• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl.(7)

April 29, 2020 by dgreca

Përsiatje kritike mbi të shkuarën tonë historike/

NGA EUGJEN MERLIKA*/

Ajo klasë politike e luftës së dytë botërore, që historiografia komuniste e emëroi për 70 vjet me rradhë si “bashkëpuntore”, “tradhëtare”, “kundërkombëtare”, me gjithë mangësitë  në fushën e marrëveshjeve mes përbërëseve të saj e veprimit politik të përbashkët, megjithë dështimin në planin kombëtar e vetiak, pak për paaftësi e shumë për një fatalitet ngjarjesh më të mëdha  e më të ndërlikuara se mundësitë e përballimit të tyre, betejën për jetëgjatësinë në kujtesën e kombit e ka fituar. Të gjithë pjestarët e saj, bashkëpuntorë me italianët, me gjermanët, me anglezët, në thelb të synimeve të tyre nuk patën kolltuqet apo  fitimin vetiak, interesat e familjes, të  partisë, të krahinës apo të të huajve. Ata patën si busull vetëm një gjë : interesat e Atdheut, në tërësinë e tij territoriale e në bashkësinë e tij shpirtërore e kulturore. U takoi ky mision në një nga periudhat më të këqia të historisë njerëzore, në atë të një lufte botërore me përmasa të papara, që i vuri para një mundësie të ëndërruar për rreth tridhjetë vjet, atë të ndreqjes së një padrejtësie historike, atë të një bashkimi kombëtar. I u kushtuan me mish e shpirt sendërtimit të kësaj aspirate, prandaj gjykimi mbi ta merr formë vetëm në këtë këndvështrim, siç duhet të jetë vlerësimi në Shqipërinë tonë për këdo që dëshira, fati apo rrethanat e bëjnë të merret me jetën politike.

            Ata ishin të gjithë atdhetarë, me A të madhe, ishin me një formim intelektual të nivelit evropian, me një shtat moral të padiskutueshëm, me një vizion politik të hapur, me koncepte të huazuara nga kultura botërore, me prirjen dhe synimin për t’a ngritur sa më lart nivelin kulturor e jetësor të popullit të tyre. Kanë patur të meta, kanë bërë gabime, është fiziologjike sepse askush nuk mbetet i pagabueshëm, por pasardhësit e tyre në administrimin e Shqipërisë, në të gjitha drejtimet, janë vite drite larg tyre. 

            Dhe ata ishin bashkëpuntorë të gjithë rrymave të komunizmit botëror. Lindën  si parti duke kërkuar ndihmën e jugosllavëve, kur Shqipëria kishte bashkuar në gjirin e saj trevat e grabitura nga ata, u rritën nën tutelën e tyre. Me këshillat e ndërmjetësimet e tyre morën nga anglezët ndihmat gjatë luftës, për t’a fituar atë jo kundër gjermanëve e italianëve, por kundër bashkatdhetarëve të tyre nacionalistë. Si shpërblim për fitoren jugosllavëve i dorëzuan trevat e bashkuara, të shoqëruara me mijra jetë kosovarësh të martirizuar në thertoren serbe, ndërsa anglezëve arrogancën në trajtimin e përfaqësuesve të tyre dhe minat në kanalin e Korfuzit. Erdhën në pushtet, duke tradhëtuar interesin kombëtar, e vendosën në Shqipëri diktaturën më të egër që kishte njohur Vendi e, njëkohësisht, atë më mizoren që provoi Evropa e mbas luftës.    

            Qeverisën për 47 vjet, duke ndërruar miqtë a më mirë të themi padronët, duke u larguar gjthënjë e më shumë nga Evropa, në drejtim të komunizmit aziatik të viteve të urisë, nga jugosllavët te sovjetikët, te kinezët, madje morën titulin e nderit si “zëdhënës të Kinës në Evropë”. Ndenjën nën ombrellën e Titos deri sa ai ishte një ndjekës besnik i Stalinit, por kur ai bëri kthesën e tij historike, duke u shkëputur prej kthetrave të Moskës e duke vështruar nga Evropa, e braktisën atë duke i veshur të gjitha të këqijat që kishin mbjellur në Vendin e tyre. Besnikë deri në vdekje të Stalinit e rrugës së tij të krimeve mbi miljona rusë, aq sa, të vetmit në glob ruajtën në qytetet shqiptare bustet e tij deri më 1990, madje duke nxjerrë edhe një ligj të posaçëm për mbrojtjen e tyre në atë vit, pranuan me zor “qiejtë e hapur” të Hrushovit, për t’u prishur me të, mbas disa vitesh, kur ai i kërkoi Enverit e Mehmetit të lironin karriget në dobi të njerëzve të rinj. U bashkuan me Kinën e Mao Ce Dunit deri sa ky i linte njerëzit të vdisnin nga uria e i çonte për riedukim nëpër komuna, në t’ashtuquajturin “revolucion të madh kultural proletar”, që në Shqipëri e kthyen në vandalizëm kundër besimeve fetare e objekteve të kultit, duke fituar çmimin e madh të Djallit si “i vetmi vend ateist  në botë”, me një kushtetutë që i a kaloi dhe asaj të Stalinit. Filluan t’a kritikojnë ”Timonierin e madh” kur ai filloi të luajë ping pong me amerikanët, e mbas një flirtimi me bandën e të shoqes i prishën marrëdhëniet edhe me Kinën kur Ten Hsiao Pini filloi t’i bindë shokët e tij se ashtu nuk shkohej përpara. Atëherë shpikën teorinë e t’ushqyerit me bar e, mbasi i kishin vrarë të gjithë shokët e vjetër të luftës, vdekjes së komandantit i u përgjigjën me kurorëzimin e të vetmit “shok armësh” që kish mbetur gjallë, Urjah Hipit të komunizmit shqiptar, Ramiz Alisë. Ky, simbas historianëve pati meritën se solli demokracinë, dy vjet mbasi kishte rënë Muri i Berlinit. Kjo qe me pak fjalë rruga e jashtëme e socializmit të Enver Hoxhës.

            Ecuria e mbrendëshme është një lumë gjaku që, në pak vite, i hoqi Shqipërisë të gjithë klasën e saj intelektuale, duke filluar nga martirët e Kishës katolike e të besimeve të tjera, tek të gjithë eksponentët politikë antikomunistë e nacionalistë, madje dhe ata që në mënyrë paradoksale i kishin besuar “idealit të çlirimit nga pushtuesit”. Krahas këtyre mijra viktimave lufta e pushtetit të popullit filloi sistematike kundër grave e fëmijëve e pleqve, familjarë të “armiqve”, që fabrikoheshin në vazhdimësi, një luftë që vazhdoi deri në vitin 1991, kur njerëz të detyruar të paraqiten gjithë jetën dy herë në ditë para policit, u lejuan të gjejnë strehim në vende të tjera. Ndërkohë burgjet ishin gjithmonë plot, neni 55 ishte bërë emblema e besnikërisë ndaj regjimit për policë, gjyqtarë, sigurimas, spiunë e funksionarë partie, duke mbushur me forca gjithënjë e më të reja, kampet e punës së detyruar nëntokë e mbi tokë.

            Duke shënuar si të vetmet gjëra pozitive përhapjen e arsimit deri në skajet më të largëta, arsimin tetëvjeçar të detyruar, dhe ndihmën mjekësore të shtrirë dhe në fshatra, nuk mund të le pa përmendur varfërimin skajor të fshatarësisë së kolektivizuar dhe racionimin e ushqimeve, si në kohë lufte, për dhjetëvjeçarë me rradhë. Sa i përket zhvillimit industrial, kaq shumë të trumbetuar nga propaganda e regjimit, ishte i tëri një bllëf i madh. Fabrikat e uzinat ishin me një teknologji të fillimit të shekullit, bujqësia angazhonte 60% të fuqisë puntore të Vendit dhe “mbrojtja” hante në tunele e bunkere shifra të pallogaritëshme të buxhetit të shtetit. Pra në tërësi ishte një sistem krejtësisht i dështuar që mbahej në këmbë vetëm me forcën e terrorit.

            Këtë sistem, krejtësisht mbrapambetës për Shqipërinë, e njerëzit që e krijuan dhe e drejtuan për gati një gjysëm shekulli, duke e kthyer Vendin në simbolin më shprehës të diktaturës, të mbrapambetjes e të varfërisë, historianët tanë ka 80 vjet e këndej që vazhdojnë t’a paraqesin si prodhues të mirëqënies e  të përparimit.  Simbas tyre, ka patur ndonjë teprim në “luftën e klasave”, por dhe ato justifikoheshin me “rreziqet” që kalonte gjithmonë revolucioni. Vazhdon hymnizimi i “Luftës N.-Çl.” dhe i udhëheqësve të saj, që e vunë Vendin “në anën e fituesve”. Krahas kësaj paraqitjeje vazhdon nxirja e pjesës më të madhe të personaliteteve nacionaliste, të cilëve kjo historiografi nuk i njeh asnjë meritë.

            Ka ardhur koha, madje jemi shumë të vonuar, që në kujtesën historike të vihen në vend të vërtetat e të paditen me forcë mashtrimet dhe autorët e tyre. E vërteta është që nacionalistët shqiptarë i kanë shërbyer interesave të Shqipërisë, në kohë dhe rrethana shumë të vështira e Atdheu i tyre duhet t’i jetë mirënjohës e t’i japë vëndin që u takon në Panteonin e vlerave të Kombit. Kjo duhet të bëhet, në rradhë të parë, duke i mësuar fëmijëve historinë e vërtetë, jo me tekstet e morisë së historianëve të regjimit që ende sot mëtojnë të kenë monopolin e së vërtetës, por që në fakt zotërojnë të kundërtën, atë të mashtrimit. Së dyti, Shteti demokratik dhe organet vendore duhet të venë dorë mbi simbolikën e qyteteve, mbi emrat e rrugëve e të veprave sociale e kulturore, duke ndërhyrë në ndryshimin e tyre në dobi të pohimit të vlerave kombëtare. Nuk e di se sa politika është e prirur të veprojë në këtë drejtim, por mendoj se është një detyrë që e shkuara jonë na e shtron me forcë e, nëse duam t’i mbushim mëndjen vetes se po ndërtojmë një demokraci, duhet pa tjetër të vendosim raportin e drejtë mes së vërtetës historike dhe paraqitjes së saj. E, së fundi, uroj që studimi i historisë së Vendit tonë, sidomos i shekullit të fundit, të jetë vepër e studjuesve të rinj, të paindoktrinuar dhe objektivë e pa pasione politike.

            Historia jonë është ajo e një toke “të fshikulluar nga përndjekjet”. Ndoshta ky është përkufizimi më i saktë e më domethënës i fatit tonë historik. Nuk është përcaktimi i ftohtë i një historiani, që nuk bën kurrë bilance dhimbjesh njerëzore, por i një Shenjti, për të cilin ajo mbetet gjithmonë prova e madhe e kësaj jete. Shenjti Vojtila qe njëri nga ne, që në shekullin simbol të dhunës së ideologjive, provoi në vetë të parë përndjekjen. Të vetmen herë që erdhi mes nesh u ul në gjunjë dhe puthi tokën tonë. Ndoshta me atë veprim deshi të qetësojë sado pak rënkimin e brëndshëm të saj.

            Historiani Gibbon, një nga monumentet e fushës së historisë, na ka quajtur “një popull që ka mbrojtur gjithmonë çështjen e humbur”. Nuk është një vlerësim bujar ky i historianit anglez, e nuk di se sa argumenta mund të kemi për të provuar të kundërtën. Sigurisht bustet e Stalinit në sheshet tona deri në vitin 1990 e bunkerët e mbjellë me shumicë në tokën tonë nuk na ndihmojnë n’atë drejtim. Por ndërmjet shprehjes dashamirëse të Papës Vojtila dhe gjykimit të ftohtë të historianit, ndoshta gjëndet e vërteta.

            Lidhur me të duhet të ndalemi para një date me këto shifra : 29 /11/ 1944. Kjo datë në udhëtimin përfytyrues shëmbëllen me një prag humnere si ai, në hyrje të të cilit, thotë i madhi Dante, ishte shkruar me gërma të mëdha : lini çdo shpresë o ju që hyni! Data, në vetvete, përkon me ikjen e ushtarit të fundit gjerman nga Shqipëria e, normalisht, duhet të ishte një ditë e gëzuar,mbasi askush nuk ka dëshirë të shohë uniformat e huaja ushtarake në tokën e tij. Por për ne qe si porta e Ferrit të Dantes. Fitorja mbi fashizmin qe, për popujt e Evropës Lindore, fitorja e robërisë komuniste. Këtë të vërtetë, të mbajtur në kasafortë për më shumë se gjysëm shekulli, do t’a pohonte me zë të lartë një qiraxhi i Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Xhorxh Bush. Ne vazhdojmë ende t’a ruajmë në kasafortë, si ditë “çlirimi” edhe se qe një ditë pushtimi më e keqe se 7 prilli, edhe se qe fitorja e krimit, e padijes, e mashtrimit, e dhunës, e pandershmërisë. Absurditeti më i madh qëndron në faktin se ende sot, mbas 80 vitesh, kur të gjitha këto dhunti të saj i kemi shijuar në tre breza, me pasoja tragjike e të pamatëshme, ata që e sollën atë ditë quhen atdhetarët më të mirë, paçka se mbaruan të gjithë duke vrarë njëri tjetrin, e ata që bënë çmos që ajo ditë të mos vinte quhen ende “armiqtë” e Shqipërisë. Se ku qëndron baza edhe më elementare logjike e këtij arsyetimi nuk kuptohet, ndoshta në thënien e Gibbonit, kësaj rradhe të shtrirë edhe në mendimin, ndoshta në errësirën që, ende, nuk lejon gjykimin e kthjelltë.    

(FUND)

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugen Merlika, Nacionalizmi 7

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – ÇL.(6)

April 24, 2020 by dgreca

Misionet aleate dhe Asamblea Kombëtare/

Nga Eugjen MERLIKA/

Këtu ngërçi bëhej edhe më i ngatërruar për nacionalizmin shqiptar. Aleatët ishin përkrahës tradicionalë të Jugosllavisë (Rusia) dhe të Greqisë (Anglia). Integriteti tokësor shqiptar ishte kërcënuar prej tyre, që kur lindi Shteti i parë më 1912. Pra gjëndja e Shqipërisë, në sytë e nacionalistëve ishte e pashpresë. Kësaj i shtohej edhe fakti ogurzi që formacioni politik referent i Aleatëve në Shqipëri, Lëvizja N-Çl., mbas Konferencës së Mukjes në gusht të 1943-it, kishte shpallur haptas, pa asnjë mëdyshje se problemi kombëtar për të nuk ekzistonte e se ajo pushtetin në Shqipërinë e mbas luftës nuk donte t’a ndante me askënd, madje mund të mendonte të zëvendësonte bashkimin me Italinë në atë me Jugosllavinë.

            Për të përballuar një mundësi të tillë, që do të ishte, shkatërrimtare e vdekjeprurëse, jo vetëm për projektin e sendërtuar të Shqipërisë së bashkuar, por edhe për fatin e vetë së ardhmes politike të shqiptarëve, duhej një ndërgjegjësim i shkallës eprore të gjithë përbërësve të jetës politike, administrative, fetare e kulturore të kombit. Duhej një bashkim i fuqishëm, ku secila përbërëse e fushës politike të hiqte dorë nga një pjesë e vetvetes, nga paragjykimet e çfarëdo lloji e t’i delegonte një autoriteti të pranuar prej të gjithëve si shpresa e shpëtimit të Atdheut. Ky autoritet duhej të përbëhej nga një skuadër njerëzish atdhetarë të aftë e të ndershëm, që duhet të kishin largpamjen për të hartuar një projekt që të funksiononte  duke u përqëndruar në dy objektiva kryesore : ruajtja e tërësisë tokësore shqiptare dhe sigurimi i një demokracie të vërtetë të modelit perëndimor mbas luftës. Ndërmarrja ishte shumë e vështirë, por jo e pamundur. 

            Duheshin bindur aleatët se në Shqipëri kishte një klasë drejtuese, që frymëzohej, sa i përkiste modelit të shtetit e të shoqërisë, nga parimet e demokracisë së tyre e, njëkohësisht, t’u provonin atyre se populli shqiptar ishte në krahun e saj. Kjo arrihej si rezultat i një ujdije mes të gjitha rrymave të nacionalizmit e duhej t’i nënshtrohej një parimi të njohur : çdo stinë politike duhej të kishte përfaqësuesit e vet, por që të gjithë t’i shërbenin një qëllimi. Popujt që kanë një ndërgjegje kombëtare të zhvilluar e venë në zbatim këtë parim dhe stafeta mes klasave drejtuese në faza të ndryshme, në marrëveshje të hapura e, më shumë të fshehta, nuk përbën një blasfemi. Edhe në Shqipëri, gjatë luftës, këto përpjekje marrëveshjesh janë bërë në nivele personale, por nuk kanë sjellë në një përfundim të kënaqshëm, sepse paragjykimet ishin shumë të forta. 

            Lidhjet me aleatët në Shqipëri mbaheshin prej misioneve angleze, që qëndronin pranë forcave të mikut të tyre, Abaz Kupit. Por kundrejt kërkesave të tij për sigurinë e Shqipërisë etnike dhe vendosjes së kontakteve me Mbretin Zog, megjithë miratimin në planin vetiak të oficerëve të misioneve, përgjigjet nga Forejn Ofis apo Ministria e Luftës ishin gjithmonë negative. Në sferat e larta të politikës britanike e amerikane ishte vendosur që Vendet e Lindjes i qenë caktuar ndikimit sovjetik, si shpërblim të peshës që atdheu i komunizmit po mbante në luftën e madhe. Si pasojë parapëlqimet e tyre shkonin drejt forcave që qëndronin në pozitat e afërta ideologjike e politike me B.S., në rastin tonë me Frontin N- Çl. që merrte të gjitha ndihmat materiale që caktoheshin për Shqipërinë. Në këtë gjëndje, kur ishte e qartë se çfarë drejtimi po merrnin ngjarjet, e vetmja mënyrë për të shpresuar ndryshimin e kursit të tyre, ishte një kundërfront i fuqishëm që do të kishte në shërbim të tij së paku 50 mijë ushtarë të armatosur mirë, të gatshëm për të ruajtur rendin, sigurinë dhe institucionet me ikjen e gjermanëve. 

            Në këtë mundësi teorike duheshin zgjidhur dy probleme : shtabi drejtues dhe armatimi. Faktori i parë, për mendimin tim, do të ishte i plotësuar nga kthimi i Mbretit, që mund të ishte personi më i përshtatëshëm për të siguruar një besëlidhje të krahinave e forcave politike të ndryshme, që vlerësonin rrezikun komunist. Por Mbreti mbahej i mbyllur në Angli, pa mundur të mbante lidhjet me bashkëqytetarët e tij. Anglia u kishte krijuar mundësi të gjitha Vendeve të pushtuara të mbanin në tokën e saj “Qeveritë në mërgim”. Këtu bënte përjashtim vetëm Shqipëria. Nuk kuptohej nëse ky qëndrim ishte një “dënim” i Mbretit shqiptar për politikën e tij të marrëveshjeve me Italinë, apo një projekt afatgjatë që e përjashtonte atë nga e ardhmja politike e Shqipërisë. Në rastin e parë mendoj se imazhi i Anglisë dhe i Qeverisë  së saj nuk është në përputhje me korrektësinë në marredhëniet mes shteteve, që do të thotë respektim i rregullave për të gjithë. Nëse kishte dyshime për mënyrën e shpalljes së Mbretërisë, Ahmet Zogu kishte deklaruar se nuk do të pranonte Fronin nëse nuk do të kishte ligjësimin popullor, nëpërmjet një referendumi. Por komunistët e kishin ndaluar kthimin e Mbretit me vendime të njëanëshme të drejtuesve të tyre dhe anglezët e amerikanët vinin në zbatim këta vendime. 

            “Kupi tha se do të sulmonte gjermanët vetëm kur të merrte urdhër nga mbreti Zog. Ne e kishim takuar mbretin Zog në Angli i cili na kish autorizuar zyrtarisht me shkrim por Ministria e Jashtme refuzoi të na lejonte që ta merrnim me vete. Menduam se ndodhi kështu meqënëse ata nuk donin ta njihnin Zogun si mbret sepse kjo mund të prishte marredhëniet tona me amerikanët të cilët ishin shumë antimonarkistë dhe kishin ngritur zërin kundër njohjes së mbretit të Greqisë nga ana e jonë”[1]  

            Kështu shkruan oficeri i misionit anglez pranë Abaz Kupit, David Smiley, në parathënien e librit të kolegut të tij Julian Amery “Bijtë e shqipes”. Ndoshta ishte më shumë vullneti i sovjetikëve se i amerikanëve që respektohej në këtë rast, sidoqoftë nuk ishte shprehje e vënies në jetë të parimeve demokratike që trumbetonin ata si luftëtarë kundër diktaturave, ishte një detyrim që i bëhej zgjedhjeve të një populli. E përjashtuar mundësia e pranisë së Mbretit në zhvillimin e ngjarjeve shqiptare, i takonte të tjerë prijësve, që jetonin në Shqipëri të gjenin zgjidhjen në një organizëm kolektiv, ku bindja e secilit duhet t’i nënshtrohej interesit madhor të shqiptarëve.  

             Problemi i dytë, ai i armatimit, kërkonte një përkrahje nga jashtë. Meqë kjo përkrahje nuk mund të vinte nga aleatët që ishin angazhuar me komunistët, nuk mbetej tjetër zgjidhje veçse nga gjermanët. Marredhëniet me këta të fundit ishin më pak problematike se me italianët. Gjermanët nuk merrnin pjesë në administrimin e Vendit, atyre u interesonin dy gjëra : të mos lejonin një zbarkim të anglo-amerikanëve në Ballkan e të kishin rrugët e lira për t’u larguar. Pushtimi i tyre ishte i përkohshëm dhe varej nga ecuria e luftës. Kështu më 1 tetor 1943 u bënë zgjedhjet për Kuvendin Kombëtar, ku për herë të parë e të fundit shqiptarët votuan në të gjitha trevat e tyre etnike, me përjashtim të Çamërisë e zonave të Jugut. Ishte ai Kuvendi më përfaqësues i Shtetit shqiptar gjatë gjithë jetës së tij deri më sot, ku binin në sy listat e deputetëve të Dibrës së Madhe, të Pejës, të Prizrenit, të Prishtinës.

            Kuvendi u mblodh më 16 tetor 1943 e zgjodhi kryetar të përkohshëm Lef Nosin e sekretar Xhelal Mitrovicën. 

            “Më 22 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar miratoi dhe dekretoi 5 vendime të tij që bënë të mundur :

            1 – Shfuqizimin e vendimeve të asamblesë së 12 prillit 1939, e cila kishte “votuar” për “bashkimin personal” midis Shqipërisë dhe Italisë.

            2 – Abrogimin e të gjitha ligjeve që binin në kundërshtim me vendimin e 22 tetorit 1943.

            3 – Caktimin e institucionit të Këshillit të Naltë të Regjencës për aq kohë sa do të zgjaste lufta, si dhe ushtrimin prej tij të pushtetit ekzekutiv. Po ashtu Këshilli i Naltë ushtronte bashkarisht me Parlamentin pushtetin legjislativ.

            4 – Rifuqizimin e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928.

            Në pikën 5 thuhej:

            “Konsiderohet e paqenë dhe mbetet pa fuqi për çdo efekt, dekretligja me datë 9 qershor  1940, e botueme  në “Fletorja Zyrtare” nr. 93 datë 10 qershor 1940, kthyer në ligjin nr. 128, datë 19 gusht 1940, me të cilin Shqipnija njihej e hyeme në luftë me ato shtete me të cilat Mbretnia e Italisë ka pas qënë në luftë”, duke shpallur në këtë mënyrë asnjanësinë e Shqipërisë nga konflikti botëror.”[2]    

            Shpallja e asnjanësisë në konfliktin botëror ishte një masë e detyruar dhe e zgjuar njëkohësisht. Ishte e detyruar sepse ushtritë gjermane ndodheshin në territorin shqiptar dhe lufta kundër tyre vinte në pikëpyetje tërësinë tokësore të Shqipërisë të cilën ata po e respektonin. Ishte edhe një masë e zgjuar sepse i tregonte kundërshtarëve të gjermanëve  se Shqipëria nuk ishte në luftë me ta e se kishte një arkitekturë institucionale demokratike që e përfaqësonte.

            Organet administrative, të dala nga Kuvendi, i kishin të gjitha kompetencat ligjore për të sendërtuar atë bashkim, që duhej të vinte në zbatim projektin e shpëtimit të çështjes kombëtare e të demokracisë së ardhëshme. Ishte një projekt që duhej realizuar nëpërmjet përballimit ushtarak të përparimit të ushtrisë N.-Çl, që ishte kthyer në një organizatë terroriste në shërbim të misionarëve jugosllavë. Edhe pse qeveritë e R. Mitrovicës e të F. Dines ishin të ndërgjegjëshme për domosdoshmërinë e luftës kundër komunistëve, aritjet në këtë drejtim ishin të pakta. Arsyet ishin të ndryshme, por mendoj se e para, e më e rëdësishmja, ishte ajo kronikeja e historisë sonë, paaftësia për të qënë të një mëndje, edhe kur ishim në buzë të greminës e askush nuk do të mund t’i shpëtonte. Kështu forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, nuk merrnin vendim të luftonin komunistët edhe kur sulmoheshin prej tyre, sepse misionet angleze e ndalonin kategorikisht një gjë të tillë. Megjithë përpjekjet e eksponentëve të ndryshëm të nacionalizmit për të koordinuar forcat dhe veprimet rezultatet ishin pothuaj baraz me zero, aq sa që dita e ikjes së ushtarit të fundit gjerman nga Shqipëria, u bë edhe dita e  marrjes së pushtetit nga komunistët në Shqipëri. Bilanc më negativ as që mund të imagjinohej. Siç e kam pohuar dhe më sipër, vështirësitë ishin shumë të mëdhaja, sepse në anën e komunistëve ishin fuqitë fituese të luftës, por ato nuk ishin të pranishme ushtarakisht në Shqipëri e nuk m’a merr mëndja se për të vënë në pushtet Enver Hoxhën do të zbarkonin trupat e tyre në Shqipëri. Një shtet nacionalist me një fuqi të konsiderueshme, që do të  kishte mundur të detyronte lëvizjen komuniste të mos e quante veten fituesen e vetme të luftës, bëhej domosdoshmërisht bashkëbiseduesi i aleatëve dhe  garant i interesave kombëtare e demokratike të shqiptarëve. Ky shtet nuk u ndërtua, megjithë vullnetin e mirë të shumë prej aktorëve të jetës politike, ai nuk qe në gjendje të ndalojë ofensivën komuniste që pasonte ikjen e gjermanëve. Fitoi Shteti terrorist i përkrahur nga Vendet e mëdha demokratike, të cilët shpejt e kuptuan se çfarë çorbe të ndyrë kishin gatuar me duart e tyre.

            “Përse  SOE (Special Operations executive)(Njësitë e veprimeve të veçanta E. M. )  hodhi poshtë aleatët natyrorë të Britanisë së Madhe e mbështeti një lëvizje komuniste? A do të kishte ndryshuar gjë nëse do të mbështeste mbretërorët dhe Ballin në vend të tyre? A do t’a kishte ndryshuar përfundimin e luftës civile shqiptare? Meklin, Smajli dhe Emëri janë plotësisht të bindur për po, e që Britania e Madhe bëri gabimin të mos kuptojë shpejt se komunizmi do të ishte kundërshtari i s’ardhmes.. Simbas tyre, qëndresa kundër komuniste, nëse do të ishte mbështetur nga paisjet dhe prestigji britanik, do të kishte arsye të luftonte dhe do të kishte patur besimin e popullsisë….

            Në vjeshtën e 1944 trupat gjermane ishin në tërheqje e komunistët e kishin fituar luftën civile por, simbas Emërit, loja nuk ishte humbur akoma. “Un ndodhesha në Shqipëri n’atë çast kritik. Me një ndërhyrje shumë të vogël britanike ose amerikane mund t’a kishim mbajtur Shqipërinë nga ana e Perëndimit….

            Emëri nuk është i një mëndjeje me ata që, duke i bërë jehonë fjalëve të Çërçillit për Jugosllavinë , mendojnë se Perëndimi nuk kishte asnjë interes të pranueshëm në t’ardhmen e Shqipërisë, e aq më pak të drejtën për t’a ndikuar. Kishte, thotë, dy justifikime, njëri moral e tjetri praktik. I pari, ishte një gabim të braktiseshin shqiptarët në duart e regjimit mizor të Hoxhës dhe synimeve imperialiste të Stalinit. E dyta, Vlora dhe ishulli i Sazanit kontrollojnë kanalin e Otrantos, grykën e Adriatikut.

            Në Londër në Ministrinë e Luftës nuk e mendonin kështu”[3]

             Solla këtë pjesëz të shkëputur nga libri i prof. Betëllit “Misioni i tradhtuar” me nëntitullin “Si Kim Filbi sabotoi mësymjen e Shqipërisë”, që shpjegon shumë qartë, nëpërmjet opinionit të njërit prej më të njohurve antarë të misioneve britanike në Shqipëri, tragjedinë shqiptare dhe rolin e politikës angleze në të. Nuk e di nëse brejtja e ndërgjegjes së Emërit, Smajlit apo Maklinit për braktisjen e Shqipërisë ka gërvishtur sado pak ndërgjegjen atyre që ishin sipër tyre e vendosnin politikën e fuqisë koloniale më të madhe të kohës. Për klasën politike nacionaliste të asaj kohe është një ngushullim i varfër se përgjegjësia për mos shmangien e së keqes më të madhe të kombit nuk duhet të bjerë vetëm mbi të. Është e vërtetë se nuk patën miq fitimtarë, është e vërtetë se patën kundërshtarë që u treguan më të “aftë” për të gënjyer e për të vrarë, është e vërtetë se ishin më të dobët, se kishin më zemër, se nuk donin të vrisnin shqiptarë. Por besoj se skrupujt i kanë mbajtur mbi ndërgjegjet e tyre të vrara, sepse ata skrupuj, ajo pavendosmëri, ajo verbëri solli një tragjedi të pamasë, me pasoja të llahtarëshme për një popull që u mashtrua deri në palcë e u tradhëtua në aspiratat e tij më të shtrenjta si liria, jeta e pasuria, për një Vend që u zgjua nga një ëndërr shumë e bukur, ajo e kombit të bashkuar e ra pre përsëri e mizorisë së fituesve. Ëndrra u thye, por ashtu copë-copë u ngjit lart në zemrën e kujtesës historike të shqiptarëve, për t’u kujtuar atyre gjithmonë se ajo mbetet një synim, një shpresë, një frymëzim për t’ardhmen e një kombi edhe në një epokë kur shpirtërat e tyre priren drejt bashkësive.

(VIJON)


[1] Julian Amery  “Bijtë e Shqipes” Shtëpia botuese  “Lumo Skëndo”  Tiranë 2002  Faqe 10 – 11 

[2] Kastriot Dervishi “Historia e Shtetit Shqiptar 1912 – 2005” F. 502 – 503

[3] Nicholas Bethell  “La missione tradita” Arnoldo Mondadori editore  1986  F. 29 – 30

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Nacionalizmi 7

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT