Edi Paloka: Dorhiqu Meta! “Kupola e mafies është këtu mbrapa”!/
Ilir Meta: Doshi, deputet I PD. Bejeni kryetar!/
Berisha: Ky parlament sot ngjet si një zonë krimi./
Deputetët e Partisë Demokratike kanë mbërritur me gjysmë ore vonesë në seancën e radhës të ditës së enjte, pas mbledhjes së grupit parlamentar.
Që në nisje të diskutimit, kryetari i grupit të PD, Edi Paloka, kërkoi dorëheqjen e Ilir Metës si kryetar i Kuvendit.
Demokratët thonë se nuk do kërkojnë asgjë tjetër përveç shkarkimit të Metës.
“Kupola e mafies është këtu mbrapa,” tha Paloka.
Meta u përgjigj duke thënë se e ka firmosur kërkesën për shkarkim dhe ajo do të shqyrtohet.
“Është turp që qendron akoma në atë karrige. Jep dorëheqjen dhe dil përpara drejtësisë,” tha Paloka, duke shtuar se Doshi e ka akuzuar për vrasjen e tij.
Meta tha se Doshi tashmë është një deputet i PD.
“Mund ta bëni edhe kryetar,” tha Meta.
Pas shkëmbimit të akuzave, deputetët e PD u ngritën në këmbë, duke bllokuar foltoren.
“Zoti Beqja, lajmëroni urgjencën dhe shërbimin e shëndetit mendor,” tha Meta, duke ndërprerë seancën.
Fjalën e mori edhe ish- kryeministri Sali Berisha, që tha se e dinte skenarin për vrasjen e Tom Doshit para tre muajsh.
“Ky parlament sot ngjet si një zonë krimi. Për fatin tonë të keq dhe të qytetarëve shqiptarë, në këtë parlament nuk flitet gjë tjetër veçse krim, krim dhe vetëm krim. Unë kisha denoncuar disa herë tentativën për eliminimin e Tom Doshit,” tha Berisha.
“Nëse ka ndonjë njeri që ka qenë më agresiv ndaj Tom Doshit, ky është Sali Berisha. Por Sali Berisha është i ligjit. Nuk kërkoj kurrë përveç ligjit asgjë tjetër. Afera e vrasjes ishte mes jush dhe ju nuk po e mbyllni,” vijoi Berisha.
“Kur e dije prej tre muajsh, pse nuk e denoncove,” deklaroi Meta.
“E nise si lider demokracie, po e përfundon si aksioner pularie,” tha Meta, duke shtuar se Berisha mezi po priste vrasjen brenda mazhorancës.
Duke iu përgjigjur kërkesës së Sali Berishës për të dhënë dorëheqjen, pasi ka “porositur vrasjen e Tom Doshit”, Meta tha: “Për Shkëlzen Berishën e kam dhënë njëherë dorëheqjen, nuk e jap dy herë”.
“Mos u bëj pjesë e komplotit të pularisë me Tom Doshin dhe Dritan Priftin,” tha Meta.
“Shkëlzeni ishte në video me Dritan Priftin,” tha Meta.
“Kjo alibi që kërkon është e turpshme. Tom Doshin e merrje me helikopter qeveritar ti. Mos e ço vendin drejt atyre situatave që nuk duhet të shkojë,” tha Berisha.
EURODEPUTETI TAKOI FILLIMISHT OPOZITEN
Kukan në Tiranë: Të vendoset dialogu politik, i rëndësishëm drejt rrugës së BE/
Ka përfunduar takimi mes eurodeputetit, Eduart Kukan dhe kryetari të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për vendosjen e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës dhe thyerjes së bojkotit opozitar.
Eurodeputetit, Eduart Kukan u takua sot në mëngjes me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të gjetur një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për ta kthyer opozitën në Kuvend.
Eduart Kukan pas takimit me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha dha një prononcim për mediat dhe u shpreh se “kam ardhur sot të vijoi punën e kolegut tim, z. Flenkeshtein për të rivendosur dialogun politik në Shqipëri që është shumë i rëndësishëm për të zhvilluar një politikë evropianë të suksesshme”.
“Jemi në diskutime”, është përgjigjur Kukan, pyetjes së drejtuar nga gazetarët përsa i përket bojkotit të opozitës.
Meta pas takimit me Kukan: Opozita e mirëpritur; të vendosur për gjithëpërfshirje
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u takua të hënën me eurodeputetin e Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri duke ndarë bindjen e përbashkët se të gjitha institucionet demokratike në vend duhet të funksionojnë përmes parimeve të pjesëmarrjes, dialogut dhe bashkëpunimit politik.
Në këtë kuadër u vlerësua angazhimi dhe mbështetja e eurodeputetëve dhe PE-së, veçanërisht e dy grupeve të mëdha europarlamentare të Partive Popullore Evropiane (EPP) dhe Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D). Pas takimit, kryeparlamentari tha se opozita është e mirëpritur të kthehet në parlament, pasi tashmë janë plotësuar të gjitha kërkesat kryesore të saj, përfshi dhe ato që synojnë funksionimin më demokratik dhe transparent të parlamentit.
“Besoj se janë plotësuar të gjitha kërkesat kryesore të opozitës, si dhe çdo kërkesë e saj që synon një funksionim më demokratik dhe transparent të Kuvendit. Opozita ka qenë dhe mbetet gjithmonë e mirëpritur dhe ne jemi të vendosur për transparencë dhe gjithëpërfshirje. Ajo është e mirëpritur në çdo moment për të përmbushur rolin dhe funksionet e saj në parlament dhe do të shpresoja shumë që kjo të ndodhte para Krishtlindjeve”, u shpreh kreu i Kuvendit në prononcimin e tij për gazetarët.
.
I pyetur nëse kthimi i deputetëve të opozitës lidhet me djegien e mandateve, kryeparlamentari u përgjigj se nuk është momenti të flasim për këtë, por duhet të flasim për përfshirje dhe dialog.
“Këtu nuk flitet thjesht për të evituar një djegie mandatesh, por për ta ndarë njëherë e mirë politikën tonë nga fryma e bojkotit dhe e konfliktit. Ne na duhet të krijojmë një traditë të qëndrueshme të një demokracie funksionale dhe të një dialogu funksional për realizimin e reformave që kërkon vendi. Fakti që kemi angazhimin e dy eurodeputetëve të njohur tregon se ka një vëmendje ndërkombëtare për të mbështetur rivendosjen e dialogut politik në vend. Dhe unë shpresoj që ky angazhim i eurodeputetëve Kukan dhe Fleckenstein të jetë i suksesshëm dhe kjo është mjaft pozitive”, nënvizoi Ilir Meta.
I pyetur nga gazetarët se ende politika shqiptare vazhdon të ‘mbikëqyret’ nga ndërkombëtarët, edhe pas 25 vitesh pluralizëm politik, ai u përgjigj se ‘kjo nuk është çështje mbikëqyrje, por çështje standardesh”.
“Ne kemi bërë një zgjedhje për t’u integruar plotësisht në Bashkimin Europian dhe ky bashkëpunim me BE-në më duket i natyrshëm dhe në fund të fundit e rëndësishme është të ecet përpara drejt një dialogu të qëndrueshëm e afatgjatë që e ndihmon Shqipërinë të përmbushë më shpejt standardet e saj drejt BE-së”, the kreu i Kuvendit.
Eurodeputeti Eduard Kukan, i mandatuar nga grupimi i së djathtës në Parlamentin Europian, ndodhet në Tiranë në kuadër të misionit të faktorit ndërkombëtar për të ndërmjetësur rikthimin e opozitës në Kuvend.
Axhenda e tij nisi me takimin me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të vijuar më pas me takimin me kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Meta.
Shteti bashke- Nishani, Rama, Meta në homazhet për 70-vjetorin e Çlirimit
Krerët më të lartë të shtetit kanë zhvilluar homazhet në varrezat e dëshmorëve me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit të vendit. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, kreu i kuvendit, Ilir Meta dhe kreu i qeverisë, Edi Rama nderuan sot dëshmorët e atdheut që dhanë jetën në luftën ndaj pushtuesit fashist.
Në homazhet, ku merrnin pjesë edhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar e të afërm të dëshmorëve, ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në vendin tonë Alexandër Arvizu.
Ndërkohë , opozita ashtu siç bën tashmë prej shumë vitesh festoi dje, më 28 Nëntor, ditën e pavarësisë dhe Çlirimit në të njëjtën ditë.
Me rastin e 29 Nëntorit, ditës së Çlirimit të vendit janë parashikuar një sërë aktivitetesh, nga qeveria dhe bashkia e Tiranës, aktivitete që do kulmojnë me koncertin e madh festiv në sheshin “Nënë Tereza” që do të hapë “Natën e Bardhë”. . Vetë kryeministri Edi Rama e nisi ditën me një urim në Twitter për të gjithë shqiptarët.
“Gezuar te gjitheve 29 nentorin ne kete 70 vjetor te çlirimit te Shqiperise!”, ka shkruar Rama.
Nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, homazhe më 28 dhe 29 Nëntor për Çlirimin
Në homazhet e zhvilluara paraditen sotme në Varrezat e Dëshmorëve ka rënë në sy pjesëmarrja e nënkryetares së bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi.
Xhindi mori pjese në homazhet e zhvilluara nga opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, dje më 28 nëntor për festën e pavarësisë dhe Çlirimit në varrezat e dëshmorëve, ndërsa sot i është bashkuar homazheve të zhvilluara nga qeveria për këtë ditë të shënuar për vendin.
Opozita:Parlamenti të ndërpresë ‘ofensivën’ ndaj institucioneve të pavarura
Përfaqësues të opozitës kërkuan të mërkurën që parlamenti të kthehet në rolin e vet kushtetues dhe të ndërpresë ’ofensivën’ ndaj institucioneve të pavarura.
Mesditën e sotme u mblodh Konferenca e Kryetarëve për miratimin e kalendarit trejavor të radhës të punimeve të Kuvendit. Pas mbledhjes, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, tha se parlamenti duhet të kthehet në rolin e vet kushtetues dhe kontrollues, që qeveria të japë llogari para parlamentit dhe jo parlamenti të kthehet në noter të qeverisë.
Sipas Halimit “kapja e institucioneve, që janë aty për të kontrolluar qeverinë, synon ta kthejë vendin në një çiflig të pronarëve Rama-Meta me qëllim që qytetarët të mos shohin dhe të mos mos kenë kujt t’i kërkojnë llogari”.
“Ky është një qëndrim antikushtetues i këtij parlamenti dhe për sa kohë nuk pati asnjë reflektim nga maxhoranca lidhur me këtë kërkesë të opozitës, kjo e fundit u largua nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve pa e miratuar kalendarin e punimeve”.
Opozita pretendon se parlamenti nuk është në një situatë normale, sa i takon pavarësisë së institucioneve.
“Kapja e tyre do të thotë tronditje e themelit të kushtetutës së vendit. Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) është aty që të kontrollojë pasuritë, por në rast se qeveria e merr nën sqetull drejtuesin e këtij institucioni, atëhere vendi nuk shkon drejt reformave të BE-së. Ne i kërkuam parlamentit të ndërpresë ofensivën ndaj institucioneve të pavarura që kontrollojnë qeverinë, të ndërpresë ofensivën ndaj AMA-s dhe ndaj SHISH, si dhe ndaj institucioneve të tjera. Nuk mund të ketë parlament normal në rast se nuk kthehet kushtetueshmëria ndaj institucionit të ILDKP-së, për të cilin është bërë debati në parlament”, tha Halimi.
Ai pohoi se opozita do të vazhdojë të jetë në parlament për t’iu bërë të ditur qytetarëve se çështja e respektimit të institucioneve të pavarura do të jetë pikë kryesore e axhendës parlamentare.