• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUSA I PRISHTINËS

June 2, 2015 by dgreca

NGA HASAN BAJO-New York*/
Burri i shkurtër me syze të errëta që me gjithë moshën e thyer dukej energjik dhe ende i fuqishëm, ishte një prej denoncuesve të Astritit, të cilin e patën thirrur në komitetin e partisë vite më parë, dhe më vonë, në kohën e përpilimit të listave të zeza, apo listave të vdekjes si i quanin zakonisht, emri i tij ishte vendosur në fillimet e saj.
Por ky qytet që konsiderohej si një nga më të bukurit dhe të qetët, kishte shkuar larg, madje shumë larg. Në të njëjtën dosje, krahas listës së të dënuarve me vdekje, së bashku me një udhëzues, ndodhej edhe një tjetër listë, e shkurtër, shumë më e shkurtër se e para, thuajse një e dhjeta e saj, por më e frikshme, më e zezë, dhe ajo që të mpikste gjakun, të thante pështymën apo të bënte të ndruheshe të shuaje llambën netëve kur shkoje për të fjetur, ishte se në anën e djathtë të listës, krahas emrit, mbiemrit dhe firmës të anëtarëve të skuadrës së pushkatimit, në pesë prej tyre, me shkrim dore gjendej edhe shënimi vullnetar. Mevli e pati lëshuar mbi tavolinë sikur të kishte shkaktuar hark elektrik. Instinktivisht pati menduar se e gjitha kjo qe e pamundur, një halucinacion dhe pati vendosur dorën mbi ballë. Natën e shkuar pati pasur pakëz temperaturë. –Qetësohu- e urdhëroi veten dhe mbylli sytë. Kur i hapi, ajo gjendej sërish atje ku e pati lëshuar, ulërimë skëterre që kërcënonte të ardhmen. U largua me të shpejtë nga zyra dhe duke zbritur shkallët e brendshme për të dalë në hyrjen kryesore dhe prej andej në oborrin e komisariatit, e shoqja së bashku me të bijën iu fanitën në fund të tyre të zëna për dore, ashtu si i pati parë javën e shkuar në sheshin e vogël mes dy apartamenteve ndërsa ai hipte në makinë.
Oficeri i rojës e përshëndeti. -Me fal komisar, a ndjeheni mirë?- Ai u mundua të buzëqesh.
-Po, mirë…Përse? – Jo kot, mu duke pakëz i zbehtë. – Nëse më kërkojnë, nuk do të vonohem- dhe mori drejtimin për në kafenenë më të afërt. Duke pirë kafen, i lindi dyshimi (të qe vallë vetëm dyshim apo orvatje e dëshpëruar e mospranimit të ekzistencës së qenieve të tilla njerëzore) se dosja e gjetur rastësisht në një nga sirtarët e poshtëm të kartotekës, në mes pluhurit dhe rrangullave pa vlerë si proces-verbale inventarizimi të shumë viteve më parë dhe disa rregullore shërbimesh, ishte një hakmarrje e ndërtuar mjeshtërisht. Ndoshta, mendoi, lista e gjetur e skuadrës së pushkatimit është e gënjeshtërt. Mundet që të ashtuquajturit anëtarë të saj të jenë qytetarë paqësorë, por ish sigurimi i ka konsideruar armiq,dhe për këtë arsye kanë fabrikuar gjithë këtë. Goditje e dyfishtë ,hakmarrje dhe neutralizim politik. – Të jenë kaq djallëzorë? Kaq mjeshtër të së keqes? – Pa dashur ai kishte cituar një shprehje të një shokut të tij atje në Spaç.
……………………….
Si e dalë nga një ëndërr e frikshme iu fanit koka e bardhë e Musës së Prishtinës.
-Komunistëveshqiptarë u njoh vetëm një meritë.
-Çfarë po më dëgjojnë veshët?-E pati yshtur Mevli.-Paskan merita komunistët dhe për më tepër komunistët Shqiptarë?
-Po,po kanë.-Kishte pohuar i bindur Musa.-Aftësinë e jashtëzakonshme për të qëmtuar dhe zbatuar eksperiencat më perverse,më të shëmtuarat,më të dhimbshmet…..më makabret.- U lodhe duke kërkuar cilësorë Musë,- e pati ndërprerë Mevli me shaka,duke harruar se bashkëbiseduesi ishte i burgosur i zbardhur në burg,nga Ata të paepurit,dhe si i tillë nuk pati mundur ti shpëtojë plagës më të rëndomtë që merret atje,gjaknxehtësisë,që jo rrallë shpërthen edhe pa arsye të justifikueshme.
-E di. Edhe ti ke qenë mësues dhe ke duartrokitur për Ata,Të vjen keq? Le të të vijë.- iu hakërrye Musa sikur të kishte përpara njërin prej tyre.-Unë them të vërtetën dhe e argumentoj.Jo vetëm që dinë të përzgjedhin të këqijat,por edhe i përkeqësojnë ato.- Foli gjatë,shpejt dhe vrullshëm sikur të ndruhej se bashkëbiseduesi do të largohej dhe Ai nuk do të mund ti zbrazte të gjitha,gjithnjë duke i ulur dorën që zgjatej drejt tij me mendimin se Mevli përpiqej ti ndërpriste fjalën. Më së fundi pati vënë re se dora që ai shtynte i ofronte paketën e cingareve. Tundi kokën dhe ofshani thellë.
-Eh,mjerë Ne.-Sytë i morën atë ngrohtësinë e parë.-Eja.Dua të pimë një kafe bashkë.Dje pata takim me familjen ,prandaj edhe të thirra.-Dhe u nisën për në kuzhinën private. –Ndigj,-i tha duke i futur krahun.-Shpresoj se nuk do të jesh zemëruar. Harroje atë që të thash pak më parë.-
-Çfarë më the?-E pati pyetur Mevli duke buzëqeshur ndërsa i ndizte cingaren.
-Të lumtë.Je djalë për të qenë.E shoh që e paske harruar.Ato që të thotë një i burgosur që ka bërë njëzet e tre vjet në zemërim e sipër duhen harruar,të tjerat jo.-
Por, ja që një mesnatë shkurti, ai, Musa i Prishtinës,që porosiste të mos harronin, pati harruar.Ra lehtësisht,si një fëmijë i padjallëzuar në grackën që i patën ngritur ata, gjenitë e së keqes si i përcaktonte vetë Musa,të ndihmuar edhe nga ngrirja e syve të tyre.
Turni i dytë i kthyer nga puna qe rreshtuar përpara shkallareve prej betoni që të shpinin njëherësh djathtas për në mensë ,dhe drejt përpara në portën dykanatëshe që të nxirrte në sheshin përpara komandës.Një dëborë e ngrirë ,e imët,që rrëzohej nga një qiell i hirtë, i pashpresë,po krijonte shtresën e parë mbi kokat e qethura që me një urdhër të komandës nuk lejoheshin të mbuloheshin me kasketë,kapele apo çfarëdo lloj mënyre tjetër gjatë të ftohtit të dimrit.Një copë herë kishin përplasur këmbët për tu ngrohur,patën fshirë kokët dhe fytyrat me mëngët e kapotës,kishin pyetur veten dhe shokët pranë se përse vallë i mbanin kaq gjatë të rreshtuar,dhe duke mos mundur të merrnin një përgjigje të saktë patën hequr dorë nga të gjitha këto duke e lënë veten pre të erës së ftohtë që i godiste me ciflat e ngrira.Ndonjë klithmë e ushtarëve në truprojë përgjatë rrethimit me tela të kampit sillte në vete ndokënd që dremiste në këmbë.Polici i shërbimit që vëzhgonte të mos prishnin radhën,mbasi ishte ngjitur disa herë në komandë për tu ngrohur, kujdesej me një purtekë të shkundte dëborën nga pantallonat.Dikur një hije u duk mbi shkallët që vinin nga komanda, përtej portës dykanatëshe.-Erdhi oficeri i rojës.- u pëshpërit, dhe ata morën frymë të lehtësuar.Më së fundi do të përtypnin atë garuzhdën me fasule dhe do të shtriheshin në dyshekët e mbushur me kashtë që i joshnin si të qenë krevatër mbretërorë. Hija shtyu kanatet e portës,dhe ata që prisnin të përballeshin me kapelën me yll të oficerit,në vend të saj shquan kokën e hijshme të Musës së Prishtinës.Dëbora mbi të e bënte edhe më të bardhë.Një murmurimë habie e dalë nga dhjetëra shpirtra e ndali.Musa i Prishtinës e ndjeu gjëmën që i kanosej.Qëndroi disa çaste i palëvizur përpara portës dykanatëshe që u mbyll me zhurmë duke kërkuar ngulmues sytë e të rreshtuarve.Polici iu afrua.Diçka i tha.Ai nuk denjoi të kthejë as kokën.Vazhdoi me këmbëngulje të kërkonte sytë,por ata i shmangeshin.Ngadalë,si në jerm zbriti shkallët.U dha një mirëmbrëma të parëve,atyre që qenë në fillim,në fund të shkallëve,por përshëndetja nuk iu kthye. Vazhdoi me të njëjtin hap përgjatë rrjeshtit duke kërkuar një fjalë,një përshëndetje , një vështrim ,por,ata,shokët e tij ia mohuan.Në çdo hap që hidhte supet i rrëzoheshin gjithnjë e më shumë.Pikërisht, atje në fund të rrjeshtit, ku do të merrte për të hyrë ndërmjet dy pallateve dhe prej andej do të dilte në sheshin kryesor përpara taracës së rrjeshtimit, brigadier Gjini e përshëndeti.-A u lodhe Musë?-Dhe kjo pati efektin e një goditje që ai nuk mundi ta mbajë . Ndaloi sikur të qe goditur nga rrufeja , uli kokën e bardhë,dhe ata që qenë pranë,mbas një psherëtime të dhimbshme shpresëhumbur ndigjuan ti thoshte vetes.
-Nuk qenka e thënë ta rishoh edhe njëherë Kosovën.-Pastaj,ngriti kokën,u kthye ngadalë dhe mori për nga kish ardhur.Diku,në mes të shkallëve polici i shërbimit i doli përpara.
-Ku shkon?.Kthehu.Në fjetore,-e urdhëroi. Musa e mënjanoi me dorën që i dridhej lehtas.
-Mu hiq qafe Shkja e bir Shkjau.-Dhe të gjithë e dinin se kjo ishte kryesharja e tij.Polici u tulat.Duke ecur së prapthi arriti tek porta dykanatëshe,ndërkohë që Musa ishte ngjitur në krye të shkallëve. Për shkak të lartësisë dukej edhe më i gjatë seç ishte.
-Vëllezër.-ia nisi.Sytë e gjithkujt shihnin atë dhe vetëm atë.Ishte vonë, tepër vonë.-Vëllezër-përsëriti.-Në këtë orë të natës,në komandë shkojnë e kthehen vetëm të pabesët,spiunët.-
Pastaj, ai kishte vazhduar të shpjegonte se si rreth tre orë më parë mbasi e prangosën e patën lënë në këmbë,në dëborë, përpara godinës së komandës.Askush nuk i kishte thënë qoftë edhe një fjalë të vetme,dhe, ashtu si e patën marrë mbasi e kishin çprangosur e urdhëruan të kthehej.Nga komanda u ndigjuan urdhra,hapa të rëndë që shpejtonin,rrak-shtrakët e armëve që mbusheshin.Polici i shërbimit pati dhënë alarmin.Musa i Prishtinës e ndjeu se imbetej edhe pak kohë për të lënë lamtumirën.
-Vëllezër ,nuk ju mbaj mëri.Edhe unë për cilindo nga Ju të njëjtën gjë do të kisha menduar.-
Hapat që afroheshin u bënë më të zhurmshme.Era qe mehur.Grimcat e dëborës qenë shndërruar në flokë të mëdhenj,të rëndë.Një qetësi e frikshme e bardhë si një qefin nderej mbi gjithshka.
-Duajeni njëri tjetrin vëllezër.Besojini njëri tjetrit.Rroftë Shqipëria e vërtetë e bashkuar.-ulëroi ,dhe u kthye për të shkuar drejt atyre që po vinin për ta marrë.Në momentin që do të shtynte kanatet e portës,ktheu edhe njëherë kokën e hijshme,ngriti pakëz dorën e djathtë sikur donte të prekte njëherësh të tyret,dhe priti mospërfillës përballjen me ata,që të shumtë vinin drejt tij me rropamë.
Të nesërmen dhe në ditët në vazhdim mendimet ndaheshin për sa i përket faktit se kush i dha Musës shtysën e fundit për të bërë atë që bëri.-A u lodhe Musë.?-e krye spiun brigadier Gjinit, apo sytë e ngrirë të shokëve, që shihnin kokën,shpatullat,duart dhe gjithçka tjetër përveç se sytë e tij,dhe për më tepër i patën mohuar kthimin e përshëndetjes.Kishte edhe nga ata që mendonin se Musa pati një krizë apo shpërthim nervash,ashtu siç është edhe kriza e zemrës,por ,në këtë rast pretendonin ata ishte truri.
Por të tjerët që mendonin ndryshe e rrëzonin lehtësisht këtë.-Le të supozojmë se kjo që thoni ju është e vërtetë,por…..argumentonin…..si shpjegohet fakti që gjatë gjithë kohës,qysh prej momentit që u kthye nga fundi i rreshtit dhe gjer në krye të shkallëve nuk pati një shenjë të asaj krizës në tru apo atij shpërthimit nervor si e quani ndryshe, që ju pretendoni që Musa pati.Asnjë fjalë e çartun, asnjë lëvizje e pakontrolluar e gjymtyrëve, asnjë ngërdheshje, shtrembërim, përçudnim i fytyrës, përkundrazi dinjitet dhe vetëm dinjitet.
A i ndigjuat fjalët e fundit të tij? Ah, i paskeni ndigjuar, por fatkeqësisht i paskeni harruar, po jua kujtojmë. – Duajeni , besojini njëri tjetrit vëllezër. Rroftë Shqipëria e vërtetë, e bashkuar.- Dhe kjo qenka krizë truri, shpërthim apo krizë çmendurie që është e njëjta me dy të parat.
Ata, që mendonin se shtysa kryesore ishte përshëndetja e spiun Gjinit (mos vallë edhe kjo qe e planifikuar nga kurth ngritësit, por ndryshe nga efekti që kërkonin të arrinin, siç ndodh jo rrallë, edhe për shkak të zellit të tepruar, shkakton të kundërtën e asaj që synon) mbaheshin fort mbas asaj që qe e njohur dhe e pranuar nga të gjithë të pranishmit, se, Musa i Prishtinës nuk reagoi kur nuk i kthyen përshëndetjen por vazhdoi i qetë…..-Mos abuzoni- ia prisnin fjalën ata që arsyetonin ndryshe,-Askush nuk mund ta konfirmojë këtë, madje cilido do të thoshte të kundërtën. A nuk dallohej qartë se si i rrënoheshin supet gjithnjë e më shumë në çdo hap të hedhur? A nuk e vutë re se sa të rënda i kishte këmbët, ndërsa kur u kthye për të na dalë përpara, në krye të shkallëve, qe krejt e kundërta.
-Ahere, përse e mori vendimin pikërisht kur brigadier Gjini e përshëndeti, ngulmonin pala kundërshtuese dhe, duke shfrytëzuar heshtjen që binte zakonisht mbas kësaj pyetje shpejtonin të shtonin, -sepse ai, Musa, ndjeu se u shndërrua në sytë, në mendimin madje se do të mbetej një herë e përgjithmonë në kujtesën tonë, këndej e tutje, i njëllojtë me atë spiun Gjinin, dhe, duke qenë krenar gjer në marrëzi (A nuk është ajo, krenaria, shqyti, përkrenarja, shpata e pathyeshme e të burgosurit politik?) pati atë krizën apo shpërthimin nervor , quajeni si të doni, përfundonin duke evituar atë fjalëzën çmenduri që bashkëbiseduesit e shfrytëzonin mjeshtërisht për tua rrëzuar të gjithë arsyetimin.
Kishte edhe nga ata, por këta ishin të pakët, dhe përveç kësaj mendimet nuk i shprehnin haptas ashtu si vepronin dy grupet e tjera në bisedat e të cilëve shquhej qartë dhimbja e sidomos pendimi se , ata, jo vetëm nuk patën penguar, por me reagimin apo më mirë mos reagimin kishin qenë vegla qorre në duart e sigurimit që pati ngritur grackën. Këta të paktët, në heshtje e dënonin qëndrimin e Musës. – E ç’fitoj në fund të fundit?-arsyetonin. – Një plumb mbas koke, ose po pati ca fat mbylljen në Burrel përgjithnjë, bile edhe pas vdekjes,- dhe tundnin kokën gjithë çudi nga ekzistenca ende e këtyre lloj njerëzve,në këtë fund shekulli të njëzetë, që kishin të shenjtë atë nderin që qe i vjetër, i dalë kohe, i parrokshëm për ata.
Sidoqoftë, në një pikë ishin të gjithë në një mëndje. Kurthngritësit qenë treguar krye artistë në mjeshtërinë e tyre. Edhe nëse vetëm për pak minuta ia dolën të njollosnin Musën me damkën e spiunit ,nuk u duhej ngrënë haku, madje u duhej hequr kapelja. Koha, mënyra, mjetet, dredhia e përdorur që ishte e panjohur gjer ahere në historinë e burgjeve shqiptare, gjithçka qe llogaritur me përpikmëri, por si çdo krim , mbasi edhe ky qe i tillë,sado i sofistikuar të jetë gjithmonë do të lërë gjurmë që do të shpien në zbulimin e tij, edhe në rastin e Musës, krimbërësit patën harruar, neglizhuar, apo nënçmuar shpirtin e tij, dhe qe pikërisht ky shpirt, që në pak minuta shndërroi triumfin e tyre në disfatë.
-Por a do të mund ti fajësoje ata.?-
E kujt do ti shkonte nëpër mënd se Ai ,Musa i Prishtinës për të hequr atë njollën e turpshme të tradhtisë ,damkën e të qënurit spiun do të ishte i gatshëm , pa u menduar dy herë, të paguante çfarëdolloj çmimi, qoftë edhe atë të lënies së kokës.?
-E po, më kot nuk e thërrisnin Musa i Prishtinës.- pati thënë Sevini…
* Autori ka qenë i burgosur politik. Fragmenti është marrë nga romani në proces

Filed Under: LETERSI Tagged With: Hasan Bajo, Musa i Prishtines

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT