• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tirana, këndvështrimi im…

October 28, 2023 by s p

Mirela Kanini/

Tirana është qyteti që ka brenda vetes pak nga të gjitha. Në fillim kur sapo mbërrin të duket kaos dhe zhurmë, por pastaj ambientohesh ose të zë magjia shqiptare dhe gjithshka shndërrohet në një vend ku ndihesh mirë. Është vibrimi energjik i qytetit që zien, është dashuria që të falin njerzit aq të ngrohtë, është ai dielli i pakursyer i Tiranës. Është ai shiu që edhe kur bie gjithë ditën nuk e ndalon dot dyndjen e njerzve. Është ai ushqimi tradicional me të cilin nuk ngopesh dot. Është vendlindja ime që në të vetmen gjuhë e thërrasin atdhe dhe mëmëdhe sepse është vërtet dhe at dhe nënë. Mendova se do takoj atje vetëm njerëz të vuajtur, mashtrues, kriminelë, njerëz të pa formuar dhe injorantë të pagdhendur sipas opinionistëve të rrjeteve sociale. Por kuptova që dhe aty si në çdo qytet tjetër metropolitan ka njerëz të lumtur dhe të palumtur. Njerëz që duan dhe që urrejnë. Njerëz të pasur dhe të varfër. Por unë nuk di pse e dua shumë Tiranën time, pa kushte ashtu siç ndodh në të gjitha dashuritë e vërteta. E dua siç është dhe me shpresën që do të bëhet më e mirë, sepse ajo kurrë nuk ka qënë si kryeqytetet e tjera evropiane. Nuk ka trashëguar nga e kaluara katedrale, as ndërtesa me garguj apo shenjtorë të gdhendur nëpër mure. Mbaj mend një restorant diku në një cep të Gjermanisë që ndërtesa të paktën kishte egzistuar që në Vitin 1200 dhe vazhdonte të gatuhej në të njëjtën furrë me zjarr. Mund të kishim dhe ne të tilla por pushtimi otoman na la në prapambetje shekullore. Pa llogaritur që të vrasin sytë në Tiranë ndërtesat e shëmtuara të stilit komunist që të ngjallin trishtim. Pastaj janë kullat e dyshimta që bëjnë kontrast me realitetin. Me pak fjalë Tirana shpalos gjithë të vërtetën e saj…

Është e dukshme që nuk flas kurrë me urrejtje dhe mllef për vendlindjen time. Nuk marr pjesë as në toksikacionin politik nëpër rrjetet sociale. Por njerzit në Tiranë që nga taksixhiu e deri tek profesorët merren me probleme madhore që nuk besoj se zgjidhen dot kafeneve dhe aq më pak me statuse Facebook-u. Janë ca probleme që historikisht i kanë zgjidhur vetëm revolucionet. Jeta nuk është vetëm Rama, Sala, jeta është të duash çdo gjë të bukur dhe ta jetosh sipas mënyrës tënde. I plotësuar nuk ndihesh vetëm po të jesh i pasur se kam ndeshur plot të tillë të trishtuar e depresivë. Boshllëku më i madh I botës moderne është vetmia dhe në Tiranë të paktën pashë që egziston ai komunikimi shoqëror, njerzor i drejtpërdrejtë me njëri tjetrin që po humbet disi në botēn perëndimore. Edhe pse ndonjëherë është aq I drejtpërdrejtë saqë në 15 minuta bisedë të kanë pyetyr sa vjeć je, a je e martuar, sa fëmijë ke, a je natyrale apo ke bërë ndonjë operacion plastik, ku jeton, me çfarë merresh, sa e ke rrogën. Për pak mendova do më kërkojnë edhe llogarinë bankare. Falë natyrës sonë sociale ne kemi një thesar që uroj të mos zhduket. Mu kujtua historia e një profesori antropologjie që studionte sjelljet e një fisi indogjen. I bënte aq përshtypje lumturia e tyre sepse mbi të gjitha midis tyre pothuajse nuk egzistonte ajo ndjenja e të ndjerit keq pa arësye sidomos kur ke gjithshka të mundshme. Ata flisnin me shenja tinguj dhe me atë gjuhën e tyre të cilën ai jo vetëm e mësoi por më pas u dashurua marrëzisht me një grua të fisit e cila çdo gjê e ndjente e udhëhequr nga instiktet. Ajo e donte profesorin e ri jo për arritjet e tij shkencore me famë botërore të cilat as që i kuptonte, por për ndjesinë që i jepte prania e tij, tërheqja e fortë fizike dhe kimia midis tyre. E donte për mirësinë që ai shfaqte dhe sjelljet e tij mbrojtëse ndaj saj, instiktive gjithashtu. Ajo vërtet nuk kishte njohuri por kishte intuitë dhe kjo e fundit është shkalla më e lartë e inteligjencës. Ai i mësoi asaj pak nga pak gjuhën e tij dhe diçka mbi botēn e civilizuar. Ndërkohë u martuan dhe lindën dy fëmijë. Profesori mendoi që tashmë për të mirën e fëmijëve duhet të jetonin në civilizim dhe ashtu bënë. Por nuk kaloi shumë kohë dhe ai pa një trishtim të dhimbshëm në sytë e gruas së tij që tretej çdo ditë. Atë e lëndonte ftohësia e njerzve që përshëndesnin formalisht. Ju përgjerua profesorit ta kthente në fisin e saj sepse edhe pse jetoi në perëndim për shumë vite preferonte habitatin ku ndihej mirë. Profesori ja plotësoi dëshirën sepse dashuria është liri, ndërsa për veten e tij kishte ngecur mes dy botëve dhe nuk e dinte tashmë se kujt prej saj i përkiste. Unë për veten time e gjej veten ndonjëherë si gruaja indogjene e ndonjëherë si profesori…

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Mirela Kanini

VATRA CHICAGO, DHUROI LIBRA PËR SHKOLLAT SHQIPE NË CHICAGO

September 11, 2023 by s p

Mirela Kanini/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, dega Chicago dhuroi libra për dy shkollat shqipe që zhvillojnë mësimin shqip në Chicago. Synimi i Vatrës Chicago ka qenë, është dhe do jetë të qenurit sa më afër komunitetit shqiptar dhe të mbështesim me çdo mjet e me çdo kusht veprimtaritë patriotike e komunitare në dobi të komunitetit shqiptar e çështjes sonë kombëtare. Mbështetja e shkollave shqipe është kryefjala e angazhimit tonë patriotik. Kryesia e degës së Vatrës Chicago në mbledhjen e përmuajshme vendosi që të sigurojë dhe dhurojë librat për nxënësit si një investim për gjeneratat tona pasardhëse në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Vendtakimi i degës sonë ku planifikojmë eventet dhe organizohemi është në “Mirage Cafe” ku mikja dhe mbështetësja jonë pronarja e të cilës është shqiptare ka fisnikëri dhe ngrohtësi të spikatur patriotike. Në mbledhjen e fundit diskutuam mbi shkollat shqipe në Chicago që janë ajo e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe shkolla “Kongresi i Manastirit” në xhaminë shqiptare. Mësueset e këtyre shkollave herë pas here kanë ngritur shqetësimin e tyre për mungesën e teksteve në shqip për ciklet përkatëse. Shpesh herë i printojnë nga kompjuteri, por kjo nuk na u duk dhe aq e arësyeshme, përveç kohës që merr. Donim që shkolla shqipe të mos ketë ndryshim nga të tjerat që ata ndjekin rregullisht gjatë javës me libra të vërtetë. Zgjidhja më e shpejtë do të ishte që vetë kryesia të siguronte disa libra dhe ashtu bëmë. Emanuela Cako ishte kordinuesja jonë në lidhje me kërkesat e shkollave duke marrë parasysh që dhe profesioni i saj është mësuese. Aurora Ajdini gjithashtu është (mësuese matematike) që për fat të mirë do kalonte pushimet në Shqipëri. Në Shqipëri do të shkonte edhe Shkëlzen Cakeri dhe në kthim sollën me vete disa nga librat që i nevojiteshin shkollave. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme, ndaj ne që ishim në Chicago vendosëm që ti dërgonim ambasadës shqiptare një e-mail në emër të Vatrës Chicago ku të parashtrohej dëshira e mirë për të ndihmuar fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën e tyre. Njëkohësisht duke i paraqitur dhe situatën ku ndodhemi. Përgjigja na erdhi pozitive me premtimin që librat do të postoheshin të nesërmen. Jemi në pritje të tyre sepse akoma nuk kanë mbërritur. Po interesohemi intensivisht që të bien sa më shpejt në duart e nxënësve. Viti i ri shkollor për të dy shkollat filloi më 10 Shtator me sukses dhe kryesia e Vatrës mori pjesë në të dyja ato për të kontribuar sado pak momentalisht dhe shumë më tepër në të ardhmen. Në shkollën “Kongresi i Manastirit” u pritëm mirë dhe u falenderuam ngrohtë nga nënkryetari i xhamisë z. Naser Hodza. Në shkollën shqipe pranë Kishës shqiptare morëm falenderime të përzemërta nga mësuesit dhe prindërit. Kisha ortodokse shqiptare ka një dhomë muze dhe në disa foto si për shembull ajo me titullin “Albanian children’s club” që janë që nga viti 1934 bie në sy kjo traditë e hershme për të mbajtur gjallë shqiptarizmin dhe patriotizmin. Ky është komuniteti, i bashkuar, njerëz të dashur e të ngrohtë që duan të përcjellin gjuhën, zakonet dhe traditat ndër gjeneratat e ardhshme. Vlen për tu përmendur dedikimi i prindërve që i shpien fëmijët e tyre në shkollat shqipe të dielave. Ata sakrifikojnë ndoshta të vetmen ditë pushimi që kanë. Është për tu vlerësuar puna e mire dhe e palodhur e mësueseve që japin kontributin e tyre me devotshmëri. Edukimi dhe shkollimi i brezit të ri është misioni më i rëndësishëm i një kombi. Dashuria e instaluar për gjuhën, kombin, vendin e origjinës për këta fëmijë shqiptarë të lindur në Amerikë, është gjëja më e vlefshme për ti bërë ballë asimilimit. Një prind që kishte sjellë djalin e tij në shkollë tha “unë jam gjenerata e dytë dhe nuk flas shqip por dua që djali im ta mësojë se është gjuha e të parëve. Pastaj ai do të ma mësojë mua. Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët kudo që janë, veçanërisht fëmijët tanë. Ata janë e ardhmja dhe ne i detyrohemi shumë edukimit të tyre.

Falenderim i veçantë për personelin drejtues të shkollave. Në Kishën Ortodokse shqiptare:

Mimoza Hoxha (drejtoreshë)

Blerina Musaraj (nëndrejtoreshë)

Elona Shkira (mësuese)

Albana Romacka (mësuese)

Reana Peshtani (mësuese)

Në shkollën Kongresi i Manastirit (tek xhamia)

Qëndresa Brahimi (drejtoreshë)

Shqipe Ahmeti (nëndrejtoreshë)

Shega Bekteshi (sekretare)

Mësueset:

Ganimete Lecaj (klasa e parë)

Blerina Bushati (klasa e dytë)

Eligerta Cuka (klasa e tretë)

Enkela Bajraktari (klasa e katërt). Mirënjohje për punën dhe përkushtimin. Mësuesit shqiptarë në diasporë janë engjëjt mbrojtës të shqiptarizmës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mirela Kanini

FEMRA E SUKSESSHME SHQIPTARE SI MODEL I PËRKRYER PËRFAQËSIMI

September 8, 2023 by s p

Intervistë me futbollisten Riga Kallaba

Intervistoi: Mirela Kanini

KUSH ËSHTË RIGA KALLABA, A MUND TË NA THONI DIÇKA MBI VETEN TUAJ? 

Unë jam me origjinë nga Kosova, gjenerata e dytë lindur e rritur në Chicago. Jam 15 vjeç dhe në shkollë të mesme. Luaj futboll për skuadrën time ECNL club, the Illinois State Team, Midwest Regional Team, Semi Pro Team, dhe skuadrën kombëtare të Kosovës.

QË TË ARRINI ATY KU JENI SOT ME SIGURI KENI HASUR NË VËSHTIRËSI TË NDRYSHME. SI KA QËNË PËR JU RRUGA E SUKSESIT?

Unë përballem me sfida të ndryshme çdo ditë për të siguruar një të ardhme të suksesshme. Prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë dhe kanë punuar pa rreshtur për ti dhënë familjes sime shansin për një jetë më të mirë. Ata kanë theksuar gjithmonë rëndësinë e edukimit, shkollimit, shëndetit dhe vlerave morale për mua dhe motrat e mia. Kjo do të thotë që unë duhet të punoj shumë për të arritur objektivat e mia, ta shtyj veten time fizikisht dhe mentalisht edhe kur ndonjëherë ndihem e lodhur. Vendet e stërvitjes time janë larg dhe ky ushëtim është I lodhshëm. Një udhëtim I tillë i zakonshëm është 3-4 orë në ditë për një praktikë futbolli. Shpesh herë më duhet të mësoj dhe bëj detyrat për të nesërmen në makinë. Gjithashtu unë udhëtoj shpesh në qytete të ndryshme ose jashtë vendit për ndeshje. Ditët e mia janë shumë të ngjeshura dhe unë kam shumë pak kohë të lirë meqënëse pjesën më të madhe ma zë shkolla dhe futbolli. Shpesh herë unë nuk marr dot pjesë në evenimente sociale ashtu si gjithë shoqet e mia por e kuptoj që rrethanat e mia janë unike po ashtu dhe prioritetet. Unë e di që shkolla dhe dedikimi në futboll janë investim në të ardhmen time.

KUR MENDUAT QË KJO ËSHTË RRUGA QË DUHET TË NDIQNI?

Motrat e mia më të medha luajnë volejboll. E gjitha filloi kur familja ime udhëtonte për në Florida për të ndjekur motrat e mia që luanin për Nationals. Ne u futëm në një dyqan Nike për të blerë diçka dhe unë fillova të luaj me një top futbolli ndërkohë që prisja. Nuk desha të iki pa marrë topin dhe babai ma bleu atë, së bashku me mbrojtëset e këmbëve. Që atë ditë se kam hequr më këmbën nga topi.

A ISHTE E VËSHTIRË TË ARRIJE SUKSESIN NË AMERIKË?

Definitivisht është shumë e vështirë të ngjitësh shkallët e suksesit në një sport që luhet në të gjithë botën dhe ka aq shumë konkurencë, por unë punoj shumë dhe e shtyj çdo ditë veten time drejt suksesit. 

TASHMË QË JENI BËRË E SUKSESHME A E PYESNI NDONJËHERË VETEN “ SI ARRITA KËTU”?

Çelësi është të punosh shumë, sakrifica dhe disiplina. Unë gjithmonë i vendos objektiva vetes dhe jap 110% në gjithshka që bëj. Më e rëndësishme është familja ime dhe mbështetja që më kanë dhënë për të qënë aty ku jam sot. Ata kanë dedikuar kohën e tyre, energji dhe dashuri për të më ndihmuar mua të arrij objektivat e mia.

A KENI PASUR MOMENTE DOBËSIE KUR KE DASHUR TË TËRHIQESH?

Jo. Asnjëherë. As që e kam çuar kurrë ndërmend të tërhiqem. Unë jam rritur me mentalitetin që mund të arrij dhe realizoj gjithshka dua në jetë nëse punoj fort për të dhe nuk tërhiqem kurrë. Familja ime më ka rritur të jem e vendosur dhe konsistente sepse gjërat e mira në jetë nuk vijnë kollaj.

JU JENI TASHMË NJË FIGURË E NJOHUR PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR NGA TË GJITHA TREVAT. NE NDIHEMI SHUMË KRENARË PËR JU SEPSE NUK ËSHTË GJË E VOGËL TË LUASH ME EKIPIN KOMBËTAR TË KOSOVËS. PËR MË TEPËR NE JU KEMI KËTU NË CHICAGO. POR SI JU BËN KJO TË NDIHENI JU?

I vlerësoj pa masë fjalët tuaja të ngrohta dhe është nder dhe krenari për mua të përfaqësoj komunitetin shqiptar kudo nëpër botë. Fakti që e bëj komunitetin tim krenar më jep  një ndjesi të papërshkrueshme. Gjithashtu dhe fakti që unë jam e para futbolliste ( femra dhe meshkuj) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që luaj për kombëtaren e Kosovës është një nder i madh. Mbështetja që kam anembanë botës është një tjetër arësye që më motivon për të vazhduar. Unë jam krenare që jam shqiptare dhe do vazhdoj të përfaqësoj popullin tim dhe ta valvis sa më lart flamurin Kosovar.

KUSH JANË PLANET TUAJA PËR TË ARDHMEN?

Plani im kryesor është që në të ardhmen të jem versioni më i mirë i vetes nga ana akademike dhe atletike. Une dua të kem një shkollim superior dhe kam shumë shpresë për një karrierē të shkëlqyer sportive profesionale.

ÇFARË DO TI THONIT PËR TË INSPIRUAR DIKË QË ËSHTË DUKE NDJEKUR NJË RRUGË TË NGJASHME ME TUAJËN?

Ki besim në vetvete, puno fort, dhe përfito nga çdo oportunitet për të përmirësuar vetveten.

ÇFARË JU INSPIRON JU?

Janë disa faktorë që më inspirojnë mua. I pari është gjyshi im, Sevdai Thaqi, i cili ka bërë shumë për Kosovën dhe popullin tonë. Ai është gjithashtu një nga atletët më të mirë që kam njohur. Ai akoma është në gjendje të eci me duar që për një 78 vjeçar është e padëgjuar. Ai ja ka dedikuar jetēn e tij edukimit dhe pregatitjes së atletëve shqiptarë. Ai ka trajnuar gjithashtu nënën time që të bëhet skiatore profesionale dhe ajo ka fituar dy herë titullin kampione e Kosovës. Ata janë jo vetëm inspirimi im por unë jam krenare të eci në hapat e tyre që të vazhdoj të përfaqësoj Kosovën.

KUSH JANË HOBITË TUAJA?

Përveç futbollit më pelqen palestra, kërcimi, të këndoj, të gatuaj. Më pëlqen të jem aktive dhe të mësoj gjëra të reja.

NJË THËNIE QË JU PËLQEN DHE MOTIVON…

Don’t be afraid to give up the good to go for the great! ( Mos ki frike të lësh të ikë diçka e mirë për diçka të shkëlqyer).

Filed Under: Interviste Tagged With: Mirela Kanini

Manuela Papazisi: Suksesi i sipërmarrjes, kur biznesi është në adn-në e njeriut

June 26, 2023 by s p

Intervistoi: Mirela Kanini/

Kush është Manuela Papazisi?

Manuela është Real Estate Broker e licensuar ne 2001. Ajo punon me Coldwell Banker duke ndihmuar bleres dhe shites ne Chicago dhe rrethinat. Për me shume se dy dekada ajo ka arritur të njihet dhe punojë me plethora komunitetesh në Chicagoland. Ajo gezon respektin e klientëve per devotshmërine, ndershmërinë dhe integritetin professional, ne sherbim të nevojave të tyre. Experienca dhe vizioni i saj bën të mundur që klienti t’a kete sa me te lehte që nga fillimi i transaksionit e deri ne mbyllje. Klientët jo vetëm që mbeten të kënaqur nga shërbimi i saj në transaksionin e radhes, por edhe e rekomandojne atë tek miq e të afërm dhe punojnë me të persëri për shitblerje të ardhshme. Ajo ka mbi 600 transaksione dhe është nderuar me shume çmime e vleresime profesionale siç International Diamond Society Awards (2018, 2019 & 2020), International President’s Circle Award (2021 &2022), Top Residential Real Estate Producer of Chicago Association of Realtors (2020, 2021 & 2022). Në 2023 emri I saj renditet në RealTrends America’s Best 2023 list. Në këtë listë hyjnë vetem 1.5% e 1.6 milion real estate profesionist të licensuar në SHBA. Manuela vjen nga një familje tregtaresh nga qyteti I lashtë i Beratit. Ajo u lind dhe rrit në Tiranë, studioi ne Shkollën e Mesme Ismail Qemali dhe më pas vazhdoi studimet ne Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Shkencave Natyrore, ku u diplomua në Kimi Industriale dhe Master në Shkenca. Pavarësisht nga arritjet profesionale, arritja më e madhe që ajo vlerëson është Familja, djali ( i cilësuar ne 2022 si Outstanding Young Structural Engineer in Illionis) dhe së fundi lumturia e të qenit gjyshe.

Që të arrini aty ku jeni sot sigurisht keni ndeshur në vështirësi. Çfarë veçoni diçka të veçantë mbi jetën tuaj?

E vërteta është se brezi im ishte brezi i iluzioneve të humbura në Shqipëri. Ky ishte brezi që iludonte një Shqipëri të standarteve Europiane. Pasi erdhi në jetë djali, bashëshortit ju dha një mundësi për PhD në Universitetin Bujqësor në Athinë dhe kështu vendosëm të largohemi me mendimin se do të kthehemi në Shqipëri pasi kushtet e jetesës do te përmirësohet, ekonomia ngrihet dhe situate politike të normalizohet. Jeta ne emigracion nuk është e lehtë, sidomos për një cift te ri 25 vjeçarësh siç ishim ne dhe me një të sapolindur. Sidoqofte ne u përshtatëm relativisht shpejt me Greqine. E verteta e hidhur ishte që ne ndjeheshim më komfort me jetën në Greqi se sa çdo alternative tjetër për në Shqipëri. Ne një fare mënyre u stabilizuam me punë, me banese në një lagje shumë të këndshme të Athinës. Djali kaloi konkursin dhe u pranua ne «Η Ελληνική Παιδεία» një shkolle private shume e njohur ne Athine. Greqia është një vend i bekuar. Vetëm kur jeton aty dhe e njeh kulturën nga afër e kupton se pse jo më kot gjithë bota e cilëson si djepin e qytetërimit European. Ne në një farë mënyre ishim të lumtur që na u dha mundësia të njiheshim me atë vend dhe Kulturen antikitetit. Sidoqoftë shteti modern grek përmban shumë paradokse. Një nga paradokset e shtetit modern grek ishte se grek apo i huaj i diplomuar jashtë Greqise, duhej ta njihje diplomen nga nje zyrë e posaçme. Pasi e njihje diplomen atëhere mund të filloje të kërkoje punë me kualifikimin e diplomes. Bashkshorti e njohu diplomën, por shpejt u pa se Greqia nuk ka nevojë për shumë kimistë, kështu që jetën duhej ta mbështetnim duke bërë punë të tjera. Sidoqëftë në mendjet tona deri atëhere ishte kthimi në një ditë të largët në Shqipëri ku jetonin ende familjet tona. Pas ngjarjeve të dhunës se 1997 në shqipëri gjithshka ndryshoi. Asokohe ne na u dha një mundësi për të ardhur në ShBA dhe nuk jemi penduar.

Kur menduat që kjo është rruga juaj?

Gjithshka ka ardhur natyrshëm. Bashkeshorti, I cili merret me shkence, e shpjegon se shpirti I biznesit është në ADN time. E vërteta është se stërgjyshi im ishte biznesmen, gjyshi po ashtu, babai ishte në periudhën e socializmit kështu që nuk pati rastin, kushërinjtë e mij në Shqipëri apo neper bote kudo qe ndodhen, shumica janë njerëz të biznesit. Por ndërmjet nesh e vetmja grua jam une. Sidoqoftë ne familjen tone ne jemi edukuar me besimin tek Zoti Perëndi, ndershmërinë, integritetit professional dhe respektit për këdo që bashkepunojmë. Që kur ishim të vegjel, gjyshja na tregonte një histori të gjyshit. Ai I shiste vajin e Beratit një tregtari ne juglindje te Shqiperise. Asokohe nuk kishte telefona, kështu që tregtari vjen në Berat për të ngarkuar vaj si zakonisht. Gjyshi I thotë – Më vjen keq por nuk kam vaj. Ka rënë miu në vaj dhe do ta derdh të gjithin. Hajde kur te kem vaj të ri se këtë nuk mund tjua jap njerëzve. – Pse e hedh, – I tha tregtari, – Ma jep mua me të lirë. – Po e deshe I tha gjyshi ti mere dhe unë nuk dua asnjë kacidhe. Tregtari e morri vajin e shiti në vendin e tij, beri para sa mundi, por nuk erdhi me. Fjala doli se ai vdiq nga një sëmundje e keqe. Zoti Perëndi e nëshkoi për të keqën që I bëri klientëve të tij. Mjerisht vërej se ende ka njerëz të biznesit, që veprojnë si ky njeri.

A ishte e vështirë të arrini suksesin tuaj në Amerikë?

Nuk do të isha e sinqertë po të thoja se e kam pasur të lehtë. Se pari nuk ështe e lehtë të jesh nënë, të jesh gruaja e shtëpise dhe të merresh me bizness. Nga ana tjetër veçoria e biznesit tim është ndërtimi I një rrjeti njohjesh. Asnjë emigrant nuk eka rrjetin e familjarëve, miqve, bashkekokoreve, komshinjte etj etj, kështu që ne e fillojmë jo nga zero por nga një pozicion negativ. Për më tepër vetëm rrethi me të njojtur nuk mjafton. Përvec njohjes duhet që të kesh fituar besimin që të mund të konsiderojne ty ai agjent për një hap shumë delikat siç është shitblerja e një pasurie të patundshme. Kërkon punë të palodhur, nerva të tendosura, kohë dhe dedikim deri sa të arrish ne momentin kur klienti I kenaqur të rekomandon te miqte apo te afërmit dhe fjala e mire të sjell suksesin.

Përveç punës kërkohet dhe studim. Sado që shkolla që kemi bërë në Shqipëri na ka dhënë baza të forta në arsyetimin analitik të gjërave, do të tosha se kjo nuk ështe e mjaftueshme në mjedisin e biznesit sot. Edhe vetë vendalinjtë mbeten prapa nëse nuk ripërtërijnë njohuritë në mënyrë të vazdueshme. Prandaj dhe une ju kushtova studimeve për një master të dytë, MBA ne Chicago, dhe më vone më thellë me licenca e certifikata në lidhje me Real Estate me Certified E-Marketing Specialist, Short Sale and Foreclosure Resource (SFR®), Senior Real Estate Specialist (SRES®), Accredited Buyer’s Representative.

Tani që e shihni veten të sukseshme si mendoni e keni arritur këtë gjë?

Përgjigja më e saktë do të ishte thënia e natyralistit amerikan Henry David Thoreau – “Suksesi zakonisht vjen tek ata të cilët janë shumë të zënë me punë që të mund ta kërkojnë atë.”

A keni pasur ndonjëherë momente kur keni dashur të tërhiqeni?

Në momentet e veshtira jam munduar ta shoh gotën të mbushur gjysëmplot. Për emigrantët shqiptarë si ne, dështimi nuk mund të jetë I pranueshëm. Leonard Cohen I cili vinte nga një familje emigrantesh shkruan se “Suksesi është të mbijetuarit.”

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Planet për të ardhmen janë kurdoherë : ngritja e vazhdueshme profesionale, lumturia e Familjes time, Djalit tim dhe rritja e mbarë e nipit tim të vogël.

Çfarë do dëshironit të thoshit për të inspiruar dikë që po ndjek një rrugë të ngjashme me tuajen?

Nuk mund të gjej thënie më kuptimplote se Albert Einstein – “Përpiqu jo që të jesh thjesht suksesi, por që të jesh i vlerësuari.”

Çfarë ju inspiron ju?

Familja.

Kush janë hobite tuaja?

Më pëlqen të jem buzëdetit. Më pëlqejnë sportet. Më pëlqen të ndjek ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit. Më ka hyrë në zemër futbolli amerikan qe kur djali luante ne shkollen tetevjecare & te mesme.

Mezi pres fitoren e Chicago Bears ndaj Green Bay Packers, unë dhe gjitë familja.

Një thënie që ju pëlqen dhe motivon?

“Suksesi varet nga përgatitjet paraprake pa të cilat padyshim do të këtë disfatë.” – Confucius

Filed Under: Politike Tagged With: Mirela Kanini

Gjyq në tokën e bekuar

March 14, 2023 by s p

Nga Bejdo Malo/

Më 14 mars 2023

Mirela Kanini turbullon, befason dhe intrigon përsëri. Madje këtë herë shkon aqë thellë sa vë gishtin mbi një plagë të pashërueshme të kësaj shoqërie njerëzore në tokën e shenjtë. Njerzit që nga koha e Ameriko Vespuçit kanë udhëtuar me çdo lloj forme në tokën e bekuar duke marrë me vete për ti lënë pas cpëza jete të errëta. Me librin e saj të katërt “Trafikanti” ajo sjell një vepër letrare shumë të veçantë. Një betejë psikologjike si doktor Fjordi, apo si filozofi Osho tek libri i tij Intuita. Këto modele të vështira ka zgjedhur ajo për tja sjellë botës moderne në tokën e bekuar. Mirela ka guxuar të prekë probleme të mbrehta sociale, raporte të thella të marrëdhënieve njerëzore, të thojë hapur dhe me kurajo, ato që gjera që të shkaktojnë të dridhura edhe atëhere i pëshpërit në monologun e brendshëm. Mirela i flet lexuesit të saj me gjuhën e butë përmetare, me gjuhën flamande, por dhe me anglishten moderne të tokës së shenjtë, duke i thënë ato gjera që askush nuk do ti ndodhin në jetën e tij. Pas tre romaneve te meparshme “Mekatet e zonjes Ema”, “Klienti”, dhe “Mallkimi i Melloneve”, kjo shkrimtare e maturuar dhe sprovuar dhe në SHBA, Shqipëri e më gjerë, me rrënjë të thella në dritën e diturisë nga familja e saj vjen me nje liber te ri, “Trafikanti”. Libri i saj është një histori e pazakonshme dashurie, me komplikaconet e tërë jetës së njeriut. Një histori që ka brenda tërë reaksionin e qënies njerëzore me të mirat dhe të këqijat e veta. Ka roman triller i ngjan tabelës së Mendelejevit ku çdo aspekt i psikologjisë njerëzore është vendosur në vendin e duhur është një libër i mbushur me emocione depresion ankth dhe pasion. Një histori plot kolorit që rrjeth sa turbulluese, interesante intriguese aq dhe tërheqëse. I mbushur me ngjarje, hera-herës të rënda, dhe kthesa të paparashikueshme ky libër ka sjellë një risi në apoteozën e kronikës së zezë. Adrenalinën njerëzore e ka futur si një letër lakmuesi në dashuri, në urretje, në ngjarje tragjike por të gjitha të vëerteta dhe të besueshme, sepse kështu është Mirela e guximshme, e veçantë një “dhi e egër” e shtigjeve të thepisura dhe lartësive mbi 5000 metra. Ajo ka qëmëtuar atë “bimësi” njerëzore të rrallë që ndodhet në këto lartësi. Në librin e saj gjen mbijeteën njerëzore dhe fatin e saj si në Atakamë, si në Kilimanxharo por dhe Amazonë në atë pyllin tropikal. Ajo ka luajtur me jetën thriller që në rreshtin e parë të librit dhe deri në rreshtin e fundit. Dy personazhet e saj Aleni njëri flamand dhe tjetra Mia amerikane, fati i sjell pranë njëri-tjetrit. Mia është avokatja e re që Aleni ka zgjedhur për ta ndihmuar në legalizimin e investimeve të tij dhe në vendosjen e përhershme në Amerikë. Aleni ka gjithçka bukurinë intrigën të kaluarën e errët pasurinë sharmin. Bota e tij e nëndheshme dhe bota e tij e mbidheshme janë dy botë që ai i kontrollon bukur dhe kjo e bën Mian të bjerë kokë e këmbë në dashuri dhe të jetë si ajo anija që udhton në një anije buzë shkëmbinjve ku është e fikur drita e farit. Aleni si një usta me shumë përvojë do të bëjë gjithçka për vajzën që dashuron por nuk nxjerr dot spirancën e anijes së të kaluarës që është thellë në detin e zi. E kaluara nuk lëshon ajo me metastazat e saj na mbërthen për gryke dhe kur duam të bëjmë gjera të mira ku dashurojmë dhe kur duam ti vëmë kapak. Fati është njerk, martesa llotari dhe dashuria bixhoz. Këto anë të shoqërisë njerëzore ka zbuluar Mirela. Loja e fatit është si ruletë na duket sikur na vendos në anën e ligjit por realisht jemi tek e kundërta e tij jemi peng tek ajo që ke investuar në jetë. Libri sjell dilemën më të madhe, të gjithë jemi qënie me të mira dhe të këqija të mëdha. Në jetë ke fat dhe shpëton nga të këqijat dhe ke fat dhe të vinë të mirat por ndodh që të të përzien bashkë. Egziszecializmi i Mirelës është më shumë purgator një zinxhir me hallka të mëdha hekuri që i mbështillet jetës së njeriut. Mirela di të paragjykojë, di të sitë, di të kullojë, di të futet në skutat e jetës së njeriut. Ashtu si një nuselalë, që zotëron dhjetë realitete njëherësh ashtu dhe Mirela të dhjetë realitet e jetës së Alenit dhe Mias i ka sjellë të ndeshen në tokën e shënjtë e të bekuar. Ngado që të vijnë gjyqi i madh aty do të bëhet në tokëne bekuar Amerikë. Loja psiologjike e Alenit dhe e Mias shkon tej çdo dashurie, shkon në atë cep të shpirtit njerëzor që ne e zbulojmë një herë më jetë për vetëm një njeri dhe me të duam të hedhim pas çdo mëkat.

Filed Under: LETERSI Tagged With: bejdo malo, Mirela Kanini

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GADISHULLI BALLKANIK  
  • Lindja e Mesme, Trump dhe kthimi në Realpolitikë
  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT