TIRANË, 11 Prill- Një lëndë e re mësimore fetare do të futet në 10 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme për vitin akademik 2016-2017.Projekti do të diskutohet me akademikët dhe mësuesit, por sipas ministres së Arsimit Lindita Nikolla, lënda do të jepet nga mësues të trajnuar dhe jo nga klerikë.
Ministrja Nikolla iu përgjigj interesit të medias duke bërë me dije se “lënda hyn si projekt pilot në 5 shkolla 9 vjeçare dhe 5 të mesme”. “Projekti do të diskutohet me akademikët dhe mësuesit do të trajnohen. Do të jetë një lëndë e veçantë ‘Historia e besimeve fetare’ për klasën e gjashtë dhe viti i parë në gjimnaz, ku nuk do të predikohet feja. Kjo lëndë do të jepet nga mësues dhe jo nga klerikë”, deklaroi ajo.
Ndërkaq, në mungesë të opozitës, Ministrja se Arsimit, e pranishme në komisionin e medias, dha sqarime në lidhje me maturën shtetërore, duke nënvizuar se kandidatët që do të aplikojnë për universitet duhet të kenë mesatare mbi 6 dhe se aplikimi për universitet do të bëhet online.
Ajo vuri në dukje po ashtu se risia për maturën lidhen me maturantët të cilët do të zgjedhin lëndë me zgjedhje anglishten, kandidatët do të pajisen edhe me certifikatën e provimit TOEFL junior. Rëndësi sipas saj, ka mesatarja e nxënësve në 3 vite si dhe notat e provimeve të detyrueshme e me zgjedhje.
Një tjetër çështje që u diskutua në komision lidhej me akreditimin e IAL private e publike.
“E rëndësishme është që është dakortësuar një material mbi mënyrën sesi do të realizohet procesi i akreditimit të IAL-ve, si dhe ngritja e kapaciteteve për të vijuar punën në fund të muajit maj, ku do të fillohet me 6 universitetet e para. Do të kemi rankim të cilësisë së universiteve në tetor të 2017”, tha Nikolla.(Sipas ATSH)