• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MEMORANDUM: TE MBROJME KOSOVEN!

October 12, 2018 by dgreca

Drejtuar: Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Donald Trump,Kancelares së RF të Gjermanisë, zonjës Angela Merkel Kryeministres së Britanisë së Madhe, zonjës Tereza May, Presdientit të Republikës së Francës, zotit Emmanuel Macron Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Ilir Meta Presidentit të Republikës së Kosovës, zotit Hashim Thaci, Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, zotit Edi Rama, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotit Ramush Haradinaj, Partive politike parlamentare shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës

MEMORANDUM

Eshtë koha ta mbrojmë Kosovën nga ndarja, copëtimi dhe shpërbërja e shtetformimit të saj!

Të nderuar shkelqësi!

Instituti i Studimeve të Europës Juglindore me qendër në Tiranë dhe në Prishtinë ju drejtohet me këtë memorandum për një çeshtje madhore e jetike, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës dhe rritjes se perpjekjeve për ta bërë atë anëtare të OKB-së dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare! Të shqetësuar për diskutimet e sotme lidhur me përmbylljen e dialogut të Prishtinës me Beogradin përmes ndarjes së Kosovës dhe në emër të korrigjimit të kufijve, Të tronditur nga deklaratat dhe përpjekjet e vazhdueshme të përfaqësuesve politikë e shtetërorë në Beograd për të imponuar përfitime territoriale në Kosovë në emër të zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb, Të zhgënjyer nga qëndrimi i klasës politike të Kosovës dhe sidomos nga deklaratat e Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për kompromis të dhimbshëm me Serbinë duke i dhënë asaj pjesë të territorit të vendit, Të keqardhur për deklaratat e papërgjegjshme të disa autoriteteve ndërkombëtare, sipas të cilëve në dialogun Prishtinë-Beograd “mund të diskutohet për mundësinë e korrigjimit të kufijve, nëse palët bien dakord”, Ju drejtohemi ju me kërkesën tonë të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën sovrane të popullit e qytetarëve të Kosovës që t’i jepet fund diskutimit për opsionin e ndarjes së Kosovës dhe të mos mbështeten ide të tilla për disa arësye: 1. Kufijtë e Kosovës janë përcaktuar në periudhën e Jugosllavisë me vullnetin politik dhe jurodik të tri dhomave të legjislativit të asaj kohe, parlamentit të Jugosllavisë, parlamentit të Serbisë dhe parlamentit të Kosovës. Si të tillë këta kufij ishin element konstituiv i ish-Federatës Jugosllave, njësoj si kufijtë e shteteve të tjera ish-republika të dala nga shpërbërja e kësaj federate. Komisioni Ndërkombëtar i Banditerit i vitit 1992, kur miratoi njohjen e shteteve të reja ish-jugosllave, vendosi që këto shtete të njihen në kufijtë federativë. Kosova është shtet i pavarur si produkt i shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë. 2. Kosova është njohur nga 114 shtete të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 7 vendet më të industrializuara të botës dhe 23 vende anëtare të Bashkimit Europian në kufijtë aktualë të saj. Çdo ndryshim i këtyre kufijve do të thotë cënim i vullnetit politik të njohjes së këtyre vendeve. Theksojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania dhe vende të tjera të BE-së dhe NATO-s janë aktori kryesor i çlirimit të Kosovës nga sundimi mizor i Serbisë dhe sponsori kryesor i shtetësisë së saj. Çdo devijim ose korrigjim i kufijve cënon njëkohësisht mbrojtjen e investimit amerkiano-europian e të NATO-s për këtë vend. 3. Opsioni i ndarjes së Kosovës është refuzuar kategorikisht në dokumentin e Martti Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit vendet e tjera më të fuqishme të botës kanë sponsorizuar krijimin dhe shtetndërtimin. Kushtetuta e Kosovës ndalon ndryshime në pakon Ahtisaari. Për pasojë shumica e politikanëve dhe e qytetarëve të vendit nuk do t’i pranojnë ndryshimet kushtetuese, me të cilat ndryshon edhe harta e Kosovës. Kjo do të thotë nxitje e luftës dhe konfliktit në këtë vend. 4. Ndryshimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës dëmton rëndë interesat politike, ekonomike, strategjike dhe jetike të saj, por edhe të SHBA-ve, NATO-s dhe Bashkimit Europian. Në veriun e Kosovës, të cilën kërkon ta aneksojë Beogradi përmes marrëveshjes me zotin Thaçi, gjendën 90 përqind e rezervave të pasurive minerale, si dhe rezervat ujore me të cilat furnizohet më shumë se gjysma e Kosovës, përfshirë kryeqytetin e vendit, Prishtinën. Në veriun e Kosovës gjendet maja më e lartë e Ballkanit, nga ku kontrollohet i gjithë territori i gadishullit deri në Detin e Zi, Bosfor e madje Lindjen e Mesme. Në veriun e Kosovës gjendet pjesa më e madhe e gjigandit industrial, Trepçës. Të gjitha këto pasuri të llogaritura në 200 deri në 300 milardë dollarë rerzerva do t’i kalonin Serbisë. Qytetarët e Kosovës nuk do të pajtohen me këtë humbje katastrofike. Në vend që Serbia të dëmshpërblejë dëmet e jashtëzakonshme që i shkaktoi në luftën e fundit popullsisë së Kosovës, ajo dëshiron të marrë prej saj pasuritë më të mëdha të vendit. 5. Nndarja e Kosovës ishte gjithashtu opsion i Milosheviçit. SHBA-tw dhe vendet e fuqishme të BE-së ishin aso kohe (para luftës) kundër këtij opsioni, prandaj dhe ndodhi bombardimi i caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë nga NATO. Nëse do të ndodhte sot ndarja, atëherë kjo do të ishte fyerje e rëndë për humbjet e mëdha në luftë, përkatësisht për 16 mijë viktimat e dhunës dhe terrorit serb të Milosheviçit, për 20 mijë gra dhe vajza të përdhunuara nga ushtarët dhe policët serbë në Kosovë, për dëmet kolosale në pasuritë e tundshme e të patundshme të Kosovës, të cilat llogariten në mbi 20 miliardë dollarë amerikanë. Çdo devijim nga politika e atëhershme për respektimin e tërësisë territoriale të Kosovës është e do të jetë goditje e rëndë dhe me pasoja të pariparueshme për fatin e Kosovës. 6. Projekti i tjetërsimit të territorit të Kosovës dhe ndarjes së tij është hartuar në Beograd dhe mbështetur nga Moska. Ne konsiderojmë se me ndarjen e saj Rusia dhe Serbia llogarisin në zhbërjen e shtetit të Kosovës. Kjo do të thotë që ajo të bashkohet me Shqipërinë . Me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë Serbia legjitimohet të kërkojë krijimin e federatës serbo – boshnjake. Për pasojë Rusia do të ndërtojë baza ushtarake antieuropiane në territorin e Republikës Srpska. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Europian nuk mund të lejojnë që Serbia dhe Rusia të shtrijnë influencën politike dhe ushtarake në Serbi dhe Republikën Srpska, e cila posedon një rrip të ngushtë të Bregdetit Adriatik. Kjo do të ishte një goditje e rëndë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ballkanik e europian. 7. Efektet e ndryshimit të kufijve të Kosovës do të shtrihen në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Bullgari, Rumani, Sllovaki dhe Greqi, vende të cilat kane konflikte dhe probleme etnike të shumta me fqinjët. Ndarja e Kosovës do të përdoret nga Moska si formulë e modelit të ndarjes së Ukrainës, Moldavisë, Lutuanisë, Letonisë dhe do të legjitimojë aneksimin prej saj të Krimesë. Përfundimisht do të ndodhë një zingjir konfliktesh etnike. Në këtë pikëpamje ndarja e Kosovës shndërrohet në precedent, ndërkohë që pavarësia e saj ishte rrjedhë logjike e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe dhunës së Serbisë ndaj shqiptarëve. Shqiptarët nuk duhet të bëhen pjesë e këtyre projekteve. Ata janë pozicionuar tashmë qartë si aleatë të besueshëm e të pakontestueshëm të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së e për pasojë nuk duan të krijohen precedente të reja, të cilat bëhen shkak për konflikte të reja në rajon. 8. Në Serbi, Shqipëri dhe në Kosovë ideja e ndarjes mbështetet nga oligarkët e korruptuar, të përfaqësuar përkatësisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ndarja e Kosovës është vullnet politik i këtyre tre oligarkëve, të cilët për arësye të dyshimta bashkëpunojnë me oligarkë të tjerë të lindjes. Këta të tre janë në lidhje të ngushta me ish-bashkëpunëtorët e Milosheviçit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian duhet të kontribuojnë për ndërtimin e shtetit të së drejtës në këto vende dhe në vende të tjera të rajonit. Nuk duhen marrë për asnjë cast në konsideratë idetë dhe pikëpamjet e udhëheqësve të korruptuar dhe oligarkë të Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës, sepse ato nuk i hapin rrugë perspektivës së zhvillimit të këtyre vendeve dhe të rajonit në paqe, stabilitet e siguri. Ndërkohë ndryshimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës ka si qëllim zgjerimin e tregut të oligarkëve në pushtet në Shqipëri, Kosovë e Serbi e deri në Turqi e Rusi. Ujdia për këtë do të jetë thjesht një ujdi interesash për pastrimin dhe investimin e parave të pista reciprokisht në këto vende. Beogradi e ka stil të tij joshjen financiare dhe materiale të politikanëve shqiptarë e të tjerë. SHBA-të dhe vendet e fuqishme të BE-së, sidomos Gjermania, Britania e Madhe e Austria, si aleatë të sigurt e të përhershëm të shqiptarëve, si kontributorë e sponsorë të paqes, demokracisë dhe të së drejtës, duhet ta ndalojnë këtë proces. 9. Eshtë e vërtetë se Kosova nuk është anëtare e NATO-s, por NATO është në Kosovë. Për pasojë Kosova duhet konsideruar si pjesë e Aleancës së Atlantikut e të trajtohet sa i përket territorit njësoj si vendet anëtare të kësaj Aleance. Ndaj çdo tentativë e ndryshimit të kufijve të këtij vendi do të ulë imazhin e NATO-s dhe BE-së në sytë e opinionit ndërkombëtar, si dhe do të lëkundë besimin e banorëve të saj në këta faktorë dhe aktorë të fuqishëm e përcaktues gjeopolitikë në botë. Çdo lëshim për ndryshim të kufijve ose cënim të shtetësisë së Kosovës përmes krijimit të një shteti serb në territorin e saj do të lexohet si dobësi e politikës dhe diplomacisë amerikane e europiane dhe kjo do të shfrytëzohet për përfitime nga kundërshtarët e tyre në pikëpamje strategjike dhe nga iligarkët në pushtet. 10. Nëse ndahet Veriu i Kosovës me vetëm 30 mijë serbë banorë të tij, atëherë askush nuk do të ketë të drejtë të ndalojë ndarjen e Maqedonisë me 700 mijë shqiptarë banorë të saj. Nuk mund të ndalet ndarja e Serbisë me 60 mijë shqiptarë në Luginën e Preshevës, dhe pakica të tjera në Vojvodinë e Sanxhak, ndarja e Greqisë me qindramijë shqiptarë banorë të saj në Çamëri, ndarjen e Malit të Zi po me gati 50 mijë shqiptarë si banorë autoktonë në vazhdimësinë e kufirit me Shqipërinë. Me ndarjen e Kosovës asgjë nuk do të jetë më si më parë as për shqiptarët në Ballkan. Kjo do të thotë konflikt dhe luftë midis popujve të Ballkanit. Ndarja e veriut të Kosovës do të shkaktonte vale dhune kundër serbëve ne enklava në brendësi të vendit, sepse shqiptarët do t’i shihnin ata si rrezik permanent për larine, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit. Ndarja e Kosovës do të çontë në krijimin e shteteve të pastra etnike. Kjo lëvizje do të krijojë konflikte të panumërta në Europë dhe në të gjitha kontinentet e tjera. SHBA-të dhe BE, së bashku me NATO-n, janë të fuqishme ta parandalojnë këtë. 11. Nëse fillon procesi i ndarjes së Kosovës, parlamenti i tij nuk do ta ratifikojë një marrëveshje të tillë. Ndërkohë në Kosovë do të fillonte një lëvizje e fuqishme popullore antiserbe, me kërkesën që Serbia të zhdëmtojë Kosovën për krimet e dëmet e shumta në luftërat e mizoritë e saj të para 20 viteve. Familjet e mbi 1600 të pagjeturve, të cilët janë marrë të gjallë dhe asgjësuar në Serbi dhe të cilëve u janë marrë organet e brendshme për transplante, do të shpërthenin në një revoltë legjitime të tyre në mbrojtje të sovranitetit shtetëror. Kësaj mase të madhe njerëzish do t’i bashkoheshin të gjithë qytetarët e Kosovës dhe marrëveshja do të mbetet një relike me shije të keqe. Aktualisht të gjitha forcat politike në Kosovë, si dhe kryeministri dhe kryetari i parlamentit të vendit janë kundër idesë së zotit Vuçiq, zotit Rama dhe zotit Thaçi për të ashtuquajturën “korrigjim të kufijve”! Në këto kushte i bëjmë thirrje SHBA-ve, RF e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Austrisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian e të NATO-s të shtojnë presionin mbi Beogradin që ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të kërkojë ndjesë për krimet e paimagjinueshme që Serbia ka bërë kundër shqiptarëve, pa diskutuar në dialog për territoret e saj. Ndërkohë që i bëjmë thirrje lidershipit politik në Kosovë të kompaktësojë veprimet e qëndrimet e veta si dhe të garantojë komunitetin ndërkombëtar për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të pakicave përfshirë serbët në Kosovë. Autoritetet shtetërore dhe politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë e kudo në Ballkan duhet të distancohen dhe bëjnë presion të parandalojnë një katastrofë të re në hapësirën shqiptare e në Ballkan. Shqiptarët kanë dhe do të kenë dobi, prosperitet dhe zhvillim vetëm në kushtet e paqes, harmonisë me veten e me fqinjët si dhe në aleancë me NATO-n, BE-në dhe SHBA-të!

Instituti i Studimeve të Europës Juglindore Tiranë, Prishtinë, 12.10.2018

Filed Under: Featured Tagged With: Mbrojtja e Kosoves nga ndarja, MEMORANDUM, Te mbrojme Koosven

Kosova dhe Shqipëria konkretizojnë bashkëpunimin në fushën e gjeologjisë

December 12, 2016 by dgreca

-Është nëshkruar sot në Prishtinë një Memorandum Mirëkuptimi/

1-shqip-kosove

PRISHTINË, 12 Dhjetor 2016-B.Jashari/ Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar kanë nëshkruar sot në Prishtinë një Memorandum Mirëkuptimi, me të cilin palët shprehin vullnetin për bashkëpunim në fusha të ndryshme të shkencave të Tokës.
2-flamur-dhe-kosove
Memorandumi u nënshkrua nga kryeshefi Ekzekutiv i SHGJK-së, Fidaim Sahiti dhe  drejtori i Përgjithshëm i SHGJSH-së, Viktor Doda, ndërsa të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe zëvendësministrja kosovare e Zhvillimit Ekonomik Besa Zogaj-Gashi, zëvendësministri shqiptar i Energjisë dhe Industrisë Gëzim Musabelli, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi si dhe zyrtarë të kësaj fushe nga të dyja vendet.
1-nenshkrimi
 Qëllimi i këtij Memorandumi është bashkëpunimi lidhur me realizimin e projekteve shkencore dhe atyre aplikative në përputhje me legjislacionin dhe strategjitë zhvillimore të të dy vendeve përmes shkëmbimit përvojave shkencore dhe aplikative në gjeoshkencë; koordinimit të veprimtarisë për pajisje me teknologji bashkëkohore në interes të dy institucioneve; koordinimit për angazhim të përbashkët të aktiviteteve rajonale dhe me gjerë, si dhe përmes ndihmës dhe bashkëpunimit reciprok për ngritjen dhe aftësimin e kapaciteteve njerëzore.
Zëvendësministrja Besa Zogaj-Gashi tha se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje në mes dy  shërbimeve gjeologjike, këto dy institucione nga sot mund të aplikojnë për projekte të përbashkëta hulumtuese shkencore në nivel rajonal dhe me gjerë, duke pasur parasysh që dy institucionet janë pjesë e Evropës.
 “Dy vendet kemi pasuri të mëdha nëntokësore prandaj këto të dhëna dhe ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm duke pasur të dhënat e juaja profesionale, ne do të mund të tërheqim edhe investitorë dhe të vazhdojmë në implementimin e projekteve të përbashkëta”, tha ajo. 
 Sipas Zogaj-Gashi, Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës ka prioritet reformimin dhe rregullimin e legjislacionit sekondar në fushën gjeologjike, ndërsa shkëmbimi i përvojave me Shqipërinë në këtë fushë është i rëndësishëm.
Zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Gëzim Musabelli tha se bashkëpunimi i dy shërbimeve tona është i një rëndësie të madhe dhe ne tashmë jemi një në kuptimin e burimeve minerare.
 “Me kalimin e kohës duke pas parasysh studimet e filluara dhe ato që do vijnë në drejtim të hulumtimit të mineraleve do të mundësojë që industria jonë minerare në dy krahët e kufirit, në pjesën shqiptare dhe kosovare të zhvillohet dhe kjo do të bëjë që të ardhurat dhe ekonomitë tona të rrisin zhvillimin”, tha ai.
Ambasadori shqiptar Qemal Minxhozi nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të këtij bashkëpunimi, duke shtuar se pasi të bëhen studimet të qarta do të mund të ofrojmë investitorë të rëndësishëm. Mirëpo sipas tij, një fazë të dytë duhet të hiqen burokracitë dhe të mos kemi vonesa dhe tarifa që krijojnë pengesa në këtë proces.
 Për përmbajtjen dhe  rëndësinë e këtij Memorandumi folën edhe drejtuesit e dy shërbimeve gjeologjike të Kosovës dhe Shqipërisë.

Filed Under: Rajon Tagged With: Gjelogji, MEMORANDUM, Shqiperi Kosove

Veseli dhe kompania amerikane “Stone Alliance”, memorandum mirëkuptimi për investime në Kosovë

October 4, 2016 by dgreca

Veseli: Sot, suksesi dhe krenaria më e madhe është krijimi i vendeve të reja të punës/

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe përfaqësuesi i Kompanisë “Stone Alliance” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Michael D. Barbero, sot, në prezencë të ambasadorit amerikan Greg Delawie dhe përfaqësuesit të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, për investime të kësaj kompanie në Kosovë.

Duke e konsideruar ditën e sotme të veçantë, kryeparlamentari Veseli tha se Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevojë për storie të suksesit. Sot, shtoi kryetari Veseli, suksesi dhe krenaria më e madhe është krijimi i vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i bilancit tregtar të shtetit të Kosovës, duke rritur eksportin. “Ardhja e një kompanie të tillë amerikane, investimi i saj dhjetëramilionësh në Kosovë dhe punësimi i 2500 njerëzve, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë. Është gjithashtu, interes strategjik i Republikës së Kosovës, duke dëshmuar orientimin e saj të qartë properëndimor, mbi bazat e shtetit ligjor dhe ekonomisë së lirë të tregut”, theksoi kryetari Veseli. Ai u shpreh i bindur se nëpërmjet kësaj kompanie do të dërgohet mesazh te investitorët e tjerë ndërkombëtarë, se Kosova është një vend optimal për të investuar. Veseli tha se institucionet e saj do të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm brenda kornizës ligjore, që lehtëson procedurat për ardhjen e investitorëve të huaj.

Përfaqësuesi i kompanisë “Stone Alliance”, Michael D. Barbero, duke falënderuar kryetarin Veseli për përkrahjen dhe vizionin e tij, pa të cilin, siç tha ai, sot nuk do të ishim këtu, u shpreh i kënaqur dhe i nderuar për nënshkrimin e këtij memorandumi. Ai tha se komuniteti ndërkombëtar, pas pavarësisë së Kosovës, tani është i interesuar të rris ekonominë e saj, në të cilën një rol kyç luajnë investimet e huaja. Ai shfaqi besimin se suksesi i projektit të kompanisë së tij, do ta dërgojë një mesazh të fuqishëm te komuniteti ndërkombëtar, se Kosova është një partner i shkëlqyer për të bërë biznes.Barbero tha se kompania “Stone Alliance” synon të krijojë 2-3 mijë vende të reja pune në Kosovë, duke operuar me 40 gurthyes dhe katër fabrika, si dhe duke u fokusuar në trajnimin e fuqisë së saj punëtore kosovare.Duke besuar në suksesin e këtij investimi, Barbero tha se kompania do të jetë investitor i madh në të ardhmen në Kosovë, duke stimuluar rritjen e ekonomisë vendore dhe ngritur reputacionin e biznesit të Kosovës jashtë vendit.Ambasadori amerikan, Delawie, ndërkaq, tha se ky memorandum është një shembull i mirë i potencialit i cili ekziston në Kosovë, për investime të huaja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Duke e konsideruar këtë një lajm të mirë për Kosovën dhe SHBA-në, ai tha se pret me padurim zhvillimin e këtij projekti dhe hapjen e vendeve të reja të punës.Edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, theksoi se Kosova ka pasur nevojë për një shembull të mirë, duke vlerësuar gjithashtu, se në dy vitet e fundit ka një interesim të shtuar të kompanive amerikane, të cilat kanë qëndruar në vendin tonë, për të parë mundësitë e investimeve këtu.

 

4 Attachments

Filed Under: Ekonomi Tagged With: “Stone Alliance”, MEMORANDUM, Veseli

MEMORANDUMI I VATRËS DREJTUAR PRESIDENTIT WILSON DHE FUQIVE ALEATE PËR KTHIMIN E TROJEVE SHQIPTARE

April 8, 2015 by dgreca

*Rezoluta që miratoi Kuvendi i VATRËS kërkonte rivendosjen e independencës mbretërore të Shqipërisë dhe ndreqjen e kufive me një mënyrë që të hyjnë brënda krahinat shqipëtare të cilat u çkëputnë padrejtësisht prej Konferencës së Londrës me 1913; fjala vjen: Malësit’e Hotit, Grudës, Plavës, Gjakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Dibrës, Strugës, Ohrisë, Manastirit, Kosturit, dhe Krahinën e Çamërisë me qytetet e Prevezës dhe Janinës/*
– Publikohet me rastin e 103 vjetorit te themelimit te Federates Pan-Shqiptare te Amerikes VATRA- 28 Prill 1912-28 Prill 2015/
Duke parë se afroj ora më kritike për çështjen shqipëtare, javën e tretë të Nëntorit 1918 Vatra u-dërgoj nga një qarkëtore degëve të saj dhe i këshillonte të bëjin mbledhje të posaçme që të zgjithjin nga një delegat të zotin për në kuvënt të pazakontë që do të mblidhej në Boston për së shpejti. Me 11 t’atij muaji u-bë Armëpushimi dhe mori funt Lufta e Parë e Përbotëshme n’Evropë. Komisioni Qendral u-bëri një thirrje patriotike Shqipëtarëve t’Amerikës që të mblidheshin rreth Federatës Vatra, dhe me anën e saj të gjithë të bashkuar të nxirjin një zë të fortë në Konferencën e Paqës për të drejtat kombëtare të Shqipërisë.
Përveç dy degëve të riorganizuara, e Chicago-s dhe e Syracuse-it, në pakë dit’e sipër u-filluan dhe pesë degë të ra: në Portsmouth, N.H., Në Erie dhe Branddock, Pa., në Barberton dhe Niles-Youngstown, Ohio.
Duke parëshikuar se do t’i shtoheshin përgjigjësitë për çështjen e Shqipërisë dhe do të kish nevojë për fonde financiare më tepër, Vatra u-bëri thirrje gjithë Vatranëve që t’i jepjin edhe një sulm të ri Fushatës “Dita Tri Qershor” për Shpëtimin e Shqipërisë.
Vatra priste informata nga kryedelegati i saj në London Mehmed Konitza se si dukeshin punët e Shqipërisë pas pushimit të luftes, q’ashtu të dinte se ç’masa munt të mirte kuvëndi që pritej të bëhej për së shpejti. Dhe ay, Mehmed Konitza, kish shkuar në Shqipëri ato ditë që organizoj Kongresin e Durrësit dhe u-formua Guverna Provizore nënëe kryesin’ e Turhan Pashës. Me gjith’ato, koha nukë priste dhe u-vëndos mbajtja e kuvëndit.
Të Dielën me 29 Shën-Ëndre 1918 u-mbloth kuvëndi i Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, dhe u-përfaqësuan 51 degë të regullshme të Federatës VATRA. Çairman i atij kuvëndi me rëndesi u-zgjoth Dennis J. Kambury, delegat’ i degës Nr. 69, Niles-Youngstown, Ohio, e cila s’kish pakë javë që ish themeluar. Sekretar i kuvëndit u-zgjoth Loni Kristua, delegat i degës Lynn, Mass., dhe raporter u-zgjoth Kostë Hotova, Delegat i degës Albany, N. Y.
Kuvëndi vazhdoj një javë, mbajti XV (15) sesione gjithësej, dhe mbaroj duke bërë miaft punë me rëndësi për të mirën e Shqipërisë. Në sesionin e 5-të u-leçit një Memorandum i bërë dhe i nënëshkruar prej klerit orthodhoks shqipëtar t’Amerikës, dhe u-prit me të trokitura duarsh të nxehta nga delegatët e kuvëndit. Memorandumi hidhtë poshte çpifjet dhe tëndencat e Grekëve edhe të grekomanëve të vëndit që thoshin se “Shqipëtarët e kërshtërë orthodhoksë duan bashkimin e tyre me Greqinë”! Kish shumë Epirotë që vërtet atë dëshirojin, të cilët ishin vërbuar nga propaganda e Grekëve fanatikë. Për atë shkak Shqipëtarët qenë goditur dhe gjakosur me Epirotët në mbledhjet e tyre në Boston.
Memorandumi u-bë sipas kërkimit dhe pëlqimit të Vatrës, dhe u-nënëshkrua nga këta klërikë orthodhoksë shqipëtarë: At Fan Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Çamçe. Pastaj ay Memorandum j’u dërgua Presidentit Woodrow Wilson në Washington, edhe Kryeministrive të Fuqive të Mbëdha n’Evropë.
Kuvëndi e gjeti të nevojshmë shtuarjën e delegatëve të Vatrës, dhe emëroj keta: Dr. Charles T. Erickson, Rasim Bej Dino, Anselmo Lorechia (drejtor i gazetës “Kombësia Shqipëtare” që diltë në Romë), dhe Faik Konitzën me Sotir Pecin si delegatë nderi. Faik Konitza ahere u-lëshua nga guverna Austriake passi u-munt nga Aliatet dhe e humbi luftën. Bashkë me Faik Konitzën ishin t’internuar në Vienë dhe Kolonel Zogu me Fazlli Frashërin, dhe kur u-lëshuan nga internimi ata të dy shkuan në Shqipëri dhe Faik Konitza vajti në Romë, i cili hyri prapë në shërbim të Vatrës si delegat i saj.
U-vëndos nga kuvëndi që Fan Noli të shkonte në Paris si delegat i Vatrës dhe të punonte me delegatët e tjerë atje. Për n’Amerikë, u-emërua Kostë Çekrezi delegat dhe editor i Revistës “Adriatik”. Dr. Ericksoni qëndroj një kohë të shkurtër në Paris, dhe, me këshillat e Mehmed Konitzës dhe të Dr. Turtullit, Vatra e thirri prapë Dr. Ericksonin dhe e emëroj delegat të saj në Washington bashkë më Çekrezin.
Ay kuvënt votoj me-një-zë sumën prej 120,000 dollarësh që të harxhohesh nga delegatët e Vatrës në Konferencën e Paqës në Paris edhe gjetkë për të fituar Independencën e Shqipërisë me kufit’e saj ethnografike.
Duke parë se vepërimet e Vatrës u-shtuan tepër dhe s’munt t’u bënte dot ballë Komisioni i Qendrës, kuvëndi e pa t’arësyshme zgjedhjen e një Këshille Kombëtare të përbërë prej 11 anëtarësh, njerës t’aftë për atë punë. Passi kjo çështje u-bisedua mirë prej delegatëve, u-vëndos zgjedhja e Këshilles Kombëtare dhe u-proponuan shumë njerës miaft të zottë, po me shumësin’e votave fituan këta:
Dennis J. Kambury, Paskal Aleksi, Shefki Aliko, Kristo Kirka, Kostë Hotova, Kosta Issak, Bahri Omari, Xhevat Harxhi, Anastas Pandele, Loni Kristo dhe Thimi Hondro.
Regullore e Këshillës: (1) Këshilla Kombëtare kish fuqin’ e një kuvëndi dhe jipte përfundime mi punët e Vatrës vetëm në çështjet politike. (2) Fuqia e Këshilles ish gjër në kuvëndin e regullshmë të Vatrës. (3) Anëtarët e Këshillës të zgjidheshin nga anëtarët e Vatrës me votim të kuvëndit. (4) Këeshilla Kombëtare thirrej në mbledhje kur ish nevoja nga kryetari i Vatrës, i cili e kryesonte gjër sa zgjidhej çairmani nga anëtaret e Këshillës. (5) Komisioni i Vatrës ish pjesëtar i Këshillës Kombëtare, sikundër dhe delegatët e saj n’Amerikë, po s’kishin të drejtë të votojin në bisedimet dhe vëndimet e Këshillës, natyrisht munt të pyeteshin për gjëra të Federatës që i dijin.
Kuvëndi vëndosi këtë thirrje patriotike për gjithë Shqipëtarët e Amerikës (po vetëm Vatranët përgjigjeshin!):
“Shqipëtarë t’Amerikes! Ardhi koha kritike në të cilën do të gjykohet fati i Shqipërisë. Armiqtë t’anë janë të pasur e të fortë dhe duhet t’u bëjmë ballë. Për të fituar të drejtat t’ona kombëtare duhet t’i lëftojmë këmba këmbës dhe që t’i lëftojmë me efekt na duhen para. Pjesë të çmuara t’Atdheut t’onë janë në rezik dhe tani ështe rasja t’i çkëputim nga duart e armikut. Ndihni pra më dorën plot dhe pa kursyer që t’a fitojmë Shqipërinë e madhe, plotërisht independente me Kosovën , Çamërinë dhe gjithë krahinat e tjera fjesht shqipëtare, dhe të rojmë të lirë, të lumur dhe kryelartë nënë hien e Flamurit të Skënderbeut. O burrani!”
Në sesionin e fundit, Kuvëndi i Pazakontë bëri dhe votoj me-një-zë nga gjithë delegatët Rezollutën që shënojmë ketu më poshtë, dhe u a dërgoj guvernave të Fuqive të Mbëdha: t’Amerikës, t’Inglisë, te Francës, t’Italisë dhe të Japonisë.

REZOLLUTA:

“Delegatët e Federatës Pan-Shqipëtare të Amerikës VATRA, të mbledhur në Kuvënt të Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, vëndosnë me 4 Jenar (1919) t’u bëjnë një thirrje Guvernave t’Amerikës dhe të Fuqive Aliate për rivëndosjen e independencës mbretërore të Shqipërisë;
Për ndreqjen e kufive me një mënyrë që të hyjnë brënda krahinat fjesht e kryesht shqipëtare të cilat u çkëputnë padrejtësisht prej Konferencës së Londrës me 1913; fjala vjen: Malësit’e Hotit, Grudës, Plavës, Jakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Dibrës, Strugës, Ohrisë, Manastirit, Kosturit, dhe Krahinën e Çamërisë me qytetet e Prevezës dhe Janinës;
Për një Plebesitë në viset e përmëndura më sipër, i cili të bëhët pas zaptimit të këtyre vëndeve prej ushtrisë Amerikane që kështu të shigurohet çfaqja e lirë e dëshirave të ndenjësve; dhe
Për qasjen e delegatëve Shqipëtarë në Kongres të Paqës për të shtruar dëshirat dhe kërkimet e kombit Shqipëtar para se të vëndoset fati i Shqipërisë.”
Delegatet e atij kuvëndi me rëndesi, duke nisur nga Dega Nr. 1, Boston, Mass., dhe gjër të Dega Nr. 70, Barberton, Ohio, qenë këta:
Vasil Naso, Loni Kristo, Lazar Selenica, Kosta Issak, Ilo Pano, Pandi Vodica, Stathi Suli, Foqion Postoli, Paskal Aleksi, Arif Hiqmeti, Guri Filip, Muke Permeti, Vasil Bradvica, Mihal Kosmo, Kostaq Lepcishti, George Luarasi, Evan Elia, George Konda, Luka Trebicka, Xhevad Harxhi, Shaban Halil, Kosta Progri, Dhimitri Sido, Shefqet Frashëri, Thimi Hondro, Ligor Panajoti, Koço Grameno, Sulejman Hysen, Sotir Treska, Kost Hotova, Reis Asllan, Dr. Kondi, George Qafzezi, Ibrahim Bitincka, Kosta Pano, Qani Shehu, Luka Lasko, Hysen Leskoviku, Xhafer Starja, Isuf Maleshova, Anastas Pandeli, Nasi Aristidhi, Abas Kamenica, Sinan Lekdushi, Dennis J. Kambury dhe Isuf Vincani.
Çairmani u dha leje delegatëve të çfaqjin mendimet e tyre më parë se të mbyllte kuvendin. Me atë rast, shumë delegatë mbajtnë fjalë patriotike për independencen e plottë të Shqipërisë e cila ish e gjakosur, e djegur nga luftrat, e shtypur nga fqinjët, dhe me kufire të krasitura. Delegatet gjith’ashtu folën me emfaze për bashkimin e gjithë Shqipëtarëve t’Amerikës rreth Federatës VATRA, q’ashtu t’i bëhej ballë rezikut të Shqipërisë nga fqinjet e saj të cilet po i mprehjin thiket e tyre për t’i prerë kokën, se këmbet dhe krahet ja prenë duke i marë Kosovën dhe Çamërinë. Për fatin e zi të Shqipërisë, përçarja e Shqipëtarëve vazhdonte, dhe shpresa për bashkimin e tyre ish fare e pakët, sido që Shqipëria po jipte shpirt.
Për shëmbell, passi mori funt lufta e madhe n’Evropë dhe ish nevoja për punë kombëtare, Shqipëtarët e Shteteve Ohio, Michigan dhe Pennsylvania deshnë të bëjin një mbledhje dhe paradë të madhe n’Akron, Ohio. Po Kryekatundari (“the Mayor”) nuk u dha leje të paradojin në ruget e qytetit. Shkaku? Ay tha: “Juve e kini flamurin të kuq, dhe populli do t’a marë për flamur të Bolshevikëve dhe ashtu do të ndizet shamata në rugët e qytetit”! Po s’qe ay shkaku, e vërteta është se vanë Grekët që i thanë kryeplakut të qytetit t’a ndalonte mbledhjen e Shqipëtarëve, dhe ay i dëgjoj për interesin e votave se ata ishin me shumicë n’atë qytet.
Pas asaj ngjarjeje, Shqipëtarët vanë në Pittsburgh, Pa., që e bënë mbledhjen edhe paradën e madhe. Atje gjetnë përkrahje nga disa zyrtarë të qytetit, dhe nga policia. Komisioni që pregatiti atë mbledhje ftoj Vatrën dhe “Partinë Politike” që të dërgojin përfaqesonjësit e tyre. Vatra dërgoj Kostë Çekrezin, dhe “Partia Politike” dërgoj Kristo Dakon.
Pas paradës, u-bë mbledhja në një sallë të madhë të një binaje të lartë të qytetit. Ishin në mbledhjen jo më pak se 1,000 Shqipëtare t’ardhur nga kollonira të ndryshme të shteteve që shënuam më sipër. Mbledhja vëndosi bërjen e një Rezollute që t’u dërgohej Fuqive të Mbëdha për të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Rezolluta u-bë dhe u-pëlqye nga mbledhja, po duhej nënëshkruar edhe nga përfaqësonjësit e Vatrës dhe të “Partisë Politike.”
Kristo Dakua refuzoj t’a nënëshkruante Rezollutën, ay thosh se “Vatra donte protektoratën e Italisë në Shqipëri”, dhe s’desh të bashkëpunonte me përfaqësonjësin e saj Kostë Çekrezin. Dakua e bazonte akuzimin e tij në vajtjen e kryetarit të Vatrës Kol Tromarës nj’a dy herë në Washington që bashkoj ambassadorin e Italisë, po akuzimi i tij nuk u-vërtetua.
Populli u-mërzit nga ajo sjellje, dhe kërkonte nënëshkrimin e Rezollutës nga përfaqësonjësit e të dy organizatave. Ahere u-ngrit një Vatran i qojtur Ali Kuçi nga Tomorica e Beratit, një burrë i math gjashtë këmbë e ca i gjatë, qe u-vajti pranë tyrë dhe u-tha: “Jemi mbledhur sot këtu për një qellim të shëntë, për të kërkuar të drejtat dhe lirinë kombëtare të Shqipërisë. Tani, nënëshkruajeni atë Rezollutë se për këtë Flamur ju hodha të dyve jashtë nga penxherja”! Dhe e zuri Flamurin më dorë qe e puthi. Më në funt, passi shikuan penxheren që ish katër patoma lart nga ruga, u-bintnë të dy “kundërshtarët” dhe e nënëshkruan Rezollutën.
Kuvëndi i Vatrës u-hap të Dielen me 29 Shën-Ëndre 1918, dhe Kongresi i Durresit u-mbloth me 25 te muajit, katër ditë më parë. Nje nga organizatorët kryesorë t’atij Kongresi që delegati i Vatrës Mehmed Konitza, i cili bashkë me Myfit Be Libohovën vanë nga Roma në Durrës, të dërguar për atë qellim nga ministri italian i punëve të jashtme Baroni Sonino.
Mehmed Konitza lajmëroj Vatrën me kabllogram për formuarjën e guvernës provizore të Durrësit nëne kryesin’ e Turhan Pashës. Me 25 Jenar 1919, Komisioni i Vatrës pati mbledhje. Mbledhja vazhdoj dy ditë, të parën u-kënduan disa telegrame të dërguar nga miq të huaj Filoshqipëtarë, dhe raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Gjith’ashtu u-këndua një kabllogram nga Turhan Pasha, kryetar’ i qeverisë provizore të Durrësit. Në përgjigjjën që i ktheu Vatra, i zotohej se do t’i jipte përkrahjen e plottë qeverisë së tij.
Nga ana tjatër, Vatra falënderoj Guvernën Italiane për përkrahjen që i dha Kongresit të Durresit, dhe i lutesh qe t’i jipte përkrahjën qeverisë shqipëtare në Konferencën e Paqës për të fituar independencën e plottë të Shqipërisë.
Është fakt që vërtet guverna italiane e përkrahu bërjen e Kongrësit të Durrësit, po me dy zemera nga frika se munt të gjënte kundërshtime nga fqinjët e Shqipërisë. Po gjith’ashtu fakti është se guverna italiane një mot më von u-përpoq t’a ndalonte Kongresin e Lushnjes, po nuke mundi dot. Do të flasim shkurtazi mi këtë pike kur të vemi atje.
Në mbledhjen e dytë, të nesërmen me 26 të muajit, Komisioni vëndosi t’i dërgoheshin 5,000 dollarë delegatit të Vatrës Mehmed Konitzës në Romë. Gjith’ashtu n’atë mbledhje u-emërua Kostë Hotova si konferencier i Vatrës që dolli nëpër kollonitë shqipëtare t’Amerikës, për t’u dhënë dritë Vatranëve mi veperimet e Vatrës për çështjen shqipëtare.
* Historia e Federatës VATRA prej Rafat Gurrazezit

Filed Under: Vatra Tagged With: MEMORANDUM, Memorandumi i Vatres, per kthimin e trojeve shqiptare, Presidenti Wilson

LEVIZJA E LEGALITETIT, MEMORANDUM AMBASADOREVE

June 11, 2014 by dgreca

Shqetesim për prirjen e një pjese të politikës shqiptare për rehabilitimin e simboleve të komunizmit dhe diktatorit Hoxha/
Sot paradite Partia “Lëvizja e Legalitetit” u ka dërguar Ambasadorëve të vendeve anëtare të BE të akredituar në Shqipëri, Institucioneve Europiane dhe Ambasadorit të SHBA në Shqipëri, një Memorandum ku shpreh shqetësimin e saj për prirjen e një pjese të politikës shqiptare për rehabilitimin e simboleve të komunizmit dhe diktatorit Hoxha.
Në këtë Memorandum, krahas shprehjes së mirënjohjes ndaj partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre ofruar Shqipërisë në rrugën e integrimit Euro-Atlantik, Partia “Lëvizja e Legalitetit” kërkon vazhdimin e kësaj mbështetjeje për dhënien e Statusit të Vendit Kandidat në BE.
PLL gjykon se kjo do të jetë një mjet më shumë për parandalimin e çdo lloj rehabilitimi të diktaturës komuniste dhe diktatorit Hoxha.
Lutemi që të merrni më poshtë tekstin e plotë të këtij memorandumi në shqip, si dhe bashkëngjitur kopjen e letrës origjinale, në anglisht.
Zyra e shtypit e PLL
\
MEMORANDUM

Drejtuar:

Ambasadorëve të vendeve anëtare të BE të akredituar në Shqipëri
Delegacionit të BE në Shqipëri
Ambasadorit të SHBA në Shqipëri
Presidentit të Këshillit Europian
Presidentit të Komisionit Europian
Anëtarëve të Parlamentit Europian
Zyrës së KiE në Shqipëri
Prezencës së OSBE në Shqipëri

I nderuar Zotëri, e nderuara Zonjë,
Të nderuar Shkëlqesitë Tuaja,
Kini mirësinë të na lejoni të ndajmë me Ju një shqetësim serioz që lidhet me ringjalljen e simboleve të ndryshme të ish diktaturës komuniste, të cilat u shpërfaqën qysh kur qeveria aktuale mori pushtetin në shtator 2013.
Këto simbolika patën si zanafillë praninë e portreteve të ish-diktatorit Enver Hoxha në Ceremoninë Zyrtare të mbajtur më 29 nëntor 2013, në varrezat “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Që prej 9 janarit 2014, disa deputetë kanë bërë thirrje për krijimin e një Komisioni të Posaçëm për të përkujtuar 70-vjetorin e Çlirimit të vendit me qëllimin e fshehur për të rehabilituar diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha dhe në të njëjtën kohë për të injoruar kontibutin e forcave jo-komuniste që operonin gjatë LDB kundër Boshtit dhe përkrah Aksit.
Këto thirrje u përsëritën disa herë në vijim dhe në prill të vitit 2014, media raportoi se një grup deputetësh kishin paraqitur, që në fillim të vitit, në Parlament një kërkesë zyrtare për krijimin e këtij Komisioni të Posaçëm Shtetëror.
Më 5 maj 2014, në Ceremoninë Zyrtare të Përkujtimit të Ditës së Dëshmorëve, portretet e ish-diktatorit u shfaqën në qytete të ndryshme të vendit. Në qytetin e Përmetit u shpalosën simbolika të spikatura të diktatorit komunist: si prania e “Pionierëve të Enverit” dhe përdorimi i ‘grushtit lart’ në praninë e një numri të konsiderueshëm deputetësh dhe anëtarësh të qeverisë. Në të njëjtën ditë, në qytetin e Beratit, Ministri i Drejtësisë, bëri homazhe para Monumentit vendor të Dëshmorëve të Kombit, ku një portret i ish-diktatorit Hoxha ishte vendosur në qendër të këtij monumenti.
Më 24 Maj, në 70-vjetorin e të ashtuquajturit “Kongres të Përmetit” që faktikisht i nxiti komunistët të ndërmerrnin një luftë civile gjatë LDB-së, të rrëmbenin pushtetin njëanshmërisht dhe të vendosnin një regjim diktatorial komunist, shumë politikanë të rangjeve të larta morën pjesë në një ceremoni në qytetin e Përmetit, ku thirrjet e qarta në dobi të ish-diktatorit Enver Hoxha dhe simbolikat e diktaturës frikësuan shumë shqiptarë.
Më së fundmi, në qytetin e Korçës, Memoriali i ushtarëve amerikanë që humbën jetën në Shqipëri gjatë LDB-së u dëmtua rëndë nga vandalët, akt i cili ende nuk është zbardhur nga policia dhe nuk është raportuar nga organet zyrtare të Shtetit.
I nderuar Zotëri, e nderuar Zonjë,
Të nderuar Shkëlqesitë Tuaja,
Kjo letër nuk ka për synim t’Ju informojë për çka ndodh në Shqipëri, pasi jemi të bindur se kjo nuk është detyra jonë. As nuk është qëllimi jonë që të ndërhyjmë në marrëdhëniet Tuaja me qeverinë aktuale shqiptare, ngaqë ne e mirëkuptojmë pozicionin Tuaj dhe respektojmë partneritetin që qeveritë Tuaja respektive dhe ju vetë keni zhvilluar me Shqipërinë përgjatë 23 viteve të fundit. Për këtë arsye ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që të gjithë aleatët tonë ndërkombëtarë dhe Institucionet Ndërkombëtare, i kanë ofruar Shqipërisë dhe Shqiptarëve në të mirë të lirisë, demokracisë, paqes dhe zhvillimit.
Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se ishte përgjegjësia e qeverive post-komuniste shqiptare që të mbyllnin kapitullin e diktaturës, dhe që është faji i politikanëve shqiptarë nëse kjo nuk ka ndodhur edhe pas më shumë se 23 vitesh.
Megjithatë, gjendja aktuale meriton një vëmendje të veçantë nga çdo faktor i shoqërisë shqiptare dhe prej partnerëve tanë ndërkombëtarë. Në fakt, ne besojmë fuqimisht se orvatjet për të rehabilituar diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha nuk janë vetëm një ofendim ndaj mijëra shqiptarëve që u persekutuan e vranë përgjatë epokës komuniste, apo dhjetëra mijëra të tjerëve që kaluan vite të tëra në burgje a kampe përqendrimi. Këto orvatje nuk janë gjithashtu vetëm një ofendim për besimtarët, kishat e xhamiat që u shkatërruan, mbyllën a tjetërsuan gjatë asaj periudhe, dhe as vetëm një ofendim ndaj historisë dhe të vërtetës. Por, çka është më e rëndësishmja, ne jemi të bindur se këto synime për të rehabilituar diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha, ofendojnë vlerat e lirisë, paqes, demokracisë dhe orientimit Perëndimor, që u ishin ndaluar shqiptarëve gjatë shumë viteve.
Pikërisht për këto vlera të përbashkëta me partnerët tanë Perëndimorë, dhjetëra mijëra jetë shqiptarësh u flijuan apo u rrënuan. Për afro 50 vjet, komunistët luftuan kundra këtyre vlerave dhe kryen krime në emër të vlerave dhe parimeve që i përkasin një tjetër periudhe, një tjetër ideologjie dhe dallueshëm një kampi tjetër.
Shumica e shqiptarëve besojnë e ndajnë ende të njëjtat vlera me aleatët tanë perëndimorë, e për këtë arsye, ne jemi besëplotë se partnerët tanë ndërkombëtarë e kuptojnë rrezikun e rehabilitimit të diktaturës komuniste dhe diktatorit Hoxha. Duket qartë se disa politikanë shqiptarë pretendojnë për qasjen e tyre pro BE dhe NATO, por referencat e tyre në diktaturën dhe diktatorët nuk duhen vlerësuar thjesht si një lëvizje taktike politike, po si një dëshmi e gjallë e shpërfaqjes së vlerave për çka ata realisht besojnë a nuk besojnë.
Përvoja tragjike më shumë se 50-vjeçare e diktaturës komuniste na jep arsye të mjaftueshme për të besuar se rikthimi te vlerat dhe referencat e diktaturës do të dëmtojnë së shpejti jo vetëm paqen dhe stabilitetin e mëtejshëm në Shqipëri e rajon, por edhe interesat gjeostrategjike të vendit tonë dhe aleatëve tanë natyralë.
Prandaj, ne jemi të mendimit se është në interesin tonë të përbashkët për të qenë të vëmendshëm ndaj rreziqeve të rishfaqjes së këtyre simbolikave të diktaturës komuniste, dhe të parandalojmë çdo lloj rehabilitimi të diktaturës e diktatorit Hoxha.
Përveç veprimeve të tjera në këtë drejtim, ne besojmë fuqimisht se ka rëndësi parësore që Shqipërisë t’i jepet këtë muaj Statusi i Vendit Kandidat në BE dhe Ju falenderojmë paraprakisht për mbështetjen tuaj në këtë çështje.
Shpresojmë se Ju do t’i kushtoni vëmendje parësore kësaj letre dhe që do të merrni masat e nevojshme për të përkrahur edhe më tej Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugëtimin tonë të vështirë drejt lirisë, demokracisë, paqes, zhvillimit dhe konsolidimit të institucioneve e vlerave.

Sinqerisht i Juaji,

Sulejman Gjana
Kryetar

Filed Under: Politike Tagged With: AMBASADOREVE, Kryetar PLL, Levizja e Legalitetit, MEMORANDUM, Sulejman Gjana

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT