Bruksel, 30 nëntor 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me Sekretarin për Çështje të Integrimeve Euro-Atlantike, Bekim Çollaku dhe Sekretarin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, gjatë qëndrimit të tyre në Bruksel kanë zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, si dhe me Kryesuesin e Grupit të Miqësisë me Kosovë në Parlamentin Europian, Lucas Mandl. Temat që u shtjelluan në këto takime ishin mbështetja e Parlamentit Europian lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, thellimi i bashkëpunimit politik me BE-në për t’i hapur rrugë integrimit europian të Kosovës në tërësi, si dhe fuqizimi i shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kryetari Krasniqi dhe kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, njëherit eurodeputeti gjerman nga Partia Popullore Europiane, David McAllister, gjatë takimit diskutuan për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor e veçanërisht në Kosovë, me theks të veçantë tek prioritetet e politikës së jashtme të vendit tonë. Tutje, lideri i PDK-së ka takuar Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, me të cilën kanë folur për nevojën e vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi, por edhe për nevojën që Këshilli Europian sa më parë të marrë vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. “Raportuesja Von Cramon është njëra ndër përkrahëset më të mëdha të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe ne jemi shumë mirënjohës për angazhimin e saj në raport me këtë çështje tejet të rëndësishme për vendin tonë.”, tha Krasniqi. Edhe në takimin me eurodeputetin austriak dhe raportuesin për Kosovën të Partisë Popullore Europiane, njëherit Kryesuesin e Grupit të Miqësisë me Kosovë në Parlamentin Europian, Lukas Mandl, kreu i PDK-së theksoi nevojën e pashmangshme për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse ka vite që janë përmbushur kriteret e kërkuara për këtë proces. “Eurodeputetin Mandl e falënderova për angazhimin e tij në këtë pikë, i cili u pajtua se mundësimi i lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës është urgjent dhe shumë i rëndësishëm. Po ashtu, Mandl, i cili ishte Shef i Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet lokale në Kosovë, na përgëzoi për nivelin e lartë të demokracisë të treguar në këtë proces nga i tërë spektri politik në Kosovë.”, tha Krasniqi.
Profesorë, intelektualë e themelues të UÇK-së i bashkohen PDK-së
Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka zgjedhor sot Kryesinë e re e cila përbëhet nga zyrtarë të PDK-së që janë rritur organikisht në këtë parti dhe emra të rinj që i janë bashkuar vizionit të PDK-së dhe kryetarit Memli Krasniqi. Kryetari i ri i PDK-së, Memli Krasniqi tha para anëtarëve të Këshillit Drejtues se Kryesia e re e PDK-së do të përbëhet nga njerëzit e devotshëm të saj që kanë qenë në PDK që nga themelimi por edhe nga gra e djem të rinj profesionistë që besojnë në vizionin e PDK-së. “Përbëhet po ashtu nga njerëz që kanë qenë shumë të rinj në fillet e PDK-së, e që si të rinj kanë besuar e kanë rrugëtuar me PDK-në deri sot, kur janë kalitur e janë të gatshëm për të zhvilluar betejat politike të saj. Përbëhet po ashtu nga njerëz që kanë përvojë në politikën kosovare jashtë PDK-së, e të cilët, tashmë janë të bindur se vetëm brenda PDK-së e me PDK-në, Kosova ecën në rrugën e duhur të zhvillimit e integrimit. Përvoja e të cilëve e plotëson mozaikun tonë gjithëpërfshirës e të pa alternativë. Dhe së fundmi, përbëhet po ashtu nga njerëz komplet të rinj, jo veç në PDK por edhe në politikë, të cilët janë vlerë e shtuar e që përbëjnë avantazh për ne, por që janë profesionistë, e njerëz kompetent me përvojë në fushat e tyre, të cilët sot na duhen e të cilët i kanë besuar vizionit tonë. Pra, një kryesi, që e lidhë çdo hallkë të PDK-së, të përvojës së saj, të identitetit të saj, të profesionalizmit dhe qeverisjes së saj, dhe të perspektivës së saj në të ardhmen”, tha Krasniqi. Ai po ashtu tha se anëtarët e Kryesisë së PDK-së nuk janë aty për kurrfarë privilegji, por për përgjegjësitë që i presin, dhe siç tha ai, këto përgjegjësi janë të mëdha. “Kjo kryesi e re, do të prodhojë orientimin politik të PDK-së. Do të prodhojë orientimin ideor të saj. Do të prodhojë organizimin e saj. Do të prodhojë aktivizimin e saj. Do të prodhojë alternativën e qeverisjes me Kabinetin e Qeverisjes së Mirë. Pra një kryesi e punës dhe angazhimit”, tha ai. Por, kush janë emrat e rinj që për herë të parë u bënë pjesë e lidershipit të ri të PDK-së? Profesoresha e njohur e Psikologjisë, Donika Shahini-Lami i nga sot është bërë pjesë e Kryesisë së PDK-së dhe anëtare e Këshillit Drejtues. Profesoresha Donika Shahini-Lami, më parë ka punuar për 10 vite në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, OSBE. Ajo po ashtu njihet për punën e saj si gazetare gjatë luftës në Kosovë si dhe ka punuar për Televizionin Publik Japonez, NHK si dhe ka bashkëpunuar me media të ndryshme ndërkombëtare. Në Kryesinë e re të PDK-së është zgjedhur edhe Jakup Nura, bashkëpunëtor i ngushtë i Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Bernard Nikaj – profesor, diplomat, ish- ambasador i Kosovës në Bruksel, po ashtu i është bashkuar PDK-së në Kryesinë e re. Nikaj është i shkolluar në disa prej universiteteve më prestigjioze botërore. Anëtare e re e Kryesisë së PDK-së ështe zgjedhur edhe Besa Kabashi-Ramaj, e shkolluar në Universitete Amerikane, dhe me përvojë mbi 10 vjeçare në fushat e sigurisë ndërkombëtare, politikat e mbrojtjes dhe menaxhmentit. Ajo ka punuar për shumë organizata e fondacione të njohura vendore e ndërkombëtare. Pjesë e Kryesisë së re të PDK-së është bërë edhe Bekim Çollaku. Ai është i shkolluar në Britani të Madhe, me përvojë të gjatë institucionale e politike. Ai ka qenë bashkëpunëtor i afërt dhe shef stafi i kryeministrit dhe presidentit Hashim Thaçi. Në Kryesinë e re të PDK-së është zgjedhur edhe Adri Nurellari, politolog, pedagog e publicist. Nurellari ka qenë më parë shef i kabinetit të kryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe keshilltar i ish-kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi. Sekretar i përgjithshëm i PDK-së është zgjedhur Bajrush Xhemajli. Kryesia e re e PDK-së me vendim të Këshillit Drejtues do të ketë pesë nënkryetarë dhe pesë sekretari. Nënkryetarë të PDK-së janë zgjedhur Vlora Çitaku, Uran Ismaili, Ramë Buja dhe Enver Hoxhaj. Anëtarët tjerë të Kryesisë së PDK-së janë zgjedhur emra të njohur të PDK-së dhe zyrtarë të kësaj partie që janë rritur organikisht në PDK e ata janë: Blerand Stavileci, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaçi – Dragusha, Sokol Bashota, Rashit Çalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj – Gutaj, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtim Gashi, Safete Hadergjonaj dhe Donjet Bislimi.
PDK- KRYETARI I RI- DEKLARATË POLITIKE ME 23 PIKA
Pas zgjedhjes së kryetarit të ri, Memli Krasniqi, PDK miraton deklaratë politike me 23 pika /
Prishtinë, 03 korrik 2021 – Partia Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur Konventën e 10-të zgjedhore, ku Kryetar i zgjodh Memli Krasniqi.
Pas zgjedhjes së Kryetarit, PDK ka miratuar edhe një Deklaratë Politike e cila përmban 23 pika.
Përmes kësaj Deklarate, PDK shpreh krenarinë për origjinën e saj politike që buron nga kauza për çlirimin e vendit dhe lufta e drejtë dhe e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
PDK-ja me lidershipin e ri, do të reformohet për të avancuar agjendën politike në drejtim të ballafaqimit me pushtetin e papërgjegjshëm dhe keqqeverisjen aktuale. Ajo synon të nxisë mobilizimin politik ku së bashku me qytetarët, të kufizojë qeverisjen e dëmshme dhe ta rikthejë qeverisjen e zhvillimit, emancipimit, dinjitetit dhe integrimit.
Më poshtë gjeni Deklaratën politike:
Konventa e Dhjetë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) miraton këtë:
Deklaratë
- Partia Demokratike e Kosovës është krenare për origjinën e saj politike që burgon nga kauza për çlirimin e vendit dhe lufta e drejtë dhe e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
- Partia Demokratike e Kosovës është e vendosur për të promovuar dhe mbrojtur vlerat sublime të kauzës kombëtare për liri dhe pavarësi, që janë manifestuar në rrugëtimin historik të Kosovës dhe popullit të saj.
- Partia Demokratike e Kosovës, beson në drejtësi të paanshme dhe është e përkushtuar për të respektuar në plotni të gjitha instancat e drejtësisë që synojnë të vënë në pah të vërtetën e luftës së drejtë dhe të pastër të UҪK-së.
- Në kuadër të këtij përkushtimi, PDK-ja, megjithëse e lënduar politikisht nga aktakuza ndaj Kryetarit Kadri Veseli, akt që ka goditur organizimin politik, e mirëpret një proces të pavarur, të pandikuar dhe të drejtë për lirimin sa më të shpejtë nga pretendimet e pabaza!
- Në rrethanat e tilla të krijuara dhe të imponuara, PDK-ja është e vendosur që të rimëkëmbet dhe të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt rikthimit të plotë politik dhe identitar.
- PDK-ja është e vendosur që të vazhdojë rrugën e reformës në rrafshin strukturor, në rrafshin politik dhe në rrafshin ideacional, në mënyrë që të rikthehet sa më parë si forcë kryesore drejtuese politike në krye të institucioneve të Republikës së Kosovës.
- Mbi këtë qëllim, PDK-ja me lidershipin e ri, do të reformohet për të avancuar agjendën politike në drejtim të ballafaqimit me pushtetin e papërgjegjshëm dhe keqqeverisjen aktuale dhe në drejtim të mobilizimit politik që së bashku me qytetarët, të kufizojë qeverisjen e dëmshme dhe ta rikthejë qeverisjen e zhvillimit, emancipimit, dinjitetit dhe integrimit.
- Për të përmbushur këtë nevojë të domosdoshme, Konventa Zgjedhore e PDK-së, ka për qëllim të nxjerrë formatin e ri të lidershipit, të prodhojë qasjen e re konceptuale dhe të përcaktojë ritmin e ri të angazhimit deri në rikthimin e plotë e të pa lëkundur të mbështetjes qytetare.
- PDK-ja ka traditë, është e përkushtuar, aspiron dhe rrugëton në konsolidimin e strukturave të veta përmes procesit të lirë zgjedhor, demokratik dhe të bazuar mbi parime dhe norma.
- Partia Demokratike e Kosovës respekton zgjedhjen e lirë, të drejtën e kandidimit dhe konkurrencën politike për lidershipin e saj, si dhe është e përkushtuar për të respektuar rezultatet e procesit legjitim zgjedhor që del nga rregullat e përcaktuara për zgjedhjet e brendshme për strukturat e partisë.
- Partia Demokratike e Kosovës i kushton rendësi ndryshimit strukturor përmes kultivimit të një kulture të përgjegjshme politike, e cila e njeh procesin legjitim të transformimit në strukturat e saj, dhe e cila kultivon respektin për drejtuesit dhe strukturat e saj pas përfundimit të mandatit të tyre drejtues.
- Partia Demokratike e Kosovës është shtëpi e hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë vullnet, kompetencë dhe përkushtim, për t’i dhënë Kosovës, shoqërisë dhe institucioneve publike, një format të ri të vlerave politike civile, si dhe angazhim dhe veprim politik në funksion të ngritjes së Republikës së Kosovës në rangun e shteteve të zhvilluara dhe me të ardhme prosperuese.
- Partia Demokratike e Kosovës, është adresë politike unike, e bashkuar, e hapur për të gjithë burrat dhe gratë, për të rinjtë dhe të rejat, për profesionistë dhe aktivistë që aspirojnë një rrugëtim të ri politik dhe një tregim të ri për të ardhmen që i duhet vendit tonë.
- Partia Demokratike e Kosovës do të angazhohet për t’iu ofruar qytetarëve një projekt të ri politik qytetar, në qendër të së cilit graviton zhvillimi ekonomik, barazia e shanceve si kusht themelor, sundimi efikas i rendit dhe ligjit, lufta kundër privilegjit, integriteti i institucioneve, zhvillimi i agjendës njerëzore dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit, konsolidimi dhe zbatimi i kushtetutshmërisë së Republikës, mirëqenia e qëndrueshme e individëve, familjeve, komunitetit dhe shoqërisë, si dhe për sigurinë dhe të ardhmen e brezave të rinj të saj.
- Partia Demokratike e Kosovës është e vendosur që rrugëtimin e mëtejmë politik të rimëkëmbjes, ta realizojë së bashku me qytetarin e Kosovës, duke e marrë në referencë përditshmërinë e tij, aspiratat dhe mundësitë që i duhen për të gjetur materializim individual në çdo dimension të jetës së tij.
- Partia Demokratike e Kosovës, priret nga toleranca politike dhe është e hapur për bashkëpunim pavarësisht relacionit që ka me pushtetin në kohë dhe kontekste të caktuara, me qëllim që të japë kontribut për zhvillimin e mëtejme të sferës publike, për zhvillimin ekonomik të vendit në bazë të parimeve të tregut të lirë, për avancimin e agjendës njerëzore dhe qytetare në Republikën e Kosovës.
- Partia Demokratike e Kosovës angazhohet fuqimisht për të vendosur një lidhje më të qëndrueshme në mes qendrave dhe periferive, me qëllim që asnjë qytetar, familje, vendbanim, rajon apo komunë, të mos lihet në disavantazh nga mundësitë zhvillimore që krijon shoqëria jonë.
- Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar që në zgjedhjet lokale para nesh, t’iu ofrojë qytetarëve, bizneseve dhe komuniteteve, zgjidhjet më të mira për të cilat ata kanë nevojë, profilet më të denja për qeverisje dhe një zotim të hapur për çlirimin e potencialit zhvillimor në çdo komunë të Republikës së Kosovës.
- Partia Demokratike e Kosovës është e përcaktuar për aleancë të përhershme me partnerët strategjik dhe është e përkushtuar për të zgjeruar bashkëpunimin në kuadër të këtij partneriteti, me theks të veçantë me SHBA-të, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, me qëllim të realizimit të synimeve të përbashkëta në të mirë të vendit, rajonit dhe rritjes së paqes dhe sigurisë globale.
- Partia Demokratike e Kosovës angazhohet për një lidhje të fortë socio-ekonomike, kulturore dhe edukative me Diasporën tonë.
- Partia Demokratike e Kosovës inkurajon, fton dhe është e hapur për të gjithë qytetarët që kanë moshën e përcaktuar me ligj, për t’iu bashkangjitur rrugës së re dhe projektit të ri politik që i adresohet të rinjve dhe të rejave duke njohur rolin e tyre vital e të pazëvendësueshëm në projektimin dhe ndërtimin e të ardhmes së Kosovës që e duam të gjithë.
- Partia Demokratike e Kosovës, është mirënjohëse dhe shprehë konsideratë të lartë për angazhimin dhe punën e të gjitha organeve, strukturave dhe mbështetësve të saj, për trashëgiminë e përbashkët politike mbi atë çfarë i kemi dhënë Kosovës deri më sot, si dhe rrugën e re që do ta ndërtojmë së bashku.
- Partia Demokratike e Kosovës, është e bashkuar, e fortë, unike, e aftë dhe e gatshme që së bashku me qytetarët, ta materializojë vizionin e saj për Kosovën dhe të ardhmen prosperuese të shoqërisë tonë.