• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Imazhi i Shën Nënë Terezës në monedhat përkujtimore të Urdhërit të Kalorësve të Maltës dhe Vatikanit

August 5, 2023 by s p

(Melsen Kafilaj/ Studiues)

C:\Users\Admin\Desktop\chas-fagan-portrait-21-856x1024.jpg

Portreti zyrtar gjatë kanonizimit të Nënë Terezës si Shenjtore, porosi e Kalorësve të Kolombit dhe realizim i artistit amerikan, Chas Fagan- “Piktorit të Presidentëve”   © Chas Fagan, 2016

Në një artikull tonin të vitit 2020 me titullin grishës  “Kartëmonedha Kombëtare, Feminizmi dhe Emancipimi Mendor: Disa Propozime” (https://www.voal.ch/kartemonedha-kombetare-feminizmi-dhe-emancipimi-mendor-disa-propozime-nga-melsen-kafilaj/multimedia/press/) midis të tjerash tërhiqnim vëmëndjen edhe për përfshirjen e imazhit të Shenjtores Tonë Nënë Tereza në kartmonedhën kombëtare, si një shenjë jo vetëm e emancipimit tonë mendor por gjithashtu edhe treguese e humanizmit dhe dashurisë së Saj të pa kufi, ndjenjë për të cilën Bota ka nevojë më shumë se kurrë në ditët tona. Propozim, i rënë si gjithmonë në vesh të shurdhët dhe pa kurrëfarë vramëndjeje nga ana e atyre që kemi mbi krye.Kjo për arsyen e vetme se politikanët dhe burokratët tanë, këta kolltukofagë monomaniakë janë më tepër të dhënë pas rëndësisë së Qosheve sesa fuqisë së Ideve, mallkim ky që na përndjek si Komb në shekuj.

Nënë Tereza, një figurë e njohur ndërkombtarisht dhe e nderuar si imazh me monedha përkujtimore edhe nga vende që shqiptarët si gjejnë dot në hartë si Palau, Nauru, Ishujt Solomon apo Ishujt Turk & Caicos në vendin tonë përkujtohet me monedhën 200 Lek (Au dhe Ag) vetëm në vitin 2012, përmes një dizajni i cili për nga vlerat artistike dhe realizimi  jo vetëm që lë për të dëshiruar dhe as që mund të krahasohet estetikisht me vendet e lartpërmëndura (Monedha e Palaut, psh konsiderohet si një prej më të bukurave në botë) por madje në pjesën e pasme të saj përmban edhe një imazh pëllumbi “të huazuar” haptazi nga Pablo Picasso, imazh të cilin ky i fundit e dizenjoi për posterin e Kongresit Botëror të Paqes, të zhvilluar në Moskë gjatë datave 9-14 Korrik të vitit 1962.

C:\Users\Admin\Desktop\200 l AL.jpg

                                                     © Banka e Shqipërisë, 2012

Por ajo ç’ka është mjaft interesante dhe përbën fokusin e këtij artikulli është fakti se imazhin e Nënë Terezës për herë të parë në monedhat përkujtimore nuk e fut as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut (diçka që duhet ta bënin).Këtë gjë e realizon për herë të parë në vitin 2001 përmes monedhës 5000 Lirash Ar Urdhëri i Kalorësve të Maltës, një Urdhër Kalorsiak Katolik 900 vjeçar dhe një entitet i pavarur, i njohur për vetqeverisjen, ekstraterritorialitetin dhe misionin e tij nga E Drejta Ndërkombtare. Karakteristikë tipike për këtë monedhë përkujtimore të Mijëvjeçarit të Ri, ndryshe nga monedha shqiptare nuk është vetëm realizimi fantastik i portretit të Nënë Terezës- “Engjëllit të të Varfërve” por edhe mesazhi i fuqishëm që ajo përcjell: “Lufto Urinë për të pakësuar Varfërinë!”                                                    

C:\Users\Admin\Desktop\IMG_5640.JPG

                                                     © Sovereign Military Order of Malta, 2001

Një nismë kjo e pasuar gjithashtu edhe në vitin 2003, ku në serinë e “Kampionëve të Paqes”  Urdhëri në fjalë do ta vendoste sërish Shenjtoren- Nobel për Paqen (1979)  në monedhën përkujtimore 500 Lira Argjend. Mesazhi domethënës përcjell esencën e vokacionit dhe misionit jetësor të vet Shenjtores: “Shërbe, Duaj, Dhuro!”

C:\Users\Admin\Desktop\IMG_5635.JPG

Shqiptarët asnjëherë nuk ju kanë kushtuar nderimin e duhur figurave të tyre madhore dhe gjithmonë kanë qënë të vonuar në kapjen e momenteve apo ngjarjeve të caktuara historike.Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe.Historia përsëriti vetveten edhe me rastin e Kanonizimit të Nënë Terezës si Shenjtore nga ana e Selisë së Shenjtë.Teksa shtete të ndryshme të botës nxituan që të realizonin monedha me imazhin e Shenjtores Tonë për ta përkujtuar këtë ngjarje, Qeveria dhe Banka e Shqipërisë nuk e vuri ujin në zjarr fare për ta materializuar monetarisht një moment të tillë historik.Diçka e cila nuk mund ti shpëtonte nga fokusi fqinjit tonë lindor, Maqedonisë së Veriut, me realizimin e një portreti dinjitoz të Shenjtores në monedhën përkujtimore 100 Dinar por gjithashtu edhe Vatikanit me realizimin e një pulle postare, medaljeje argjendi por edhe një sërë artifaktesh të tjera.

