• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIM PËR MJEKUN DHE NJERIUN E MIRË, Prof. EMIL CIMBI

December 11, 2012 by dgreca

Nga: Sajmir Kadiu- drejtor drejtorie, në Ministrinë e Shëndetësisë-Tiranë/

Ne Foto: Prof.dr. Emil Cimbi gjatë punës…/

 Më datën 26 nëntor 2012, familja Cimbi, në Tiranë, humbi përgjithnjë njeriun e saj të dashur, Emilin; bashkëpunëtorët, mikun e tyre të pazëvendësueshëm;  pacientët e vegjël,  mjekun e aftë dhe të palodhur; kultura shqiptare një perfaqësues të rrallë, poliedrik dhe poliglot.Gjithmonë do ta kujtojmë Prof. Emilin,  ashtu siç ishte: burrë elegant dhe gjithmonë fisnik, në kuptim e plotë të fjalës; me një  buzëqeshje të sinqertë, që përbuzte çdo lloj autoritarizmi. Brenda saj kishte disa tinguj të çiltër, të qeshur e miqësor, nga ata që kanë vetëm fëmijët, të  cilët i trajtonte me aq dashuri, prindi e mjeku.Përkushtimi i tij ndaj detyrës, përmbante një “ilaç çudibërës”, që shkrinte çdo  pengesë, në lidhjet njerëzore. Ai sfidonte të gjitha  nyjet, ngërçet, ku ngecnin e gërshetoheshin aq shpesh, zgjidhjet e problemeve të vështira të mjekësisë.Ai ishte ithtar i të mundshmes, i pozitives, ndaj çdo sfide. Nuk ishte thjesht i mirë, por ishte mirësia vetë. Nuk ishte thjesht i zoti, kompentent, por ishte zotësia vetë dhe modestia vetë.

                                    ***

Prof. Dr. Emil Cimbi kishte lindur në Polican të Gjirokastrës, më 7 janar 1928. Mësimet e para i mori në vendindje, në gjuhën greke, ndërsa arsimin e mesëm e filloi në Liceun e Korcës, e vazhdoi në atë të Tiranës dhe e perfundoi në Gjimnazin e njohur të Shkodrës. Në vitin 1948, menjëherë pas marrjes së dëftesës së pjekurisë, iu dha bursa për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, në Bukuresht të Rumanise, të cilin e përfundoi shkëlqyeshëm, në vitin 1953.

Pas mbarimit të studimeve të larta,  dr.Emili u kthye në Shqipëri dhe shërbeu mjek, pranë Spitalit të Përgjithshem Civil të Tiranës, në pavionin e Pediatrisë, shef i të cilit ka qenë prof. Selaudin Bekteshi. Nga ky, ai mori mësimet e para të shërbimit mjekësor ndaj fëmijëve, fushë ku më pas do të shkëlqente, duke u bërë një nga figurat më të njohura të Pediatrisë, në Shqipëri.  Gjatë tërë jetës, dr. Emili u shqua për shkallën e lartë të profesionalizmit. Ai, gjithashtu, dallohej për vlerat njerëzore, me të cilat u shërbente të sëmurëve të vegjël.

Në vitin 1958, dr. Emil Cimbi u caktua në detyrën e drejtorit te Drejtorisë së Shërbimit Shëndetësor të Tiranës, ku shërbeu 5 vjet radhazi. Me dijet e tij të thella, në fushën e profilaksisë e të higjienës dhe një organizator i aftë, e kualifikoi dhe e forcoi shërbimin mjekësor, në të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat e kryeqytetit.Në vitin 1963, me kërkesën e tij, u rikthye në Spitalin e Fëmijëve të Tiranës. Me vullnetin dhe këmbënguljen e tij, iu fut me mish e me shpirt studimeve në këtë fushë dhe mjaft shpejt u bë një mjek pediatër shumë i formuar dhe i njohur, në Shqipëri. Për vlerat, që mbarte dr. Emili, prof. Bekteshi, në atë kohë drejtor i Pediatrisë, e mbante atë si kolegun dhe bashkëpunëtorin më të afërt, në zgjidhjen e shumë rasteve të ndërlikuara, te pacientët e vegjël.

Për meritat e tij, në vitin 1970,  dr. Emili u ftua të ishte pjesë e stafit të Institutit të sapohapur të Studimeve Pedagogjike. Aty punoi shtatë vjet, me profesionalizëm të lartë, bashkëpunëtor shkencor në fushën e higjienës mendore të nxënësve. Janë të shumta botimet shkencore dhe monografitë e tij, në këtë fushë. Për këtë gjë, dëshmon më së miri edhe skedari i Bibliotekës Kombëtare, në Tiranë. Në ato vite, ai dha një ndihmesë të vye në fushën e pedagogjisë dhe  psikologjisë. Botoi rregullisht edhe në shtypin arsimor e pedagogjik të kohës, si në “Revistën Pedagogjike” dhe gazetën “Mësuesi”. Shumë nga botimet e tij kanë qenë pjesë e rëndësishme e teksteve shkollorë.

Në vitin 1978, dr. Emili u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Konsultoreve “Nëna dhe Fëmija”, në Shqipëri.  Me punën e palodhur të tij, e ktheu këtë institucion në një qendër  të rëndësishme kombëtare profilaktike-kurative, për nënat e reja.

Dr. Emil Cimbi  ka qenë për 15 vjet, pedagog i Katedrës së Pediatrisë, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës. Aty dha ndihmesën e çmuar të tij në përgatitjen dhe aftësimin teorik e praktik të mjekëve të rinj, të cilët do të shërbenin, më pas, në atë fushë të mjekësisë.

Me punën e palodhur kërkimore e studimore, dr. Emili ka fituar tituj të rëndësishëm shkencorë, deri në atë “Profesor”. Gjatë jetës së tij,  ai ka qenë i përfshirë në shoqata të ndryshme shkencore.  Ndër të tjera, ishte nënkryetar i Shoqatës së Psikologëve të Shqipërisë, të cilën e drejtonte Akademiku Bedri Dedja, si dhe sekretar i Shoqates “Mjekësia, Letërsia, Arti”.

Në jetën e tij, dr. Emili ishte, gjithashtu, një letrar i njohur dhe i pasionuar, anëtar i denjë i “armatës së Çehovit”.  Prandaj, duke shfrytëzuar prirjet e tij letrare, ishte mjaft aktiv në këtë fushë të krijimtarisë. Ai ka qenë vazhdimisht i pranishëm në shtypin e kohës, me botime të tij, në gjini të ndryshme, si:  tregime, poezi e poema, të cilat më vonë i ka përmbledhur në vëllime më vete.

Dr. Emili njihet, gjithashtu, edhe si një përkthyes i talentuar. Janë të shumta shqipërimet e tij, nga disa gjuhë të botës. Për këtë gjë, e ndihmonte njohja e mirë e gjashtë gjuhëve të huaja (frengjisht, rumanisht, rusisht, greqisht, italisht, latinisht), duke e bërë atë një poliglot të kohës.

Pas zhvillimeve demokratike në Shqipëri të vitit 1990, falë vlerave, që ai përfaqësonte, u ftua të punonte në shërbimin diplomatik.  Në vitin 1992, u emërua Atashe Kulturor dhe Konsull i Shqipërisë, në Bukuresht të Rumanisë. Ndër të tjera, atje përvetësoi më tej artin e mjekësisë, të diagnostikimit dhe  mjekimit të sëmundjeve.  Dashurinë për atë qytet dhe për kulturen rumune  e shprehu pa rezerva, gjatë gjithë jetës së tij.  Disa vepra të autorëve rumunë u përkthyen në gjuhën shqipe, nga Profesor Emili.

Dashurinë e madhe për mjekësinë, dr.Emil Cimbi e kishte të pandarë  nga  dashuria për kulturën. Mahniteshim për njohuritë e tij të gjëra dhe të pafundme, që i vinin dhe nga leximet e shumta. Në një bisedë të lirë me të,  kalonin si në një paradë  personalitete të kultures dhe letersisë rumune,   si Iliade, Stanesku  Soresku, Ana Baldiana ose Jon Karamitro; të letërsisë greke, si Seferis ose Elitis;  asaj italiane, si Buxati ose Montale, e gjithe letërsia klasike frënge dhe ajo ruse, por edhe poetët amerikanë të shekullit 20-të, që nga Tomas Eliot e deri tek Alan Ginsberg.

Dr. Cimbi, në mjekësi e zgjodhi specialitet pediatrinë, jo rastësisht. Vdekshmëria foshnjore e ajo fëminore dhe e nënave përbënin  plagën më të rëndë të shëndetësisë sonë, në vitet ‘50-’60-të të shekullit të kaluar. Intelektual i formuar dhe me prirje të hapura perëndimore, ai e dinte mirë se shëndeti i fëmijëve është fusha e betejës mbizotëruese, për nderin ose turpin e shëndetësisë, madje, edhe të shoqërisë së një vendi.  Se është beteja për të ardhmen. Treguesit e tyre, në krahasim me vendet e zhvilluara, ishin katastrofikisht  shumë herë më të larta, në kohën, kur ai dhe kolegët e tij e nisën ëndrrën sfiduese. Ndërsa sot,  Shqipëria është futur në listën njëshifrore të këtij treguesi, duke e bërë realitet ëndrrën e prof.dr. Emil Cimbit dhe kolegëve të tij të shquar të mjekësisë, rilindës të vërtetë. Ata sakrifikuan një pjesë të madhe të jetës së tyre, për jetën e shëndetshme të ardhëmrisë së Kombit Shqiptar.

Nëqoftëse në këtë periudhë festive të 100-vjetorit të Pavarësisë jemi dëshmitarë të nderimit të atdhetarëve, që e themeluan shtetin e parë shqiptar, më 28 Nëntor 1912, njëkohësisht, duhet të nderojmë të gjithë mjekët e shquar, që u kujdesën për shëndetin  e popullsisë  shqiptare, duke filluar çdo gjë nga pothuajse zeroja. Këtë gjë e themi pa mëdyshje edhe për prof.dr. Emil Cimbin. Famën dhe emrin e mirë të tij nuk e përbëjnë vetëm librat, përkthimet, monografitë, publicistika, studimet psikologjke e pedagogjike, por në radhë të parë, jetët njerëzore të shpëtuara, sëmundjet e shëruara, foshnjat e lindura shendosh, lehonat e lumtura dhe të moshuarit e mjekuar me aftësi të lartë profesionale.

Dr. Emili ka qenë edhe një familjar shembullor, bashkëshort ideal, në krah të gruas së tij, Engjëllushes, që e donte dhe e respektonte aq shumë. Po kështu, ishte prind i dhembshur dhe i kujdesshëm për fëmijët e tij, Mondin dhe Irenën, duke iu përkushtuar atyre tërë jetën, që të bëheshin sa më të denjë për  familjen dhe shoqërinë shqiptare. Mbi të gjitha, ai ka qenë një gjysh i mrekullueshëm, për nipërit dhe mbesat e tij. U ka shërbyer atyre me përkushtimin e mjekut, pedagogut dhe gjyshit, që në lindje dhe në vegjëlinë e tyre. Dashurinë e pakufishme ndaj tyre, dr. Emili e ka hedhur në vargje, duke krijuar poema të mrekullueshme për Fionën, Frankën, Ralfin dhe Kristin, të cilët janë pjesë e botimeve të fundit të tij. Këto vargje, të thurura me dashuri nga gjysh Emili, do te mbeten një kujtim i pashlyer në zemrat  e tyre. Se janë dhe testament i gjyshit, që ata të ecin në gjurmët e tij dhe të bëhen njerëz me vlera, në shoqërinë tonë, ashtu siç ishte ai, deri në fundin e jetës.

Si të gjithë profesionistët e njerëzit fisnikë, ai zbatoi parimin, se “ai që jep, nuk mban mend, nuk përmend, nuk shënon, nuk kërkon, nuk pretendon”. Është detyra e atyre, që marrin dhe e shoqërisë, në tërësi, të nderohen e kujtohen, të jenë mirënjohës. Dhe, prof. dr. Emil Cimbi, ishte nga ata fisnikë, i cili do të nderohet e  kujtohet, përgjithmonë.

Tiranë, 11 dhjetor 2012

(Shkrimin e dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Dr. Emil Cimbi, Murat Gecaj, nderroi jete

ANËTARË TË SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE, NË SUEDI, VIZITË NË VLORË E TIRANË

November 29, 2012 by dgreca

-Pritje e veçantë, nga Kryeministri i Shqipërisë, Prof.Dr. Sali Berisha-/

NGA MURAT GECAJ/

Siç është bërë e ditur, në festimet madhështore të 100-vjetorit të shpalljes së Pavaërsisë, në qytetin e Vlorës dhe në kryeqytetin Tiranë erdhën bashkatdhetarë nga të gjitha trojet amtare, por dhe nga diaspora shqiptare. Një grup  prej disa vetash, ishte edhe ai nga Komuniteti Shqiptar, në Mbretërinë e Suedisë, të bashkuar në Shoqatën e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve, “Papa Klementi XI-Albani”. Ata shprehën kanaqësinë dhe entusiazmin e tyre, që patën mundësinë t’i bashkoheshin “uruganit” popullor, që mori pjesë në festimet e bukura, të cilat u organizuan në Vlorë, aty ku më 28 Nantor 1912, delegatët e Kuvendit Mbarëkombëtar, që përfaqësonin të gjitha trojet tona, e shpallën para gjithë botës “mëvehtësinë” dhe miratuan Qeverinë e Parë Shqiptare. Po kështu, ata ndoqën nga afër ngritjen e Flamurit Kombëtar, mitingun festiv dhe koncertin e bukur, organizuar aty.

Bashkatdhetarët tanë, me banim në qytete të ndryshme të Suedisë e pritën me gazim edhe vizitën e tyre në kryeqytetin Tiranë. Këtu ata vizituan Muzeun Historik Kombëtar e u takuan me drejtorin e tij, prof.dr. Luan Malltezin. Me këtë rast, në shenjë simbolike, mbollën në një parcellë para Muzeut, 100 rrënjë lule, të cilat i kishin sjellë posaçërisht, nga qytetet e vendbanimeve të tyre, në Suedi. Pastaj ata nderuan disa figura të  ndritura të historisë sonë kombëtare, duke shkuar pranë shtatoreve të Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës etj., ku dhe bënë së bashku fotografi.

Kulmi i kësaj vizite ishte pikërisht sot në mesditë, kur i priti në kabinetin e tij të punës, Kryeministri i Shqipërisë, prof.dr. Sali Berisha. Ai i takoi me radhë të gjithë pjesëtarët e këtij grupi dhe u uroi nga zemra mirëserdhjen e pjesëmarrjen në festimet madhështore të 100-vjetorit të Pavarsisë. Gjithashtu, ai i përgëzoi për punën e çmuar krijuese të tyre dhe përurimin e vlerëve më të mira kombëtare, ndërmjet komunitetit shqiptar e atij suedez, në atë vend mik skandinav. Gëzimin e festës sonë sivjet e shtoi fakti se jemi  më të bashkuar se kurrë, në një Komb të lashtë, me një gjuhë e një Flamur, me tradita të shquara atdhetare e liridashëse.

Në emër të këtij grupi të bashkatdhetarëve, foli kryetari i SHSHAK në Suedi, Hysen Ibrahimi. Ndër të tjera, e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e vëllazërore dhe e informoi shkurt për punët e dobishme dhe botimet e anëtarëve të kësaj Shoqate. Pastaj i dhuroi atij disa libra të kolegëve të tij.

Me emocione të veçanta përshëndeti e foli në këtë takim Qibrije Hoxha, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës dhe veprimtare e njohur për çështjen shqiptare, në Suedi e më gjerë. Ajo u shpreh se ndihej krenare, si vetë ajo, por dhe gjithë kolegët, që morën pjesë në këto veprimtari  festive mbarëkombëtare dhe patën fatin e mirë ta takonin nga afër Kryeministrin Berisha. Për këto arsye, tha ajo, ndihem e nderuar dhe e privilegjuar, gjë që do t’i frymëzojë të gjithë kolegët e saj në emigracion, për të qenë kurdoherë në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë e Kosovës, të trashëgimisë së çmuar atdhetare e traditave më të mira të popullit tonë.

Para se të ndaheshin, pjesëtarët në këtë takim, bënë një fotografi me Kryeministrin Sali Berisha dhe secili prej tyre i shprehu atij falenderime për takimin dhe fjalët e rastit.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, u kërkoj të falur lexuesve, se njoftimi im ishte i shkurtër. Por e di mirë se pjesëtarë të kësaj Shoqate, që vizituan Vlorën e Tiranën në këto ditë feste të paparë dhe takuan Kryenistrin Sali Berisha, do t’i shkruajnë më gjerësisht përshtypjet  e tyre.(Foto: Një pjesë e grupit, para shtatores së Hasan Prishtinës (Tiranë, 29 nëntor 2012)

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Kryeministri Berisha, Murat Gecaj, Shkrimtaret shqiptare en Suedi

TIRANA NË PRAG TË 100-VJETORIT TË PAVARËSISË…

November 24, 2012 by dgreca

(Hasan Prishtina e Isa Boletini i “bashkojnë” trojet amtare)/

Nga MURAT GECAJ/

Me gjithë dëshirën e mirë, është e pamundur që t’ua paraqes lexuesve pasqyrën e saktë të kryeqytetit tonë, vetëm katër ditë para jubileut të lavdishëm të 100-vjetorit të Shpalljes së  Pavarësisë së Shqipërisë. Në dorë mbaj një aparat të vogël fotografik, duke patur në mendje “peshën” e rëndë të asaj ngjarjeje të madhe, pra të 28 Nëntorit 1912. Ishte dita, kur në emër të delegatëve të Kuvendit Mbarëkombëtar të Vlorës, Ismail Qemali shpalli  para botës “Mëvehtësinë”, ngriti lart Flamurin tonë kuqezi dhe njoftoi formimin e Qeverisë Shqiptare, të parën në historinë shumëshekullore të popullit tonë.

          1.Në krah të Muzeut Historik Kombëtar, tani ngrihet madheshtore shtatorja e atdhetarit, luftëtarit e dijetarit të shquar, Hasan Prishtina, e cila u përurua këto ditë. Sivjet, shtatore të tilla janë ngritur edhe në Prishtinë e në Shkup. Me këtë rast, sjell ndërmend disa vite të shkuara, kur eshtrat e tij u rivarrosën në qytetin e Kukësit. Që andej, dërgova dhe u publikua në  gazetën “Bashkimi”,  reportazhi me titull “Prapë, na  ardh’ Hasan Prishtina!”, të cilin dëshiroj që ta përsëris edhe tani.

“Kur na thërret historia!…”

Ndërsa pikërisht sot, në Mitrovicën e Kosovës, u rikthye “gjenerali i kryengritjeve popullore”, Isa Boletini. Në manifestimin, me rastin e vendosjes së shtatores së tij, morën pjesë qindra veta dhe  tubimin e përshëndetën të ftuar nga Tirana e Shkupi, si dhe pasardhës të tij. Siç dihet, ka vite që një shtatore e Isa Boletinit është ngritur në qytetin e Shkodrës.

Nuk më harrohet as pamja, që transmetuan TV-të, nga Mitrovica. Atje shiheshin që ecnin në kolonë kalorës, hipur mbi kuaj dhe me rrobat kombëtare veshur. Ashtu udhëtoi drejt Vlorës edhe Isa Boletini, në ballë të 300-400 luftëtarëve, në atë fund-nëntori 1912

Në hyrjen kryesore të Muzeut Kombëtar vërej radhë të gjata të njerëzve, të cilët presin të hyjnë brenda dhe aty të shohin nga afër rikthimin, nga Vjena e Austrisë, pas 500 vjetëve, të armëve të kryetrimit Skënderbe. Ndërsa ai, në qendër të kryeqytetit, hipur mbi kalë, sikur u bën “roje” manifestimeve të këtyre ditëve. Po, na sjell në kujtesë luftërat e pandërprera dhe heroike  të shqiptarëve, me shpata e jataganë në dorë, për të fituar lirinë e pavarësinë e grabitur.

Në hyrjen anësore të Muzeut në fjalë është hapur dhe shihet me inters të veçantë, ekspozita fotografike e artistëve më të njohur shqiptarë, që nga Marubi dhe deri te Angjelin Nenshati. Aty, sikur “parakalojnë” para syve të vizitorëve, sa e sa burra të mëdhenj të Kombit tonë, kapedanë e tima, të pushkës e të penës. Ata u shkrinë “si qiriri” dhe nuk i kursyen dijet, djersën as gjakun e tyre, që Shqipëria të bëhej shtet i lirë dhe i pavarur.

Diku, në mesin e Sheshit “Skënderbej”, është vendosur një shqiponjë e madhe, në sfond të së cilës ngrihet Flamuri Kombëtar. Edhe aty gjallëria është e madhe. Kush e  kush më parë, shpejton që të zerë vend dhe të bëjë një fofografi, që ta ketë për kujtim. Ndër ata, shoh të vegjël e të moshuar, burra e gra. Por, më të gëzuarit prej tyre, janë vogëlushët, shumica e të cilave  ka veshur bluza, ku është stamposur flamuri kuqezi. Aty shkrepa një foto, për dy vogëlushë të panjohur për mua…

 

Në qendër të kryeqytetit…

2.

Por edhe Biblioteka Kombëtare pret shumë vizitorë, që vijnë nga rrethe të ndryshme dhe nga trojet shqiptare, jashtë kufinjëve tanë shtetërorë. Aty është vendosur dokumenti i parë i shqipes së shkruar, pra “Meshari” i Gjon Buzukut. Për atë janë bërë mjaft studime, ndër të cilët dallon ai i prof. Eqrem Çabejt-Akademik. Ky dokument ka ardhur për herë të parë, nga Vatikani, në Shqipëri, për ta shikuar nga afër  sa më shumë njerëz të interesuar. Se dihet që, për atë, vetëm kemi lexuar në libra ose kemi parë dokumentarë të ndryshëm.

Detaje të bukra e domethënëse, gjatë kalimit tim sot nëper kryeqytet, kishte disa. Por mua më emocionoi edhe ky fakt: Aty në afërsi të “Mesharit” të Gjon Buzukut ishte vendosur edhe një “Libër përshtypjesh”. Nuk pata mundësi ta shfletoja atë, për të lexuar mendimet e vizitorëve. Por vërejta me kanaqësi, se aty shkruanin jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët. Ndërsa, në heshtje, e pyeta veten: ‘Vallë, çfarë thonë ata, me ato shkronjat e gjuhës sonë të bukur e të përbashkët letrare kombëtare?” Me siguri, tregojnë sot, por dhe do ta kujtojnë mot, kur të  rriten, se ata kanë parë dokumentin më të vjetër të shqipes së shkruar.

Aparatin tim fotografik e shkrepi edhe në pjesët e parparme të Pallatit të Kulturës dhe Hotelit 15-katësh “Tirana”, të cilët, gjithashtu, janë mbuluar me Flamuj Kombëtarë të mëdhenj. Por edhe më tej, plot flamuj është mbushur “Albanian Univertsity”. Këto pamje festive më shoqërojnë gjatë tërë udhës, deri në stacionin e trenit.

Ndërkaq, sjell ndërmend se, pak ditë më parë, këtë panoramë të bukur festive e përjetuam, bashkë me prof. Alfred Uçin-Akademik, edhe në vizitat tona në Shkup e Prishtinë. Atje, ne dërguam librin kushtuar “Mësuesit të Popullit” Petro Nini Luarasi e gjysh i tij, dhuratë për shkollat shqipe. Sigurisht, atë do ta dërgojmë edhe në Kosovën Lindore (Preshevë) e në Ulqin dhe në shkollat shqipe të diasporës.

… U kërkoj ndjesë lexuesve, që nuk pata mundësi të hyja në salla tjera dhe institucione të Tiranës e t’i shkruaja mbresat e mia. Por kam dijeni, se atje vazhdojnë të zhvillohen konferenca e të përurohen libra të rinj, të organizohen veprimtari kulturore e artistike etj. Ato e kanë temën qendrore nga historia qindravjeçare dhe e lavdishme luftarake  e popullit tonë, e cila u kurorëzua më 28 nëntor 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Tiranë, 24 nëntor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: feste, Murat Gecaj, tirana

“GJENERALI” POPULLOR, I URUGANEVE SHQIPTARE

November 23, 2012 by dgreca

  Kryetrimi Isa Boletini , ka thënë: “Një qind herë jetën e jap, por jo kurrë: /Armën, Nderin, Flamurin e Atdheun tim!/

 Nga: Prof. Murat Gecaj/ publicist e studiues-Tiranë

 1.

Lumenj gjaku u derdhën nga populli  trim e liridashës shqiptar, deri sa u kurorëzua akti i madh historik i 28 Nëntorit 1912, kur Shqipëria u shpall shtet i lirë dhe i pavarur. Në ballë të sa e sa kryengritjeve masive të shqiptarëve, kundër pushtuesve otomanë, qëndruan shumë trima të ditur dhe luftëtarë trima. Me armë e me penë, me guxim e dituri, ata nuk kursyen asgjë, që të realizohej ideali ynë i lartë kombëtar.

Kur kujtojmë figurat e shquara të Kombit tonë, menjëherë mendja na shkon edhe te biri i thjeshtë i Boletinit të Shalës, në Mitrovicë të Kosovës, Isa Boletini ose, siç e thërrisnin malësorët, “Isa Begi”, për të shprehur kështu nderimin dhe respektin për të. Lindi më 15 janar 1864, në një familje me tradita atdhetare. Kushtrimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për luftë kundër armikut, çoi në këmbë edhe Isën 17-vjeçar. Shpejt u dallua kudo për trimëri dhe guxim, zgjuarësi e urtësi. Armiku pushtues e shprehu urrejtjen e madhe për të edhe kur i dogji kullën e tij, gjashtë herë dhe gjashtë herë e rindërtoi. Nuk u mposht ndaj përndjekjeve e presioneve dhe gjurmimeve, që i bëheshin nga pushtuesit gjakatarë. Ka mbetur proverbiale shprehja e tij e njohur: “Unë jam mirë, kur asht mirë Shqipnia”. Ndërsa nuk e zinte gjumi, kur shihte padrejtësitë dhe synimet grabitqare të otomanëve pushtues dhe të monarkive shoviniste fqinje.

 Drejt Vlorës: Isa Boletini, në krye të “uruganit” të luftëtarëve trima…

 2.

Në fillim të këtij shekulli, Isa Boletini u vu në krye të Malësisë së Shalës dhe bashkë me Idriz Seferin u dallua si udhëheqës i kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-1912. Veçanërisht, spikati trimëria e luftëtarëve shqiptarë në grykat e Kaçanikut e Cerralevës. Shumë domethënës është epiteti, që i vuri shtypi i kohës, i cili e quajti Isa Boletinin: “Gjenerali popullor i kryengritjeve shqiptare”.

Ai udhëhoqi me trimëri luftëtarët shqiptarë edhe për të kundërshtuar synimet grabitqare, nga shtetet shoviniste fqinje serbo-malazeze etj., që kërkonin t’i copëtonin e t’i merrnin trojet shqiptare. Qëllimi i lartë, që i vuri vetes, e afroi atë me atdhetarër e shquar e udhëheqësit më në zë popullorë, ndër të cilët ishte dhe Ismail Qemal Vlora. Biri trim i Kosovës, Isa Boletini ishte përkrah tij dhe delegatëve të tjerë shqiptarë, si: Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Vehbi Agolli, Babë Dudë Karbunara, Nikollë Kaçorri, Sali Gjukë Dukagjini, Dervish Hima, Rexhep Mitriovica, Myfit Libohova, Jani Minga, Bedri Pejani, Ilias Vrioni, Dhimitër Zografi etj., të cilët nënshkruan Aktin e Madh historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe valvitën lart Flamurin tonë Kombëtar, pas 500 vjet robërie, nën sundimin otoman. Prijësi i betejave legjendare kundër pushtuesve armiq, në krye të mbi 300 luftëtarëve të armatosur kosovarë, u bë mburojë e çeliktë për zhvillimin dhe suksesin e atij Kuvendi të madh mbarëkombëtar.

Një ndër ish-drejtorët e shkollës shqipe të Korçës dhe delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, në Kuvendin e Vlorës, por dhe kryeredaktor i gazetës “Përlindja e Shqipërisë”,  Dhimitër Berati (1886-1970), në kujtimet e tij me titullin “28 Nëntor 1912”, ka shkruar: “Midis shumë të tjerëve, që kanë një emër më shumë a më pak të famshëm, tërheq vërejtjen fytyra e Isa Boletinit. Në fytyrë e në shtat Isa “Begi” përmbledh vetijat e shqiptarit dhe jo më pak në jetën e tij shpirtërore. Të pamët-luftëtari, gjithmonë i vrenjtur, kurrë s’i qeshë buza, pa shkak të rëndë. I gjatë dhe i hollë, trupi është i lidhur me dej të hekurt. Dëgjon shumë dhe flet pak; s’përzihet në fjalën e tjetrit dhe, kur flet, s’ngutet. Ai s’qe njeriu i fjalës, por i punimit a, më mirë, i pushkës” (B.Gaçe, “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare”, Tiranë, 1997, faqe 205)

3.

Isa Boletini është i njohur edhe për udhëtimin, që bëri më 1913, nëpër disa shtete të Europës, për të mbrojtur me çdo kusht të drejtat e ligjëshme të popullit shqiptar, të cilat donin t’i nëpërkëmbnin, armiqtë e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës. Shovinistët serbomëdhenj kërkonin ta largonin trimin atdhetar nga rruga e tij e luftës për të drejtat tona kombëtare. Prandaj u përpoqën, me dinakëri e me të holla, i propozuan poste e detyra, që ta afronin të bashkëpunonte me pushtuesit e rinj ose, të paktën, të hiqte dorë nga lufta e tij e vendosur. Por Isa Boletini trashëgonte cilësitë më të mira të shqiptarit, si krenarinë, besën e burrërinë etj. Prandaj, i përçmoi të gjitha joshjet e përpjekjet e armiqëve dhe, si kurdoherë, mbeti luftëtar i papërkulur, i vendosur deri në fund, që populli shqiptar të ishte i lirë dhe i pavarur. Ai i qëndroi besnik idealit të tij, betimit që kishte bërë një herë: “Unë një qind herë jetën e jap, por jo kurrë: Armën, Nderin, Flamurin dhe Atdheun tim!”

Pasi ushtritë  austro-hungareze pushtuan Cetinën, Isa Boletini kaloi në Podgoricë. Gjenerali gjakatar, Vashoviqi bëri plane për të organizuar një kurth. E lajmëroi të shkonte tek ai, por Isa e mori vesh qëllimin dhe nuk u bind. Në këto rrethana, forcat malazeze organizuan një pritë tjetër, në befasi. I.Boletini qëlloi me kobure, duke dhënë kështu sinjalin e luftës. Beteja ishte e përgjakshme dhe ai qëndroi si u ka hije trimave, deri sa ndërroi jetë. Pranë mbetën dhe djemtë e tij, nipat e disa bashkëluftëtarë. Aty, te Ura e Ribnicës, përgjithnjë u çimentuan themelet e një lapidari trimërie e burrërie, në shërbim të çështjes së madhe mbarëkombëtare, atij të 23 janarit të vitit 1916.

4.

Tashmë, është e njohur një histori nga jeta e këtij kryetrimi shqiptar, që po e ripërsëritim më poshtë. Më 1913, atdhetarët Ismail Qemali e Isa Boletini shkuan bashkë në Londër, si përfaqësues të denjë të popullit tonë. Aty do të takonin kryetarin e Konferencës së Ambasadorëve, për t’i shprehur protestën e vendosur ndaj padrejtësive të mëdha, që po i bëheshin Shqipërisë. Gjithashtu, do t’ia çonin atij betimin solemn dhe të njëzëshëm të mbarë shqiptarëve, se ata ishin të vendosur, deri në fund, për t’i bashkuar trojet tona amtare, Se ato na i kishin lënë të parët tanë trashëgim, brez pas brezi. Ishte një rregull i caktuar që, para se të hynin në zyrën e sër Eduard Greit, duhej t’i lenin armët në garderobë. Këtë kërkesë ia përsëritën edhe rojet Isa Boletinit, i cili veproi po ashtu, pra la koburën në garderobën e duhur. Pas bisedimeve zyrtare, Grei iu drejtua Isës, me të qeshur: “Më në fund, zoti Boletini, atë që nuk e kanë bërë dot pashallarët turq, e bëmë ne, në Londër!” Kreshniku i Kosovës martire dhe i mbarë trojeve shqiptare e mori vesh mirë, se diplomati  europian e kishte fjalën se, gjoja, ata e paskëshin çarmatosur!? Ndërkaq, Isa Boletini e shikoi drejt e në sy zyrtarin e lartë  dhe, po me buzëqeshjen dhe krenarinë e ligjeshme të shqiptarit trim e të zgjuar, të paçarmatosur kurrë, iu përgjigj shkurt e prerë: “Jo, besa, kurrë, as në Londër!” Dhe, aty për aty, nga gjiri nxori një kobure tjetër, me fishekët në gojë!… Për brezat  tanë, ai do të mbetet kurdoherë në kujtesën  e tyre, ashtu me armët ngjeshur fort, në brez. Të tillë e kemi tani edhe nëpër fotografi, në piktura e monumente.

Pllakatë, vendosur këto ditë  nëpër kryeqytetin tonë, ku është edhe portreti i Isa Boletinit (i pari, majtas, poshtë).

Marrim, kështu, nga jeta heroike e këtij luftëtari të shquar të lirisë e Pavarësisë, mesazhin e madh, që ka përcjellur historia për shqiptarët: Ata kurrë nuk do të durojnë t’i shtypin, t’i çarmatosin as t’i nënshtrojnë armiqtë, sado të fortë e dinakë të jenë. Shqiptarët “e bëjnë dekën si me le”, kur i thërret zëri i tokës amtare, kur rrezikohen seriozisht liria dhe pavarësia e tyre. Për këtë gjë flasin qartë sakrificat e shumta, që provoi, sidomos, dhe mbarë populli martir i Kosovës, vendlindja e kryetrimit Isa Boletini, “gjeneralit” të kryengritjeve shqiptare ose uruganeve popullore. Gjeneralë të tillë të shquar, ashtu si edhe Adem Jashari me bashkëluftëtarët, bënë që andej të largohen të mundur pushtuesit serbë dhe Kosova, krahas shtetit-amë, Shqipërisë, të hyjë e sigurtë në rrugën e demokracisë, e lirë dhe e pavarur.

 

Tiranë, 23 nëntor 2012                     

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gjenerali popullor, Isa Boletini, Murat Gecaj

“PETRO NINI LUARASIN” E PRESIN ME FLAMUJ, NË PRISHTINË…

November 23, 2012 by dgreca

-Dhurohen mbi 200 libra, kushtuar Petro Nini Luarasit, për shkollat e Kosovës-/

Nga: MURAT  GECAJ/

1.

Nuk ishte hera e parë, që në ditën e djeshme e bëja udhën për në Kosovë e në Prishtinë. Kisha shkuar atje edhe pas mbarimit të luftës dhe çlirimit të saj, nga pushtuesit barbarë serbë. Atëherë, ajo ishte e shkatërruar, se kishte përjetuar humbje shumë të mëdha në njerëz, materiale etj. Por liria kërkonte sakrifica dhe ato ajo i përballoi me qendresë të pashoqe dhe fitoi. Për ato fakte tragjike, por dhe heroike, shkrova e publikova librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000). Ndërsa në udhëtimet e mëpastajme e kam parë me gëzim të natyrshëm atë vend të lirë, që ripërtërihej dhe përparonte pa ndërprerje. Pastaj, erdhi plotësimi i një ëndrre e shprese shumëvjeçare: Kosova u shpall  Republikë, e pavarur e demokratike. Dhe ja, vetëm pas një muaji, kur kaluam përmes Prizrenit e arritëm në Shkup, tani ndodhemi përsëri në këtë tokë të bekuar dhe të mbushur plot me flamuj, kombëtarë e shtetërorë, por dhe të BE-së e SHBA-ve. Se, ashtu si Shqipëria, trojet tjera amtare e diaspora, Kosova është në festë. Ajo po e pret me gëzim  të patreguar shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar. Kjo gjë na bie kudo në sy, kur kalojmë pranë maleve të Sharrit, në Carralevë, Shtimje, Malishevë ose Lipjan etj.

Në Prishtinë gjejmë po atë mjedis festiv, që e lamë para disa orëve në Tiranë e gjatë tërë udhës, në Kamzë, Fushë-Krujë, Milot, Mirditë e Kukës, duke përshkuar “Udhën e Kombit”. Për vizitën tonë këtu kanë dijeni në Bibliotekën Qendrore, ku na presin me përzemërsi kolegët, drejtorë të dy bibliotekave, Sali Bashota e Munish Hyseni. Pasi çlodhemi pak e pijmë nga një kafe, hyjmë në sallën e mbledhjeve. Aty takohemi me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa  Mustafën dhe drejtoreshën e kulturës, rinisë e sporteve, Vlora Dumoshin, e cila është koordinatore e kësaj veprimtarie. Pastaj përshëndetemi me mjaft kolegë e miq të njohur, si me Akademikët Pajazit Nushi e Ramiz Këlmendi, prof. Shefkije Islamaj, publicistin e poetin Vezir Ukaj, piktorin Agim Krasniqi, shkrimtarin Adem Zaplluzha, poetin Izet Abdyli e të tjerë. Në mes tyre, ka mjaft drejtues të shkollave e punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike.

2.

Bashkë me prof. Alfred Uçi-Akademik, do të paraqesim para lexuesve dhe personaliteteve të arsimit, kulturës e shkencës librin e ri kushtuar martirit të shkollës shqipe, Petro Nini Luarasi (1865-1911), “Mësues i Popullit”. I pari e merr fjalën M.Hyseni, i cili, ndër të tjera, thotë se ky tubim përkujtimor e festiv organizohet për veprën  e re të Akademikut A.Uçi, të cilën ky ia ka kushtuar, me dashuri e profesionalizëm, atdhetarit e personalitetit të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, Petro N.Luarasit. Më tej shton se, “Thënia e tij lapidare: Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”, shërbeu si testament i qendresës, mbijetesës dhe pavarësimit e zhvillimit të shkollës e arsimit shqip, në të gjitha hapësirat shqiptare, të cilat përjetuan pushtime e luftëra, për liri e pavarësi”.

Prof. Alfred Uçi, duke treguar shkurt përmbajtjen e këtij libri, ndalet në përpjekjet e parreshtura të rilindësve tanë, ndër të cilët ishte i palodhuri e martiri i shkollë shqipe, Petro N.Luarasi, gjysh i tij. Përveç ndihmesës, që ai dha për hapjen e funksionimin e shkollave shqipe, në krahinën e tij të Kolonjës, u dallua edhe në drejtimin e shkollës së parë kombëtare të Korçës, ku drejtor i parë kishte qenë Pandeli Sotiri. Gjithshtu, folësi tregon se në këtë vepër janë publikuar disa shkrime të Petro Ninit, si dhe dëshmi e dokumente të tjerë arkivorë, kujtime të bashkëkohësve, nga shtypi i atyre viteve dhe i mëvonshëm etj. Në fund, ai u tregon të pranishmëve se kishim sjellë me vete mbi 200 libra kushtuar Petro N.Luarasit, dhuratë për shkollat shqipe të Kosovës. (Disa libra i lamë aty dhuratë edhe për shkollat e Kosovës Lindore-Preshava). Kjo është diçka simbolike, në këtë prag të festimeve për 100-vjetorin e krijimit të shtetit të parë shqiptar.Ndërsa prof. M.Gecaj flet për udhën e gjatë e të vështirë të krijimit dhe funksionimit të shkollave shqipe gjatë këtij 100-vjeçari, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Çamëri e diasporë. Që nga 7 marsi i vitit 1887, kur u hap shkolla e parë në Korçë, u deshën shumë mund, dituri e sakrifica të panumërta, që shkolla në gjuhën tonë amtare të mbijetonte e te zhvillohej. Më tej, pas, posaçërisht, ndalet në rrethanat e çeljes së shkollës së Prizrenit (më 1 maj 1889), e cila ishte dhe e para në Kosovë, me mësues Mati Logorecin e Lazër Lumezin. Një rëndësi të veçantë i kushton dhe tregon me fakte punën e Dikastërit të Arsimit, në Qeverinë e Vlorës, pas 28 Nëntorit 1912. Ai drejtohej nga Luigj Gurakuqi dhe pranë kishte delegatin e Koszovës në Kubend,  pejanin Sali Gjukë Dukagjni, tani “Mësues i Popullit”. Bashkë me mjaft kolegë të tjerë, ata iu përkushtuan hapjes dhe funksionimit të shkollave në gjuhën amtare në katër qarqet e Shqipërisë së asaj kohe. Në vazhdim, folësi nënvizon ndihmesën e mësuesve, të cilët shkuan nga Shqipëria, në Kosovë, në vitet 1041-1945. Po kështu, u ndal në përpjekjet e parreshtura për shkollën shqipe, nën regjimin serb dhe për zhvillimin e saj në udhën demokratrike, pas vitit 1999, kur vendi u çlirua një herë e përgjithmonë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës,  Isa  Mustafa e uron prof. A.Uçi për veprën e re, kushtuar Petro Nini Luarasit dhe paraqitjen e përmbajtjes së saj para auditorit, si dhe prof. M.Gecajn për pasqyrimin, në fjalën e tij, të udhës nëpër të cilën ka kaluar shkolla shqipe, në të gjitha trojet tona amtare, deri në ditët e sotme.

Në vazhdim, Prof. A.Uçi e prof. M.Gecaj u dhurojnë libra të tyre, me nënshkrim, disa pjesëmarrësve në këtë veprimtari, mbresëlënëse e të paharruar.

3.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, se do të tregoj diçka, që më bëri përshtypje, por që nuk lidhet direkt me veprimtarinë e mësipërme. Kur po hanim drekë, në Prishtinë, aty pranë nesh ishin tre të moshuar. Njëri nga ata, që më pas më tregon se ishte nga Peja dhe quhet Mit’hat Begolli, ngrihet nga karrikja, më përshëndet dhe e vë gishtin e tij tregues në gjokshin tim. Aty e kisha vendosur simbolin e Flamurit tonë Kombëtar. “Qenka shumë i bukur!”,-u shpreh ai… E kuptoj se dëshiron që edhe ai ta ketë një të tillë, në këto ditë feste. Sakaq, e heq nga xhaketa dhe ia jap atij, duke i  thënë se një simbol të tillë, pra të Flamurit tonë, do ta marr përsëri në Tiranë. E kundershton pak veprimin tim miqësor dhe më përqafon me dashuri e më falenderon nga zemra. Kështu, ne ndahemi si dy miq të vjetër, të njohur kohë më parë.

…Largohemi nga Prishtina, të mbushur plot kënaqësi dhe me ndjenja të bukura, shkaktuar nga tërë mjedisi i mrekullueshëm festiv, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë. Këtë gjë ne e pamë kudo, pra jo vetëm në kryeqytetin e Kosovës, por dhe në qytete e fshatra të saj.(Foto: Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…)

Tiranë, 23 nëntor 2012

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: A;freed Uci, Murat Gecaj, petro Nini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT