IN MEMORIAM -50 VJETORI I VDEKJES SË FAN NOLIT/
Esse-nga Raimonda MOISIU/
Ndërsa kthejmë kokën përgjatë viteve, në perëndimin e tyre, dallon gjurmët e arta të kujtesës së një kombi. Janë gjurmë që gjithmonë do të kujtohen si shprehi e ndodhisë në etapa të ndryshme dhe e ekzistencës së tyre, për tu përqendruar në erudicionin e një prej figurave që është çmuar shumë prej shqiptarëve dhe amerikanëve, si një figurë aktive e letrave shqipe, Rilindjes Kombëtare, çështjes kombëtare dhe të të drejtave të shqiptarëve jo vetëm në trojet etnike shqiptare, por në Amerikë e kudo në botë, Fan Stilian Noli. Ndërsa vitet rrjedhin, aq më shumë rritet edhe ndërgjegjësimi kombëtar për t’u kthyer pas ideve, erudicionit, veprave, penës, së këtij kolosi të letrave shqipe, për të eksploruar në vlerën e tyre. Vepra e Nolit të Madh është shumëdimensionale, e krijuar në përkushtimin dhe vëmendjen, poezi, prozë, publicistikë, pamfletist, eseist, historian, fetare, muzikë, përkthime të shkrimtarëve të shquar të botës, midis atributit të një lideri popullor dhe shpirtëror, midis lavdisë e modestisë që e karakterizonte, gjithmonë sipas kontributit që ai kishte ndërtuar në thënien biblike që shprehte shpesh: “Një popull pa vizion zhduket”. Poliedriku dhe eruditi Fan Noli, nuk u përqendrua vetëm te një pjesë e veçantë e historisë së kombit shqiptar, por ai adaptoi atë pjesë integrale të vlerave dhe historinë e kulturave të tjera, pikërisht asaj amerikane, ku ai jetoi dhe veproi deri ditën që vdiq, – dhe – hodhi një bazë të shëndoshë të rizbulimit të identitetit kombëtar dhe të ruajtjes së tij nga asimilimi kulturor pas disa shekujsh shtypje. Muaji mars tashmë është bërë një muaj i veçantë për të përkujtuar, poliedrikun dhe eruditin, Nolin e Madh, dhe krahas tij, ne sjellim në kujtesë një sërë figurash të shquara të letrave shqipe, atdhetarizmit e patriotizmit, si Konica, Pipa, Zef Oroshi, Rexhep Baba Bardhi, Qerim Panariti, Antoni Athanas, Kristaq Trebicka, Petraq Turtulli, Sotir Peci, At Arthur Liolini, Bill Kamenica, Thanas Laskaj, etj. Përgjatë gjithë kësaj kohe, forca e kujtesës, e vizionit, e mendjes dhe e penës së njerëzve të letrave shqipe, nëpërmjet aktiviteteve në dedikim të vlerave kombëtare e historike, sikurse kanë bërë ata vetë dhe pararendësit e tyre. Ata besojnë në parimin bazë e jetësor se vepra dhe kontributi i Nolit flasin shumë, si një domosdoshmëri që vlen edhe në ditët e sotme, ka aftësi universale për të evokuar të kaluarën ngadhënjyese me njerëzoren. Ndërgjegjësimi kombëtar i njerëzve të letrave shqipe, lëviz drejt vizionit të së ardhmes drejt atij vizioni që predikonte Noli i Madh, në ruajtjen e traditës, gjuhës, kulturës, identitetin e tyre, për të treguar se jemi një komb me botë, shpirt e mendim të lirë, ecim, jetojmë, tregojmë me penën e krijimtarinë, organizimin e aktiviteteve me taban kombëtar e historik, se jemi aty, në tokën e mundësisë e demokracisë, dhe kjo është një arsye që ata e përkujtojnë 50- vjetorin e përjetësisë së Nolit tonë të Madh. Është ndjesia më e fuqishme e krenarisë kombëtare, është aftësia e talentit dhe penës së shkrimtarëve, ndjesitë që poetët e prozatorët i koordinojnë me ndjesitë e pararendësve të tyre, si gjënë më të bukur e të shtrenjtë të përjetësimit të vlerave kombëtare dhe identitetit kombëtar ashtu si pati bërë dikur ky uragan i shqiptarisë në Amerikë.
Noli…nuk besoj të ketë patur ndonjë armik personal
Ai ka qenë njeri i letrave dhe i humanizmit të thellë njerëzor, në ato përmasa, saqë nga burrë shteti u bë prift. Të bëhet prift dikush, do të thotë të jetë idealist patjetër, njeri që jeton mes botës njerëzore dhe asaj hyjnore, pra, njeri tolerant, i dhimbsur për njerëzit, i gjendur për ta, dhe, Noli, e pati të thjeshtë krejt të vishte rason e zezë. Me dhënien e meshës së parë në gjuhën shqipe dhe shkëputjen e ortodoksisë shqiptare nga ajo greke, janë dëshmi të një kthese historike në historinë e Rilindjes Kombëtare. Noli ynë i Madh ka qenë kryeredaktori i gazetës më të vjetër shqipe, “Dielli”, President Nderi i Shoqatës Pan Shqiptare “Vatra”, u diplomua në Universitetin e Hawardit, botues i “Adriatic Review”, “Republika” dhe përfaqësuesi i Lidhjes së Kombeve, Ministër i Punëve të Jashtme, Kryeministër i Shqipërisë, filozof, botues dhe përkthyes i shumë veprave letrare e fetare, dhe i vlerësuar nga kritika e kohës amerikane, në veçanti nga Presidenti Linden B. Xhonson. Një deklaratë brilante e Fan Nolit i kapërceu me të shpejtë kufijtë e mijëvjeçarit kur ai jetoi. Ai tha se populli shqiptar, me një shumicë dërmuese myslimane, zgjodhi në krye një prift ortodoks, siç vdiq ai. E ku ka kompliment më të bukur, se ky mesazh i tolerancës dhe bashkëjetesës fetare që mund t’i bëjë dikush popullit të tij se sa ky? Sidomos sot, kur ngado gëlojnë përplasjet fetare? Fan Noli i ka kapërcyer kufijtë e kulturës së intelektualëve të kohës, shqiptarë dhe jo shqiptarë. Ai është parë si një personalitet i shquar për atributet e një lideri shteti që ai i atribuoi vetes me restaurimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve mbas disa shekuj të pushtimit otoman. Jo vetëm si kishtar, historian, studiues, shkrimtar, eseist, pamfletist por edhe si një burrë shteti, bëri që atdheu i tij të njihej në arenën ndërkombëtare, duke e shquar Nolin si një arkitekt i zgjimit e dinjitetit kombëtar, besimit dhe pika e bashkimit të shqiptarëve, sidomos në Amerikë. Brilantet e tija të veprave origjinale dhe të përkthyera, janë deri më sot, të pakritikueshme nga askush. Si poeteshë dhe publiciste, si një adhuruese e patjetërsueshme e Nolit të Madh, do të vëreja një shembull të mrekullueshëm për mua, për ne, njerëzit e letrave dhe për ata që aspirojnë galaktikën e letërsisë. Në qoftë se ne i themi “çifut” dikujt që është kurnac dhe që i tërheq gjithmonë kërraba nga vetja, Noli i madh ka qenë “çifut” i fjalës së përkorë. Ai ka qenë kur shkruante, si një punonjës i arit apo i zemberekëve të orëve. Aq poezi sa na ka lënë Noli, janë, që të gjitha, të derdhura në flori, ku nuk ke kurajën të heqësh apo të redaktosh, qoftë edhe një rrokje. Mirëpo, Noli, Konica, Mjeda, Migjeni, Fishta, etj, kanë lënë trashëgiminë e tyre që ne jemi të detyruar t’i referohemi, si zotërues të tyre. Pra, duhet të përkulemi me nderim përditë te “Profesor Noli” në përzgjedhjen dhe koncizitetin e fjalëve. Tregojnë se Noli, vetëm për të gjetur fjalën e bukur shqipe “gërdallë”, i ka shkruar letër një shoku të tij të fëmijërisë, që nga Amerika, ndërsa po përkthente Servantesin. Dhe kush na qe më në fund “gërdalla”? E kush tjetër, përveçse Rosinantit. Apo, tjetër. Pas luftës, kur i dërguan Nolit vepra të tjera të Shekspirit, të botuara në atdheun e tij, ai, si i përgëzoi për punën e lavdëruar me gjeniun anglez, i këshilloi nga ana tjetër duke u thënë se; “por, shqipja ka fjalë të tjera më të bukura, more djema”.
Noli, në tërë parametrat ka qenë modern
Kur udhëhoqi revolucionin e njëzetekatrës, i tërë Ballkani ishte monarki, pra, në një mënyrë arkaike e të drejtuarit. Noli, krejt ndryshe, organizoi republikë vendin e qeverisur prej tij, dhe, për më tepër, ai kërkoi të lidhej me pushtetin komunist të Rusisë së Leninit, duke vepruar me një diplomaci marramendëse. Fundja Lenini qe ai që denoncoi traktatin e fshehtë të Londrës për copëtimin e vendit tonë, por, nga ana tjetër, në atë kohë, komunizmi sovjetik u bë aspiratë e shumë popujve, shteti qe i madh, dhe nuk ishte aspak keq të kishte edhe simpatinë e kësaj fuqie që po rritej me bum të paparë. Dhe, rrëfanën e kishte…. Noli ishte aq energjik, humanist e reformator, diplomat, njohës i shumë gjuhëve të huaja, historisë e kulturës së popujve të ndryshëm, dhe mbrojtës i flaktë i çështjes kombëtare dhe i të drejtave të patjetërsueshme të kombit shqiptar, kur fati i Shqipërisë ishte në një rrezik të madh për t’i ndarë përsëri kufijtë, ai takohet me Presidentin e SHBA-së të asaj kohe, Wilson, duke i kërkuar mbështetjen e padiskutueshme të tij, dhe falë saj, Noli ynë i Madh do të ndalonte masakrën tjetër që donin të bënin shtetet evropiane me kufijtë e Shqipërisë. Duke e vlerësuar ndihmën e Presidentit Wilson dhe mbështetjen e patriotëve të vjetër dhe komunitetit shqiptar në Amerikë, përveçse zërit të tij të fuqishëm kombëtar, në Konferencën e Parisit më 1919, ai do ndërgjegjësonte zgjimin e kombit, me vargjet “Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë…” Aktualiteti dhe mesazhi i këtyre vargjeve vazhdon edhe për të sotmen për zgjidhjen e çështjes kombëtare, si një apel që i bëhet botës dhe Evropës për më shumë vëmendje ndaj kombit shqiptar dhe Kosovës, njohjen e Pavarësisë së saj ndërkombëtarisht. Pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Fan Noli e vlerëson si një arritje nga më të mëdhatë e shpirtërore të kombit e çështjes shqiptare. Kur e përzunë forca të financuara nga armiku shekullor i shqiptarëve, shteti serb, Nolin, këtë figurë poliedrike dhe që krahasohej me kokat më të ndritura të kohës, e zëvendësoi një njeri tjetër. Ai, për fat, që nuk e kishte as kulturën, as edukatën, as bagazhin, as elegancën e të qeverisurit dhe as qytetarinë e tij, por ishte një fshatar i zgjuar dhe manovrator nga Burgajeti i Matit, pretendenti se vinte nga familja mbretërore e Topiajve, Ahmet Zogu. Noli i madh u detyrua të ndahej fizikisht nga populli i tij. Atij nuk i mbeti tjetër, veçse atë pjesë të jetës që i kish mbetur, të vishej prift. Pikërisht në Amerikë. Ai e dinte se kush do të bëhej Amerika. Falë kishës së tij, shqiptarët e Amerikës ishin dhe janë të bashkuar më shumë se në asnjë vend tjetër të botës. Nën shembullin e Nolit të madh i mbajnë bashkuar shqiptarët sa e sa klerikë të nderuar si At Arthur Liolini, Federata Panshqiptare Vatra , Gazeta Dielli dhe shumë patriotë dhe atdhetarë të tjerë.
Raimonda MOISIU
Hartford CT USA