C:\Users\Admin\Desktop\Pulla dhe Medalioni VA.PNG

                                     © Ufficio Filatelico Numismatico Vaticano, 2016

Imazhi i Nwnw Terezws në monedhat përkujtimore të Vatikanit do të autorizohej nga Papa Françesku në vitin 2022 me rastin e 25 vjetorit të kalimit në amëshim të Shërbëtores së Zotit.Për këtë qëllim dhe në kujdesin personal të Atit të Shenjtë, Vatikani do të komisiononte dy prej artisteve më të mira të Romës për dizenjimin e monedhave dhe medalionëve, Orietta Rossi dhe Gabriella Titotto. Rossi, e cila për Morinë që se njeh ka realizuar mes të tjerash edhe punë madhore si monedhën përkujtimore me rastin e 60 vjetorit të Koncilit të Dytë të Vatikanit (1963-2023), monedhën përkujtimore të 500 vjetorit të themelimit të Gardës Zviceriane (1506-2006) apo edhe atë të 60 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (1945-2005) e nderon Shenjtoren tonë me dizenjimin e imazhit të saj si një simbol i gjallë i Caritas në monedhën përkujtimore 2 Euro të Vatikanit.

C:\Users\Admin\Desktop\Madre Teresa-Orietta Rossi.jpg

                                               © Ufficio Filatelico Numismatico Vaticano, 2022

Nga ana tjetër, po kaq interesant është edhe dizajni atipik i monedhës përkujtimore të Titottos. Monedha e argjendtë katërkëndore prej 25 Euro rafiguron një Shën Terezë të qeshur dhe të paqtuar nga rënia e butë dhe e ëmbël e dritës mbi fytyrën e saj; Drita e Besimit.Po aq i fuqishëm dhe kuptimplotë për këtë Shenjtore e cila dritën e besimit e përktheu në dritë shprese për miliarda njerëz në botë teksa njihte “Jezusin e Fshehtë” në ta qëndron edhe mesazhi i nxjerrë nga Ungjilli i Gjon Shqiponjës: “Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju kam dashur unë!” 

C:\Users\Admin\Desktop\Ufficio Numismatico Vaticano.jpg

Filed Under: Featured Tagged With: Melsen Kafilaj

Mitomania, Personalitetet e Mëdha dhe Historia: 4 Fake News bombastike të tipit “Made in Albania”

July 24, 2023 by s p

(Melsen Kafilaj –Studiues)/

Ballkani, siç e emërtoi në vitin 1808 gjeografi gjerman, August Zeune apo siç duhet të quhet realisht Rajoni i Evropës Juglindore është një Rajon i cili ndryshe nga rajonet e tjera të Evropës krahas të tjerash ka edhe një karakteristikë tejet specifike: shquhet për mitomani dhe mitofili.Aq i vërtetë është ky konstatim saqë shpesh vihet re edhe fenomeni i “përvetësimit të figurave historike të njëri-tjetrit”, ndodhin sherre banale virtuale mes anëtarëve të kombeve të Rajonit në fjalë apo madje edhe ngërçe diplomatike shtetërore të përmasave ndërkombëtare. Mitet, këto ëndërra publike të transmetuara nga njëra gjeneratë në tjetrën dhe të deklamuara me një pathos Dionisiak, rrotullohen në këtë Rajon rreth një ndjenje të vetme: asaj të Madhështisë.Si karburant për këtë mitomani mund të shërbej lashtësia dhe etnogjeneza, fisnikëria e gjakut, aftësia qytetërimore, feja, historia (e cila shpesh është më tepër narrativë mitike sesa histori), nxjerrja e figurave të mëdha me impakt botëror prej etnive respektive e kështu me radhë. Përjashtim në këtë drejtim nuk bëjmë as Ne Shqiptarët.

Por ç’është Mitomania?! Mitomania, nëse i referohemi njërit prej përkufizimeve të Fjalorit Psikologjik të Shoqërisë Amerikane të Psikologjisë (APA) “është një interes jonormal për Mitet, tek të cilat Individi mund ta besoj dhe marr fantazinë për realitet dhe një tendencë e theksuar për të fabrikuar histori të pabesueshme” (Vandenbos, 2015:684).Mitofilia, nga ana tjetër është dashuria për këto mite, një devocion ky në Ballkan edhe më i madh se ai i treguar ndaj Zotit dhe Shenjtëve.Duke qënë të tillë, nuk është e rastësishme që fake news në këtë Rajon të jenë të shpeshta.Mitomania në Shqipëri ka forma të ndryshme por një prej formave më klasike është “tendenca për të bërë çdo personalitet të madh botëror me gjak shqiptar”.Këtë “eksportim të madhështisë së gjakut shqiptar” imagjinata jonë mitiko-poetike e ka çuar shumë larg. Aq larg saqë personalitete të jetës politike, kulturore a shkencore botërore si George Washington, Napoleon Bonaparte, Nicola Tesla apo së fundmi edhe presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan të jenë të gjithë “me gjak shqiptar”.Ler ti marrim me radhë dhe trajtojmë këto 5 fake news bombastike të përhapura në masë në Media apo Rrjetet Sociale të cilat çdo shqiptar i mirë, i thjeshtë dhe fisnik me të vërtetë i beson.

  1. George Washington ishte me gjak shqiptar nga ana e Nënës

Sipas mitit në fjalë Mary Ball Washington, nëna e “Atit Themelues të Shteteve të Bashkuara” George Washington e kishte emrin Marije Bala dhe ishte me origjinë nga Peja.Në të vërtetë, nëse i referohemi informacionit të marrë prej Librarisë Presidenciale George Washington në Mount Vernon dhe biografit të Washingtonit, John H. Rhodehamel, Mary Ball ka lindur në vitin 1707 në Epping Forest, Virginia nga bashkimi i Joseph Ball dhe Mary Johnson (p.13). Gjithashtu është fakt, se duke nisur me biografin e parë të George Washingtonit, Mason Weems dhe duke u konsultuar me atë më të fundit, Ron Chernow nuk gjen “asgjë shqiptare” në lidhje me pemën gjeneaologjike të Heroit Amerikan.Gjithë të tjerat janë trille fantastike të cilat Arsyeja dhe Logjika e shëndoshë nuk mundet kurrësesi që ti pranojnë.

  1. Napoleon Bonaparte kishte gjak shekullor shqiptar në venat e tij

Nëse në Antikitet thurësit e miteve kanë qënë më së shumti priftërinjtë dhe poetët, në ditët tona stafetën e kanë marr padyshim historianët entuziastë, publicistët pasionantë dhe profesorët.Eshtë interesante të vëresh që mitin e një Napoleoni me gjak shekullor shqiptar e kanë fabrikuar dhe hedhur për qarkullim publik nw Shqipwri pikërisht këta të fundit.Disa shkojnë aq larg saqë e çojnë këtë origjinë në Ilirinë e Jugut gjatë Periudhës Romake, të tjerë orvaten ta shpjegojnë këtë prejardhje përmes një morie emrash fisesh a familjesh fisnike të përmëndura dhe ndërlidhjesh që vetëm fantazia e tyre pegasiane mund ti arrij, ndërsa ca të tjerë megjithëse i mëshojnë hipotezës së një origjine të tillë arvanitase të Perandorit,  tregohen më diplomatë duke  theksuar se “prejardhja e Napoleonit ka mbetur një enigmë”.Studiues seriozë si André Castelot (Napoleon, 1968), Jacques Godechot (Napoleon, 1969) dhe së fundmi Andrew Roberts (Napoleon the Great, 2014- fituese e Çmimit të Madh të Fondacionit Napoleon) e përjashtojnë katërcipërisht këtë hipotezë, duke theksuar që Familja “Buona Parte” ishin pronarë të mëdhenj tokash me origjinë nga Firenze (Ky mbiemër figuron në regjistrin e këtij Qyteti që prej vitit 1261) teksa një prej pinjollëve të kësaj familjeje, Francesco Buonaparte qe i pari që emigroi për në Korsikë në vitin 1529..Ipse facto, vendlindja e Napoleonit është Ajaccio, Korsikë ndërsa prejardhja e tyre është Italiane.

  1. Nikola Tesla ishte me gjak shqiptar nga ana e Babait

Tesla, një prej Gjenive më të mëdhenj të Shek. XX dhe “master-brain” i një sërë shpikjesh civile-ushtarake të aplikuara në kohën tonë, sipas mitit më të fundit ishte me gjak shqiptar nga ana e Babait (një mitolog tjetër thotë nga Nëna, Georgina Gjuka).Sipas rrëfenjës në fjalë, familja e Teslës ishte nga Sanxhaku ndërsa babai i tij, Milutini (Shqiptar me emër të tillë vetëm Mitologu e gjen) ishte shqiptar orthodox, i cili shërbeu si prift dhe që më vonë u largua në drejtim të Kroacisë, ahera pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze.Por a ka ndonjë dokument në të cilin mund ta bazoj pohimin e vet, këtë mitologu nuk mund ta thotë. Kjo për faktin e thjeshtë se miti ndryshe nga historia bazohet tek fantazia dhe imagjinata dhe jo tek kultura e dokumentacionit.Mitologu vazhdon duke insistuar që emri i Teslës, Nikola është tipik shqiptar, dmth Nikolla.E vërteta historike është që Tesla e mori emrin e vet prej gjyshit nga ana e nënës, Nikola Mandić (gjithashtu prift orthodox në fshatin e tij).Një fakt tjetër historik është se teksa ishte student në Graz të Austrisë Tesla ishte  edhe Kryetar i Shoqatës së Studentëve Serbë.Gjithashtu ai u nderua me një sërë urdhërash të lartë prej Serbisë, ku më i herëshmi është Urdhëri Mbretëror i Shën Savës, dhënë në vitin 1892.Për rrjedhojë, të pranosh një Tesla me gjak shqiptar është po aq absurd sa pretendimi i një Skënderbeu me gjak sërb.

  1. Rexhep Tayip Erdogan është me gjak të hershëm shqiptar 

Mitomanët në Shqipëri janë gjithëfarësojësh por më përfaqësuesit janë; 1) Mitomanët e Alien-Illyrit, 2) të Kryqit, 3) të Hënës dhe 4) ata Kozmikë.Secili prej grupeve të përmëndura ka kanalin e tij komunikues ku shpërndan opinionet, besojmat dhe mitet e veta.Kështu psh, në njërin prej këtyre kazanëve mediatikë jepet dhe shpërndahet me bujë lajmi bombastik se Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan është me gjak të hershëm shqiptar nga Kraja e Malit të Zi.Mitologu e merr “ad literam” frazën e lëshuar prej tij “Jam rritur nga nënë shqiptare” gjatë takimit me Presidentin Nishani në vitin 2016, e shkëput nga konteksti, i jep krahë të lirë fantazisë dhe del në konkluzionin e dëshiruar paraprak.Sipas logjikës së tij simpliste, meqë Erdogan ka lindur në Güneysu (Rize) dhe Güneysu (Rize) banohej nga shqiptarët, ahera edhe Erdogan është shqiptar. Ndërsa Erdogan e pretendon prejardhjen e rrënjëve të tij familjare prej Batumit të Gjeorgjisë (deklaratë e vitit 2013) në vitin 2014, siç shprehet gazetari turk dhe eksperti i Lindjes së Mesme, Cengiz Çandar ai e mohon këtë fakt.Por çfarë thonë studiuesit për këtë gjë?! Politologu i Universitetit të Utah, Mehmet Hakan Yavuz në librin e tij “Secularism and Muslim Democracy in Turkey”(2009) shprehet se vendlindja e tij është Qyteza e lartpërmëndur (p.123). Të njëjtin qëndrim mban edhe biografi i tij “zyrtar” Mehmet Karahan i cili në broshurën e tij apoteozoike “President Erdogan’s Biography” (2019) shkruan: “Vendlindja- Qyteti i Rizes”.Por asnjëri prej tyre nuk flet për “përkatësinë shqiptare” të Presidentit në fjalë.Mitomanëve tanë që bëjnë çmos që ta “shqiptarizojnë” Idhullin e tyre turk dhe ta duan po aq sa Allahun, i këshilloj dashamirësisht që të falen dhe bëjnë sadaka sepse sipas “Umm al-Kitāb” janë në gjynah.

Si përfundim, mund të themi se pavarsisht këtyre 4 fake news spektakolar, nga gjaku shqiptar kanë dalë me të vërtetë një sërë personalitetesh dhe figurash të mëdha (shenjtë, muratorë, muzikantë, arkitektë, piktorë, gjeneralë, dukë, papë, perandorë, sadrazëmë, pashallarë, etj) të cilat as Vulgu dhe as Paria nuk kanë dëshirë dhe as interes që ti di.Me studiuesin e ndjerë Moikom Zeqo dhe disa studiues të tjerë në vitin 2019 i propozuam “ekspertëve” të Ministrisë së Kulturës për bërjen të mundur të një botimi të tillë por mesa duket qe një kërkesë “e rënë në vesh të shurdhët”.Shqiptarët nuk kanë nevojë për të përvetësuar dhe shqiptarizuar personalitetet e mëdha e të gjithë botës për të treguar sesa të mëdhenj që janë.Nëse do të njihnin ca më mirë historinë e tyre, do ta kuptonin që kjo Shqiptaromani histerike, me fake news kronik është e panevojshme dhe figurat që kanë do të ishin mëse të mjaftueshme për ti bërë krenar si komb dhe për ta mbajtur kokën lart.

                                                                                                                           © Melsen L. Kafilaj

Filed Under: ESSE Tagged With: Melsen Kafilaj

“Alf Layla wā Layla”: 1001 Netët e Orientit dhe 3 Versione të  hershme përkthimi në Shqip të bazuara në Gjuhët e Oksidentit*

July 11, 2023 by s p

(Melsen Kafilaj- Studiues)/

“Njëmijë e Një Netët” (Alf Layla wā Layla) është një thesar i çmuar i Letërsisë Botërore dhe mbetet padyshim një prej veprave më popullore, më të dashura për lexuesin (pavarsisht moshës, gjinisë a kombësisë) dhe të përkthyera në një mori gjuhësh botërore. I përmëndur për herë të parë nga Al-Mas’ūdi në vitin 947 A.D në librin e tij “Murûj adh-dhahab”(“Luadhet e Arta”) e më vonë nga Al-Nadīmi në “Al- Fikhrist” (“Katalogu” i tij), ky koleksion historish (me origjinë Perse, Indiane, Arabe, Greke, etj)  është  konfirmuar madje edhe shkencërisht prej Orientalistes së Universitetit të Çikagos, Nabia Abbot përmes një fragmenti papirusi të gjetur prej saj, i cili i përket Shek.9. Ky koleksion, me kalimin e kohës u pasurua si në formë gjithashtu edhe në përmbajtje dhe mori trajtën që njohim sot duke u redaktuar për herë të fundit në Egjipt në Shek.14 gjatë kohës së Dinastisë Mamluke Burji. 

Versionin e parë Evropian të këtij “xhevahiri të Orientit” na e jep për herë të parë Orientalisti Francez Antoine Galland me titullin “Les mille et une nuits, contes arabes traduits en français” (Njëmijë e Një Net, Rrëfenja Arabe të përkthyera në Frëngjisht) një vepër kjo prej 12 Volumesh, botuar gjatë një harku kohor prej 13 vitesh (1704-1717) dhe e bazuar mbi një Dorëshkrim Sirian të Shek.14.Përkthimi i saj në gjysmën e parë të Shek.18 do të hapte rrugën dhe do të pasohej për rrjedhojë me një sërë përkthimesh të tjera të “1001 Netëve” në gjuhët evropiane si: Anglisht, Gjermanisht, Spanjisht, Italisht, e kështu me radhë.

“Në Hien e Hurmave”, Kopertina e Versionit të Parë në Shqip të “1001 Netëve” prej Faik Konicës (1924)

Megjithëse jo prej origjinalit, versionin e parë në Shqip të “1001 Netëve” në shqip na e jep eruditi ynë Faik Konica me veprën e tij “Në Hien e Hurmave”, të përkthyer nga Anglishtja dhe të botuar në vitin 1924.Në Parathënien e këtij botimi Konica i citon përkthyesit e shquar britanikë (Scott, Payne, Burton, etj) të kësaj kryevepre por nuk e përmënd versionin anglez të përkthimit të cilit ai i është referuar. Konstatimit të drejtë të studiuesve se tek versioni i “1001 Netëve” të Konicës mungon elementi i Seksualitetit i përgjigjemi që kjo ndodh për arsyen e thjeshtë se Konica e bazon përkthimin e tij në versionin e Orientalistit Britanik Edward William Lane, një puritan i devotshëm “i cili e ka çensuruar jo vetëm këtë element por edhe gjëra të tjera të papërshtatshme sipas tij” në veprën  prej 3 volumesh, “One Thousand and One Nights”(1840).Vepra e Konicës do të ribotohej edhe në vitin 1943 prej Shtëpisë Botuese “Argus” të intelektualit pro-perëndimor Dhimitër Canco.

Një version të dytë “tejet divers” na paraqet përkthyesi dhe publicisti Dhimitër Falo.Falo, i cili deri në këtë moment që flasim nuk përmëndet fare prej studiuesve për këtë kontribut madhor, e ndërmerr këtë nismë në vitin 1930 me përmbledhjen me rrëfenja “Gjylnar”.Nismë e cila do të pasonte me një seri përkthimesh të kësaj kryevepre, të cilat ai i titullon sipas një rrëfenje specifike të “Alf Layla wā Layla-s”.Vëllimi i fundit që njohim i përkthyer prej Falos i përket vitit 1938 dhe titullohet “Sindbad es Sawah” (Sindbad Detari).Versioni i “1001 Netëve” të Falos bazohet tek përkthimi i “Le Livre des mille nuits et une nuit” (Libri i Njëmijë e Një Netëve) të Orientalistit Francez Joseph Charles Mardrus, një vepër kjo e botuar fillimisht në 16 volume përgjatë viteve 1899-1904 (Vëllimin e parë të së cilës do t’ia dedikonte poetit të madh francez, Stéphane Mallarmé) dhe e reduktuar në 12 të tillë me ribotimin e saj përgjatë viteve 1926-1932.Nëse ndjekim rrjedhën kronologjike, përgjatë periudhës 1930-1938 na rezulton që Falo të ketë sjellë në shqip të paktën 8 libra me përmbledhje rrëfenjash prej kësaj kryevepre (Në dijeninë time, 4 prej tyre janë tashmë pjesë e Koleksioneve Private). 

C:\Users\Admin\Desktop\FullSizeRender (Dhimiter Fallo)3.jpg

“Harun al-Rashid” (Vëll.4), Kopertina e Versionit të Dytë në Shqip të “1001 Netëve” prej Dhimitër Falos (1934)  

Vlen të theksojmë se ndryshe nga Konica, tek përkthimi i Falos imagjinata është e gjallë dhe plot ngjyra, sensualiteti po ashtu, madje edhe përshkrimet erotike rrjedhin lirshëm dhe pasqyrohen besnikërisht si në versionin përkthimor të Mardrus.Një kontribut ky sa letrar po aq edhe ideor, për thyerjen e tabuve, luftimin e mëndësisë së kullës dhe emancipimin mendor të Shoqërisë Patriarkale Shqiptare të Viteve 30-40-të.            

Versioni i Tretë në Shqip i kësaj kryevepre të pakohë na ofrohet në mesin e viteve 60-të prej shkrimtarit, përkthyesit dhe publicistit Mustafa Greblleshi. Kjo vepër e Greblleshit, bazuar në përkthimin frëng të Galland do të kishte një fat tejet të çuditshëm. Greblleshi, i konsideruar si “Armik i Klasës” prej Sistemit Komunist nuk do ta kishte fatin që ta shikonte botimin e saj sa qe gjallë. E botuar me emrin e Përkthyesit vetëm në vitin 1986, kjo “përmbledhje selektive” prej 20 rrëfenjash do të kalonte në filtrin e çensorëve të rreptë të Partisë  dhe do të sillte për pasojë si produkt përfundimtar një “Njëmijë e Një Net” të thatë, skematike, jo të gjallë dhe brënda Moralit dhe Dogmës Komuniste. Kështu psh, elementi erotik, aq i gjallë dhe i dëndur në rrëfenjat e “1001 Netëve” jo vetëm që është pastruar krejt prej këtij versioni por gjithashtu ky i fundit do të mbahet mënd gjatë edhe për “moralin e lartë komunist të Çensorit” duke ndërfutur brënda tekstit edhe frazën lapidare: “Ngjarje që s’na i lejon edukata ti tregojmë”! (Shih: f.24) Përkthimet e plota të “1001 Netëve” të Greblleshit (një vepër kjo prej 4 volumesh) do të botoheshin vetëm në vitin 2005 nën kujdesin e studiueses dhe botueses Brikena Çabej.

C:\Users\Admin\Desktop\M.Greblleshi, vitet 60.Botuar me 1986 (2).jpg

“Një Mijë e Një Net”, Kopertina e Versionit të Tretë “selektiv” të Mustafa Greblleshit (Përkthyer në Vitet 60-të dhe e botuar me emrin e përkthyesit vetëm në vitin 1986)

Si përfundim, mund të themi se pavarësisht karakteristikave “të trashëguara” prej veprave të autorëve në të cilat janë bazuar (Galland, Lane dhe Mardrus) dhe kontekstit kohor, përkthimet e “1001 Netëve” prej Konicës, Falos dhe Greblleshit përbëjnë një vlerë të shtuar në thesarin e gjuhës shqipe.Përkthyesit në fjalë jo vetëm që që qenë të parët që sollën në gjuhën amë këtë “melting pot” kozmopolit siç është “1001 Netët” por ata kontribuan gjithashtu edhe në kulturën shqiptare, pasi çdo përkthim i realizuar është një mjet i drejtpërdrejtë pikëtakimi ndërmjet popujve dhe kulturave, për rrjedhojë edhe i vet komunikimit ndërkulturor, siç është në esencën e saj edhe “Njëmijë e Një Netët”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Melsen Kafilaj

Imazhi i Hebreut Shqiptar në Artin Evropian

June 23, 2023 by s p

(Melsen Kafilaj- Studiues)/

Imazhi, karikaturizimi dhe “portretizimi” i Hebrenjve në Artin Evropian është një fenomen i cili daton të paktën që nga koha e Mesjetës.I përdorur shpeshherë negativisht për qëllime ideologjike, propogandistike dhe politike nga ana e Kishës Katolike, asaj Protestante por edhe prej Institucioneve të tjera, arti do të shërbente përulshëm si një instrument i bindur në dorën e të Fuqishmëve për të stigmatizuar, diskretituar dhe përçunduar fytyrën, identitetin dhe dinjitetin e më të Dobtëve dhe më të Pambrojturve.

Por krahas fenomenit të lartpërmëndur, duke nisur me Rilindjen Evropiane dhe novacionet e saj një fenomen i ri do të përhapej: shfaqja e kërkesave për të pasur një portret personal në shtëpitë hebraike.Kjo ishte një zhvendosje ideore tepër domethënëse.Tashmë jo vetëm Pushteti mund të porosiste një vepër arti për qëllimet dhe kënaqësitë e veta por edhe Individi.Pasja e një portreti artistik gjatë kësaj periudhe ishte shënjë treguese e kulturës së lartë dhe e emancipimit; një luks që vetëm familjet apo individët e pasur mund ta kishin.Siç informohemi prej dijetarit, rabinit dhe poetit të Rilindjes Leone da Modena “hebrenjtë gjatë kohës së tij zotëronin portrete në shtëpitë e tyre, madje edhe portreti i tij ishte realizuar prej një piktori të njohur jo-hebre.”

Pohimi i Modenës na konfirmon gjithashtu faktin historik që shumë hebrenj të shquar (mjekë, rabinë, këshilltarë, dijetarë, tregtarë të pasur, filosofë, etj) gjatë Shek. XVI e në vijim do të pozonin për një sërë piktorësh të famshëm të krishterë në vende të ndryshme të Evropës si Itali, Holandë, Francë, Gjermani, Britani e Madhe, etj.Shëmbulli më tipik për ta ilustruar këtë fakt është piktori i madh holandez Van Rijn Rembrandt. Historiani Britanik i Artit Alfred Rubens konstaton me kompentencë të plotë se “piktori i madh jo vetëm që do ta kishte tematikën bibliko-hebraike një prej të preferuarave në krijimtarinë e vet por gjithashtu ai do të realizonte edhe një sërë portrete bashkëkohësish si ai i mikut të vet, Rabinit Portugez Menasseh Ben Israel, Doktorit Hebre Efraim Bueno por edhe një sërë figurash të tjera ende të paidentifikuara.” Një e tillë, titulluar “Hebreu Endacak” (por ende e pakonfirmuar shkencërisht nëse është apo jo një Rembrandt origjinal) ndodhet sot në Muzeun Historik të Tiranës.

Shpikja e teknikës së gdhëndjes gjatë Shek. XV- XVI dhe e litografisë në Gjermani në Shek. XVIII prej Johann Alois Senefelder do të bënte të mundur riprodhimin sasior të një morie portretesh dhe pikturash, të cilat kanë mbërritur të printuara edhe në ditët tona.Falë realizimit të portreteve dhe dy teknikave të lartëpërmëndura kemi imazhin e një larmie hebrenjsh të njohur dhe të panjohur në Artin Evropian.Por në detin e kësaj galerie imazhesh a kemi ndonjë portretizim të Hebreut Shqiptar në Artin Evropian, lind pyetja?! Përgjigjia është PO dhe ky konfirmim pozitiv na vjen gjithashtu nga Gjermania.

Gjatë hulumtimit në “Institutin Leo Baeck” hasa për herë të parë emrin e artistit gjerman, Hermann Struck (Chaim Aaron ben David).I lindur më 6 Mars 1876 në Berlin prej prindërish hebrenj, ai do të kryente Akademinë e Arteve të Bukura të Berlinit (Akademie der Künste) dhe do të diplomohej në vitin 1899 por për shkak të përkatësisë etniko-fetare nuk do të lejohej që ta ushtronte profesionin e mësimdhënësit.Gjatë kohës së studimeve ai do të kishte për profesor litografie mjeshtrin holandez të gravurave Jozef Israëls.Ky ndikim i Profesorit jo vetëm që do ta frymëzonte Struck por do të sillte për pasojë edhe fokusimin e tij tek arti i gdhëndjes, art të cilin do ta mjeshtëronte dhe do ta bënte po aq të njohur sa Israëls.Më 1909 Struck do të shkruante librin e tij të jetës, të titulluar “Arti i Gdhëndjes” (Die Kunst des Radierens) dhe në Berlin do të kishte në rrethin e tij për studentë artistë kalibri si Marc Chagall, Lovis Corinth, Jacob Steinhardt, Lesser Ury dhe Max Liebermann.

Fama e tij do të rrihte krahët në mbarë Evropën dhe personalitete të shquara të artit, kulturës, shkencës dhe politikës si M. Chagall, G. Hauptman, H. Ibsen, F. Nietzsche, S. Freud, A. Einstein, O. Wilde, Theodor Herzl, E. Haeckel, H. Cohen, etj do të porosisnin portrete për tu realizuar prej dorës së tij.Por midis këtyre kokave të mëdha, Struck do të realizonte edhe portretin e një koke të veçantë; të një koke hebraike nga Shqipëria.Ky portret të cilin po e shfaqim për herë të parë për publikun shqiptar përbën imazhin e vetëm që njohim deri më tani të Hebreut Shqiptar në Artin Evropian, një vepër e cila siç shkruhet edhe në pjesën e pasme të saj është realizuar prej Autorit në vitin 1915.Përmasat e gravurës janë 28×29 cm teksa në krahun e djathtë poshtë është shkruar me laps firma e tij: “H.Struck”. Portreti paraqet në profil një plak hebre, me mustaqe të zeza, mjekërr të gjatë e të thinjur dhe një kapë leshi (mini shtreimel) mbi krye.Supeve mban hedhur një redingotë të Shek.XIX.Po kush është vallë ky person dinjitoz, me pamje prej të urti dhe shenjti bashkë që ka pozuar për Struck?!Mos vallë Kreu i ndonjë Komuniteti Hebraik në Shqipëri?! Tregëtar apo Hassid?! Cilat janë rrethanat e takimit të tyre?!

Nga Libraria Kombëtare e Izraelit (NLI) njoftohemi se gjatë Luftës së Parë Botërore, (1914-1918) i influencuar nga pathosi i patriotizmit gjerman, Struck shkoi vullnetar dhe shërbeu si përkthyes dhe oficer ndërlidhës i Ushtrinë Perandorake Gjermane në Frontin e Lindjes (Ober Ost) ku u dekorua për trimëri me Kryqin e Hekurt.Qëndra e Komandës së këtij Fronti ishte Vilna, Vilniusi i sotëm në Lituani.Theksojmë që Vilna, e pagëzuar ndryshe edhe si “Jerusalemi i Lituanisë” (Yerushalayim D’Lita) dhe që këtë vit festoi madje edhe 700 Vjetorin e Themelimit, duke nisur nga Shek. XVIII ka qënë një qëndër e rëndësishme e Rabinizmit, Misticizmit dhe Racionalizmit Hebraik. Ka shumë gjasa që portreti në fjalë të jetë realizuar pikërisht në këtë qytet.

Por a ishte ky portret një porosi për Artistin apo një dhuratë e Struck për personin në gravurë këtë fakt nuk mund ta konfirmojmë.I pamundur bëhet edhe zbulimi i identitetit të tij.E vetmja gjë që mund të themi me siguri krahas kohës dhe vëndit të realizimit është fakti që ky portret është i pari që paraqet tipologjinë e Hebreut Shqiptar dhe gjithashtu imazhi i vetëm që njohim deri tani i rafigurimit të Hebreut Shqiptar në Artin Evropian.

Herman Struck bëri aliyah në vitin 1922.Gjithashtu ai shërbeu si profesor në Akademinë e Arteve të Bukura “Bezalel” në Jerusalem dhe më vonë ndihmoi në restaurimin e kësaj Akademie.Një tjetër kontribut domethënës është edhe ndihma që dha në themelimin e Muzeut të Arteve të Tel Aviv-it (1932).Ai u nda nga jeta në Haifa në vitin 1944.Për të nderuar kujtimin e tij, një muze i rëndësishëm dhe tepër elegant arti në këtë Qytet mban emrin “Hermann Struck”.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Melsen Kafilaj

Kodra, Musei Vaticani dhe një foto historike e Mjeshtrit Post-Kubist me Papa Palin VI

April 7, 2023 by s p

(Me rastin e 50-Vjetorit të inagurimit të Koleksionit Papal të Artit Modern dhe atij Kontemporan në Musei Vaticani (1973-2023)     

                              Melsen Kafilaj- Studiues, Città del Vaticano                                                                                  

C:\Users\Admin\Desktop\imageedit_32_2981051200.png

   Mjeshtri Ibrahim Kodra duke shtërnguar duart me Papa Palin VI (© Fratelli Spalinger)

                                    [Shfaqet për herë të parë për publikun shqiptar]

Për Mjeshtrin Ibrahim Kodra të gjithë kërkojnë të shkruajnë.Aq i vërtetë është ky fakt saqë mjafton ti hedhësh një sy Internetit për tu bindur mbi morinë e “artikujve” të prodhuar.Mesa duket, Jonathan Swift kishte plotësisht të drejtë kur pohonte që sa më e madhe të jetë mungesa e informacionit mbi një temë a çështje të caktuar, aq më i dëndur është edhe numri i subjekteve që flasin a shkruajnë për të…Por fatmirësisht, kemi ende në mesin tonë një grusht njerëzish të cilët ia dinë vlerën shprehjes: “Heshtja është flori” dhe flasin vetëm atëherë kur kanë diçka të rëndësishme për të thënë.Njerëz të cilët me penën e tyre, siç do të shprehej edhe kolosi i gazetarisë italiane Indro Montanelli na i bëjnë paksa më të përballueshëm në përditshmëri triumfin e Mediokritetit.Kodra për të cilin jemi thelluar në këtë artikull nuk është produkt i të ashtuquajturit “churnalism” (Tony Harcup, Oxford Dictionary of Journalism, 2014, p.53), një term i përdorur për herë të parë prej gazetarit të BBC, Waseem Zakir (2008) apo “fast-food info” i cili na ofrohet përditë me bollëk përmes Medias së Shkruar. Ai është fryt i një kërkimi të palodhshëm e të pandërprerë; kërkim i cili na lidh pazgjidhshmërisht me një prej ngjarjeve më të rëndësishme jo vetëm për Kishën Katolike por me impakt të gjerë në të gjithë botën; Koncilin e Dytë të Vatikanit (1962-1965) 

I paralajmëruar si Koncil që në vitin 1959 prej Papës Reformator Papa Gjoni XXIII ky Koncil Ekumenik do të hapej prej këtij të fundit në vitin 1962, duke u çuar përpara dhe mbyllur me sukses prej pasuesit me po të njëjtin shpirt reformues; Papa Palit VI. Eshtë interesante të theksojmë që brënda këtij “Zeitgeist” dhe ere transformimesh të mëdha Papa Pali VI do të mbante më 7 Maj të vitit 1964 në Kapelën Sistine “Meshën e Artistëve”.Në këtë Meshë  domethënëse (për nga brendia dhe mesazhet e përçuara) në të cilën do të merrte pjesë edhe artisti ynë, Kodra (tashmë i konvertuar në Katolik) Papa jo vetëm që do të kërkonte falje ndaj Artistëve për braktisjen dhe distancën sociale në Modernitet midis tyre dhe Kishës por gjithashtu do t’ju zgjaste dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit; “të një Miqësie në Veprim,” siç do ta cilësonte Ai, “e cila duhet rithemeluar dhe bërë edhe më të fortë se më parë”.

C:\Users\Admin\Desktop\paolo-vi-sistina(Artists' Mass 1964).jpg

Papa Pali VI duke mbajtur Meshën e Artistëve në Kapelën Sistine (© L’Osservatore Romano)

Në fakt, sinjale të kësaj marrdhënie të Artistëve Bashkëkohor me Kishën Papa Pali VI i kishte dhënë edhe më herët me dokumentin e parë të formuluar (nga 16 të tillë gjithësej) prej Koncilit të Dytë të Vatikanit, pra në Kushtetutën e Liturgjisë së Shenjtë (Sacrosanctum Concilium) 4 Dhjetor, 1963 dhe specifikisht në Kapitullin 7 të saj e cila pohonte se “Artit të ditëve tona që vjen prej çdo race dhe vendi të botës do t’i jepet gjithashtu hapësirë ​​e lirë në Kishë.”(f.18) Kështu psh, brënda kontekstit të këtij artikulli një mesazh tjetër i vyer, buruar prej tekstit të kësaj Meshe të cilin do të doja ta theksoja jepet më poshtë: 

“Ne kemi nevojë për Ju.Shërbesa jonë ka nevojë për bashkëpunimin tuaj.Kjo ndodh sepse siç e dini thirrja dhe misioni ynë është që të predikojmë, të bëjmë të aksesueshme, të kuptueshme dhe të lëvizshme Botën e Shpirtit, të së Padukshmes, të së Pagabueshmes, të Zotit. Dhe në këtë veprim, i cili transmeton botën e padukshme përmes formulave të aksesueshme dhe inteligjente ju jeni Mjeshtrit.Eshtë mjeshtëria dhe misioni juaj; arti juaj është pikërisht ai i të kuptuarit të Thesareve të Qiellit të Shpirtit dhe ti vishni këto thesare me anë të fjalëve, ngjyrave dhe formave, duke i bërë të aksesueshme për të gjithë.”(f.2) 

Kjo thirrje kuptimplotë dhe vokacioni i treguar prej Papa Palit VI ndaj Artit do të dëshmohej sërish edhe me “Mesazhin e Tij drejtuar Artistëve” më 8 Dhjetor të vitit 1965 gjatë mbylljes së Koncilit të Dytë të Vatikanit. Në këtë tekst, (në vlerësimin tim një diamant i prerë në mënyrë perfekte dhe i mirëlustruar) do të gjejmë një prej mesazheve më të bukura që një Papë mund t’ju ketë përcjellë Artistëve ndonjëherë më parë! I inspiruar prej maksimës së shkrimtarit dhe filosofit ekzistencialist rus, Fyodor Dostoyevsky “E Bukura do të shpëtoj Botën” ky mesazh ngrihet gjithashtu në një nivel sipëran, duke u shndërruar në vetvete në një vepër arti të Retorikës dhe Estetikës Papale. Ja përmbajtja e tij:

“Bota në të cilën jetojmë ka nevojë për Bukurinë për të mos u zhytur në dëshpërim.Eshtë Bukuria, e cila posi E Vërteta (Veritas) sjell gëzim në zemrat e njerëzve, është pikërisht ky frut i çmuar i cili i reziston bjerrjes së Kohës, që bashkon gjeneratat dhe i bënë njerëzit ti bashkëndajnë gjërat me admirim.Dhe e gjithë kjo është falë duarve tuaja.Qofshin këto duar përherë të pastra e bujare.Dhe mos harroni që Ju jeni Gardianët e së Bukurës në Botë!”(f.1) 

Papa Pali VI, ky Papë Humanist, i pagëzuar nga Intelektualët edhe si “Papa i Artistëve” jo vetëm që do të insistonte për afrimitetin e Artistëve Bashkëkohor me Kishën por do të ishte gjithashtu edhe një shkëndijë artistike për ta, shpesh duke i frymëzuar me mesazhet e dhëna përgjatë misionit të tij pastoral.Një prej artistëve të frymëzuar prej këtyre mesazheve do të ishte edhe Kodra ynë.

Kështu psh, gjatë vizitës së Papa Palit VI në Indi gjatë datave 2-5 Dhjetor, 1964 (E para vizitë e realizuar prej një Pape në këtë vend) siç informohemi prej Dr. Micol Forti, Drejtuese dhe Kuratore e Artit Modern dhe atij Bashkëkohor në Musei Vaticani, Kodra e përjetëson këtë moment historik me pikturën: “Mesazhi i Paqes” (1964). Kjo pikturë e përfunduar prej Artistit në datën 25 Dhjetor, paraqet edhe një tjetër aspekt interesant pasi në pjesën e pasme të saj Kodra shkruan në mënyrë kaligrafike: “Dokument simbolik i udhëtimit në Indi i Shenjtërisë së Tij, Papa Pali VI/ (Shenjtëria e Tij i foli zemrës së Botës) / Ibrahim Kodra.” Piktura “Mesazhi i Paqes,” të cilën e shfaqim për herë të parë për publikun shqiptar dëshmon jo vetëm për Humanizmin Kodran por ajo është gjithashtu edhe një pasqyrë e perceptimit të Artistit dhe përkthimit me anë të gjuhës dhe mjeteve artistike të mesazheve të përçuara para dhe gjatë Koncilit të Dytë të Vatikanit.Në këtë kuptim, kjo vepër si një produkt i një kohe dhe konteksti të caktuar (Citoj Panofsky-n) jo vetëm që e rafiguron më së miri Frymën e Vatikan II, por ajo gjithashtu kanalizon dhe bën të aksesueshëm për të gjithë ne Zotin e Paqes (Deus Pacis)  në Art! 

C:\Users\Admin\Desktop\Kodra, Musei Vaticani.jpg

“Mesazhi i Paqes” (1964), vaj në telajo, 146 x 148 cm (© Musei Vaticani) Piktura e   Kodrës në Koleksionin e Artit Modern dhe atij Bashkëkohor të Musei Vaticani 

Papa Pali VI, “Njeriu i Dritës” siç e quajti Kardinal Martini, ishte një lider reformator, një njeri vizionar dhe një koleksionist i apasionuar i veprave të Artit Bashkëkohor.Personi përgjegjës për këtë koleksion do të ishte Monsinjor Pasquale Macchi, Sekretari Personal i Papës.Ky koleksion i nisur që në vitet 50-të, do të pasurohej në vazhdimësi me një sërë veprash moderne dhe artistësh bashkëkohorë si Chagall, Dali, Picasso, Braque, Matisse, De Chirico, Bacon,  Klee, Carra, etj aq sa numri i veprave të tij (më së shumti të dhuruara) do të arrinte në 800 (Micol Forti, I Musei Vaticani e L’Arte Contemporanea, 2003, f.9). 

Midis shumë artistëve të tjerë bashkëkohor, kontribues në këtë koleksion do të ishte edhe Mjeshtri Ibrahim Kodra.Vepra “Mesazhi i Paqes”(1964) do ti dhurohej Papës prej vet Autorit dhe ajo mban numrin e inventarit “MV.23254.0.0”(Mario Ferrazza & Patrizia Pignatti, L’Appartamento Borgia e L’Arte Contemporanea in Vaticano, 1974, p.91).Në 20 Qershor të vitit 1973 Papa Pali VI do ta prezantonte këtë koleksion, duke inaguruar kështu edhe themelimin e Galerisë së Artit Modern dhe atij Bashkëkohor në Musei Vaticani. Gjatë “Fjalimit Inagurues,” Papa Pali VI do të kumtonte atë frazë-obelisk e cila na kujton paksa poetin e thellë gjerman Friedrich Hölderlin: “Artisti është poeti dhe profeti i kohës tonë!”(f.1) Në fund të këtij inagurimi në të cilin qe prezent edhe Mjeshtri Post-Kubist Kodra do të realizohej edhe fotoja historike me Papa Palin VI të cilën e kemi bashkangjitur në fillim të këtij artikulli. 

Më 1 Janar të po këtij viti “Me rastin e Kremtimit të Ditës së Paqes” Papa Pali VI kishte folur për Artizanët e Paqes (burrat e shtetit, diplomatët, shkenctarët, industrialistët, poetët, artistët, etj) dhe pjesëmarrjen e tyre konstruktive për bërjen të mundur të paqes në botë.Pikërisht në momentin e shkrepjes së kësaj fotoje, Papa Pali VI do ti shqiptonte Kodrës këto fjalë: “Ju jeni artizan i paqes dhe mesazher i saj!”

Filed Under: Emigracion Tagged With: Melsen Kafilaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT