• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FLLADE TË NGROHTA ATDHEDASHURIE E MIQËSIE, SHQIPTARE-SUEDEZE..

February 26, 2013 by dgreca

Nga: VIRON KONA, shkrimtar e publicist/inspektor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës-Tiranë/

Vizitat në një vend mik, janë gjithnjë mbresëlënëse dhe cilido vizitor e ndjen detyrim që të shprehet për to, në mënyrën e tij, për gjithçka që sheh, për njerëzit që takon e për mjedisin. Ndërsa, më pas, si pa kuptuar, nis e “zhytet” në jetën dhe botën e atij vendi, më saktë të njerëzve që jetojnë, punojnë dhe  e zhvillojnë veprimtarinë e tyre atje.

Prof. Murat Gecaj, duke qenë i ftuar nga Qendra Kulturore Shqiptare  “Migjeni” në Boras të Suedisë, në festimet e 5-vjetorit të krijimit të revistës  “Dituria” dhe të 4-vjetorit të radios “Dituria”, është nxitur të shprehet ndjeshëm, me respekt  dhe me shumë dashuri, për ato festime dhe për aureolën, që i ka shoqëruar ato, në Shqipëri dhe në Suedi. Kur i lexon, varg njëri pas tjetrit, shkrimet e librit të krijojnë përshtypjen e një buqete me lule të shumëllojshme dhe  të freskëta, të lidhura me “fjongon” e miqësisë shqiptare – suedeze. Ato u dhurohen dhjetëra mijëra bashkëkombësve shqiptarë me banim në Suedi, por dhe mikpritësve suedezë, këtij populli me ndjeshmëri të lartë njerëzore, që iu gjendën pranë vëllezërve tanë nga Kosova, në ditët e tyre më të vështira, kur mbi ta veproi me egërsinë më të madhe gjenocidi  serb.

Në shkrimet e këtij libri, pasqyrohen dhe  vlerësohen dukuri, episode dhe ngjarje, veprimtari miqësore shqiptare – suedeze dhe ndjenja atdhedashurie, për vendlindjen Kosovë dhe Shqipërinë. Por shprehen edhe meditime rreth asaj çfarë prof.Gecaj ka përjetuar e ka ndjerë në ato ditë të qëndrimit dhe të vizitave në Suedinë mike. Gjithçka është parë dhe shkruar nga këndvështrimi i një publicisti të sprovuar, që nuk lë t`i shpëtojë gjë; që vlerëson, studion, analizon, shprehet me fjalën e sinqertë dhe mendimin e pastër e të çiltër dhe, e plotëson këtë, më tej, me imagjinatën krijuese. Me këtë libër,  mendoj se autori ia arrin t`i shprehë natyrshëm  mbresat dhe emocionet, që provoi në ato ditë të shënuara, por edhe t`i përjetojë dukuritë dhe ngjarjet me ndjenjën e thellë të atdhetarizmit, t`i vlerësojë ato si ngjarje të rëndësishme historike  dhe me theks njerëzor.

Me penën e artë të publicistit, autori gjen rastin të shprehet bindshëm, argumentues dhe bukur për Suedinë e zhvilluar dhe të përparuar, ndër shtetet dhe kombet europianë. Njëherazi, shkruan me një gjuhë zemre të ngrohtë edhe për ato vlera thellësisht njerëzore, që e shquajnë popullin suedez,  dashurues  të shpirtit të bukur e të lirë të njeriut.

Cilido lexues i vëmendshëm vëren  se ngjarjet, episodet, shënimet, përshtypjet, skicat, reportazhet dhe e tërë ngrehina publicistike e paraqitur mjeshtërisht në faqet e librit, ka një bosht, rrezaton një subjekt: jetën e suedezëve dhe të shqiptarëve me banim në Suedi; jetën aktuale, marrëdhëniet e natyrshme dhe tepër njerëzore e miqësore të krijuara mes tyre, për një ardhmëri të sigurt, për fëmijët, familjet dhe vazhdimësinë e jetës. Libri pikëzon dhe veçon episode dhe ngjarje, portretizon tipa dhe karaktere  njerëzish,  shqiptarë dhe suedezë, të moshave dhe profesioneve të ndryshme; vë në dukje dhe vlerëson e gjithçka  e bën në mënyrë tepër shprehëse, figurative dhe emocionuese. Libri nisë me lajmin e udhëtimit për në Suedi, nëpërmjet ftesës së veçantë të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Boras; me udhëtimin ajror drejt Veriut të Europës, në vendin e dikurshëm të vikingëve, kurse sot të suedezëve të zhvilluar, të përparuar dhe shpirtmirë, me botë të pasur njerëzore. Vijon libri me shkrime për brendinë e festimeve të  5-vjetorit të revistës “Dituria” dhe të 4-vjetorit të radios “Dituria”; me përqafime të ngrohta dhe të përmallshme mes vëllezërish dhe miqësh; me bashkëbisedime mbresëlënëse dhe fjalë të zjarrta, të mbajtura në kuvendin  e njerëzve të kulturës. Ndërsa shohim më tej fotografi të panumërta dhe autografe librash, me shprehje ndjenjash të respektit vëllazëror e miqësor…

E, në vazhdim, pasqyrohen vizitat në Borasin e njohur për tekstilin, për veçoritë dhe karakteristikat qytetare perëndimore të tij; për historinë dhe kulturën, për njerëzit e mirë, të dashur, të ditur dhe  mikpritës; për bukuritë dhe pastërtinë e mjedisit; kujdesin ndaj kulturës, traditës, librit, veprave të artit; respektin për vlerat njerëzore kudo, ku ato shfaqen dhe plot shembuj të tjerë, që përfaqësojnë, konfigurojnë  e paraqesin në mënyrë bindëse një qytet europian, me përmasa dhe  parametra modernë.

Shkrimet e librit, shprehin ngrohtësisht e mjaft bukur edhe vizitën në Goteborg, qytet i dytë i Suedisë për nga madhësia, i quajtur ndryshe dhe “Londra e vogël” ose “Amsterdam i ri”; vijojnë me përshkrimet mbresëlënëse të vizitave  dhe shëtitjeve në atë qytet-port, me histori dhe mjedise interesante e befasuese për cilindo vizitor. Libri ndalet në portretizimin e karaktereve njerëzorë, tregimin e ngjarjeve të llojllojshme, duke pasqyruar thellësinë e ndjenjave të atdhedashurisë së shqiptarëve, të cilët kanë gjetur strehë të ngrohtë dhe të sigurt në Suedinë mike, por që vazhdimisht mendjet dhe rrahjet e zemrave të tyre, përhapin në hapësirë fllade malli dhe dashurie të zjarrtë për vendlindjen e shtrenjtë, Kosovën dhe Shqipërinë.Prof. Murat Gecaj, si edhe në shkrime të tjerë të tij, zhvillon dhe vlerëson ngjarjet nisur nga ideja se, ajo që e bën të bukur dhe mbresëlënës një vend, një qytet, një shtet, një popull, është vlera shpirtërore e njeriut, sesi ai paraqitet në veprimtarinë e jetës së përditshme, çfarë qëndrimi mban  ndaj të resë, përparimtares; sesi ai ndërton “urat” e bashkëpunimit me popuj të tjerë, si nderon dhe respekton civilizimin dhe qytetërimin. Dëshiroj të theksoj me bindje të plotë, si bashkudhëtar dhe dëshmitar  i mjaft episodeve dhe ngjarjeve të përshkruara në këtë libër, që Suedia dhe banorët e saj, qofshin vendës, shqiptarë ose të ardhur nga kombe të tjerë, e manifestojnë cilësisht shkëlqyeshëm qytetarinë, mirësinë dhe dashurinë njerëzore.

Autori e respekton Suedinë dhe suedezët si komb, duke vënë në dukje se ata   i kanë  dhënë botës dhe njerëzimit personalitete të mëdhenj historikë dhe të të gjitha fushave: politikës, kulturës, shkencës,  artit, letërsisë. Por, ndërkohë, ky vend dhe ky popull emeton stuhishëm dhe me rrezatim gjithëpërfshirës, energji të pamata njerëzore, ashtu si dielli jetëdhënës shpërndan kudo, pa kursim, pa hatër dhe anësi, rrezet e tija të ngrohta, kusht kryesor  për ekzistencën e njeriut në planetin, ku ne  jetojmë.

Nëpër  faqet e librit kalojnë emra njerëzish të moshave e profesioneve të ndryshme, shqiptarë e suedezë, fëmijë, nxënës shkollash, mësues e mërgimtarë të thjeshtë, personalitete të artit e kulturës, miq dhe dashamirës të Shqipërisë e Kosovës, autoritete vendëse, gazetarë, shkrimtarë, artistë, studiues… Emrat e tyre bëhen të njohur nga autori me respekt e dashuri, ata portretizohen dhe paraqiten bukur me të veçantat e tyre, me vlerat dhe me mesazhet që përcjellin, nëpërmjet tregimeve, ndodhive, bashkëbisedave të ngrohta e të sinqerta. Nga njëra faqe në tjetrën, lexuesi miqësohet  me ta, si me miq që ka mall e dëshirë t`i takojë e t`i njohë më nga afër.

E bënë tërheqës librin, fakti se ai është  shkruar me një gjuhë të pastër letrare e drejtshkrimore, me larmi, ngjyrime e nuanca emocionale, me stil tërheqës e origjinal. Gjithashtu, e bën edhe më të plotë librin, pajisja me fotografi njerëzish, vendesh, peisazhesh dhe pamjesh, nga vizitat në  Suedinë  e bukur.

Kam bindjen  se, cilido që do ta lexojë këtë libër, jo vetëm do të marrë një informacion të pasur dhe të plotë për popullin suedez dhe shqiptarët me banim në Suedi, por edhe do të krijojë përshtypje, të atij lloji,  që të mbeten të ngulitura thellë në kujtesë dhe që pasohen me shfaqjen e  emocioneve, për çdo faqe dhe  shkrim të librit.

Një hyrje libri, ka për detyrë të japë natyrshëm një informacion, por edhe të nxisë dëshirën dhe kureshtjen e lexuesit për atë që, libri, përfaqëson, paraqet dhe trajton, për mesazhet që  përcjell dhe mënyrën, sesi i shprehë ato. Gjithësesi, sado pasqyruese që të jetë një hyrje, ajo nuk mundet kurrsesi të bëhet zëdhënëse e plotë dhe shteruese  e mesazheve, emocioneve dhe bukurive të një vepre të ndjerë publicistike. Do të jetë vetë lexuesi, ai që do ta bëjë vlerësimin. Por dëshiroj të nënvizoj me bindje se, te faqet e këtij libri, rrahin si krahë pëllumbash në fluturim, fllade të ngrohta atdhedashurie e miqësie, të çiltëra, transparente dhe të sinqerta, të atilla, që mund t`i krijojnë vetëm zemrat  e bukura.

Caption: Boras-Suedi (14 prill 2012). Nga e majta(lart): V.Kona, B.Latifi, M.Gecaj, P.Ketissen, S.Demaku; (poshtë, nga e majta): K.Hoxha e K.Gurmani

 

Tiranë, shkurt 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Murat Gecaj, Viron Kona

DY LIBRA TE RINJ NE ITALI

February 1, 2013 by dgreca

Në Itali, u vu në qarkullim një libër i ri, italisht, nga prof. Alfred Uçi-Akademik

                 Në kuadrin e kremtimit të 150-vjetorit të Unitetit të Italisë  dhe 100-vjetorit  të shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, me nismën  e Shoqatës “Lisi i Arbërit”, në Tiranë dhe Institutit studimor  Me – Me, në Kozencë (Kalabri), për të mbështetur e përkrahur bashkëpunimin kuluror me italo-arbëreshët,  u botuan  në italisht librat:

       1)     “Il PASSATO PESA SUL PRESENTE”, i përgatitur nga Onorevole Mario Brunetti;

2)    “DA UN SECOLO ALL’ALTRO-Cento anni della proclamazione di indipendenza dell’Albania (Nga një shekull në tjetrin:100 vite nga shpallja e Pavarësisë të Shqipërisë,        të para me syrin e një protagonisti), me autor prof. Alfred Uçin-Akademik dhe me Parathënien e Mario Brunettit.

Libri i prof. A Uçit është në gjuhën italiane dhe  përbëhet nga “esse”, të ndara në tri pjesë:

I.    Estetika dhe letërsia;

II.   Nyja të historisë së Shqipërisë;

III.  Esse:  filozofike-sociale-politike.

 Tiranë, 31 janar 2013

(Shkrimin e dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Alfred Uci, dy libra te rinj, Murat Gecaj, ne itali

TAKIMI ME AKADEMIKUN MARK KRASNIQI NE TIRANE

January 23, 2013 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/

1.

Kisha kohë pa e takuar prof. Mark Krasniqin-Akademik, njërin ndër figurat e njohura dhe të shquara të arsimit, kulturës, shkencës e politikës në Kosovë. Prandaj ndjeva kënaqësi të veçantë, kur mora një ftesë nga kryetari i Shoqatës “Nikaj-Mertur”, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), se në mbrëmjen e datës 18 janar 2013, do të organizohej një koncert dhe manifestim masiv, në Pallatin e Kongreseve të kryeqytetit Tiranë. Ndër të tjera, aty shënohej se do të ishte pjesëmarrës edhe prof. M.Krasniqi.

Ende pa nisur shfaqja, hyra në sallën e stërmadhe, që gumëzhinte si “koshere” bletësh. Nga radhët e mezit, drejtpërdrejt me skenën, ku diku afër e kisha të caktuar edhe unë vendin, e vërejta të ulur atë, bashkë me një mik të tij, nga Gjakova, Gjokë Gecin. U përshëndeta me prof. Mark Krasniqin me përzemërsi dhe iu luta një personi që të na fotografonte, për ta patur shenjë kujtimi. Ndërkaq, edhe më pas gjeta rastin të bisedonim bashkë, sigurisht jo gjerësisht. Më  erdhi shumë mirë që, megjithëse në moshën mbi 92-vjeçare, gëzonte shëndet të qendrueshëm, mbahej i fortë dhe kishte kujtesë të admirueshme. Këtë gjë e vërejta edhe  kur ai u shfaqi dashamirësi gjithë njerëzve të shumtë, të cilët vinin ta takonin dhe ta respektonin. Bile, pati nga ata nikajmërturas, që ia treguan shtëpinë dhe iu lutën që, pas shfaqjes, të shkonin në familjen e tyre.

Në bisedë e sipër, por dhe  kur u ndamë aty, pasi nisi shfaqja “e zjarrtë”, e titulluar “Nata e Nikaj-Mërturit”, në vijim të disa veprimtarive të tilla, solla në kujtesë njohjen tonë. Ishin vitet ’70-të e 80-të të shekullit të kaluar, kur në kryeqytetun Tiranë, por dhe në rrethe të vendit, u organizuan veprimtari masive, konferenca, simpoziume e kongrese shkencore. Ato ishin për çështje të historisë e gjuhësisë, kulturës, etnografisë, arkeologjisë e tjerë. Megjithëse dihen vështirësitë e kohës për lidhjet me Kosovën e robëruar nga rregjimi serb, në ato merrnin pjesë edhe studiues e shkencëtarë shqiptarë prej saj. Një ndër ata, padyshim, ishte edhe prof. Mark Krasniqi. Ai nuk vinte këtu, në “shtetin amë”,  si një një “vizitor” i thjeshtë, por edhe lexonte punime të thelluara shkencore.

Një ndër udhëtimet e tij në Tiranë, por dhe në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ishte ai i marsit të vitit 1980. Në qytetin më verior alpin, Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Shkencave në Tiranë, kishte përgatitur një sesion shkencor, me rastin e 55-vjetorit të vrasjes së “Heroit të Popullit”, “Dragoit të Dragobisë”, Bajram Curri. Në udhëtimin, nga kryeqyteti për atje, pasi kisha për të lexuar një temë për figurën e tij në këngët popullore, arrita në Fushë-Arrës dhe aty u ndalëm pak për të pushuar. E dija që, në përbërje të grupit nga Prishtina, ishin Ali Hadri, Zekeria Cana e një tjetër. E pyeta prof. Markun, pak me shaka: “Për ku jeni nisur kështu, profesor,  apo për në sesionin shkencor, kushtuar B.Currit?” Aty për aty, ai m’u përgjigj me një shprehje popullore, duke e anashkaluar shpjegimin e saktë: “Jo, po, me që i kisha opingat veshur, mendova dhe unë të dal një herë në Malësi”. Në fakt, meqenëse e ka origjinën nga krahina e Nikaj-Mërturit dhe larguar shumë kohë të parët që andej, ai ma shfaqi dëshirën se donte t’i njihte të afërmit e tij, atje. Kur arritëm në qytetin “B.Curri”, sigurisht, këtë gjë ua thashë drejtuesve të partisë e shtetit të asaj kohe. Me sa kuptova, një ndër arsyet, se përse nuk donin ta lejonin të shkonte për vizitë tek ata prof. Marku, ishte varfëria e tejskajshme në atë krahinë. Ndërsa përgjigja  e pëligjia, për atë, ishte se: “Rruga është e prishur dhe nuk mund të kalohet për andej!?”

Megjithëse nuk mori pjesë në sesionin shkencor, të organizuar në qytetin “B.Curri”, pasi nuk e kishte “lejën” nga organet jugosllave,prof. Mark Krasniqi erdhi me ne në fshatin e bukur Valbonë. Aty hëngrëm një drekë së bashku, ku dhe u kënduan këngë popullore. Por pati edhe një recitim, nga rapsodi i mirënjohur vendës, Sokol Arifi. Në vargjet e tij, me përmbajtje të theksuar atdhetare, ai përmendëte edhe të këqijat e regjimit serb, ndaj shqiptarëve të Kosovës. Prandaj, të ftuarit kosovarë  u ndjenë ca “ngusht” dhe, për të mos i venë ata në pozitë të vështirë, raspsodi nuk vazhdoi më gjatë, me recitime të tilla. Megjithatë, e pashë që prof., Markut i shëndritën sytë, kur i dëgjoi ato vargje rapsodike, të cilat e shprehnin realitetin e vertetë e të dhimbshëm historik të shqiptarëve, nën pushtimin e huaj serb.

Në vitet pasardhëse, kam lexuar shpesh për  studimet, botimet e pjesëmarrjet në detyrat dhe veprimatritë e ndryshme, nga Akademiku Mark Krasniqi. Sigurisht, si atëherë dhe tani, jam ndjerë krenar për këtë bashkëkrahinas e  atdhetar të mirë, i cili jetën e tij të gjatë e ka venë në shërbim të arsimit, shkencës e kulturës kombëtare shqiptare. Prandaj, si unë, por dhe të gjithë ata, që e takuan e biseduan këto ditë me të në Tiranë, i uruan nga zemra: Shëndet të plotë, jetëgjatësi dhe krijimtari sa më të frytshme, për të mirën e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Në darkën, që u shtrua nga Shoqata “Nikaj-Mërtur” për të ftuarit dhe artistët amatorë, përsëri u përshëndeta me Akademikun e shquar Mark Krasniqi. Bile, me ftesën edhe të Gjokë Vukajt, që e filmonte tërë veprimatrinë, shkuam e i takuam gotat me atë dhe kolegë të tij nga Kosova, unë dhe kryetari i Shoqatës, Av. Gjin Niklekaj. Sigurisht, për këtë gjë, ai na falënderoi dhe u ndamë përzemërsisht.

2.

Mark Krasniqi  lindi më 19 tetor 1920, në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon-Kolaj), në afërsi të Pejës, në Kosovë. Arsimin fillor e ndoqi në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prizren. Në vitet 1941-1943,  vazhdoi studimet e larta për letërsi, në Universitetin e Padovës së Italisë. Ndërsa më tej, studioi për gjeografi dhe etnografi, në Universitetin e Beogradit (1946-1959). Nisi të shkruajë që herët në shtyp. Kështu, në vitet 1945-1946, ishte redaktor i gazetës “Rilindja”, në Prizren, së bashku me Esad Mekulin e Omer Çekrezin.  Në tri vitet vazhduese, punoi në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe, në Radio-Beogradi. Në vazhdimësi, gjatë viteve 1950-1961, ishte asistent dhe pastaj bashkëpunëtor shkencor, në Akademinë e Shkencave të Serbisë. Ngjarje më rendësi për të ishte marrja e diplomës, në Beograd, më 1950 dhe pastaj mbrojtja e doktoraturës, në Universitetin e Lubjanës, më 1960.

Për aftësitë e tij pedagogjike e shkencore, në periudhën 1961-1981 ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, kur shteti serbo-komunist e largoi nga puna arsimore e pedagogjike. Disa herë ka shërbyer dekan dhe prodekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, në Prishtinë. Gjithashtu, është ngarkuar me detyra të larta, si: zëvendëskryetar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993). Është anëtar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka marrë pjesë dhe ka lexuar punime të tij në shumë kongrese, konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombetare, ku janë diskutuar çështje të traditave, gjuhës letrare kombëtare, historisë, etnografisë, folklorit shqiptar e tjerë.

Përveç punës pedaogjike e shkencore, detyrave drejtuese dhe veprimtarive të tjera, ka hartuar e botuar rreth 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollorë. Prof. M.Krasniqi është autor i disa vëllimeve me poezi, si për të rritur e fëmijë, ndër të cilët veçojmë librin për të vegjëlit, “Posta e porositur”. Po kështu, ka shqipëruar, nga serbishtja e sllovenishtja, disa romane e përmbledhje me poezi

…Me përvojën e gjatë shumëvjeçare dhe shërbimet e çmuara, q ë i ka bërë popullit tonë, për të cilat folëm shkrutimisht më lart, prof.Mark Krasniqi-Akademik, është jo vetëm krenari e natyrshme për banorët e krahinës së prejardhjes, pra Nikaj-Merturit, por edhe për vendlindjen, mbarë Kosovën e Shqipërinë dhe, më tej, për të gjitha trojet amtare e diasporën tonë shqiptare.(Ne Foto: Nga e majta: M.Krasniqi e M.Gecaj (Tiranë, 18 janar 2013)

Tiranë, 22 janar 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: me mark Krasniqin, Murat Gecaj, Takimi, Tirane

NATA “ E ZJARRTË” E NIKAJ-MËRTURIT…

January 22, 2013 by dgreca

Shkruar nga: Prof. Murat  Z.Gecaj/

1.

Ndoshta, shumëkush nuk e di, se ku ndodhet krahina e Nikaj-Mërturit, por shpesh dhe e emërtuar “Lekbibaj”. Pa bërë shumë “gjeografi”, shënoj këtu se ato dy fise, me emrat Nikaj e Mertur, shtrihen në pjesën perëndimore të  Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Kufizohen, po në atë drejtim, me Dukagjinin e rrethit të Shkodrës. Në 12 fshatrat e asaj krahine, historikisht, jeton një popull me tradita të lashta dhe të njohura, si besa e burrëria, trimëria, respekti, vëllazërimi e dashuria për lirinë dhe virtyte  të shumta, të njohura të shqiptarëve. Si në  gjithë krahinat tjera, popullsisë së atyre anëve u është dashur që, ndër breza, të përballen jo vetëm me vështirësitë e natyrës së egër alpine, po dhe me sulme të njëpasnjëshme të armiqëve pushtues. Por kurrë nuk janë gjunjëzuar dhe prej andej janë kthyer me turp, komandantë ushtarakë të huaj,  krajla e pashallarë të Stambollit. Po, për fat të keq, përvoja të hidhura  provuan e përjetuan ata edhe në 50 vitet e regjimit monist, që kaluam të gjithë në Shqipëri. Prandaj ndodhi që, pas vitit 1990, shumë djem e vajza ose familje të asaj krahine, morën udhët  e largëta, për një jetë më të mirë. Disa qëndruan në krahina të tjera të vendit tonë, por dhe jashtë tij, pra në shtete të ndryshme të Europës dhe deri në Amerikë.

Për këto fakte, që përmendëm fare shkurt,  dëshmon historia, e shkruar ose jo; për këto të vërteta flasin këngë e rapsodi, që nga ato të Mujit e Halilit, që në Nikaj-Mërtur e kanë zanafillën ose burimin e tyre legjendar.

2.

Të largohesh nga vendlindja, është dhimbje e madhe dhe përjeton shqetësime të shumta, kudo që ndodhesh e punon dhe sado mirë të jetosh. Por është ende më tronditëse, nëse e harron truallin e të parëve tu. Për fat të mirë, “mërgimtarët” e rinj, të fiseve Nikaj e Mërtur, nuk ia kanë kthyer shpinën shtëpive e tokave të tyre, rudinave e pllajave me bimësi të rrallë, burimeve ujëkristalta e bjeshkëve me aha e  pisha shekullorë, ku bora nuk shkrin as në stinën e verës. Për këto, dëshmitare janë edhe faqet e ndryshme të Internetit, ndër të cilat “Facebooku”. Aty shpesh lexojmë njoftime dhe shohim, sa e sa fofografi të bukura, që flasin për udhëtimet e pandërprera të banorëve të atyre krahinave, sidomos nga të rinjtë e të rejat, bile edhe kur vijnë nga jashtë shtetit, nëpër gjurmët e vendlindjes së tyre ose të paraardhësve.

 

Por është edhe një “dëshmitar” shumë i fuqishëm i mos harrimit dhe i kujtesës së vendlindjes, nga nikajmërturasit. Ja, ka disa vjet që është formuar shoqata emërmirë, “Nikajmërturi”, me qendër në Tiranë. Natyrshëm, ndjen kënaqësi, kur mëson se degë të kësaj shoqate janë formuar, vitin e kaluar, edhe në Gjakovë e Shkodër. Sigurisht, ky proces afrimi, bashkimi e vëllazërimi ndërmjet tyre do të vazhdojë  më tej. Por kjo Shoqatë ka botuar edhe disa numra të gazetës mujore, që mban po atë emër dhe tani drejtohet nga arsimtari Dedë Qokaj.

3.

Sigurisht, kanë domethënien e tyre, ato që shkrova më sipër. Por nuk është ky qëllimi kryesor i këtij shkrimi. Pra, dëshiroj  t’i njoh shkurtimisht lexuesit me një përvojë shumë të bukur, që ka nisur pak vite më parë dhe që vazhdon me sukses tani. Nuk e harroj një takim, në Tiranë, me ish-kryetarin e komunës së Nikaj-Mërturit, Dedë  Malaj. Ai po projektonte mendimin për çeljen e një gazete të krahinës, si dhe organizimin e një shfaqjeje masive në kryeqytet, pikërisht kushtuar traditave atdhetare e kulturore të saj. Prandaj kërkonte mbështetjen e intelektualëve, biznesmenëve  dhe dashamirësve të Nikaj-Mërturit.  Pa u zgjatur, rikujtoj këtu se u organizuan dy shfaqje madhështore, me këngë, valle e recitime, njëra në Teatrin e Operas e Baletit dhe tjetra në Pallatin e Kongreseve. Ndërsa, gjatë vitit të kaluar, veprimtari të tilla masive u organizuan me sukses, nga kjo Shoqatë, në qytetin verior “Bajram Curri”, por dhe në qytetin e Gjakovës.

Tashmë, këto që tregova i përkasin së kaluarës. Por na vjen mirë, kur jemi dashmitarë të mbajtjes gjallë të kësaj tradite me shumë vlera, për të gjithë moshat, por sidomos për brezin e ri. Kështu, në mbrëmjen e datës 18 janar 2013, një natë tjetër magjike dhe “të zjarrtë”, përjetuan nikajmërturasit, por  dhe të ftuarit nga Kosova, si Gjakova e Peja dhe nga Tuzi i Malit të Zi. Në mes tyre ishin edhe personalitete të njohura, me origjinë nga ajo krahinë, si: Akademiku Mark Krasniqi, “Artistja e Popullit” Tinka Kurti, drejtori i Arsimit të Gjakovës, Zef Osmani, Ramiz Gërvalla, Gjokë Geci e të tjerë. Po kështu, kishte përfaqësues të shoqatave simotra, si nga ajo “Bytyçi”, me kryetar av.Agron Gjedia.

Shfaqja, e titulluar “Nata e  Nikaj-Mërturit”, ishte organizuar nga veprimtarët e palodhur të Shoqatës, po me këtë emër, që tani ka kryetar av. Gjin Niklekaj dhe me zëvendëskryetarë, Mëhill Gecaj e Dedë Malaj. Ajo ishte në vazhdim të veprimtarive kushtuar vitit jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ideja e shfaqjes dhe realizimi ishin nga Dedë Malaj, me udhëhqës artistik Kolë Susajn dhe skenar nga Marash Mëhilli, me koordinator Ndoc Malajn e koreograf Vis Hetën. Ndërsa kostumet ishin nga  Lek Pecnikaj, skenografia nga Pirro Pjetërnikaj dhe stiliste ishte gjakovarja Bora Balaj.

Për përgatitjen dhe realizimin e tërë shfaqjes kishin ndihmuar disa persona dhe sponsorë ishin: “Drita Travel&Tours, me president Pashk Prekën; Universiteti “Kristal”, baste live “Joy Lloto”, Hotel “Agron”, “Gurra Security”, me president Agron Qokën; Bar-Kafe “Oslo”, me pronar  Shpëtim Marvatën; live music, Club “Boleros”.

4.

Sipari i shfaqjes u hap me daljen në skenë të gupit të burrave, “Akapelo” dhe të drejtuesve, Marashit dhe Etlevës. Me aftësi të veçantë, ata i paraqitën në skenë, njëri pas tjetrit, të gjithë numrat e përgatitur, secili më i bukur e më tërheqës se tjetri. Të gjithë ata i përshkonin temat për traditat atdhetare, liridashëve e perparimtare, fryma e bashkimit kombëtar shqiptar etj. Sigurisht, vëmendja e të pranishmëve u përqendrua te gjurra e pashterrshme popullore, pra te foklori mjafi i pasur  i kësaj krahine, me larminë e luleve alpine shumëngjyrëshe.

Mund të përmendim mjaft numra të paraqitur dhe autorë të tyre. Ndër ta, u duatrokitën nxehtësisht këngëtarët Zef Beka, Gofile Papleka, Prekë Mrishaj e Lekë Pecnikaj, por dhe Nikolin Përpali, Gjin Pepkola, Gjergj Gjoni, Gjokë Mula, Fjoralba Syla, Bardhok Mehmeti, Ndue Nikolli etj. Këngët u kushtoheshin traditave të pasura të krahinës së njohur në histori, Nikaj-Mërtur, luftës së banorëve të saj shumëvjeçare, për liri e pavarësi dhe përparim të gjithanshëm. Por kishte edhe këngë lirike, si ajo e interpretuar nga Bardhok Prebibaj dhe  këngë ritmike të kohës së sotme, nga disa të rinj e të reja, si dhe ato luajtur me vegla të ndryshme, nga nxënësit e Liceut Artistik “Jordan Misja”, në kryeqytet. U duartrokitën nxehtësisht, gjithashtu,  trioja në këngën “Më pëlqen” dhe vajzat nga Gjakova,  motrat Bushi. Mjaft të bukura e me ngjyra të ndezura ishin kostumet popullore të krahinës, si të femrave dhe të meshkujve, të cilat u paraqitën në sfilatat e përgatitura me shijë artistike. Pas daljes në skenë të disa “zanave”, skenë, dy prej tyre u shpallën fituese, njëra nga Nikajt e tjetra nga Mërturi.

Larminë e kësaj veprimtarie e pasuroi edhe shpallja e vendimit të Këshillit të Komunës së Nikaj-Mërturit, e cila kishte vendosur t’u jepte titullin “Qytetar Nderi”, disa figurave të njohura, nga kjo krahinë ose me prejardhje prej saj. Me këtë rast, dëshmitë përkatëse iu dorëzuan me ceremoni dhe duartrokitje të nxehta: Përfaqësuesit të znj. Ahtifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës; z.Ramiz Gërvalla, Dr.Gjergj Papleka, z.Zef Osmani, z. Dedë Qokaj e z. Zef Doda.

Në mbyllje të shfaqjes artistike të nikajmërturasve, e cila e “ndezi” edhe një herë tjetër Pallatin e Kongreseve në kryeqytet dhe që zgjati mbi tri orë, qindra të pranishëm në sallë i ndoqën  me shumë kënaqësi  grupet masive të këngëtarëve e valltarëve, me flamuj kombëtarë ndër duar, të cilët interpretuan me mjeshtëri këngën kushtuar krahinës së bukur  Nikaj-Mërtur, si dhe atë me titullin “Jam shqiptar, kuqezi”.

…Pas kësaj shfaqjeve  mjaft mbresëlënëse, e cila e vazhdoi jehonën e saj edhe nëpër familjet nikajmërturase e më gjerë, për të ftuarit dhe artistët amatorë u shtrua një darkë, në Shtëpinë Qendrore të Kulturës së Ushtarakëve të Tiranës. Gjithashtu, aty vijuan deri vonë, gëzimi e hareja e pjësëmarrësve, me  këngë e valle popullore. Mendimi i organizatorëve, por dhe i dashamirësve të shumtë të veprimtarive të tilla, ishte se ato do të vazhdojnë përsëri edhe në të ardhmen.

Tiranë, 20 janar 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Murat Gecaj, nata e zjarrte, Nikaj-merturit

BASHKIMI YNË I PARË, AI SHPIRTËROR…

January 21, 2013 by dgreca

(Mendime, pas dy ftesave, nga një koleg gjakovar dhe një arbëresh)

NGA MURAT GECAJ

Sidomos kohët e fundit, pas festimeve madhështore e të paharruara të  100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, po flitet në vijimësi për një temë “të nxehtë” të ditëve tona, pra për Bashkimin Kombëtar. Në këto çaste, kur po i shkruaj këto radhë, së pari, po më kujtohen vargjet e një kënge-kushtrim, të cilën e dëgjoj shpesh. Atë e kam në një kastetë dhe e vendosu në manjetofonin te koka e krevatit, në dhomën e fjetjes. Nuk më kujtohen tani me saktësi vargjet e saj, por njëra nga ato i drejtohet Europës, me fjalët e një atdhetari shqiptar: “ A i mban mend ti trojet e mia?”, të cilat janë copëtuar në disa shtete te Ballkanit!

Sigurisht, kjo temë shumë e rëndësishme e diteve të sotme për Kombin tonë, kërkon sa e sa shkrime dhe libra. Po unë u nisa për të shkruar këtë skicë nga fakti,  se këto ditë mora dy ftesa për të qenë në veprimtari, që organizohen, njëra në Gjakovë dhe tjetra në Durrës. E di fare mirë se dhe kolegët e mi marrin shpesh ftesa të tilla, për të shkuar në përvjetorë shtypi e ditëlindjesh, në përurime librash, ekspozita të ndryshme e tjerë.

Po, meqenëse këto dy ftesa i “lidha” me njëra-tjetrën, për të ilustruar sadopak mendimin e shprehur, që në titull, po i tregoj ato shkurtimisht. Kështu, u mbushën 5 vjet që, në qytetin e Gjakovës, nisi të dalë revista e ilustruar, me titullin “Gjakova Press” dhe me kryeredaktor Zeki Vehapin. Nuk e kam të saktë numrin e tyre, por mjaft nga ato revista i kam të ruajtura në bibliotekën time. Sepse m’i sjell, herë pas here në Tiranë, kolegu e miku im, arsimtari dhe publicisti Ibrahim Hajdarmataj. Meqenëse ai jeton familjarisht në fshatin Zogaj të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), pra vetëm  afër 5 km larg Gjakovës, shkon atje dhe kolegët e redaksisë i japin me dashamirësi kopje edhe për mua. Gjej rastin t’i falenderoj nga zemra për këtë gjest të bukur, pasi në ndonjë nga këto revista kanë publikuar edhe shkrime të mijat! Për të festuar këtë ngjarje të gëzuar, ata më dërguan dje ftesë në e-mailin tim, që të marr pjesë në ceremoninë e rastit. Ajo organizohet ditën e martë, datë 22 janar 2013, ora 14.00, në restorantin “Svis Bistri”(te stacioni i autobusëve të Gjakovës).

Rasti i dytë ka të bëjë me një mik paksa më të largët, me profesorin arbëresh, Luiss de Rosa. Së pari, atë e kam njohur përmes lidhjeve me Internet e ai më ka dërguar, rregullisht në PDF, numrat e revistës shqip-arbërisht, me titullin “Kumbora”, të cilën e drejton me dëshirë e profesionalizëm. Ndërsa vitin e kaluar erdhi në Tiranë, ku e takova bashkë me mbesën time të vogël 9-vjeçare, Dorelën. Me atë rast, me shkëmbyem libra tanë, pasi prof. Luiss de Rosa ka botuar disa të tillë, një ndër të cilët është një fjalor i dobishëm, shqip-arbërisht. Ndërsa sonte unë mora prej tij, përmes Internetit, një ftesë interesante. Ai njoftonte se, më datën 21 janar 2013, pra ditën e hënë, do të çelet në Galerinë e Artit Pamor të Durrësit, ekspozita “Fshati im, një fshat arbëresh”.

Sigurisht, dëshira ime është e madhe për të qenë i pranishëm në të dyja rastet dhe i falënderoj ata nga zemra. Por i përmenda këto ftesa për të theksuar mendimin se, kështu, duke marrë pjesë në veprimtari të tilla, kulturore e artistike e tjerë,së pari,  ne shqiptarët do të bashkohemi nga ana shpirtërore. Dhe, kur banorët e cilitdo vend qoftë ai, janë të bashkuar shpirtërisht, nuk ka asnjë focë në botë që t’i ndajë as t’i shkëpusë më ata nga njëri-tjetri. Kështu, në një farë mënyre, kjo është edhe përgjigja ime për kolegun e mikun tim, prof. Hulusi Hako,i cili më ka dërguar për ta lexuar shkrimin e tij me titull: “Me hyrjen në Bashkimin Evropian, a zgjidhet autormatikisht edhe çështja e bashkimit tonë kombëtar?” Se, që të hipësh në një shtëpi, nisur nga ajo më e ulta dhe deri te më e larta, mund e duhet të kalosh, vetëm shkallë-shkallë… Ndryshe, me përvojën e tij të mençur mijëravjeçare, populli ynë shprehet, se atëherë “thyen qafën!”

Tiranë, 19 janar 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: bashkimi shpirteror, Murat Gecaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT