• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Miku i shqiptarëve, Eliot Engel, në krye të politikës së jashtme të Kongresit Amerikan

November 14, 2018 by dgreca

 

321

Nga Harry Bajraktari*/

Përmbysja më e madhe në zgjedhjet e 6 Nëntorit 2018 ishte vendosja përsëri nën kontrollin e Partisë Demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan.

Tani pushteti legjislativ në Washington është ndarë. Republikanët kanë Senatin; Demokratët Dhomën e Përfaqësuesve. Presidenti Donald Trump ka premtuar se do të bashkëpunojë me shumicën e re demokrate në Kongres. Mirëpo, mbetet për t’u parë nëse ndarja e pushteteve do të krijojë më shumë bashkëpunim apo konflikt në Washington.

Për shqiptarët ky ndryshim shënon një moment tjetër historik. Me fitoren e Demokratëve, një figurë që shqiptarët e njohin shumë mirë, kongresisti Eliot Engel, do të bëhet kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës në Kongresin Amerikan.

Kjo do të vendosë në postin e fuqishëm të politikës së jashtme në Capitol Hill, një njeri i cili prej 30 vitesh punon pa u lodhur për çështjen shqiptare, për Shqipërinë, Kosovën, për shqiptarët kudo që jetojnë, për paqen dhe demokracinë në Ballkan.

Nga detyra e re, ai do të ketë më shumë fuqi e mundësi për të na ndihmuar në punën tonë.

Engel ka një përvojë të gjatë në këtë Komitet. Dikur, në vitet e 90-ta, në bashkëpunim me pararendësin e tij republikan nga Nju Jorku, në krye të këtij Komiteti, Ben Gilman, ai organizoi të parën seancë dëgjimore të Komitetit kushtuar tërësisht Kosovës.

Tani që do të jetë vetë kryetar i këtij Komiteti të fuqishëm, Engel nuk do të ketë nevojë t’i lutet dikujt tjetër për të vendosur temat shqiptare në kalendarin e punës të Komitetit.

Sigurisht, pjesa më e madhe e punës për një kauzë nuk bëhet në seanca dëgjimore. Nga posti i ri, Engel do të ketë fuqi më të madhe kur lobon për Shqipërinë, Kosovën e për shqiptarët. Që tani zyra e tij është angazhuar në lobimin për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Komiteti mund të kërkojë për shembull më shumë qartësi nga Departamenti i Shtetit për qendrimet amerikane lidhur me bisedimet e fundit Kosovë-Serbi etj.

Duhet të kuptojmë që SHBA ka shumë angazhime në botë. Komiteti i ri, me përbërjen e re, do të ketë prioritete të tjera më të mëdha, e globale. Marrëdhëniet me Kinën, me Rusinë, me Iranin, Korenë e Veriut e Lindjen e Mesme etj. Disa nga problemet e mëdha reflektohen edhe në Ballkan, po rajoni mbetet anësor në politikën e jashtme amerikane.

Të paktën, me Engelin në krye të Komitetit, ne sigurohemi se çështjet që u interesojnë shqiptarëve nuk do të lihen në harresë dhe që SHBA nuk do ta largojë vëmendjen nga rajoni ynë.

Në SHBA, sipas Kushtetutës, Presidenti merr vendimet, po kuletën e mban Kongresi. SHBA ka nismat dhe qendrimet e saj të politikës së jashtme, po financimi i tyre varet nga Kongresi dhe çdo gjë nis në Komitetin e Punëve të Jashtme.

Komiteti që do të drejtojë Engel është përgjegjës për kontrollin dhe legjislacionin për ndihmën e jashtme (përfshi edhe programin MCC ku me ndihmën e kongresistit Engel është përfshirë edhe Kosova si dhe dhjetëra programe të tjera ndihmëse).

Disa nga përgjegjësitë e Komitetit janë edhe financimi i operacioneve paqeruajtëse, përfshi edhe praninë ushtarake në Kosovë, projektet ushtarake në Shqipëri, financimet lidhur me dislokimin e trupave amerikane, agjensi të fuqishme si USAID, Akti për Eksportimin e Armëve, Akti për Ndihmën e Jashtme e legjislacione të tjera që kanë të bëjnë me promovimin e demokracisë, zbatimit të të drejtës ndërkombëtare, etj.

Marrëdhëniet me OKB-në dhe organizata e institucione të tjera ndërkombëtare, janë gjithashtu prerogativë të Kongresit si dhe komiteteve të punëve të jashtme në Dhomë dhe në Senat, ndonëse për shumë nga këto puna e kërkon bashkëpunimin me Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit.

Ne jemi me fat që në krye të këtij Komiteti me ndikim të madh tani do të jetë miku ynë, Eliot Engel.

Më kujtohet 30 vjet më parë, kur i mërzitur nga zhvillimet në Kosovë, trokita në derën e zyrës së tij në Nju Jork, për t’i folur për Kosovën. Eliot Engel sapo ishte zgjedhur në Kongres, nuk dinte asgjë për Kosovën dhe ishte anëtari më i ri i Komitetit të Punëve të Jashtme, në krye të të cilit do të vihet tani.

Qysh atëhere nisi mes nesh një rrugë e gjatë bashkëpunimi po edhe miqësie personale.

Kosova në atë kohë sapo kishte humbur autonominë në kuadrin e Jugosllavisë. Por vetë Jugosllavia po shpërbëhej e bashkë me rënien e saj u ringrit shpresa jonë historike për liri e pavarësi.

Me Eliot Engelin kemi sjellë udhëheqësit e Kosovës në Washington, kemi bashkëpunuar për rezoluta në Kongres, kemi lobuar Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, zyrtarë jo vetëm amerikanë po të të gjitha vendeve të botës.

Ai hapi të ashtuquajturën Zyrën Amerikane në Prishtinë, duke ngritur flamurin amerikan, në 1996, në zemër të pushtimit serb duke u dhënë guxim dhe besim shqiptarëve të Kosovës. Ka ndikuar në vendimin e Presidentit Bill Clinton për të ndërhyrë ushtarakisht në krye të NATO-s duke çliruar Kosovën.

Bashkë kemi vizituar Kosovën menjëherë pas çlirimit duke parë me lot në sy tokën e të parëve të mi, për herë të parë të lirë. Me vete kishim një legjendë shqiptaro-amerikane, Anthony Athanas, e figura të tjera të komunitetit më të cilët kishim punuar së bashku. Shqiptarët e Amerikës meritojnë respektin e historisë kombëtare shqiptare për çfarë kanë bërë në këto vite.

Engel ishte lobuesi ynë më i madh për sigurimin e mbështetjes amerikane për pavarësinë e Kosovës. Ndonëse ai ishte demokrat dhe George W. Bush ishte republikan, ai la mënjanë ndarjet partiake për të na ndihmuar. Kështu ka vepruar e do të veprojë tani edhe në postin e ri.

Për mua është një nder e krenari që e kam njohur e punuar bashkë me të. Ashtu ndihen edhe shumë miq të mi shqiptaro-amerikanë. Le t’i urojmë mikut tonë një punë të mbarë në këtë post historik dhe urojmë që të shënojë një kapitull të ri të ndritur në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Zoti e bekoftë kongresistin Engel! Zoti e bekoftë popullin shqiptar! Zoti e bekoftë popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

*Autori është veprimtar dhe bisnesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

 

New York, 2018

Filed Under: Featured Tagged With: Eliot Engel, harry bajraktari, MIKU I SHQIPTAREVE, në krye të politikës së jashtme, te Kongresit Amerikan

HARRY T. FULTZ, HUMANISTI DHE DHE MIKU I SHQIPËRISË

August 22, 2018 by dgreca

1 hfultz

ME RASTIN E DITËS HUMANITARE BOTËRORE KUJTOJMË HUMANISTIN E MADH DHE MIKUN E SHQIPËRISË, AMERIKANIN DR. HARRY T. FULTZ/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli

Të djelën që kaloi më 19 gusht Kombet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar shënuan Ditën Humanitare Botërore, në kujtim të angazhimit dhe dedikimit të puntorëve dhe zytarëve kombëtarë e ndërkombëtarë që merren me çështjet humanitare, duke u shkuar në ndihmë njerëzve më në nevojë të botës, ndërkohë që në shërbim të të tjerëve rrezikojnë çdo gjë, përfshir edhe jetën e tyre.

