Me rastin e 462-vjetorit të botimit/
Nga Xhelal ZEJNELI/ Vepra e njohur me emrin Meshari nga Gjon Buzuku është libri i parë në gjuhën shqipe. Nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore, kjo vepër është një nga frytet më të rëndësishme në historinë e letërsisë shqiptare. Duke qenë se ballina dhe faqet e para të kopjes së vetme të kësaj vepre historike mungojnë, për titullin origjinal dhe për vendin e botimit mund të flitet vetëm me hamendje. Buzuku është autori i parë i njohur deri tani i letërsisë shqiptare, ndërsa Meshari është më e vjetra vepër shqipe e shtypur që ka arritur. Për autorin e Mesharit shqiptar dihet pak.
Nga tiparet dialektore të gegërishtes veriperëndimore të tekstit, mund të gjykohet se familja e Gjon Buzukut duhet të jetë diku nga fshatrat e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, ndoshta afër Shestanit. Duket se ishte famullitar i një kishe në Shqipërinë veriore, ndoshta në trevën e Ulqinit dhe të Tivarit. Ka studiues që thonë se mund të ketë qenë famullitar i ndonjë bashkësie shqiptarësh të shpërngulur në Republikën e Venedikut. Disa të dhëna të pakta për Buzukun, vijnë nga pasthënia e Mesharit, të cilën Buzuku e shkroi me dorën e vet në gjuhën shqipe, pa e ditur ç’përmasa historike do të merrte kjo punë e tij.
Sipas disa studiuesve, doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut… siç thotë në pasthënie vetë autori, një pjesë të jetës mund ta ketë kaluar diku në Adriatikun verior në Republikën e Shën Markut, në rajonin e Venedikut, ku familje refugjatësh shqiptarë kishin ardhur pas pushtimit turk të Shkodrës më 1479. Lidhur me këtë ka shkruar edhe historiani dhe latinisti shkodran Injac Zamputi (1910-1998). Në Venedik Buzuku duhet të ketë pasur më shumë mundësi se në Shqipëri për shkollimin e nevojshëm letrar dhe për specializimin si prift.
Gjuhëtari, romanisti, ballkanologu dhe albanologu italian Karlo Taljavini (Tagliavini, 1903-1982), Prof. Eqrem Çabej (1908-1980) e të tjerë, thonë se Meshari është botuar në Venedik. Por, po njëlloj mund të mendohet edhe për qendra të tjera botuese të bregdetit dalmat. Ka studiues që pohojnë se Meshari është shtypur në Durrës. Të tjerë thonë se është shtypur në Shkodër. Shtypja e Mesharit zgjati nëntë muaj. Doli nga shtypi në janar të vitit 1555.
Me sa duket, vepra nuk ka pasur ndonjë përhapje të gjerë, prandaj dhe ka mbetur vetëm me një kopje e ardhur deri në ditët tona. Përmbajtja e veprës flet për përdorimin e gjuhës shqipe në shërbesat fetare, lidhur, siç duket, me përpjekjet për përdorimin krahas latinishtes, edhe të gjuhëve amtare, përpjekje të përftuara nën shtysën e Reformës. Rrallësia e veprës mund të jetë rrjedhojë e politikës së lëkundur kishtare gjatë Koncilit të Trentit (1545-1563) e më pas. Ka të ngjarë që, në atmosferën e Reformës, kisha të ketë dhënë në fillim autorizimin për këtë përkthim, por më vonë, në shenjë ripohimi të doktrinës katolike tradicionale të Kundërreformës dhe në atmosferën e përgjithshme të frikësimit që mbretëronte gjatë Inkuizicionit, të jetë orvatur të mos lejojë vepra në gjuhën vendase. Shumë vepra fetare dhe liturgjike janë ndaluar apo janë hequr nga qarkullimi për një periudhë prej tridhjetë vjetësh nga 1568 deri 1598, ndaj është e mundshme që Meshari i Buzukut të ketë qenë ndër to. Kësisoj do të shpjegohej, si numri i vogël i kopjeve të veprës, ashtu edhe mungesa e qarkullimit të saj.
Ka studiues që mendojnë se autorët e mëvonshëm të letërsisë së hershme shqiptare, si Lekë Matrënga (1567-1619), Pjetër Budi (1566-1622) dhe Frang Bardhi (1606-1643) duket se nuk e kanë njohur Mesharin. Por – sipas Injac Zamputit – eruditi Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), në një raport për Propaganda Fiden më 1665, duke cekur çështjen e mungesës së librave në gjuhën shqipe dhe duke renditur botimet për të cilat kishte dëgjuar, përmend një “Euangelii in Albanese” (Ungjill në shqip). Është e mundur që ta ketë pasur fjalën për Mesharin e Buzukut dhe ta ketë shënuar titullin origjinal të veprës. Lidhur me çështjen e sipërthënë është marrë edhe historiani i letërsisë Dhimitër Shuteriqi (1915-2003).
Kopja e vetme e ardhur deri në ditët tona e Mesharit të Buzukut u zbulua më 1740 në bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fides nga lëvruesi i gjuhës shqipe Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) kur si Argjipeshkëv i Shkupit ishte për vizitë në Romë. Ky klerik i lartë katolik, i lindur në Gjakovë, studioi në kolegjet ilirike të Fermos dhe të Loretos (Itali), ku mori gradën doktor në teologji dhe në filozofi. Më 1743 u emërua Kryepeshkop i Shkupit. Zbulimin e vet e cilësoi si “një meshar të lashtë shqiptar të rrëgjuar nga koha”. Kazazi bëri një kopje fragmentesh të tekstit dhe ia dërgoi themeluesit të Seminarit shqiptar në Palermo – Gjegj Guxetës (Giorgio Guzzetta, 1682-1756).
Në fund të shekullit XVIII libri ka bërë pjesë në koleksionin e kardinalit Stefan Borxhia dhe më vonë përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit. Tani është i kataloguar nën Ed. Prop. IV. 244.
Pas shumë vitesh harrimi, Meshari u nxor në dritë nga filologu arbëresh, peshkop i arbëreshëve të Sicilisë Monsinjor Pal Skiroi (Paolo Schiro, 1866-1941), i lindur në Hora të Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) afër Palermos. Ky, më 1909-1910 e fotokopjoi tekstin dhe përgatiti një transliterim e transkriptim të tij. Studimi i gjerë i Skiroit për Mesharin është botuar vetëm pjesërisht. Krahas Skiroit, veprën e Buzukut e studioi edhe filologu dhe historiani i letërsisë Gaetano Petrota (Gaetano Petrotta, 1882-1952), edhe ky i lindur në Hora të Arbëreshëve.
Më 1929 u bënë tri kopje të tjera për filologun dhe klerikun françeskan Justin Rrota (1889-1964), i cili një vit më pas, d.m.th. më 1930 botoi fragmente të Mesharit në shtypshkronjën françeskane të Shkodrës.
Për herë të parë botimi i plotë i Mesharit u mor përsipër më 1958 nga filologu dhe historiani i letërsisë Namik Resuli (1908-1985), përfshi një fotokopje dhe një transkriptim.
Në vitin 1968, Prof. Eqrem Çabej (1908-1980) bëri botimin kritik të Mesharit në dy vëllime në Tiranë. Më 1988 është ribotuar edhe në Prishtinë. Vëllimi i parë i Mesharit të Çabejt me 299 faqe, përmban një parathënie të shkurtër dhe një studim hyrës me një transliterim të tërë tekstit. Vëllimi i dytë, me 403 faqe, përmban një faksimile të origjinalit dhe një transkriptim fonetik, i cili përbën një ndihmë të madhe për të kuptuar drejtshkrimin e Buzukut, që është shpesh me gabime.
Meshari në fillim përbëhej prej 110 fletësh ose 220 faqesh, nga të cilat kanë mbetur 94 fletë ose 188 faqe. Mungon edhe ballina e librit. Libri përmban jo vetëm një meshar (lutje e rite për gjithë vitin), por edhe shumë fragmente të përkthyera nga librat e lutjeve, nga psalmet dhe nga litanitë katolike. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e veprës përbëhet nga përkthime prej Dhjatës së Vjetër e të Re, gjë që e lehtëson mjaft interpretimin e tekstit, i cili nuk u është shmangur gabimeve të shtypit apo kapërcimeve. Të 188 faqet e tekstit përfshijnë 154,000 fjalë me një fjalor të përgjithshëm prej rreth 1500 leksemash.
Për leksikun e Buzukut ka shkruar në vitet 1964-1966 gjuhëtari dhe studiuesi i teksteve të vjetra, i lindur në Shkodër dhe i diplomuar në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Romës, ku u diplomua më 1942 si “Doktor në filozofi” – Kolë Ashta (1918-1998).
Meshari u botua në stilin gjysmëgotik të Italisë së veriut me shkronja latine, ndërsa për tingujt e shqipes që nuk i ka latinishtja, (g, gj, th, dh, z, x, i) janë përdorur pesë shkronja të posaçme që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Autori shihet se ndjek një traditë mjaft të konsoliduar të shkrimit të shqipes të cilën do ta vijojnë edhe autorët pasardhës si Frang Bardhi, Pjetër Budi dhe Pjetër Bogdani.
Në vitin 1932, një studim për Mesharin e Buzukut bëri edhe filologu, romanisti dhe studiuesi i teksteve të vjetra shqipe, francezi Mario Rok (Roques, 1875-1961), i cili pas Luftës së Parë Botërore ligjëroi vite me radhë mësimin e gjuhës shqipe në katedrën e Gjuhëve Orientale të Universitetit të Parisit.
Sipas disa studiuesve, gjuha e Buzukut paraqet tipare të gegërishtes veriperëndimore nga viset e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, ndonëse në të, takohen edhe elemente të dialekteve të tjera. Kjo na shpie në përfundimin se Buzuku është përpjekur të përdorë një gjuhë më gjerësisht të kuptueshme se dialekti i tij vendës. Në të vërtetë, gjuha e këtij shkrimtari, mendimtari dhe gjuhëtari është një gjuhë mbidialektore. Shqipja e tij bazohet në gjuhën popullore. Gjuhës së Buzukut i mungon krejtësisht ndikimi i fortë nga turqishtja i shqipes së mëvonshme. Gjuha e tij përmban shumë tipare arkaike. Për historianët e gjuhës, Buzuku është minierë të dhënash.
Meshari i tij, me përjashtim të pas-shënimit, është një konglomerat përkthimesh nga tekste fetare në gjuhën latine. Por, si autor i librit të parë në shqip mund të thuhet se është ai që e lindi shqipen letrare. Stili i rrjedhshëm i tij ka bërë që disa studiues të hamendësojnë për ekzistimin e një tradite letrare në Shqipërinë veriore të asaj kohe.
Atë që bëri për gjermanishten doktori i teologjisë dhe themeluesi i protestantizmit në Gjermani Martin Luteri (1483-1546), Gjon Buzuku e bëri për shqipen – e solli liturgjinë në shqip. Me veprën e tij monumentale, Buzuku i del zot gjuhës shqipe, vendit të tij dhe kombit të tij. Mesazhet e tij janë dashuria ndaj gjuhës shqipe, ndaj Shqipërisë dhe ndaj kombit shqiptar.
Xhelal Zejneli