• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BLETET, MJALTI, ARIU DHE NJERIU

September 24, 2015 by dgreca

Tregim nga Agim Xh. Dëshnica/

Lart  në krahun e majtë  të rrugës me pisha e plepa, që merr përpjetë për në Parkun e madh të Tiranës, në një sop nga  duket liqeni  dhe kodrat përballë, në dy stola të drunjtë rrinin ulur tre burra të thinjur, Lani, Nasi dhe Rudi. I pari  tregoi gjatë e gjerë  rreth  trimërive të tij kundër italianëve, kurse i dyti për heroizmat e veta kundër  gjermanëve. I treti, ishte kundër luftës, megjithatë dëgjonte me vëmendje, habitej e buzëqeshte me ato ndodhi, sa të rrezikshme aq, edhe të pabesueshme. Papritur,  mbi kokat e tyre kaloi duke zukatur një grenxë e verdhë. Rudi e pa tek ndaloi mbi një gur.

-Ky insekt  kriminel – tha- të pickon, edhe pa e trazuar e s‘e gjen gjë. Në ato çaste iu kujtuan bletët  fisnike e punëtore, ndaj vijoi:- ndryshe nga grenxa bleta të thumbon, kur mbron zgjoin, por pas pak, humb jetën!-  Rudi mandej nisi të  fliste  për  mjaltin, për ariun e njeriun: – Dikur  bletët jetonin në pyje me mare plot me lule. Zgjojet i ndërtonin nën tokë si milingonat ose në humnera si shqiponja! Këto soj bletësh trupin e kishin. më të madh. Fshatarët i quanin brumbuj. I pari që pat shijuar mjaltin e tyre ka qenë ariu i murmë.  E kam parë me sytë e mi, kur bridhja vetëm pyjeve me çifte në dorë. Pas ariut u mësua edhe njeriu, por ky më i zgjuar se ariu i zbuti dhe i strehoi në zgjoje pranë shtëpisë.

-Si shumë guximtar paske qenë!– tha Lani i habitur.-. Deri më sot  s’më ka qëlluar të shoh ari, duke ngrënë mjaltë.

-Vertet, çuditem edhe unë!- shtoi  Nasi –  Dhe jo vetëm kaq, por kohet e fundit  ti,  sikur shumë i ditur po na del. Në çfarë librash apo gazetash,  i ke lexuar histori të tilla, aman?

-A keni qenë ndonjëherë në fshatin Shënavlash të Elbasanit?

– Elbasan? Unë njoh vetëm Shënavlashin e Durrësit- tha Lani.

-Edhe unë!- vijoi Nasi.

-Mjalti si mjalti-thonë në atë fshat malor.  A keni nuhatur erën e luleve të mareve? Po  kokrat  e kuqe ai keni shijuar?  Po rakinë prej tyre?

-Maret po,  ndërsa  rakinë jo! – u përgjegjën njeri pas tjetrit dy miqtë e tij.

-Nëse kthen një gotë  raki mare, përvëlohesh, hëngre mjaltë prej luleve të tyre, bëhesh esëll dhe shërohesh.- Rudi  hapi  revistën “Flaka”, të mbështjellë tub e pyeti-  Për të mësuar më shumë, a doni një tregim nga shkrimtari Isuf Kodra, botuar në këtë rrevistë.

-Përrallë?- pyeti Lani.

-Ç’ne!  Eshtë ngjarje e vërtetë!

– Mirë, lexoje, por me zë burrash që  ta dëgjojmë mirë, sepse jo vetëm sytë, por edhe  veshët po na lënë-  tha  Nasi duke qeshur.

Para se të fillonte Rudi, morri frymë thellë:“Në një fshat nën hijen e Tomorit, na ishte një Pertef. Ky Përtefi, na qenkej pak si hamës ëmbëlsirash. Qysh në kohën e gjermanëve, kur nuk pat mbushur  edhe dymbëdhjetë vjetë,  i pëlqente mbi të gjitha, mjalti i bletëve.  Në atë kohë lufte, ai me shokë ruante dhitë e fshatit në pyjet me mare. Herë pas here nëpër livadh pikasnin papritur  tek brofnin e fluturonin lart bletët e egra. Rrëmonin me kujdes  e gjenin nën tokë foletë e tyre e kënaqeshin me mjaltë. Pastaj i mbulonin për vitin e ardhshëm.

Pas luftës, Pertefi u rrit e na u bë drejtues i rinisë. Ke parë ti? Sado u lodh nëpër fshatra, pyet këtu e pyet atje, hë në një shtëpi, hë në një tjetër, megjithatë për drekë a darkë, i shtronin vetëm dhallë e supë me grosh e pak bukë. Mjaltë asgjëkundi! Në mëngjes ngrihej i mërzitur e ia mbante për në fshatin  tjetër. I pat rënë në vesh se mjaltë të mirë nga bletë zgjojesh kishin kulakët, por Pertefi as në hijen e manit nuk u qasej, se, siç thoshnin,  syri sheh e lajmi fluturon në Komitet. Po ndërgjegjja? Kjo ia shtonte më tepër mërinë ndaj  kulakëve .

Një ditë prej ditësh, djaloshi ra në mjaltë. Në një fshat të humbur,  në shtëpinë e Kapo Sadushit, i shtruan  pëpara një poçe me mjaltë dhe pak bukë. U gëzua Pertefi sa s’ka. Ha e ha me lugë druri, saqë bukën e harroi. Djali i vogël i shtëpisë, ulur shesh përballë, e vështronte syshqyer tek mbushte lugën, e kalonte ngadalë midis buzëve, i lëpinte me gjuhë e kënaqej  me atë mjaltë bletësh të egra.

Kur mjalti  në poçe po mbarohej, Pertefi pyeti.

-Or çun- sa mjaltë keni marrë këtë mot?

-Tre qypa, dy me mjaltë bletësh nga zgjojet, një të vogël me mjaltin e brumbujve.

-Vërtet?

-Po, po!  Në qypin e vogël babi gjeti dje në mëngjes një mi të ngordhur.

Pertefi sa s’ulurti. I zemëruar sa s’ka, lugën e flaku tej, ndërsa poçen e përplasi në mur. Pastaj nuk u ndje mirë, i vinte  për të vjellë.

Çuni brofi në këmbë dhe vrapoi duke thirrur:

-O babi! O babi! Ai miku e theu poçen e këlyshit!“

* * *

Rudi e mbylli revistën:-Me kaq tregimi  i shkrimtarit tonë mbaroi, veçse unë di histori më të gjata me ujkun e uritur, që pasi ulurinte natën, linte pyllin e sillej rreth shtëpive e staneve pa bagëti. Erdhi një kohë kur ai i gjorë ose kaloi kufirin ose u zhduk. Tani çohuni se po afron dreka. Na presin gratë në shtëpi.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, ARIU DHE NJERIU, BLETET, MJALTI

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT