjo spjegon me hollësi sa larg janë në gjendje me shkue demagogët ideologë, me zhdukë ose me shtrembnue të vërteten; me mshehë atrocitetet, vorfëninë, urinë lokale të fshatit, ekzekutimin fizik të klasës intelektuale, ndalimin “zyrtar” të ushtrimit të fesë, klerikëve e mbylljen e faltoreve, shuemjen e traditave –besë, nder, burrëni, mikpritje etj -dhe të jetës tradicionale e kulturore në qytet e fshat- popullsi e terrorizueme nga frika vetem sepse kërkon liri e demokraci…!

*****

Në Shqipëri ka pasë dhe ka edhe sot qytetarë të ndershëm që besojnë se “totalitarizmi” ka ngritë kokën përsëri mbas 27 vjetëve tranzicioni kaotik, tue përfshi presionin politik, mungesën e plotë të shoqënisë civile koshiente e gjendjes në vend dhe jashtë kontrollit qeveritar, nji arsim të pa organizuem me i përgjegjë nevojave të kohës dhe që nuk sherben interesat e studentëve as edhe ekonomisë së vendit që vuen nga papunësia e madhe, korrupsioni i shfrenuem që ka kapë për fyti edhe kuadrot drejtuese, dhe veprimtari mafioze pa frikë ndeshkimi…!

Por unë dyshoj se gjendja e sotme ashtë e pa shpresë! Sepse nuk ekziston akoma ne vendin tonë nji ideologji “zyrtare” që mobilizon masat e gjana  … …esenciale për nji shoqëni “totalitariste…! “

Nji njohës i mirë i sistemit sovjetik, dhe rregjimit të kuq në Shqipëri, analisti Dr. Janos Bugajski, në nji intervistë me Zërin e Amerikës (9 nandor 2017) bani këte deklaratë: “Përsa i përket trashëgimisë komuniste (në Shqipëri) kjo çfaqet në mes tjerash tek gjëra të këtilla si varësia tek Shteti për punësim dhe për ndihmë, tek nji farë tolerance ndaj shtypjes shtetnore, tek vazhdimi i lidhjeve dhe interesave speciale që vazhdojnë qysh nga koha e komunizmit dhe tek përfshirja e pamjatueshme e publikut në aktivitetet shoqënore; publiku akoma nuk e sheh veten si subjekt por si objekt politik, dhe kjo duhet ndryshue… (Megjithate)…as që mund të bahen krahasime me të kaluemen komuniste…Absolutisht duhet nji rihabilitim moral- sepse ish përndjeksit komunistë shetisin lirisht në rrugët e Tiranës….Mendoj se duhet të ketë ma shumë vemendje nga media dhe nga sistemi arsimor, më shumë informim publik rreth atyne që vuajtën nen komunizëm…” Dr. Bugajski quen viktimët e komunizmit “heroj” dhe kundërshtimin e tyne “heroizëm” i treguem nga këta persona gjatë periudhës së shtypjes…!

Në nji intervistë të njikohëshme për Zërin e Amerikes, e dha edhe Zonja Gentiana Sula, drejtoreshë e Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Ajo mendon se “…moshapja e arkivave u ka mohue njerëzve të drejtën për të njohë të vërteten.,. (sepse) shumë plagë të së kaluarës ende janë të pambyllura. Në Shqipëri, vendi në disa raste e gjen veten në nji kontradiktë me brezat e rij (të painformuem), nji pjesë ka nostalgji; të tjerë që ende nuk janë shkëputur dot nga mentaliteti i së kaluarës- Shqipëria vlerësohet nga të huajtë ekspertë se ende nuk e ka përfunduar periudhën e tranzicionit nga diktatura në demokraci…”

Unë do të shtojshe: ” nga skllavëria komuniste në nji jetë të lirë; nga frika e ushqyeme, në guxim me farkëtue fatin me duart e veta”.

Le të zbulohen të gjitha krimet e kryeme kundër qytetarëve shqiptarë, le të demaskohen të gjithë kriminelet, dhe të gjinden të gjitha vendet ku janë krye këto krime të pabesueshme dhe makabre të regjimit komunist në Shqipëri; le të zbulohen të gjitha varret individuale e varrezat kolektive dhe të bahen ata vende pelegrinazhi, “vende të shenjta” për adhurim nga të gjithë- veçanërisht për nxanësit e shkollave tona; le të  kthehen ata në objekte frymëzimi dhe subjekte meditimi të thellë.

Sepse vetëm, nji ndërgjegjsim i plotë i së kaluemes sonë tepër tragjike, do të pengojë përsëritjen e saj.

Nga vorret e harrueme, viktimat akoma të shqetësueme, kërkojnë me za të naltë: Vllazën, motra! Mos na harroni! Mos harroni mesazhin tonë: kurrë ma diktaturë në Shqipëri, kurrë ma ideologji të hueja në Shqipëri, kurrë ma “gënjeshtrat e mëdha” në Shqipëri ….!

=======================================================

* ish i burgosun politik në Shqipërinë komuniste (1946-56), dhe në Jugosllavinë komuniste (1959-60)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjetori, i Revolucionit Bolshevik, Meditime, Sami repishti, të nji viktime

Meditime në kampin e shfarosjes së Tepelenës

November 8, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Së fundi mbërritëm në ish-vendin ku dikur ishte ngritur kampi famëkeq i Tepelenës. Një grumbull kazermash pothuajse të shkatërruara krejtësisht. Kërkova, më kotë, të gjeja ndonjë shenjë nga ajo e kaluar e hidhur e viteve 1949-1954, kur në këtë vend dergjeshin, e theksoj dergjeshin gra e burra, por më shumë fëmijë të pafajshëm që ishin të detyruar të pranonin kushtet më mizore të jetës që ekzistonin aty, por nuk gjeta asnjë shenjë. Nuk gjeta, të paktën, një tabelë përkujtimore. Si ka mundësi? Një gjë e tillë i ra në sy edhe drejtorit të zyrës për Shqipërinë të Fondacionit “Konrad Adenauer”, zotit Thomas Schrapel, që kishte organizuar këtë konferencë përkujtimore kushtuar kësaj ngjarje tragjike të së kaluarës.
Vështroja fytyrat e plakura të atyre që kishin mundur të mbijetonin nga ky gjenocid i regjimit komunist, Hyrije Dostit (Kupit), Tomor Dostit, Lek Previzit, Aziz Ndreut, Sokol dhe Simon Mirakajt, Bilbil Camit dhe plot të tjerëve që kishin kaluar nëpër të nëntë rrathët e ferrit komunist. Në sytë e tyre ndieja dhimbje për familjarët apo miqtë që kishin humbur në këtë kamp të tmerrshëm dhe para syve më shfaqeshin si në një ekran këto ngjarje:
Po transferoheshin nga kampi i Beratit për në Tepelenë. Në afërsi të Përmetit, befas njëra nga makinat frenoi papritur. Njerëzit që ishin ngjeshur sipër fluturuan dhe ranë në greminë. Shumë u plagosën, Por Fadil Petrela dhe e shoqja Xhumaja, bija e Abaz Kupit, nuk u ngritën më. Në gjirin e Xhumasë qëndronte e shtrënguar fort fëmija gjashtëmuajshe që nëna e kishte mbështjellë rreth vetes për ta mbrojtur. Fëmija shpëtoi mrekullisht së bashku me tre motrat dhe vëllezërit e saj, më i madhi i të cilëve nuk i kishte mbushur të dhjetë vjetët. Ishin të internuarit që u kujdesën për rritjen e jetimëve.
A mund të ketë mizori më të madhe se kur dënon edhe fëmijtë e vegjël? Një mizori e tillë mund të ndodhë vetëm kur në krye të shtetit janë njerëz mizorë dhe të pamëshirshëm. Por ndryshe mendojnë disa të vetëquajtur historianë që pretendojnë se Shqipëria qenka “çliruar”. Nga cilët dhe për kë shërbeu kjo e ashtuquajtura “liri”? Mos vallë për këta fëmijë që i latë jetimë? Aziz Ndreu më tregon historinë e Shega Frashërit që do të rezistonte për disa ditë e varur për duarsh në tavan, në mënyrë të atillë që vetëm pak majat e gishtërinjve të këmbës t’i preknin tokën? Dhe kjo bëhej me qëllimin e vetëm se torturuesi donte të eksperimentonte se sa do të mund të rezistonte një femër në kondita të tilla. Nëse ajo mbeti gjallë ishte merita e dy të dënuarve të tjerë në të njejtën qeli, Azizit dhe Pal Mirashit që shtriheshin me radhë nën këmbët e saj në mënyrë që ajo të qëndronte mbi shpinën e tyre dhe kur dëgjonin çelësat që hapnin portën largoheshin që roja të mos kuptonte asgjë.
Dhe pseudohistorianët vazhdojnë të predikojnë se e ashtuquajtura Luftë NacionalÇlirimtare e tyre solli lirinë në Shqipëri. Mos vallë kjo është liria për të cilën paskan luftuar ata?
Një nënë mirditore vajtonte mbi kufomën e birit të vdekur gjatë natës. Ajo nuk kishte më qumësht për ta ushqyer. Pranë saj qëndronte edhe binjaku tjetër. Ai qante dhe qante me ngashërim. Donte gjirin e nënës që i mungonte. Pas pak edhe ai pushoi. Nëna e pa, i lëvizi kokën, e shkundi, por ai nuk përgjigjej. Nëna lëshoi një ulërimë ngjethëse. I kishte vdekur edhe binjaku tjetër. Shoqet u munduan ta qetësonin. Por vajtimi i saj shponte edhe qiellin. Herë qante dhe papritur fillonte të qeshte dhe përsëri të qante. E mjera ishte çmendur.
Mos vallë kjo ishte liria e kësaj nëne? Por pseudo-historianët e ardhur nga bota e krimit përgatiten të festojnë me madhështi ditën e lirisë së robëruar.
Transportoheshin shtylla për në minierën e Memaliajt. Trasporti bëhej nëpërmjet lumit të Bënçës. Ishte dimër. Çdo gjë kishte ngrirë akull. Disa trungje kishin ngecur pa rënë në lumë. Reshter Kamberi i drejtohet Kec Grimcit pesëdhjetëvjeçar:
– Hej ti që më rri si hu gardhi, shtyji ato trungje.
Keci mori një degë druri dhe u mundua të shtynte trungjet. Reshteri nuk priti por e shtyu dhe e hodhi në lumë. Keci u drodh nga të ftohtit dhe në pak minuta mbeti i ngrirë me duart përpjetë. Shokët e kapën dhe e nxorrën nga lumi. Ashtu të ngrirë e çuan në kuzhinë ku u munduan që nga nxehtësia e ambientit të atjeshëm ta sillnin në vete. Pak nga pak filloi të shkrijë dhe arriti t’u thotë shokëve: – Mos harroni racionin tim të bukës!
Kjo është liria juaj zotërinj pseudohistorianë ku njeriu vdes nga uria? Klithmat e korbave të zinj po dëgjohen gjithmonë e më tepër, me një mllef të paparë edhe sot, për të ringjallur atë epokë që populli shqiptar e përmbysi njëherë e përgjithmonë në fundin e viteve 90-të. Këto klithma vijnë nga “shakaxhinjtë e përparimit” siç i quante Noli këta pehlivanë.
Helena Beça, një franceze, e shoqja e Andon Beças, dëgjoi emrin e saj që e thërrisnin. Përgjegjësi i thotë se do të shkonin të ngarkonin dru në krah. Ajo e habitur i përgjigjet me një shqipe gjysmake: – Pse mba dru nieri? Dru mba kala.
Kapter Selfua e dëgjoi, e rrëmbeu dhe filloi ta godasë ku të mundte. Shoqet e ngritën dhe e tërhoqën zvarrë deri në vendin e punës. Kështu vazhdoi disa ditë deri sa i mbaruan fuqitë. Ra pa ndjenja në tokë. E shtruan në infermieri ku mjeku që i vizitonte, Lluka Dhimolea, i sajoi një diagnozë falso dhe e nisi për në spitalin e Gjirokastrës. Mjekët e atjeshëm e kuptuan diagnozën, por heshtën. U vinte keq për francezen e ngratë. As që u shkonte ndër mend se mund të trajtohej ashtu njeriu. Helena qëndroi e shtruar deri sa e mori veten mirë dhe pastaj u kthye përsëri në kamp.
Mos vallë kjo është barazia e gruas me burrin, e propaganduar me aq forcë nga propaganda komuniste? A do t’i shkruajnë pseudo-historianët që kanë marrë përsipër “rishkrimin” e historisë së Shqipërisë këto ngjarje makabre? Çfarë historie do te rishkruajnë atëherë? Ka kohë që ata janë bashkuar me korin e korbave të zinj që këlthasin për “70 vjetorin e çlirimit” apo për rishikimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha, kriminelit më të madh të të gjitha kohërave. Përkrah tyre janë një grup korbash që u ka mbetur ora më 8 nëntor 1941. Kjo është historia e rishkruar prej tyre.
Në kamp kishte edhe disa të huaj. Midis tyre edhe një italian, një ushtarak i zoti i quajtur Mario Verdi. Një ditë kur dikush e pyeti nëse do t’i shkruante ndonjë ditë këto tmerre, ai u përgjigj:
– E para nuk e di nëse do të mund të kthehem gjallë apo jo. Por edhe po u ktheva nuk do t’i shkruaj sepse nuk do të më besojnë, do të më quajnë gënjeshtar.
Dhe këto fjalë i thoshte një person që i përkiste atij kombi që kishte provuar mbi shpinën e tij diktaturën fashiste. Një mendje e shëndoshë nuk mund të besojë tmerre të tilla. Ato duhet t’i kesh jetuar vetë.
Po kush qenka liria që na dhuruan “çlirimtarët“? Mos vallë ajo që na ndau nga bota perëndimore për të na degdisur në shkretëtirat ruse apo kineze?
Këto pamje më dilnin para syve ndërsa vizitoja gërmadhat e një vendi ku u martirizuan me qindra heronj. Më dilnin para syve sekuencat e nje filimi gjerman të pas Luftës së Dytë Botërore, që shfaqesh në ekranet e kinemave në fëmininë time, në ditët e para të të ashtuquajturit “çlirim”. Ishte historia e një mjeku nazist që eksperimentonte në laboratorët e tij format më të tmerrshme të torturave që më vonë ushtroheshin mbi hebrenjtë, robërit e luftës dhe kundërshtarët e regjimit. Me mbarimin e luftës mjeku arrestohet dhe dënohet. Më ka mbetur e gjallë finalja e këtij filmi: Mjeku, i kapur pas hekurave të burgut, duke thërritur:
Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!
Ndërsa nga prapa shfaqeshin krimet e kryera prej tij, dhomat e tmerrshme të gazit dhe
torturat e tjera. Filmi kishte një titull kuptimplotë: “Vrasësit janë midis nesh”.
Unë meditoja:
Po sot në vendin tonë çfarë po ndodh? Pseudodemokratët dhe pseudohistorianët, në një kor me korbat e zinj, po thërrasin si mjeku gjerman:
Jemi të pafajshëm! Jemi të pafajshëm!
Atëherë, kush qenka fajtor për tërë atë katrahurë që kaloi vendi ynë? Mos vallë ne
që e paguam me jetët tona?
Do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi gënjeshtrën dhe hipokrizinë. Do të vijë dita kur emrat e këtyre pseudodemokratëve dhe pseudohistorianëve do të hidhen në koshin e plehrave, ndërsa emrat e martirëve të nacionalizmit shqiptar do të ngrihen në piedestalet më të larta. Do të vijë dita kur nxënësit tanë nuk do të dëgjojnë më pallavrat tyre por do të mësojnë historinë e vërtetë të popullit tonë martir. Atëherë ata i prêt vetëm një gjë, në mos ndëshkimi i drejtësisë shqiptare, ndëshkimi i drejtësisë qiellore.
Kjo ditë do të vijë!

Filed Under: ESSE Tagged With: e shfarosjes, Meditime, në kampin, reshat kripa, së Tepelenës

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT