• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MIC SOKOLI, NË PIEDESTANIN E NDERIT DHE TË LAVIDSË SHQIPTARE…

April 30, 2015 by dgreca

Në përvjetorin e rënies/
Shkruan: Prof. Murat Gecaj/
Mic Sokoli nji fjalë po e flet,/
i thuej nanës: ti, mirëmbetësh!/
Pa u farue Malësia krejt/
këtu nuk hyn krajl as mbret!…/
Beteja e përgjakshme dhe legjendare e Slivovës, e fundprillit të vitit 1881, kundër pushtuesve shekullorë osmanë, e ngriti në piedestalin e nderit dhe të lavdisë shqiptare, birin e paharruar të Bujanit të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), Mic Sokol Rama. Po cili ishte ai kryetrim, që e mbylli me gjosin e tij, pa u trembur aspak, grykën e topit armik, i cili villte zjarr mbi luftëtarët tanë të lirisë?
***
Në të djathtë të rrjedhës së lumit të Valbonës, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), kalimtarëve u bie në sy një shtëpi karakteristike. Ajo është Kulla e njohur e “Heroit të Popullit” Mic Sokoli, trimit të rrallë të atyre anëve, i cili me aktin e tij mbeti i paharruar dhe i skalitur me shkronja ari, në faqet e lavdishme të historisë së brezave.
Kishte lindur në fshatin Bujan, më 1839, në një familje me tradita të shquara atdhetare. Babai i tij, Sokol Rama dhe xhaxhai, Binak Alia, ishin dalluar si udhëheqës popullorë në kryengritjet e pandërprera antiosmane. Edhe Mici, qyshë në moshën 16-vjeçare u rendit përkrah forcave popullore, në luftë kundër pushtuesve serbo-malazëzë. Siç tregojnë dokumentet arkivore, kangët popullore dhe dëshmitarët e asaj kohe, ai mori pjesë në beteja të shumta, duke lënë kudo gjurmët e trimërisë dhe të guximit.
Në vitin 1862, Malësinë e Gjakovës e sulmuan afër 12 batalione osmane, të komanduara nga Mehmet Ali Pasha. Ishin të armatosur deri në dhëmbë e të pajisur me topa malorë. Ndër trimat malësorë, që u përballën me armiqtë pushtues, ishte dhe Mic Sokoli i ri. Vargjet e këngës popullore dëshmojnë më së miri këtë gjë:
Mic Sokoli n’ armë të bardha,
vendin Pashës s’ mun’ ia fala,
n’ ujë e mbyta e armët ia ndala!
Ndërsa, duke përmendur betejat e mëvonshme, rapsodi popullor thotë:
Mic Sokoli n’ dy tagana,
-udhë e mbarë,- m’i ka thanë nana;
lufto bir-o për Shqipni,
mos i le turqit me hy!
Përgjigja e kryetrimit ishte e tillë, sa mbeti përbetim i shqiptarëve në roje të tokës amtare:
Mic Sokoli nji fjalë po e flet,
i thuej nanës: ti, mirëmbetësh!
Pa u farue Malësia krejt,
këtu nuk hyn krajl as mbret!
Ndër aktet kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte dhe krijimi i ushtrisë kombëtare. Me këtë rast, nën komandën e Mic Sokolit, në Malësinë e Gjakovës u formua një batalion i posaçëm, që shërbeu si gardë e këtij Kuvendi historik. Kongresi famëkeq i Berlinit vendosi t’i jepeshin Malit të Zi tokat shqiptare të Plavës e Gucisë. Por kjo shënoi protesta të fuqishme mbarëpopullore. Në luftimet e zhvilluara, mbeti i plagosur djaloshi malësor Mic Sokoli, i cili nuk donte të kuptohej nga armiqtë dhe kërkonte ruba (fasho) për t’i lidhur plagët:
Sillni rubat, t’i lidhi varrët,
t’ lidhi varrët e ta shtërngoj shtatin,
mos t’ ma shohi asqeri gjakun…
Për t’i nënshtruar shqiptarët, Porta e Lartë dërgoi në Kosovë e në malësitë e Veriut mareshallin Ali pashë Maxhari. Po trimat shqiptarë ishin të vendosur që ta bënin “dekën si me le”. Me prijësit e shquar në ballë, si Mic Sokoli, Ali Ibra, Haxhi Zeka, Binak Alia etj., ata bënë betimin që:
Tokën e të parëve mos m’e dhanë,
pa u mbushë vorre anë e mbanë!
Malësorët trima vërshuan drejt Gjakovës, ku ishte vendosur komanda e ushtrisë armike dhe iu shkaktuan atyre dëme të mëdha, në njerëz e armatime. Me gjithë masat e ashpra, që po merrnin ndaj shqiptarëve, ata nuk nënshtroheshin. Përsëri Porta e Lartë nisi një gjeneral tjetër gjakatar, Dervish Pashën, në krye të një ushtrie të madhe. Ndërkaq, në Malësine e Gjakovës komandantët trima, si Mic Sokoli, Ali Ibra etj., dhanë kushtrimin e përgjithshëm, me thirrjen: “Në shtatë e në shtatëdhjetë, për mbrojtjen e vatanit!’ Kënga popullore bëhet dëshmitare me vargjet:
Mic Sokoli po bërtet,
Ali Ibrës po m’i thërret:
-Merr’ bajraqet e hajde shpejt!
Më tepër se 3 mijë luftatarë malësorë u sulën drejt Slivovës. Kurse konandantët armiqë, siç dëshmon kënga popullore, pyesnin:
Ku i ka çadrat Mic Sokoli,
ku i ka çadrat, ku i ka t’ parët?/
M’ ka çue mbreti me ja çartë.
Me ja çartë m’ ka çue mbreti,
se don me kenë krejt në veti!
Pra, qëllimi i tyre ishte ta dëmtonin sa më shumë Mic Sokolin dhe forcat e tij, pasi këta donin të ishin të lirë e të pavarur. Në këto kushte, në ballë të sulmeve armike, luftëtarët e Malësisë së Gjakovës u vendosën në Grykën e Carralevës, me Mic Sokolin në ballë. Betejë e përgjakshme u zhvillua sidomos më 22 prill 1881. Luftime me armë, përleshje trup me trup. U plagosën rëndë Sulejman Vokshi, Ali Ibra etj. Në këtë kohë, Mic Sokoli printe përpara, përmes një shtegu, në ballë të luftëtarëve. Predhat armike e ndriçonin vendin për rreth. Një top i markës “Krup” villte zjarr papushim, nga një kodër përballë Grykës së Carralevës. U vranë e u plagosën disa shqiptarë. Mori plagë në trup edhe Mic Sokoli, por nuk tërhiqej.
Kënga popullore bëhet dëshmitare e atij akti tragjik, por dhe heroik e i rrallë në histori:
Mic Sokoli ban me dorë:
-Bini, shokë, se s’ mujë me folë,
se m’ ka ra do gjak në gojë;
se m’ ka ra do gjak në bark,
shtatë martine i kam në shtat…
Më tej, kënga jep një dëshmi tjetër nga ajo përleshje, për jetë a vdekje:
Man Avdia bveti (pyeti) fisin:
-A m’i patë Zmajlin e Micin?
– Fyt për fyt-o me Dervishin!…
Si një ortek mali, megjithëse me shtatë plagë në trup, Mic Sokoli iu sul me furi topit armik. Donte ta shuante atë, mos ta lente t’i vriste bashkëluftatarët dhe kështu t’u jepte atyre zemër, për t’i thyer me çdo kusht armiqtë. Me gjoksin e tij vigan e mbylli grykën e atij topi, i cili villte zjarr e hekur. Simbol i heroizimit tonë mbarëpopullor, në luftërat për pavarësi e liri, Mic Sokoli ra, për të mbetur i përjetshëm. I frymëzuar nga akti i tij legjendar, duke dashur të përmbledhë të gjithë atdhetarizmin e brezave, rapsodi popullor thuri vargjet lapidar: “Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola!…”.Ai mbeti pwrherw nw piedestalin e nderit dhe tw lavdisw shqiptare.
Tiranë, 29 prill 2015

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: Mic Sokoli, Murat Gecaj, pervjetori

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT