Nga Memisha Gjonzeneli – Tragjasi-I burgosur politik, dekoruar me Medaljen e ARTE ”Naim Frasheri” /
– Hej! Ju të dy, dilni nga rreshti!/
– Kush? – pyeta unë./
– Ti, më tha duke bërtitur, gjithë nerva kapter Ali Rama. Shpejt hekurat./
– Po pse zoti kapter çfarë bëra?/
– Fole në rrjesht, ju e dini që është e ndaluar./
– Po, thash me vete, ke të drejt, unë kishja folur në rresht… /
Ishim afro 1100 të burgosur në repartin 309 në Thumanë, që punonim të uritur deri sa raskapiteshim. Niseshim, në rrjesht për katër, në mengjes herët dhe ktheheshim afër darkës. Ecnim më shume se një orë rrugë për të mbritur tek fronti i punës. Rruga qe një baltë e ngjitur, jo rrall na shoqëronte edhe shiu, dhe kjo, ishte një ditë e tille. Kishte mbi një orë që kishte filluar i shkreti shi. Të burgosurit që kishja afër, i rrëshqiti këmba dhe lopata që mbante në krah më goditi në kokë.
– Më fal, tha ai, nuk doja!
-S`ka gjë, i thash unë, duke fërkuar kokën .
Kapteri që ishte shumë vigjilent e pa gjithë skenën. Na vuri prangat, na i shtërngoi deri në kockë dhe kur mbritëm në kamp na futën në birucë.
* * *
Kështu u njoha me Malon. Ishte dënuar për strehim diversantësh me 18 vjet heqje lirije dhe kishte 5 vjet që vuante në burg. Para një jave kishte mbushur 25 vjeç, ndërsa unë kishja kaluar dy muaj nga mosha 18 vjeç. Të nesërmen, që në mëngjez herët erdhi polici dhe na nxori nga biruca, kishte hallin e realizimit të normës.
Shpejte bëhuni gati për në punë, na urdhëroi ai.
Që nga ajo ditë nuk u ndamë më me Malon. Një ditë më kishin ardhur nga shtëpia për takim, Malua, më ndihmoj, deri sa i rregullova të gjitha ushqimet. Sipas zakonit të të burgosurve atë ditë e mora për drekë Malon, me gjith kundërshtimet e tij.
Malua ishte nga fshatrat e Tepelenës, i gjatë, me trup të rregullt, ishte i zgjuar, dhe kishte mundur të kryente vetëm tre klas gjimnaz. Kishte një mënyrë të foluri që të detyronte ta dëgjoje. Të shikonte në sy kur fliste, në se do ktheje kokën ai menjëherë pushonte, dhe kur e ktheje shikimin ai fillonte prap të fliste. Fillimisht, më trajtonte si më të vogël, po me kalimin e kohës nuk mbante më rezerva, e më shihte si të barabartë me veten.
Fillova t`i tregoja për vështirësit e jetës në qytet, luftën e klasave, dhe ndodhi të tjera. Vuanim nga urija nuk ngopeshim asnjëherë me bukë dhe gjithë natën shikonim ëndërra sikur hanim! Kur i flisja për mjerimin tonë ai m`i ngulte sytë dhe nuk m`i hiqte. Më dëgjonte me shumë vëmëndje, ishte një dëgjues i rrallë, pak njerëz mund të kem parë si ai. Të linte të flisje me qetësi dhe kur ishte i sigurt që kishje mbaruar atëhere fliste, ose pyeste për ato që i kishje folur. Një ditë më pyeti:
– O vëlla, a di të lozësh shah, se ju djemt e qytetit ini më të zhvilluar se ne fshatarët?
– Më dëgjo, i thashë, të kam folur për jetën e veshtirë që kam kaluar, dhe që nuk kam pasur mundësi të luaj.
– Kisha harruar fare, më tha Malua, por unë do ta mësoj këtë lojë të bukur. Kaluan pak kohë duke luajtur shah dhe unë eca shumë përpara edhe natën në gjumë më bëhej sikur lozja shah me dikë. Shumë shpejt u bëmë të barabart, aq sa në shumë lojëra dilnim rremi. Që atëhere e deri sot unë u njoha si shahist i mirë.
Kur kampi u transferua në Laç, ku punohej në ndërtim, u ndamë edhe me Malon. Atë e transferuan në burgun e Burrelit si njeri të rrezikshëm.
* * *
Erdhi edhe dita e lirimit nga burgu. Vura re se njerëzit e mi dhe shoqëria nuk ishin më ata që kishja lënë para se të hyja në burg. Tani duhej të hidhja çdo hap me kujdes dhe gojën duhet ta mbaja kyçur, mbasi ishte shumë lehtë të kthehesha nga kishja dalë, në burg. Duhet të punoja shumë, në mënyrë që të paguaja edhe atë që më ruante e spiunonte që të mos i bija shtetit në qafë, por edhe për të jetuar për vete. Ky ishte mësimi që kishja marrë në burg dhe të them të vërtetën më shërbeu pasi nuk u riktheva në burg si shumë shokë të mi.
Një pasdite kur po kthehesha nga puna më doli përpara një shoku im i burgut. Fillova ta pyes për shokët që kishja lënë ne burg. Shoku im më foli së pari për Malon. Ka një muaj që është liruar, më tha ai. Pas ca ditësh shkova dhe e takova, në një fermë afër Fierit. Ishte gëzim i madh për të dy që takoheshim pas 10 vjetë ndarje. Nuk kishte ndryshuar fare, vetem thinjat tregonin për vuajtjet që kishte hequr në jetë. Fliste si gjithnjë me zë të ulët dhe ngadal. Jetonte vetëm me nënën. Kur u ndamë nxora një zarf ku kishja pak lekë që pata kursyer. Pas kundërshtimeve ai u bind dhe i mori paratë dhe dy pika lot i lagën faqet. Më hodhi dorën në qafë uli koken dhe me turp më tha se babai dhe vëllai e kishin braktisur si armik të popullit. Vëllai iku nga shtepia, sepse nuk mund të rrinte nën një strehë me mua, pas një muaj kishte ikur dhe babai pa dhënë asnjë shpjegim. Më lanë vetëm me nënën, pa asnjë ndihme, e përkrahje. Ti e di, më tha ai, që unë edhe në burg punoja shumë prandaj nuk u mposhta, por vuaj shpirtërisht për mungesën e dashurisë së vëllait dhe babait, por ti po i zëvëndëson ata.
Ti ke plot rezerva dhe forcë për të ecur përpara, i thash unë.
Pas një viti mora nje leter nga Malua ku më njoftonte se ishte martuar me një grua të ndarë nga burri, por edhe atë mezi ia patën dhënë. Njerëzit e sajë kishin pyetur në këshillin e lagjes, te shefi i kuadrit ku punonte dhe në Degën e Punëve të Brëndshme. Ne fund, një ditë të shtune ia shpunë në shtëpi: të trashëgohesh, i thanë njerëzit e gruas dhe mos bën dasëm, se ti ashtu e ke hallin. Nëna u gëzua shumë se tani kishte edhe nuse në shtëpi.
Në një letër tjetër, pas dy vjetësh, ai më shkruante: “Miku im, jam bërë baba, kam një vajzë të bukur dhe tani kam dy ëngjëj: Nënën e shtrenjtë dhe çupën e dashur. Me gruan nuk i kam punët mire. Shpesh kthehet vonë në shtëpi pa pasur arsye. Është bërë brigadiere. Për vajzën nuk interesohet fare. Një ditë vajza po qante dhe ajo i tha “Plaç në vend, pjella e armikut të popullit, më hëngërt shpirtin, kur do të shpëtoj nga ju!”. Nëna e kishtë dëgjur me dhimbje dhe kishte heshtur. Të nesërmen, ndërsa nëna po më percillte, më tha: “Malo, bir, të lutem, mos bën fjale me tët shoqe. Tani kemi edhe vajzën, pastaj nëna mbushi sytë me lot dhe u kthye në shtëpi”. U ndamë me nënën pa kuptuar se përsë m`i dha ato këshilla?” Më von mora vesh se e shoqja e Malos kishte ikur nga shtëpija dhe ishte martuar me Llazin traktoristin e fermës.
* * *
Ne vitin 1990, unë me gjithë familje emigrova në Amerikë. Malua doli në vijën e parë të Lëvizjes Demokratike. Disa herë kishte shkuar edhe në Tiranë për demonstrata dhe kishin dashur edhe ta arrestonin.
Në fillim të vitit 1997, mora një letër nga Malua ku më shkruate: “U lodha së jetuari gjithë këto vite, luftë e pa ndërprer me njerëzit dhe me sistemin. E ndiej veten shumë të lodhur dhe të drobitur. Fituan të gjithë ata që rrinin në hije. Ata po drejtojnë sot dhe nesër.Të shohim si do të na veje halli”.
Vajza e Malos që ishte martuar dhe nga kjo martesë kishin edhe dy djem të vegjël, erdhi në Amerikë. Ajo më foli për ndarjen me babanë: “Atë ditë që u ndam, për herë të parë në jetën time e pash babin të qante. Atë burr që nuk e kishin përkulur dallgët dhe tufani jetës, tani po shihja të qante përpara dy fëmijve.
– Babi, të lutem, mos kështu, i thash.
Ai ngriti kokën dhe fshiu shpejt syte, nuk donte ta shikonin që qante. Pastaj e mori veten dhe me krenari më tha: “Po qaj për ty shpirti im, nuk kam më njeri tjeter në këtë botë, dhe nuk jemi ndar asnjë herë. E dija që do të vinte kjo ditë por … Po qaj edhe për ata yje që ke, që kur lozja me ta më falnin gjithë të mirat e kësaj bote…”
E dëgjoja këtë vajzë, që më tregonte me sytë e mbushur me lotë, por edhe unë nuk mund të rrija pa derdhur lotë për shokun tim krenar që kishte duruar vuajtjet e burgut pa nxjerrë zë, pa derdhur lotë dhe pa humbur shpresat për jetën. Në një moment vajza e mblodhi veten dhe m`u drejtua mua:
– Po ti ç`pate? – më tha ajo.
– E si të mos qaj? – i thash unë – Qaj për jetën tonë, për rininë tonë që humbëm nëpër burgje dhe kampe internimi, pa pasur asnjë faj, për ju fëmijët tanë që nuk paskan mbaruar ende vuajtjet e jetës.
Erdhi edhe dita që vajza e mikut tim u bë qytetare Amerikane dhe e thirrën edhe Malon në Amerikë. Shkova edhe unë për të pritur Malon. Sapo zbriti nga avioni, po na kërkonte me sy, kur, sa pa fëmijët i la në vend ç`farë kishte në duar, dhe u sul drejte tyre. I kapi me të dy duart dhe i futi në gji. Dridhej i tëri dhe dukej sikur nga çasti në çast do të rrëzohej në tokë… Më së fundi e mblodhi veten .. U takua me vajzën e me dhëndërin dhe kur u kthye nga unë më tha: “Vella! Zoti nuk na la larg njeri tjetrit” dhe mu hodh në qafë.
* * *
Une e Malua takoheshim çdo të shtune. Bisedonim dhe shikonim përpara, për të ardhmen, si do të jemi dhe ç`farë do të bëjmë… Një ditë ndërsa po bisedonim në një park, ai më pa në sy dhe më tha:
“Kur të marr lekët e burgut, gjëja e parë që do të bëj, do të blej një kostum të mire bojë hiri. Më fal vëlla, mbase është turp, po une s`kam veshur kurrë kostum, por edhe nuk më është dashur, e ç`më duhej mua kostumi? Do të blej edhe një këmishë, mendoj ta blej të bardh, por kot ta blej të bardhë, unë gjithë jetën s`kam pasur asnjë ditë të bardhë. Do ta blej kafe, kullaron kuq e zi, këpucë, çarape, edhe ato kafe. Them edhe për një palë syze, me gjithë se u kam parë shokëve dhe nuk më kan pëlqyer. Me dy mëndje jam”.
U shtanga, nga kjo ligjiratë e këtij njeriu të vuajtur dhe humba në mendime. Malua me fjalë të thjeshta po tregonte vuajtjet dhe mjerimin nën diktaturë dhe kështu po bënte apologjinë e këtyre njerzëve, ata të gjith ishin si Malua. Fjalët e tij më kujtuan një shok tjetër të burgut, Ahmet Hoxhën. Ishte një njeri që nuk dinte ç`ishte shtarti me sustë, si ishte parfumi i një femre, ç`shije kishte birra apo vera. Ishte një njeri që nuk kishte veshur kurrë një kostum, qoftë edhe prej doku, që nuk kishte fjetur kurrë me një femër… Ahmet Hoxha e kishte kaluar jetën në burg. Ishte arratisur dy herë nga kampet e punës ku kryente dënimin, por nuk kishte mundur të kalonte kufirin…. U arratis për herë të tretë, por u tradhëtua, e kapën dhe e pushkatuan si një armik të rrezikshëm…
Malua nuk më la të mendoja gjatë. Edhe diçka tjeter, më tha ai: “Në xhepin e brendshëm të xhaketës, dua të fus një flamur të vogel plastik që kohët të mos ma prishin. E dua vëlla, më tha, atë flamur, se e kam pasur gjithë jetën në zemër. Prandaj dua ta kem përgjithmon mbi zemrën time. Le të fler me mua, vëlla, më dëgjon? Ti e di që ne luftuam për Shqiperi për liri, e për flamur… “.
U ngrit në këmbë. Ishte bërë si limon në fytyre. Hajde, më tha, se do të ikim në shtepi dhe u nis drejt makinës. Rrugës nuk e hapëm gojën fare. E çova në shtepi dhe kur zbriti krejt i qet, më tha: “Vëlla më fal, të kam thënë fjalë të rënda sot. Por mos harro, jemi burra të kësaj toke”.
Sapo u ktheva në shtëpi mendova se jetës nuk i dihet, prandaj e shkrova amanetin e Malos, që të mos harroja. Që atë ditë më dukej sikur diçka nuk ishte më si më parë. Një ditë kur vajta ta merrja në shtëpi sa hipi në makinë, më dha dorën ta ndihmoja. U habita dhe u shqetësova, dora e tij ishte shumë e ngroht.
– Më duket se ke temperature, i thash.
– Jo, jo, tha ai, jam shumë mirë, nisu, më tha, ç`fare pret?
Koha ishte shum e e bukur.
Ore, më tha Malua, ku po na çon? S`kam kaluar, asnje herë nga kjo rrugë?
Ktheva kokën dhe e pashë me dhimbje, ai njeri kishte humbur ndërgjegjën.
Do kthehemi në shtëpi i thash i shqetesuar.
Jo ore, tha ai, ç`far flet?
Vajtem në park dhe u ulem tek vendi ku uleshim gjithnjë. Por Malua nuk orjentohej dot dhe më tha se është hera e parë që vijmë në këtë vend!
U shqetësova, pa masë dhe ndërsa mendoja ta ktheja në shtëpi, më kërkoi ujë. Vrapova t`i sillja ujë dhe kur po afrohesha pashë dy tre vetë pranë tij, të cilët e kishin shtrirë Malon në stol. Sytë i lëviznin në kontrast me njeri tjetrin. E ngrita ndenjur.
– Kush je ti?, më tha ai.
Sytë mu mbushen me lot, kishja mbetur si i ngrirë dhe nuk dija ç`të bëja. Në këtë kohë mbriti ambulanca. Mora në telefon të bijen dhe i dhash adresën e spitalit. Vajza duke qarë më tha se edhe neve në shtëpi kishte filluat të na ngatërronte.
U ktheva në shtëpi mora penën dhe shkrova këtë letër:”E dashur dhe e nderuar mbesë, të them mbesë se babain tuaj e kam vëlla të madh. Këto që po të shkruaj janë amaneti dhe dëshira e tij” I shkrova me hollësi për ç`fare më kishte thënë Malua. E futa letrën në një zarf bashk me 1000 dollar që të mbuloja sado pak shpenzimet. Malua ndërroi jetë pas një jave në agoni. Në kurorën që porosita për Malon, në respekt të shahut që më mësoi, i futa në të dy anët nga një oficer të bardh shahu, që t`i rrinin përgjithëmon roje, këtij njeriu të thjeshtë dhe të madh njëkohësisht.
* * *
Vajza e plotësoi amanetin e të atit: e veshi të vdekur me një kostum, ashtu siç kishte ëndërruar ai tërë jetën…. Nuk harruan t`i vënë me vete edhe një flamur…