Në kujtim të kësaj dite, Sekretari Amerikan i shtetit, Michael Pompeo lëshoi një deklaratë në të cilën vuri u shpreh se Shtetet e Bashkuara kanë një histori të dalluar për të ndihmuar njerzit në nevojë dhe në kushte të vështira jetese, qoftë për shkak të konflikteve, tragjedive natyrore ose të tjera duke shpërndarë ndihma humanitare, përfshirë ushqime, strehim, arsim, shëndetësi e të tjera për miliona veta anë e mbanë botës dhe për një histori të gjatë veprimi ç’prej fillimit të shekullit të kaluar.

Në këtë Ditë të humanizmit ndërkombëtar, le të kujtojmë humanistin e madh amerikan, Dr. Harry Fultz-in, i cili nga viti 1922 e deri më 1933 ai drejtoi në Shqipëri Shkollën Teknike, të njohur për atë kohë dhe sot.  Duhet shënuar se Kryqi i Kuq Amerikan, nën drejtimin e Dr. Fulzit-it, për të gjithë ata që e kanë mbajtur mend, e disa prej të cilëve më kanë thënë se ishte me të vërtetë një ent shumë humanitar për shqiptaët e asaj, sidomos nga këndveshtrimi i sotëm edukues, ekonomik dhe shoqëror. Ai kishte vajtur në Shqipëri në një kohë kur Shqipëria ishte e izoluar, e pa njohur dhe tejet e varfër. Nga ato pak shkrime që kam lexuar për të, e dinte mirë Fultz-i se ku po shkonte dhe e dinte gjlndjen e mjeruar në të cilën gj[ëndej cvendi, në çdo pikëpamje. Por ai me shpirtin e një humanisti të vërtetë, nuk ngurroi, por me një frymë si të një apostulli iu përvesh punës për të kryer misjonin e tij. Ai e kishte vendosur, sipas kujtimeve të disave, që më vuajtje dhe megjith sfidat e papara, të harxhonte të gjitha forcën dhe të ndërmerrte të gjitha përpjekjet  e nevojshme ta bënte Shqipërinë një vend më të mirë se ç’e kishte gjetur. Por, siç dihet ai hasi në shumë sfida, përfshir edhe mentalitetin osmano-bizantin.  Se si shikohej suksesi i Shkollës Teknike të Fultzit në Tiranë u pa më në fund, se me largimin e Fultzit, me të mbaroi edhe Shkolla Teknike. Mbaroi fatkeqësisht, me përbuzje, mosmarrveshje e konflikte kulturash.  Dihet se Dr. Harry Fultz, së bashku me Misjonin Amerikan u përzunë nga Shqipëria në vitin 1946 dhe shumë të diplomuar nga ajo shkollë jo vetëm që e kishin shumë të vështirë të gjenin punë, por  më vonë e pësuan edhe më keq, të akuzuar si agjentë amerikanë.

Në veprën e tij poetike “Lines of Illyria” ose “Vargje Ilirisë” shkruar me të bijen e tij Xhoanën gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, por botuar në vitin 1950 në Nju Jork, ai i ka shënuar kujtimet e tija duke i kushtuar disa vjersha Ilirisë, ku sipas të ndjerit Profesor Zef Nekaj, më shumë se shije poetike, Fultz-i tregon lashtësinë dhe vrazhdësinë e vendit që e frymëzon atë.  Z. Nekaj shprehet në vlerësimin e veprës poetike “Vargje Ilirisë”, se Z. Fultz i ka kushtuar Shqipërisë mundin dhe vrullin e veprimtarisë së tij burrërore, për më shumë se një dekadë. Ai shpreh aty ankthin  për gjëndjen e shqiptarëve në atë kohë, për të arrijturat dhe të parrijturat e tyre dhe ankimin fisnik të zemrës së zjarrtë të një njeriu përparimtar që dëshiron të bëjë sa më shumë për popullin shqiptar.

Është pra Dr. Harry Fultz, humanisti i njohur amerikan, që kujtojmë në këtë Ditë Humanitare Botërore. Harry Fultz-in e Shkollës Teknike të Tiranës, i cili përveç shkollës që mbante emërin e tij, ai së bashku me studentët shqiptarë, themeloi edhe revistën me titull “Laboremus” – Të punojmë. Kujtojmë humanistin amerikan i cili, që atëherë,  kërkonte ndihmë nga vendi i tij i madh për të mbështetur Shkollën Teknike të Tiranës dhe popullin shqiptar.   Në Ditën Botërore Humanitare e kujtojmë Dr. Harry Fultz-in duke shprehur mirënjohjen tonë të thellë për punën e tij, për vetmohimin dhe urtësinë e tij — edhe në emër të atyre brezave që ai edukoi e la pas në Shqipëri, por të cilët ndoshta nuk patën kurrë rastin ta falënderonin.

***

Biografia e Harry T. Fultz/

1 Fultzi 1926

29 Dhjetor 1888 – 30 Dhjetor 1980/
Harry T. Fultz lindi në qytetin Salem të shtetit Indiana. Fillimisht ai u diplomua në kolegjin Wabash në Indiana e më pas në universitetin teknologjik “Amarou” në fushën e mekanikës. Deri në 1922 ai punoi si pedagog në institucione të ndryshme arsimore në Amerikë. Gjatë kësaj periudhe pati një shkëputje 2-vjeçare (1917 – 1919) për shkak të shërbimit ushtarak.
Në 1922, Kryqi i Kuq Amerikan e caktoi profesorin e arteve mekanike, 34 vjeçarin Harry T. Fultz, Drejtor të Shkollës Teknike, Tiranë. Nëpërmjet punës së tij Shkolla Teknike tërhoqi vëmendjen e opinionit të kohës si shkollë me cilësi të larta. Pedagogjia e tij në punë si drejtues mbështetej në moton “Learning by doing” (të mësuarit nëpërmjet praktikës) të cilën ai e zbatonte vetë i pari. Me kultin e punës u lidh edhe emri i revistës së shkollës “Laboremus” (të punojmë). Si pedagog i shquar ai diti të verë një rregull dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë, të rrënjosë dashurinë për punën, bazuar në të famshmin prakticitet amerikan. Si inxhinier me aftësi të rralla diti të ndërtojë një shkollë me një përgatitje akademike e teknike të cilësisë së lartë.

Veprimtaria e Harry Fultz është një ndërthurje e shkëlqyer e ideve pragmatiste, shpesh herë të gërshetuara edhe me elementë te edukatës, të pedagogjisë së punës ku fjala ka një unitet me veprimin, ku pasioni për punën shkrihet me profesionalizmin e lartë, përballë një personaliteti të madhërishëm të mësuesit bashkëkohor, të shkrira në një. Ai solli në vendin tonë traditën e përvojën më të mirë të shkollës amerikane, zbatoi metodat e reja të mësimdhënies dhe të mënyrës së të mësuarit, vuri në jetë dhjetra projekte, gjithçka në shërbim të përgatitjes e formimit të teknikëve të rinj.

Kujtimet e ish-nxënësve të tij janë vlera dokumentare që flasin për një model të shkëlqyer të mësuesit demokrat, i cili shquhet për nivelin shkencor, aftësitë e veçanta organizative në vënien në lëvizje të organizmave të shkollës. Ato janë dëshmi e një përvoje dhe intuite të thellë psiko-pedagogjike, e një ndjeshmërie të situatave të nxënësve e përpjekje maksimale për t’iu gjendur pranë si mësues e prind në çfaredo rrethane.Misioni i tij përfundoi më 1933 pas 11 vjetësh duke lënë një mesazh për brezat e shkollës “Përpiqu ta bësh vendin të denjë për të jetuar në të”

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai punoi 4 vjet në Departamentin e Shtetit dhe në agjensitë e tjera qeveritare të SHBA. Nga maji i vitit 1945 deri në nëntor të vitit 1946 punoi në misionin diplomatik të SHBA në Tiranë dhe në ambasadën Amerikane në Romë deri në pranverë të vitit 1947.

Në pranverë të vitit 1947 u caktua Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare, një rezidencë kryesisht pë studentët e huaj në Universitetin e Chicagos dhe qëndroi në këtë post deri sa doli në pension në vitin 1962. Gjatë këtyre viteve punoi gjithashtu sekretar i Bordit Panamerikan të Arsimit (1947 – 1962).  (Marrë nga portali Instituti Harry Fultz)

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Harry Fultz, MIKU I SHQIPTAREVE

PREHU NE PAQE, MIK I SHQIPTAREVE, KONGRESMEN GILMAN

December 21, 2016 by dgreca

1-gjoni-per-gilman

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës  Vatra, Dr.Gjon Bucaj,  i  dorëzoi bashkëshortes së Kongresmenit të ndierë  Gilman, një pllakadë mirënjohjeje./

2-ok-gilman

Në West Point të NY (Akademia Ushtarake e SHBA-së), në këtë vend mahnitës mjedisor, në mesditën e 20 Dhjetorit 2016 u krye një ceremoni e thjeshtë  mortore. Ishte një ditë me diell  por e  ftohtë e me  një shtresë të hollë dëbore. Nën lotët  e familjes, të afërmve, miqëve , shokëve, dashamirëve dhe të shumë personaliteteve nga Uashington DC dhe NY,  zinxhirët e punonjësve  të funeralit,  ulën ngadalë në  shtëpinë e përjetësisë , trupin e pajetë të një personaliteti shumë të nderuar  të politikës  amerikane  (ish pilotit të Luftën e Dytë Botërore), të  mikut të shqiptarëve , Kongresmenit Benjamin Gilman.  Ky burrë i madh shteti, shërbeu  për 34 vite  (17 legjislatura)   si  kongresmen  republikan në  Capitol Hill, duke përfaqësuar denjësisht Distriktin 19 të Shtetit të NY. Jo vetëm kaq, por  krahas  një veprimtarie të gjërë në fushën e të drejtave të njeriut ,u bë në të njejtën kohë dhe një ambasador i vërtetë në Kongres  për pavarsinë e Kosoves dhe ceshtjen shqiptare në përgjithësi.

Pjesëmarrja në  këtë ceremoni  mortore ishte  e përcaktuar me protokoll të vecantë nga  shteti  dhe Familja Gilman. Por, për të marrë pjesë në këtë ngjarje të dhimëshme , ishte  i pranishëm edhe një delegacion i Vatrës i kryesuar nga Kryetari  Dr. Gjon Bucaj, Nenkryetari  Asllan Bushati dhe anëtari i Këshillit Drejtues Zef Balaj, te cilet iu bashkuan ish Kongresmenit dhe President i Liges Qytetare Shqiptaro Amerikane, Zotit Jozeph J. DioGuardi

Me shumë respekt e mirënjohje, vatranët  i  prezantoi me  Familjen Gilman dhe pjesëmarrësit në ceremoni ,  zoti DioGuardi . Ai me elegancen  që e karakterizon tha se ky grup shqiptarësh ka ardhur ti shpreh lamtumirën e fundit, mikut të tyre,  kongresmenit  Ben Gilman, në shenjë respekti për gjithcka ai bëri për Kosovën dhe shqiptarët. Gjatë prezantimit, DioGuardi disa herë  riktheu në kujtesën e të pranishmëve, fjalimet e  zjarrta  të Ben Gilman në demostratat e shqiptarëve në NY  e Uashington DC, dhe seancat dëgjimore,peticionet e Rezolutën e Kongresit për Kosovën. DioGuardi  jo rrallë  përsëriti se edhe ai vetë kishte mësuar shumë nga përvoja e Ben Gilman, si politikan vizionar  e  me aftësi të rralla  menaxhuese e drejtuese  në komisionet e Kongresit .

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës  Vatra, Dr.Gjon Bucaj,  i  dorëzoi bashkëshortes së Kongresmenit të ndierë  Gilman, një pllakadë mirënjohjeje. Ai duke i shpieguar  mesazhin që bartëte kjo mirënjohje, në fund përmendi fjalët “Universiteti I Tetovës” dhe më pas vazhdoi:’ Ky universitet nuk do t’ju kishte rezistuar sulmeve brutale, të  autoritetet maqedonase, në qoftë se nuk do ti shkonte një notë e fortë proteste Presidentit të atëherëshëm Grigorov, nga Komisioni i politikave të jashëme i Kongresit Amerikan i iniciuar nga Kongresmeni Gilman. Nota e protestës shpiegonte se është e drejtë legjitime e cdo pakice, në cdo vend të botës, të edukohet në të gjitha nivelet me gjuhën amtare. Një vend që nuk lejon hapjen e universiteteve nuk mund të quhet demokratik.” Zonja Gilman duke marrë në dorë mirënjohjen tha se ndiehej shumë e nderuar për bashkëshortin e saj të ndierë, që edhe në ditën e varrimit dorëzohen mirënjohje për të. Zyra e bashkëshortit tim-  shtoi ajo- ka shumë dhurata e suvenire  të shqiptarëve, por kjo e fundit  dhe në këtë ditë  lamtumire është shumë domethënëse.

Anëtari i Këshillit Drejtues të Vatrës (dhe Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane) Zef Balaj, ju tha  të pranishmëve se pas një vizite në Kosovë e Shqipëri në fund të viteve 90-të, kongresmenët Tom Lantosh e Joseph DioGuardi sollën nga arkivi i Tiranës shumë dokumenta që vërtetonin se Shqipëria në kohën e Holokaustit  jo vetëm që i kishte mbrojtur familjet hebre, por nuk ishte vrarë asnjë  person i vetëm nga besa që shqiptarët u dhanë hebrenjëve.  Në këtë kohë, në muzetë  e Holokaustit në Uashington DC dhe Izrael, emri i Shqipërisë nuk figuronte, por pas njohjes me dokumentat e sipër përmendura ,me insistimin e Kongresmenit Gilman , emri i Shqipërisë u skalit i pari (Albania) në mermerin e të dy mozeumeve, duke u përjetësuar kështu si vend mbrojtës i popullit hebre në ditët e tij më të vështira. Ne si shqiptarë krenohemi me këtë, por  edhe  ndihmesa e  kongresmenit Gilman ishte në kohën e duhur dhe vendimtare- përfundoi Zoti Balaj.

Nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati shtoi se në maj të vitit 2002 i bëra një kërkesë Zyrës së  Kongresmenit  Gilman për një takim vetëm dy minutësh, pasi i kasha shpieguar se jam ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare dhe resident në NY. Pas dy javësh më njoftuan  kohën e takimit. Sot mund të duket qesharake, por do ta them në ligjëratë të drejtë se ndoshta kjo do të zbardhet në të ardhmen dhe do të ishte një gjë jo e mirë për mu devijimi nga teksti. “ I nderuar kongresmeni Gilman. Këto që do t’ju them Juve sot, ja kam thënë edhe Kongresmenit Eliot Engell. Arsyeja e parë ardhjes sime  këtu është t’ju bëj me dije se në gjykimin tim demokracia në Shqipëri është në rrezik nga një bandë neokomuniste që ka marrë pushtetin  pas ngjarjeve të 1997-tës. Së dyti –personalisht nuk kam asnjë lidhje gjaku e miqësie me udhëheqësin e opozitës Sali Berisha,por mendoj se padrejtësisht është hedhur shumë baltë mbi të dhe se Berisha i duhet vendit tim edhe për një periudh të caktuar  kohore. Kërkoj mirëkuptimin dhe mbështetjen Tuaj. Kaq kishit më tha shumë miqësisht? Kaq i thashë. Dhe për ta mbyllur më tha:Ju siguroj se shqetësimin tuaj do ta kemë në konsideratë.

Të pranishmit solln shumë kujtime të bukura  për takimet që kishin patur me kongresmenin Ben Gilman, për  punën  e palodhur në  komunitet e në  Kongres, për Qendrën Ndërkombëtare të Edukimit Gilman si pjesë e Kolegjit të studimeve Globale, librarinë e shumë veprimtari të tjera. Për nder të pranishmëve Familja Gilman në Hotelin “The Thayer” të West Point –it, shtroi një drekë lamtumire. Grupi i Vatranëve duke u largua nga West Point, në shenjë respekti tha:”U prehësh në paqe miku ynë i paharruar Benjamin Gilman”.

ASLLAN  BUSHATI

                                                                                

Filed Under: Featured Tagged With: Aslaln Bushati, Gilman, Gjon Bucaj, Joe DioGuardi, KONGRESMENI GILMAN, MIKU I SHQIPTAREVE, PREHU NE PAQE, Zef Balaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT