• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MËRGATA- MËSUESIT VULLNETARË TË SHQIPES NË GREQI,RILINDËS TË KOHËS SONË

September 15, 2018 by dgreca

1 MesusiNga Sylejman Salihu, mësues i gjuhës shqipe në diasporë/1 Dashair ZacePasi iku në amshim mësuesi Dashmir Zaçe, miku i tij, publicisti dhe gazetari Abdurahim Ashiku, ende pa mbirë mirë bari mbi varrin e tij, i shkroi librin këtij mësuesi atdhetar, që një jetë të tërë e shkriu për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj. Kush ishte në fakt Dashmir Zaçe? Ai ishte një mësues, një arsimdashës, një atdhetar, një intelektual, një gojëmbël e mbi të gjitha një njeri. E njoha në takimet e seminareve për mësuesit e diasporës dhe pastaj u bëmë miq. Por në qoftë se atëherë nuk arrita ta njihja sa duhet këtë njeri, libri i Abdurahim Ashikut ma jep këtë mundësi madje në një dimension tjetër disi më të veçantë. Përse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet kështu sepse që nga faqja e parë kur i hyra leximit të librit dhe duke vazhduar pastaj nëpër gjithë brendinë e tij, e njoha portretin e tij më shumë, më ndjeshëm, më thellë, më mirë dhe më fuqishëm. Miku i tij, që tashmë është edhe autor i monografisë për të, na e jep në këtë libër voluminoz personazhin e tij gjerësisht në një shtrirje nga të gjitha anët dhe nga të gjitha fushat, nëpër të cilat Dashmir Zaçe eci dhe shpërfaqi aktivitetin e tij mësimor, kulturor, pedagogjik, patriotik e poetik. Duke shpalosur faqet e librit “Dashmir Zaçe, një rilindës i kohës sonë”, ai na del një njeri i mbrujtur me virtyte të larta njerëzore e atdhetare, me të cilat me dinjitet dhe me profesionalizëm eci trimërisht dhe ballëhapur duke qenë gjithmonë një shërbëtor i urtë në shërbim të shkollës shqipe, nxënësve, dijes dhe atdheut në përgjithësi. Përmes këtij libri Dashmir Zaçe shfaqet kudo duke lënë gjurmët e tij: në Përmetin e tij që e deshi pafundësisht shumë, në Përmetin e luleve, në Përmetin e Laver Bariut, me të cilin këndoi ndonjë këngë apo edhe përmbysi ndonjë gotë, ku kaloi fëmijërinë dhe ku u mbrujt me këngët e bukura përmetare, të cilat janë perlat e vërteta qytetare shqiptare, shumë nga të cilat edhe i botoi vetë në librin ” A kanë ujë ato burime”. E gjejmë Dashmirin para nxënësve si mësues, por edhe e gjejmë para kolegëve të tij si drejtues shkolle, që drejton dhe ndihmon, jo me arrogancë dhe fodullëk por me urtësi, bujari e dashamirësi e profesionalizëm. Dashmir Zaçe këtu na shfaqet përmes shkrimeve, skicave, dialogëve, polemikave, monologëve, intervistave, bisedave, rrëfimeve, kujtimeve, korrespondencave. E gjejmë dhe e shohim pothuajse në çdo seminar mësuesish të diasporës, që nga Durrësi, Struga, Mitrovica, Prishtina, Peja, Berati, Shkodra e kudo tjetër gjithnjë i qeshur, i dashur. Por këtu ai shfaqet me punën dhe misionin e mësuesit në qytetin e bukur të Selanikut teksa ligjëroi gjuhën e bukur shqipe përpara fytyrave të qeshura e të virgjëra të fëmijëve shqiptarë. Derisa po shëtisnim njëherë në perëndim të diellit buzë Drinit të Zi në Strugë, Dashmiri më rrëfente për hallet dhe vështirësitë që kanë mësuesit në Greqi, të cilët nuk kishin asnjë përkujdesje as nga shteti grek jo e jo por as nga shteti amë, por që mësuesit e bënin detyrën e tyre të mësuesisë me shumë dashuri, vetëm që gjuha shqipe të jetonte dhe të mos vdiste në gojët e vogëlushëve shqiptarë, që po kërcënoheshin fuqishëm nga asimilimi pa fajin e tyre. Puna e tij pedagogjike në Shkollën Shqipe të Selanikut, është njëherit edhe guri i parë themeltar i kësaj shkolle. Ai mbajti orën e parë të saj, duke dhënë edhe emocionet e para nxënësve dhe prindërve shqiptarë përmes vargjeve të rilindësve shqiptarë dhe kështu për t’ u shndërruar edhe vetë më vonë një rilindës i kohë sonë. Para nxënësve dilte i qeshur dhe i dashur, sado ditëve të punës bënte punë të rënda fizike, për të siguruar bukën e gojës. Fliste ëmbël, butë, qartë, qetë dhe fjalët e tij tingëllonin si nota të ëmbla në një pentagram muzikor para nxënësve dhe kolegëve të tij. Por nganjëherë dinte edhe të “trazohej”. Kur, si dhe me kë? Jo me miqtë, jo me nxënësit, jo me kolegët, por me pushtetarët e Tiranës, që nuk denjuan asnjëherë të ishin pranë mësuesve të Greqisë, apo vinin vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve për të zhvatur ndonjë votë prej këtyre mërgimtarëve hallexhinj. Nuk ngurronte ndonjëherë t’ i quante edhe me emrin e vërtetë si: horra, maskarenj, të cilët jepnin ca premtime false dhe iknin. Por edhe kur ishte i zemëruar nuk nxirrte helme nga goja e tij, sado ndonjëri edhe e meritonte. Të tillëve ua mbyllte gojën urtësisht pa e prishur terezinë me fjalën dhe metaforën e bukur dhe të urtë se : “s’pyet mali me dëborë nga balta që ju doni të hidhni”. Në librin e tij Abdurahim Ashiku na e jep mikun e tij dhe mësuesin e përkushtuar Dashmir Zaçen jo vetëm me fjalë, por si një publicist i mirë që është, ai e pasuron librin edhe me fotografi nga fototeka e tij, të cilat flasin vetë sa mijëra fjalë. E shohim Dashmirin në moshë të njomë, në mesin e shokëve, në mesin e nxënësve, në ambiente shkollash, në klasa me nxënës. Dashmirin e shohim edhe me miqtë në ahengje, në shëtitje, në punë, në mesin e familjarëve të tij dhe në mesin e kolegëve, me të cilët ndau momente të jetës dhe të punës. Në libër nuk kanë mbetur pa u thënë edhe vlerësimet e miqve dhe kolegëve të tij, që i dhanë për këtë mësues të vyer e të përkushtuar, i cili mbeti një pishtar rreze drite i fëmijëve tanë në Greqi e veçanërisht i Shkollës Shqipe të Selanikut. Ku e shohim gjetiu Dashmirin? Atë e shohim te Burimi i Drinit të Bardhë, në Prekaz me vëllain e komandantit, Adem Jashari , në Prizren para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Berat duke bërë promovimin e një libri apo në Dushkajë me shkrimtarët dhe shkencëtarët bashkë. Por Dashmir Zaçen e shohim edhe duke drejtuar ndonjë seancë pune gjatë punimeve të seminarit për mësuesit e diasporës dhe me mikrofon në dorë duke dhënë mendime, pikëpamje, gjykime, vlerësime, propozime. Ai pra ishte kudo, ku e kërkonte detyra e mësuesit , poetit dhe e intelektualit. Dashmir Zaçe një jetë të tërë nuk deshi dekorata, nuk deshi lëvdata, nuk deshi mirënjohje, nuk deshi fjalë të mëdha, se ato i merrte nga gojët e njoma dhe të ëmbla të nxënësve të tij, prej të cilëve çdo fjalë shqipe ishte një mirënjohje, një trëndafil, një falënderim, një dekoratë, një përqafim, një kujtim. Edhe atëherë kur do të ikte nga kjo botë ai nuk do të donte lot, vlerësime e përgjërime:”

“Kur të iki miqtë e mi,
Më këndoni këngët e dashurisë,
Nuk dua lot e vlerësime,
Koha jonë vlerëson vetëm horrat,
Unë do të jetoj se përmendoren ia ngrita vetes,
Në zemrat e nxënësve të mi, do të mbetem kujtim,
“Kur të vij” do të thonë,
“Kemi pasur një…
Që në kurbet,
Na mësonte gjuhën e bukur të nënës…”
E unë prapë do të jem gjallë.
Kush do që ta njohë më mirë këtë mësues, le ta shfletojë librin e Abdurahim Ashikut, që është një kontribut i mirë për këtë rilindës dhe për gjithë mësuesit e diasporës shqiptare.

SYLEJMAN SALIHU

Mësues i gjuhës shqipe në diasporë

Filed Under: Mergata Tagged With: Mesuesit vullnetare, ne diaspore, Sylejman Salihu

ËSHTË KOHA TË DËGJOHEN DHE VLERËSOHEN MËSUESIT VULLNETARË TË SHQIPES NË GREQI…

July 4, 2014 by dgreca

Shënime të gazetarit në hapësirë të Seminarit të 10-të Mbarkombëtarë të Mësimit të Gjuhës Shqipe në Disaporë”, qe do te mbahet ne BERAT-29 KORRIK-1 GUSHT 2014/
Arsimtarët nga Greqia, në një numër fizikisht më të madh se sa kolegët e tyre kosovarë, numër që çdo vit rritet me hapjen e kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe tashmë që nga veriu në jug dhe që nga toka në det të Greqisë, ndjehen jetimë.
Mësuesit shqiptarë në Greqi punojnë ku mundin, në punë të zakonshme punëtori me mëditje, baza e jetesës së familjeve të tyre. Mësimin, të shtunave dhe të dielave, e bëjnë me shpirt, vullnetarisht, njëlloj siç bënin para më se një shekulli mësuesit në gjithë Shqipërinë në kushtet e pushtimit osman, si rilindës të vërtetë të gjuhës shqipe në Greqi.
Mësuesit mërgimtarë në Greqi janë e do të mbeten “RILINDËS TË KOHËS SONË” – si i ka quajtur Dritëro Agolli, patriarku i letrave shqipe dhe i fjalës së urtë.
***
Faleminderit MËSUESE, e para e mësueseve në Shkollën shqipe të Selanikut, për përgjigjen e shpejtë dhe korrekte. Veçanrisht mbyllja më mbolli mendime që nuk i shkul dot por edhe nuk i lë dot që të rriten e nxjerrin farë.
I përgjigjeshit pyetjes sime: Pse kërkoj senacë publike për mësuesit e Greqisë?…
… Siç kam shprehur dhe vite të tjera nuk më pëlqen sjellja prej viktime e grupit të Greqisë. Ne jemi një grup mësuesish që meritojmë dinjitet dhe jo lëmoshë. Bëjmë atë që dëshirojmë pa patur nevojë ndjenjat e qeverive. Bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë pa kërkuar mirënjohje nga askush. Janë miliona njerëz mbi tokë që bëjnë punë vullnetare pa bërë zhurmë.
Vitin e kaluar në Ulqin, seminarin e 9-të për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, kur një referuese nga Svicra përmendi shifrën 4 milojnë euro në dispozicion të shkollimit shqip të mërgimtarëve, u ndjeva ngushtë. Kaq ngushtë u ndjenë edhe të gjithë mësuesit shqiptarë nga Greqia. Për referuesen ishte legjitime që të fliste për “cilësi didaktike” të seminarit, cilësi që, siç theksoni ju, seminari “duhet ta ruaj këtë”. Jam i një mendje me ju kur thoni: “Unë e shoh çdo ditë sa i nevojshëm është seminari për mësuesit tanë.”
I nevojshë seminari por…ata “katër miljonët” më ngatërrojnë dhe nuk mundem ta çoj përpara mendimin tim, madje edhe të pranoj se “seminari është i nevojshëm” në kushtet e një diference midis dy pjesëmarrësve të seminarit, të atyre nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Teknoligjisë të Republikës së Kosovës dhe të atyre nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë.
Arsimtarët me të vërtetë të përkushtuar profesionalisht të Kosovës janë në kushte komode në seminar. Kanë pagë mësuesi të sigurt në shtetet ku japin mësim. Janë të siguruar në të gjithë drejtimet deri në daljen në pension si mësues. Janë të ligjëruar si mësues dhe janë pjesë në amzën e Ministrisë së Arsimit dhe Teknologjisë së Kosovës. Në seminare vijnë në pushimet e verës, pushime të paguara nga shteti nga vijnë.
Arsimtarët nga Greqia, në një numër fizikisht më të madh se sa kolegët e tyre kosovarë, numër që çdo vit rritet me hapjen e kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe tashmë që nga veriu në jug dhe që nga toka në det të Greqisë, ndjehen jetimë.
Mësuesit shqiptarë në Greqi punojnë ku mundin, në punë të zakonshme punëtori me mëditje, baza e jetesës së familjeve të tyre. Mësimin, të shtunave dhe të dielave, e bëjnë me shpirt, vullnetarisht, njëlloj siç bënin para më se një shekulli mësuesit në gjithë Shqipërinë në kushtet e pushtimit osman, si rilindës të vërtetë të gjuhës shqipe në Greqi. Ka më se trembëdhjetë vjet nga 7 marsi 2001 kur u hap Shkolla Shqipe e Selanikut. Numrohen më se njëmijë nxënës që kanë mësuar të shkruajnë e lexojnë gjuhën shqipe në Selanik e Janica. Kanë dhënë mësim ndër vite 21 mësues.
Dua t’ju pyes ju që jeni e para e kësaj shkolle: Sa herë kanë ardhur në Selanik, kanë hyrë në një klasë ku jepet mësim shqip, kanë bërë vrejtjet e veta për anën metodike të dërguar të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë? Sa nga këta 21 mësues janë vlerësuar me thjesht një “Fletë nderi” për mos me thënë me tituj të tjerë deri në titullin “Mësues i merituar” etj. nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe e shtetit shqiptar? Sa nga mësuesit e Selanikut (dhe të gjithë Greqisë) janë në amzën e Ministrisë së Arsimit dhe kanë dosjen e tyre si mësues në këtë institucion përgjegjës me kushtetutë (Nei 8/3- “Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjen me trashigiminë kulturore kombëtare” dhe Neni 57/1 “Kushdo ka të drejtën për arsim”) ?
Dhe një pyetje tjetër rutinë:
Sa herë gjatë këtyre 13 vjetëve që jepni me përkushtim heroik mësim në Selanik ke marrë, në ditë të shënuara të Arsimit Shqiptar, 7 Mars dhe fillimin e vitit shkollor, ndonjë urim nga Ministri/a e Arsimit të Republikës së Shqipërisë?
Për të vazhduar më tej: Sa herë ke parë qoftë edhe një rresht të vetëm të përmenden mësuesit shqiptarë në mërgim në përshëndetjet me gojë e me shkrim të ministrit/es së Arsimit të Shqipërisë në fillimvitet shkollorë?
Dhe më tej: Sa herë në 7 seminaret që mësuesit shqiptarë në Greqi kanë zhvilluar gjatë 7 vjetëve ka ardhur ndonjë përfaqësues i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë që të dëgjojë e shikojë ecurinë e mësimit të gjuhës shqipe nga mësuesit dhe nxënësit shqiptarë në Greqi?
Dhe më e papranueshmja: Sa herë është përcjellë nga titullari i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë thjesht një përshëndetje me adresë Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Greqi me urimin “Punë të mbarë seminarit…” ?
Ju e nderuar mësuese e parë e gjuhës shqipe në Greqi, thoni: “Nuk më pëlqen sjellja prej viktime e grupit të Greqisë”
Mësuesit mërgimtarë në Greqi nuk janë viktimë. Ata janë e do të mbeten “RILINDËS TË KOHËS SONË” – si i ka quajtur Dritëro Agolli, patriarku i letrave shqipe dhe i fjalës së urtë.
Dhe siç vazhdoni më tej… Ne jemi një grup mësuesish që meritojmë dinjitet dhe jo lëmoshë. Bëjmë atë që dëshirojmë pa patur nevojë ndjenjat e qeverive. Bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë pa kërkuar mirënjohje nga askush.
Unë kërkova zyrtarisht që në programin e seminarit të dhjetë mbarëkombëtar për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë (që këtë vit do të zhvillohet në Berat) të krijohet një hapësirë prej dy orësh për të paraqitur dëshminë historike “Shkolla shqipe e Selanikut” dhe filmin dokumentar “Një mësuese e shqipes në dy ishuj të Egjeut”. Në libër dhe në dokumentar përcillen vlerat e mësuesve por edhe problemet e gjuhës shqipe në mërgimin grek. Një prezantim brenda karrikeve të seminarit, si edhe në rastet e tjera vëzhguar nga të gjithë pjesëmarrësit në seminare gjatë këtyre viteve, për mua mbetet i mbyllur në harresë. Një prezantim në publik, prezantim në qytetin e Beratit, do të ngjallte kërshërinë e medias dhe të shoqërisë shqiptare për fenomenin e jashtzakonshëm për kohën tonë: “Mësimin në mënyrë vullnetare, pa tekste mësimorë, pa ndihmë metodike zyrtare, pa shpërblim, madje nën kërcënimin e segmenteve atavikë të djegies në zjarr të gjuhës shqipe”.
Në kërkesën time theksoja se një gjë e tillë do të tërheqë vemendjen e bisnesmenëve të cilët mund të japin ndihmë.
Kjo nuk është lëmoshë…
Në librin “Shkolla shqipe e Selanikut”, një kapitull i tërë (faqe 195-209) ka si kryetitull “DHURO NJË ABETARE”, thirrje e mësueses Anila Jole, e përkrahur nga të gjithë mësuesit e Selanikut, thirrje që zgjoi interesin e shumë individëve e bisneseve në mbarë Shqipërinë dhe solli 300 libra dhuratë për fëmijët që mësojnë të shkruajnë e lexojnë gjuhën e nënës në Selanik dhe Janica.
Këtë duhet ta bënte Ministria e jonë e Arsimit. Nuk them se absolutisht nuk e ka bërë në këto 13 vite mësim të gjuhës shqipe në Greqi. E ka bërë në pak raste nëpërmjet dërgimit të abetareve me adresë të dy konsullatave (Janinë dhe Selanik) dhe Ambasadës në Athinë, por shumë me vonesë, me shumë përtesë, pas shumë thirrjesh publike.
Ju respektoj si jeri dhe si mësuese, madje më erdhi mirë kur të pashë të protestoje me bojkotim të seminarit të Beratit për arsyen (banale do ta quaja) pse Ministria e Arsimit nuk u pagoi mësuesve biletat e udhëtimit nga Greqia në Tiranë (rreth 50 euro secilit dhe në total më pak se 1500 euro) në kuadrin e seminarit të Ulqinit. Me ju u bashkuan edhe katër mësues nga Italia. U bashkova edhe unë në një shkrim publik në shtypin shqiptar përcjellë edhe në adresë të Ministres së Arsimit dhe të Sporteve të Republikës së Shqipërisë. Nuk vonoi që të konfirmohet nga ana e Kryetarit të Lidhjes së Mësuesve të Greqisë se paratë e biletave të udhëtimit do të paguhen.
Kjo nuk është lëmoshë, është të qëndrosh në këmbë në të drejtën tënde, me kokën lart.
E çfarë do të humbë një mësuese që punon me mish e me shpirt, sakrifikon pushimet e fundëjavës, le në harresë familjen, fëmijët e moshës foshnjore, humbet ditët e punës thjesht për tu mësuar fëmijëve të komunitetit ku jeton të shkruajnë e lexojnë shqip, përveçëse “prangat” që shteti, me harresën që i bën një komuniteti fëmijësh sa një e katërta e fëmijëve shqiptarë në Shqipëri, ua ka vënë në duar e shpirt?
Ju më shkruani…
Ne jemi një grup mësuesish që meritojmë dinjitet dhe jo lëmoshë. Bëjmë atë që dëshirojmë pa patur nevojë ndjenjat e qeverive. Bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë pa kërkuar mirënjohje nga askush. Janë miliona njerëz mbi tokë që bëjnë punë vullnetare pa bërë zhurmë.
Një shkenctar natyralist, rreth dy shekuj më parë, deklaronte…”Ne nuk duhet të presim lëmoshë nga natyra, t’ia rrëmbejmë asaj – kjo është detyra jonë”!
Në seminarin e Beratit mësuesit e Greqisë duhet të shkojnë të bashkuar jo për lëmoshë por për të marrë atë që u takon…
Shteti ynë nuk duhet të mësohet me atë që thoni ju me modestinë e emrit që mbani në mësimin e gjuhës shqipe në Selanik, “Shoqata Nëna Terezë” … Janë miliona njerëz mbi tokë që bëjnë punë vullnetare pa bërë zhurmë.
Nuk duhet të mësohet…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 1 korrik 2014

Filed Under: Mergata Tagged With: Abdurahim Ashiku, Mesuesit vullnetare, ne Greqi, te vleresohen

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT