Në përvjetorin e rënies/
Shkruan: Prof. Murat Gecaj/
Mic Sokoli nji fjalë po e flet,/
i thuej nanës: ti, mirëmbetësh!/
Pa u farue Malësia krejt/
këtu nuk hyn krajl as mbret!…/
Beteja e përgjakshme dhe legjendare e Slivovës, e fundprillit të vitit 1881, kundër pushtuesve shekullorë osmanë, e ngriti në piedestalin e nderit dhe të lavdisë shqiptare, birin e paharruar të Bujanit të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), Mic Sokol Rama. Po cili ishte ai kryetrim, që e mbylli me gjosin e tij, pa u trembur aspak, grykën e topit armik, i cili villte zjarr mbi luftëtarët tanë të lirisë?
***
Në të djathtë të rrjedhës së lumit të Valbonës, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), kalimtarëve u bie në sy një shtëpi karakteristike. Ajo është Kulla e njohur e “Heroit të Popullit” Mic Sokoli, trimit të rrallë të atyre anëve, i cili me aktin e tij mbeti i paharruar dhe i skalitur me shkronja ari, në faqet e lavdishme të historisë së brezave.
Kishte lindur në fshatin Bujan, më 1839, në një familje me tradita të shquara atdhetare. Babai i tij, Sokol Rama dhe xhaxhai, Binak Alia, ishin dalluar si udhëheqës popullorë në kryengritjet e pandërprera antiosmane. Edhe Mici, qyshë në moshën 16-vjeçare u rendit përkrah forcave popullore, në luftë kundër pushtuesve serbo-malazëzë. Siç tregojnë dokumentet arkivore, kangët popullore dhe dëshmitarët e asaj kohe, ai mori pjesë në beteja të shumta, duke lënë kudo gjurmët e trimërisë dhe të guximit.
Në vitin 1862, Malësinë e Gjakovës e sulmuan afër 12 batalione osmane, të komanduara nga Mehmet Ali Pasha. Ishin të armatosur deri në dhëmbë e të pajisur me topa malorë. Ndër trimat malësorë, që u përballën me armiqtë pushtues, ishte dhe Mic Sokoli i ri. Vargjet e këngës popullore dëshmojnë më së miri këtë gjë:
Mic Sokoli n’ armë të bardha,
vendin Pashës s’ mun’ ia fala,
n’ ujë e mbyta e armët ia ndala!
Ndërsa, duke përmendur betejat e mëvonshme, rapsodi popullor thotë:
Mic Sokoli n’ dy tagana,
-udhë e mbarë,- m’i ka thanë nana;
lufto bir-o për Shqipni,
mos i le turqit me hy!
Përgjigja e kryetrimit ishte e tillë, sa mbeti përbetim i shqiptarëve në roje të tokës amtare:
Mic Sokoli nji fjalë po e flet,
i thuej nanës: ti, mirëmbetësh!
Pa u farue Malësia krejt,
këtu nuk hyn krajl as mbret!
Ndër aktet kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte dhe krijimi i ushtrisë kombëtare. Me këtë rast, nën komandën e Mic Sokolit, në Malësinë e Gjakovës u formua një batalion i posaçëm, që shërbeu si gardë e këtij Kuvendi historik. Kongresi famëkeq i Berlinit vendosi t’i jepeshin Malit të Zi tokat shqiptare të Plavës e Gucisë. Por kjo shënoi protesta të fuqishme mbarëpopullore. Në luftimet e zhvilluara, mbeti i plagosur djaloshi malësor Mic Sokoli, i cili nuk donte të kuptohej nga armiqtë dhe kërkonte ruba (fasho) për t’i lidhur plagët:
Sillni rubat, t’i lidhi varrët,
t’ lidhi varrët e ta shtërngoj shtatin,
mos t’ ma shohi asqeri gjakun…
Për t’i nënshtruar shqiptarët, Porta e Lartë dërgoi në Kosovë e në malësitë e Veriut mareshallin Ali pashë Maxhari. Po trimat shqiptarë ishin të vendosur që ta bënin “dekën si me le”. Me prijësit e shquar në ballë, si Mic Sokoli, Ali Ibra, Haxhi Zeka, Binak Alia etj., ata bënë betimin që:
Tokën e të parëve mos m’e dhanë,
pa u mbushë vorre anë e mbanë!
Malësorët trima vërshuan drejt Gjakovës, ku ishte vendosur komanda e ushtrisë armike dhe iu shkaktuan atyre dëme të mëdha, në njerëz e armatime. Me gjithë masat e ashpra, që po merrnin ndaj shqiptarëve, ata nuk nënshtroheshin. Përsëri Porta e Lartë nisi një gjeneral tjetër gjakatar, Dervish Pashën, në krye të një ushtrie të madhe. Ndërkaq, në Malësine e Gjakovës komandantët trima, si Mic Sokoli, Ali Ibra etj., dhanë kushtrimin e përgjithshëm, me thirrjen: “Në shtatë e në shtatëdhjetë, për mbrojtjen e vatanit!’ Kënga popullore bëhet dëshmitare me vargjet:
Mic Sokoli po bërtet,
Ali Ibrës po m’i thërret:
-Merr’ bajraqet e hajde shpejt!
Më tepër se 3 mijë luftatarë malësorë u sulën drejt Slivovës. Kurse konandantët armiqë, siç dëshmon kënga popullore, pyesnin:
Ku i ka çadrat Mic Sokoli,
ku i ka çadrat, ku i ka t’ parët?/
M’ ka çue mbreti me ja çartë.
Me ja çartë m’ ka çue mbreti,
se don me kenë krejt në veti!
Pra, qëllimi i tyre ishte ta dëmtonin sa më shumë Mic Sokolin dhe forcat e tij, pasi këta donin të ishin të lirë e të pavarur. Në këto kushte, në ballë të sulmeve armike, luftëtarët e Malësisë së Gjakovës u vendosën në Grykën e Carralevës, me Mic Sokolin në ballë. Betejë e përgjakshme u zhvillua sidomos më 22 prill 1881. Luftime me armë, përleshje trup me trup. U plagosën rëndë Sulejman Vokshi, Ali Ibra etj. Në këtë kohë, Mic Sokoli printe përpara, përmes një shtegu, në ballë të luftëtarëve. Predhat armike e ndriçonin vendin për rreth. Një top i markës “Krup” villte zjarr papushim, nga një kodër përballë Grykës së Carralevës. U vranë e u plagosën disa shqiptarë. Mori plagë në trup edhe Mic Sokoli, por nuk tërhiqej.
Kënga popullore bëhet dëshmitare e atij akti tragjik, por dhe heroik e i rrallë në histori:
Mic Sokoli ban me dorë:
-Bini, shokë, se s’ mujë me folë,
se m’ ka ra do gjak në gojë;
se m’ ka ra do gjak në bark,
shtatë martine i kam në shtat…
Më tej, kënga jep një dëshmi tjetër nga ajo përleshje, për jetë a vdekje:
Man Avdia bveti (pyeti) fisin:
-A m’i patë Zmajlin e Micin?
– Fyt për fyt-o me Dervishin!…
Si një ortek mali, megjithëse me shtatë plagë në trup, Mic Sokoli iu sul me furi topit armik. Donte ta shuante atë, mos ta lente t’i vriste bashkëluftatarët dhe kështu t’u jepte atyre zemër, për t’i thyer me çdo kusht armiqtë. Me gjoksin e tij vigan e mbylli grykën e atij topi, i cili villte zjarr e hekur. Simbol i heroizimit tonë mbarëpopullor, në luftërat për pavarësi e liri, Mic Sokoli ra, për të mbetur i përjetshëm. I frymëzuar nga akti i tij legjendar, duke dashur të përmbledhë të gjithë atdhetarizmin e brezave, rapsodi popullor thuri vargjet lapidar: “Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola!…”.Ai mbeti pwrherw nw piedestalin e nderit dhe tw lavdisw shqiptare.
Tiranë, 29 prill 2015
E BIJA E RIZA LAHIT, NDJESI PËR PRINDIN, E NJË ZEMRE TË LËNDUAR…
Nga Murat Gecaj/
1.Atë nuk e kam njohur shumë kohë më parë. Takimi i parë me të lidhet me një ngjarje mjaft të dhimbshme, si për atë vetë e familjarët e saj, por dhe për të afërm, kolegë e miq dhe dashamirë. Pra, ja si kishte ndodhur…
Ishte pragu i Vitit të Ri 2014. Të gjithë bënin përgatitjet e nevojshme për ta pritur dhe festaur sa më gezueshëm, atë stinë të re të jetës. Por, ah, që një lajm i kobshëm do ta ngrinte buzëqeshjen edhe të kësaj vajze kryeqytetase, me emrin e bukur, Ledia. Kishte pushuar papritur dhe përgjithnjë rrahja e zemrës së njeriut shumë të dashur dhe të adhuruar, e “bushit” të saj, Riza Lahi!…
E pushtuar nga dhimbja e patreguar dhe e mbuluar nga lotët, që i rridhnin çurg, ajo shpejtoi ta lehtësonte dhe ta ta qetësonte sadopak shpirtin e saj, duke i shkruar këto disa radhë, në faqen e saj të Facebook-ut. Aty, ajo drejtohej të jatit, i cili nuk jetonte më, pas një ataku të papaitur në zemër:
“Nuk i kam të duhurat fjalë, për ta shprehur sot hidhërimin e ndaarjes së tij nga jeta. U ktheve në qiell, Bushi im, aty ku ti fluturoe për tridhjetë vite. E le përgjithnjë tokën këtu, me shpejtësinë që përshkoje çdo rrugë me biçikletën tënde legjendare…Ti, ishe njeriu i mrekullueshëm që, gjithësaherë, frymëzoje çdokënd. Ishe i vetmi, që mëngjesi e mbrëmja të gjente duke i fishëllyer meloditë e Shkodrës tënde; i paarritshëm erudit dhe intelektual, që jepje ngado veç shembullin pozitiv.
Aftësinë e të shkruarit, e të qenit kreative, që ti ma trashëgove çmueshëm, mor’ Bushi im, sot nuk po e shprehi, ashtu siç ti doje. Nuk mundem dot të shkruaj, nuk mundem të jem poetike…Nuk mundem, mor’ Bush, nuk mundem sot, siç do të dëshiroje ti!
Nesër, oh, në orën 14.00, do ta prcjellim babin tonë për në banesën e fundit!?…Tiranë, 31 dhjetor 2013”.
Kanë kaluar muaj nga ajo ditë shumë e trishtë për Ledian, ashtu si për mamin e saj, Afërditën; vëllain Arxhelsin, me bashkëshorte Alketën dhe vogëlushët e tyre, Arkel dhe Arbër. Ndërsa, ajo sikur gjenë ngushëllim,kur ulet e shkruan në ndonjë fletore dhe pastaj mendimet e saj i hedh në faqen e Internetit. Kështu mendon që do ta lehtësojë sadopak shpirtin fort të trazuar, kur fjalët e saj, mbushur me dhimbje për të jatin, do t’i lexojnë të afërm, miq e dashamirë. Se ajo vërtet nuk është poete as shkrimtare, por ka trashëguar nga “bushi” i saj krijues, Rizai, ndjenja e mendime të frymëzuara. Ditët, javët e muajt kanë rrjedhur, por në zemrën e Ledias përsëri kanë mbetur gjurmët e pashlyera të dhimbjes, për babin e saj të dashur dhe të paharruar. Ja, përsëri po shkëpusim disa radhë, nga fjalët e saj, drejtuar “bushi” Rizait:
“Së shpejti dhe ndadalë kanë kaluar 6 muaj, nga hera e fundit, që u eshëm me shpirt. Nuk ka ditë që mos ta kujtojmë sjelljen tënde hokatare, Bush. E,sa gëzim tejçoje me këdo, që pati fatin t’ ketë pasë, qoftë dhe më të voglin komunikim me ty. T’ kisha këtu afër, do t’ kisha diftu, se sa largësi kanë pasë kata 6 muaj për mua! Për kryt’ tand, kam lexu ende më shumë, nuk jam ken’ dembele. Po kështu, kam hangër fruta dhe e kam respektu “shokun-gjumi”. Dhe s’i kam kthy kujt atë përgjigjen përtace: “Ahu, ma von’ tashi, babo!”…Shpirti yt u prehtë në paqe!…”
2.
Ledia sivjet vazhdon vitin e dytë të masterit, në degën e juridikut për drejtimin civile. Lexon libra të profilit të saj, por dhe letrarë. Sidomos, mjaft të tillë, që ka shkruar i jati, kryesisht për aviacionon, ka shërbeu vite të tëra. Kur e pyes, tregon se nuk shkruan poezi, as tregime. Por, ndoshta, një ditë do ta bëjë një gjë të tillë. Se për cilindo ka një pikënisje në krijimtarinë letrare. Pra, ndoshta, këto ndjesi të shprehura nga ajo dhe që i cituam më lart, do tab ëhen shkak që ajo të merret edhe me krijimatri letrare. Se, patjetër, diçka do të trashëgojë në këtë fushë edhe nga i jati, “bushi” Rizai. Do të ulet që të shkruajë, se i kujtohen shumë ngjarje të bukura dhe të paharruara nga fëmijëria, me babin e paharruar: Dita e parë e shkollës, librat e dhuruar për festën e 1 Qershorit, Festa e Abetares, festimet e ditëlindjeve dhe të natës së Vitit të Ri në familje, vizitat e përbashkëta në “Shkodërlocen” e tyre…
Ja, çfarë ka shkruar ajo në “ditarin” e saj, në dhjetor 2014: “Babi Rizai, kurdoherë që kishte ndonjë lajm të gëzuar, i tejqeshur në çdo muskul të fytyrës, e niste fjalinë: “Ta po ta napi nji sihariq…”. Sot mora edhe unë një telefonatë të gëzuar, në një çast të ditës, kur më dukej se e kisha shterruar çdo energji timen, pas seminaresh e leksionesh, të zgjatura deri vonë.
Mora atë sihariq, që m’i shpeshtoi rrahjet e zemrës edhe më fort.
Këshilli i Bashkisë së Shkodrës, i dha babi Rizait titullin “Mirënjohja e Qytetit” ! Përulje dhe faleminderit! Përjetova shumë ndjesi pozitive, që nuk i them dot këtu…”.
Ndërsa, në një rast tjetër, Ledia e ka shprehur kështu dhimbjen, por dhe krenarinë e saj për të jatin: “Qenka e vështirë të shkruhet, e rëndë të mendohet e aq më e rëndë që të besohet, se nuk je më,në mesin tonë. S’ka fjalë, s’ka lot, as vaj, që e shuan mallin për ty. I madh është boshlleku pa ty, por më e madhe është krenaria që të patëm …Vdekja e shuan një jetë, por koha nuk do ta shuajë asnjëherë mallin për ty!”
…E, atëherë, kur t’i lexojë Ledia Lahi këto radhë, do të thotë me vete, se sa të drejtë kam unë, tani.
Tiranë, 10 prill 2015
“BAJRAM CURR, O BAJRAM CURR, EMRI YT S’ HARROHET KURRË!…”
Nderim, në 90-vjetorin e vrasjes/
Nga: Prof. MURAT GECAJ/
1.Bajram Curri është bir i lavdishëm e i paharruar i Kosovës dhe i mbarë Shqipërisë. Ai e shkriu tërë jetën për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e mbarë trojeve tona amtare. Lindi në një karrocë, në vitin 1862, në fshatin Krushtë e Madhe, gjatë rrugës për në qytetin e Prizrenit. Pushtuesit osmanë po i internonin familjen, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), si hakmarrje ndaj qendresës antiosmane të babait të tij, Shaqir Currit. Erdhi në jetë “i burgosur”, por kurrë burgun nuk e pa me sy dhe as nuk e lidhi kush, veç nëna në djep edhe pse armiqtë tërë jetën e ndoqën kamba-këmbës. Se ishte trim e trimëri merrte përherë nga populli ynë i pamposhtur e liridashës, për të cilin ai nuk kurseu asgjë, as jetën.
Rasti e ka sjellë që gjatë jetës jam njohur nga afër me bashkëshorten e tij, kreshniken Dervishe ose “Ajkunën”, siç e quante vetë Bajram Curri. Por i kam njohur nga afër dhe bijat e tij, nënë Feriden, në Tiranë e nënë Hajrinë dhe mbesat, Valdetin e Mimozën, në Shkodër. Kur shkoja për ndonjë arsye timen në këtë qytet të lashtë, gjeja kohë e kthehesha në banesën e tyre mikpritëse. Deri para disa vjetësh, kur u nda nga kjo jetë, aty jetonte e moshuar dhe nënë Hajria. Sigurisht, temë e bisedave tona ishte babai i saj, “Heroi i Popullit” Bajram Curri. Ndër të tjera, aty kam rikujtuar edhe tregimet e bashkëpunëtorit e babait tim, për të dhe të mjaft banorëve, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).
Në vijim të këtyre lidhjeve, më ka marrë në telefon nga Shkodra edhe mbesa e B.Currit, Mimoza Kraja. Ajo kishte një merak dhe amanet të nënë Hajrisë: “Mos e harroni asnjëherë gjyshin tuaj dhe kujtojeni me nderim çdo përvjetor të rënies së tij”. Me atë dhe bashkëshortin e Mimozës, jam takuar e kemi bërë fotografi bashkë, në Tiranë, gjatë festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kur ajo ishte e ftuar dhe në Vlorë. Pra, ky shkrim është edhe vazhdim i një dëshire të vetë Mimozës, për gjyshin e saj të paharruar.
Në vitin 2011, u takova në Tiranë me studiuesen Lumturi Ristani (Përnaska). Ndër të tjera, ajo kishte fotokpjuar një dokumentt interesant. Ishte një bisedë e bërë nga historiani e “Mësuesi i Popullit” Zekeria Rexha, me mësuesit e nxënësit e Gjimnazit “Qemal Stafa” në kryeqytet, me rastin e 42-vjetorit të vdekjes së Bajram Currit, pra në mars 1967. Në këtë material, në 12 faqe të daktilografuara, prof.Z.Rexha hidhte dritë mbi këtë figurë të madhore të Kombit tonë, që nga prejardhja e tij dhe deri sa u vra, në Shpellën e Dragobisë, 90 vjet më parë.
2.
Siç tregonin bashkëkohësit, që në rininë e tij, Bajram Curri u dallua për zgjuarësi dhe gjallëri. Bashkëmoshatarët dhe ata që e njohën nga afër, tregonin se qyshë 10-12 vjeç i pëlqente të stërvitej me kalë dhe të godiste shenjën me gurë e më vonë me armë. I edukuar me ndjenjat atdhetare në gjirin e familjes, urrejtja për pushtuesit dhe çdo lloj armiku, iu kthye në nevojë jetësore.
Megjithëse provoi disa fatkeqësi familjare, Bajrami nuk e dha veten. Përkundrazi, gjeti forca për të punuar e luftuar më shumë për Atdheun. Nënë Feride Bajram Curri më tregonte: “Babës i vdiqën dy vëllezër, djem e vajza, por nuk u ligështua. Përkundrazi, u jepte forcë e zemër njerëzve, kur kishin halle. Më shumë kujdesej për të tjerët, se sa për vete. Baba ka patur muhabet të mirë, të shtruar dhe kurrë nuk rrinte pa shokë e dashamirë. Asnjeherë nuk ishte me nerva të ngritura, në jetën familjare e shoqërore dhe nuk dëshironte t’i dëgjonte të tjerët të bënin shamatë. Ishte shakaxhi dhe i pëlqenin kënga e muzika popullore. Zërin e kishte të bukur, melodioz; mendjen të hollë dhe ishte shumë zemërgjerë”.
Bajram Curri nuk pati shkollë, por ishte mjaft i zgjuar nga natyra dhe arsimdashës. Me kujdesin e tij, u çelën shkolla shqipe në: Gjakovë (më 1915), në Malësinë e Gjakovës dhe në Has e Lumë etj., në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Me dhjetëra djem kosovarë i dërgoi për të vazhduar mësimet në Shkup, Kolgecaj e Krumë, në Tiranë dhe Elbasan. Duke e vlerësuar lart ndihmesën e tij në këtë fushë, në Kongresin e Arsimtarëve të Tiranës (më 1924), atë e zgjodhën kryetar nderi të tij etj. Siç e fikësuan studentët shqiptarë në një fotografi, tashmë të njohur, Bacë Bajrami pati si moto të jetës së tij: “Një për të gjithë, të gjithë për një”.
3.
Qyshë në rini, Bajram Curri doli në ballë të qendresës popullore kundër pushtuesve otomanë. Në Malësinë e Gjakovës ai mblodhi rreth vetes një çetë me luftëtarë të vendosur dhe u ndesh me ushtrinë e Mustafa pashës, duke i penguar që ta nënshtronin atë krahinë liridashëse dhe të mblidhnin rekrutë e taksa të shumta. Kjo veprimtari i shqetësoi pushtuesit, prandaj u përpoqën që ta afronin atë, me mënyra të ndryshme e duke i bërë lajka. Por atdhetari i madh nuk e ndërroi asnjeherë mendjen, pra qendroi i vendosur në luftën e tij të drejtë.
Kryengritjet e mëdha antisomane të viteve 1910-1912 i ngritën peshë zemrat e qindra e mijëra luftëtarëve, në Kosovë e kudo në Shqipëri. Veçanërisht, është e njohur veprimtaria e Bajram Currit gjatë kësaj periudhe, në krye të forcave kryengritëse të krahinave veriore, si Gash, Krasniqe, Bytyç, Nikaj-Mërtur, Shalë etj. Një qendresë e pashoqe u bënë pushtuesve në Qafën e Morinës dhe në prita të tjera, kur sulmoi ushtria e gjaneralit gjakatar Durgut Pasha. Ndërsa në Qafën e Prushit (ku të parët tanë farkëtonin armët kundër pushtuesve edhe sipas Akademikut Eqrem Çabej)) armiqtë lanë shumë të vrarë e të plagosur. Me guxim i udhëhoqi luftimet Bacë Bajrami për mbrojtjen e trojeve shqiptare edhe kundër pushtuesve serbo-malazezë.
Veprimtaria e tij luftarake u bë e njohur kudo, ku flitej shqipja, por dhe ndërmjet armiqëve. Janë mjaft domethënesë fjalët e B. Currit, sipas bashkëluftëtarit të tij, atdhetarit Hasan Prishtina: “Asht nji detyrë e shenjtë për me luftue kundra çdo anmiku dhe mos me pasë aspak pushkë. Lufta na u ka ba detyrë. Pra, duhet t’u dalim zot të drejtave tona dhe të shpëtojmëë prej robnisë”. Synim të jetës së vet kishte dhe edukimin e brezit të ri, me virtytet më të larta të shqiptarizmit. Kështu, bashkëkohësit tregojnë se u drejtohej kështu të rinjve: “Merrni vesh, djemtë e mij: -Kur një djalë shqiptar nuk ka besë e nder, kur nuk e do vatanin e vet dhe nuk vdes për të, ai nuk është shqiptar, ai është më e fundit vrimë e kavallit (fyellit)”.
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, Bajram Curri e priti me gëzim të madh. Por përsëri nuk e rreshti luftën e tij të vendosur kundër armiqëve, ndaj synimeve të serbomëdhenjve dhe të shteteve të tjera shoviniste fqinje. Mbështeti fuqimisht qeverinë e Ismail Qemalit, në Vlorë dhe më pas atë të dalë nga Kongresi i Lushnjës, e cila e emëroi Ministër Paportofol dhe komandant të Forcave Kombëtare. Duke e përshëndetur këtë gjë, përfaqësues të popullit i shkruanin atij, ato ditë:”E gjendmja e një burri me shpirt të thjeshtë, kombëtar, na jep një shpresë të madhe për Shqipërinë”. Ndërsa në fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924, Bajram Curri luajti rol vendimtar. Ai udhëhoqi afër 2.000 forca kryengritëse, të cilët hynë me fitore në Tiranë.
4.
Por edhe pas dështimit të Revolucionit antizogist të vitit 1924, B.Curri e vazhdoi qendresën e vendosur në malet e Veriut të Shqipërisë, në mbrojtje të idealeve demokratike. Atje gjeti strehë të sigurtë dhe përkrahje të gjithanshme, nga malësorët trima e liridashës. Kudo la mbresa të pashlyera dhe te secili gjeti besnikë për kokë. Prandaj nuk është e rastit që, sa e sa familje atdhetare e bujare në Malësinë e Gjakovës, Dukagjin, Has, Lumë, Pukë, Dibër a gjetiu, e kujtojnë atë edhe sot e kësaj dite, mik e bashkëluftëtar të paharruar të shtëpive të tyre. Babai më tregonte edhe këto, për “kreshnikun Curr”: “Bajrami ishte burrë i pashëm, trupmadh, si lisi me rrema. Ta fitonte zemrën me thjeshtësi, urtësi e dashuri. Fliste me cilindo, bile edhe me fëmijët e gratë e moshuara. Ta dinte nderën e ishte mikpritës. Këtë gjë e kam provuar tek ai edhe vetë unë…(Bujan-Tropojë, 1968)”.
Armiqtë e gjurmonin që ta kapnin të gjallë “Dragoin e Dragobisër”, por nuk ia arritën dot qëllimit. Mjaft shtëpi malësorësh u bastisën, në atë dimër të egër të fillim-vitit 1925. Por nuk treguan asgjë për vendndodhjen e tij. Sapo përmendim këto fjalë, menjëherë na bien ndërmend vargjet-lapidar të një elegjie të njohur: “Thon’ u shtri e thonë u vra,/ po ti s’ vdiqe, or Baba,/ as te Shkëmb’ i Dragobisë,/ as te zemër’ e djalërisë…”. I shkroi me dhimbje e pasion Fan Noli, në përkujtim të “Tribunit të vegjëlisë”, B.Curri.
Po, si kishte ndodhur ajo epope legjendare? Siç thamë, armiqtë e ndiqnin Bajram Currin. Ai gjeti strehë në Alpet e Shqipërisë, bashkë me luftëtarët e vet besnikë. Shpella e Dragobisë u bë istikam i sigurtë për të, deri sa e rrethuan nga të gjitha anët. Atëherë, siç tregonin më të moshuarit, ai gjeti një shteg kalimi dhe u nis drejt një vatre mikpritëse të atij fshati. Por, papritmas, u ndesh në forcat armike. Ata qëllonin, por nuk donin ta vrisnin. Se kryeministri serb Pashiq,”hajni”, në bashkëpunim me tradhtarët vendës, kishin venë shuma të mëdha, 10 mijë franga ari, si shpërblim për atë, që do ta kapte të gjallë Kryetrimin. Lufta u bë e ashpër ndërmjet Bajram Currit, me pak veta dhe kundërshtarëve, që shkonin në front luftimi.
Ishte 29 marsi i vitit 1925. Fillim pranëvere. Bjeshkët kreshnike gjëmuan nga armët e paulura të “Dragoit të Dragobisë”. Por zogjtë e malit përhapën lajmin tragjik, “ma të idhtë se zana”, se, më në fund, kishte rënë “lisi me rrema”. Ushtimën e tij e përhapën me dhimbje të pazakontë valët e Valbonës ujëkaltër dhe Alpet e mbuluara me borë të përhershme. Ndërsa rapsodi popullor e përjetësoi me vargje të dhimbshme e kranare: “Bajram Curr, o Bajram Curr,/ emri yt s’ harrohet kurrë!/Të kujton gjithnjë Shqipëria,/ s’të harron përjetë Kosova…”. Shumë epitete e fjalë nderimi dhe vlerësimi i kanë bërë Bacë Bajramit, duke e quajtur: “Fatosi i lirisë së Shqipërisë”, “Dragoi i Dragobisë”, “Babai i vegjëlisë”, “Shqiponja e maleve shqiptare” etj. Emri i tij është përjetësuar në shumë shkolla e rrugë, në Shqipëri e në Kosovë dhe në qytetin alpin “Bajram Curri”.
Trupi vigan i Bajram Currit u mbulua me flamurin e lavdisë shqiptare; ai u kthye në simbol lirie e në Përmendore të bardhë, e cila përherë i fton brezat për atdhetarizëm, guxim e trimëri.
x x x
Në mbyllje të këtij shkrimi, dëshiroj të përmend një fakt interesant. Publicisti e studiuesi Gjon Neçaj, me banim në qytetin “B.Curri”, më 2011, ka shkruar në Internet edhe për ditëlindjen e B.Currit. Ai ka paraqitur aty, për herë të parë dhe të fotokopjuar, pasaportën e Bajram Currit. Ajo ishte lëshuar në Tiranë, më 4 shtator 1924, pra vetëm disa muaj para vrasjes së tij, për qëllim udhëtimi jashtë shtetit. Në këtë dokument, saktësohen përsëri: vendlindja, Gjakovë; emri i babait të tij, Shaqir dhe i nënës, Hava. Ndërsa datëlindje është shënuar viti 1866. Pra, kjo datë ndryshon me 4 vjet dhe nuk është e nëjtë me atë, që e kemi të publikuar në shkrime dhe libra të ndryshëm të deritanishëm. Mbetet për t’u verifikuar ky ndryshim, pra nëse është ndonjë “lapsus” i gjendjes civile, që e ka lëshuar pasaportën e Bajram Currit apo nuk është i saktë viti i lindjes, 1862, që është i njohur deri tani?!
Tiranë, 28 mars 2015
NA PRIT EDHE NË 100-VJETOR!
Nga Kadri Tarelli/
Në këto ditë të bukura fillimpranvere, duke u bashkuar në varganin pambarim të “marsianëve”, Profesor-doktor Murat Gecaj festoi përvjetorin e lindjes. Miq e shokë, dashamirë e kolegë të letrave, gazetarë e shkrimtarë, të vjetër e të rinj, u mblodhën së bashku për të festuar e uruar:
Bardhyl Xhama, “Mësues i Merituar”, shkrimtar e publicist.
Arif Hasko. Vëllai i Skënder Haskos.
Avokat Gjin Nikaj, kryetar i shoqatës atdhetare-kulturore: Nikaj–Mertur”
Lumturi Vladi, ish drejtore shkolle në Tiranë.
Isa Halilaj, “Mësues i Merituar”, studjues e autor i disa librave.
Vjollca Spaho, redaktore e revistës “Mësuesi”, autore librash.
Xhavit Mëzezi, shok shkolle, mësues e autor librash.
Gjelosh Gecaj, kushri nga Tropoja, banues në Tiranë
Kadri Tarelli, ish drejtor shkolle në Durrës, publicist e autor libri.
Viron Kona, studjues, shkrimtar e publicist i njohur.
Sejdo Harka, ish kryeredaktor i gazetës “Mësuesi”, publicist.
Shpëtim Agolli, mik i familjes.
Gëzim Steaj, fotograf, kameraman, bashkëkrahinar, sot banon nëTiranë
Nik Neçaj, ekonomist.
Katrina Gecaj, bashkëshorte dhe kundërshare e përhershme e qëndrimeve të gjata në kompjuter, lexuese e parë dhe kritike e korrektore e librave të pofesor Muratit.
Dhe vetë Murat Gecaj, nikoqiri i festës.
Ishin të ftuar, por munguan në këtë festë kaq të bukur:
Alketa, vajza e Skënder Haskos.
Gafurr Brahimi
Yllka Beçi, kryetare Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipqrisë.
Andon Andoni, ish kryeredaktor i gazetës “Mësuesi”. Shkrimtar.
Kozeta Hoxha, gazetare dhe moderatore në “Radio Tirana”.
Fran Gjoka, mësues e publicist.
Dava Marku, ish drejtore shkolle, sot mësuese
Përparim Hysi, ose Papi, ish mësues, poet e autor librash.
Porsa u rehatuam të gjithë, profesori i nderuar z. Bardhyl Xhama, u ngrit plot fisnikëri dhe si më i vjetri në këtë takim festiv i dhuroi z. Murat një tufë me lule, duke uruar: – Ta gëzosh “57-vjetorin” nga unë 28-vjeçari. Të gjithë qeshëm me këtë këmbim të numrave, një lojë matematike që i pëlqen shumë vetë “heroit” të festës dhe që na shkon përshtat edhe ne “të rinjëve” mbi 60 vjeç. E qeshura nuk pushoi se dikush shtoi: Më i humburi në këtë mesele mbetet Sejdo, i cili para pak kohësh ishte me dy 66. Kështu ai del 99 vjeç. Po në këtë hulli shakaje, një tjetër ia priti: Profesor Murati mos u mburr kot, sepse për mot bëhesh 67 vjeç, e pas dy vjetësh s`ke nga luan, se bëhesh aq sa je, plot 77. Gjithsesi kur filloi rakia e u nxeh muhabeti, vazhduan urimet kush e kush më bukur, ashtu siç rrjedh lumi Valbonës. Secili shprehte atë që ndjente, dashurinë dhe nderimin për shokun, mikun, kolegun mësues, gazetar e shkrimtar dhe bashkëkrahinarin fjalë-ëmbël e penështruar, të cilin Fatmir Terziu e quan “Lis i madh” i malësisë së Gjakovës (Tropojës). Këtu u desh ndërhyrja e kreut të kuvendit z. Bardhyl, i cili me seriozitet shtetari na thotë”:
– Fjalën mund ta mërrë kush të dëshirojë, por koha është e kufizuar, se po filloi Murati të ligjërojë, do të në zerë darka. – Të gjithë qeshëm, por edhe e zbatuam “Urdhërin” e tij
Murat Gecaj lindi në fshatin Bujan të Tropojës, më 23 të marsit 1940. U shkollua në Tiranë, e pjesërisht në universitetin “Zhdanov” në Shën Petërburg (Ish Leningrad), për dialektollogji. Provoi mësuesinë, por u dashurua me gazetarinë, duke “bredhur” në disa organe shtypi, deri sa u ngul për disa vjet me rradhë, tek gazeta “Mësuesi”, për të cilën flet me adhurim. Veprimtar i palodhur e stdjues i aftë, që në rini i mirëpritur nëpër forume shkencore. Referon kumtesë në Kongresin e Drejtshkrimit. (Tiranë 1972). Është autor i disa zërave për arsimin në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. (Tiranë 1985), bashkëautor i veprës “Historia e Arsimit dhe Mendimit Pedagogjik Shqiptar”. (Tiranë 2002). Kohët e fundit ka botuar “Me zemrë në vendlindje” Shënime nga Suedia”. (Tiranë 2012) dhe “Dorela”, librin më të dashur për të, kushtuar mbesës së tij. Një libër disi i veçantë në letërsinë tonë, ku secili gjysh ka ç`të mësojë nga “Babushi” Murat.
Thonë se mosha të venit, të mpakt trupin e zbeh dëshirën për punë, por me “Heroin” tonë, duket se vitet kanë ngecur në vend, sepse profesori ynë vazhdon të jetë i pranishëm në shumë veprimtari, aq sa siç thotë vetë. “Jam në pension, kohë kam me bollëk, por s`më mjafton. S`më zenë këmbët dhe, sa në Kosovë, Maqedoni, Mal të ZI, Itali e Suedi dhe nëpër qytetet e Shqipërisë. Aq shumë i ngarkuar jam, sa edhe vetë çuditem, ku e gjej energjinë për t`i përballuar të gjitha. Ndoshta, shton duke qeshur, është dëshira që të mbetem përherë i ri”.
Ai vazhdon të shkruajë e të botojë. Mjafton të përmend, se këto dit nxorri nga shtypi librin “Me shpirt atdhedashurie”, i mundësuar nga dy kolegë e miq të tij, me banim në Boras të Suedisë, Sokol Demaku e Bahtir Latifi. Me nderim e mirënjohje, një kopje të të cilit na e dhuroi të gjithëve.
Bëmë shumë fotografi dhe uruam: “Mbaje fjalën, se kështu do të jemi edhe në 100-vjetorin tënd”. Mbasi u largunan pjesa më e madhe e pjesëmarrësve, Murati, Sejdo Vironi dhe unë, u ulëm të pimë një kafe sa për t`u çlodhur. E shikoja Muratin vërtet të qeshur. Nuk e fshihte lumturinë:
– “Vërtet ishte diçka, që mu kushtua mua, – e shtyn fjalën, – por sot u ndjeva mjaft i gëzuar e i lumtur, sepse u rrethova nga qindra kolegë e miq, familjarë e dashamirë të mi. Përmes udhëve të ndryshme, pra gojarisht, me telefona e celularë, me anën e faqeve të shumta të internetit etj, ata më uruan me sinqeritet dhe me fjalë mjaft dashamirëse e vlerësuese. Ndjehem tepër i emocionuar dhe i privilegjuar, që mora mesazhe të tilla urimi nga bashkatdhetarë, që jetojnë në shtete të ndryshme të Europës e botës. Po e filloj nga më afër: Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Presheva; Greqia, Italia, Franca, Anglia, Belgjika e Spanja, por dhe nga Nju Jorku, Bostoni, Kalifornia, Virxhina e Filadelfia të SHBA-ve, nga Kanadaja e deri nga Australia e largët.
Nuk dua të zgjatem këtu, por dëshiroj të veçoj katër miq të mi, të cilët publikuan artikuj të veçantë për mua: Fatmir Terziu (Londër), Përparim Hysi (Tiranë, Bahtir Latifi (Suedi). Po kështu, gazetarja dhe moderatorja e njohur, Kozeta Hoxha, përgatiti e transmetoi një emsion të posaçëm për jetën e botimet e mia, në valët e Radio-Tiranës.
Posaçërisht, me mirënjohje ju falënderoj nga zemra, ju kolegët e mi të afërm: Bardhyl Xhama, Viron Kona e Sejdo Harka, sepse m`u ndodhët pranë e me përkushtim e organizuat këtë ceremoni mbresëlënëse, që s`do ta karroj kurrë”.
Nga qindra urime po veçoj disa:
“O babush, babush Murati
Nga larg të uron Fuati:
Të festosh dhe shumë pranvera,
Buzëqeshur si përhera”. Fuat Memeli. Boston-Amerikë
Ndërsa Xheladin Mjeku nga prishtina uron:
“Me dashuri të përzemërta, për shëndet, harmoni e suksese në ët gjitha veprimtaritë…..”
Po e mbyll shkrimin me fjalët e shkruara me frymëzim nga Sejdo Harka:
“Murat Gecaj nga Tropoja
Burim pena e mjaltë goja”
U ndamë duke i kujtuar Muratit, mikut tonë të lumtur:
“Mos harro të na ftosh në 100-vjetor”.
Shkroi :
Kadri Tarelli
Durrës më 26. 03. 2015
ME KRIJUES SHQIPTARË, NGA SUEDIA, NË LAÇ-KURBIN…
(Përurohet vepra “Thesar Kombëtar”-3)/
Nga MURAT GECAJ/
1.Në ditët e festave të gëzuara popullore të 7 e 8 Marsit 2015, qyteti i Laçit, në Kurbin, pati në gjirin e vetë mysafirë jo të zakonshëm. Ata ishin emigrantë shqiptarë, me banim në Suedinë e largët, atje në Skandinavi, si Osman Ahmetgjekaj, Saranda Iseni e Naim Latifi etj. Pra, këta krijues përfaqësonin Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani” të Suedisë, me Hysen Ibrahimin në krye. E kishin zgjedhur pikërisht Laçin, për ta përuruar veprën e tyre të re, “Thesar Kombetar-3”, pasi Shoqata e tyre ka nderin të mbajë emrin e njërit nga Papët më të njohur të Vatikanit, i cili e ka origjinën nga kjo krahinë me tradita, të lashta e të reja atdhedashurie. Por në këtë veprimtari morën pjesë dhe të ftuar nga Kosova, Tirana e Durrësi, Lezha etj.
Përveç anëtarëve të Shoqatës Kombëtare të Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, me qendër në Laç dhe që kryesohet nga Nikollë Leshi, pjesëmarrës në veprimatrinë e orgaznizuar ishin poetë e shkrimtarë, studiues dhe punonjës të artit e kulturës, mësues, nxënës e prindër, përfaqësues të bashkësive fetare, nga media e shkruar dhe ajo elektronike (RTSH, TV-Lezha) etj. Gjithashtu, ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Laçit, Artur Bardhi dhe përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Prefektura e Lezhës etj.
Ishte kënaqësi që, bashkë me mua, aty ishin edhe krijuesit e miqtë, si Viron Kona, Jaho Margjeka, Zenel Baliaj, Fran Nikolli e të tjerë.
2.
Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar të Shqipërisë e Italisë, në emër të mikpritësve, fjalën përshëndetëse e mbajti Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, Nikollë Lleshi. Ndër të tjera, ai tha se ishte një ngjarje e shënuar për jetën e banorëve të Laçit, por dhe të mbarë Kurbinit, që në ditët e festave të 7 e 8 Marsit aty kishin ardhur krijues të njohur të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, nga Suedia, si dhe të ftuar të tjerë. Përurimi i veprës së re të kësaj Shoqate, “Thesar Kombëtar-3”, me 757 faqe, ishte një dëshmi e mjaft botimeve të saj, me vlera të shumëfishta, si letrare, kulturore e shkencore, por mbi të gjitha me përmbajtje të lartë atdhetare.
Në vazhdimësi, u dëgjuan me vëmendje përshëndetjet e bëra nga Artur Bardhi e Hysen Ibrahimi. Ky i fundit njoftoi se po punohet që të përgatitet për botim vepra tjetër, “Thesar Kombëtar-4”, e cila parashikohet të përurohet në muajin qershor të këtij viti. Pastaj u lexua përshëndetja e dërguar nga kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Diasporë, Hasan Qyqalla, me banim në Gjermani. Atë e lexoi një nga sponsorët kryesorë të kësaj veprimtarie, Naim Latifi.
Pjesë e rëndësishme e këtij përurimi ishin temat e paraqitura, rreth veprës së re “Thesar Kombëtar-3”. Kështu, një zbërthim të detajuar i bëri asaj studiuesi i njohur Vlash Prendi. Më pas, folën me nota vlerësuese për këtë botim, Martin Gecaj e Osman Ahmetgjekaj, Engëll Ndocaj e Besi Bekteshi.
Në emër të kryesisë së Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, Nikollë Lleshi i njoftoi pjesëmarrësit në veprimtari se, bazuar në ndihmesën e tyre të çmuar për këtë Shoqatë, kishin vendosur që t’i pranonin Anëtarë-Nderi, disa veta, të cilat janë: Hysen Ibrahimi, Padre Giovani Parugine, Besi Bekteshi e prof. Murat Gecaj. Këta i përshëndetën gjithë të pranishmit dhe shprehën falënderimin e tyre, për nderin që u bëhet, duke premtuar vazhdimin e bashkëpunimit sa më të frytshëm, me këtë Shoqatë, në të ardhmen.
3.
Ajo, që i dha një gjallëri të veçantë kësaj veprimtarie festive, në Laç-Kurbin, ishte shfaqja e bukur e artistëve të ansamblit të këtij qyteti. Atë e drejtuan me aftësi të veçantë moderatoret Saranda Iseni, nga Suedia dhe Fatmira Aliu, gjithashtu emigrante. Kështu, këngët e vallet e pushtuan mjedisin e sallës së kinoteatrit të qytetit, ku ndodheshin të ftuarit e shumtë. E meriton t’i përmendim këtu të gjithë numrat e paraqitur, por ndër ta ishin këngët me përmbajtje atdhetare: “Jemi bijtë e nënës shqipe”(nga Agustin Çela, Gjergji Leka e Preg Prenga), “Kudo shkojmë, Shqipe na thonë” (nga Kastriot Kola), “Princesha e Kastriotit” dhe “Moj Sarandë, moj Delvinë” etj. Gjithashtu, u duartrokitën këngët e Gjesilda Përshetës, Fatmira Aliut e Mide Aliut dhe emigrantes në Itali, Vjollca Grecaj, si ”I kam thënë bilbilit” e “Moj e bukura, që del në derë” etj.
Mjaft ritmike dhe mbresëlënëse ishin vallet popullore, që u interpretuan me mjeshtëri nga djem e vajza të shkathët. Ato përfaqësonin krahina të ndryshme të Atdheut tonë dhe sollën emocione për të pranishmit, në këtë festë të paharruar.
Me këtë rast, pjesëmarrësve iu dhuruan disa kopje të veprës “Thesar Kombëtar-3”, por dhe të mëparshmet, pra nr.1 e nr.2. Po kështu, autori M.Gecaj u dhuroi disave prej tyre librin e tij më të ri, “Me shpirt atdhedashurie”, përgatitur dhe mundësuar për botim, nga veprimtarët e dalluar të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Boras të Suedisë, Sokol Demaku e Bahtir Latifi.
Në mbyllje të tërë kësaj veprimtarie, të pranishmit morën pjesë në koktejin e shtruar nga Bashkia e qytetit të Laçit dhe bënë fotografi të përbashkëta, që do të mbeten kujtim i pashlyer, për të gjithë ata.
Tiranë, 9 mars 2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- …
- 21
- Next Page »